"Gafat" e atlasit të ri gjeografik të popullsisë shqiptare

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Para disa ditësh, Departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Tiranës, nën drejtimin e Prof. Dr. Eqerem Yzeirit dhe Prof. Dr. Gjovalin Grudës etj., kanë botuar një atlas të ri të popullsisë së Shqipërisë "me interes të gjerë dhe me vlera të shumëfishta". Iu luta një mikut tim të më gjente një kopje dhe kur ai ma solli pashë me të vërtetë një gjë shumë të bukur. Kapakë të fortë, letër ekstra, ngjyrat lloj-lloj!

Eh, thashë me vete, kjo është punë, një "margaritar" në fondin e gjeografisë shqiptare. Në ato letra të shkruara me të zezë apo me ngjyra, që hartuesit e kanë quajtur "atlas" lexova e pashë gjëra që vërtet ngjallin dyshime lidhur me profesionalizmin e hartuesve. Që në fillim, në parathënie, mësova se ky atlas ka pasur si mision "t‘u përgjigjet me vërtetësi dhe saktësi kërkesave të shumta të shoqërisë"!

Më poshtë lexova se: "Këshilli i atlasit përcakton këta objektiva: lexuesi të jetë në gjendje të lexojë atlasin, të kuptojë se mjedisi shqiptar është nën kontroll të plotë, të ndërhyjë në përmbajtjen e atlasit, të përvetësojë maksimalisht atlasin". ا‘është kështu, ky është atlas apo udhëzues programi për shkollën fillore? Por ato që lexova me poshtë me të vërtetë më tronditën:"....për hartimin e atlasit është përdorur metodologjia e përgatitjes së projektit shkencor, të formatit 240 x 340, si dhe përpilimi me ngjyra i hartave."(f. 11-12). Pse kjo është metodologjia?

Këto thojani ndonjë analfabeti, jo mua që kam studiuar për gjeografi! Ndërkohë me afrohet im shoqe e më thotë: Pa ma lexo edhe mua, ndonjë frazë! Dhe unë vazhdova:"....sipas zbulimit të historianëve tanë të mirënjohur (dhe të tillë janë 6 në atlas), të parët e shqiptarëve jetonin në grupe, nëpër guva e shpella dhe bënin jetë primitive"(f. 14)...."dhe shqiptarët e vjetër martoheshin në grup dhe fëmija nuk e njihte babanë."

Këta banorë që jetonin në shpella "tokën e punonin me parmendë të tërhequr nga kali e kau", dhe më tej lexova se:"...nga nevoja për të ruajtur bagëtinë lindi në Shqipëri sistemi patriarkal". O Zot, mentë e kokës! "...ilirët -thotë më poshtë atlasi - përbëheshin nga shumë fise të mëdha e të vogla", dhe se "fisi i Albanëve i vuri emrin e vet Shqipërisë gjatë Mesjetës"(f. 16). Tani brofi gruaja gjithë inat: "Ato të parat i di se ia tregoj nipçes përralla, por për këtë "Albanin" nuk e dija që na paska hequr emrin e vjetër Shqipëri e na ka dhënë të vetin".

Prit i thashë asaj e dëgjo:"....vijimësia e popullit tonë është iliro-shqiptare ". Pra jo iliro - arbërore - shqiptare siç e kam mësuar unë - thotë ime shoqe?(f.22). Por çuditë nuk kanë të mbaruar. "Gjatë Mesjetës, pjesa më e madhe e popullsisë në qytet e në fshat nuk dinin shkrim e këndim - thuhet po në f. 22. Po në këtë faqe thuhet se:"..gjatë sundimit osman ecën krahas njëri-tjetrit procesi i islamizimit dhe i kolonizimit". Kjo më turbulloi fare se me sa di unë në Shqipëri gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë lloj kolonizimi osman. Më e madhja çudi erdhi me pas: "Kufijtë politike të Republikës së Shqipërisë janë vendosur arbitrarisht një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 29 Nëntor 1912"(f. 30). Këtu brofa prapë në këmbë e thirra: Hallall e paçi, e çimentuat ditën e çlirimit!

Duke vazhduar më tej kalova në kapitullin e gjeografisë. Studiuesit gjeografë tregojnë anekdota edhe më të forta. "RSH shtrihet përgjatë vijës bregdetare me dalje të gjerë në detin Mesdhe. Hapja më e gjerë në detet Adriatik e Jon, aty ku afrohen më shumë Gadishulli i Ballkanit me Gadishullin Apenin, ka krijuar kushte tepër të përshtatshme për lidhjet e Shqipërisë me Mesdheun".(f. 30) Më poshtë gjeografët shkruajnë: "Rruga Egnatia niste prej qyteteve Dyrrahium (Durrësi i sotëm) dhe Apolonisë në bregdetin Adriatik të Ilirisë dhe kalonte nga Selaniku për të përfunduar në Stamboll.

