E megjithatë... jetojmë !

Vetem ju me qetesoni ne kete sit.Nuk ndjehem vetem kur ju lexoj ju zoti Edmond.

Sikur kjo gjendje qetesuese te vazhdoje edhe me tej, atehere ta dish mik orakulli qe une do jem dhjetfish me i qetesuar dhe kenaqur. Faleminderit per cdo fjale inkurajuese.
 

Prapë kthimi i ankthit dhe i një shtrëngese në gjoks, kur bashkë me Miran morrëm rrugën e kthimit për në Selanik. Meraku i ndonjë rradhe të gjatë makinash në doganë na shoqëroi gjithë rrugës, duke venitur atë kënaqësi takimesh e çmalljesh me të afërm e miq korçarë. Ja dhe kthesa e fundit, që preu edhe fijen e vogël të shpresës për një kalim normal të doganës. Radha ishte që në hyrje të hyrjes, gjë që më tmerroi, se s’më jepte as mundësinë më të vogël për të arritur punën e të hënës. Shtrëngesa në gjoks u zhvendos në kokë, duke krijuar copra zgjidhjesh, herë naive e të pabesueshme, herë të besueshme, por të guximshme për t’u provuar. Dola nga vetura i sikletosur dhe kur arrita në godina e marrjes së vulave, llogaria më nxorri të njëzetin deri në trari i dytë i doganës sonë. Aty vërtiteshin dy policët e kontrollit dhe një civil, që kur më pa të ndaluar pranë tyre, m’u afrua e me një mirësjellje të veçantë më pyeti, “C’kemi, si ja kalon?” dhe pa marrë përgjigjen time vazhdoi, “Do të kalosh matanë? Vështirë. S’ka lëvizur rradha që para dite”. E pyeta me shpresën e ndonjë zgjidhjeje, pasi e kuptova që xheç kishte në dorë të bënte, “Domethënë s’bëhet gjë?”
“S’ka gjë që s’bëhet, po qe se pranon”.
“Ja pranova, prapë rradha është e gjatë brenda doganës greke”.
“Kush tha që do presësh rradhën? Shko në vetura dhe kur të të bëj shenjë unë, nisu dhe kalo anash, deri në krye të rradhës në greku”.
Në vend që të lehtësohesha, m’u shtua më shumë sikleti dhe po rrija në mëdyshje. Ai bëri ca hapa prapa duke pritur aprovimin tim, por si mund të pranoja, pa ditur se ku arrinte kjo lloj pagese? Se nuk ishte një xhep në lojë e për më tepër vetëm xhep shqiptar, përderisa do më ndizej drita jeshile deri në marrjen e vulës në dogana greke.
U largova i menduar, u ktheva përsëri duke ndeshur në shikimin e tij pyetës e përsëri ju shmanga si për ta ngacmuar për një pazar më të pranueshëm për mua. Për të qeshur e për të qarë këto lëvizje e mendime të miat, që prisnin një pazar me leverdi, pa u bërë asnjë pazar fillestar. E meqë kjo s’ndodhi, m’u duk sikur isha unë që i dola borxhit në këtë lloj biznesi pantonim. Shtrëngesa në kokë po kalonte gradualisht në dhimbje të saj, gjë që më ndodh kur pamundësia e zgjidhjes së një halli, mbizotëron mbi çdo lloj varianti zgjidhës të tij. I çorientuar dhe ankthuar po kaloja në kthim pranë veturave të palëvizura as një metër nga rradha, që bashkë me pozicionet qëndruese të njerëzve në to, më ngjanin si karvanet në mes të shkretëtirës. Fëmijë në prehër të nënës, që mbase kujtonin se ishte pjesë e domosdoshme e jetës gjumi doganor. Të moshuar të përgjumur e kokëvarur, që mbase ju dukej privilegj komoditeti i rradhës brenda në veturë, para rradhës së dikurshme në të ftohtë e në të nxehtë për një shishe qumësht a një kile mish. Ja dhe masa e argasur e argatëve, me një aftësi të jashtëzakonshme transformuese të dufit dhe revoltës së brendshme shpirtërore, në një shfaqje duruese e urtësie shembullore.
“Hë, ç’thuhet? Filluan të punojnë matanë?”, më pyeti ai që ishte në rradhë para meje.
Tunda kokën në shenjë mohuese, por ai m’u afrua më shumë, duke më pyetur se si mund të kalonte të paktën trarin e parë të doganës shqiptare. “Fare lehtë”, ja ktheva, “me nja dy a treqind lek në dorë policit që rri në trari”.
Shpejtoi hapat dhe pasi kontaktoi me policin u kthye me vrap drejt veturës. As vetë s’di se si u ndodha tek timoni dhe në çastin që ai doli nga rradha, të njëjtin veprim bëra dhe unë duke e ndjekur pas. I përfshirë nga një guxim i tepruar, falë një mendimi po të guximshëm, i bëra shenjë policit duke i treguar veturën para meje, si për t’i thënë që në lojën e kungulleshkës bëja pjesë dhe unë, desh apo s’desh ai. E megjithatë, prapë të fundit në grupin e dytë të rradhës që e ka fillimin në hyrje të doganës greke. Nuk më shqetësonte kjo rradhë, para asaj që pashë në hapësirën greke, ku nga njera anë veturat ishin në vazhdimësi që në hyrje të saj dhe paralel me to, tre a katër autobuzë të linjës, veç dy të tjerëve më në thellësi. Dola nga vetura dhe eca përpara në drejtim të portës, ku ishte grumbulluar shumica e njerëzve. Ishte një ecje instiktive dhe e pashpresë, shoqëruar me një mendim pa kurrfarë mendimi konkret, në pritje të ndonjë të papriture të çuditshme.
Eeh, moj botë e koklavitur, që i ke vënë njerëzit në dilema e ankthe, në superioritete dhe inferioritete të ngatëruara! A e di vallë ç’krijesa të sajuara njerëzore, bëjnë komandën e krijesave të munduara njerëzore? Kaq e pafuqishme qenke të çkoklavitesh, apo pret dhe ti ndonjë të papritur të çuditshme?
Po le të tjerët më me mend se mua, të merren me koklavitjet dhe ç’koklavitjet e mëdhaja, por deri sa të arrihet kjo, (dhëntë Zoti të arrihet!), si t’ja bëjmë me “të voglat” e përditëshme, që gati sa s’po na luajnë nga mentë e kokës!?
Se ja, në një pikë kufitare shqiptaro-greke ndodhesh dhe e ndjen veten si një qënie amorfe, të shkëputur nga personaliteti i vetvetes, që hidhet e pritet nga karaktere të plasaritura punonjësish doganorë.
Ndërsa në anën shqiptare ndesh llojin më të veçantë e të bastarduar të lypësit, që në vend të veshjes së leckosur, karakteristike për një lypës, ka uniformën e nderuar të policit, në anën greke ndesh llojin më të veçantë e të bastarduar të autoriteti policor, që në vend të shkopit të ligjit, përdor ligjin e shkopit dhe të çpersonalizimit ndaj fqinjëve hallexhinj.
M’u afrua me një lloj krekosje dhe autoritet të shtirur ky lloj lypësi i policuar, që të bën të njohurin pa të lënë të mendohesh nëse e njeh vërtet apo jo dhe të “qan” hallin që të ka zënë, më shumë se e qara tënde. Më tregoi një vend bosh në krye të rradhës, duke lënë të kuptoja që aty mund të parkoja menjëherë, jo me aq para sa mundja unë, si në rastin me një lypës, por aq sa desh ai, si në rastin e atij që të ka në dorë.
“Si të bëjmë?”, e pyes Miran. “Rradha s’po lëviz dhe po filloi të lëvizë, kushedi kur mund të dalim nga dogana greke. Me dhjetë evro ose njëmijë lek mund të vemë në krye. Nuk qaj hallin e pritjes, por të punës”.
Pasi morra dhe aprovimin e Miras, u realizua si me magji parkimi mu në hyrje të doganës greke.
Lypësi i policuar bashkoi dhjetë evrotë me tufën tjetër të përzjerë të evrolekëve. Mbase atë ditë plotësohej plani i mbarimit të çatisë së vilës, ose i blerjes së një Mercedesi më të ri. Mbase!
Shyqyr më në fund diçka lëvizi dhe pas shenjës së ushtarit grek kalova portën, këtë herë më i lehtësuar, se në fund të fundit, sado të vonoheshim, nuk do na mbanin për mëngjesin e sa hënës.
Por ndërsa lehtësia shpirtërore është njera anë pozitive e ndjesisë së shpirtit, plagosja shpirtërore qenka e keqja më paralizuese e tij. Se, të dashur miq, fillon të veprojë me një debilitet në karakter dhe mediokritet në tru, ai, i fuqishmi deri në karagjozllëk, autoriteti policor. Nuk arrin t’i qasesh më të thjeshtit në detyrë, ushtarit që mban rradhën, për të të sqaruar diçka, kur pa pritur të nxjerrësh rrokjen e parë të fjalës, të lëshohet një ulërimë kafshore, “Pisoo!!!”, që si me presion të shtyn disa metra prapa.
Kur arrita në krye të rradhës dhe në sporteli nuk kishte asnjë person për vulë, i dhashë pak gaz veturës dhe lëviza me një ngadalësi breshke. Nëne, moj nëne, ç’më dëgjuan veshët e më panë sytë, porsa dolëm me Miran nga vetura. Një dy metrosh ushtar, që mbase ngatërroi vendin e shërbimit me ndonjë manovër stërvitore të repartit, doli i egërsuar nga godina dhe m’u sul sikur të isha objekti armik i stërvitjes. Bëra ca hapa prapa, duke dëgjuar se si mund të kthehen në ofendonjëse dhe injoruese, fjalët e lashta dhe të bukura greke. U dashka të riprish gjakun dhe tani, që tek i kujtoj, më kumbojnë në vesh e më vrasin në shpirt. “Pisoo!!! Pjos su ipe na ksekinisis re skato alvane! Tora tha bis telefteos! Fige!!!(Prapa!!! Kush të tha të lëvizësh mor m.. shqiptar! Tani do hysh i fundit! Ikë)!!!”
I dhashë veturës më prapa dhe dola prej saj në një gjendje të turbulluar e gati në shpërthim, por shoferët e taksive që kisha pas më ndalën, duke thënë që më keq do ta pësoja po të kundërshtoja. Në atë çast nuk dija nëse isha pronë e vetvetes, pasi ajo po përdorej si një objekt përçmues nga një kompleks i ngatëruar ushtari, në këtë pikë komplekse ndarëse e bashkuese fqinjësh të lashtë. Por nëse komplekset e kohës mund t’i zhvleftësojë vetë koha, kompleksin e atij çasti s’mund ta mbaja mbi supe në pritje të kësaj kohe. Rreth njëzet metra më ndanin me të. Ishim përballë njeri-tjetrit, si në një duel kaubojsh. Unë me portofolin e dokumentave në dorë, kurse ai me duart në rripin e mesit, të ngarkuar me një tërësi mjetesh mbrojtëse luftarake. Një heshtje e frikëshme dhe një Mirushe e pafuqishme për të më ndalur. Ndonëse s’kisha hedhur as një hap përpara, ajo e dinte mirë ç’do ndodhte nga çasti në çast. Sepse sa herë jam ndodhur në dilemën e kryerjes ose jo, të një veprimi të guximshëm e të drejtë, sipas logjikës sime, gjithmonë ka humbur jo-ja. S’do bënte keq ta mësonte dhe ushtari i pamësuar, ndonëse kishte në dorë veç gurit e arrës edhe tabanin ku ta çante këtë arrë. S’ka më keq kur gurmbajtësi dhe arrëmbajtësi kanë një emër të vetëm si në këtë rast, apo të ngjashëm me të. I ngrysur në kapanon pa asnjë guriçkë e lajthiçkë dhe i zgjuar në doganë me një gur e arrë në dorë, fillon t’i veprojë mania tërbuese komanduese, para fqinjëve më të pambrojtur e hallexhinj shqiptarë. Ai që para shefit më të thjeshtë grek qëndron gati-tu dhe mund të shurojë nga frika, ai guxon të shurojë dinjitetin dhe personalitetin njerëzor të shtetasit shqiptar, punëtor apo intelektual qoftë.
“Duelin” guxova unë ta filloj.
“Mund të më dëgjosh pak, të lutem, si të jem miku tënd? Lere rradhën, kur të duash ti do hy. Nuk më intereson vula në këtë pashaportë, para njerzillëkut dhe dinjitetit. Mos më keqkupto, por në jetën time asnjë njeri nuk më ka thirrur e ofenduar në këtë mënyrë, aq më shumë para gruas sime, që më respekton dhe e respektetoj”.
Ai: “Ku shkuan ata që dolën nga burgjet? Erdhën në Greqi dhe janë të rrezikshëm. Ku ta di unë çfarë jeni ju. As që më intereson ta di. Jeni mësuar keq. Lëvizni për ditë. Nuk kuptoj sa milion jeni?”
Unë: “I ligu është i lig, qoftë shqiptar, grek, italian apo amerikan. Atë e urrej dhe unë më shumë se ty, se dua të jetoj i qetë dhe i sigurt me familjen time. Unë kam tani më shumë shokë grekë se shqiptarë, bile kur u shtrova në spital dhe kisha nevojë për gjak, i pari që dhuroi për mua ishte shoku grek i punës”.
Ai tundi kokën pa folur dhe u drejtua për tek xhipi i policisë. Kur hyri brenda, unë ju afrova dhe e pyeta se si të veproja. Shyqyr Zotit që nuk dëgjova thirrjen e zakonshme, “Piso”, por në ikje e sipër kapa fjalët shpresdhënëse, “Prisni në rradhë. Do t’ju thotë tjetri kur të kaloni”.
Këtë sihariq e përcolla tek taksixhinjtë, që kujtuan se do ta pësonin bashkë me mua. Ju thashë: “E vështirë për ta zënë mik, ndonëse unë i fola si mik”.
Nuk them se e ndala yryshin e një manie apo marrëzie të rrënjëzuar prej kohësh, por të shpresoj se mbase diçka të vogël arrita në frenimin e tij, qoftë dhe në personin më të papozitshëm të kësaj pike doganore.
Ndonëse i vërtiti mbarë e prapë kartat 6 mujore, ndonëse i tendosi tej mase dhe i shfletoi sikur numuronte ndonjë tufë parash pashaportat tona, punonjësi i sportelit na përcolli me thënien e ngrohtë, “Kalo taksidhi(Rrugë të mbarë)!”
“ Shyqyr më në fund!”, tha duke marrë frymë e lehtësuar Mira, por më pas vazhdoi, “Sa të kalojmë dhe ushtarët tek ura, se vetëm atëhere do jem plotësisht e qetë”.
“Me ta s’ka problem. Një kontroll dhe regjistrim të diplomës bëjnë. Sa për kartat e tjera, janë vulat e doganës greke”, ja ktheva si për ta qetësuar atë dhe veten time.
Një shenjë për ndalim pas kalimit të urrës dhe kërkim i dokumentave të makinës dhe leje kalimeve. Ndërsa njeri regjistronte në një regjistër diçka nga diploma dhe targën e makinës, tjetri porsa lexoi diçka në leje kalimet, ja tregoi shokut në krah, që mund të ishte më në pozitë se ai dhe të dy bashkë morrën një qëndrim tej seriozitetit të çastit. Jepnin e merrnin me njeri-tjetrin, hidhnin nganjëherë sytë në drejtimin tonë, sikur të ishin në gjurmët e zbulimit të ndonjë misteri antiligjor apo kriminal. Pse e them kaq të avancuar këtë mendim? Sepse porsa dola nga vetura dhe ju afrova për t’i pyetur se ç’i mundonte me kartat tona, si në kor ushtarak thirrën të njohurën fjalë tashmë alergjike për mua, “Piisoo!!!” dhe bashkë me të, “Bes mesa sto amaksi(Hyrë brenda në veturë)!”
Të duket vetja një mikro njeri, që sado mend në tru të kesh, kthehen në çast të pavlefshme për situatën, duke rënë në mëshirën e vendimit të ca zanatçinjve pa zanat. Sepse bën bam vula e doganës greke, pra ja ku është ujku i shprehjes kaq të njohur, kurse ata rrinë dhe merren me gjurmët e tij. O Zot na rruaj nga injoranca, a ku ta di unë ç’emër t’i ve, një veprimi të tillë! Seriozë deri në karagjozllëk, shkuan tek lapidari përballë dhe duke shfrytëzuar rrezet e fundit të diellit, mundoheshin të zbulonin ndonjë njollë të zezë në kartat 6 mujore, siç bëjnë doktorët në rastin e radiografive. Më bënë shenjë të vija drejt tyre dhe kur sçmë ndante as një hap, më pyetën, “Qenke nga rajoni policor i Ano Polit?” Sikur nuk e lexonin dot greqisht të zezën mbi të bardhë! Nejse. Ju shpjegova me pak fjalë procesin e marrjes së atyre kartave, ju tregova kartën paraardhëse, vizën e marrë nga konsullata greke në Korçë, por ata duke mbetur në dyshimin e tyre, shkuan tek telefoni dhe s’di se me kë folën. Mendja ma thotë që u lidhën me doganën, se fill pas uljes së receptorit, më dhanë gjithë kartat e dokumentat dhe me një të thënë formale, “Kalo taksidhi!”, më lejuan të kaloja nga kjo gjendje me të vërtetë tragjikomike. Bëmë kryqin me Miran dhe vetëm atëhere thamë me gjithë zemër, “Aj rrugën e mbarë të kemi!”, shoqëruar kjo me një puthje të ngrohtë buzësh.
* * *
 

