Greqia në kohën e trazirave të mëdha, 1909-1923

Love

βeℓℓe â๓e
  • Korrupsioni politik solli dobësinë ushtarake e shoqërore të Greqisë përgjatë të gjithë shekullit të 19. Një ditë, një grup oficerësh të ushtrisë vendosën të veprojnë. Ata bënë kryengritje dhe krijuan Venizelizmin si forcë dominuese në kohë të vështira
Historia

Steven W. Sowards

Grushti i shtetit Goudhi


timthumb.php

timthumb.php


Askush nuk qe më i vetëdijshëm mbi korrupsionin politik dhe dobësitë ushtarake ose më të prekur nga turpërimi kombëtar se sa oficerët e ushtrisë së Greqisë. Në korrik 1909, 1300 oficerë të rinj organizuan veten si “Lidhja e Ushtarakëve” dhe hartuan një peticion duke kërkuar për reformë financiare e fiskale me synimin për të paguar zgjerimin dhe përmirësimin e ushtrisë. Mbreti George krijoi një ministri që premtoi reformë, por brenda pak ditësh, Kryeministri i ri, (i panjohuri Mavromichalis), u tërhoq nga premtimi dhe vendosi miqtë e vet në postet kyçe, siç qe e zakonshme. Protestat e oficerëve dukej se qenë bërë thjesht një justifikim për politikën e zakonshme klanore.

Mavromichalis filloi pas kësaj ndjekjeje ligjore me gjykatë ushtarake kundër udhëheqësve të Lidhjes së Ushtarakëve dhe refuzoi të takohet me një delegacion oficerësh.

Në përgjigje, garnizoni i Athinës marshoi në lagjen “Goudhi”, pastaj kërcënoi se do të pushtonte kryeqytetin për të detyruar respektimin e kërkesave për reformë dhe amnisti. Një organizatë e vogël zanatçinjsh në qytet doli në mbështetje të Lidhjes, e cila bëri gjithashtu thirrje për taksa më të ulëta. Një ministri tjetër për reforma u krijua, por kësaj here Lidhja e Ushtarakëve e vuri qeverinë nën kusht: nëse nuk miratoheshin ligjet specifike, Lidhja do të merrte pushtetin si një diktaturë ushtarakësh. Masat u miratuan me shpejtësi.

Njëson si në Serbinë e vitit 1903, një precedent i rrezikshëm u vendos: qeveria civile tashmë funksionoi në mëshirë të oficerëve të rinj të ushtrisë. Në muajt që pasuan, Lidhja e Ushtarakëve detyroi largimin e disa zyrtarëve civilë dhe ambasadorëve të japin dorëheqjen, shtypi një kryengritje nga personeli i marinës që kërkonte një pjesë të pushtetit të kapur nga ushtria dhe detyroi ligjvënësit të miratojnë një numër ligjesh ekonomike, shumë prej të cilave nuk qenë funksionale (taksat më të ulëta për shembull, vështirë se përputheshin me kërkesat për shpenzimet më të larta për ushtrinë).

Venizelos

Në janar 1910, oficerët qenë lodhur nga paaftësia për të bërë progres përmes marrëveshjeve me ligjvënësit. Shumica e anëtarëve të Lidhjes së Ushtarakëve nuk kishte dëshirë të bëhej politikanë, synonin thjesht të siguronin veten se ushtria do të merrte mbështetje të fuqishme financiare.

Për të përmirësuar aftësitë e veta në negocimin e ligjeve, ata sollën një politikan nga Kreta, Eleutherios Venizelos, si këshilltar dhe zëdhënës të vetin.

Venizelos qe 46 vjeç dhe banor i ishullit të Kretës, i cili në atë kohë qe ende nën sundimin otoman dhe mbeti i tillë deri gjatë Luftërave Ballkanike.

Ai kishte bërë shkollë në Athinë, pastaj qe kthyer në Kretë. Venizelos qe aktiv në rebelimin e vitit 1896 që bëri që Fuqitë e Mëdha t’i japin ishullit një shkallë autonomie nën sundimin turk. A shërbeu në asamblenë e Greqisë dhe punoi si ministër i Drejtësisë. Mbështetësit e Venizelosit e quajnë atë një gjeni në politikë; kundërshtarët e shajnë si një oportunist.