Drejtimi i shtrirjes së njësive strukturore magmatike, terrigjene e karbonatike është përgjithësisht VP-JL e shprehur në një drejtim të tillë edhe në vargjet malore kodrinore të vendit. Gjatë tërë periudhës alpine të re...(f.30). Lloji më i përhapur është ai i tokave të murrme pyjore me 38,3% të sipërfaqes së përgjithshme" (f. 34).

Shkrime të tilla pa asnjë lidhje logjike dhe me gafa të panumërta janë të shpeshta në të gjithë atlasin. Materialin e gjeografisë fizike e shoqëron një hartë tepër "interesante". Kjo hartë është kopjuar nga F.E.SH.-1985 (f.35), por në realitet ajo është publikuar nga Mjetet Mësimore në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX.

Kjo është gjysma e së keqes. Mjaft i rëndë është gabimi që bëjnë autorët duke servirur informacion të skaduar. Në këtë hartë lexon se Kuçova pas 20 vjetësh quhet Qyteti Stalin, se maja e Tomorit 2416 m quhet اuka Partizan, se Grykët e Hapëta në Alpe quhen Ismet Sali Brucaj, se Tirana ka 150 mijë banorë, Durrësi mbi 30 mijë, Berati mbi 10 mijë, Kruja mbi 5 mijë etj. Po aq pa vlerë është edhe harta e organizimit administrativ (f. 43.). Së pari kjo hartë nuk ka asnjë vit referimi, kujt kohe i takon.

Nga ana tjetër ajo është një hartë krejt e palexueshme, një kopjim cilësisht i dobët. Ajo që të habit këtu është legjenda. Në të shënohet: "kufi komune; kufi rrethi; kufi qarku, si dhe kufi kombëtar". Me thënë të drejtën gjer më sot nuk kam parë atlas që të ngatërrojë kufirin shtetëror me kufijtë kombëtarë. Po të përdornim gjuhën e hartuesve të atlasit, do të thoshim që veprim më antikombëtar nuk ka sesa ai që ngushton kufirin tonë kombëtar, i cili përveç RSH, përfshin edhe Kosovën dhe të gjitha trevat e tjera shqiptare në shtetet fqinje, me atë shtetëror.

Fillova të lexoj kapitullin IV: "Lëvizja natyrore dhe hapësinore e popullsisë në Shqipëri". U zhgënjeva sa lexova rreshtat e parë në faqen 52. M‘u duk sikur më ra njeri me shkop në kokë ."Lindshmëria e përgjithshme - thuhet në f. 52 - shënoi rritje të shpejtë gjatë viteve ‘50 të shekullit të kaluar, por kulmin e arriti në vitin 1960, kur çdo grua në moshë riprodhimi kishte lindur rreth 7 fëmijë". Sipas kësaj logjike në vitin 1960 në Shqipëri kanë lindur mbi 488 mijë fëmijë, kur vjetarët e kohës shkruajnë për rreth 70 mijë të lindur gjallë. Shprehur në këtë mënyrë kjo më e pakta është gafë shkencore.

Kjo çudi vazhdon më tej me hartat e faqeve 53,55,57, ku në legjendën e tyre jepet shtimi natyror i popullsisë në përqindje dhe shifrat vazhdojnë nga 25% në mbi 39%. Sipas kësaj legjende qoftë dhe treguesi më minimal (25%) jep një numër fëmijësh prej rreth 500 mijë fëmijë që u futën në shtimin e popullsisë. Sipas statistikës së kohës shtimi natyror në vitin 1960 ka qenë 53 mijë persona apo 33 për mijë, ose ndryshe 3,3%. Zotërinj autorë ja ky është analfabetizëm shkencor.

"Pakësimi i popullsisë - thuhet më tej në f. 59 - ka qenë i ndjeshëm gati kudo: mjaft njerëz u larguan jashtë vendit, të tjerë u shpërngulen në rrethe të tjera, disa persona vdiqën (vlerësohet se vdekjet e kanë pakësuar popullsinë jo më shumë se 7%". Ligjërata mbyllet: "Tirana dhe Durrësi kanë pasur ndryshime të dukshme në rritjen e popullsisë: 4 herë më shpejt në rrethin e kryeqytetit sesa në atë fqinj (plus 41% kundrejt plus 10%), kjo sepse emigrimi i jashtëm goditi më fort Durrësin se Tiranën" (f. 60). Që t‘i "besoni" këto "çudira" atëherë ju rekomandoj të hapni atlasin në f. 61 dhe 63 dhe të shikoni legjendën e tyre. Të gjithë tregues negativë. Si është e mundur zotëri, që në intervalin kohor 1989-2001 rrethi i Tiranës të ketë migrim neto me minus 37598 persona në vit? Po të ishte kështu sot në Tiranë nuk do të kishte këmbë njeriu, por realiteti flet ndryshe.