Nuk di me se ta krahasoj forcën e rezistencës njerëzore, ndaj kontradiktave deri në ekstremale të jetës. Sikur të njëjtat kontradikta të konvertoheshin në minuset e të ftohtës dhe pluset e të ngrohtës që veprojnë në këtë tokë, me siguri dhe shkëmbi më rezistent, do ishte shpërbërë në copra të vogla guriçkash. Për krijesën njerëzore nuk ka cikël stinësh në jetesën e përditëshme, përkundrazi, ka një paradoks të tyre kaq të çuditshëm, forcën shfaqëse të së cilës s’ka formulë që ta llogarisë. Mes paradokseve të tilla të pashmangshme, vepron me një energji prapë të pamatëshme, përpjekja e stërmundimshme njerëzore për të jetuar. E në këtë përpjekje, ndodh si me magji ekzistenca dhe shtytja në të njëjtën kohë e të kundërtave si brenda vetvetes, ashtu dhe midis saj e të tjerave.
Që mos hy më thellë në logjikra të tilla, që s’dihet se në ç’breg konkluzionesh mund të më nxjerrin, a s’është më mirë të përdor ndihmën e vargjeve të mëposhtme, që e kanë përfunduar me kohë udhëtimin e tyre?

PARADOKS
Në kam atë që s’kisha
Nuk kam atë që dua
Në linda që të vdisja
Mos rroj që veç të vuaj!?

Kur hapin hedh përpara
Kush prapa më tërheq?
Moj jetë plot andralla
Vall’ s’ditkam të të ndreq!?

Kur prek rrezen e diellit
Kush shpirtin tin e ngrin?
Në linda të shkoj ferrit
O Zot më mos më lind!
__ .__
Selanik 2000


PERPJEKJE
Kur qaj, shpirti më qesh
Kur qesh, syt’ më lotojnë
Kërkoj pak antistres
Mes stresit që jetojmë.

Kur s’flas, shpirti më flet
Kur shoh, syt’ më rrin’ mbyllur
Se dua pak të drejt’
Mes drejtësis’ së shtirur.

Kur rri, koha më ikën
Kur ec, kohën e ndal
Se dua të zgjat ditën
Mes netëve me djaj.
__.__
Selanik 2000

Nuk di, nëse mund të ketë pas kësaj jete, ferr më të keq dhe parajsë më të mirë, nga ç’ka provon në këtë jetë krijesa njerëzore. Nuk di, nëse arshiva e ferrit dhe parajsës imagjinare mund të ketë më shumë djaj e ëngjëj, nga ç’ka djaj të kthyer në njerëz dhe njerëz të shfaqur si ëngjëj, arshiva pa mbarim e realitetit njerëzor.
Por di ama, që ndryshe nga ç’thuhet për mëvetësinë e ferrit dhe parajsës imagjinare, në të gjallë tonë ka një mpleksje kaq të koklavitur mes tyre, sa dhe Zoti vetë është tërhequr dhe na i ka lënë ne në dorë t’ja dalim mbanë.
“Ama kështu qenka?”, ka menduar gjithmonë krijesa njerëzore dhe qysh në hapat e para të shoqërisë e deri më sot, s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka krijuar jetë parajsore me mjetet e ferrit dhe jetë ferri me mjetet e parasjës. Nuk është aspak e zorshme ta ndjesh, ta shohësh dhe ta provosh, në forma e reaksione të ndryshme, këtë të vërtetë mijravjeçare, qoftë dhe në çaste të zakonshme të jetesës.

* * *
 

Një krijues i talentuar mund të shkruante libra të tërë më vete, me ç’ka hedh unë në këto shkrime.
Do aksion policesk, këtu e ka copën e brumit për ta gatuar.
Apo e kënaq më shumë një libër i zjarrtë erotik, fare lehtë gjendet këtu.
Kush pëlqen historira familjesh e fisesh me skena e prapaskena nga më të pabesueshmet, pak shfletim i mjafton, për ta gjetur fabulën e duhur.
Mos qenka dhe komedist? Aspak mundim, sepse dhe aty ku shpreh një dhimbje të jetës, shfaqet shpesh dhe komedia e saj. Sa për ndonjë analist ngjarjesh e pikpamjesh të ndryshme politike, filozofike apo ekonomike, dua s’dua unë, nuk mund t’ju shmangem dot të dy kaheve reaguese, falë pozicionimit të tij në shoqëri.
Në këto shkrime jam unë dhe jo ndonjë hero romanesh, është jeta ime dhe jo jetë të kërkuara fantazive krijuese, është bota time mendore dhe shpirtërore dhe jo ajo e maskuar dhe karnavalizuar sipas interesave egoiste të disave.
Eshtë pra, të dashur miq, zëri im, që në korin e madh të zërave njerëzorë, uroj me gjithë shpirt të mos stonojë, por të ndihmojë sadopak në harmoninë e zërave të vërtetë, në hymnin e madh të një jete të vërtetë.
Zëri im
Të kem shpejtësinë
e zërit tim
Në di se nga del
të di ku arrin.


Në di se çfar’ them
Si kuptohet, ta di
Dhe gjallë të mos jem
Të jetë Zëri tim!
__.__
Selanik 2000

“Të bëhem e njëherë nuse, pa di si të nusëroj”.
Nuk e di, por për herë të parë në jetën time po më ndodh, të mos e marr për absolute një shprehje popullore. Eshtë ky një devijim i çastit nga të vërtetat e përvojës popullore, apo mbase diçka ndonjëherë bën përjashtim nga kjo përvojë? Hë për hë merreni si të doni, se në vazhdim me siguri s’ka për t’ju ndodhur kjo dilemë.
Atë që nuk arrijnë dot praktikisht njerëzit për t’u bërë dhe njëherë “nuse”, e arrin forca e mendjes nëpërmjet të njohurës retrospektivë të kohës. Kush ndjen pishmanllëqe për veprimet e të shkuarës, rënkon cazë dhe menjëherë thotë shprehjen e mësipërme. Harron që dhe po të kishte atëhere mendjen e sotme, kur të ndodhej në mendjen e ardhshme do ndjente të njëtin pishmanllëk. C’kënaqësi e ç’kuptim do kishte jeta njerëzore me rinusërimet e saj?
Le t’ja le moshës në vazhdim, mendjen në vazhdim, ashtu sikurse moshës së shkuar, mendjen e shkuar.
Cudia më e madhe, por edhe hipokrizia më e madhe ndodh në politikë dhe fushën e letrave. Aty, të dashur miq, zor të gjesh pishmanllëkun, pendimin, rrëfimin e sinqertë, të autorëve të tjetërsuar.
Në rast se mor zotni, cikli jetësor s’ta jep kënaqësinë e “rinusërimit” për të mohuar pohimet e të shkuarës, pse nuk e bën këtë lloj katharsisi të vetvetes, në atë pjesë cikli që ndodhesh? Nejse! Eshtë e kotë t’i bie kësaj këmbane, në këtë pjesë bote të shurdhëruar prej kohësh. Sepse, ose s’ka pishmanllëk, pra as dëshirë për rinusërim, ose s’ka burrëri e kurajo, pra as përpjekje për rrëfim e katharsis. Ndërsa të parët mbeten kokëfortë në fanatizmin e tyre dhe kuptohen më lehtë nga opinioni, të dytët ndonëse veprojnë, flasin e shkruajnë në përshtatje me kohën, ose shfaqen si të censuruarit apo të persekutuarit e sistemit të shkuar, ose e anashkalojnë një pjesë të veprës së asaj kohe, por kursesi ama ta hedhin poshtë atë, për nga skemat dhe idetë diametralisht të kundërta me të sotmet. Kurse sa për opinionin, mbase ju vjen në ndihmë mishmashi politik, ekonomik dhe shoqëror i krijuar, që çorodit dhe mjegullon mendjet e njerëzve.
Harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë këta njerëz të politikës dhe penës, që breznitë njerëzore kurdoherë rrëmojnë në të shkuarën, për të ditur nga vinë. Në rastin e breznive shqiptare, është shumë afër ajo brezni, që ka për ta kryer me objektivitet këtë akt, me të vërtetë madhor e të denjë për kombin.
E di që pas mendimeve të mësipërme, mund të më thoni: “Shiko më mirë veten tënde dhe mos u merr me kokat se asgjë s’ke për të arritur, bile mund ta pësosh!”
Atë po bëj, veten time po shikoj dhe zërin tim në kohë po gjurmoj, por ç’të bëj që në këtë shikim e gjurmim, pikërisht atëhere kur duhej të shikoja me gjithë mend veten time, shoh që ato koka u morrën vënçe me mua, me ty, me ju, me të gjithë ne. Na venitën shikimin dhe na dirigjuan e artikuluan zërin në notat më të larta të thirrjeve e brohoritjeve, pikërisht për vetë ato koka. Propagandë më të kompletuar, për të ashtuquajturën madhështi të socializmit shqiptar, zor të gjesh në analet e historisë botërore. Një alternim i pandalshëm politiko-artistik i propagandës, mbushte çdo çast hapësirën jetësore të njerëzve, aq sa kur njëçikë mangësi të shfaqte njera anë, menjëherë ingranohej ana tjetër dhe anasjelltas. Askush s’mund të mohojë këtë autorësi të dyfishtë të saj, të firmosur nga ish kupola politike allakomuniste dhe ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Mos kërkoni kuturum, ju që prekeni nga këto shkrime, të gjeni diçka që stonon në rradhitjen e tyre. Do kuptoni pse-në e një vazhdimësie të tillë, nëse në ndonjë çast, qoftë dhe pak të penduar të jetës suaj, ja keni bërë vetes këtë pyetje.

“Dhe gjallë të mos jem
Të jetë Zëri tim!”
Tamam ashtu siç ka qenë, një ditë më parë, një muaj më parë, një vit më parë, dhjetë apo njëzet vjet më parë, njëzet apo tridhjet vjet më parë, mor po dhe deri atëhere, kur quhesha fatos apo pionier me shallin e kuq në qafë. Sepse ishte zëri më i padjallëzuar i botës, sa naiv aq dhe i sinqertë, sa realist aq dhe idealist.
Nuk kam guximin e hipokrizisë së hipokritëve të guximshëm të sotshëm, që të them se në rininë time, ndryshe mendoja e ndryshe veproja, ndryshe fantazoja e ndryshe flisja e shkruaja. Sepse jetoja në një realitet të ujdisur në kompleksitetin e tij, përtej të cilit nuk mund të çante dot asnjë lloj fantazie qoftë.
Nuk ndjej dobësi, nuk më vjen turp, nuk dua ta fsheh në asnjë rrokje, zërin tim, as para vetes time, as para gruas e djemve të mi, as para shoqërisë sime, as para gjithë njerëzve që me dashje apo rastësisht e kanë dëgjuar atë. Nëse ka metamorfozën e vet ky zë, nëse diku ndalet, rrëfehet dhe bën katharsis, nuk e bën për sytë e botës, por për sytë e vetvetes.
I fillova këto shkrime me 1997-n dhe fare thjesht tani mund të shënoj një “Fund”, sikur ’97-a me kataklizmonë e saj mbaroi dhe varka e Noes na nxorri në një botë të re.
Jo, miq të dashur! Kataklizmoja shqiptar nuk është një legjendë, apo një fantazi e hiperbolizuar e kohës, që mund të rrëfehet si një përrallë shtesë, e njëmijë e një netëve. Disa zëra të trembur, do ishin të lumtur me një epilogji të tillë. Për ta më mirë kataklizmoja e ’97-s me heronj dhe fajtorë “të rinj”, se kataklizmotë para saj, me gjynahe e mëkate që si lajnë dot gjithë ujrat e Tokës.
Në pafuqishmëri për t’i bindur të pabindurit e botës shqiptare për të “rinusëruar” të shkuarën e tyre, për të riakorduar sadopak zërin e çakorduar të së shkuarës së tyre, po merrem me “nusërimin’ tim të vërtetë dhe po aq me vërtetësinë e zërit tim në kohë, që siç e shpreh në vargjet e mia, “Në di se nga del, si kuptohet ta di”.

Mbase bëhem pak i pakuptueshëm në këto çaste, kur ndërsa flas për halle e tronditje shoqërore, e ndal zërin tim në më intimin moment të jetës bashkëshortore, në lindjen e fëmijës. Vetëm pak durim, ju lutem të kini, në këtë udhëtim kohor me protagonistin e këtyre shkrimeve dhe jam i bindur, se ashtu sikurse unë dhe ju do ta kërkoni më shumë këtë intimitet magjepës të jetës, por...
Jemi bashkë tashmë në këtë udhëtim, itinerari i të cilit, ndërsa për ju mbase është një kuriozitet më tepër në botën e njohjes, për mua është vetnjohja dhe e vetjetuara e shkuar dhe e papërsëritshme e kësaj bote.
 
