Flokët e mbledhura në kokë, trendi i sezonit
Pa marrë parasysh se a ju duhet që të shkoni në punë, në shëtitje, apo në darkë solemne, me flokët e mbledhura në kokë, zor se mund të gaboni. Këtë pranverë dhe verë do të jenë në modë edhe gërshetat, tonet e ndritura të flokëve me plot stoli. U propozojmë katër lloje të flokëve të grumbulluara në kokë, të cilat është lehtë që t’i përgatitni.
‘Shinjon’
Hiti i këtij sezoni quhet shinjon, flokët e mbledhura në fund të zverkut dhe në fillim të qafës. Me këtë formë tradicionale nuk mund të gaboni, janë të përshtatshme për ditë dhe për natë. Krihni flokët, lidhni në bisht të lirshëm, e më pas mbështillni rreth gomës dhe skajet përforconi me kapëse. Evitoni shinjonin tepër të stilizuar, duke lënë ndonjë tufë flokësh që të bjerë lirshëm. Do të jeni tepër interesante nëse përdorni gjilpëra me kënde, apo shkopinj.
‘Banania’
Krihni flokët prapa, kah koka, duke i fiksuar në zverk. Në këtë mënyrë, flokët bëhen lehtësisht të formësuara. Kjo formë e flokëve është e përshtatshme nëse doni të keni flokë të mbledhura e të bujshme. Skajet e flokëve përforconi me kapëse flokësh.
‘Balerina’
Kaloni me gishta nëpër flokë disa herë dhe lidhni më pas ato bisht lart në zverk. Më pas, majën e bishtit mbështilleni rreth lidhëses së gomës dhe përforcojeni me kapëse. Kur flitet për këtë stil të flokëve, mund të përcaktoheni midis variantit të rregullt, të lëmuar, apo opsionit të flokëve të çrregullta, i cili ka qenë hit në pistat e modës së këtij sezoni. Ky stil i flokëve është tepër seksi, e krahas kësaj e bën lëkurën e fytyrës që të duket me më pak rrudha, me ç’rast ju dukeni më e re sesa që jeni në të vërtetë. Stili ‘balerina’ zakonisht nënkupton mbledhjen e flokëve në mes të kokës, por nëse doni që të jeni më ekstravagant, ‘duqin’ e flokëve mund ta bëni edhe anash.
Gërshetat
Lidhni flokët bisht dhe, nga to, bëni një gërshetë, të cilën më pas mblidheni mbi kokë. Këtë dhe stilet e tjera të ngjashme mund t’i kombinoni me kapëse të ndryshme flokësh, stolisje, gjilpëra flokësh, etj. Gjëja më e mirë është që tërë këto stile flokësh mund t’i bëni edhe vet në shtëpi, pa pasur nevojë që të kërkoni ndihmën e stilistit.
ikub.al