Filozofia e Sant’Egidio-s dhe “antifilozofia” e politikës shqiptare

WxP

Staf në FV.AL
Rexhep Meidani

Më 14 tetor 2004 universiteti Xhorxhtaun (Georgetown) organizoi një ceremoni në rastin e dhënies së një titulli nderi prof. Andrea Rikardit (Riccardi) - themeluesit të Komunitetit Katolik Ndërkombëtar të Sant'Egidio-s. Në fjalën e paraqitjes presidenti i universitetit John J. DeGioia theksoi se: “Prof. Andrea Rikardi, si themelues dhe udhëheqës i një bashkësie njerëzish të dedikuar ndaj të vobektëve, zgjidhjes së konflikteve dhe dialogut ndërfetar, ka sjellë shpresë në mijëra njerëz nëpër botë nëpërmjet drejtimit prej tij të Komunitetit të Sant’Egidio-s”. Natyrisht ky ishte një nderim tjetër në morinë e nderimeve ndërkombëtare për Komunitetin e Sant’Egidio-s dhe drejtuesin e tij Andrea Rikardi...
***
Jam njohur me Profesor Rikardin dhe Imzot Vincento Palian të Komunitetit të Saint’Egidio-s shumë shpejt pas marrjes së detyrës së kryetarit të shtetit. Më tej takimet dhe diskutimet kanë qenë shumë më të shpejta, në Tiranë apo Romë. Pikërisht këto kontakte të dikurshme, mbresa, kujtime e vlerësime më shtynë që pas një takimi në Rogner me Paolo Rago-n dhe dhurimin prej tij të botimit shqip të librit të prof. Andrea Rikardit (A.Riccardi): ““ Sant’Egidio, Roma dhe Bota”- Bisedë me J. D. Durand dhe R.Ladous”, t’i futesha leximit të kujdesshëm të tij.
Krahas hyrjes dhe parathënies, të shkruara me mjaft mjeshtëri e dashuri, përkatësisht nga prof. Tritan Shehu dhe kardinali Karlo (Carlo) Maria Martini, nën një këndvështrim të ndryshëm, por dhe krejtësisht komplementar, më bëri, që në fillim, mjaft përshtypje forma e zgjedhur e dialogut, sa i thjeshtë aq dhe i thellë, filozofik e shpirtëror me vetë lexuesin, një kontakt realisht i “sofistikuar” me të. Nëpërmjet thjeshtësisë së përgjigjeve aty ndjehet po ashtu nevoja urgjente për të qenë sa më afër të varfërve, të moshuarve dhe invalidëve, emigrantëve apo njerëzve të prekur nga HIV/AIDS-i, dëshira për një zhvillim të qëndrueshëm, përpjekja për ta rinovuar shoqërinë dhe për ta sjellë atë sa më afër jetës nëpërmjet bashkëjetesës fetare, dialogut, kompromisit, marrëveshjeve dhe shërbimit ndaj paqes...
Kjo dhe filozofia shpirtërore e humane, ky është dhe mesazhi qendror që përshkon këtë libër nga fillimi në fund, mesazh për të cilin ka aq shumë nevojë ta kuptojë e mishërojë vetë politika shqiptare në të gjithë veprimtarinë e saj, sidomos këto kohët e fundit.

***
Në ditët studentore revolucionare të vitit 1968, që pushtuan Evropën, Andrea Rikardi po “kërkonte për diçka më të mirë”. Madje, lidhur me këto reflektime të kohës së liceut ai pohon: ”...qe një zbulim që më bëri të shihja me sy kritik ideologjitë dhe sistemet ideologjikë në përgjithësi...Ndërsa ne kritikonim demokristianët dhe komunistët, përballeshim me të njëjtat probleme të jetës politike zyrtare: role, pushtete, zënka...mua më dukej se duhej ndryshuar njeriu. Asokohe thuhej se gjithçka ishte politikë. Me fjalë konkrete, ishte e domosdoshme të ndryshonim vetveten..ç’ kuptim ka të ndryshosh shoqërinë nëse nuk ndryshon njeriun?”... Dhe më tej, po në këtë libër shton: “Sot ndoshta të gjithë këtë e perceptoj ndryshe...Por, në fillim të viteve shtatëdhjetë, ne mendonim se qytetin duhet ta ndryshonim aty dhe në atë çast”...