Kapitulli i Shkrimeve e Reflektimeve të mia
(1 Maj 1988 – 4 Mars 1992)

1 MAJ 1988
Do ta mbash mend mirë këtë datë, bir i dashur.
Cdo vit me gëzim do ta festojmë ditën e lindjes tënde, ditën e shenjtë që unë e ndjeva veten baba.
Eshtë e djela që çeli majin e këtij viti, kur ti bir i dashur kërkove të dalësh në jetë. Dhe dole. Jeta triumfoi madhërishëm. I faleminderit jetës, përjetë!
Kam një lodhje të gëzueshme, bir i dashur. As vetë s’e kuptoj se ç’forcë më dhe sot, qysh kur nëna jote të ndjeu e kuptoi se dëshiroje të dilje. Afro 9 muaj me radhë të kemi ndjekur si po lindje, se si po rriteshe dhe gëzoheshim si fëmijë.
Kur një ditë të dish të lexosh, do mësosh fillesën e daljes në këtë jetë.
Ishte e shtunë mbrëma e 30 prillit. Ja, këtu në kuzhinën e vogël, por të këndshme të gjyshes tënde, ishim mbledhur rreth televizorit, unë, mamaja, gjyshja, vëllaj im me të shoqen, motra ime me të shoqin. Fionën e vogël e kishin vënë në gjumë në shtëpinë e tyre. Gjyshja e merakosur vendosi të shkonte, por mami tënd i tha të rrinte. Unë u çudita me këmbënguljen e mamit, por s’kuptova shkakun në çast. Gjyshja iku. Ne shikonim televizor. Mami tënd tha, “Natën e mirë” dhe iku nga dhoma.
Por, rreth orës 24, kur ndaheshin dy muajt, hyra në dhomë. Ti bir i dashur, e kishe lënë pa gjumë mamin. Ti po përgatiteshe për të dalë e s’kish forcë të të ndalte. U gëzova, por dhe një drithërimë më përshkoi trupin. Fillova dhe unë të ndjeja sikletet, merakun e mamit tënd.
Kështu më në fund vendosëm. Rreth orës 2 të natës së 1 majit, unë, mami dhe gjyshja u nisëm drejt shtëpisë së lindjes. Ta dish ti si dridhej mami. Por mami ka zemër të fortë. Gjithë natën nuk fjetëm.
Lindi dita e re e 1 majit. Koha pak e ftohtë dhe e vrenjtur. Orët kalonin. Sa po na mundoje or qerata!
Kur, rreth orës 3 të drekës, si për çudi dielli ngrohte e ndriçonte qartë, ti dole në jetë.
Sa më gëzove, bir i dashur. Edhe mamin sa shumë e ke gëzuar. Të gjithëve, me gjyshe e gjyshin, me dajo e teze.
Tani që po shkruaj këto rrjeshta, është mbrëmja më e veçantë e jetës sime. Sa çudi, i dashur bir. Ndonëse tepër i lodhur fizikisht dhe i emocionuar, ti më jep forcë të shkruaj. Këtë kujtim nuk po e shkruaj aq bukur artistikisht, por s’ka më bukur se thjeshtësia. Për mua ti je krijesa më e dashur, më e pazëvendësueshme. Kuptoje këtë thënie e mos e harro tërë jetën.
Tani unë me mamin, me dhembshurinë e dashurinë prindërore, nisim hapa të rinj në jetë për të të rritur ty të shëndetshëm e të zgjuar.
Dhe kemi besim se gjaku ynë, krijesa jonë më e lartë, ti bir i dashur, do të jesh me të vërtetë vazhdues i denjë i prindërve të tu, do të dish të hipësh e qëndrosh fort mbi shpatullat tona, për të parë më lart e më larg.
Vetëm kështu ne do të krenohemi me ty.
Natën e mirë dhe bëfsh gjumin më të ëmbël të botës, biri im i dashur, bashkë me mamin tënd të shtrenjtë!
E diel 1 Maj 1988 ora 23’00
___...___

Pak ndërhyrje për më tej.
Janë faqe të tëra në formën e një ditari, që shtohen e shtohen bashkë me rritjen e Donaldit. Meqenëse kush është prind, ka ditarin e vet të shkruar apo të pashkruar të një gëzimi të tillë, a nuk është më mirë ta mbajmë për vetveten, këtë gëzim që me të vërtetë i takon vetëm vetvetes?
Sa parajsore do të ishte, sikur ky gëzim të abstragohej nga hallet dhe tronditjet që pëson njeriu në jetë, por qenka e pamundur, miq të dashur, të ndodhë kjo çudi, në realitet jo dhe jo, por as në fletët e një shkrimi.
Para ditës së mëposhtme janë dhjetra fletë, që ndërsa mbajnë guisjet e para të fëmijës, çastin triumfal të ngritjes në këmbë, llafkat e para me fjalorin më tërheqës e të çuditshëm të botës, vetvetiu fillojnë të devijojnë nga këto çaste magjike e të lumtura, duke u prekur nga dhimbja njerëzore për vetë njerëzit e dhimbshëm.
___...___
 
8.10.1989
E djela e dytë pa nënën tonë. S’ish ëndërr e tmerrshme e një nate të zezë, që zgjimi tutje do ta flakte. Ish e vërtetë e hidhur e jetës, që tash veç në ëndërr mund të sjellë çmalljen me mëmën tonë. Kështu e paska kjo jetë, që kur hodhi farën e saj në këtë botë e ne s’kemi ç’bëjmë para dialektikës së saj. Por na dha sy që të shikojmë e veshë që të dëgjojmë, një organizëm të tërë të ndërlikuar që mbart një botë të tërë shpirtërore.
Gëzohemi e hidhërohemi, qeshim e qajmë, mërzitemi e çiltërsohemi. Kudo ky dualitet të kundërtash na ndjek hap pas hapi. Ai përbën vetë zhvillimin shpirtëror, emocional.
Lindje, rritje, plakje dhe vdekje. Kush ka lindur, patjetër do të vdesë. S’ka nevojë për argumenta. Eshtë një aksiomë universale të cilës i nënshtrohemi të gjithë. Veçse në këtë rrugë pohimi e mohimi, jemi ne të ndërgjegjshmit njerëz, që ashtu sikurse gëzohemi për lindjen e një fëmije, hidhërohemi për vdekjen e një njeriu. S’është thjesht një ndjenjë instiktive, një çast ndjesor i thjeshtë. Eshtë një psiqikë e tërë që vepron, që na lehtëson e na mundon, sipas vetë ecurisë së jetës.
E ndërsa e dimë fundin, mos do të thotë se s’na vjen keq për këtë fund? Aq më tepër kur ai përshpejtohet nga shkaqe që e ardhmja me siguri do t’i zgjidhë me sukses. E ardhmja!? Kurse sot njerëzimi është i destinuar të jetë i pafuqishëm para shkaqeve të tilla fatkeqe.
Mëma jonë iku shpejt nga ne e nga kjo jetë. Pafuqishmëria e mjekësisë së sotme e la në mëshirë të mikrobit të vdekjes. Sepse vdekja ka mikrobet e saj të shumta, që e kanë emrin sëmundje të “pashërueshme”. Për sot, po, të pashërueshme. Për nesër? Lum kush të rrojë!
Vetëm mikrobit të pleqërisë, që natyrshëm do e ndajë njeriun nga jeta, s’ka për t’ja gjetur askush ilaçin. Pleqëria mund të shtyhet, ashtu sikurse do zgjatet vetë mosha e njeriut, kurse përfundimi është i pashmangshëm. Dhe kjo s’ka nevojë për diskutim. Ne s’kemi si të kërkojmë atë që s’kemi patur para lindjes sonë. Pafundësia e jetës duhet të kishte pafundësinë e vetë fillesës së saj.
E përsëri njeriu do të ketë dhimbje për atë, që sado i plakur, do të vdesë një ditë.
Por a mund të krahasohet ajo dhimbje me dhimbjet e sotme, kur i ndodhur ende në rrugën e jetës, përtej mesit të saj, të ndahesh prej saj?
Kështu na iku mëma jonë, pa përfunduar udhën e jetës së saj, ndaj ne qajmë dhe na vjen të thërrasim fort për këtë padrejtësi të kohës. Ditët ikin e na largojnë prej mëmës sonë. Eshtë një ikje pa kthim, pa çmallje, që do ta ndjejmë të rëndë sa të jemi dhe ne gjallë.
S’dua të kujtoj të djelën e fundit, kur e kishim ende mes nesh mamanë.
Por, s’do t’i harroj kurrë ato rrahje të fuqishme të zemrës së saj të fortë. Ato i dëgjoj e do t’i dëgjoj tërë jetën time. Janë trokitjet e një jete të tërë që po ndahej prej nesh, janë amanete e këshilla, dhimbja e dashuria e një mëme që po linte pas fëmijët e saj, nipërit e mbesat e saj.
Ato dy pika lot që rrodhën në rrahjet e fundit të zemrës, janë vetë dhimbja e dhimbshuria e nënës, që vdekja po e largonte nga më të dashurit e të shtrenjtit e zemrës.
Ato rrahje zemre, ato pika loti, do më jenë bashkudhëtare në jetën time, në ndërgjegjen time.
___...___

Fragmentet e fundit të një shkrimi në fillim të 1990-s.

“Dua ta mbyll këtë shkrim përsëri me pak rezerva, pa u nxituar. Nuk dua të mbaj ison as të atyre që duan të na ndalin në vend për të rruajtur privilegjet e veta, as të atyre që duan të na futin në qorsokak.
Dua të mbaj ison e njeriut të lirë, të përparuar, që lufton për progresin. Jo të njeriut të shoqërizuar që i mohohet individualiteti, por as për shoqërinë e individualizuar që e vetmon individin, e zvetnon atë, e bën atë fatalist, etj.
Procesi që ka filluar, a s’është një hap i madh drejt harmonizimit drejt të interesave të individit e shoqërisë?
Ta çojmë atëhere përpara këtë proces!”
___...___
 

14.5.1990
Pas një ndërprerje të gjatë, ja ku po shkruaj përsëri për ty Donald.
S’ke pse të më qortosh për këtë pauzë. Pa shikoji me se janë mbushur fletët? Besoj se kur t’i lexosh ato (po ta kuptosh shkrimin tim të keq nga të nxituarit), do më japësh të drejtë. Gjithshka o bir që ka të bëjë me njerëzimin, ka hyrë në jetën e gjithsejcilit. Jetojmë si individë, por në një familje, qelizë e shoqërisë. Ja se si ingranohemi, si pjestarë të shoqërisë njerëzore, ku ndërthurren gjithë ato interesa. Të shkojmë më tej, të dalim tej shoqërisë sonë, e përsëri shohim grupime njerëzish në klasa, shtresa, popullsi. Pavarësisht nga veçoritë, specifikat, a nuk përbën gjithë kjo larmishmëri popujsh, vetë njerëzimin e Tokës sonë.
Prandaj jemi të ndjeshëm për këdo e për kudo ku lind, rritet një jetë njeriu, ku vdes e përsëri vazhdohet breznia njerëzore.
Ndaj o bir, babi tënd sçmund të mbyllet në guackën individualiste e të përsëritë vetveten. Ai është i ndjeshëm për gjithshka ka lidhje me njerëzimin, për hallet e gëzimet, vuajtjet e humbjet, lindjet e fitoret, për qeshjen e sinqertë e të shtirur, për skenat e prapaskenat e dramës së popujve, për vetë dialektikën e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Duhet t’i kuptosh këto ndjenja, t’i pastrosh nga veset e pasurosh me virtute, për të qenë realist në vlerësimin e ngjarjeve. Nejse.
Tani po rikthehem përsëri tek ty, pasardhësi im.
Po të përkushtohem ty, se atë që humba unë, s’dua ta humbasësh ti. Eshtë humbje e shkaktuar nga kushtet, rrethanat, nga vetë kufizimet e kohës. Babi tënd do deshte të dilte më tej, falë sedrës së tij, megjithatë s’është humbje fatale. Ajo mund të zvogëlohet, ndonëse jo të zhduket plotësisht, pasi jeta rrjedh e atë ç’ke lënë mangut në një pjesë të moshës, s’mund ta plotësosh kursesi më tej. Diçka mund të bësh për të rifituar ose plotësuar pjesë të saj, e megjithatë jo përfundimisht. Në disa drejtime mund të bësh shumë, ashtu sikurse në disa të tjera s’mund të bësh asgjë.
Për këtë do flasim bashkë më vonë, kur t’i kuptosh gjërat më thellë e nëqoftëse natyra s’do ma cënojë jetën time. Duke qenë i paditur për të ardhmen time, le në shkrime pjesë të mendimeve të mia, të gjykimeve e dëshirave të mia. Mund që dhe vetëm me to lexuesi të zgjerohet vetë, të depërtojë në vazhdimësinë, në kuptimësinë e plotë të tyre.
E sheh si më rrëmbeu e shkruara dhe “harroj” fillimin e saj?
___...___
 

