E vërteta e pengmarrjes së Miguel Servantesit nga një pirat shqiptar.

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Afërsisht njëzet vjet të shkuara, Ismail Kadare ka shkruar se e kishte pasur për një kohë të gjatë si objektiv shkrimin e një libri, që të kishte si personazh qendror Miguel Servantesin, autorin e "Don Kishotit".



Ferdinand Dervishi
Sipas Kadaresë, ai kishte marrë shtysë për një ndërmarrje të tillë menjëherë sapo kishte mësuar se spanjolli i famshëm, në rininë e tij, ishte marrë peng nga një pirat i famshëm shqiptar i Mesdheut. Më tej, duke argumentuar se në shumë raste subjektet nuk realizohen, Kadare shton se një ide të njëjtë e kishte pasur edhe shkrimtari tjetër i shquar shqiptar, Dritëro Agolli, i cili gjithashtu nuk e kishte materializuar.
Dhjetë vjet më pas, përgjatë një fjalimi të improvizuar në gjuhën frënge në një konferencë në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës, Kadare, duke përcjellë pandehmat e një folkloristi shqiptar, thotë se Servantesi ka të ngjarë të jetë mbajtur peng jo në Algjeri, por në një zonë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi (nënkuptohet Ulqini) dhe se historitë e një robi spanjoll shumë të ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash, që ta lironin nga burgu, rrëfehen edhe sot e kësaj dite.
Në këtë pikë, kurioziteti i çdo lexuesi të rregullt të shkrimtarit të shquar, shkon në limit. Pyetjet që lindin janë të shumta, imagjinata futet në punë. Më tej, gjetja në histori e paraardhësve-shembuj të forcës dhe dhunës ekstreme i përcillet rrotull krenarisë, porse shpejt ndjenja kthehet në brejtje të ndërgjegjes, kur përballë vihen një pirat kokëtrashë shqiptar dhe një rob spanjoll i zgjuar, që më pas do njihej në gjithë botën. Por ç'thotë për këtë ngjarje historia, që në vitet 1500 pas Krishtit shkruhej pothuaj e plotë për të mbërritur në kohën tonë me shumë pak humbje? Ishte vërtet shqiptar njeriu që mbajti peng autorin e ardhshëm të Don Kishotit, apo jo? Një ngjarje të tillë, pikërisht pengmarrjen për pesë vite me radhë të Miguel Servantesit e ka trajtuar në vitin 2003 një historiane e njohur hispanike, Maria Antonia Garces në librin e saj "Cervantes in Algiers, a captive's tale" (Servantesi në Algjer, një përrallë robërie). Dhe autorja që ka shfletuar pothuaj të gjithë trashëgiminë për të ndërtuar këtë libër historik, thotë se vërtet Servantesi u kap nga një pirat shqiptar, por peng për pesë vjet ai u mbajt fillimisht nga një renegat grek dhe më tej edhe nga vetë pashai i Algjerit. Ja historia.
Servantesi peng
Në vitet 1500 në Mesdhe përballeshin me gjithë forcën ushtarakisht dy qytetërime, ai evropian me atë otoman. Luftime të ashpra zhvilloheshin në tokë por edhe në det, ku Mbretëria e Spanjës që zotëronte një nga flotat më të fuqishme, kishte rol parësor. Ofensiva otomane kishte bërë përparime në Afrikën e Veriut, duke vënë nën zotërim edhe Algjerin (Vilajeti Otoman i Algjerit ekzistoi nga viti 1517 deri më 1830) ndërkohë që beteja të fuqishme detare kryheshin ende për zotërimin e disa ishujve të Mesdheut, kryesisht grekë. Miguel de Cervantes Saavedra (29 shtator 1547-23 prill 1616) fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantesi i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën e Lepantos (sot Gjiri i Korintit në Greqi). Pas pesë vitesh shërbim ai vendos të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, sapo ishte graduar "soldato aventajado" (trupë elitë) dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës të shkruara nga Duka i Sessa-s (nënmbret i Sicilisë) dhe Don Juan de Austria, një komandant kryesor i flotës spanjolle në luftë. Të dyja letrat që Servantesi i ruante me kujdes, kishin formën e rekomandimit me qëllim që mbreti të vlerësonte atë që ai kishte bërë në luftë. Pikërisht këto rekomandime, jo vetëm që nuk do i vlenin aspak Servantesit, por do e fusnin në ngatërresa e vështirësi, të cilat do i ndryshonin krejt rrjedhën e jetës, duke e bërë të niste të shihte botën me një sy krejt tjetër.