Kështu, filloi maturimi i idesë së komunitetit. Andrea, së bashku, me bashkëmoshatarë të tij të shkollës, në kërkim të një “zgjidhje më të mirë”, ra në kontakt me varfërinë ekstreme dhe kushtet mjaft vështira të jetës në vitet 60-të, në periferitë e Romës dhe filluan vullnetarisht të kontribuonin me sa mundnin për të ndihmuar këto komunitete, për të lehtësuar vuajtjet, për të pakësuar urinë dhe për të dhënë falas mësim për fëmijë që nuk mund të frekuentonin shkollën. Në të vërtetë, kjo të rinj me orientim të majtë dëshironin të aktivizoheshin për ndryshime të thella sociale, por pa e humbur identitetin e tyre katolik Kështu, nëpërmjet praktikimit shpirtëror dhe kontributit të drejtpërdrejtë tek shtresimet me probleme të rënda sociale u krijua Komuniteti katolik i Sant’Egidio-s. Sot ky komunitet ka afro 40 000 anëtarë në mbi 60 vende në të katër kontinentet, edhe pse siç pohon prof. Rikardi ai “nuk e ndjen ndonjë nevojë për të mbjellë flamurin e pranisë në të gjithë botën. Universalitet nuk do të thotë të jetë i pranishëm kudo, por që i shkon gjërave deri në fundin e tyre gjithkund ku jeni, apo që e merrni botën me po atë seriozitet pavarësisht se ku ndodheni”. Nga ana tjetër, ai pranon se shpirti i individualizmit e bën relativisht të vështirë rritjen e këtij komuniteti. Por nuk harron të kujtojë se, në çdo strukturim, në momentin që pretendohet, duke u sjellë rrotull e deklaruar se: “ne jemi e reja... ne jemi më të mirët, ne jemi perfektët...”, atëherë anëtarët apo drejtuesit e këtij organizimi janë bërë, në fakt, më të këqijtë. Dhe ky reflektim vlen të konsiderohet nga politikanët shqiptarë që unin e tyre e kanë më kryesorin, madje deklarimet apo vendimet i kanë vetëm në vetë të parë njëjës...
Duke iu kundërvënë çdo konflikti e forme dhune, anëtarët e Sant’Egidio-s janë përpjekur të ndërmjetësojnë dhe zgjidhin konflikte në mbarë botën. Madje, Komuniteti ka qenë dhe mjaft aktiv për heqjen e dënimit kapital duke mbledhur me miliona firma nëpër botë në peticionin përkatës të dorëzuar Kofi Ananit. Një nga sukseset më të njohura është arritja e marrëveshjes së paqes në Mozambik më 1992-shin. Jo pa rëndësi kanë qenë dhe ndërmjetësimet e komunitetit në Algjeri, Sudan, Burundi, Guatemala apo rajonin e Ballkanit etj. Ka pasur kritika se në Algjeri apo Sudan komuniteti ka rënë në kontakt në këto vende me njerëz me të cilët nuk duhej të negociohej. Por, kundër këtij “shikimi” të gabuar, Andrea Rikardi me të drejtë ka pohuar: “nëse doni të arrini një marrëveshje për paqen, ju duhet të kontaktoni e arsyetoni, në radhë të parë, me ata që bëjnë luftën”, sepse “duhet punuar më shumë për të kanalizuar tensionet drejt luftës politike e jo drejt konfliktit të armatosur apo përhapjes së dhunës”. Për më tepër, për këtë mendje “në lëvizje” përplasjet e dhunshme, konfliktet e lufta janë “varfëria më e madhe për të gjithë” apo “nëna e të gjitha varfërive...”.
***
Diku në mes të librit, duke ndjekur dhe përplasjet e fundit politike apo deklaratat publike nga më të ndryshmet, anormale për një shoqëri e një kulturë demokratike, u shkëputa dhe fillova të mendoja për shumë gjëra njëkohësisht, krejt të pa sistemuara, por që diku “vibronin” edhe në brendësinë time. Mesa duket për t’u shkëputur nga kjo lloj politike apo më saktë nga kjo “antipolitikë” e ditës, i nxitur nga mendimet e prof. Rikardit fillova të “notoja” përkohësisht në “situata më globale”, por gjithmonë brenda një optike humaniste. Sepse, siç po duket, globalizimi po manifeston të dy anët e tij, si aspektin pozitiv ashtu dhe atë negativ, sepse ai njëkohësisht po e ngushton dhe zgjeron hendekun e të ardhurave midis kombeve dhe brenda kombeve; po e intensifikon dhe e dobëson mbizotërimin politik duke i dhënë forcë dhe organizimeve të tjera, dhe së fundi, po në të njëjtën kohë, po homogjenizon dhe “pluralizon” identitetet kulturore. Pra, edhe pse një proces i domosdoshëm, globalizimi karakterizohet nga dy kahe me shenjë të kundërt, zhbalancimi i të cilëve, sidomos pabarazia e theksuar sociale, mund të provokonte dëme serioze në ndërtimin e një shoqërie sa më të ekuilibruar dhe të një rendi të ri botëror sa më të drejtë e njerëzor. Por a mund të realizohet një gjë e tillë pa shpirt e humanizëm, vetëm me forcën e tregut e kapitalit, të lëvizshmërisë së tyre apo thjesht e ftohtë me anë të veprimit të mekanizmave institucionalë kombëtarë e mbikombëtarë? Absolutisht jo! Kërkohen dhe struktura humane e shpirtërore siç është dhe Komuniteti i Sant’Egidio-s. Atëherë, nëse në nivel global kërkohet shpirt, kompromis e humanizëm, përse për një ecje të shpejtë përpara të Shqipërisë të mos nevojitet një gjë e tillë? Pa dyshim, që kjo është e domosdoshme. Por, një gjë e tillë, me sa duket, nuk është “filozofia” e politikës sonë ende të “mbrapshtë”!...