25.10.1990
Një lajm tronditës nga axhensitë e huaja të lajmeve: Shkrimtari Ismail Kadare kërkon strehim politik në Francë.
Ai që në krijimet e tij solli lashtësinë e madhështinë e kombit shqiptar, largohet nga vendlindja sot, kur ajo ka më tepër se kurrë nevojë për bijtë e saj.
Asnjë lloj motivacioni nuk e justifikon ikjen e Kadaresë. Cfardo presioni censure apo kërcënimi të ketë patur apo ndjerë në krijimtarinë e tij, nuk mund të zgjidhej, kapërcehej, duke lënë vendin e vet. Ai i kapërceu pengesat atëhere kur pretendon se ia shkatërruan qelizat pararojë të trurit. Ai vazhdoi të shkruajë e të lavdërohet brenda e jashtë vendit.
Por, në veprat e tij Kadareja shprehej me nënkuptime, bënte aluzione. Mos e mundonte diçka? Patjetër! Pra ai kishte frikë të shprehtë hapur ç’mendonte. Kjo tashmë kuptohet nga intervistat e dhëna, ku i mëshon shumë kufizimeve të administratës dhe kalimit në autocensurë. Dhe ai talentin e tij e futi kah nënkuptimësisë. Frikë dhe taktikë bashkë. Më pas, këtë vit, u shpreh më hapur dhe lëshoi kritika të ashpra ndaj mediokërve, burokratëve, duke bërë aluzion për instancat më të larta të udhëheqjes.
Nuk di ç’ndodhi në ndërgjegjen e Kadaresë më tej. Duket që synimet e tij ishin më të avancuara, që demokratizimi të ishte kompleks dhe më i thellë. Duket që midis kërkesave e pikësynimeve të tij nga njera anë dhe masave të marra, ekzistonte një hendek që s’po ngushtohej e s’po kapërcehej dot. Ky konflikt, kjo ndeshje e brendshme dhe e jashtme e ndërgjegjes së Kadaresë, nuk po zgjidhej në favor të tij.
Deri këtu ai e quajti të pamundur vazhdimin, rrugëzgjidhjen, brenda realitetit shqiptar.
Mbase në vetvete u bind që s’mund të shprehej hapur, sepse do kishte konsekuenca të paparashikuara e të pandreqshme për të.
Dhe në këtë ndeshje ndërgjegjeje, Kadareja lëshon frontin shqiptar ku qëndroi mbi tre dekada si krijues dhe u hodh tjetërkund, në anën tjetër të frontit.
Kadareja shprehet se pamundësia e legalitetit të një organizate të pavarur nga Partia, ku mund të vetvepronte pa dorashka e maska, e detyroi të largohet nga Shqipëria. Ai shpreh tronditjen për aktin e kryer dhe askujt s’ja udhëzon veprimin e vet. Bota e Kadaresë është kontradiktore. Ajo shpreh pafuqishmërinë për të rezistuar brenda vendit të vet, ashtu sikurse shpreh fuqishmërinë e ndërmarrjes së një akti ekstrem.
Ai shpreson se populli, intelektualët, do të thellojnë procesin, bile këshillon të shtohen përpjekjet për këtë prej tyre, në vendin që ai braktisi. A nuk është tepër kontradiktor Kadareja, që dhe në krijimet e tij i ka për stil kontrastet? Pra, të tjerët të vazhdojnë të guxojnë, të jenë trima, kurse ai ta shohë dramën shqiptare e konfliktet e saj, as nga salla, por nga larg, aty në ndonjë vilë pariziane, nga ekrani i televizorit e lajmet e AFP-së. Dhe pasi të jetë kryer akti përfundimtar, ai premton se do kthehet përsëri në vendin e vet.
Po si mendon ai të kthehet? Si triumfator? Ai mbase e lidh ikjen e tij me një akt që do nxitë shqiptarët për të ndërmarrë veprime më të thella e të guximshme për ndryshimin e gjendjes. Ndaj dhe kthimin në të ardhmen mund ta quajë triumf e veten e vet ndofta çlirimtar. Por jo. Kadareja nuk është si puna e atij udhëheqësit revolucionar që detyrohet të lerë vendin e vet e ta drejtojë luftën nga jashtë. Në fundshekullin e njëzetë, kopimet e heronjve të shkuar stonojnë. Kadareja, nëqoftëse qenka kaq optimist për kombin shqiptar, që do zerë vendin që meriton në familjen evropiane, s’kish pse ta bënte këtë akt ikjeje. Cfardo pasoje që do t’i ndodhte këtu! Ai, me forcën e fjalës le të vazhdonte t’i shërbente kombit, i cili do kuptonte të vërtetën nga gënjeshtra. Edhe sikur dikush ta frenonte e ta keqtrajtonte deri në diskreditim, dikushi do humbiste e Kadareja do fitonte, do nderohej e respektohej si një hero i vërtetë.
Vërtet thotë se Shqipëria i përket familjes së madhe evropiane, në të cilën ajo duhet të marrë pjesë denjësisht, por nuk drejtohet familja e vet nga dhoma e komshiut, ndonëse e ke ndihmë atë për çdo çast.
Ndaj le të rrinte Kadareja në familjen e vogël shqiptare, e cila s’ka ndërmend të humbë identitetin e vet në çfardo lloj mase e forme të inkuadrohet në bashkësinë evropiane. Vetë identiteti evropian s’mund të konceptohet si një masë amorfe, por si një kompleks i harmonizuar identitetesh kombëtare.
Nëse Kadareja u bind që masat e marra s’premtonin për realizimin e synimeve të tij e nuk shihte ndonjë perspektivë në këtë drejtim, atëhere të mos shprehë deklaratën me besimin se gjendja do ndryshojë e ai me këtë akt ndryshimi do kthehet.
Po qe se ky akt do ndodhë s’afërmi, atëhere Kadareja që paska duruar e shpresuar kaq gjatë, le të duronte edhe pak kohë. Ndryshe kot i shpreh optimizmat dhe ai me pesimizëm për kohë të afërt ndryshimi, preferoi të kalojë pjesën tjetër të jetës në vendin e preferuar, në Francë.
Mbase Kadareja synon të mos heshtë e presë, por të jetë në aktivitet për çka dëshiron të ndodhë në Shqipëri. Koha do ta tregojë masën e preokupimit të tij.
Sot lajmi për Kadarenë na tronditi thellë. Ai ndodhi në një kohë kur hapat e thellimit të demokratizimit duket sikur po shpejtohen. Nëqoftëse dikush do të na mashtrojë e të na krijojë imazhin e ndryshimeve, pa bërë në fakt hapa konkretë, do gabojë rëndë.
Ne besojmë, unë besoj se diçka po lëviz. Jam disi kontradiktor se shoh jo aq intrasigjencë në rrugën e nisur, ndjej një dorë frenuese, që mundohet të gryejë rrotën e historisë, ta ngadalësojë e pse jo, ta ndalë atë. Por, shoh dhe dorën tjetër të kahut pozitiv, që kërkon ta çojë atë përpara.
Tashmë populli po ndërgjegjësohet më shumë se disa drejtuesa në Parti e qeveri. Si nuk e kuptojnë këta drejtuesa se po bëhen qesharakë si Don Kishoti? Ende mendojnë se mund të qëndrojnë hipur, kur koha s’i pranon as zbritur?
Këtu Kadare, do deshnim ta ktheje fjalën në vepra, nëqoftëse ndjeshmëria tënde të shkakton dhimbjen për fatin e popullit, por edhe optimizmin për të ardhmen më të mirë të tij.
Por ti ike e disi na hutove, na trondite. Nuk e prisnim këtë akt prej teje. Nuk mund të na ngrojë fjala jote duke kaluar eterin e mbushur plot zhurmë lajmesh, sensacionesh, britmash, lutjesh, krismash, qarjesh e qeshjesh histerike.
Këto çaste s’jam as me ty atje, as me ata këtu, që frenojnë demokratizimin e veprojnë sa për sy e faqe. Por, jam me atë, jam me ata, që me guxim e vetmohim do t’ja ngrenë lart prestigjin kombit tonë, që shumë ka hequr e pak ka gëzuar. Tani ne e meritojmë që pak të heqim e më shumë të gëzojmë, këtu në trojet tona.
Tani ti Kadare je aty, ndofta në vilën pariziane dhe ose shkruan diçka, ose fle. Por unë e di. Ti s’po fle i qetë, as po shkruan qetë.
Sado të mundohesh ta qetësosh ndërgjegjen me forcën e mendjes tënde, ajo ka një pjesë që të atakon e trondit. Dhe unë s’kam gjumë, por jo në pozitat e tua. Shpirtin e kam dhe unë të trazuar, e përsëri jo si në gjendjen tënde.
Cfardo parapërgatitje të kesh bërë për ta bindur e pastaj qetësuar ndërgjegjen, ai çast kur e shpalle aktin tënd, të ka krijuar tjetër gjendje shpirtërore. Ti që shpesh shkrojte për ëndërrat, iracionalen, fantastiken, tani ke hyrë plotësisht botës së tyre tronditëse. Sa herë të përpiqesh për t’u shkëputur prej kësaj bote torturë, aq më fort do tërhiqesh prej saj.
Koha do ta tregojë fatin tënd të ardhshëm. ......
Koha le të më gjykojë dhe mua, në rast se çka shpreha më sipër, padrejtësisht është rënduar.
___...___

(Fragmente nga një shkrim i datës 1.11.1990 që kanë lidhje me shkrimin e mësipërm)
Kaloi një javë nga shkrimi i fundit. E rilexova atë sot përsëri me sy kritik. Hë, ç’do thuash tani? Mos je bërë pishman për ndonjë pjesë, mos diçka do ndryshosh aty? Jo! Do vazhdoj përsëri shkrimet e mia, qofshin ato dhe kontradiktore.
Megjithatë, është ndryshe kur hedh në letër efektin e çastit, opinionin e çastit, e ndryshe kur kalon një farë kohe dhe je menduar vënçe.
Por mua më pëlqejnë pikërisht mbresat e çastit. Ato përmbajnë shpërthime, hutime, zemërime, pasione të papërsëritshme. Përmbajnë mbase dhe mosnjohje të thellë, por pikërisht këtu ju qëndron papërsëritshmëria. Koha që kalon i sanksionon pastaj të vërtetat nga jo të vërtetat. Nuk jemi profetë, por çdo njeri shfaq me çaste shenja profetizmi.
..... Kur një figurë e shquar e një kombi ndërmerr një akt kaq tronditës, diçka e ka cënuar rëndë organizmin e kombit. C’duhet bërë për ta rikthyer gjendjen normale të organizmit? Këtu sejcili ka gjykimet e veta e duhet të shkëputet nga recetat e gatshme teorike që as të ngrohin, as të ftohin. Pikërisht këtë u mundova të realizoj unë në shkrimin e 25 tetorit. E megjithatë vërej se aty ka injektime të jashtme të atij burimi të njëjtë, që i ve në emërues të përbashkët të pabarazvlershmet.
Por, jam i kënaqur që shumë pak jam prekur nga injektime të tilla. Pse?
Lexoni shtypin e do të bindeni për këtë.
Si “Zëri i Popullit”, ashtu dhe “Drita”, shkruajnë lajmin me të njëjtin emërues të përbashkët. Mirë “Zëri i Popullit s’kish firmë, po “Drita” pse i bashkonte në një firmat e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve?
Nuk ka asgjë të keqe që në faqet e saj, disa personalitete letrare të shfaqnin mendimet e tyre për ikjen e Kadaresë. Pse nuk u bë kjo gjë? Apo do bëhet më vonë? Po kush pengoi të bëhej në kohë, aq më tepër që populli kërkon më shumë se një lajm i shkurtër? Menjëherë intelektualët më në zë të Kosovës e dhanë gjykimin e tyre. Ne s’lemë gjë pa cituar prej Rexhep Qoses, Celës, Krasniqit etj, kur është fjala për shkrimet e thëniet e tyre mbi realitetin kosovar. Drejt apo shtrembër, gjykimet e tyre nuk janë të një diletanti, pra kanë vlerë e përmbajnë të vërteta, i vjen apo s’i vjen mirë ndonjerit tek ne.
Demokratizimi nuk thotë as të hapësh gjithë dyert e kanatat se s’dihet ç’ndodh, por as të mbyllësh 99 e 1 ta lesh hapur, atë tënden. Kjo do të thotë ta kanalizosh në një drejtim demokratizimin. Pse, intelektualët shqiptarë mos vallë janë në një emërues të përbashkët mbi konsideratat e vlerësimet për Kadarenë? Kursesi jo! .........
___...___
 

E ndjej që duhet të ndërhyj prapë. Jo në mes të shkrimeve të mësipërme, që dhe pas 15 vjetëve të tjera s’do më pendojnë për asnjë frazë të tyren(pra s’ka rinusërim), por si një vazhdimësi kohore e ndonjë mendimi të sotshëm, që përsëri nuk ndruhem ta shpreh, për Kadarenë në veçanti dhe krijuesit në përgjithësi.
Tek po i shpjegoja disa pjesë shkrimesh të këtij libri, një të njohuri këtu në Selanik, kur dëgjoi mes tyre emrin e Kadaresë, më ndali fjalën dhe më tha: “Kadareja është kokë e madhe dhe mund të mos priten mirë këto shkrime për të, edhe sikur drejt ta kesh”.
Në fakt edhe mua po më ndiqte një lloj meraku, por jo dileme ama. Ai merak që kam patur edhe atëhere kur recitoja vjershat apo komentoja librat e Kadaresë në shkollë. Sepse i mësoja me gjithë shpirt, i shprehja e shkruaja me pathos, ndaj dhe prisja me merak vlerësimin e mësuesit të letërsisë.
Jo vetëm unë, por edhe miqtë e mi, jo vetëm miqtë e mi, por sa e sa të tjerë si ne, u rritëm me këtë lloj meraku të sinqertë, që buron nga veprime po të sinqerta.
C’faj kam unë, pra, që po me këtë lloj meraku vazhdova edhe atëhere, kur të tjerët as që u bënë merak për fatin tim, tëndin, tonin?
Në këto shkrime nuk bëj komentin e ndonjë romani apo vëllimi poetik, aq të reklamuar e lavdëruar në kohën shkollore. Ju qëndroj edhe sot besnik komenteve të atëhershme, që burojnë nga forma dhe përmbajtja e atyre veprave. Ndiqeni pra këtë të ri, këtë nxënës, këtë student, këtë kuadër, me këtë lloj meraku dhe ndaluni për një çast në fund të viteve ’80-ë dhe fillimin e viteve ’90-ë. Ashtu si unë, edhe ju që i jetuat këto vite, a nuk pamë, a nuk ndjemë, a nuk kuptuam, që një fund po i vinte të shkuarës dhe një fillim i ri po i trokiste Shqipërisë sonë? Nëse ne, të thjeshtit, të merakosurit e përditshëm për jetën tonë, e kuptuam këtë fund e këtë fillim, ç’mund të thuhet për ata, merakçinjtë e mëdhenj të kombit?
Meqenëse në shkrimet e mëposhtme preken më shumë këta “merakçinj”, po kthehem pak në biseda e mësipërme.
“Kujto ato çaste kur ndodhi ikja e Kadaresë”, fillova shpjegimin tim dhe vazhdova, “A s’po e merte fera uratën”?
M’u përgjigj shkurt: ”Kjo dihet nga të gjithë”.
“E po unë këtë çast përshkruaj në ato shkrime. Opinioni shqiptar nuk kishte nevojë për shembuj të tillë të “guximshëm”, që vinin pas të vjelash”.
“Ashtu është”.
“Dhe duke vazhduar me këtë logjikë, arrij deri aty sa të them: Iku kur duhej të rrinte dhe ndenji kur duhej të ikte”.
I njohuri në fjalë, duke tundur kokën, tha vetëm kaq: “Në këtë drejtim ke të drejtë, por edhe guxim që do t’i nxjerrësh në libër këto shkrime”.
Kur të shohë në faqet e librit këtë bisedë, do kuptojë më mirë vazhdimësinë e guximit tim, por është rasti t’i them, që më tepër se guxim, është një obligim i pandalshëm i Mondit të panjohur, në këtë botë kaq të panjohur e të njohur njëkohësisht.
___...___
 
12.11.1990
Të takon ty Donald ta çelësh faqen e parë të bllokut. Jo pa qëllim e bëj këtë.
Së pari, se ti je gëzimi më i madh për mua.
Së dyti, se dua që shënimet e tjera të jenë të çiltra, të pastra, të padjallëzuara, siç je ti në këtë moshë.
..... Tani ti je i pastër si kristali, i bardhë siç ke fytyrën e bukur, i kaltër siç ke syçkat, i qeshur siç ke buzkat, i ëmbël siç ke zërin e puthjen tënde. Je padjallëzia ideale, në një shoqëri jo ideale.
I kalove dy vjet e gjysmë. I sigurt në të ecur, i etur për të folur, më shumë i shkathët e i dëgjuar. Je gjallëria e shtëpisë, e pakëmbyeshme me më fantastiken gjallëri të natyrës. Mbase dhe natyra të njëjtën gjallëri mbur......
___...___
 
