Familja Durazzo, ambasadorë në metropolet e Europës

Lauri

Anunnak
Në historinë e familjes me origjinë shqiptare Durazzo, të larguar në kohën e fillimit të dyndjeve osmane drejt Adriatikut në fundin e shekullit XIV (1387), kanë mbetur jo vetëm emrat e 9 dozhëve (presidentë të Republikës), dhjetëra senatorëve, kardinalëve dhe peshkopëve të shumtë, por dhe emrat e shumë ambasadorëve dhe konsujve të dërguar nga Republika e Gjenovës në kryeqytetet e Evropës. Gjashtëmbëdhjetë ambasadorë Durazzo dhe shumë “inviato straordinario” do t’i gjejmë gjatë dy shekujve jo vetëm në Vatikan, Napoli apo Venecie, por së pari në metropolet e Evropës: në Paris, Madrid, Londër, Stamboll Vjenë, Lisbonë e gjetkë. Vetëm arkivat diplomatike të Republikës së Gjenovës do të mund të na zbulonin histori e ngjarje që lidhen me traktatet dhe negociatat e fshehta, me luftërat dhe armëpushimet, me paqen e vetë Evropës, ku si protagonistë ishin dhe këta ambasadorë, origjina e të cilëve vinte nga një vend i vogël si Shqipëria, buzë Adriatikut. Roli i tyre në skenën internacionale ishte jo i pakët, pasi intelokutorë të tyre ishin ata që bënin politikën e botës: Louis XIV, Karli II-të i Anglisë, Sulltani Muhameti IV dhe Veziri i Madh Qiprilli, perandoresha e Absburgëve, Mari-Tereza dhe më pas biri i saj perandori Josef II, disa Papë të Vatikanit, mbreti i Napolit apo princat e principatave italiane. Madje jo rrallë këta ambasadorë kanë shërbyer si ndërmjetës për të negociuar paqe mes fuqive të mëdha, midis Francës e Spanjës, Francës dhe Austrisë, midis Vatikanit dhe principatave italiane. Gjithë kjo aureolë figurash, emrash, njerëzish që kishin lenë gjurmë në historinë europiane, të duket për një çast e pabesueshme se gjithçka e kishte zanafillën në një familje të mjerë, të larguar me tmerr nga brigjet e Adriatikut duke rendur drejt “Felix-Italia”, apo një vend shpëtimi. Tashmë, gjithçka është në ato portrete e tabllo të jashtëzakonshme, në ato figura mermeri, në gravurat e artistëve të shquar të Italisë dhe flamandëve, në “Dorëshkrimet mesjetare” (Libri d’Oro) apo “Libri di Nobilita” dhe relacionet diplomatike të kancelarive të mëdha.


Gio Agostino DurazzoGio Agostino

qw2_zpsg7f97lqv.jpg

Një nga ambasadorët më të famshëm ishte padyshim Gio Agostino Durazzo (1632-1667). Ishte pikërisht ai që do t’i hapte rrugën Republikës së Gjenovës drejt Orientit. Ai shkoi me mision dy herë në Stamboll: në fillim më 1665 dhe më pas në vitin 1666. Agostino Durazzo ishte një aristokrat që i pëlqenin shumë udhëtimet. Dikur kishte qenë kapiten anijesh dhe kishte rrahur detrat e botës. Idhull i tij ishte Kristofor Kolombi, një afresk i të cilit mbahej në Pallatin Durazzo, ashtu si dhe një vepër skulpturale në një nga pallatet e


Gio Agostino, kredencialet tek Sulltani


tjera të Durazzo-ve. Nga kapiten ai kishte drejtuar më vonë flotën gjenoveze dhe ja ku papritmas joshet nga diplomacia. Kur niset ambasador në Stamboll ai do t’i hipë anijes Santa Maria, të quajtur kështu në kujtim të Kristofor Kolombit, anije me të cilën ai ishte nisur në kërkim të së panjohurës. Portretin e këtij ambasadori na e ka dhënë plot ngjyra piktori Franz Luncx, ku Agostino Durazzo ka veshur një kostum oriental në ngjyra të kuqe dhe me një brez në mes. Të ngjan me një aventurier, edhe pse është ambasador. Në fakt, kjo pikturë është bërë më vonë, kur ai ishte në oborrin e Absburgëve, në Vjenë, përsëri si ambasador. Diplomat me shumë kulturë, inteligjent e negociator i përsosur, njohës i historisë dhe i gjeografisë së botës dhe me eksperiencë të jashtëzakonëshme, ai shpejt do të bëhej një nga njerëzit më me influencë të Republikës ligure si dhe në skenën internacionale, për çka dëshmojnë mjaft relacione të shumta në kancelaritë diplomatike të asaj kohe.