Në vitin 1910 ai pa se nuk kishte shumë çfarë të bënte me pozicionin e tij në Kretë, kështu që pranoi ofertën e Lidhjes për t’u bërë zëdhënësi i tyre. Ai negocioi shpërndarjen e Ligës, kur oficerët pranuan premtimin e mbretit për të zhvilluar zgjedhje të posaçme për një asamble kombëtare.

Kur zgjedhjet speciale u zhvilluan, të pavarurit dhe reformatorët zëvendësuan gardën e vjetër partiake siç i pati bërë thirrje popullit Venizelos, edhe pse ai vetë teknikisht nuk qe nënshtetas i Greqisë.

Retorika e Venizelosit u bënte thirrje të gjitha grupimeve të rëndësishme: ai foli në favor të rigjenerimit moral të Greqisë, por gjithashtu lavdëroi monarkinë. Në këtë mënyrë ai fitoi mbështetjen e mbretit, i cili ndihej i kërcënuar nga ekstremistët republikanë në Lidhjen e Ushtarakëve. Vonë në vitin 1910 Venizelos bindi mbretin të thërrasë zgjedhje të reja:

Delegatët Venizelistë morën në këtë rast 260 nga 362 deputetë. Kjo mazhorancë e gjerë e çoi atë te mundësia për të miratuar një listë të gjatë ligjesh reformuese që synuan t’i japin fund sistemit të plaçkitjes, manipulimit të votuesve përmes parave, vjedhja masive për të blerë vota dhe blerja e votave për të siguruar vjedhje të mëtejshme. Kjo qe teknika e partive të vjetra oligarkike.

Suksesi i Venizelosit u përshkrua si një “revolucion borgjez” në politikën e Greqisë: trashëgimtarët politikë të fisnikëve të vjetër dhe pronarëve të tokave i liruan rrugën një klase të re politike që bazohej te manifaktura, transporti detar, profesionistët e forma të tjera të sipërmarrjes. Partia e Venizelos tërhoqi gjithashtu mbështetjen popullore duke u bërë avokate kryesore e Megale Idea.

Elita e vjetër qe ngurruese mbi shprehjen e nacionalizmit për shkak se baza e saj e pushtetit në zemrën e vjetër të shtetit do të tretej nga shtimi i tokave të reja, banorët e të cilave shpesh punonin në industritë moderne.

Kur Lufta e Parë Botërore ngriti çështjen e ekspansionit kombëtar në formën e vet më akute, Venizelos u identifikua me irredentizmin dhe solli një krizë në politikën e Greqisë.

Ne mund ta quajmë këtë edhe një konflikt mes “të brendshmëve” dhe “të huajve”. Duhet të kemi parasysh se në kohën e Revolucionit të Greqisë, kishte një ndarje të thellë – madje edhe një luftë civile – mes dy klasave konkurruese. Nga njëra anë qe fuqia dhe pasuria të siguruara nga një trashëgimi e privilegjeve të vjetra të dhëna nga zyrtarët osmanë dhe fisnikët pronarë tokash në Peloponez: Këto qenë të brendshëm të lidhur fort me njëri-tjetrin gjatë periudhës osmane. Në anën tjetër, të huajt erdhën nga një klasë e re tregtarësh, pronarësh anijesh dhe profesionistësh. Ata mbështeteshin tek të ardhurat, aftësitë dhe lidhjet me Europën Perëndimore.

Më 1909, klasa e pasunarëve të vjetër të pronarëve të tokave u bashkua nga një lloj i ri njerëzish gjithashtu të brendshëm: burokratë dhe politikanë që jetonin duke kontrolluar sistemin e patronazhit të qeverisë. Statuskuoja i kënaqte këto grupe: për ta, reformat nënkuptonin taksa më të larta dhe humbje potenciale të vendeve të tyre të punës. Të gjithë rivalët e tyre, në këmbim, vuanin nga statuskuoja: Rivalët qenë politikanë liberalë të orientuar nga reformat, një klasë e mesme në rritje industriale dhe tregtare, si dhe anëtarë të profesioneve moderne nga mësuesit tek oficerët e ushtrisë.