13.11.1990

..........Tani e kam ndërgjegjen të trazuar për ç’ka po kalon kombi ynë. Sejcili ka përgjegjësinë morale për fatin e kombit të vet, qoftë personalitet i çdo rangu, qoftë qytetar i thjeshtë.
Dua o bir ta heq krejt mikrocipën, që dalngadalë dikush na i veshi fytyrës për të na bërë dyfytyrësh. Kujtdo i dukej se kishte fytyrën e vet, pa vënë re cipën, maskën.
Padjallëzia rinore nuk mund të kuptonte ironinë e realitetit.
Por unë, o bir, e njoha shpejt realitetin dhe po me atë shpejtësi shkatërrova cipën, sado e vogël t’ishte ajo.
Unë Donald, kam bindjet e mia tashmë. Ato më thonë që e vërteta duhet parë në sy, në do të jesh i vërtetë vetë. Ndryshe gënjen veten me iluzione, ashtu sikurse shkatërron veten nga deziluzionet.
Bindjet e mia në fillim rrjedhin si ajo ujvara mahnitëse, por më pas përplasen si në fundin e saj, shkumbojnë dhe zhurmojnë fort, derisa në konflikt e polemikë, gjejnë shtratin rrjedhës të tyre.
Mendimet e mia, o bir, përmbajnë frymëzimin adoleshent. (Oh sa tepër zgjati kjo adoleshencë mendimesh fluturuese!)
Teoria marksiste të ngjall frymëzimin në moshën 15-20 vjeçare. Endërrat e së ardhmes të japin krahë e ti kujton se i tillë bëhet realiteti. Ti vrapon e kujton se po me atë shpejtësi vrapon dhe realiteti. Ndal pastaj vrapin për të marrë frymë për më tej, por ç’të shohësh? Je i vetëm në universin ku ke arritur. Mos vallë deziluzionohesh për ç’ka ke fluturuar në ide? Jo! Megjithatë, deziluzionohesh. Për çfarë pra? Për realitetin që s’të ndoqi pas, apo për veten që e çove aq përpara realitetit? Për të dyja bashkë.
Atëhere i rikthehesh realitetit dhe vetvetes. Zbret nga maja e Olimpit, në tokën tënde. Fillon ta shohësh drejt e në sy realitetin dhe thua, dhe pyet: “Kush e ka fajin për prapambetjen e tij!?
Siç e fillova, aj të mbaroj. Prandaj boll për sot, për t’i shprehur më të përmbledhura mendimet e mia.
C’kusur ti Donald të merresh me to, atëhere kur s’dihet çfarë realiteti do jetë. Ndofta do çuditesh, ndofta do të të vijë keq. Vetëm gjyq mos më bëj, se ty do të të marr për avokat mbrojtës.
___...___
 
18.11.1990

Ka kohë që faqet e shtypit ju kanë lëshuar vend shkrimeve të intelektualëve. Ka aty mendime e reflektime të ndryshme. Ndryshe nga më parë, shprehet guximi intelektual, larg kornizave standarte që ju ka dalë boja.
Më parë, porsa nisja leximin e një shkrimi, rrallë e përfundoja. E merrja me mend vazhdimin e tij. Ishin shkrime me shumë citime të njohura e frazeologji të përsëritur, që rridhnin në një shtrat të hapur njëherë e që s’ndryshonte. Ata që i shkruanin e kishin të lehtë dhe të vështirë. Fjalën e kam për shkruesin e përgatitur, jo për kalemxhinj amatorë mediokër.
Pra, ata të parët, e kishin lehtë, pasi mjaftonte që në tryezën e punës të hapnin dy-tri libra. Si psh, raportin në Kongres, broshurë me ndonjë fjalim të kohës dhe shkrimi të merrte rrugën e vet. Aftësia për të marrë citate e thënie e për t’i zgjeruar me bagazhin e vet intelektual, prodhonte çuditërisht artikullin e kërkuar me partishmëri e jo zbehje realiteti.
Kryesisht të fillonte hyrja me një thënie Kongresi a Plenumi e të mbyllej me optimizmin e madh se “nën udhëheqjen e Partisë, me mësimet e shokut Enver në mendje e zemër, busull të pagabueshme, më përpara do t’i çojmë fitoret”, etj, etj, ose përsëri me një kopim thënieje të udhëheqësit.
Shkrime të tilla të stampuara, pa kurfarë origjinaliteti krijues të autorit, ju vinin për shtat redaktorëve, kërkesave të shtypit mediokër, duke ja u servirur lexuesve.
Midis artikujve dhe lexuesve ishte vendosur një unitet artificial, jo thelbësor, jo i ndjeshëm. Artikullshkruesi kujtonte se e kish kryer detyrën, ashtu sikurse lexuesi kujtonte se i tillë duhej artikulli. Cdo devijim, sado i vogël, vinte nga i “paudhi” e duhej dënuar.
Kjo “harmoni” krijonte mendësinë e gabuar të të dy palëve, se qëllimi ishte arritur. Direktiva e dhënë u zbërthye e duhej lexuar në kolektiv, ku të nxirreshin detyra konkrete, të hartoheshin programe, etj, etj.
Ndodhte që brenda një viti, të kërkohej nga kolektivi, ndërmarrja, se sa do ta tejkalonte planin, sa do kursente, et, etj, pa patur kurfarë përmirësimi teknologjik.
Në artikuj mungonte kritika e sinqertë nga poshtë-lart për probleme thelbësore. Direktiva nuk duhej diskutuar e vënë në dyshim. Ajo konsiderohej si e vërtetë përfundimtare, e pagabueshme.
Nga se vinte kjo marrëveshje midis artikullshkruesit dhe pranuesit të tij, ky mosguxim për të shprehur vërejtje e kritika, sugjerime, mendime të kundërta? Mediokriteti është një shkak. Por ka dhe shkaqe të tjera. Ato koncepte shabllone të formuara njëherë në disa koka drejtuese e që u kthyen në tabu. Prej tyre lindën rregulla e struktura të ngurta, standarte, dogmatike e sektare. Ato quheshin gur prove i besnikërisë, drejtësisë, etj.
Dalngadalë lindi ajo formë të menduari e vepruari, që duhej t’ju përgjigjej tabuve të tilla. Forca mendore, aftësia e intelektualit, u kanalizuan në skema të tilla, si puna e parafabrikateve. Me to mjaftonte pra montimi dhe godina ishte gati.
Intelektualët dalngadalë ranë në rrjetën dogmatike, skematike e mediokre dhe endën më tej pëlhurën e saj, pa kuptuar se po ju shteronin aftësitë e intelektit të vet.
Por, ata çuditërisht e panë veten të nderuar në instancat e larta. Shumë syresh morrën tituj e grada shkencore e kjo ju mjaftonte. Të tjerë që mundën të kuptonin iluzionin, u tërhoqën në zanatin e vet dhe të deziluzionuar psherëtinin për kohën që po ikte kot, për kohën e humbur. Precipitimi intelektual s’kish si mos ndodhte.
Por sot, kur guximi intelektual e ka thyer kornizën e vjetëruar të trumbetimeve e deklamacioneve euforike, shoh se disa pehlivanë intelektualë, duke përdorur disa frazeologji justifikuese, na dalin si luftëtarë të mendimit të emancipuar, të demokratizuar. Në emër të dialektikës, të ecjes përpara, të stadeve të reja të paparashikuara dot dekada më parë, këta pseudointelektualë trumbetojnë si solistë më vete, kur më parë preferonin të ishin në orkestër ose në kor, pasi aty mund të fshihnin veten nga ndonjë stonim.
Ky kameleonizëm i bën qesharakë sot, kur lexuesit e rregullt dinë të krahasojnë e ballafaqojnë mendimet e shprehura vite më parë, me të sotmet. Nuk ka në to kurfarë dialektike, kurfarë kalimi shkencor nga e panjohura në njohje, se kjo do ishte e pranueshme. Por ka kthesa të çuditshme, kapërcime jo të këndshme, mohime e pohime si në lojën e kungulleshkave. Bëhen shumë ankesa për kohën e shkuar, jo s’u veprua mirë në këtë drejtim, jo u përshpejtua në drejtimin tjetër. Ngrihen disa nga sfera e artit dhe lëshojnë rrufera ndaj mediokërve, burokratëve, administratës që i paska frenuar, censuruar, duke i shtyrë deri në autocensurë, ndaj politizimit të gjërave, etj, etj.
Kjo, sipas tyre, ka shkaktuar shterpësinë e mjaft krijuesve, skematizmin, dobësinë në formë e në përmbajtje të veprave.
Që faktorët e mësipërm kanë ndikuar keq e rëndë kjo dihet, por që i mëshohet fort kësaj ane, kjo më duket e tejkaluar dhe si një ombrellë e re e të paaftëve.
Pra përsëri po na shfaqet një shtresë mediokrësh, që në emër të luftës kundër mediokritetit, po vetëmbrohen. Ata zhveshin shpatat ndaj pengesave të shkuara, në vend që të çanin guackën e mediokritetit të vet e me sinqeritet të tërhiqeshin nga pretendimet e tyre. Unë kam lexuar disa krijime të shpatzhveshurve të tillë. Ata kanë qenë të parët që mbushën faqet e revistave letrare me krijime, që as të ngrohnin, as të ftohnin. Ato nuk të ngjallin kënaqësi estetike. Nuk thua, “Gjynah, talentin e tij e ka përdorur në një krijim pa kurfarë përmbajtje”. Sepse, i talentuari edhe kur përdor autocensurën, dallohet përmes forcës shprehëse. Apo edhe në këtë forcë qenka përdorur autocensura!? E kam fjalën për atë forcë shprehëse, që dhe një përmbajtje për të “qenë brenda” e bën tërheqëse përmes figuracionit, anës artistike të paraqitjes. Atëhere me të drejtë do thosha: “C’torturë shpirtërore ka hequr krijuesi i talentuar për të harmonizuar në një, dy kundërti, ku njerën ia imponon rrethana e tjetrën talenti i vet. Që ka të tillë kjo dihet, por që ka dhe të atillë që ju ka munguar talenti dhe se kanë patur vështirë harmonizimin e kërkesave të rrethanave me aftësitë krijuese të tyre, këtë s’duhet ta fshehim. Janë pikërisht këta, që sot kur pengesat e mëparshme duket që po zhduken dhe e ndjejnë se do zbulohet mediokriteti i tyre, nxitojnë të shfajësohen, ta quajnë veten viktimë të pengesave e kufizimeve administrative. Kështu këta heronj prej letre, që më parë mburreshin me veprat e tyre, tashmë duan të qëndrojnë përsëri hipur në fronin e lavdisë.
Por ne nuk na duhen qarjet e tyre, pasi ato s’janë si qarjet e fëmijës që e ka të ardhmen përpara. Ata mbase qahen nga zori. Për ta, më mirë si më parë, por meqenëse procesi është i pakthyeshëm, mjafton e qara për të prekur lexuesit e sotëm.
Ja u pamë hajrin atyre. Boll faqet e shtypit po i nderojnë duke ju lënë vend për kësi qarjesh hipokrite! Ata janë qenie dyfytyrëshe, që nesër s’përtojnë të bëhen tre e katërfytyrësh, po ta kërkojë situata.
Duam ata, që intrasigjentë në mendimet e tyre, i kanë shërbyer dhe i shërbejnë kombit me forcën e fjalës së tyre. Kur i lexoj shkrimet e këtyre, ndjej kënaqësi, frymëzim dhe them se kombi ynë ka patur e do të ketë kurdoherë intelektualë të shquar, brenda e jashtë Atdheut, që obligohen për të ardhmen me mish e shpirt.
Këta janë me të vërtetë pararoja e kombit e jo ata, qaramanët, mediokrit, që ende s’po lëvizin nga karriket, këtu e dhjetra vjet me radhë.
(Ku të lenë kushtet të shkruash qetë. Këtu, në një dhomë, ti Donald vërtitesh e trazon çdo gjë. Mami Mira po më lutet të vishem, se do shkojmë për urim dhe unë ç’duhet të bëj? Ndaj dhe nxitoj dhe i ndal mendimet, aty ku më ka rrëmbyer frymëzimi më shumë)
___...___
 
Porsa mbarova së lexuari këtë shkrim, as vetë s’e di si më erdhën mendimet në vazhdim tani pas 15 vjetëve, si një kompensim i ndërprerjes së tyre në atë kohë, nga i vogli Donald dhe Mirushja time. Janë aq adekuate këto mendime, sa mund të mos besosh në firmosjen e tyre në kohën e sotme.
Nuk di ç’emër t’i ve të njëjtit personalitet, shumë apo pak të njohur, për veprën e tij krijuese në dy kohë kaq të kundërta me njera-tjetrën. Kemi metamorfozën e mëposhtme:
1. Vepër në shërbim të kombit, bashkë me Vepër në shërbim të regjimit.
2. Vepër në shërbim të kombit, bashkë me Vepër në injorim të ish regjimit.
Nuk mundesh, mor zotëri, që të më mëkosh dhe emocionosh njëlloj, me dy vepra diametralisht të kundërta në botkuptim. Mos gënje as veten dhe as mua me alibinë e autocensurës, e cila kuptohet e ndjehet në një vepër dhe nga më i thjeshti lexues shqiptar. Pse e them këtë? Sepse, në një formë a tjetër, edhe ai e ka provuar në jetën e tij të përditshme, këtë lloj autoncesure.
Avash, avash, kjo autocensurë, tek disa u kthye në bindje, tek disa u bë pjesë e imponueshme në veprimtarinë e përditshme, tek disa shkaktoi strese e tronditje psiqike, tek disa mospërmbajtje e kundërshtime, me pasoja deri në kapitale për jetën e tyre.
Ajo që unë ngulmoj, si më parë edhe sot, është dalja e së vërtetës për të persekutuarit e vërtetë nga ata në komoditet. Sepse të dytët, që thoni ju, heronj i njohëm atëhere, heronj po shfaqen edhe sot. Ky emërues i njëjtë, për të kundërta thelbësore, është injorimi më i paturpshëm që mund t’i bëhet hapësirës dhe kohës së një vendi, vetë historisë së tij.
___...___
 


