Fshati opozitar

agonqe

Antarë i ri
Prishtinë. Kullat tre-katërkatëshe nga guri, që dikur kanë qenë simboli i fshatit, tashmë kanë mbetur vetëm në kujtesën e banorëve, ndërsa shtëpitë, relativisht të ngjashme tashmë kanë zënë ish-oborret e kullave.

Asfalti i ngushtë nëpër të cilin me vështirësi kalojnë dy vetura përballë njëra-tjetrës, xhamia dhe shkolla e fshatit, dhe malet përreth janë elementet e pakta që pasqyrojnë fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit – aty ku u lind dhe rrit ish- kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ndërsa shtëpia ku kryetari i AAK-së, Haradinaj është lindur dhe rritur, është rrënuar tërësisht, derisa aty ka mbetur vetëm ish-oborri i shtëpisë së vjetër.

Kullat në këtë fshatë nuk janë zhdukur tërësisht. Tri kulla nga guri, të punuara së voni, njëra në oborrin e varrezave të dëshmorëve dhe dy të tjera të familjes Haradinaj, janë objektet e vetme që të kujtojnë pamjen e vërtetë të fshatit.

Ndërsa kulla dhe varrezat e dëshmorëve, çdo ditë vizitohen nga dhjetëra vizitorë, në afërsi të saj, qëndrojnë kullat e Haradinajve, dy objekte të ngjitura pranë njëra-tjetrës, me një oborr të madh, ku jeton një pjesë e kësaj familjeje.

Derisa e pranon se nuk mund të ndjehet mirë në kullat e reja, sikur në vendin e tij të vjetër, babai i kryetarit të AAK-së, Hilmi Haradinaj, thotë se njëra kullë është për familjen dhe tjetra për mysafirët.

Ulur në njërin nga kolltukët e shumtë në hollin e kullës, të cilët shoqërohen me qilim klasik dhe me tavolina moderne, teksa ndez cigare të njëpasnjëshme, plaku Haradinaj, që zë vendin pranë oxhakut, rrëfen shumëçka për jetën e tij, luftën e UاK-së dhe pasluftën.

Njeriu, i cili në afërsi të shtëpisë së tij, ka të varrosur katër meshkuj të familjes, Luanin dhe Shkelzenin të vrarë nga forcat serbe, Enveri, që është vrarë paslufte, dhe nipi, djali i Shkelzenit, i cili është shkelur nga një autobus, kujton kohërat kur djemtë e tij ishin të përqendruar vetëm në një pikë – çlirimin e vendit.

“Ramushi si e pati kryer shkollën e mesme, e patën ndjekur policia prej këtu. Ka qenë atëherë ajo koha e demonstratave në Pejë. Doli në Maqedoni, pastaj në Zvicër”, tregon Hilmi Haradinaj, fjalimi i të cilit shoqërohet me zhurmën që lirojnë drunjtë teksa ndizen në oxhak. Ai thotë se atëbotë, Ramushi në çdo tre muaj ka hyrë ilegalisht në Kosovë nga kufiri me Shqipërinë, ku ka sjellë armatim, ndërsa kujton se këtë veprim ish-komandanti i Dukagjinit e ka përsëritur për afro një dekadë që është mbajtur fshehtë nga banorët e fshatit.

“Ka qenë në rrezik me 6 maj 1997, kur u vra Luani”, thotë Hilmiu, duke shtuar se ditën kur është vrarë djali i tij, me të kanë qenë Fehmiu, Xheva dhe Ramiz Lladrovci, Selim Krasniqi, Abedin Rexha, Mujë Krasniqi, Rafet Rama, Gani Rama.

“Luani është vrarë shtatëqind metra në brendi të Kosovës. Iu kanë dalë në pritë. Luani i ka shpëtuar pritës. Në këtë prit ishte plagos Rafet Rama, nga Prekazi, që sot është gjallë, e Luani është kthyer që ta bartë atë, për ta kthyer për Shqipëri, që mos ta lë në duar të serbëve. Atëherë ata shokët e tjerë e kanë bajt Rafetin, e Ramushi e ka bajt në krahë Luanin”, tregon ai.

Derisa Hilmiu vazhdon rrëfimin interesant, fjalimi i tij ndërpritet në momentin që në hollin e kullës futet Luani i vogël, djali i Shkelzenit, i cili pak kohë pasi qëndron i ulur, shkon tek studio e kullës, ku lëshon një këngë folklorike, tonet e së cilës nuk pengojnë zhvillimin normal të bisedës.

“Më kujtohet kur Zahir Pajaziti e Hakif Zejnullahu erdhën me Luanin të flejnë te na. Edmondin e kishin lënë në Junik. I thashë kush janë këta djem se nuk i paskam pa më herët, më tha këta janë argatë për Kosovën, e mos vetë shumë”, tregon ai, duke shtuar se tek më vonë kur e kishte parë në foto të ndjerin Pajaziti, e kishte kuptuar se kush kanë qenë.