Ky grup i të përjashtuarve – partia e Venizelizmit – shikonte me interes ekspansionin e territoreve të Greqisë për shkak se i ofronte atyre akses te më shumë burime, tregje të zgjeruara dhe votues të rinj, gjëra që e lëviznin balancën në favor të tyre dhe në dëm të pushtetit të fijeve të shumëfishta të oligarkëve dhe të brendshmëve.

اdo ekspansion territorial jo vetëm që e afronte Greqinë më shumë me synimet e Megale Ideas, por edhe forconte Venizelizmin. Pas fitimit të luftërave ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, Greqia shtoi miliona nënshtetas të vet dhe shumica e tyre votoi si Venizelistë.

timthumb.php

timthumb.php


Greqia në Luftën e Parë Botërore

Përzierja në luftërat ballkanike nuk qe një çështje e debatueshme apo e rrezikshme: Greqia pati kërkuar tokë në Maqedoni për mbi tridhjetë vite ndërsa aleanca e Lidhjes Ballkanike dukshëm qe tepër e fortë për t’u mposhtur nga Turqia. Por më 1914 grekët qenë të përçarë dhe të pavendosur se nga duhej të shkonin. Kur Bullgaria dhe Turqia u bashkuan me Fuqitë Qendrore, loja u rrit shumë për Greqinë. Pati më shumë gjasa që fundi i luftës mund të sillte ndryshime madhore në kufij. Nëse Fuqitë Qendrore fitonin, Bullgaria mund të pretendonte tokë në Maqedoni dhe Traki në dëm të Greqisë. Në anën tjetër, nëse aleatët fitonin, Bullgaria dhe veçanërisht Turqia, do të humbitnin territore.

Si një palë joluftuese, Greqia neutrale nuk do të mund të merrte pjesë në ndonjë traktat paqeje, ndërsa tokat e Megale Idea mund të shkonin te shtetet rivale.

Mbreti Kostandin (George qe vrarë më 1913) kundërshtoi hyrjen në luftë dhe në veçanti kundërshtoi bashkimin me aleatët. Familja e tij qe gjermane: ai qe kunati i Kaizerit. Ai priste që Fuqitë Qendrore të fitonin. Nga ana tjetër, Kryeministri Venizelos qe i bindur se aleatët do ta fitonin luftën dhe se pjesëmarrja e Greqisë do të sillte përfitime kundër Bullgarisë dhe Turqisë.

Marrëdhëniet mes mbretit dhe Venizelosit u përkeqësuan. Kur Bullgaria sulmoi Serbinë më tetor 1915, interesat e aleatëve për një aleancë me Greqinë u rritën. Si Kryeministër, Venizelos ftoi trupat franceze dhe britanike të zbarkojnë në Selanik. Ai e justifikoi veten me një seri interpretimesh, duke përmendur si argumente një traktat të vjetër greko-serb, si dhe traktatin origjinal të 1830 që u dha britanikëve dhe francezëve të drejta si fuqi mbrojtëse të shtetit të Greqisë.

Parlamenti votoi 147 me 110 për të shpallur luftë kundër Gjermanisë. Kur Mbreti refuzoi, Venizelos dha dorëheqjen dhe Greqia mbeti neutrale (pavarësisht pranisë së trupave aleate në veri).

Më 1916 partia e Venizelos bojkotoi zgjedhjet e reja: duke vepruar në këtë mënyrë ai i dha fund shansit për të zgjidhur krizën përmes kanaleve kushtetuese dhe parlamentare dhe e bëri situatën shumë më të rrezikshme. Në shtator 1916, forcat bullgare pushtuan pjesë të Greqisë së veriut (Aleatët përzunë trupat neutrale greke nga zona, të pasigurt dhe me frikën se Greqia mund të bashkohet papritur me Fuqitë Qendrore).