(Fjalim i mbajtur në Konferencën e Partisë së rrethit në Korçë. Viti 1991)
Tek vendosa për të folur këtu para jush, m’u kujtua ajo shprehja e famshme shekspiriane: Të rrosh a të mos rrosh!
Më keq se kjo dilemë, është ajo që ndjeja unë, mbase dhe shumë të tjerë si unë: Të heshtësh apo të mos heshtësh! Tashmë e dimë pozicionin e derisotëm të mjaft njerëzve, të të heshturve dhe të të mos’heshturve.
Cudia më e madhe ishte se ndodhi një paradoks. Ata që nuk heshtën së trumbetuari fitoret dhe sukseset, marshimet triumfale dhe më të lumturën jetë në botë, kur kombi u ndodh në sikletin më të madh të pasluftës, heshtën tmerrësisht. Ata që çirreshin nëpër mitingje e parada madhështore dhe që rradhitnin në gjoks sa e sa medalje e dekorata, kur populli u ndodh në udhëkryq, u tulatën, u fshehën, e ç’është më e keqja, me konservatorizmin e dogmatizmin e tyre ekstrem, u bënë pengesë për demokratizimin. Ata që cilësitë e anëtarit të Partisë t’i kërkonin përmendësh, para se të të jepnin teserën e kuqe dhe stërbetoheshin për besnikëri e vetmohim ndaj idealeve socialiste dhe komuniste, kur ekstremitetet po shfaqeshin dhe po shkaktonin konsekuenca të papranueshme për demokracinë në Shqipëri, i shkelën me të dyja këmbët idealet, duke treguar se sa ishin shpërbërë dhe tjetërsuar. Ali Kelmendi e Qemali, Vojua e Perlati, Vasil Shanto e sa e sa militantë të tjerë dëshmorë, janë të ofenduar nga këta pasardhës bastardë, që u kthyen në antipod të fillesës së tyre.
Të heshtësh apo të mos heshtësh?!
C’është kjo dilemë? Frikë apo maturi, taktikë apo djallëzi, pendim apo hipokrizi?
Ju pyes të gjithëve ju, që jeni mbledhur në organizata edhe për një punëtor me të ashtuquajturën shfaqje të huaj, lere pastaj për krizën e kapitalizmit e varfërinë e madhe të proletariatit. Ju pyes: Ku vanë botkuptimi e formimi marksist-leninist, kur erdhi çasti për të gjykuar mbi ekseset që po tronditnin realitetin tonë? Asnjë gjykim, mendim, për ç’ka po ndodhte, ndonëse ato ç’ka po ndodhnin në vetë veprimtarinë teorike e praktike të Partisë së Punës, binin ndesh me tërë formimin m-l prej dekadash. Me slloganin qesharak e naiv të përshtatjes ndaj kushteve të reja të krijuara, ranë dhe katet e fundit të ndërtesës teorike që u ngritën pas viteve 70-ë. Cudi? Prej mbi një shekull kjo ndërtesë s’pyeti për ndryshimin e kushteve në botë dhe ja, tani pa të keq mund të bësh me të si të duash brenda vitit e pse jo brenda muajit.
Mos janë gjëra të reja ato që po thuhen e bota si paska ditur më parë?
Do të ishte kontribut i pamohueshëm i yni, por jo shokë e shoqe, jemi tepër të vonuar për të marrë flamurin e vazhduesit e përshtatësit sipas kushteve, të m-l.
Ka dekada që bota e njeh ekonominë e tregut, pluralizmin, etj norma, kategori e ligje.
Të heshtësh apo të mos heshtësh?!
Ja ata që i shihnim në fotografi gjigande ditëve festive, ashtu, sup më sup e më pas të veçuar nëpër godina e institucione, ata pra, ç’u bënë, ku vanë, kur vendi e populli u ndodh në pikë të hallit? Po unë, ti, ne, ju, ku ishim, ç’u bëmë? Vetëm faqja duhet të na skuqet? Sa turp!
Ngjarjet rrodhën si ortek i papërmbajtshëm. Partiakët tanë shfaqeshin kurdoherë pas të vjelash. Edhe kur dikush me fanatizmin e tij shfaqej në mes, ngjante më tepër si Don Kishot e bëhej qesharak. Sa turp!
Nuk është koha e vendi të teorizoj, as të replikoj me ndonjë.
Nëqoftëse dikë që ndroi karike mund ta akuzoni për karierist, dikë që hyn në PP, për të përfituar prej saj, dikë që shan çdo gjë, për mosmirënjohës, etj, etj, për çfarë do më akuzoni mua, që kur të tjerët e bënë stazhin jashtë shtetit apo në vendin e tyre të punës, pra në kushte komode, morra rrugën për afro tre vjet në fshatin më të skajshëm të rrethit tonë? Unë, bir luftëtari e punëtori të ndershëm, që detyrat e klasës i bëja në prehër dhe refren ushqimi kisha përsheshin me çajë(s’është për të qeshur), paskam patur nevojë të kalitem, formohem në majë të malit, jashtë profilit të shkollës, me një barë hallesh familjare, kurse ata, fëmijët e tyre, që as në filma se kanë parë vuajtjen, duhej të hipnin aeroplanin e të bridhnin Europës, asaj Europe që për ne është më e lërgët se Hëna?! Dhe kur unë, përsëri me ndershmërinë time, me besnikërinë time ndaj idealit, ankohesha e ngrija zërin në instanca të larta për shtrembërime etj, etj, duhej të ndeshesha me përbindëshat burokratë partiakë e shtetërorë.
Duke treguar këtë shembull vetiak, nuk dua t’ju ha kohë, përkundrazi, dua t’ju tregoj se sa kohë na është ngrënë të gjithëve ne, nga ata që sot i tremben vetë kohës së vërtetë.
Tashmë flitet e shkruhet shumë për rinovim të Partisë. Shumë e thonë e pak e kuptojnë. Dikush kupton se rinovim është heqja e të vjetrit dhe vënia e të riut. Harron ky se vazhdimisht janë hequr me hir a pahir të vjetrit e janë vënë të rinj, e përsëri rinovimi s’ka ndodhur. Janë të vjetrit e sotëm, të rinjtë e dikurshëm, që erdhën nga baza dhe u tjetërsuan aq shpejt. Dikush kupton se po ai që dje thosh-ASHTU-, sot mjafton të thotë –JO ASHTU- dhe rinovimi u bë. Këta aktorë dyrolesh pa kurfarë karakteri e dinjiteti, pa kurfarë ideali, kthejnë fletën sipas erës që fryn, mjafton të mos hidhen në kosh të plehrave. Jo shokë e shoqe. Rinovimi s’është proces komod, as kozmetikë që fytyra e vjetër bën për t’u dukur e re. Më tepër se rinovim, ky proces duhet të jetë mohim e pohim dialektik. E që të bëhet kjo gjë, duhet të pranojmë dhe dhimbjet që do ta shoqërojnë atë. Janë si dhimbjet e lindjes, ndaj të mos hutohemi, mos trembemi e alarmohemi. Ata po, ata që mohohen le të alarmohen. Ata do përpiqen ta barazojnë mohimin e tyre me mohimin e historisë e ku ta di unë ç’mund t’ju pjellë fantazia. Por në këtë mohim të dogmave të bartësve të tyre, në këtë mohim të praktikave burokratike që si merimangë po ja zinin frymën kombit, kryhet pohimi i të mirës, i progresit të vërtetë e bartësve të tij. Ky pohim tashmë s’do jetë më pjellë e fantazive, subjektivizmave, e egove, utopive, por e nje realiteti në ndryshim e zhvillim. E vërteta s’do fshihet më pas citateve e deklaratave pompoze, pas fasadës prej bukë peshku e tullumbaceve shumëngjyrëse. Populli vetë nuk duron e s’do durojë më hipnotizime të tilla. Kohët me të vërtetë kanë ndryshuar. Më lejoni të prek dy kohë të skajshme. Së pari atë të pasçlirimit. Populli entusiast u ngrit në këmbë për rindërtimin e vendit. Ai besonte sinqerisht në të ardhmen, ndaj s’pyeti për sakrifica. Kredia që ai i dha udhëheqjes ishte e përligjur. Por ndërsa populli vazhdoi të mirëbesojë, udhëheqja çuditërisht abuzoi nga ky mirëbesim dhe u ngjit në majën e Olimpit. A mund të fajësohet populli për këtë mirëbesim? Kursesi. “E meta që mund të falet më lehtë është mirëbesimi”, është përgjigjur dikur Marksi.
Ja dhe skaji tjetër, vitet 80-ë me kulminacionet e fundit të viteve 90-ë. Ndërsa trumbetimet vazhdonin, disfatat pasonin njera-tjetrën. E vërteta fshihej, fasada zbukurohej e na servirej me gjithë mjetet e informacionet. Kështu kredia e dhënë u tejzgjat, aq sa u kthye në një borxh të pashlyeshëm. Partiakët dhe qeveritarët e burokratizuar u kthyen në debitorë kokëfortë dhe sot ata s’kanë kurfarë të drejte morale të qëndrojnë në krye. Atyre nuk ju vjen në ndihmë as Marksi, as Lenini. Ishin bile këta që e bënë paçavure teorinë e Marksit e të Leninit.
Kur ekonomia sovjetike në vitet 20-ë ndodhej në gjendje të rënduar, Lenini jo më me tonin e dikurshëm theksoi: “Gjatë këtij viti ne provuam me qartësinë më të madhe se nuk dimë të drejtojmë ekonominë. Ky është një mësim i madh. Ose në vitin tjetër do të provojmë të kundërtën ose pushteti sovjetik nuk mund të ekzistojë”.
Por të “pagabueshmit” tanë të instancave të larta partiake e shtetërore as që e kanë ndjerë paralajmërimin e bërë 70 vjet më parë. Dhe ndërsa humbet modestia, për të marrë autorësinë e çdo fitoreje a suksesi, nuk stepen për ta ndarë atë me ne, kur është fjala për gabime e dështime.
Jo, shokë e shoqe! Nuk njeh historia e njerëzimit popuj të shkrehur, por drejtues të shkrehur.
Kur gjendja arrin në caqe tejet të skajshme, pra kur populli nuk mund të jetojë më siç ka jetuar e kur ata që janë në krye nuk mund të drejtojnë më me mjetet e mëparëshme, dihet konflikti që ndodh e që arrin përmasat e një revolucioni. Nëse ky konflikt kthehet në përleshje apo jo, varet nga mjaft faktorë objektivë e subjektivë. Në rastin tonë, kjo kontradiktë që përmban mohim e pohim, i ka mundësitë të zgjidhet në kahun pozitiv, me një kusht ama, kur ata që s’mund të drejtojnë si më parë të tërhiqen nga skena drejtuese dhe vendin e tyre ta zenë ata që do bëjnë që populli të jetojë me të vërtetë ndryshe nga më parë, ashtu siç i ka hije, si komb në familjen e kombeve evropiane.
____...____



3 qershor 1991

Sot i dorëzova teserën e anëtarit të PPSH, sekretarit të byrosë të PP të ndërmarrjes.
Ishte ky akt, rrjedhojë e zhgënjimit të madh që pësova nga hendeku i krijuar midis idealeve të mia dhe veprës së kësaj partie. Shpesh thuhet që s’duhet indentifikuar Partia me bastardët e saj. Nuk mund ta kuptoj dot objektin pa subjektin në sferën politike, sociale, pra në fushën e shoqërisë njerëzore. Nuk pashë kërkënd që në majë të piramidës partiake të ishte komunisti i vërtetë, siç predikonte vetë lideri i PP. Me llafe të bukura ky popull u hipnotizua e kaloi në një mirëbesim e bindje të verbër, që e çoi, ja, këtu ku jemi, për faqe të zezë!
Duke shkruar këto mendime, nuk kërkoj, as nuk synoj ndonjë shfajësim, për aq sa militova në radhët e PP.
I pamolepsur, i pakomprometuar në jetë, kur hyra në Parti ndesha me më shumë të molepsur e të komprometuar. U çudita vërtet, unë i padjallëzuari idealist, por isha futur në valle. E ndjeja se stonoja, se nuk e hidhja dot këmbën si të tjerët, por kujtoja se do ndikoja unë tek ta e jo ata tek unë. Aq u ndesha, aq u trondita, aq vuajta e përsëri mbijetova. Gjithshka e pastër në botkuptimin tim, u ndodh përballë bastardëve monstruozë, që po më gryenin shpirtin. Falë besimit të vetvetes, që s’pësova depresion psiqik.
Thosha se këta bastardë s’janë e gjithë Partia, e gjithë udhëheqja, por kot iluzionohesha. Maja e piramidës ishte vetë burimi i të këqijave. Shpejt u shfaq kjo e keqe. C’thuhej sot, nuk thuhej nesër e shpejt ndrohej fleta pa kurfarë dinjiteti. Teoria u bë çorbë. Mendja ime e brumosur me disa koncepte bazë të teorisë m-l, nuk pranonte budallallëqe të tilla. I shpreha këto gjithandej, deri në një takim komunistësh të disa ndërmarrjeve. Por gjithshka në vesh të shurdhër.
De facto nuk e quaja veten më anëtar të PP, sidomos qysh në dhjetorin 1990. Vendosa qysh atëhere mos paguaja kuotizacionin.
Por diku dëshiroja të shprehesha hapur, për hir të atij ideali që i mbante dhe i mban mjaft njerëz ende në rradhët e PP.
Dhe radha erdhi. Kërkova të zgjidhesha delegat në Konferencën e PP të rrethit. Me votim fitova.
Përgatita në çast diskutimin dhe ndonëse skenari i Konferencës ishte i parapërgatitur, u ngrita e fola. Shumë dëgjuan e pak kuptuan. Isha përgatitur për fyerje e sharje, nga ata që me ovacionizmat e tyre ja morrën frymën Partisë. Vura re se përsëri ata u zgjodhën në instancat partiake në rreth dhe delegatë në Kongresin e 10-ë të PP. U zhgënjeva. Nga njera anë thirrje për rinovim, nga ana tjetër kozmetikra qesharake. Thashë ç’ndjeja, me gjakftohtësi. Ata që më kuptuan e sot e kësaj dite më japin dorën me përzemërsi.
Qysh të nesërmen i dërgova letër byrosë të PP në rreth, ku i kërkoja të thirresha para saj. Përzemërsia e sekretarit mbeti me kaq e sot e kësaj dite vazhdon heshtja. Pra, të porsazgjedhurit nuk merakosen për fatin e një anëtari të PP.
Kam krijuar bindjen se PP e ka marrë tatëpjeta, sado rinovime speciale të bëjë. Ajo i nxorri dhe i shiti lirë idealet, në mos i fali ato, për hir të rruajtjes së pushtetit, të kolltuqeve.
Në një Parti, që s’ka më kurfarë ideali, a mund të qëndroja unë ende dhe të gënjeja veten? Kursesi jo!
Në këtë shkrim, nuk u ndala në analiza. Dëshiroja vetëm të hidhja lajmin e largimit tim nga radhët e PP.
Në doni të dini mendimet e mia, lexoni të paktën diskutimin tim në Konferencën e PP në rreth dhe letrën drejtuar Byrosë të porsazgjedhur.
Duke dalë nga kjo Parti, nuk i kam hedhur sytë në derën e ndonjë Partie tjetër, pavarësisht nga opinionet që kam krijuar për gjithë partitë opozitare.
E sh t ë m j e r a n a i, q ë p ë r h i r t ë P a r t i s ë n d r o n i d e a l e t dh e i g u x i m sh ë m a i, q ë p ë r h i r t ë i d e a l i t n d r o n P a r t i n ë.
Hë për hë, idealet e mia i përmbush Partia ime imagjinare. Më lejoni të qëndroj besnik i saj. Më lejoni të qetësoj vetveten pas zhgënjimeve të tilla, që i shkaktoi PP ndërgjegjes së kombit.
(Shënim: Cudi ç’koencidencë! Më 2 qershor 1989 u pranova anëtar i PP e sot më 3 qershor 1991, pra vetëm një ditë pas dy vjetësh, dorëzova teserën. Ndërgjegja më thotë se veprova drejt. Koha le të gjykojë, por s’besoj se ka më të fortë në qënien njerëzore se gjyqi i ndërgjegjes. Ka kohë që po e bëj atë dhe ja ku më çoi ai sot de jure)
___...___
 