Një reflektim tjetër, po i brendshëm, ishte ai i ndryshimeve thelbësore në konceptimin e hapësirës dhe kohës. Këto ndryshime po shoqërojnë aktualisht njeriun dhe po ndikojnë fuqishëm në veprimtarinë e tij, që zhvillohet veçse në hapësirë-kohë. Aktualisht, largësia, hapësira apo territori ka pësuar një “tkurrje” të konsiderueshme, në përputhje me strukturën kohore të veprimtarisë njerëzore, strukturë që sidomos në trajtën e saj “virtuale” apo “elektronike” është reduktuar shumë në lidhjen e dy vendndodhjeve të ndryshme gjeografike. Por një gjë e tillë, në mënyrë të natyrshme, imponon thyerjen, deri flakjen e shumë koncepteve politike që lidhen ngushtë me kohën e hapësirën. Në këtë kuptim një “sforcim gardist” në kuvend ditët e fundit duket jashtë kohës dhe hapësirës (territorit) konkrete, madje pasqyron një prirje me rrezikshmëri jo të vogël. Nga ana tjetër, jo më pak i rëndësishëm është dhe vlerësimi i raporteve të reja hapësinore-kohore midis grupeve sociale e etnike, dhe balancimin sa më moral të tyre. Në këtë këndvështrim, problemet e padrejtësive sociale dhe të varfërisë ekstreme, të prapambetjes kulturore e edukative në shtresime të caktuara, etj. nuk janë më probleme të mbyllura brenda një kohe të shkurtër apo bashkësie të vogël, por marrin një shtrirje gjithnjë e më serioze. Në këtë mënyrë ata bëhen dhe burime pakënaqësish e konfliktesh. Dhe për këtë politika shqiptare, normalisht, duhet të tregojë dhe një vëmendje serioze dhe jo të “sorollatet” në “zhurmën” dhe “humnerën” e konflikteve të përditshme.
***
Pikërisht, mbi një ndjesi të tillë për të zbutur padrejtësitë, për të ndihmuar shtresat e margjinalizuara dhe në përgjithësi më të dobëtit lindi dhe komuniteti i Sant’Egidio-s. Këtë thelb, këto “kromozome” të këtij komuniteti i gjejmë dhe në fjalimin e papës Gjon Pali II para Komunitetit Sant’Egidio gjatë një takimi në Kastel Gandolfo, më 20 korrik 1980: “...Komuniteti Sant”Egidio nuk është një komunitet “homogjen”, por “pluralist”, pra i larmishëm, dhe unë besoj se është diçka shumë e bukur që ju prisni njerëz të ndryshëm: të rinj dhe të moshuar...ju kuptuat se duhet kërkuar një njeri tjetër, që duhet gjetur një bashkësi e cila mund të japë shpresë dhe solidaritet. Janë dy fjalë që nisin me shkronjën “s” dhe që duken mjaft domethënëse për vlerat shpirtërore të besimit tuaj, për vetë jetën tuaj dhe për këngët tuaja...Shpresë dhe solidaritet janë dy fjalë shumë të ngjashme. Njeriut i bëhet thirrje të gjejë vetveten përmes bashkimit dhe solidaritetit me të tjerët...” Pikërisht, ky mision, i mbështetur fuqishëm te solidariteti, kolegjialiteti e ekumenizmi përshkruhet me mjaft mjeshtri e depërtim, shumë thjesht e qartë, në dialogun me lexuesin të prof. Andrea Rikardit.
