Gjuha e patriotëve

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Gjuha e njerëzve që mbështesnin Kongresin e Lushnjës më 1920. Ekspozohen letra dhe fotografi, vendimet e ngjarjes historike, fragment nga kushtetuta dhe sende të Aqif Pashë Elbasanit. Në Muzeun Historik Kombëtar deri më 31 janar
Imzot-Bum%C3%A7i-dhe-Aqif-Pashe-Elbasani-252x300.jpg

Letra drejtuar Këshillit të Lartë, fotografi të burrave të shtetit të 1920-ës, himni dhe betimet e kryesisë dhe të delegatëve, portreti në bronz i kryetarit Aqif Pashë Elbasani, si dhe sendet personale, bastuni, thika, bashkë në ekspozitën e hapur deri më 31 janar në Muzeun Historik Kombëtar, me rastin e 90-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Një ngjarje me vlerë historike, që kaloi pa u ndjerë. Nga zyra e shtypit e Ministrisë së Kulturës erdhi një njoftim tri ditë pas aktiviteteve që u organizuan në Lushnjë, më 24 dhjetor. Ndër të gjitha materialet e nxjerra nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, janë tetë letra të mbyllura në një tryezë xhami, që të ndjellin kureshtjen.
Didaskalitë thonë: “Masat popullore mbështesin vendimet e Kongresit të Lushnjës” tek letra e datës 20 shkurt 1920; “Nga protokolli i Kongresit të Lushnjës” tek letra e firmosur nga sekretarët e Kryesisë së Kongresit, Kostaq Kotta, Ferit Vokopola dhe kryetari i mbledhjes Kombëtare Aqif Pasha. E më poshtë “Protesta kundër Planeve Shqiptare të Fuqive të Mëdha” tek një letër që me zor deshifrohet: Populli i Vlorës dhe Krahinës së saj dërguar shkëlqesisë z.Bumçi, anëtar i Këshillit të Naltë të Kongresit.
Këto letra të zverdhura flasin për mbështetjen dhe besimin që kishin siguruar në popull anëtarët e këtij Kongresi.

Ja çfarë thotë njëra prej letrave:
“Gjithë populli mbasi lidhi këtë besë, me pëlqim të përgjithshëm vendosi këtë urdhër të ditës: 1. Të jetë gati për ç’do therori për me shpëtue Atdhenë nga coptimi; 2. Pëlqevi vendimet e Mbledhjes Kombëtare të Lushnjës dhe asht gati me i ndihmue me gjithë fuqin e vetë Qeverisë së re
3. Tërheq vërejtjen e Qeverisë së re dhe e ban të përgjegjshme për vonimin e të marrunit të aktevet, prej Qeverisë së Vjetër; 4. Lyp që Komanda Ushtarake Italiane të mbajë për anësinë tue mos i kundërshtue vullnetit të patundun të popullit shqiptar; 5. Nga një kopje e kësaj t’u çohet Qeverisë së Re dhe autoriteteve ushtarake Italiane ndë Tiranë” (Gropaj, 22 shkurt 1920, Në emër të gjithë popullit, Pleqësit e Katunavet”.
Gjurmët e penës, shpejtësia e shkrimit, boja e hapërdarë në fjalë të veçanta, në njërën prej letrave të hershme (Vlorë, më 28 të vjeshtës së I-rë, 1919), që është shkruar para se të mblidhet Kongresi i Lushnjës, nga vlonjatë (populli i Vlorës dhe krahinës së saj), duket sikur shprehin revoltën e atyre njerëzve ndaj planeve të Fuqitë e Mëdha kundrejt Shqipërisë.
Ndaj letra, “dërguar shkëlqesisë Luigj Bumçi në Paris”, është quajtur “Protesta kundër planeve Antishqiptare të Fuqive të Mëdha”.