Popullsia e Tiranës gati është trefishuar që nga ndërrimi i sistemit. Në mënyrën më skandaloze, janë punuar hartat faqe 81 e më tej. Papërgjegjshmëri e gjallë shkencore të ofron grafiku "Ecuria e dendësisë së popullsisë në Shqipëri (1923-2001) f.81. Nga leximi i grafikut mëson se në vitin 1923 dendësia e popullsisë në Shqipëri ka qenë 75 mijë, ndërsa në vitin 2001 ka qenë 300 mijë. Ec e merre vesh këtë punë. Autorët e atlasit nuk dinë as faktin se dendësia e popullsisë llogaritet në banorë/kmآ² dhe maksimumi i saj në Shqipëri ka qenë 110,4 b/kmآ² në vitin 1989.

Ndërsa aktualisht, dendësia e popullimit në Shqipëri rezulton në rreth 108 b/kmآ². Të njëjtat gjëra vazhdojnë edhe më tej. Kështu Hartat e faqeve 87 dhe 89 jepen me gabime të pafalshme në grafikët dhe shpjeguesit. Në grafikët popullsia e Shqipërisë jepet me një zero më pak, ndërsa në shpjegues nuk kuptohet ç‘duhet të japin me raport gjinor. Po kështu zgjatja mesatare e jetesës në grafikun e faqes 97 për vitin 2001 jepet 65 vjeç, kur në tekst jepet 71,5 për meshkujt dhe 78 për femrat.

Pra mesatarja e vendit duhet të ishte 74-75 vjeç. Papërgjegjshmëria e autorëve të atlasit arrin deri aty sa që ata jo vetëm që nuk japin asnjë referim dhe literaturë për botimin e bërë, por kopjojnë pa asnjë citim botimet e INSTAT, duke i servirur ato si të tyret. Kjo vërehet në shumë harta dhe paragrafë të teksteve, por sidomos arrin kulmin në tekstin që flet për punësimin dhe papunësinë në Shqipëri (f. 111-112), i cili përbën një plagjiaturë i kopjuar 100% dhe i pacituar nga botimi i INSTAT "Popullsia e Shqipërisë në 2001" faqe 50-53. E njëjta gjë ndodh edhe me tekstin e faqes 120. Për sa u përket hartave "elektorale", megjithëse në atlas cilësohen një risi, ato nuk kanë aspak përmbajtje shkencore dhe asnjë element me të vërtet hartografik.

Jepen thjesht kush votoi, si votoi, kush fitoi dhe kush humbi. Asnjë korelim me gjendjen socio-ekonomike të zonave të ndryshme të vendit. Përveç këtyre ato përmbajnë edhe gabime të pafalshme në paraqitjen grafike, si: shpjeguesi i faqes 167 nuk përputhet aspak me zgjedhjet e vitit 1991; OMONIA del se në vitin 1991 ka fituar më shumë se kudo diku në rrethin e Bulqizës; madhësia e rrathëve në harta shpesh nuk përputhet aspak me numrin e votuesve sipas zonave elektorale; mbivendosje zonash në paraqitjen grafike që përveç një rrëmuje nuk tregojnë asgjë tjetër etj.

Atlasi mbyllet me disa harta rreth ndotjes së ajrit në Shqipëri, të cilat janë një paraqitje fare diletante, e cila nuk tregon asgjë. Por edhe këtu gafat nuk mungojnë. Sipas tekstit (f. 180) del "...se ndotja e ajrit është një fenomen përgjithësisht i zonave urbane, të cilat kanë pësuar një transformim rrënjësor mjedisor që prej vitit 1991... dhe se kjo ndotje vjen se është rritur aktiviteti terciar (kryesisht ai tregtar)".

Absurditet! Gjithashtu e gjithë gjendja e ndotjes së ajrit në Shqipëri përfaqësohet me paraqitjen e disa treguesve të kësaj ndotje për vetëm 7 qarqe të vendit. Si duket 5 qarqet e tjera nuk kanë ndotje ajri? Hartat janë një paraqitje fare skematike dhe pa asnjë burim të dhënash. Ndonëse ato janë gjithsej 6 harta, në pasthënie thuhet se janë vetëm 3. Para se ta mbyll këtë shkrim do të doja të thosha dy fjalë për hartën e feve e të etnive.

