Ekspertët: Sanksionet ndaj Berishës mund ta ndihmojnë Partinë Demokratike

Vendimi i SHBA-së për ta shpallur “non-grata” ish-kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, mund ta ndihmojë partinë të çlirohet nga ndikimi i tij dhe të krijojë një imazh më të mirë, thonë ekspertët në Tiranë.​




Sali-Berisha-600x360.jpg



Pas lajmit se SHBA-ja e ka shpallur “non-grata” ish-kreun e Partisë Demokratike dhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, ekspertët thanë për BIRN se partia e tij opozitare e qendrës së djathtë mund të përfitojë nga ky vendim në planin afatgjatë.
Ata thonë se kjo i ofron partisë një shans për t’u çliruar nga ndikimi dhe trashëgimia e Berishës. Partia është aktualisht në një dilemë pasi humbi zgjedhjet e fundit të përgjithshme përballë socialistëve më 25 prill për herë të tretë.

“PD-ja tani do të ketë mundësinë ta ripërcaktojë veten dhe të kërkojë një raison d’etre të ri, larg konotacioneve të ndikimit dhe trashëgimisë së Berishës”, tha për BIRN Edlira Gjoni, një eksperte komunikimi në Tiranë.
“Vendimi i SHBA-së sigurisht që do të ndikojë te mbështetësit e PD-së në Shqipëri, por në planin afatgjatë ai do të krijojë një imazh të ri të partisë nga një perspektivë ndërkombëtare. PD-ja do të jetë në gjendje ta rikrijojë veten si një parti më moderne, më e besueshme dhe më e mirë”, vazhdoi ajo.
Afrim Krasniqi, i cili drejton Institutin për Studime Politike, tha se ndikimi i vendimit të Departamentit të Shtetit do të jetë i shumëfishtë, por nëse PD-ja distancohet nga ish-kryetari i saj, ajo do të dalë shumë më e fortë.

“Nëse PD-ja i përmbahet parimeve etike që ka deklaruar në dokumentet e saj statutore, duke u distancuar nga… Berisha, atëherë ajo mund të ketë disa muaj debate të brendshme, por brenda disa vitesh ajo do të bëhet më e fortë, më e besueshme dhe më demokratike”, tha ai.
Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha në një deklaratë të mërkurën se SHBA-ja po ndalonte hyrjen e Berishës dhe disa anëtarëve të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara “për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor”.
Berisha reagoi në një deklaratë të gjatë, duke thënë se, “gjatë 30 viteve në politikë, nuk ka pasur kurrë asnjë akuzë kundër meje, nga ndonjë person, institucion vendas ose i huaj, për abuzim të fondeve publike dhe çdo lloj tjetër korrupsioni”. Ai tha se vendimi “nuk kishte një bazë konkrete” dhe kërkoi që “të publikoheshin fakte dhe dokumente”.

Ai gjithashtu njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp të enjten në mbrëmje.
Kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, gjithashtu reagoi ndaj vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke kërkuar “transparencë të plotë të fakteve dhe dokumenteve në lidhje me këtë” dhe duke mbrojtur arritjet e Berishës.
“Vendimi i sotëm i Sekretarit Amerikan të Shtetit nuk ndikon në arritjet e mëdha të Shqipërisë nën udhëheqjen e Sali Berishës, kontributin e tij të madh në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e sollën vendin më pranë partnerëve tanë Euro-Atlantikë, aq më pak në marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Basha.

Berisha drejtoi Partinë Demokratike për më shumë se 16 vjet dhe u largua vetëm pasi partia humbi zgjedhjet në 2013. Ai ishte president dhe kryeministër i Shqipërisë për dy mandate dhe konsiderohet ende me shumë ndikim në parti. Ai gjithashtu fitoi një vend në parlament në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 25 prill.

/Reporter
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top