Gjatë javës së parë të shtatorit 1575 ushtari Servantes imbarkohet në Napoli të Italisë në anijen (galetë) "Sol" bashkë me të vëllanë Rodrigo, edhe ky ushtar. "Sol" ishte një nga pesë anijet e flotës Spanjolle që duhet të mbërrinin në Barcelonë nën komandën e Don Sancho Leivës. Tri ditë më pas, një stuhi godet anijet dhe vetëm tri prej tyre mbërrijnë në destinacion. "Sol" nuk ia del dot. Kështu më 26 shtator pranë "Les Trois Marks" në bregdetin e Marsejës, anija u sulmua nga piratët. Kapedani i galetës pirate ishte pirati shqiptar Arnaut Mami. Mëkëmbësin e tij me origjinë greke e quanin Dali Mami, të cilin të gjithë kundërshtarët e epitetonin renegat apo tradhtar, për shkak se bashkatdhetarët e tij, përkundër radhitjes së Dali Mamit në krah të otomanëve, shquheshin në rezistencën e armatosur kundër tyre. Gjithsesi, para se të binin në duar të piratëve, ushtarët spanjollë luftuan me trimëri dhe shumë prej tyre, përfshirë kapitenin, u vranë. Ata që mbijetuan u morën peng të lidhur këmbë e duar dhe u transportuan në brigjet algjeriane. Në momentin e fundit në horizont u duken tri anijet e tjera të Levivës, por piratët ia mbathën ndërkohë bashkë me prenë e tyre. Letrat që Servantesi kishte me vete i bënë piratët të besonin se ai ishte një njeri i rangut të lartë. Në të kundërt Rodrigo, që u konsiderua si ushtar i thjeshtë, iu dha si shërbëtor zotëruesit të Algjerit, Ramadan Pashës. Vetë Servantesi ra në duart e grekut Dali Mami, që e thërrisnin El Cojo (Sakati). Pra që nga ky moment në jetën e Servantesit nuk ka më një pirat shqiptar. Arnaut Mami, një emër goxha i frikshëm në atë kohë, shfaqet edhe për një kohë të gjatë në Detin Mesdhe, por në asnjë rast tjetër i lidhur me historinë e autorit të ardhshëm të "Don Kishotit".
Në duar të piratit grek
Për lëshimin e Servantesit shuma që duhet të paguhej fiksohet njëherë e përgjithmonë në shifrën 500 escudo të arta. Dhe ishte vërtet një shumë marramendëse për kohën. Mbajtja peng për pesë vite me radhë thuhet se ka ndikuar shumë te Servantesi si një eksperiencë tejet traumatike. Piratët e Mesdheut në të kohë ishin krejt të pashpirt, ndërsa qëllimi i tyre ishte vetëm të pasuroheshin dhe preja nuk zgjidhej në asnjë rast nisur qoftë nga përkatësia fetare. Në Mesdhe në këtë kohë gëlonin piratë të të gjitha kombësive, spanjollë, italianë, francezë, shqiptarë, grekë e të tjerë. Edhe para se Servantesi të merrej peng, Mbretëria Spanjolle kishte ndërmarrë tentativa për të pastruar brigjet algjeriane nga "barbarët" duke inkuadruar në sulm edhe një flotë siciliane, por pa sukses. Por për të goditur "brigjet barbare" kishte edhe tentativa private, të piratëve të ndryshëm, gjithmonë të mbështetur nga shtetet evropiane. Kështu për shembull Juan Gasco, një pirat nga Valencia, nën proteksionin e Mbretit të Spanjës, nisi të sulmonte me anijen e vet brigjet algjeriane natën. Më 1567 ai sulmoi po natën portin e Algjerit duke dëmtuar e mbytur disa anije. Por pak kohë më vonë Gasco u kap në det të hapur nga Dali Mami, i njëjti që vite më pas do të mbante peng Servantesin. Dali Mami i gjeti Gascos me vete disa letra të firmosura nga Filipi II, Mbreti i Spanjës, i cili jo vetëm që e autorizonte për inkursionet në brigjet Algjeriane, por i vinte në dispozicion për ndihmë edhe nënmbretët e Valencias dhe të Majorkës që të asistonin me forcat dhe anijet e tyre gjatë këtyre inkursioneve. Dali Mami e vari për këmbe Gascon, ndërkohë që në qafë i lidhi letrat e Mbretit të Spanjës.