Në të gjitha letrat, po edhe në betimet e anëtarëve të Kongresit të 1920-ës, vihet re një gjuhë ku fjala ka peshë, është e zgjedhur, dhe lë mbresë.
Edhe pse ky nuk është qëllimi i parë i ekspozitës, është një fakt që bie në sy.
“Shpresa humbi/ Atdheu ty po të thërret/ Ta shpëtosh nga kjo natë/ Bëu i zoti në do të rrosh në jetë/ Armikut jepi datë/ Në të varet shpres’e kombit shqipëtar, Në statutin tënd të shtrenjtë/ اliro tokat e Shqipërisë së parë/ Bashko Atdheun e shenjtë”.
Janë këto vargje të marra nga Hymni i Kongresit të Lushnjës, që dëftejnë besimin, forcën dhe parimet që i bashkonin mendimtarët e kohës.
E njëjta gjuhë shihet edhe në betimin e “Anëtarit të Këshillit të Naltë” të Kongresit, me kryetar Aqif Pashë Elbasanin, dhe anëtarë Luigj Bumçin, Mihal Turtullin dhe Abdi Toptanin.
“Betohem në emër të Perëndisë duke dhënë besën shqiptare e fjalën e nderit para mbledhjes së kombit se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht, do të mbroj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë”.

Në krah të dokumentit “Vendimet Historike të Kongresit” ku shihen 4 portretet e burrave që vendosën për fatin e kohës dhe betimet e tyre, qëndron dokumenti “Delegatët e Kongresit”, ku në krye janë emrat e kryesisë: Aqif Pashë Biçaku (kryetar), Sotir Peçi (nënkryetar), Kostaq Kotta (sekretar) dhe Ferit Vokopola (sekretar) e poshtë tyre emrat e 50 përfaqësuesve të 26 qyteteve të Shqipërisë. Të gjithë zotohen: “Mbledhja Kombëtare jep fjalën e nderit e besën shqiptare, duke u betuar në emër të Perëndisë se derisa Këshilla e Naltë vepron sipas Ligjit të Shtetit, duke ruajtur pavarësinë e plotë të Shqipërisë me mish e me shpirt, do të jetë mbrojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj këshille”.
Po përse ishte me kaq rëndësi Kongresi i Lushnjës në Shqipërinë e 1920-ës?
Këtë na e “sqarojnë” vendimet që dolën prej mbledhjes së kongresit (21-31 janar në Lushnjë), të cilat janë riprodhuar me rastin e ekspozitës në MHK:
“1.Riafrimi i Pavarësisë së Plotë të Shqipërisë (shpallur më 28 nëntor 1912); 2. U zgjodh Këshilli i Lartë, që përfaqësonte kryetarin e Shtetit Shqiptar dhe Këshilli Kombëtar me funksionet e parlamentit; 3. Kongresi zgjodhi qeverinë kryesuar nga Sulejman Delvina, Qeveri e cila më 11 shkurt u vendos në Tiranë dhe që, prej kësaj dite u bë kryeqyteti i Shqipërisë”.
Krahas fotografive të Kongresit janë portretet e funksionarëve të Qeverisë së Sulejman Delvinës (kryeministër): Eshref Frashëri (zv.kryeministër), Ahmet Zogu (Ministër i Punëve të Brendshme), Hoxha Kadri (Ministër i Drejtësisë), Sotir Peci (Ministër i Arsimit), Mehmet Konica (Ministër i Punëve të Jashtme), Ali Riza Kolonja (Ministër i Luftës), Bajram Curri (ministër pa portofol), Hysen Vrioni (Ministër pa portofol), Spiro Jorgo Koleka (Ministër pa protofol).
Përbri materialit për Qeverinë e Delvinës, shihet një fragment i kushtetutës. Në pikën e V-të të saj mund të lexojmë: “Në kjoftë se njeni nga gjymtyrët e Këshillit Naltë jep dorëheqjen, tre të tjerët vijojnë në detyrë”.

Të gjitha dokumentet e ekspozitës shoqërohen me fotografi, Lushnja dhe Tirana në vitin 1920, turma të popullit në sheshin përpara godinës ku zhvillohej Kongresi, dhoma ku zhvilloi punimet mbledhja historike, foto e Selisë së Qeverisë në vitet 1920, 1928-1931, foto e Këshillit të Lartë duke hyrë në Tiranë, shkurt 1920. Burra me kostume, kapela dhe bastun, veshje gati uniforme.
Një prej bastunëve është ekspozuar edhe në këtë ekspozitë. ثshtë i Aqif Pashë Elbasanit (1860-1926), bashkë me thikën, e një flamur, të gjitha këto të mbyllura në një eksponat. Kur hyn në holl, përballesh me portretin e tij në bronz.
Në fund ndjen nevojën për më tepër detaje të tilla të gjalla, letra origjinale, objekte, që bëjnë më të prekshme ngjarjet e një kohe të kaluar.

•Gazeta Shekulli•
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top