qw1_zps9fdc5izh.jpg

Në mesin e shekullit XVII, Republika e Gjenovës po përpiqej të bënte për vete kardinalin Mazarin që Franca të mund të hapte rrugën dhe të ishte dakord që Gjenova të bënte tregti me Orientin. Deri në këtë kohë, Franca e kishte penguar Republikën përmes influencës që kishte në Stamboll si dhe monopolit që vetëm nën flamurin e Francës, mundej që një anije tregtare e një vendi europian të bënte tregëti në Orientin e perandorisë osmane. Sigurisht, për Gjenovën, tregëtia në Lindje ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme. Mazarini, me origjinë italiane nga Pescina, më parë i kishte shërbyer princit Colanna dhe Papës. Pastaj u bë kardinal (1640), e më pas ministër e kryeministër i Francës. Në kohën e regjencës së mbretëreshës Anne e Austrisë, (nëna e Luigjit të ardhshëm Louis XIV), ai kishte simpati të veçantë për Republikën e veriut, pra gjenovezët, dhe ishte i gatshëm që të ndërhynte pranë Portës së Lartë. Por mjerisht, më 9 mars të vitit 1661, Mazarini vdiq dhe Republikës së Gjenovës i duhej të dërgonte me shpejtësi njerëzit e vet pranë Portës së Lartë me kërkesën për lejimin e anijeve tregtare në portet e Orientit. Pikërisht atëherë, në oborrin e sulltanit Muhamet i IV, u dërgua në Stamboll Gio Agostino Durazzo. Shpejt ai do të bëhej një nga miqtë intimë të Vezirit të Madh Qiprilli dhe vetë sulltanit. Madje ai arriti ta bindë sulltanin që të hapte një kishë kristiane të Urdhërit Françeskan në lagjen Gallata të Stambollit, ku dikur, që në kohën e Justinianit kishte patur një koloni gjenoveze, me argumentin se “kapela françeskane“ atje ishte mjaft e vogël për gjenovezët. Një kërkesë e tillë i kishte zemëruar dhe tërbuar vezirët e tjerë, por sulltani më së fundi kishte vendosur ta plotësonte dëshirën e tij. Në fakt, perandorinë Osmane në atë kohë e drejtonte me një dorë të hekurt nëna e tij, e quajtur Turhan. Historiani francez Pierre Goubert, profesor i “Merituar“, në librin e tij Mazarini, duke përshkruar forcimin e flotës turke në Mesdhe dhe në Detin e Zi, pohon se “sulltani Mehmet IV ishte i paaftë dhe se e ëma e sulltanit, Turhan, një shqiptare, që nga viti 1656 i caktonte vetë vezirët e mëdhenj. Edhe vezirët Qiprillinj, at e bir, të cilët ishin po shqiptarë, ishte ajo që i vendosi në krye të qeverisë osmane“. Disa autorë italianë, na e përshkruajnë me detaje udhëtimin e tij drejt Stambollit dhe përpjekjet e bëra pranë sulltanit, i cili nuk e pëlqeu frymën prepotente të Francës për të diktuar mbi shtetet e tjera europiane dhe vendosi kështu t’i hapte rrugë tregtisë së Republikës gjenoveze drejt Orientit.

