HESHTJA ËSHTË FSHEHTËSI E ZANAFILLËS

Alpha

Antar Aktiv
DON ROBERT KOLA – Njeriu përmes heshtjes përmbledh mrekullinë e krijesës në gjirin e vet. Çka bebëza e syrit është për shikimin, heshtja është për mahnitjen. Heshtja është bebëza e mahnitjes. Në gjirin e heshtjes mahnitja bëhet e tejdukshme. Heshtja denjësohet vetëm në gjirin prej nga buron fjala. Poeti është edhe gjiri i fjalës. Fjala: “falë heshtjes bëhet mbretëreshë e qenies njerëzore.”[1]

Mishërimi i aktit të heshtjes kryhet dhe përkryhet vetëm përmes hirit të Hyjit. Hiri i heshtjes është i ngjeshur me misteret e Hyjit dhe përshkon qenien e njeriut me vrushkujt e dritës që shpërthen në mahnitje, siç këndon poeti:



Heshtja është hiri i Hyjit,

ngrohtësi e pashuar dashurie

e ngjeshur me misteret e Tij,

që nëpër qiell e tokë

përhapet me shkëlqimin e yjeve

të qëndisur me bardhësi resh –

gjakim i ëndrrave të etura;

është joshje që nuk resht,

kërkim i skajeve të thellësive

që të robërojnë me prirje të pafundësisë,

ujëvare ndriçuese e vrushkujve

ngjizur dhe me penjtë e errësirës:

dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –

përshkuar nga drithërima rrëzellitëse.[2]




Besëlidhja me hirin e Hyjit mbahet edhe përmes heshtjes. Kjo besëlidhje e heshtjes është e heshtur si vetë hiri i saj, e ngjeshur me dritën e mistereve të Tij. Antifona në Tetëditëshin e Krishtlindjes, i këndon misterit të hirit të heshtjes që zbret nga froni mbretëror i Hyjit, në të cilin qëndron gjithë plani i shpëtimit: “Cum enim quietum silentium contineret omnia.” (krahs Ur 18, 14-15)

Fshehtësia e heshtjes është fshehtësi e zanafillës. Heshtja i përket zanafillës dhe është fshehtësi herake. Ajo qëndron në pamjen e saj zanafillëse dhe është si vetë natyra e hirit të saj: gjithmonë zanafillore. “Përmes heshtjes, në çdo çast njeriu mund të gjendet në zanafillë. Kur është i lidhur me heshtjen, njeriu jo vetëm që merr pjesë në zanafillën e saj, por gjendet edhe në zanafillën e çdo gjejë.”[3]

Heshtja nuk përfshihet duke e gjurmuar atë, por duke u gjurmuar prej hirit të saj. Ajo është si hiri i pëllumbeshës në plasat e shkëmbit, siç këndon Kënga e këngës. Qëndron në plasat e shkëmbit dhe është thjesht aty vetëm për të shfaqur fytyrën në gjithë shkëlqimin e bukurisë dhe fjalën me plot ëmbëlsim (krhs Kk 2, 14). “Fjala duhet të mbetet e lidhur me heshtjen nga ku shpërthen. Është veçantia e qenësisë njerëzore që fjala të kthehet kah heshtja, është pikërisht vetia e qenies së njeriut të kthehet mbrapa drejt vendit nga ku vjen heshtja. Fjala e njeriut nuk është e përcaktuar vetëm nga e vërteta, por edhe nga mirësia: përmes mirësisë së zemrës fjala i kthehet zanafillës. Është e rëndësishme që përmes mirësisë fjala të jetë e lidhur me heshtjen, sepse në këtë mënyrë, çdo fjalë veç mban në vetë dhe natyrën e saj: zotërimin ndaj mirësisë. Në fjalën e lidhur me heshtjen më të lartë banon mirësia më e thellë.”[4]

Heshtja është prehër i fjalës. Në prehrin e heshtjes fjala bëhet vatër e mirësisë. Shën Benedikti, duke e cilësuar heshtjen si “taciturnitas,” që nënkupton dashurinë ndaj heshtjes, që përbën edhe shpirtin e jetës murgjerore, porosit se heshtja dhe dëgjimi i përket nxënësit: “tacere et audire discipulum convenit.” (Bendikti, Regula 6).

Heshtja nuk improvizohet. Çdo vegël për të mbërritur heshtjen është “kitsch” i heshtjes. Sikur ka në art “kitsch,” ka edhe “kitsch” në heshtje. Heshtja është aty ku të qenit shfaqet. Më shumë ka heshtje në lojën e një fëmijë, në përqafimin e dy të dashuruarve, në përkëdheljen e nënës, në fytyrën e rrudhur të një të varfëri, në vallen e fluturimit të shpendëve, në sythin e lules që bulëzon. Me një fjalë, aty ku thjesht shfaqet krijesa është heshtja. Heshtja nuk është shurdhësi ndaj krijesës, por është hapje zanafillore ndaj saj. Asgjë nuk e kërcënon heshtjen e njëmend, sikur pandehma e panteizmit që ngulfat dhe ngulfatet në shurdhësi ndaj rendit të krijesës. “Panteizmi është mospërfillje pikërisht ndaj gjithësisë; është rrënjësisht plogështia rrënjësore që të pranojë tërë njëmendësinë e kësaj bote. Duke e humbur fijen absolute që i lidh gjërat e kufizuara në mes tyre, që i jep secilës kuptimin e saj dhe të vërtetën e saj, panteizmi i kthehet domosdoshmërisht përfytyrimit të kësaj bote relative duke bërë prej saj një hyj. Ndaj edhe fytyra e misterit, kthehet vetëm në tymnajë. Panteizmi perëndimor, i cili dora – dorës rrëshqet në kultin drejt botës materiale dhe të ndjeshmërisë, i mban për iluzion gjërat e shpirtit, ndërsa panteizmi oriental, i përqendruar në botën e brendshme të shpirtit, e mban vetëm për joshje mikluese botën e ndjeshme dhe të dukshme. Çdo panteizëm në pandehmat e veta teorike për të hyjnizuar botën, mbaron në gjymtim të krijesës.”[5]

