Himara

Aleksandër

Imperator
Nga Prof. Kristo Frashëri

a) Himara labe, aq dhe labëronjëse.


Himara si krahinë, që në lashtësi është banuar nga popullsi ilire rrënjëze e fisit të Kaonëve. Termi fis, veç kuptimit të përgjithshëm të popullsisë së një hapësire me të njëjtën prejardhje, ka dhe kuptimin e trungut të një gjaku. Ky është kuptimi më i ngushtë i saj, që përmbledh njerëzit e një gjaku, të të njëjtit trung. Në traditën iliro-arbërore ky lloj organizimi ka qenë parësor në ngritjen e vendbanimeve, të katundeve të hershëm dhe më pas të fshatrave dhe të lagjeve të një fshati në rritje. Këto fshatra e lagje mbanin emrin e fisit që banonte në të. Në Labëri e Himarë vërehen dukshëm gjurmë të jetës së dikurshme fisnore, në kuptimin e barkut. Bile në pikëpamje të gjeografisë së banimit, "katundi lab është më shumë katund fisi dhe toponimia e vërteton këtë. Emra katundesh si اorraj, Sinanaj, Tatzat, Zhulat, Progonat, Kallarat, Luzat, Lazarat, Dhoksat, etj. përmbajnë në vetvete emra fisesh (Eqrem اabej, "Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes", fq.22). Edhe pse në krahinën e sotme të Himarës, shumica e fshatrave nuk shpjegohen me emra fisesh, kjo nuk e përjashton nga kjo traditë. Përkundrazi, do të thoshin se është në po ato përmasa, se ndër të tetë fshatrat që mbijetojnë deri sot me atë emër, që përbëjnë Himarën e sotme, dy prej tyre kanë emra fisesh, "Pangalladhet" dhe "Ilehates". Siç theksuam, shumica e fshatrave që përmend اabej, dikur kanë qenë pjesë e "Lidhjes Himariote", dhe në këtë këndvështrim me të drejtë pohon se "Himara është sa krahinë labe, aq dhe labëronjëse", (po aty). Në se do të bëhej një studim demografik i të dy krahinave të sotme, që dikur ishin një, në shumicën e fshatrave të të dyja anëve do të gjenden shumë familje e fise me emra të njëjtë, si p.sh. Ruci-Rusi-Ruçi, Bifsha-Bisha, Kondi-Kondo, Gjikondi, Kongjini, Dhima, Gjoka, Gjika, etj. ثshtë ky një tregues, jo vetëm i lëvizjeve të mundshme të banimit, por dhe i prejardhjes së përbashkët prej të njëjtit trung fisnor, të cilët, koha dhe ngjarjet, i distancuan. Megjithatë, gojë më gojë e nga brezi në brez, është ruajtur e kujtohet emri i fshatit dhe i krahinës së prejardhjes.

Atë që ruajnë sot emrat e fshatrave labe, në krahinën e Himarës e ruajnë lagjet që në esencë përbëjnë bërthamat e krijimit të fshatrave. Ato dallojnë nga njëra-tjetra nga emri i fisit që banon apo që ka banuar aty, se emri në shumë raste ruhet edhe kur ai është shuar, larguar ose shpërbërë (zgjeruar). Kështu ndodh në Dhrimadhe me emrat fise të lagjeve "Pangalladhe", "Vllade", "Karra", "Kakajava", "Gjinloli", "Petashi", të cilat sot janë thjesht toponime. Të tilla toponime të prejardhjes patronimike (fisnore), që dikur kanë qenë lagje, duhet të ketë çdo fshat i krahinës.
Qëndruam në traditën labe të vend-emrit të fisit, sepse këto emra të fiseve-lagje, lidhen me prejardhjen e tyre dhe origjinën e të parëve të tyre, të cilën nuk duhet ta harrojmë e ta humbasim kurrë. Kjo në krahinën e Himarës është më e dukshme, se demografia e saj ka qenë, ndoshta, më e ndryshueshmja se çdo pjesë dhe krahinë tjetër e hapësirës arbërore. Kjo dukuri i ka rrënjët e saj që në lashtësi, sipas disave, dhe më e theksuar në shekujt e pushtimit serbo-bullgar dhe turk.