Ai tregon se si shtëpia e tij ka qenë “fole” e ish-luftëtarëve të UاK-së, duke kujtuar me emocione ditën kur ka takuar në uniformë Xhevë Lladrovcin, kohën kur dëshmori Mujë Krasniqi ka qëndruar te ta dy herë nga dy javë, dhe ditën kur së basku me djalin e tij, Shkelzenin ka përcjellë deri në Junik Kadri Veselin, për të cilin thotë se kur janë ndarë, ka filluar të qajë nga emocionet.

“Po edhe Hashim Thaçi, shumë herë ka ardhur. Para luftës, edhe pas asaj kohe për çdo muaj, apo dy muaj vinte, na vizitonte, rrike, si në familje. Ai ka qenë më i afërt se me vëllezër të vet, me mua me djemtë. Deri kur shkoi Ramushi në Hagë, për çdo muaj vinte te unë me më pa, por aty pak u prishëm ndër vete. Nuk u kanë më, se i thash nuk të ka mbetur nder. Mos më hajde më”, kujton ai, derisa sytë i shkojnë në foton e varur në mur me djemtë e tij të rënë dhe me dy dëshmorë të tjerë.

Zjarri që ndizet në oxhak reflektohet në xhamat e dyerve, të cilët hollin e kullës e ndajnë me pjesën tjetër, ku qëndron një tip kafeneje, me të gjitha elementet përcjellëse, poshtë së cilës, në bodrume janë të rregulluara dhomat për mysafirët, ndërsa afër tyre qëndron dhoma e madhe, me disa sofra dhe ulëse të vogla druri.

Kulla prej guri, që është rrethuar nga një mur gjithashtu nga guri, përveç dhomës së burrave, ka edhe dhomat tjera, të cilat të mobiluara me mobile luksoze, shpesh vizitohen nga djemtë e tij, Ramushi dhe Dauti, që aktualisht jetojnë në Prishtinë.

Në dy pjesë të oborrit, ajo ka edhe pushimoret mbi mur, ndërsa një hapësirë relativisht e madhe, e rrethuar me drunj të përkohshëm, pret të rregullohet përfundimisht për t’u kompletuar më pas si pishinë e familjes, pranë së cilës vërehen edhe kabinat për dush, dhe zhveshtoret.

Ky kryefamiljar, që në ish-Jugosllavi ka punuar si shitës në një ndërmarrje shtetërore, thotë se familja e tij gjithnjë ka qenë e pasur, ndërsa kujton kohërat kur numri i bagëtive te ta ka qenë me qindra.

Derisa nuk heziton të pohojë se nga të gjithë djemtë të dalluar e ka pasur Shkelzenin, me të cilin është kuptuar më së miri, gjashtëdhjetë e pesë vjeçi thotë se Ramushi gjithnjë ka qenë nxënës i mirë, por bagëtia, sipas tij, asnjëherë nuk ka qenë në “agjendën” e tij.

“Ramushi jo. T’i lëshojë toka po, po t’i shikojë jo. Në tokë ka qenë merakli, por jo, nuk ka punuar. Shkelzeni i bënte këto punë, se për Ramushin do të vdisje uni”, tregon ai detaje nga jeta e ish-kryeministrit Haradinaj, për të cilin thotë se e viziton herë pas here.

Ndonëse nuk dëshiron të flasë për kohën kur Ramushi ka qenë udhëheqës i luftës në Zonën e Dukagjinit, ai pohon se djali i madh i tij, ka qenë shumë i suksesshëm gjatë luftës.

Derisa familja Haradinaj qëndron në kullat e tij të reja, Xhafer Sejfijaj, që përveç se bën punën e cicëronit, kujdeset edhe për varrezat. Ai tregon, se në mesin e të gjithë të rënëve, më i riu është gjashtëmbëdhjetë dhe më i vjetri gjashtëdhjetë vjeç.

“Kulla nuk ka ende asgjë, por do të jetë muze. Kati i parë do të jetë muze i armatimit, do të vijë armatim i vjetër, dhe armatim i UاK-së. Në katin e dytë janë tri dhoma, ato do të ndahen për dëshmorë. Do të vendosen biografitë e dëshmorëve, uniforma, nëse i ka mbetur edhe arma personale e dëshmorit. Kati i tretë i ka tri dhoma, ato do të ndahen për të zhdukurit dhe për civilët e rënë gjatë luftës, do të shënohet diçka edhe për ta, ndërsa në katin e katërt është oda tipike dukagjinase”, thotë Sejfijaj, duke kujtuar se fshati Gllogjan ka tridhjetë e dy të rënë.

Ai pohon se vizitorët në këtë kompleks nuk janë të pakët, ndërsa thekson se vizitat më të mëdha bëhen nga nxënësit, e të gjitha trojeve shqiptare. Sipas tij, ka pasur raste kur numri i vizitorëve ka qenë deri në njëzet autobusë.

Ciceroni thotë se kulla, dhe kompleksi i dëshmorëve është ndërtuar falë ndihmës së bashkatdhetarëve, ndërsa gurët janë marrë nëpër kulla të ndryshe të rrënuara, dhe në kullat ku kanë jetuar dëshmorët. Ndihmesë sipas tij, gjithashtu ka dhënë ish-Zyra amerikane, dhe TMK-ja, por jo edhe institucionet e Kosovës.

www.zeri.info
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top