Duke bërë dallimin midis Komunitetit të Sant’Egidio-s dhe një lëvizjeje karizmatike autori, midis të tjerash, thekson se: “...Për një lëvizje ekziston rreziku i mundshëm i mbylljes në vetvete, në çështjet e brendshme, në problemet e përgjegjësve, të drejtuesve, të udhëheqësve të saj: janë çështjet materiale, ndryshimet e selive, marrëdhëniet ndërpersonale. Mund të na shkojë jeta duke u përpjekur të krijojmë një bashkësi që jeton – e që lodhet- duke ardhur rrotull vetes, për vetveten. ثshtë rreziku që i rri mbi kokë çdo bashkësie laikësh apo priftërinjsh. Kjo vlen edhe për individët, për familjet, për institucionet.”...
Por, kjo vlen dhe për partitë politike, sidomos ato shqiptare që po lodhen “duke i ardhur rrotull vetes, për vetveten”.
***
Diku prof. Rikardi shpjegon me thjeshtësinë e logjikës së tij njerëzore arsyen e preokupimit të Komunitetit për Afrikën e Lindjen e Mesme, e cila ka mbetur një “birë e zezë në politikën ndërkombëtare”, që “rrallë regjistrohet si faktor në ngjarjet botërore”. Edhe në kuadër të “teorisë” së Samuel Huntington-it për “përplasjen e qytetërimeve” ajo është lënë “jashtë klasifikimit”, madje pa asnjë histori, traditë apo “vlerë”. Për më tepër që në atë vepër nuk thuhet asgjë se ç’ lloj qytetërimi i përket Afrikës. Kjo e shtyn prof. Rikardin të theksojë që “një marrëdhënie e veçantë është e nevojshme midis Evropës dhe Afrikës, për arsye të gjuhës, historisë, kolonializmit, afërsisë gjeografike dhe emigracionit” . Ngjarjet e fundit në periferitë e qyteteve të Francës apo në vende të tjera evropiane flasin mjaft qartë se Andrea Rikardi ka shumë të drejtë kur e nënvizon me theks të veçantë këtë problem. Përfshirë këtu dhe faktin që ndërkohë, në këtë periudhë globalizimi dhe Afrika po zgjohet dhe ajo duhet të shpëtohet nga kjo përplasje që nuk mungoi të skenohej kohët e fundit as në Bregun e Fildishtë. Pra, siç filloi jetësimi i veprimtarisë së komunitetit në periferitë e tmerrshme të Romës së asaj kohe, po ashtu duhet të intensifikohet kjo veprimtari në këtë periferi të madhe të botës së sotme, që është në fakt dhe Afrika. Madje, në fjalët e tij ndjehet shqetësimi se shoqëria afrikane po bëhet e dhunshme, siç është rasti i luftës civile në Bregun e Fildishtë. Sipas prof. Rikardit ky vend është mjaft i rëndësishëm në sajë dhe të traditës së tij të “bashkëjetesës paqësore midis myslimanëve dhe katolikëve, që është vënë në pikëpyetje në këtë konflikt. Ka rrezik që Bregu i Fildishtë të ndjekë rrugën e gjakderdhjes si në Liban. Por nëse në Bregun e Fildishtë ndodh diçka e tillë mund të shfaqet një krizë e thellë në të gjithë rajonin”. Pikërisht, bazuar, në këtë shqetësim të drejtë Komuniteti është përfshirë edhe në marrëveshjen e Marcoussis-it.
Edhe pse librin e prof. Rikardit e kam marrë më vonë, pak kohë më parë, pas kthimit nga një mision ndërkombëtar në Izrael-Palestinë kam botuar një shkrim-analizë tek gazeta “Shekulli” me titull “Sfida për proceset demokratike në Lindjen e Mesme”. Aty kam shprehur një shqetësim që ndjehet në rreshta dhe në librin e A. Rikardit. Sipas tij: “fjala nuk është aq për vënien në provë të një miti të iluminizmit, sesa për të kuptuar nëse zgjedhjet dhe demokracia janë rruga e vetme ku mund të drejtohen tensionet dhe konfliktet e një shoqërie pluraliste...ثshtë e nevojshme të garantohet zëvendësimi i regjimeve nëpërmjet procesit të votimit. Perëndimi, i cili ka vendosur me forcë një embrion demokracie në shumë vende afrikane, duhet ta ndihmojë këtë proces në vend që të paralizohet nga frika...”