13.9.1991

Pasi u bëmë robër të gazetave, “harruam” vetveten. Ka aq shumë gazeta, aq shumë artikuj, sa zemë radhën e leximit, më keq se radha për qumësht.
Mendja shqiptare më në fund doli nga qelia në ajër. Pavarësisht nga ndonjë subjektivizëm apo tendencë, shkrimet e pafund të ftojnë për vetgjykim. Askush s’të imponohet, s’të ve kornizë.
Më në fund!
Po le t’i lemë këto gjykime e mendime për ngjarjet. Kanë ndodhur aq ngjarje, sa është e pamundur dhe e përmbledhura e tyre. Mendja është bërë e paduruar për t’i përsëritur këtë herë sipas ritmit të të shkruarit.
Veçse dua të theksoj, se jetojmë në një fazë ku e vjetra vërtet tërheq prej flokësh, por e reja është më e fuqishme dhe tërheq përpara. Eshtë fazë tranzicioni ku ekstremet mundohen të sensacionojnë klimën shqiptare.
I përmban dialektika e zhvillimit edhe mëdyshjet, edhe frenimet dhe revanet. Të mos alarmohemi, se asgjë s’fitojmë. Shinat nuk shtrihen në terren të gatshëm.
Duan s’duan enveristët dogmatikë, jeta do vazhdojë më e bukur se më parë. Më parë bukuria ishte false, në aparencë, fasadiste. Oh, sa na gënjyen fasadmashtruesit hipokritë! Bukpeshku ishte lënda e parë, krahas çimentos për bunkerë, që na gozhduan e robtuan tërë jetën.
Nejse. Tjetër gjë dëshiroj të shkruaj, pas një ndërprerje kaq të gjatë. Në jetën familjare kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Më 10 korrik iku me mendimin për të qëndruar përherë pranë motrës dhe vëllaj, Vangjushi. Më 8 shtator përcollëm edhe Lidan, kurse Eva e vogël do vazhdojë të thithë ende ajrin elbasanas.
Shpresojnë për më mirë, ndaj dhe u morrën këto hapa të guximshme. Unë po rri këtu, në shtëpinë time, në Korçë. M’u krijua mundësia e zgjerimit dhe në përgjithësi shtëpia është e rregulluar hijshëm. Kjo mbetet tashmë “kasollja e xha Tomit”, kurdoherë e hapur për të afërmit e zemrës dhe gjithë ata që na respektojnë e duan të mirën. Uroj që dhe vëllajt me nusen t’ju vejë mbarë. Ndonëse e di nivelin e jetesës në Greqi, kam merak, pasi vend tjetër është dhe duhet të mësohesh me rregullat, zakonet, jetesën e atjeshme. Kam besim që do t’ja dalin mbanë. Shumë njerëz më pyesin: Po ti pse nuk ikën? S’dua të bëj moral. Troç muhabeti! Nuk ndjej ende forca për të ndruar jetesë.. Për hir të një mirëqënie të shpejtuar, s’dua të sakrifikoj dhe të hedh poshtë profesionin e fituar, pavarësisht nga mangësitë e tij. Ky profesion nuk mund të adoptohet menjëherë në një vend tjetër. Dhe mosditja e një gjuhe perëndimore (na rroftë rusishtja) pengon mjaft adoptimin. Ndofta dikush mund të përmendë ndjenjat patriotike, kombëtare, etj. Po kush tha se e ikura jashtë i zhduk këto ndjenja? Duhet të jesh njeri në radhë të parë, pa të jesh patriot. E kundërta ç’kuptim ka? E në botë, përtej kufijve tanë, njerëz jetojnë, që kanë ditur ta lartësojnë veten e kështu dhe kombin. Këtë dëshiroj të arrij edhe unë, brenda apo jashtë qofsha. Tani jetoj këtu e them të vazhdoj këtu. E ardhmja s’di ç’drejtim do të më japë. Kaq dhe për moralin patriotik.
Të kthehem tek shtëpia e të afërmit. Tani dy të tretat e zemrës i kam aty, në Selanik. Malli i lindur muaj më parë tashmë mbetet i vazhdueshëm, pavarësisht nga çmallje të vogla, stacionare. Komunikimi i vështirë telefonik, ndonjë letër e vonuar, janë hë për hë lidhja me të afërmit e zemrës.........
Donald i dashur! Ti u bërë shkaku i parë i çeljes së ditarit, por siç e sheh babi tënd devijoi nga stacionet. Besoj se ti e fal që babi tënd e ka mbushur ditarin edhe me ngjarje e mendime të tjera. Ti tani je mbi tre vjet e katër muaj. Je lezetuar e akoma më magjepës do ishe sikur t’ju afroheshe shalkave të Deas. Mbi të gjitha, ti je djalkë i dëgjueshëm. Babi tënd të le të lozësh jashtë e kur të thërret, ti menjëherë bindesh e vjen në shtëpi.
Bën pak naze në të ngrënë e unë që dua të të shoh më buçko e kam tepruar ca duke venë dorë mbi ty. Por ka afro një javë që s’të kam prekur majën e flokut dhe kam vendosur mos t’i skuq shalkat (se aq ke, mor qerata!). Ti je i sjellshëm dhe i thua plot kuptim llafkat. Janë të shumta mendimet e tua të lezetshme. Vazhdon të vesh në çerdhe e me sa duket nga tetori mund të kalosh në kopësht.
Meqenëse ti po rritesh, a nuk e dëshiron një motër? Ja, mami po ta plotëson dëshirën. Në fakt ne se dimë ç’është, motër apo vëllaçkë, por duam që të kesh një motër. Edhe vëllaçkë po u bë, njëlloj do ta duam. Me shëndet e kësmet së pari, pa çdo gjë vete mbarë pastaj.
E di sa është ora tani? Për dhjetë minuta vete 23.00. Si thua (ndonëse po fle), ta mbyll me kaq për sot?
___...___

8.10.1991

As gjumi s’më mburret se më mund, as unë s’i mburrem atij se e mund. Ai u bind se s’më mposht si gjithë të tjerët, sikurse unë jam i bindur se nuk e mposht plotësisht atë. Kemi rënë pra, po të shprehem me gjuhën e parlamentarëve, në një konsensus të përbashkët. Ai të më lerë rehat gjysmën e natës e unë gjysmën tjetër.
Ja tani që po shkruaj, do dhe pesë minuta të vejë ora 23.00. Nuk ndjej aspak gjumë, ndaj dhe vendosa t’i hedh këto mendime në këtë libër-bllok. Eh, si u nisën e si vazhduan shënimet e mia, lere pastaj fundin e tyre! Nuk dua të përsëris veten. Cdo shkrim, sado i dobët qoftë, dua të jetë i veçantë në llojin e vet. Lexuesi duhet të kuptojë se në ç’gjendje shpirtërore janë hedhur shënimet. Ndërsa shkrimtari, në përgjithësi krijuesi, ka një farë komoditeti, qetësie dhe kushte për të shkruar dhe ulet të shkruajë i çliruar nga hallet e ditës, unë ndryshe prëj tij, kam shkruar në çaste të vështira e të rënda shpirtërore, ku përzjeheshin dhimbja, revolta, fatkeqësia, tronditja psiqike, etj, etj.
Mendoni çastin kur në telefon zëri i kirurges të thotë lajmin e kobshëm për vdekjen e sigurt s’afërmi të mamasë. Mendoni pra! Me nxitim ec drejt shtëpisë, drejt asaj që më dha jetë, për ta parë edhe ca kohë, duke ditur se s’do ta kem më. E pikërisht me lot në sy, në një dhomë me të, ulem e shkruaj me dorë të dridhur revoltën time ndaj padrejtësisë së jetës. Mendoni pra!
Më shumë dhimbje se gëzime, shpirti im ka mundur të shpërthejë, i shpërqëndruar në faqet e bllokut.
E në këtë dhimbje familjare, për ironi të fatit, mplekseshin dhimbjet shoqërore, tronditjet e zhgënjimet e mëdha.
Mendoni një djalë të pasionuar pas filozofisë, që shfleton për ditë e natë Marksin, Engelsin dhe Leninin. Gjen aty mjaft të vërteta, i bën pjesë të botkuptimit e vjen një ditë kur gjithshka kthehet në të kundërt.
I sëmuri për mend, udhëheqësi ynë i “madh”, që na u shfaq e injektoi me një ideologji të sajuar e shtrembëruar në kulm, doli se ishte i prirë nga mania e madhështisë, duke e lënë popullin në pikë të hallit. Mendoni pra këtë të ri, që me raste lexonte për Hegelin apo Frojdin, si zhgënjehet një ditë për ata që ndryshe thanë e ndryshe bënë.
Kishte të drejtë i paharuari baba, që prej kohësh e kishte kuptuar mashtrimin e pseudokomunistëve, duke mos pranuar kurfarë lidhje me instancat e larta.
Bashkoju këtyre tronditjeve shpirtërore, morale, vështirësitë e mëdha ekonomike dhe kuptoni se ç’qënie njerëzore del para përfytyrimit tuaj. E në këtë mugëtirë, unë mundohesha të qetësoja shpirtin nëpër fletë. Injektimi kishte bërë të vetën. Në disa shkrime vazhdoja me moralizime, me politizime e me budallallëqe të tjera. I lumtë injektuesit! Ideali i të mirës na kishte zënë sytë para realitetit të keq. Ja që kështu u gatuam, ta marrë dreqi! Veçse në këtë gatim, veç idealit ishte dhe frika, frika para çdo rrëshqitje, shkarjeje goje, që mund të të çonin në birucë. “Edhe murret kanë veshë”, ishte paralajmërimi familjar. Dhe flitej me zë të ulët për padrejtësitë e jetës. Vetëm duhet thënë se ai, Zeusi, justifikohej prej nesh, me hallet e shumta që kishte mbi kokë. I lumtë pra, sa bukur lojti me ne! A nuk ishin veprat e tij në krye të bibliotekave e faqeve të murrit? Mohojeni, po të doni. Po fotografitë? Ja ata, shoferët, që u lindën e mplakën mbi të njëjtën makinë të amortizuar, e vinin në krye të kabinës atë, liderin e madh. Kudo ai shfaqej si një perëndi e gjithfuqishme. C’të zgjatem për të! Glorifikimi i madh do sillte patjetër të kundërtën e vet, mohimin e madh.
Proletari i Marksit, i zhveshur nga çdo pronësi shekullin e shkuar, do të bëhej i lirë dhe zot i fateve të veta në socializëm. C’ndodhi? Kapitalizmi vazhdoi edhe pas Marksit, edhe pas Leninit e Stalinit, vazhdon sot e do vazhdojë s’dihet deri kur, kurse proletari i Marksit duhej të kishte mbaruar prej kohësh, po të shtrydhej. Në fakt ai ofendohet ta quash proletar, pasi ka dinjitetin e tij në shoqëri, nuk punon 12 apo 16 orë, nuk është në minimumin e jetesës dhe ka se ç’të hajë, pijë e vishet, ka banesë ku të jetojë e këto të gjitha, jo minimale, por normale. Se ç’ka pronari, i ashtuquajturi shfrytëzues, atij pak i intereson. E kamura e njerit, mund të jetë nxitje e tjetrit dhe jo rrëmbim shkopi për ta goditur atë. Pra, s’kemi ekstremitetet absolute, varfërinë absolute, por një varfëri relative, që s’të josh në fushën e betejave të përgjakshme, të revolucionit me dhunë. Por ja, tek ne propogandohej kapitalizmi i kalbur dhe jeta jonë e lumtur socialiste. Eh, sikur të ishte kështu me të vërtetë për ne! Ne ishim e mbetëm proletari i Marksit dhe bota eci përpara, pa çarë kokë për pozat tona.
Se sa proletarë ishim ne, e tregon realiteti i sotëm se sa proletarë mbetëm në fund të këtij shekulli. S’kemi asgjë veç krahëve tona, veç mendjes sonë. Po kujt i vlejnë ato sot, kur bota ka ecur kaq shumë në shkencë e dituri, në teknollogji, etj, etj.
Ja pra sa zotër të vendit e të vetvetes u bëmë ne, në të ashtuquajturin socializëm. Në fakt ne ishim si ato kaviet laboratorike, që provuam në trupin tonë eksperimente nga më diletantet, të kryelaborantit Enver.
Dhe ja ku arritëm. Ku jemi, ku do vemë? Horizonti i famshëm është i pakapshëm. Sa më shumë i afrohesh, aq më larg shfaqet ai. C’na dha “socializmi”? Pyesni ndryshe: “C’na la ai në fakt?” Minuse, që s’dimë si do t’i kalojmë në kahun tjetër.
Dhe ne, mburavecët, tani i themi kapitalizmit: “Ajde, na ndihmo!”
Sikur të mbante ai inatin e 46 vjetëve, ç’do bëhej tek ne në këtë gjendje që jemi?
Tani unë shtroj pyetjen: “Më mirë një socializëm i kapitalizuar, apo një kapitalizëm i socializuar?”
Të ndodhte e dyta, sa mirë. Ne duhet të bëjmë të parën, për të arritur tek e dyta. E shihni ç’rrugë kemi për të bërë? Aq më tepër ne, që patëm një socializëm të çuditshëm, të ngatërruar, të bastarduar.
Ndaj s’duhet zgjatur. Ndaj sa më shpejt, me ca dhimbje, ta bëjmë këtë akt shpëtimtar.
Durojeni këtë dhimbje o njerëz të vojtur, se dhe foshnja s’lind pa dhimbje!
___...___
 


Mos u mërzitni që prapë po ndërhyj. Sepse, me thënë të drejtën, pata një dilemë, për ta futur apo jo në faqet e këtij libri, shkrimin e mëposhtëm. Duke respektuar pasionet tuaja në fushën e njohjes e të dijes, nuk i rezistova dot pasionit tim të vjetër për filozofinë. Sado qofshin në numur ithtarët e saj, po veproj si me stacionet muzikore të radios, ku ndërsa dikush anashkalon simfoniken, dikush tjetër me siguri e dëgjon atë me ëndje.
Por, mua, edhe sot e kësaj dite, më mundojnë ca dikush-ë, që kujtojnë se me përmbysjen e një sistemi, u dashka përmbysur gjithshka edhe në doktrinën filozofike, vetëm e vetëm se ka firmën e të njëjtëve teoricienë të sistemit. Eshtë kjo një bindje e sigurt filozofike, apo një lloj servillëku ndaj sistemit tjetër pasardhës? Po qe se është bindje, atëhere duhet bërë vetkatharsisi në botkuptim e në veprat e shkruara dhe mundësisht, vet ç’titullimi e vet ç’gradimi. Them, mundësisht, se e di që në kësi rastesh, kurajoja intelektuale mund të mposhtet nga egoja dhe interesa të ngushta materiale dhe profesionale.
Nëse s’ndodh ky proces “larjesh hesapesh me të shkuarën”, as që bëhet fjalë për bindje intrasigjente, por për servilë intrasigjentë sistemesh, sado të kundërta qofshin ato.

VULGARI LENIN APO LENINI I VULGARIZUAR ?

