Fushatat dhe bindjet Politike.

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
nga Ylljet Aliçka

Në tallazin e betejave të perceptimeve të opinionit publik, aktualisht dhe jo vetëm, të bie në sy se problemi i identitetit lidhur me bindjet politike trajtohet më tepër nga këndvështrimi kolektiv apo historik, duke injoruar nivelin e pragmatizmit individual.

Si në planin individual, ashtu dhe në atë kolektiv, faktorët përcaktues të individit dhe bindjeve të tija politike, më së shumti shihen vetëm në formë idealesh, me ngjyrime patriotike, morale, parimore. Harrohen me ose pa qëllim, shtysat apo interesat e përfitimit ekonomik e sidomos ato të protagonizmit, duke injoruar kështu aspektin pragmatik të identifikimit politik.

Rrallë ndodh që një grupim politik, apo institucional, të mbrojë haptas një ide apo vendim pa e veshur atë me argumente të pranueshme të moralit të sotëm njerëzor dhe të së mirës së përgjithshme. E padrejta, interesat e ngushta i përkasin vetëm kundërshtarit politik.

Po të zbrisnim në nivelin individual, shpesh individi shqiptar ia fsheh vetes se pse krijon simpati apo tifozllëk për një lëvizje politike apo antipati për tjetrën, por përpiqet t’i veshë, përligjë apo interpretojë parapëlqimet e tija me argumente objektive, të të mirës së përgjithshme e të pranueshme për një opinion të gjerë, si p.sh. lufta ndaj padrejtësive, korrupsionit, kriminalitetit, imoralitetit.Duhet të jetë ky niveli i maturimit të një individi apo shoqërie, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë të individit.

Pranohet se, krahas të tjerave, njeriu përshtatet apo përfshihet nën një ombrellë vlerash identifikuese, kur ndjen se aty fiton ekonomikisht, se aty mbrohet nga një rrezik, dhe veçanërisht se aty merr vlerë protagonizmi i tij, vlerësimi nga të tjerët.

Parë nën këtë këndvështrim, është evident fakti se ende tek ne inercia dhe ndikimi i vlerave dhe antivlerave njerëzore nga e kaluara është shumë e fortë.

Nga ana tjetër, individëve të sotëm iu është dashur të përshtaten apo ballafaqohen dhe me pamundësinë e mjaft strukturave apo individëve me pushtet, të cilat paralelisht me përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe respektin ndaj institucioneve, nuk kanë mundur të frenojnë a kontrolluar dot dhe impulset e tyre agresive. Është e tepër të thuhet se kësisoj keqpërdoret apo komprometohet besimi i individit ndaj institucioneve e për pasoje dhe ndjenja e përgjegjësisë së tij qytetare.

Gjatë këtyre tri dekadave rezulton të jenë shfaqur pak ide, vizione mobilizuese apo ringjallëse në fushën shpirtërore e morale që do lëkundnin klishetë e vjetra të mendimit, apo që do t’i ofronin individit shqiptar arsyen dhe orientimin e ri për të jetuar.

Karshi frenezisë elektorale, me të drejtë lind pyetja a dyshimi nëse votuesi shqiptar, i cili po ndjek fushatën elektorale herë me arsye, herë me emocion, të mund të dallojë ato ngjarje apo platforma politike që kanë lidhje me interesin e dhe të mirën e përgjithshme, apo me interesat e ngushtë fitimprurës? Apo nëse shpenzimet kolosale të fushatës politike e japin apo jo rezultatin e ndikimit dhe ndërrimit të bindjeve politike të individit në favor të së drejtës dhe të mirës së përgjithshme ?

Dhe nga ana tjetër, a mundet që gjatë fushatave zgjedhore të fitojë elektorat ajo parti që ia del të përcjellë mesazhin e vet politik në organet më të rëndësishëm të medias ?

Pra a ka mundur dot bashkëlidhja e medies me politikën vënë në shërbim të fushatave zgjedhore, të ndikojë mbi mënyrat e konceptimit të mesazheve politike të individit, apo ndryshimit të mëpasshëm të bindjeve politike ? Dhe ndaj cilit target?

Duket se në realitetin shqiptar, përdorimi i parasë jo të deklaruar që vjen nga burime private, është ku e ku më efikas se energjia, koha dhe angazhimet financiare publike të partive politike që paraprijnë fushatat elektorale.

Ndërkohë pranohet fakti se, në krahasim me vende të tjera evropiane, Shqipëria e ka tepër të vogël atë shtresë popullsie të lëkundur që nuk e ka vendosur ende se për kë do të votojë.

Sipas meje e veçanta e situatës aktuale më tepër ka të bëjë me evoluimin e sofistikimit të propagandës dhe retorikës elektorale për të fshehur në mënyrë sa më të pranueshme moralisht e institucionalisht, një platformë ideologjike apo vendim-marrjeje institucionale të lidhura ngushtë me interesat e ngushta fitimprurëse.

2023 Ylljet Aliçka.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 4 28.6%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 7 50.0%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 14.3%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 0 0.0%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 7.1%
Back
Top