E mora këtë paragraf për të ritrajtuar dhe një shqetësim tjetër për zhvillimet e ardhshme në zonën e Lindjes së Mesme, por që aty-këtu nxjerr kokën dhe në kushtet shqiptare. Nuk mund të mohohet më sot se liria fetare është një e drejtë, nga më themeloret e njeriut. Por për ta garantuar atë në të gjithë spektrin e saj nevojitet që institucionet e shtetit dhe institucionet fetare të jenë të ndara, edhe pse detyrimisht në bashkëjetesë, respekt e bashkëpunim të ndërsjellë me njëri-tjetrin. Kjo nënkupton që dhe formacionet politike që prodhojnë institucionet shtetërore normalisht nuk duhet të jenë “unifetare” sepse në momente të caktuara, në përputhje dhe me situata konkrete, shkallën e emancipimit të shoqërisë dhe të opinionit publik, mund të ngarkohen dhe me detyrën e formimit të qeverisjes, e cila në përputhje dhe me “burimin”, në mënyrë të natyrshme, mund të theksojë karakterin e saj të njëanshëm religjioz në kurriz të sekularizmit apo grupimeve të tjera fetare. Dhe kjo rezulton, në njëfarë mase, edhe si një kundërvënie ndaj lirisë në përgjithësi, lirisë së vullnetit apo asaj të zgjedhjes së individit në veçanti. Me fjalë të tjera, vota e lirë dhe demokratike është më se e domosdoshme, por megjithatë e jo e mjaftueshme për të garantuar të gjitha standardet e një zhvillimi shoqëror-institucional të vërtetë dhe të pakthyeshëm, në respekt të qytetarit të lirë, të drejtave të njeriut dhe të ndërtimit të një shoqërie e të një shteti demokratik. Kërkohen dhe ndërhyrje e përgjegjësi të tjera për rritjen e peshës dhe të pjesëmarrjes së ndërgjegjshme qytetare. Dhe kjo nuk mund të lihet jashtë vëmendjes nga qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse...
***
Nuk kanë munguar dhe kritikat, më saktë pseudokritikat, në adresë të Komunitetit, si gjoja i prirë për mosbashkëpunim d.m.th. për krijimin e një “kishe brenda kishe”, për mbizotërim të një “krahu majtist” brenda tij në vend të vlerësimit të frymës reale progresiste aty, për zhvillim të kultit të individit, nga njëra anë apo për frymë të theksuar liberale, nga ana tjetër, për një drejtim të theksuar mashkullor që riprodhon aspektet më të dobëta të kulturës klerikale, etj. Sidoqoftë me leximin e kësaj vepre të prof. Andreas e kupton mjaft mirë që asnjëra nga këto vërejtje apo të ashtuquajtura kritika nuk kanë as prirje njerëzore, as bazament filozofik për t’u rritur e zhvilluar brenda këtij komuniteti. Për më tepër pohimi i tij se “nuk jemi nga ata njerëz që priren të vendosin vetë gjithçka. Se, në ndodhtë kjo, është gjithmonë një dobësi, një shenjë plakjeje”, ka vlera të veçanta për çdo organizim kolektiv, përfshirë dhe partitë politike. Madje, ky është një mesazh me vlera parimore për koalicionin politik që përbën qeverisjen e sotme në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha nevoja për një politikë dhe mbartës të saj në funksion të paqes dhe mirëkuptimit e bashkëpunimit: “Krijimi (apo rindërtimi) i politikanit: ky është problemi i madh i paqes. Sigurisht, s’është e domosdoshme që protagonistët të pajtohen, mund të vazhdojnë ta urrejnë njeri-tjetrin, edhe për shumë kohë, por një gjë është të kesh marrëdhënie të ndera dhe një tjetër t’i qëllosh tjetrit...Demokracia zhvillon antitrupat e saj kundër luftës, ndërsa një regjim totalitar është i zoti të firmosë sot një traktat dhe nesër të shpallë luftë. Kjo ndodh, veç shkaqeve të tjera, edhe pse në fund të fundit ai është një regjim i mbushur me kulturën e dhunës, të forcës dhe të luftës... ”. Dhe kështu arrin në përfundimin se “është gjithashtu e vërtetë që e gjithë politika e përdor nga pak metodën e instrumentalizimit, të paktën aq sa për të mbajtur njerëzit pas vetes. Ndërsa unë ndihem i mbushur me metodën e shprehur me fjalë të thjeshta por themelore nga papa Gjoni XXIII: “Të kërkoni atë që bashkon dhe të lini mënjanë atë që veçon””. Apo e thënë ndryshe nga prof. Rikardi: “kemi rastin të dalim nga kultura e armikut, e cila na bllokoi, për të hyrë në kulturën e aleancave”.
Me këtë mesazh udhërrëfyes për politikën shqiptare pas firmosje paraprake të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit më pëlqen ta mbyll dhe këtë koment të gjatë mbi veprën e përkthyer në shqip të prof Andrea Rikardit.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top