Venizelos vendosi të ndërmarrë masa ekstreme për të shpëtuar shtetin. Ai e shpalli veten kreu i një qeverie revolucionare. Të etur për ta futur Greqinë në luftë, aleatët mbështetën Venizelosin dhe detyruan mbretin të abdikojë në qershor 1917. Kjo e ndau Greqinë në kampe armiqësore dhe e çoi në prag të luftës civile.

Venizelosi pati vënë në bast prestigjin e vet politik me supozimin se aleatët do të lejonin Greqinë të plotësonte Megale Idea, por ai nuk kishte marrë premtime specifike për çfarë mund të merrte Greqia në rast të një fitoreje të aleatëve.

Ndërkohë, monarkistët u trajtuan si elementë me potencial armiqësor që duhej të neutralizoheshin. Aleatët kërkuan kontroll të marinës së Greqisë, hekurudhave dhe furnizimeve ushtarake e detyruan plotësimin e kërkesave të tyre me një bllokadë detare që e la vendin me mungesa në ushqime dhe karburant.

Mbreti Kostandin e la vendin për të çmontuar krizën. Kryeministri Venizelos u bë kreu i një regjence, njësitë e Greqisë u bashkuan me francezët dhe britanikët që po përballeshin me njësitë bullgare përreth Selanikut.

Për shtetet e Ballkanit, Lufta e Parë Botërore tashmë u bë një referendum për vetë Luftërat Ballkanike: Ata që patën fituar territore (Serbia, Greqia dhe Rumania), u përballën me humbësit, (Bullgaria dhe Turqia).

Për një copë herë, Fuqitë Qendrore patën sukses. Serbia u mposht dhe pushtua, Rumania u detyrua të kërkojë paqe. Bullgaria kapi tokat e Maqedonisë, Thrakisë dhe Dobruzhës. Greqia u përball me një situatë shumëplanëshe, falë premtimeve kontradiktore të aleatëve mbi marrëveshjet e pasluftës. Kërkesat e Greqisë në Shqipëri konkurronin ato të Serbisë, Malit të Zi dhe planeve të Italisë. Shpresat e Greqisë për të aneksuar Anadollin Perëndimor qenë në kundërshtim me planet e Italisë për një protektorat. Pretendimet e Greqisë për Kostandinopojën/Stambollin, përballeshin me planet e Rusisë për të aneksuar zonën e Ngushticave.

Pavarësisht rolit të vogël të luajtur nga Greqia gjatë luftës, fitorja e aleatëve solli përfitime domethënëse. Kërkesat konkurrente ruse mbi Kostandinopojën u injoruan pas Revolucionit Bolshevik që e nxori këtë vend nga lufta: Stambolli u bë një zonë e demilitarizuar nën kontrollin e dobët turk.

Kolapsi i Turqisë i lejoi Greqisë të veprojë në Anadoll. Trupat greke zbatuan në Smirna (Izmir) më 1919 dhe traktati i paqes i vitit 1920 me Turqinë krijoi një zonë të madhe në Anadollin Perëndimor si një krahinë autonome nën pushtimin e Greqisë. Një plebishit u planifikua për vitin 1925: Pas pesë vjetësh administrimi grek, qe e sigurt që popullata do të votonte pro aneksimit nga Greqia.

Gjithsesi, ajo që dukej si një triumf i lehtë u rrëzua. Nacionalistët turq refuzuan të pranojnë traktatin e ashpër dhe u tërhoqën në brendësi të Anadollit. Një ushtri greke i ndoqi ata për të zbatuar me dhunë dëshirat e aleatëve. Në fund, linjat e furnizimit të stërgjata bënë që avancimi i tyre të ndalojë më 1921 dhe më 1922, një kundërsulm turk i përzuri trupat greke pas në Izmir. Trupat e mbijetuara u evakuuan nga deti, ndërsa pjesa më e madhe e popullatës së qytetit u largua bashkë me ta, duke i dhënë fund pranisë mijëvjeçare greke në zonë.