qw3_zpsphne6app.jpg

Durrazzo Historiani italian Francesco Maria Accinelli, në librin e tij “Compendio delle storie di guerra“, e përshkruan me detaje udhëtimin e Gio Durazzos kur shkon në Kostandinopojë në vitin 1665: “Republika dërgoi Gio Agostino Durazzo-n si ambasador tek sulltani Muhamet IV për të hapur rrugën e tregtisë në Levante. Ai u nis me dy anije të mëdha me nga 64 topa në secilën anije dhe me shumë dhurata për sulltanin. Bashkë me të ishin 80 gjenovezë. Me të hyrë në Dardanele ai u përshëndet me topa dhe pastaj u prit nga ministrat e Divanit dhe me plot privilegje nga anglezët, hollandezët e venecianët. Por ai iu kundërvu ambasadorit francez La Haye, i cili pretendonte se depërtimi gjenovez në Orient do ta dëmtonte tregtinë e Francës. Ai u prit nga Ahmet Qiprilliu, Veziri i Madh, i cili i dha të kuptojë ambasadorit francez se Sulltani, Zot i Shteteve të tij mund t’ua mbyllte dhe hapte tregun atyre që bënin pakte me të ose jo dhe se për këtë nuk i jepte llogari askujt. Dhe Veziri i Madh përmes Gio Agostinos, i dërgonte një letër dozhit të Republikës ku shkruante: “Të lavdishmit të principeve kristiane dhe të nderuarit mes vendeve të Mesisë, rregullues i afereve publike të kombeve, Zot i Madhërishëm, i Shkëlqyeri, i Mrekullueshmi, mbartës i Dinjitetit, nderit e Lavdisë, dozhit të Republikës… ne do të mbështesim gjenovezët…“ Për këtë udhëtim shkruan dhe kalorësi dhe udhëtari Jean Chardin në kujtimet e tij, duke theksuar se “Durazzo nuk u habit nga pengesat që po i krijonin francezët, pasi gjatë udhëtimit, ai u njoftua nga rezidenti i Gjenovës në oborrin e Francës, i cili i shkruante se kur kishte qenë tek mbreti francez, ky i kishte thënë “I uroj udhë të mbarë ambasadorit të Republikës, por unë nuk e di se çdo të bëjë ambasadori ynë në Kostandinopojë!“…

Gio Agostino Durazzo, njeri i aventurës, i detrave, i luftës dhe i diplomacisë, do të ishte objekt i dy tablove të realizuar në kohë të përafërt: e para e Giovanni Lorenzo Bertolotto, në vaj, me dimensione 145×198 dhe që do të mbetet pjesë e koleksionit privat të Durazzo-ve gjer në ditët tona. Eshtë një tablo me pesë personazhe që paraqet çastin kur Gio Agostino po hyn në sallonin e sulltanit Mehmet IV për t‘i dhënë letra-kredencialet. Në krahë e shoqërojnë dy funksionarë të pallatit dhe pranë sulltanit duket veziri i madh. Gio është veshur me kostumin gjenovez, me rrobën e kuqe në kadife dhe kapuçin e kuq. Ai është me flokë të gjata dhe të zeza. Piktori tjetër, Domenico Piola, ka paraqitur në një tablo shumë të madhe në formatin 315×420 koktejin e organizuar nga sulltani për nder të ambasadorit gjenovez. Eshtë një tablo e vitit 1666, me bojë kine dhe akuarel. Në këtë pritje, siç mësojmë nga historianët, atë e shoqëroi dhe vëllai i tij, Ignazio, ndërkohë që në Gjenova ishte dozh Cesare Durazzo. Kur “Palazzo Reale-Durazzo“ i u shit mbretit të Sardenjës, të dyja këto tablo shkuan në “Palazzo Durazzo“, në sheshin Meridiana të qytetit. Por tabloja më e bukur mbi të dhe që do të mbetet më përfaqësuesja e këtij personazhi jo të zakontë është ajo e Franz Luycx von Leuxenstem, e quajtur ndryshe Durazzo alla turchessa (Durazzo i veshur me rroba turke). Pikërisht kjo tablo ishte dhe afishja dhe kopertina e katalogut voluminoz të ekspozitës Nga Tintoreto tek Rubens.

Gio Luca

Një ambasador tjetër i talentuar i kësaj familje ishte gjithashtu Giovanni (Gio) Luca Durazzo 1628-1679), dhe është e habitshme se të dy Durazzo-t kanë qenë ambasadorë dhe kanë bërë një veprimtari të madhe diplomatike për të njëjtën gjë në të njëjtën periudhë: njëri në Stamboll dhe tjetri në Paris. Dhe kjo ishte jetike për Republikën gjenoveze. Ai do të dërgohej dy herë në Paris: së pari në vitet 1659-1662, në oborrin e Luigjit XIV, që cilësohej atëherë “Mbreti Diell“, si dhe në vitet 1673-1675. Gio Luca Durazzo ishte nga të preferuarit ambasadorë të “Mbretit Diell Louis XIV“, që siç do të shkruhej nga kronistët e kohës, ai e vlerësonte atë për “Me sjellje të veçanta dhe një letrar i shquar që ka një ëmbëlsi të jashtëzakonëshme…“ Tiparet e këtij ambasadori të shquar i ka dhënë me shumë besnikëri piktori flamand Jacob Ferdinand Voet apo busti që i ka bërë Filippo Parodi një nga skulptorët e famshëm të Italisë, ku shumë vepra të tij ndodheshin në koleksionet e shumta të Durazzo-ve.