Qyteti i fortifikuar i Algjerit, ku Servantesi u mbajt peng, në këtë kohë kishte 32 mijë banorë, më shumë se Roma e Palermo së bashku, nga të cilët 13 mijë turq, 1 mijë hebrenj të kthyer në myslimanë, ndërsa restoja kristianë, shumica italianë. Duke menduar gjithmonë se Servantesi ishte një njeri me rëndësi në Spanjë, Dali Mami e mbante atë nën surveijim të plotë. Shpesh rojet e tij e injoronin dhe e vinin Servantesin të bënte punë të rënda, por ky surveijim nuk e pengoi të tentonte pesë herë me radhë arratisjen.
Arratisjet pa fat
Shpirti rebel i Servantesit nisi të shfaqej vetëm pak kohë pas marrjes peng, në janar apo shkurt 1576. Servantesi bind një banor të fisit "Moor" të shkretëtirës dhe arratiset duke bërë katërqind kilometra rrugë në shkretëtirë për të arritur fortesën më të afërt spanjolle "Oran". Por nuk ia del. Vendasi që e ndihmoi e tradhton në mes të rrugës. Servantesi kapet nga fiset Berbere dhe i kthehet pronarit të vet. Dali Mami e keqtrajton dhe i shton rojet. Kthimin e tij gjallë nga shkretëtira në çdo kohë e kanë quajtur një mrekulli. Në kuadër të përpjekjeve për lirinë e Servantesit, në pranverën 1577 dy priftërinj arrijnë në Algjer me një shumë prej 3 mijë koronash, që ua kishin dhënë të afërmit e Servantesit. Por kjo shumë ishte e pamjaftueshme për të çliruar shkrimtarin e ardhshëm. Gjithsesi, ajo u përdor për të blerë lirinë e të vëllait, Rodrigos. Një tjetër tentativë arratisjeje në shtator 1577 fut në lojë spanjollët, që dërgojnë natën një anije për të tërhequr Servantesin dhe disa pengje të tjerë. Por edhe pse anija u afrohej brigjeve natën, kontakti me Servantesin e fshehur bashkë me të tjerët në disa guva shkëmbore në bregdet, nuk arrihet. Ndërkohë një spanjoll i quajtur El Dorador (Farfuritësi) i blerë më parë nga Hasan Pasha, zotëruesi i radhës i Algjerit, tradhton. Ushtarët i gjejnë Servantesin dhe të tjerët të futur në një guvë në bregdet dhe i shtrëngojnë që të dalin që andej. Servantesi merr përsipër me kurajë të gjithë organizmin e arratisjes. Për këtë dënohet me vdekje. Ishte koha kur dënimet për arratisjet ishin të pashembullta. Dali Mami var një nga grupi për këmbe dhe e rreh gjer në vdekje. Por trimëria e Servantesit në këtë rast shpërblehet. Vetë Hasan Pasha, kur dëgjon për kurajën e spanjollit të pamposhtur, ia fal jetën, madje shkon edhe më tej duke ia blerë pengun piratit Dali Mami kundrejt shumës së fiksuar që në fillim, 500 eskudo të arta. Në këtë pikë shkëputet edhe lidhja e Servantesit me piratin grek Dali Mami.