b) Ardhjet

Vendosja gjeografike e Himarës dhe e banorëve të saj të lashtë, si dhe historia e saj, nuk japin hapësirë mendimit se demografia e krahinës nuk ka ndryshuar në kohë. Përkundrazi, një mendim i tillë do të ishte sa antihistorik dhe i pavërtetë, aq dhe metafizik. Vetëm se, ardhjet ashtu si dhe largimet, nuk kanë qenë të njëkohshme e masive, sa të tjetërsonin e të asimilonin tërësisht vendasit. Himarjoti, që në lashtësi, ka qenë njeri me temperament dinamik dhe tepër i lëvizshëm, kurajoz e i guximshëm, armëtar dhe luftëtar i tokës dhe i detit, e për rrjedhojë, dhe një mërgimtar i pasionuar në kërkim të një jete më të mirë. Një shtysë për këtë të fundit ka qenë dhe vedeta, por dhe për bujtjet, nga mund të kenë prejardhjen shumë fise të sotme të krahinës. Kjo, edhe pse himarjoti ka qenë po aq bujar e mikpritës e u ka dhënë strehë, bukë e qetësi, jetë e vijimësi, shumë e shumë të ardhurve në këto male e brigje. Të ardhurit, në të gjitha kohët, kanë qenë herë në formën e dallgëve të detit, në brigjet e shtrëngata e herë gurë-gurë. Dallgët sillnin shumë, nga të cilët një pjesë mbetej e një pjesë i merrte ajo në rrugën e detit, në perëndim, ose më poshtë në jug. Pjesa që mbetej, bujte e vëllazërohej me të vendit. Kurse gurët, që zbrisnin një nga një, shumicën prej tyre i sillte fati për t'u ngulur. Dhe nguleshin në këtë tokë, sa të egër në natyrë e të ashpër në reliev, aq të ëmbël e bujarë në njerëz e në bukë. Kjo është një pjesë e historisë e banorëve të kësaj krahine, që e ka zanafillën e saj që në agimet e jetës njerëzore. Historianë të lashtësisë, si dhe shumë kalimtarë e studiues, na njoftojnë për valë të ardhurish nga vende të largëta në brigjet e Akrokerauneve. Bile Paparigopulli na flet edhe për koloni greke në Himarë. Studiues të tjerë grekë, ndër ta dhe Ll.Spiru, duke cituar atë, pohojnë se "ndërmjet viteve 736-625 p.e.re. dhe konkretisht në Luftrat Mesinike, u bë shpërngulje e madhe e spartanëve drejt zonës së Akrokeraunëve, ku u vendosën dhe zhvilluan kulturën dhe etnitetin e tyre që çoi në asimilimin e popullsisë vendase". Dhe më poshtë, "himarjotët e sotëm, pa mohuar prejardhjen e tyre kaone, mburren që në deje e tyre, rrjedh gjak spartan ("Himara", fq.21-22).

Nuk duam të vëmë në dyshim këtë të dhënë, që na jep Spiru nëpërmjet Paparigopullit, por si historia e Greqisë, ashtu dhe e Shqipërisë, por dhe të gjithë studiuesit e tjerë grekë dhe evropianë, nuk përmendin koloni greke në Akrokeraune, e konkretisht në zonën e Himarës ose të Himarës, veç ORIK-ut, që shënon dhe kufirin verior të tyre. Megjithatë, edhe pse historia nuk dëshmon për koloni dhe vendosje spartanësh në Akrokeraune, duhet të pranojmë se lëvizje njerëzish ka patur, për vetë labirintin e arsyeve që kanë vepruar për këtë, në lashtësi e më pas, e për këtë, model të parë përbëjnë vetë grekët. Por kjo nuk ndryshoi asgjë, kudo ku u ngulën ata. Kjo nuk ndryshoi asgjë, nuk tjetërsoi as trungun, as racën edhe në ato raste, kur këto vendosje ishin në përmasa të mëdha e të organizuara dhe vazhduan të determinojnë në jetën e përditshme të këtyre qyteteve koloni. Por edhe sikur të ketë ndodhur një zhvendosje e tillë, ajo ka qenë një pakicë e bujtur nga vendasit, e që nuk mundën të luanin ndonjë rol e të linin gjurmë në emër e kohë. Si pakicë, ata janë thithur nga vendasit dhe kështu kaluan "pa nam e nishan", – siç thotë populli. Historia na dëshmon, se atje ku u vendosën kolonistët grekë, ndikuan në jetën e përditshme dhe, kur u asimiluan gradualisht nga vendasit, lanë prapa gjurmët e qytetërimit të tyre, në kulturë, art e shkrim, që u kujtojnë brezave, se atje dikur kaluan si kalimtarë, "që humbën si uji në pendët e rosës" (Edit Dyrham, "Brenga e Ballkanit", fq.104). Dëshmi e gjallë janë qytetet shqiptare, që dikur u kolonizuan nga helenët, të cilët lanë prapa vetëm mermerët me shkrimet e tyre.