Siç na informon Angela Durazzo në librin e saj I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova, si dhe Maristella Cavanna Ciapinna nê Dizionario Bibliografico degli Italiani (Vol.42), ai lindi në vitin 1628 dhe ishte djali i Girolamo Durazzo-s (1597-1664). Studimet e larta i kreu për filozofi në shkollën e jezuitëve të Gjenovës. Nga viti 1659 deri në vitin 1662, ai u dërgua ambasador i Republikës në Paris. Madje në librin Viaggio del Cardinale Mazzarini, rreth udhëtimit të Mazarinit në Saint Jean de Luz më 1659, shkruhet: “Me ne u bashkua dhe markezi Giovani Luca Durazzo, i dërguar i Republikës së Gjenovës, i cili gëzon një vlerësim të jashtëzakonshëm nga oborri i mbretit për cilësitë e tij të shumta“. Dhe kuptohet, të jesh në shoqërinë e afërt të Mazarinit, nuk ishte privilegj për këdo. Pas një qëndrimi tre vjeçar në Paris, Republika e nisi me një mision në Londër, ku do të dërgohej si përfaqësuesi i Republikës për të uruar mbretin e ri Karli II Stuart, i cili do të kurorëzohej. Gjatë katër muajve që qëndroi në Londër, ai shkroi raporte të mrekullueshme për gjendjen në Angli dhe situatën politike, ekonomike, mbi fenë dhe ushtrinë, etj, të cilat edhe sot të habisin për mjeshtrinë e fjalës dhe të mendimit. Po më 1661, ai bëri një udhëtim aventuresk drejt Hungarisë dhe tentoi të shkonte për në Turqi, por ofensiva osmane e viteve 1663-1664 e sulltanit Mehmet IV, kundër Evropës Qëndrore, do ta pengonte të shkonte në Kostantinopojë. Më 1633, u martua me Francesca Pallavicini, nga familja tjetër e madhe dhe fisnike gjenoveze me të cilën ishte lidhur ngushtë familja Durazzo përmes martesash të njëpasnjëshme duke mbështetur njëra-tjetrën. Më 1664, Gio Luca arriti më së fundi të shkojë në Vjenë dhe një vit më vonë zbarkoi në Adrianopoli. Në gusht të atij viti atë e priti Veziri i Madh. Ai kërkoi ta bindë vezirin për përparësitë e mëdha që do të kishte për perandorinë një tregëti me Gjenovën, edhe pse Franca, Anglia dhe Hollanda nuk donin që të futeshin të tjera fuqi në zonën e tyre të preferuar të tregtisë me Orientin. Nga viti 1665 deri në vitin 1670, ai u dërgua përsëri ambasador në Milano dhe në Romë. Në vitin 1672, e gjejmë në Gjenova me detyrën e Komisarit të Përgjithshëm të Ushtrisë, një detyrë që për nga rëndësia vinte pas atij të dozhit të Republikës. Në luftën kundër mbretërisë së Savojës të Carlo Emanuele, ai do të dallohet si një strateg i vërtetë ushtarak, edhe pse pasioni i tij ishte diplomacia. Pas dy vjetëve ai do të dërgohet përsëri si ambasador në Paris, meqë oborri mbretëror e kishte vlerësuar gjithnjë këtë diplomat të shquar dhe të këndshëm. Pasi kishte ndërtuar në vitin 1668 një pallat madhështor në Santa Margherita Ligure buzë detit apo “Villa Durazzo“, të cilën e ngriti bashkë me të vëllain, Eugenio, (i cili ishte akoma më i pasur se ai), më së fundi ata blenë nga familja Balbi dhe “Palazzo Reale“, pallat që këtej e tutje do të quhej “Palazzo Durazzo“.

Nga kjo kohë na ka mbetur një tablo e piktorit hollandez Jacob Ferdinand Voet, (1639-1700), i cili ka pikturuar portretin e Gio Luca Durazzo në një format të vogël dhe në një kohë kur ky pinjoll ishte në moshën 30-40 vjeçare. Ai është me paruke “alla franceze” dhe një veshje e modës franceze të Luigjit XIV, me tipare të mprehta dhe mjaft simpatik, me mustaqe të holla dhe buzë të kuqe, të pulpta. Një portret i vendosur në një sfond të errët ku drita i jep hirësi asaj fytyre. Nga qafa në gjoks, një shall i bardhë dantelle i zbret poshtë mbi gjoks. Piktori hollandez ishte në atë kohë në Romë dhe vepra duket se është pikturuar atje, pasi dhe Gio Luca, biri i Gerolamo-s, në vitin 1667, ishte ambasador i Republikës së Gjenovës pranë Vatikanit. Voet bënte atëherë një karrierë të dukshme me portretet e fisnikëve të mëdhenj.

