Gjumë përtokë dhe me turne (!)

Entela Resuli
Flenë përtokë me dyshekë, në disa raste edhe pa dyshekë vetëm me batanije, dhe me…. turne! Madje një pjesë e tyre janë edhe me probleme të shëndetit mendor.

Nga një inspektim i kryer nga Avokati i Popullit, rezulton se rreth 1 340 persona në burgje flenë përtokë, madje dhe pa dyshekë, në këto kishte i bie që kërkesa për një krevat do të ishte luks.

Mbipopullimi sugjeron raporti është shtuar veçanërisht pas ashpërsimit të dënimeve ligjore gjatë 2014-s.

“Mbi kapacitetin zyrtar prej 4537 personash, aktualisht në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) mbipopullimi kap shifrën e 1340 personave, pra rreth 40% mbi kapacitet”, thotë Jorida Rustemi, drejtoreshë e Njësisë së Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, pranë Avokatit të Popullit.

AP i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë të marrë urgjent masa për të krijuar kushte të përshtatshme për personat e privuar nga liria.

“Institucioni i Avokatit të Popullit sugjeron të merren masa të menjëhershme për të kufizuar mbipopullimin e IEVP-ve dhe paraburgimeve, me objektivin që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4 metra katrorë hapësirë jetike për person. Të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare, për persona të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Marrjen në konsideratë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për paraqitjen përpara Kuvendit të Shqipërisë të një projektligji për amnisti të të dënuarve që kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore”, – thotë raporti i AP.

E njëjta situatë mbipopullimi ka rezultuar edhe në komisariatet e policisë, si në Elbasan, Lezhë, Berat, Korçë, komisariati 3 dhe 5, dhe Drejtorinë e Qarkut në Tiranë. Madje në disa raste, persona me masë sigurie vijojnë të qëndrojnë të harruar në dhomat e sigurisë në komisariate, gjë e cila është në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor.

Raporti i AP ka përfshirë të gjitha Komisariatet e Policisë dhe Drejtoritë e Policisë në Qarqet nga ku ata kanë varësinë përkatëse (49 njësi policore) si dhe në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (22) në rang vendi.

Janë hartuar dy rekomandime të veçanta për situatën e mbipopullimit drejtuar përkatësisht Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

…në Komisariate

Komisariati i Elbasanit, i Lezhës, i Beratit, i Korçës, Komisariati nr. 3, 5 dhe Drejtoria e Qarkut Tiranë, janë qartazi mbi kapacitetin zyrtar.

Gjatë inspektimeve MKPT ka konstatuar edhe raste të personave me masë sigurie, të cilët vijonin të qëndronin në dhomat e sigurisë në Komisariat, në kundërshtim me kuadrin ligjor. Vonesat në transferimin e personave me masë sigurie në paraburgim ndodhin kryesisht për shkak se edhe IEVP-të kanë mbipopullim të tejskajshëm.

Në bazë të regjistrave të inspektuar nga MKPT pranë Avokatit të Popullit, rezulton se, në momentin e inspektimit, pjesa më e madhe e personave në dhomat e sigurisë, por edhe ata të transferuar, janë ndaluar/arrestuar për vepra të përfshira rishtazi në Kodin Penal.

Rrjedhimisht, një faktor tepër i rëndësishëm për mbipopullimin rezulton të jetë ashpërsimi i politikës penale, i cila nuk është mjeti i vetëm për të fuqizuar rendin publik, e aq më pak shtetin e së drejtës.Tendencat evropiane janë për përfshirjen e dënimeve alternative, veçanërisht kur bëhet fjalë për të miturit – thotë raporti.

… në Burgje

Mbi kapacitetin zyrtar prej 4537 personash, aktualisht në IEVP (burgje) mbipopullimi kap shifrën e 1340 persona që flenë përtokë, me dyshekë e në disa raste vetëm me batanije pa dyshekë apo me turne.

Mbipopullimi është një problem. Degradimi strukturor i ndërtesave dhe përkeqësimi i shërbimeve ndaj personave të privuar nga liria, ngrenë një tjetër shqetësim lidhur me respektimin e te drejtave të njeriut në një vend demokratik.

AP sugjeron që privimi i lirisë nëpërmjet dhënies së masës së sigurimit arrest në burg, duhet konsideruar jo si opsioni kryesor, por si masa më e rëndë që jepet vetëm në rastet e parashikuara në nenet 228 dhe 229 të K.Pr. Penale, duke mbajtur parasysh arsyetimin e Gjykatës së Lartë (vendimet 8, datë 19.1.2001 dhe 46, datë 28.1.1999 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë) ku përcaktohet se: “…për caktimin si masë sigurimi arrest në burg për të pandehurin duhet të ekzistojë një dyshim i bazuar se i pandehuri mund t’i shmanget gjykimit apo ekzekutimit të vendimit, apo se ai ka rrezik të kryejë ndonjë vepër penale tjetër të rëndë apo të të njëjtit lloj me atë për të cilën është proceduar…”si dhe “…Në caktimin e masave të sigurimit gjykata mban parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret…”.