"Qytetet që në kohën e vjetër lulëzonin në bregun lindor të Adriatikut e të Jonit, i kanë themelet ilire, më vonë marrin trajtën helene e në kohën e mesme, kanë fytyrë romake. Toka që shtrihej përgjatë bregut të Adriatikut me Epirin e deri në Panoni në veri, ishte krejt ilire… Në lindje ata kufizoheshin me trakët…" (Milan Shuflaj, "Serbët dhe Shqiptarët", fq.165). Ndryshe me të mërguarit e të vendosurit e organizuar në vitet e mesjetës, në territore e sipërfaqe të djerra e të papopulluara, siç ndodhi me arbrit e mërguar ose të thirrur nga paleologët bizantinë, sundimtarë krahinash e zotërimesh të ndryshme greke. Atje ata, të papërzier, mundën për shekuj të tërë të ruajnë e të zhvillojnë traditat, zakonet, doket, kulturën e tyre, që përbën shtratin e traditës mbarë greke të neo-helenëve të sotëm." Deri në vitet 25 të shekullit të kaluar, arvanitët përbënin shumicën e popullsisë greke dhe pothuaj kudo, në tërë Greqinë flitej gjuha shqipe" (A.Kola, "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve", fq.3). Me përjashtim të të vetmit rast që na përmend Spiru, nëpërmjet Paparigopullit, sikur dhe e vërtetë të jetë, siç thamë më parë, nuk mund të flitet e jo më të pretendohet për popullsi e demografi greke në këtë krahinë.

Krahina e Himarës nga ana demografike është e përbërë tërësisht prej himarjotësh rrënjës, që kanë dhënë e marrë me bashkëkombës të tyre, të ngulur këtu në kohë të ndryshme, për arsyet që njihen. Ata kanë ardhur kryesisht nga krahinat e veriut e të Labërisë së Brendshme, dikur fshatra të së njëjtës "Lidhjeje". Pozicioni gjeografik i Krahinës dhe faktorë të tjerë parësorë, e kanë bërë atë të bëhet stacioni i parë i ndalesës dhe i përqendrimit të të gjithë arbërve që zgjidhnin mërgimin. Himarjotët janë të dëgjuar si detarë, që përshkonin jo vetëm Jonin dhe Adriatikun, por dhe gjithë Mesdheun dhe Detin Egje. Lundrat e tyre konkurronin Republikën e Shën Markut, që ishte Zot i Mesdheut, prandaj dhe Venediku i vu për detyrë vetes, që ta vinte nën sundim dhe kontroll Himarën. Prej këtu, të ardhurit vazhdonin udhën e mërgimit, disa në Itali e disa në Greqi, ca më këmbë e ca me det, të ngulur pothuaj në tërë Greqinë e deri dhe në ishujt e Egjeut. Nuk ishin të paktë dhe ata që zgjodhën të qëndronin këtu. Venomet u siguronin atyre kushte për të vazhduar jetën pa peripeci të tjera drejt së panjohurës. Bile, jo pak herë, ndodh dhe shpërbërje të trungut të familjes e të fisi. Një pjesë mbetën këtu, aq sa mbante vendi e të tjerët vijonin udhën e nisur drejt jugut ose të detit. Emrat e njëjtë të shumë familjeve arvanite të Greqisë dhe arbëreshë të Italisë, me fise e familje, që sot gjejmë në Himarë, në Labëri dhe në tërë Shqipërinë, vetëm kështu mund të shpjegohen. Për ilustrim do të sjellim vetëm disa prej patronimeve që gjenden kudo në tabela dyqanesh dhe shtëpish të Athinës, si Koka, Zoto, Shkurti, Bixhili dhe Bixhilkas, Dede, Gjoni, Gjini, Varfi, Guma, Dhima e Dhimu, Duka a Dhuka-s, Duni, Gjika, Kondi, Leka, Pali, Qesari, Mërkuri, Mërtiri, Malo, Mai, Kuci a Kuçi, Vera, Biçio (Biça), Gjoka, Peçuli, Hunda, Sorra, Kadere, Shishko, اukalla, Liku, Veshi, Beli, Nezha, اali, etj. Mos të mërziten himariotët, dukaqotët dhe labët e shumtë, që nuk kanë këtu patronimet e tyre, se nuk është kjo objekti i këtij studimi.