Edhe piktori i famshëm italian Domenico Parodi na ka lënë një portret interesant të një prej pinjollëve Durazzo, për të cilën historianët mendojnë se është portreti i Gio Luca II Durazzo.

Një tjetër Durazzo, Nicolo, do të ishte i Dërguari i Jashtëzakonshëm i Republikës së Gjenovës në Angli. Analet diplomatike e mbajnë atë si një diplomat mjaft të suksesshëm dhe të vlerësuar nga mbreti Karl. Si ambasador nga familja Durazzo mbahet dhe Cesare Durazzo, i cili ishte i akredituar në Republikën e Milanos dhe më pas si ambasador i jashtëzakonshëm në Spanjë, me të cilën Gjenova kishte mjaft marrëdhënie dhe interesa tregtare. Të tjerë ambasadorë i shërbyen Papës, të cilët u dërguan nga Vatikani si “nunc“ apo “inviato straordinario“ nê vende tê ndryshme të Republikave italiane si dhe nê Europë.

Giacomo Durazzo
qw4_zpsbvko1dna.jpg


Durrazzo Giacomo Durazzo lindi në 27 prill 1717, në Gjenova, dhe ishte biri i Gio Luca II Durazzo. Ai ishte gjithashtu dhe vëllai i vogël i atij që do të ishte një nga dozhët më të famshëm: Marcello Durazzo apo Marcellino, siç e thërrisnin ndryshe dhe kur në epokën e tij Gjenova cilësohej në disa shkresat zyrtare europiane “Republika Durazzina“. Në rininë e tij ai studioi në Romë e pastaj në Paris ku do të njihej dhe me kancelarin e ardhshëm Wenzel Anton von Kaunitz. Që të dy njiheshin si filo-francezë. Giacomo do të zbarkonte në Vienë në vitin 1749 si i “Dërguar i jashtëzakonshëm“ (“Inviato straordinario“) i Republikës së Gjenovës. Ai sapo kishte kryer misionin e parë diplomatik si përfaqësues i Republikës së Gjenovës në oborrin mbretëror të Torinos. Hyrja e tij në aristokracinë e lartë vieneze u bë e lehtë në sajë të mikut të tij, kancelarit von Kaunitz. Në fakt, kur do të vinte në Venë si ambasador i Republikës së Gjenovës, detyra e tij nuk ishte e lehtë, pasi pak vite kishte që lufta midis gjenovezëve dhe austriakëve kishte marrë fund. Dhe ne këtë luftë, Durazzo-t ishin nga personalitetet drejtuese.

Në ekspozitën e hapur në Gjenova, në vitin 2004, “Nga Tintoretto te Rubens“, pata rastin të shikoja një tablo të famshme të koleksionit të dozhëve Durazzo, të sjellë aty nga “Metropolitan Museum of Art“. Në një mjedis pylli, ulur në poltrone, duken ambasadori Giacomo Durazzo dhe gruaja e tij, Ernestina Alosya Ungnad von Weissenwolf. Eshtë një tablo e madhe në dimensionet 228,9×190,5 cm, me ngjyra të gëzuara, ku pozojnë dy figurat aristokratike : Giacomo, pinjoll i një familje dozhësh, që mban mbi gjunjë një qen të vogël dhe Ernestina, me një fytyrë ovale, ngjyrë rozë dhe një lëkurë të lëmuar. Në atë kohë, Ernestina mbahej “gruaja më e bukur e Vjenës“ (“la donna la piu bella di Vienna“). Hijeshia e saj e kishte tërhequr dhe piktorin e njohur të asaj kohe, italianin Giovanni David ta pikturonte në një nga tablotë e mrekullueshme të tij. Martesa e tyre ishte bërë në fakt nga vetë kancelari von Kaunitz-Rittberg, i cili ishte mik i vjetër i Giacomo-s dhe mbrojtës i Durazzo-ve në Vienë. Tabloja ishte filluar së pikturuari në Vienë nga piktori Jacob Schmuntzer dhe do të mbaronte në Venezia nga piktori tjetër Joseph Wagner, kur Durazzo do të shkonte atje ambasador i Republikës së Gjenovës dhe do të vendosej në pallatin Palazzo Loredan, mbi “Canal Grande“. Pas perëndimit të lavdisë së kësaj familjeje, kjo tablo, si dhe koleksioni i famshëm i Durazzo-ve do të shpërndahej ndër anëtarët e ndryshëm të familjes dhe do të shitej. Vetëm në vitin 1950, amerikani dhe koleksionisti Nate B. Spingold do t’ia dorëzonte këtë tablo Metropolitan Museum of Art të New York. Por disa vite më vonë, Giacomo iu kthye pasionit të tij të vjetër, teatrit me të cilin ishte marrë në “Teatro Falcone“ pronë e familjes Durazzo apo me muzikën operistike që e vlerësonte në mënyrë të veçantë.