Disa prej burgjeve dhe paraburgimeve që rezultojnë ndër më problematiket në respektimin e standardeve minimale të kubaturës:

Paraburgimi “Jordan Misja” gjatë inspektimit kishte një popullim prej 543 të paraburgosurish, nga 320 parashikuar në kapacitetin zyrtar. Si rrjedhojë e këtij mbipopullimi, hapësira jetike e shumicës së të paraburgosurve ishte më pak se 3m katror për person. Në disa dhoma me përmasa 8.8 m2 ku ishin akomoduar 4 persona, hapësira jetike për person shkonte edhe në nivelet e 2.2 m2. Në këtë IEVP fjetja me dyshek në tokë ishte pothuajse në çdo dhomë.

IEVP Fushë-Krujë kishte një mbipopullim prej 107 personash. Ky mbipopullim paraqitej në proporcion të zhdrejtë për sa i përket sektorëve: në sektorët e të dënuarve të sigurisë së lartë dhe të zakonshme hapësira jetike për person respektohej, ndërsa në sektorin e paraburgimit në dhomat e destinuara për 6 persona u gjetën 8-9 persona, nga të cilët 2-3 veta flinin me dyshek në tokë.

IEVP Rrogozhinë u vizitua nga ana e AP me dt. 04.02.2014, me qëllim evidentimin e shkaqeve lidhur me ngjarjen e rënies së zjarrit dhe rrezikimin e jetës së paraburgosurve në sektorin e paraburgimit në këtë institucion. Kapaciteti maksimal i kësaj IEVP-je për të paraburgosurit është 115 persona. Në momentin e rënies së zjarrit me dt. 31.01.2014 rreth orës 20.00 në paraburgim ishin të akomoduar 217 të paraburgosur. Grupi monitorues konstatoi se dhoma ku kishte rënë zjarri (dhoma 1 godina 3) ishte e përmasave 6x7x2.50m dhe banohej prej muajsh nga 21 të paraburgosur. Në këtë dhomë 14 veta flinin në 7 shtretër me dy kate, 5 të tjerë flinin me dyshek në tokë dhe dy të paraburgosur të tjerë flinin me turne apo dy veta në një krevat. Ky mbipopullim i skajshëm, paralelisht me kufizimin e sipërfaqes së banimit dhe të kubaturës për person të parashikuar sipas standardit ligjore si dhe degradimit të shërbimeve e kushteve materiale të ambienteve, ishin shkaku kryesor i premisave të ndodhjes së aksidentit të rënies së zjarrit në ambientet e paraburgimit në IEVP Rrogozhinë.

Paraburgimi i Elbasanit hyri në shërbim në vitin 2012. Kapaciteti zyrtar fillimisht ishte për 120 të paraburgosur. Aktualisht janë shtuar shtretër në dhoma për të akomoduar 143 të paraburgosur dhe në datën e inspektimit ndodheshin 212 të paraburgosur nga të cilët 69 të paraburgosur flinin me dyshekë në tokë. Shumica e dhomave të banimit në këtë institucion me përmasa 3×4 m të destinuara për akomodim të dy personave me dy krevate, në momentin e inspektimit banoheshin nga 4 persona ku gjysma flinin me dyshekë në tokë.

largea_burg-jpg1389547568Paraburgimi Berat me një kapacitet zyrtar prej 37 personash në momentin e inspektimit akomodonte 75 veta, ndërsa disa ditë përpara transferimit të tyre kishte arritur deri në 90 persona. Në këtë institucion situata e mbipopullimit ishte kritike për arsye të mungesës totale të aktiviteteve psiko-sociale, ambienteve adekuate të ajrimit dhe kufizimit në nivele degraduese të hapësirës jetike për person në dhomat e banimit.

IEVP Drenovë gjatë inspektimit operonte me 140 persona mbi kapacitetin zyrtar prej 312 personash. Dhomat e observimit dhe ambientet e përbashkëta të aktiviteteve ishin kthyer në dhoma banimi për të paraburgosurit të cilët kishin muaj që flinin me dyshekë në tokë në dhoma pa asnjë orendi: tavolina, karrige apo rafte për të vendosur rrobat personale etj. Në një dhomë aktivitetesh në këtë sektor me përmasa 5×5 m qëndronin prej 10 muajsh 9 persona, të gjithë flinin me dyshekë në tokë. Ndërsa në 8 dhomat e observimit me përmasa 2.5 x 3.5m të destinuara për akomodimin e 2 personave, ishin vendosur 4-6 veta, ndër të cilët shumica pa krevat. Të paraburgosurit e këtij sektori, për shkak të mbipopullimit, ishin të privuar nga të gjitha aktivitetet e përbashkëta, përfshirë dhe ajrimin në ambiente ajrimi të hapura sipas parashikimeve ligjore.