Siç kemi analizuar edhe më parë, në krahinën e Himarës, kryesisht janë vendosur të ardhur nga zonat e Shqipërisë Veriore, më pak nga ajo e Mesme dhe Lindore. Gjithashtu shpërngulje fisesh, familjesh dhe individësh të shkëputur, të cilët mbetën këtu dhe krijuan familje, kemi nga fshatrat e Labërisë dhe kryesisht nga ato fshatra, që dikur bënin pjesë në "Lidhjen Himariote". Emrat familjare e të fiseve, si Deda a Dede, Gjoni e Gjini, Mëhilli e Marku, Gjika e Gjoka, Koka, Duni, Ndreu, Martini a Martino, Kokuri, Paço, Peçi, اaçi e اeço, اurri e اurra, Gjergji e Gjeçi, Gjokria e Gjikuria, Leka e Leshi, Kushta, Sava e Papsava, Pali, Bala, Dabo e Dena, Grillo, Skura, Nini e Nina, Lesko, Lazari a Lazri, Maraçi a Marashi, Pani, Dani, Nika e Ndrenika, Tava; emrat e përbërë e të përngjitur si, Likoka (Alikoka), Gjidede (Gjikdede e Gjindede), Kokushta, Konduka, Gjonvasi, Gjonmili, Gjiknuri, Kokëdhima, Gjikondi, Gjomemo (GjonMemo), Kongjini, Dhimegjoka e Dhimogjini, Gjipali, (Star(-o)) Marko, Kosta, Gjika, Gjoka, (Star-i vjetër, plak-serb.) – plaku Marko, Kosta, Gjika, Gjoka, etj. si dhe Kallushi, Lekushi, etj. janë emra shqiptaroveriorë. Për këtë bindemi dhe nga një dokument të nxjerrë nga Arkivi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tapive dhe të Kadastrave të Ankarasë (Defteri nr.91, fq.73) për familjet dukatase në vitin 1507. Në këtë listë reflektohen dhe mjaftë patronime të fiseve të sotme të krahinës së Himarës.

Që në vështrimin e parë, gjithkush i dallon si "emra katolikë", por nuk është kështu, se si katolicizmi dhe ortodoksizmi, janë sekte të krishtera që dolën në dritë pas ndarjes së kishës së krishterë, pas përçarjes së saj dhe më saktë pas Kryqëzatave, pas të cilave, si perandorët bizantinë, ashtu dhe patriarkët, nuk e quajtën më veten "romakë", por grekë, dhe "rreziku nga perëndimi, zëvendësoi patriotizmin romak me atë grek", (Ferdinand Schevill, "Ballkani – historia dhe qytetërimi", fq.166-167). Këto emra janë, pra, të kohës së krishtere para ortodokse dhe katolike, që më pas, edhe pse i përfshiu zona lindore e krishterimit ortodoks, brumi i tyre mbeti i pandryshuar. Megjithatë, duhet të theksojmë se emrat Nikoll, Mark, Lekë Ndre, Dodë, Ndue, Gjin, Gjon, Duk, Menksh, Gegë, Pal, etj. janë emra para kristiane të trevës iliro-arbërore, që i përvetësoi dhe i mirë njohu sekti katolik, në bazë të dialektit fonetik të folësve të tij dhe i celebronte ashtu si i donte tradita e çdo vendi.