Më 1578 Servantesi dënohet me 2 mijë goditje me shkop, sepse i dërgon një letër për ndihmë Martin de Cordoba-s, guvernatorit të fortesës së Oranit. Nga ana tjetër prindërit në Spanjë nuk reshtin së përpjekuri për të shpëtuar birin e tyre peng. Në pranverën e 1579 nëna e Servantesit aplikon të dërgojë nga Valencia në Algjer për eksport 2 mijë dukatë pasuri në mall. Në 31 qershor 1579 ajo u jep priftërinjve Juan Gil dhe Anton de la Bella shumën prej 250 escudo të arta për të paguar lirimin e të birit.
Nga ana e tij Servantesi vazhdonte me shpirtin rebel. Në fund të vitit 1579 ai tenton të shtijë në duar një anije lufte për t'u arratisur, por tradhtohet krejt pa e pritur nga një prift Dominikan, Juan Blanco de Paz, i cili kishte krijuar një urrejtje të madhe për spanjollin. Edhe njëherë tjetër Hasan Pasha ia fal jetën spanjollit, madje shprehet: "Sa më shumë të mbaj spanjollin nën kontroll absolut, kristianët e tij, anijet dhe qyteti janë të sigurtë".
Më 29 maj 1580 dy priftë arrijnë në Algjer. Ishin tamam në kohë pasi edhe periudha e Hasan Pashës në krye të Algjerit i kishte ditët të numëruara. Por zotëruesi i qytetit refuzon të pranojë më pak se 500 escudo të arta në këmbim të spanjollit. Gjithsesi priftërinjtë nuk tërhiqen dhe pjesën tjetër e sigurojnë nga tregtarët kristianë të Algjerit. Servantesi u imbarkua në një anije që nisej për Spanjë më 19 shtator 1580, pasi të hollat u paguan një më një. Krejt çuditshëm, në vitet e ardhme, atë si shkrimtar nuk e bëri të famshëm historia e pesë viteve të tij peng, shumë e thjeshtë për t'u sjellë me të gjitha ngjyrat e saj, por një tjetër, aspak e ngjashme, ajo e Don Kishotit, një kalorësi jashtë kohës, që i humb të gjitha betejat, por jo ato brenda shpirtit të tij.


Kadareja dhe legjendat e mbajtjes peng të Servantesit pranë Shqipërisë

Ismail Kadare, veç pohimit të dëshirës së parealizuar për të bërë një libër, që të kishte në qendër historinë e Servantesit të marrë peng nga një pirat shqiptar, në një tjetër rast e afron të njëjtin personazh edhe pranë territorit tonë gjeografik. Në një fjalim të improvizuar të mbajtur rreth 10 vite më parë në gjuhën frënge në një konferencë në Bibliotekën Kombëtare të Spanjës, në fjalën/shkrimin me titull "Don Kishoti në Ballkan", që ka shërbyer edhe si parathënie e ribotimit më të ri të veprës së Servantesit në gjuhën shqipe, Kadareja përcjell një histori të vjetër të rrëfyer nga një folklorist shqiptar. Pra, folkloristi duke mbledhur gojëdhëna të ndryshme kishte shkruar se Servantesi është mbajtur peng jo në Algjer, por në një zonë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Sipas Kadaresë, folkloristi, "duke folur për legjenda dhe kronika të vjetra mesjetare, përshkroi, përpara pak kohësh në shtyp disa histori për Servantesin, që kishin kaluar nga goja në gojë, duke hedhur tezën se ka mundësi që Servantesi nuk ka qenë i burgosur në Algjer, por në një qytet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ky studiues e bazon tezën e tij në rrëfeja pleqsh, të cilët përqendrohen në faktin se robi ishte një spanjoll shumë i ditur, për të cilin u pagua një sasi e madhe parash që ta lironin nga burgu. Emri i tij del, ka raste Servantes, ka raste Servet apo Sarvet".
Panorama
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top