IEVP Peqin gjithashtu kishte një mbipopullim prej rreth 100 personash gjatë gjithë vitit 2014, me mbipopullim të theksuar në sektorët e paraburgimit. Me transferimin në muajin Shkurt të 78 të paraburgosurve nga Paraburgimi Rrogozhinë, në IEVP Peqin numri i personave të privuar nga liria kapi shifrën 861.

Paraburgimi Durrës gjatë inspektimit kishte një mbipopullim prej 84 vetash. Dhomat e banimit akomodonin nga 4, 6 ose 7 persona, dhe shumica e dhomave nuk respektonin standardin e hapësirës jetike për person. Nëpër dhoma, kryesisht në katin e parë, kishte rreth 6 persona në dhomë, 3 prej të cilëve flinin në krevate dhe 3 të tjerë në dysheme si rrjedhojë e mbipopullimit. Ky i fundit shprehej qartë në katin e parë të regjimit, ku pothuajse të gjitha dhomat e aktiviteteve të përbashkëta, si dhoma e riteve të krishtera, dhoma e këshillimit, etj., ishin kthyer në mjedise banimi. Rrjedhimisht, ato nuk kishin tualet të brendshëm, dhe të paraburgosurit përdornin tualetet e përbashkëta, përfshirë këtu edhe dy tualetet e improvizuara të dhomave të observim/veçimit. Tualetet e përbashkëta ishin jashtë çdo standardi, në kushte shumë të këqija higjieno-sanitare. Për të gjithë katin e parë kishte vetëm dy tualete të cilat nuk kishin as dush, as lavaman, as ujë të rrjedhshëm, por vetëm dy WC në kushte të mjerueshme dhe pa aksesor përshtatës për shkarkimin e ujit.



Rekomandimet për IEVP-të

1 – Të merren masa të menjëhershme për të kufizuar mbipopullimin në IEVP dhe Paraburgime me objektivin që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4m2 hapësire jetike për person.

2 – Të merren masa të menjëhershme për adresimin e situatës së mbipopullimit, në respekt të, Nenit 24 të Ligjit nr.8328 dt.16.04.1998 ”Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” i ndryshuar, ku i sigurohet çdo të dënuari shtrat i veçantë dhe një komplet i përshtatshëm fjetjeje.

3 – Të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare për personat të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore.

4 – Marrjen e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me përpilimin e një strategjie të qartë kundër mbipopullimit të burgjeve, duke bërë një analizë e hollësishme të faktorëve kryesorë që çojnë në mbipopullim të burgjeve me qëllim adresimin çështjeve të tilla si llojet e krimit që dënohen me qëndrim të gjatë në burg, prioritetet e kontrollit të krimit, si dhe sjelljet dhe shqetësimet e publikut lidhur me praktikat ekzistuese të dënimit.



Rekomandimet për Njësitë Policore

1 – Të merren masa të menjëhershme për respektimin në frymë dhe letër të Kodit të Procedurës Penale, kryesisht Neni 251 dhe neni 255 lidhur me procedurat dhe detyrimet e OPGJ-ve gjatë ndalimit/arrestimit të personave.

2 – Të merren masa të menjëhershme për adresimin e situatës së mbipopullimit, respektimit të Kodit të Procedurës Penale,Nenin 259 të KPP, par. 3, 4, lidhur me afatet sa i takon ndalimit/arrestimit të personave.

3 – Të merren masa për alokimin e fondeve lidhur me rikonstruksionin në përputhje me standardet dhe vënien në funksionim të dhomave të mbyllura të sigurisë.

4 – Të adresohet çështja e dhomave të sigurisë brenda IEVP-ve, si një praktikë jo e mirë, që rëndon situatën e vetë IEVP-ve, por edhe të personave të ndaluar/arrestuar.
dita
 
Titulli: Gjumë përtokë dhe me turne (!)

Ky s´perben lajm!
Lajm eshte Vila Edi Rames,Meta ben ski apo Jozefina publikon fotot e Rames duke ngrene peshk.

Lajm s´perben as njerzit qe ikin nga Shqiperia nga burgosja per dritat... Populli kriminel ka nxjerr kto kriminela Politikane!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top