Një traktat paqeje i rishikuar me Turqinë e bëri situatën permanente: një milionë Grekë nga Turqia u transferuan në Maqedoni në shkëmbim të një numri më të vogël myslimanësh.

timthumb.php

timthumb.php


Megale Idea pas shpartallimit të 1923

Në prag të arritjes më të madhe të Megale Idea, humbja e Anadollit qe një disfatë tronditëse. Katastrofa helmoi politikën e Greqisë, sakaq të tensionuar nga konflikti civil gjatë luftës.

Megjithëse aventura anadollake qe rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së Venizelosit, ngjarjet e viteve 19220-23 ndodhën gjatë kohës së administratës së monarkistëve falë një aksidenti në kohë. (Mbreti Kostandin qe kthyer në fron më 1920, pasi djali i tij, Mbreti Aleksandër vdiq nga infeksioni i shkaktuar nga kafshimi i një majmuni).

Kur gjashtë gjeneralë monarkistë u ekzekutuan për tradhti pas gjyqit të kryer nga qeveria e re dhe revolucionare e Venizelistëve, farat u hodhën për një urrejtje politike të thellë.

Konkurrenca mes Venizelistëve dhe Monarkistëve përfshinte edhe situatën shoqërore. Një milion refugjatë duhej të integroheshin në jetën ekonomike dhe shoqërore. Shumë familje mbërritën pa asnjë plaçkë, shpesh të paaftë për të folur greqisht (grekët ortodoksë që flisnin turqisht qenë tipar i Anadollit) dhe sigurisht pa ndonjë lidhje me botën e ndërthurur të elitës së Athinës. Ata qenë të huaj në të gjithë kuptimin e fjalës dhe u bënë Venizelistë. Shumica u vendosën në Greqinë e Veriut, ku u krijuan ferma nga turqit e përzënë. Fermat u shpërndanë nga administratorët e Venizelosit për refugjatët, të cilët mbajtën mend se cila qe partia që i dha atyre tokë. Rreth 38 për qind e tokës bujqësore të Greqisë kaloi në duar të reja gjatë kësaj periudhe.

Duke jetuar në parcela të vogla, refugjatët zbuluan se mallrat e eksportit si duhani, ofronin një jetesë më të mirë sesa bimët për vetëkonsum. Venizelistët qenë gjithashtu partia që favorizonte eksportet dhe tregtinë.

Monarkistët nga ana tjetër mbajtën një aleancë të pronarëve të vegjël të fshatit, të cilët nuk fituan asgjë nga reforma e tokës, me pronarët e dyqaneve të stilit të vjetër në Athinë, të cilët qenë kërcënuar nga importet e mallrave industriale, si dhe një lëvizje e vogël e punëtorëve, anëtarët e të cilëve shikonin se si çmimi i punës ra me shpejtësi falë fluksit të madh të emigrantëve.

Konkluzione

Trashëgimia e Megale Idea në vitet 1920 dhe 1930 u bë një cikël shkatërrimtar rivaliteti politik dhe diktaturash. Në vend që të kërkonin kompromis në zgjidhjen e problemeve kombëtare, të dyja palët i shpenzuan energjitë e veta duke sulmuar njëri-tjetrin. Interesat afatshkurtra të kombit të Greqisë u sakrifikuan në shërbim të një kombi iluziv grek që do të duhej të bëhej, bazuar te Megale Idea.

Ky defekt themelor në politikën e Greqisë vijon si një ndikim edhe në ditët tona: Megale Idea dhe nacionalizmi agresiv rishfaqet sa herë që njëra palë apo një tjetër kërkon mbështetje në fushatë në kohë krizash.

Si kolonelët e krahut të djathtë të viteve 1970 ashtu edhe pasardhësit e tyre të majtë e kanë përdorur nacionalizmin në këtë mënyrë dhe kriza që vijon në Qipro është ushqyer nga kjo ide. Pas gjeneratash me shkëmbime popullsie, nacionaliteti i irredentizmit grek është tkurrur, por fuqia e tij jo.

Marrë nga: 25 Leksione mbi Historinë Moderne të Ballkanit, Steven W. Sowards, Universiteti i Miçiganit
G.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top