Në faqen 103 jepet harta: "Struktura fetare e popullsisë sipas prefekturave 1927". Kjo hartë jep informacion të kohës së Baba Qeros. Por edhe këtu "shkencëtarët tanë" nuk kanë shpëtuar nga gabimet. Në shpjegues thonë: myslimanë, ortodoksë, katolikë. Po komunitetin bektashi të njohur zyrtarisht në Shqipëri ku e keni lënë? Nuk e di grupi i autorëve se në Shqipëri qysh prej një shekulli ka pasur dhe ka selinë Kryegjyshata Botërore Bektashiane? Në hartën "Struktura etnike e popullsisë 1989" "mendimi shkencor" dhe e "vërteta shkencore" arrijnë në shkallën më të lartë. Atlasi nuk jep asnjë të dhënë të "certifikuar" që lexuesi të mësojë diçka reale, por gjithçka përmblidhet në një rrokullisje fjalësh pa kuptim.

Ja si shkruajnë autorët: "Harta e strukturës etnike të Shqipërisë është bazuar në të dhënat e Arkivit Qendror të Shtetit për një periudhë kohore gati njëshekullore". Bukur, po cilat janë këto të dhëna, pse nuk i jepni? Mjaft interesant është në atlas teza e "homogjenizimit kombëtar". Mbështetur mbi këtë tezë atlasi konkludon: "Në Shqipëri hasen edhe pakica gjuhësore, si vllehtë e romët. Këto pakica, pas një procesi të gjatë historik, kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm gjeografik e socialë, tashmë janë pjesë e kombit shqiptar". (f.104). Pra tashmë, sipas hartuesit nuk ka me vlleh e romë në Shqipëri?

Grafiku që shoqëron hartën jep katër grupe etnike dhe vetëm 2 ngjyra. Po kështu shpjeguesi katër grupe, ndërsa në hartë tre. Kush janë të tjerët dhe pse mungojnë në hartë? Të gjitha këto, pasthënësi i atlasit i mbyll me fjalët: "Atlasi gjeografik i Popullsisë së Shqipërisë është një vepër me interes të gjerë e vlera të shumëfishta". Me thënë të drejtën, këto fjalë të fundit më kujtuan atë Demon e këngës përmetare, i cili u thoshte fshatarëve se kishte një kalë me yzengji e me shalë, kur në të vërtet kishte një gomar te çalë, pa kapistër e pa samar...

Gabimet

-Kufijtë politike të Republikës së Shqipërisë janë vendosur arbitrarisht një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 29 Nëntor 1912

-RSH shtrihet përgjatë vijës bregdetare me dalje të gjerë në detin Mesdhe. Hapja më e gjerë në detet Adriatik e Jon, aty ku afrohen më shumë Gadishulli i Ballkanit me Gadishullin Apenin, ka krijuar kushte tepër të përshtatshme për lidhjet e Shqipërisë me Mesdheun

-Në këtë hartë lexon se Kuçova pas 20 vjetësh quhet Qyteti Stalin, se maja e Tomorit 2416 m quhet اuka Partizan, se Grykët e Hapëta në Alpe quhen Ismet Sali Brucaj, se Tirana ka 150 mijë banorë, Durrësi mbi 30 mijë, Berati mbi 10 mijë, Kruja mbi 5 mijë etj

-Në grafikët popullsia e Shqipërisë jepet me një zero më pak, ndërsa në shpjegues nuk kuptohet ç‘duhet të japin me raport gjinor. Po kështu zgjatja mesatare e jetesës në grafikun e faqes 97 për vitin 2001 jepet 65 vjeç, kur në tekst jepet 71,5 për meshkujt dhe 78 për femrat

-Për sa u përket hartave "elektorale", megjithëse në atlas cilësohen një risi, ato nuk kanë aspak përmbajtje shkencore dhe asnjë element me të vërtetë hartografik. Jepen thjesht kush votoi, si votoi, kush fitoi dhe kush humbi.

-Mbështetur mbi tezën e "homogjenizimit kombëtar" atlasi konkludon: "Në Shqipëri hasen edhe pakica gjuhësore, si vllehtë e romët. Këto pakica, pas një procesi të gjatë historik, kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm gjeografik e socialë, tashmë janë pjesë e kombit shqiptar". (f.104). Pra, sipas hartuesit nuk ka me vlleh e romë në Shqipëri? Grafiku që shoqëron hartën jep katër grupe etnike dhe vetëm 2 ngjyra. Po kështu shpjeguesi katër grupe, ndërsa në hartë tre. Kush janë të tjerët dhe pse mungojnë në hartë?

-Gjendja e ndotjes së ajrit në Shqipëri përfaqësohet me paraqitjen e disa treguesve të kësaj ndotje për vetëm 7 qarqe të vendit. Si duket 5 qarqet e tjera nuk kanë ndotje ajri? Hartat janë një paraqitje fare skematike dhe pa asnjë burim të dhënash. Ndonëse ato janë gjithsej 6 harta, në pasthënie thuhet se janë vetëm 3.


SHQIP​
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top