Aty ku mohohet krijesa, mohohet edhe heshtja. Asgjë nuk i kundërvihet heshtjes sikur qëllimi. Qëllimi është sajim. Sajesa qëndron vetëm për të joshur. Flaka e saj është të yshturit për të joshur sa më shumë dhe sa më shumë josh, aq më e pa pangopur bëhet. Bile, duke ngrenë bëhet edhe me e uritur. Joshja është pangopësi e pangopur. Heshtja nuk është joshje e qetësisë, por është rrokje e njëmendësisë.

Heshtja s’ka qëllim. Trajta e saj është virgjërore, siç është drita. Jo pse është e paprekshme, por sipas vetë natyrës së saj ontologjike është plotësi e plotë. Nuk kërkon asgjë, thjesht është. Ajo qëndron në trajtën e saj. Trajta e heshtjes e shquan thelbin dhe përmbajtjen e saj.

Pikërisht për këtë heshtja bëhet tërheqëse për krijuesit: për poetin, mistikun, kompozitorin. Krijimtaria e tyre bëhet tërheqëse falë trajtës e cila shquhet dhe shquan përmbajtjen dhe thelbin e krijimit të tyre. Ato falin një dritë zanafillore, mbase mbajnë në vete një heshtje virgjërore të plotësisë që plotëson, sa herë që shfaqen. Janë të mbjella në heshtje dhe mbjellin heshtje.

Hiri i heshtjes nuk është privilegj vetëm i krijuesve. Me siguri, heshtja e mbjellë nga veprat e tyre është mahnitëse, por fryti i saj mblidhet vetëm në përsosjen e përmbushjes në “Amen-in” e pambaruar të Lavdisë së Hyjit, që do të përfshijë mbarë krijesën. “Heshtja është fshehtësia e botës që do të vijë.”[6] Kremtimi i veprave të Mbretërisë së Hyjit është duvaku nusëror i heshtjes, që fal Dritën e Zanafillës dhe Zjarrin transfigurues të Apokalipsës. Përmes heshtjes bëhet e tejdukshme drita e Zanafillës: “Në heshtjen e Hyjit është heshtja e Zanafillës, e krijesës dhe e fillimit, që rishtazi shfaqet.”[7] Në heshtje është i përmbledhur edhe Zjarri i Apokalipsës, që shfaq “tokën e re dhe qiellin e ri.” (Zb 21, 1)

Heshtja është duvaku i endur nga drita e Zanafillës dhe Zjarri i Apokalipsës, që tejfiguron krijesën në shkëlqimin e Mbretërisë hyjnore. Lavdia e Hyjit është kurora dhe kurorëzimi i krijesës. Psalmtari i cili thur këngën e lavdeve që është frymëmarrja e lirisë së krijesës, duke kundruar misterin e Hyjit në heshtje, heton se ajo është lavdërim për Hyjin: “Tibi silentium laus.” (Ps 64, 2).

Heshtja është vesë e hirit të heshtur, përmes të cilës thuret dhe epikleza e lavdisë së Hyjit me rrahje të pashqyrtueshme, mu në zemrën e krijesës. Heshtja është balsami shugurues i krijesës, e cila e thur krijesën me Dritën e Zanafillës dhe me Zjarrin e Apokalipsës.





H. E. MUÇA, Nga “Prushi i bukurisë” tek hiri i “Syve të heshtjes,” në: A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, Vëll. 3, Shtëpia Botuese Faik Konica – Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019, f. 133.

A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, f. 95.

M. PICCARD, Il mondo del silenzio, Servitium 2014, f. 24.

M. PICCARD, Il mondo del silenzio, f. 37.

G. THIBON, Il tempo perduto, l’eternita trovata, D’Ettoris Editori 2018, f.35t.

ϹЄРAФІM СAРOBСКИ, Пророk љyбaви божије, Бeoгрaд 2007, f. 51.

F. MANNS, Simboli biblici, Chirico 2013, f. 65.
 
Sinqerisht eshte shume e gjate. Lexova vetem pjeset perpara poemes.
Mishërimi i aktit të heshtjes kryhet dhe përkryhet vetëm përmes hirit të Hyjit. Hiri i heshtjes është i ngjeshur me misteret e Hyjit dhe përshkon qenien e njeriut me vrushkujt e dritës që shpërthen në mahnitje, siç këndon poeti:
Ka dallim ndermjet te qenit artstik dhe racional, me kembe ne toke.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top