Veç kahjes veriore e të ardhurve, në këtë krahinë njihen edhe vendosje masive e të grupuara, siç është rasti i Kudhësit, që i dha vendit pritës, emrin e vendit të origjinës. Gjithashtu kemi edhe shpërngulje të veçuara fisesh, si ai i Dhimëve të Progonatit, që të shpërndarë në disa drejtime, si Himarë, Kudhës dhe Dhrimadhe, edhe pse ruanin deri vonë lidhjet fisnore, brezat e vonët kishin ndërruar patronimin e prejardhjes në fshatin e Dhrimadhes, nga Milo në Zhupa. Por ka mundësi që, ata të Himarës të kenë ndërruar nga Zhupa në Milo, se Zhupa është më i lashtë, përderisa lidhet me serbët. Emrat Kokaveshi, Duka, Lesko, Bifsha, Tava, Zoto, Tato, Gerdhuqi, اeço, Shia, Mërtiri, Beno, Muço, Goro a Gore nga vjen dhe Goreci, Dani (Dane, Danaj), Kaçi, Loli, Malo, Thano, Vito, Vjerro, etj. janë emra që i gjejmë në këtë formë, ose me ndonjë alternim fonetik në përshtatje me të folurit dialektor të trevës së atjeshme, kudo në Shqipëri. Emra të tjerë të shumtë janë të fondit leksikor të shqipes, që tregojnë cilësi, epitetime të fisit ose të të parit të tij, punën ose mjeshtërinë e ushtruar, etj. Të tilla emra janë si, Kocani, Boji, Kara(i), Kabuci, Kumi, Andruci, Bashi, Bejleri, Beli, Biça, Brigo, Bubuni, Buço, Bixhili (Bixë-li), اulla, Gorre (Goro), Goxhi, Grillo, Guma, Kazneci, Kashta, Kutulla, Late (Lati), Maji, Nina (Nini), Qesari, Qirici, Shishko, Duni (Tuni), Martino (Martini), etj. Ka dhe pak emra që shpjegohen nëpërmjet një gjuhe të huaj, ose që dokumentohen në mesjetën e parë e të mesme, në hapësira jo himariote, që mbajtësit e tyre dokumentohen si funksionarë të huaj. Edhe në Himarë këta i ka sjellë ose ndonjë detyrë e tillë, ose një "lëvizje e detyruar" për mbijetesë.

Në krye të kapitullit shpjeguam shkaqet e lëvizjeve veri-jug dhe lindje-perëndim të arbërve, si dhe arsyen, pse Himara pret pothuajse të gjitha dallgët e këtyre lëvizjeve. Ato kryesisht ishin të imponuara nga rrethanat dhe më të pakta ato të karakterit të organizuar nga pushtuesi dhe disa sundimtarë vendas. Për lëvizje të organizuara bëhet fjalë edhe në Historinë e Shqipërisë (bot. 1959, fq.170-171), por dhe nga mjaftë studiues grekë e të huaj, sidomos gjatë sundimit të mbretit serb Stefan Dushani, (Kosta Biri, "Arvanitët-Dorët e helenizmit më të ri", fq.57; K.Dede, "Dhrimadhes", fq.18; M. Shuflaj, Vepër e cituar, fq.13-14). Gjithashtu, në vitin 1409 ndodh një tërmet i fuqishëm në Himarë me shumë viktima, me shkatërrime dhe të pastrehë. Himariotët e mbetur pa strehë, marrin mërgimin. Boshllëku i krijuar plotësohet natyrshëm nga banorë mërgimtarë brenda Labërisë dhe të Shqipërisë së Brendshme. (K.Dede, po aty). Në vitin 551 para Krishtit, në Iliri zbresin fiset gote, me mbretin e tyre, Totila. Ata arrijnë deri në Himarë e prej këtej hidhen në Italinë Jugore; Gotët e kthyen qytetin Alkiamo në gërmadhë. Shumë banorë të tij, me despotin e qytetit, vijnë dhe vendosen në Himarë. (K. Dede, po aty). Shekujt që vijnë pas, do të jenë të pasur me të tilla lëvizje, qoftë në formën e pushtimit të përkohshëm, por dhe shekullor, si ai turk. Kështu në vitin 877 kemi inovacionin saraçin në Himarë, gjurmët e të cilit gjenden në disa toponime, si Al Evra, Rusman, etj. (P.Marko, "Shpella e Piratëve", fq.116-122). Në vitin 1034 vjen pushtimi bullgar, më 1071 ai norman dhe më 1085 ai ventikas.

