Emigrantet dhe shperfillja e madhe

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Për shumë njerëz emigrantët janë shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë, sidomos në festat e fundvitit apo pushimet verore, kur ata vërshojnë. Por janë të paktë ata që sjellin në mendje se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të cfilitura shqiptare, më shumë se të tillë, mund të etiketohen si “diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional”. janë të paktë ata njerëz që mendojnë se, duke qënë të tillë, emigrantët janë ndëshkuar të mbajnë mbi supe shkallëzimet e shkulmeve raciste të krijuara në periudhën e tranzicionit, po të llogaritet që, filtrimi vite më parë i një numri të madh kriminelësh shqiptarë në perëndim kanë patur rolin e tyre në prodhimin e një opinioni negativ ndaj nesh, gjithë këta vjet.

Dihet që shumë shpejt ky opinion u shnderrua në një racizëm vulgar ndaj shqiptarëve. Si një mbidozë, vala e ketij racizmi i ka persekutuar sistematikisht gjithë këta vjet emigrantet tanë…Të gjithë e dimë dhe nuk është e rastit që në Itali, Greqi, dhe ne vende te tjera, disa qarqe shpesh shohin te shqiptarët, fantazma keqbërëse, hajdutë e kriminelë, falë ndodhive të pakëndshme që kanë ndodhur sidomos në vigjilje të “hapjes”sonë…
Megjithatë, duhet thënë se në fakt racizmi ndaj shqiptarëve është tulatur disi kohët e fundit, dhe kjo falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë ne vendet ku jetojnë. Kjo ka qënë një aventurë e vetmuar përpjekjesh për të vërtetuar ekzistencën e emancipimit kombëtar të trashëguar epokë pas epoke. Por natyrisht, ka qënë një aventurë e vështirë në kushtet kur antishqiptarizmi ka qënë dhe është një realitet që ndikon papushim në jetën e tyre.

Deri këtu nuk ka asgjë të re; e reja është se në fakt, mbas 18-vjet pluralizëm, nuk ka ende asnjë të re, asnjë lëvizje politike të mirëfilltë në Tiranë për një mbështetje politike e morale ndaj tyre… cka do të thotë se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këta “jetimë shtetërorë” të haruar nga pushteti, megjithë problemet e mëdha që kanë.

Nëse vështrimet bien mbi ta, ashtu si ndodh me komunitetet e tjerë, kjo ndodh vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht në fushata parazgjedhore.

Cështja e emigrantëve tanë është para së gjithash cështje dinjiteti kombëtar, meqënëse në përplasjet e huaja, poshtërimet që jo rrallë ju bëhen atyre, kanë të bëjnë pikërisht me këtë; krenarë apo të përbuzur, ata përfaqësojnë origjinën, dhe dinjiteti i publikuar prej tyre është shfaqja jonë e përballur… Ngjan meskine dhe anësore, por unë besoj që një kujtim tmerri për të gjithë emigrantët tanë që jetojnë në Greqi, është ende sot kalimi i vështirë nëpër dogana, pritjet e tmershme shpesh të stimuluara e shumëorëshe nëpër rradha cfilitese, në dimër dhe verë; prej shumë vitesh kjo gjë është një poshtërim, një mallkim, një bastardim i dinjitetit të tyre.

Nuk ka dyshim që cdo emigrant do të reflektonte interes të madh nëse merret seriozisht dhe diskutohet të paktën kjo cështje, në zyrat e politikës shqiptare. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje që nuk mund të shpjegohet. Emigrantët janë lënë në hallet e tyre, si një komunitet rrugëhumbur.

Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti eshte fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do të sjellë shpresën e ndryshimit në vendin e tyre, për sa kohe në pushtet do të jenë politikanë si Nano e Berisha..
Historia e emigrimit modern të shqiptarëve është vazhdimi i një drame të zezë. Duke i shtuar racizmit me cinik që ka ekzistuar ndonjëherë për një komb edhe vështirësitë e mëdha paraprirëse të një luftë të ashpër për ekzistencë, kjo është një histori midis fatalitetit dhe heroizmit, për të cilën duhet thënë e duhet bërë patjetër dicka.

është rritur më shumë se kurrë nevoja e marrjes seriozisht të imazhit të dëmtuar të shqiptarëve nëpër botë. Kjo është një këmbanë që duhet të gjëmojë një orë e më parë. Sepse ky imazh është kthyer në një katandisje që ju ka nxirre fytyrën përjetësisht jo vetëm atyre por dhe fëmijëve të tyre.Nuk duhet harruar se, edhe pse vazhdojnë të jenë të persekutuar në vendet ku jetojnë dhe civilizohen, emigrantët tanë janë një pasuri gjigante kombëtare. (që fatkeqësisht nuk mund të llogaritet nga pushtetarët tanë). Ingranimi në shoqeritë evropiane i ka ngritur ata në një kulturë dhe në një civilizim ku e ku më të lartë nga ajo e mardhënieve njerëzore në Shqipëri. Për të gjithë është e qartë se në dhe të huaj, edhe pse jetimë, të parëndësishëm, të heshtur, shqiptarët janë një fuqi e madhe e konsoliduar falë punës titanike që kanë bërë në civilizimet përkatëse.

Ata janë realisht të evropianizuar e te qytetëruar në nivelin që kërkohet dhe janë komunitete pjesë përbërëse të Evropes ku duam të shkojmë. Komunitetet e emigrantëve kanë rritur mjaft kualitetin e demokratizimit dhe civilizimit të tyre, duke qënë në këtë mënyrë qeliza evropiane, paraprirës të ëndrrës.

Pikërisht këtu qendron absurditeti i shperfilljes. Ndersa duhet te ftohen të marrin pjesë në progresin shqiptar, të vleresohen dhe të kontribojnë në përmirësimin e sjelljes qytetare në Shqipëri, ata janë të shpërfillur…. . Emigrantët janë krahasues objektivë dhe janë në gjendje të gjykojnë realisht c’ka duhet ndryshuar, në vendin e tyre ku shumë gjëra nuk shkojnë mirë. Mungesa e politikave për trajtim të tyre tyre i ka privuar Shqipërisë një investim të rëndësishëm. Normalisht, zhvillimi ekonomik duhej të provokonte kthime masive të emigrantëve dhe investime të kapitaleve të tyre këtu. por kjo nuk ka ndodhur.

Nuk ka kthime vullnetare emigrantësh, sepse shteti shqiptar nuk mund tju afrojë atyre besim, bashkëpunim dhe interes, me klimën koruptive dhe politikën klienteliste;për ata, Shqipëria është ende një vend ku shpresat e pakta lindin në mjegull dhe shuhen në mjegull.

Nga Artan Mullaj

Shekulli blog !
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top