Në vitin 1752 ai e la karrierën diplomatike për t’iu kushtuar artit të skenës. Perandoresha Maria-Teresa, gruaja e perandorit, Joseph II, e angazhoi atë si zëvendës-drejtor i Teatrit Perandorak të Vienës dhe një vit më vonë si drejtor i saj, “Generalspaktakeldirehtor“, ku do të qëndronte për dhjetë vjet rresht. Të drejtoje jetën teatrale muzikore të Vienës në atë kohë ishte një detyrë e jashtëzakonëshme. Si një erudit dhe njeri me talent, shumë shpejt ai e bëri për vete jo vetëm oborrin perandorak por edhe rrethin e artistëve të kohës. Pasioni i tij ishin libretet, gjini që do ta lëvrojë duke u angazhuar konkretisht me kompozitorë të mëdhenj si Gluck (Glyk), etj. Duket se arti do ta tërhiqte shumë më tepër se diplomacia. Vjena në atë kohë ishte një nga qendrat më artistike të Europës, dhe kjo ndoshta në sajë dhe të perandorit e perandoreshës, që të dy melomanë dhe njerëz që i u përkushtuan artit. Pas dhjetë vjetëve që drejtoi jetën muzikore e teatrale të Vjenës, një nga metropolet më të fuqishme kulturore të asaj kohe në Europë, Perandoria e Absburgëve e caktoi atë ambasador në Venecie. Keshtu, Giacomo Durazzo do t’i rikthehej përsëri jetës diplomatike dhe për vite me rradhë ai do të ishte në qëndër të diplomacisë por dhe të jetës kulturore e artistike. Ai u vendos në Pallatin e Leonardo Loredan në “Canal Grande” i cili më vonë do të quhej “Villa del’ambasciatore”. Pikërisht në vilën e Durazzo-s do të jepte koncert dhe kompozitori i ri që po shquhej në atë kohë, gjeniu Amadeus Mozart…



Girolamo Durazzo

qw5_zpsoqqde4yx.jpg

Girolamo DurazzoGirolamo Durazzo, i cili ishte nipi i Giacomo Durazzo-s do të ishte një nga të fundit ambasador (më pas ai do të bëhet dozh) i familjes Durazzo. Kur ishte ambasador në Vjenë, ku me parë kishte qenë me nje detyrë të tillë xhaxhai i tij, ai ishte një nga miqtë më intimë dhe të afërt të perandorit Joseph II. Madje kur do të ishte dozh, vite më vonë, perandori Joseph II i erdhi si mik në familjen e tij. Ishte pikërisht ai që do të priste me pompozitet vetë Napoleon Bonapartin me të shoqen. Më 1805, ai do të nderohej nga Napoleoni me titujt “Senator i Parisit“ dhe “Kont i Perandorisë“, duke u dekoruar gjithashtu dhe me dekoratën e lartë “Grand officier de la Legion d’Honneur“. Kur Gerolamo vdiq, zemra e tij, përmes një dekreti të posaçëm të Napoleonit, u vendos në një urnë në Panteonin francez. Ishte një mirënjohje që Perandori i bënte Gerolamo Durazzo-s. Padyshim që analet diplomatike në kryeqytetet e Evropës na rezervojnë shumë të panjohura, të cilat do ta plotësojnë historinë legjendare të kësaj familjeje, pinjollët e së cilës ishin qytetarë të mëdhenj të Evropës, të cilët ngado ku shkuan, ngjallën veç simpati për vlerat e tyre humaniste, për kulturën dhe dashurinë e tyre për artin.
/Nga Luan RAMA
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top