Gjatë periudhës së sundimit turk, si rend feudal i tipit ushtarak, pashallarët dhe bejlerët, ishin jo vetëm zotër të tokës, por dhe të njerëzve që e punonin dhe banonin në të. Kapedanët e Bregut, – siç pohon Grigori Ars, – grumbullojnë shumë bashkatdhetarë nga Labëria dhe Shqipëria e Brendshme, për ushtarë rrogëtarë në ushtritë e Napolit, të Venedikut, të Francës dhe Spanjës. Familjet e këtyre ushtarëve, gjenin strehë e siguri në këtë krahinë, nën hijen e këtyre kapedanëve aristokratë, të barasvlershëm me pashallarët turq", (Shqipëria dhe Epiri në fund të shek. të 18-të dhe fillim të shek. të 19-të", fq. 140-141). Lëvizje, vendosje e zhvendosje të organizuara, në përmasa më të kufizuara, kemi edhe në periudhën e Pashallëqeve Shqiptare në shek. e 17-të -19-të. Për këto lëvizje bëjnë fjalë, jo vetëm mjaft studiues e historianë grekë, por dhe mjaft evropianë, si: Ars, Pukëvil, Holland Laeke, Shuflaj e Schevill. Të dhënat gojore flasin për zbritje familjesh të pakta, në këtë periudhë, nga Dukati dhe nga Labëria, si Nikdedajt, në Palasë, Tavajt, Vitot e Betiotë në Dhrimadhe, etj. Ndërsa nga jug, po në Dhrimadhe vijnë dy-tri familje, si Xhaku, Dhimopulli, nga Konica. Burrat e tyre vijnë si muratorë dhe mbeten këtu, u martuan me vajza të vendit dhe krijuan familje.

A.اapo, në librin e tij me mjaft interes për Dukatin, duke folur për tri lagjet e këtij fshati, na informon, i përgjegjshëm për të dhënat që na jep, për familje dhe fise të shpërngulura nga Dukati drejt krahinës së Himarës. Kur flet për lagjen "Mazo", citojmë: "I kësaj lagjeje ka qenë dhe fisi DEDA-j. Një nga bijt e këtij fisi, Nik Deda, djali i katërt i Dedës, u vendos në Palasë të Himarës. Në krahinën e Himarës janë vendosur 74 familje dukatase me mbiemrat Gjini, Paço, Babe, Stefani, Mëhilli, Laluçi, Koka, Maçi, etj. Nga Lagje "Gjinbit" janë zhvendosur familje me mbiemrat Tava, Bala, Rruci, etj., kurse nga lagje "Thilpat", familje me mbiemrat Gjini, Gjikoka, Kushta, Naço, Qesari, اoku, Trako (Treko-?), Zoto, Gjomertiraj, Kulo, si dhe Kukuri në Dhërmi dhe Palasë" ("Dukati Ynë", fq. 264-273). "Largimet e para nga Dukati, – thotë اapo, – janë bërë me ardhjen e osmanëve, si dhe gjatë Luftës 15 vjeçare (1477-1492). Një largim i dytë, ka ndodhur në vitet 1570-1590, gjatë reprezaljes së dytë, që bënë turqit në trevën e Shqipërisë së Jugut. Kjo u përsërit në vitet 1830-1850, si dhe në Luftën e Parë Botërore, në vitet 1913-1914)".
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top