sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
Festat, kthehen 10 mijë emigrantë


Afrimi i festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri është bërë shkak për radhë të gjata në pikat e kalimit kufitar në jug të Shqipërisë për shkak të kthimit të emigrantëve kryesisht nga Greqia. Në orët e mëngjesit dhe gjatë paradites së djeshme në doganën e Kapshticës ka radhë të gjata emigrantësh që presin të kalojnë kufirin. Sportelet e pikëkalimit kufitar mësohet se po punojnë me kapacitet të plotë, por numri i emigrantëve është i konsiderueshëm duke u bërë shkak për radhë udhëtarësh e automjetesh. Në anën greke të kufirit radha e pritjes arrin deri në 1 kilometër, ndërsa e njëjta situatë është edhe në doganën e Kakavijës. Sipas policisë kufitare, gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 4500 persona nga Kapshtica. Të dhënat e policisë tregojnë ndërkohë për hyrjen e mbi 6 mijë personave në Shqipëri nga Kakavija me mbi 70 autobusë, mbi 500 automjete private. Rritje të numrit të udhëtarëve që hyjnë në Shqipëri ka pasur edhe në portin e Durrësit dhe në portin e Vlorës.
Pasaportat, radhë të gjata në sportele
Kthimi i emigrantëve ka sjellë përveç fluksit në pikat kufitare edhe fluks në zyrat e gjendjeve civile ku aplikohet për kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike. Edhe pse emigrantët e kanë marrë seriozisht apelin e ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit, zyrat e gjendjes civile nuk i përgjigjen dot fluksit të emigrantëve, pasi ka pak sportele. Kemi ndjekur një situatë të tillë në Bashkinë e Lezhës, ku prej disa ditësh emigrantët zënë radhën për të aplikuar dhe nuk arrijnë të përfundojnë procedurat. Ndërkohë, Ministria e Brendshme njoftoi se me rastin e festave të fundvitit, për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe, do të aplikohet orar i zgjatur në sportelet e aplikimit për pasaporta biometrike. Sipas burimeve zyrtare, nga dita e djeshme zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike do të shërbejnë për qytetarët nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. Zyrat e aplikimit do të jenë të hapura në të gjitha bashkitë dhe komunat e mëdha, me të njëjtin orar, edhe ditën e shtunë dhe të diel. Shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe në datën 31 dhjetor nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Zyrat nuk do të jenë të hapura në datën 25 dhjetor, për shkak të festës së Krishtlindjeve. “Ky shtim i orarit të punës të zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon tu vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ndodhen në Shqipëri për festat e fundvitit”,- njoftoi Ministria. Sipas saj, në të njëjtat orare do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Marrëveshja për këtë shtim orari u arrit pas negociatave të Ministrisë së Brendshme me kompaninë koncesionare “Aleat”. Ministria e Brendshme kërkon angazhimin maksimal në shërbimin ndaj qytetarëve të të gjithë punonjësve të zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të kompanisë “Aleat”.
Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për tu pajisur me pasaporta biometrike.
G. Ballkan