(Mendime pas leximit të artikullit të z. Artan Fuga, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” më 9 tetor 1991 me titull: “Materializmi dhe empiriokriticizmi” i Leninit brenda kufijve të materializmit vulgar)

Të më falë lexuesi. Nuk dua ta ngacmoj në dhimbjen e tij nga pasojat që shkaktoi leninizmi si doktrinë, por jam i sigurt që këtë dhimbje të tij dhe timen bashkë, nuk e lehtëson aspak dyfytyrësia e disa pseudofilozofëve tanë që e bastardojnë polemikën filozofike. Njeri nga këta është dhe zoti Artan Fuga, autori i broshurës skandaloze të 1989-s, “Neofrojdizmi-filozofi e njeriut të tjetërsuar” dhe së fundi i artikullit të 9 tetorit 1991.
Cudi, vërtet çudi!
Më duket se artikullshkruesi kërkon të përfitojë nga alergjia e njerëzve për komunizmin, ndaj o burra në sulm për të asgjësuar gjithshka edhe nga mendimi filozofik i Leninit, se sa për Engelsin, me një fjalë “superuar” në fund të shkrimit, i lan hesapet filozofi ynë.
Në hyrje të Hyrjes të broshurës të sipërmendur, zoti Fuga thotë: “Në këtë punim është bërë përpjekje të paraqitet e të kritikohet nga pozitat e marksizëm-leninizmit e të mendimit teorik të Partisë sonë, thelbi klasor dhe ideologjik i filozofisë neofrojdiste”, kurse në mbyllje të Hyrjes, me modesti shkruan: “Në këtë plan, shpresojmë që trajtesat e këtij punimi do të sjellin një lloj ndihmese, sado që modeste e me nevojën e riplotësimit në kohë”.
Koha besoj ka ardhur për autorin, por në tjetër kah. Rikthimi ndaj punimit do të ishte jo riplotësim, por groposje e tij. Sikur ta bënte këtë vetasgjësim, autori do shlyente një pjesë të mëkatit të vet. Por ai hesht, duke kujtuar se heshtja është flori dhe bën një kërcim tjetër. Pra, neofrojdizmi u shpartallua, këtu e dy vjet më parë (pasi çdo riplotësim vetëm do ta asgjësonte atë përfundimisht)!
Pasi u ngrys antineofrojdist i tërbuar përkrah veprave të Enverit, Ramizit (të cituara me zell në punim) dhe veprës “Materializmi dhe empiriokriticizmi”, zoti Artan Fuga i gdhirë hipur së prapthi në kalë, zhvesh shpatën kundër materializmit dialektik.
Gjithë artikulli i 9 tetorit m’u duk si përpjekje donkishoteske e autorit. Kur s’di kundër kujt do luftosh, pse e mpreh shpatën o filozofi ynë i nderuar? Ti e pranon vetë, se as veten tënde se paske dëgjuar (çudi) të shprehë qoftë dhe një grimë vërejtje për këtë vepër. Kaq tepër kishte depërtuar në qënien tënde mosarsyeja, pasi vetë thua që “...kurrë s’ditëm e s’mundëm ta lexojmë atë në mënyrë të arsyeshme...” Ngatërohesh vetë në këtë justifikim. Ose nuk dite (pse flet në shumës?) dhe për këtë s’ta ka kush fajin (mosditja s’është një argument), ose nuk munde si shumë të tjerë për arsye të censurimit të mendimit nga diktatura.
Kë të pranojmë pra? Të dyja? Atëhere qetësohu ca, rishiko veten, të paktën atë broshurën dhe mos bëj që në mendjen e lexuesit të lindë një tjetër titull, psh, “Neofytyrësia-filozofi e njeriut të tjetërsuar”.
Kur ke lexuar Sartrin, si mund ta përdorësh atë në të dyja krahët? Apo sipas interesit? Në kahun demaskues e në atë mbrojtës! C’filozof konsekuent mund të jesh, kur të njëjtën gjë bën dhe me Leninin?
Mund të thuash se nuk po shpreh gjë konkrete për artikullin, s’po përdor argumenta etj, etj. Pse, mos vallë ju, me ato pika e nënpika të hedhura aty, kujtoni se jepni argumenta e na bindni? Përkundrazi, ato janë në disfavor të mendimit tënd dhe shprehin eklektizmin e pikpamjeve të tua. Ti e di fort mirë, se në atë kohë (shek.XIX e fillimi XX) polemika prekte problemet themelore të filozofisë, si raportin materie-ndërgjegje dhe teorinë e njohjes. Duke goditur prerazi, sidomos të dytën, që përbën, si me thënë, strumbullarin e veprës “Materializmi dhe empiriokriticizmi”, ju shkoni më larg se vetë kundërshtarët e saj, veçse qëndroni në hava. Mos vallë shembulli i kalit, i livadhit, i të ngrënës, qenkan argumenti i sotëm për ta kornizuar veprën në kufijtë e materializmit vulgar? Apo logjika foshnjore që përdor diku në shkrimin tënd për pyetjen e Leninit, “A ka ekzistuar natyra para njeriut?” Cudi si mund të ndodhë që ndërsa çdo fëmijë 8 vjeçar mund të distancohet nga ideja se “toka, natyra ka lindur bashkë me njeriun”, Lenini afro 40 vjeçar (kur shkroi veprën) na qenka marrë me naivitete të tilla?! Po ju, zoti Artan Fuga, në ç’moshë i bëni distancimet tuaja? Më lejoni të citoj pak gjatë Leninin për këtë problem: “Asnjë njeri pak a shumë i mësuar dhe i arsyeshëm nuk dyshon se toka ka ekzistuar kur mbi të nuk mund të kishte kurfarë jete, kurfarë ndijimi, kurfarë “termi qendror” dhe si rrjedhim, gjithë teoria e Mahut dhe e Avenariusit nga e cila del se toka është një kompleks ndijimesh (“trupat janë komplekse ndijimesh”) ose një “kompleks elementesh” ku psikikja është identike me fiziken, ose një “kundërterm, termi qendror i së cilës nuk mund të jetë kurrë baraz me zero”, është eklektizëm filozofik, është idealizëm subjektiv i çuar deri në fund”. (faq.66 bot.1976)
Filozofi ynë kujton se e kap në term autorin, pikërisht në termin “pasqyrim”, duke e banalizuar me shembullin e krehjes para pasqyrës. Po e nise keq, keq do ta vazhdosh rrugën. Pasqyrimi, sipas tij, na qenka njëlloj si të thuash identitet i qenies e mendimit. Nga akuzues, zoti Fuga kthehet pa e kuptuar vetë në i vetakuzuar. Materialistët vulgarë bënin barazime të tilla, duke thënë se mendimi del nga truri si lëngu gastrik nga stomaku. Lenini ndahet si nga këta dhe nga idealistët. Ja si shprehet ai: “Të thuash, “përfytyrimi ndijor është pikërisht realiteti që ekziston jashtë nesh”, do të thotë të kthehesh në hjumizëm dhe bile në berklizëm, të fshehur në mjergullën e “kordinimit” dhe vazhdon më tej shpjegimin ku thotë që “përfytyrimi ndijor nuk është realiteti që ekziston jashtë nesh, por vetëm figura e këtij realiteti”.
Na dalka që Lenini akuzon Leninin. E bukur filozofi!
Meqenëse të pëlqen shembulli i kalit, s’i ndahesh atij. Shumë mirë. Shembulli i marrë të vetdemaskon ty e jo veprën në fjalë. Ti ngatërron (me qëllim apo jo s’e di) dy koncepte, duke i njësuar ato. Pozicionet e ndryshme të njerëzve, raportet e tyre në shoqëri, interesat e tyre, etj, etj, i përdor si argumenta për mospërputhjen parimore midis fenomenit e sendit në vetvete. Por gabohesh rëndë. Të shkëputësh një citat nga rrjedha logjike e një mendimi në vazhdim, është me të vërtetë lojë sofistësh e jo analizë shkencore, Ja kali yt i preferuar. Si për ty, pra, si për të zotin, si për pronarin e livadhit e për ne lexuesit, ajo qënie me katër e jo pesë këmbë, me bisht prapa e jo në kokë, që ha bar, është, çfarë është: kalë. Po vazhdoj më tej. Po të jetë i bardhë, s’besoj se ndonjeri nga të gjithë të përmendurit më lart, në çdo raport shoqëror qoftë, të thotë se është i kuq. Apo jo? Ja pra kjo qënie që ekziston pavarësisht prej nesh, është kalë, pra pasqyrohet në trurin tonë si i tillë dhe jo si elefant. A nuk kemi këtu thjesht një pasqyrim, një shndërim të ngacmimit të energjisë së jashtme, në një fakt të ndërgjegjes? Për këtë lloj pasqyrimi shkruan Lenini, duke shpjeguar se në formë ai ndryshon nga objekti, kurse në përmbajtje, jo. “Eshtë një akrobaci”, shkruan ai, “krejt kantiste dhe hjumiste të ngresh një kufi parimor midis fenomenit dhe sendit në vetvete”(faq.107) Ka vetëm ndryshim midis asaj që është njohur dhe asaj që nuk është njohur akoma. Pse e ngatëron zoti Artan problemin në fjalë me idenë e “pabashkëmatësisë së njohjes me realitetin”? A nuk shkruhet në vepër për të vërtetat relative, për procesin e gjatë, të ndërlikuar të njohjes, duke u përmendur e cituar gjatë gjithë ata filozofë, si Fojerbahu, Engelsi, Dicgeni, etj? A nuk tregojnë këta të fundit nëpërmjet shembujve se si sendi në vetvete shndërohet në send për ne? Nuk dua ta mërzis lexuesin me citate të gjata, ndaj dashamirësve të filozofisë ju rikujtoj kapitullin e dytë të veprës të cituar, që jo pa qëllim artikullshkruesi e sakaton sipas qejfit. Po citoj vetëm pikën tre të konkluzioneve gnoseologjike nga kjo vepër: “Në teorinë e njohjes si dhe në të gjitha fushat e tjera të shkencës, duhet argumentuar në mënyrë dialektike, dmth të mos supozohet se njohja jonë arrihet menjëherë dhe është e pandryshueshme, por të analizohet se në ç’mënyrë nga padija lind dija, në ç’mënyrë dija jo e plotë dhe jo e saktë bëhet më e plotë dhe më e saktë”(f.93)
Ja pra dhe e vërteta mbi shembullin e kalit të preferuar të shkrimit. Kur pronari i kalit të mësojë se livadhi është i tjetërkujt e di se ç’e pret po e la më kalin të kullotë aty. Edhe i zoti i livadhit e di se kali që ha shëndoshet e forcohet e po të mos ishte pronar i tij s’do bëhej merak për këtë gjë. Pse ngatëron artikullshkruesi atë që ndodh në çast nga ajo që ndodh më pas, atë që ndërvaret nga interesat e njerëzve që janë tjetër gjë, me problemin filozofik në fjalë, atë të objektit që pasqyrohet dhe të subjektit që pasqyron?
“Lidhur me marrëdhëniet midis elementëve të pavarur dhe të varur nga Uni subjektiv” (sa shpejt i përvetësoi termat mahiste filozofi ynë), zoti Artan mundohet të bëjë një klasifikim të ri, por që duke e nisur keq me terma e përfundon në një “çorbë eklektike për të varfër”, siç i ka përcaktuar dikur Engelsi tipa të tillë filozofësh. Në vazhdim të artikullit të tij ai thotë: “...mendoj se përvijohen tre pozicione, dy prej të cilave janë të njëanshëm, ekstremalë dhe njeri, pozicioni normal”. Më pas, kur bën ndarjen klasifikuese, fjala “pozicion” zëvendësohet me fjalën “qëndrim”.
Për çudi, në qëndrimet ekstremale fut atë idealist ekstrem dhe atë vulgar materialist, kurse në normal atë që nuk i ve as emër, as mbiemër, pra as idealist, as materialist. Pse këto pelinvallëqe? Po të vazhdonte me fjalën e parë, “pozicion”, do të duhej të pranonte dy kryesoret, atë idealist dhe atë materialist. Më pas mund të hidhej në fjalën tjetër, “qëndrim”, i cili sado i larmishëm qoftë do inkuadrohej në njerin apo tjetrin pozicion. Sepse vetë pozicioni mbart qëndrimet e veta, si trungu i një peme plot degë, ku dikush thahet e dikush lulëzon. Pra, do të triumfojë brenda pozicionit, me kalimin e kohës, me përparimin e shkencës, qëndrimi që i afrohet më tepër të vërtetës. Duke përdorur vlerësimin “ekstremal”, filozofi Artan i përjashton në fakt dy pozicionet kryesore dhe vendos mbi to, jashtë tyre, pozicionin normal. Sa shumë u mundua gjurmuesi ynë për të arritur në këtë klasifikim të “ri”! I lumtë mahistit tonë të porsashfaqur në skenën e madhe të pluralizmit! Por ai shfaqet tepër dogmatik, pasi kufizimet që burojnë nga rrethanat e caktuara historike, nuk janë vetëm për njerin kah, pra për veprën “Materializmi dhe empiriokriticizmi”, por edhe për kahun tjetër, për veprat e Mahut dhe Avenariusit. Më kot mundohet mahisti Artan t’i veshë pikpamjet e vjetëruara të mahizmit me petkun e mendimit të ri filozofik perëndimor. Nëqoftëse ky mendim i ri di ç’të marrë nga e kaluara, filozofi ynë i vogël s’di ç’të lerë prej saj!
Ndrimi i pozicionit tënd, zoti Artan Fuga, nuk është argument për ta kornizuar sipas qejfit atë që braktis. Me këtë akt, ti si shpëtove pozicionit ekstremal dhe je tepër larg kolegëve perëndimorë. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se të gjithë sot duam të shfletojmë ata (e drejtë kjo e privuar më parë), për të pasuruar, qartësuar dijet tona, ndaj do ishte në nderin tënd e të gjithë kolegëve të tu të heshtur, të na i paraqitni më të plotë mendimin e tyre, me sa më pak ndërhyrje tuajat, duke përdorur atë që në gramatikën gjuhësore quhet vetë e tretë shumës, e jo njëjësin tënd të tjetërsuar.
EDMOND SHALLVARI

(Shkrimi i mësipërm u botua në dy numura të gazetës së pavarur korçare, KOHA, më 29 tetor dhe 1 nëntor 1991)
___...___
 

EPILOGU I PARADOKSIT NANO – 22 MARS 1992
(Shkrim i botuar në faqet e shtypit opozitar para zgjedhjeve të 22 Marsit 1992)
Edhe paradokset paskan lindjen dhe vdekjen e tyre. Në një libër botuar nga ish Instituti m-l, ku ka qenë punësuar dikur Fatos Nano, kam lexuar për paradokset si realitete që vërtet përjashtojnë njera-tjetrën, por që ekzistojnë në të njëjtën kohë. Dhe merrej si shembull ekzistenca në këtë planet e dy sistemeve ekonomiko-shoqërore, e kapitalizmit dhe e socializmit, me predikimin se ky paradoks do zgjidhej në favor të të dytit.
E ç’bëri se ndodhi e kundërta e profecisë së profetëve tanë marksistë-leninistë. “Në djall sistemi, të rrojmë ne!”- është deviza e këtyre qënieve të tjetërsuara, që pasi bënë eksperimentin më të gjatë, më të përbindshëm e më të dështuar me Shqipërinë e shqiptarët, kërkojnë të na mbushin mendjen për t’ju besuar përsëri.
Për hir të shkencës, shkencëtari duhet të jetë i pamëshirshëm me kaviet e laboratorit. Fatkeqësi e kombit tonë, që kjo e vërtetë e shkencës ju provua mbi kurriz me aq zell vampiri nga “Enveri ynë” dhe dvojniku i tij Ramizi. Por ç’është kjo pjellë e tretë, që pasi na u servir për kryeministër kapriçioz, pas një nate të errët bëri ç’pagëzimin e sforcuar nga pushteti dhe pagëzimin e pompuar nga nëna e pabesë Parti?
Në një konferencë shtypi, në mungesë të argumentit, i treti i “vërteti” Nano tha se është koha e paradokseve. Sofizmave që i kish mësuar me zell në Institut, edhe ky sofizëm bajat ju mungonte. Më i habitur s’kam qëndruar ndonjëherë para televizionit. Ndërmend më parakalonin paradokset enveriane, ramiziane, që e kthyen në një paradoks tragjik jetën tonë fatkeqe.
Dhe kur po ndjenim fundin e paradokseve të tilla, kuzhina e qelbur e tyre serviri një Nano, që si një djalkë i pabindur pretendon se e ka vendin tek e majta socialiste evropianoperëndimore. Rruajna o Zot nga pseudoteoricienët! Sa për llafollogji, na mësoi boll shkolla e politizuar.
Anëtarët e Partisë së Punës, ata që përbëjnë shumicën, as që e dinin se një çast do tjetërsoheshin në vijë. Kush më shumë e kush më pak kish mësuar nga diktatori për të ashtuquajturin rol përçarës, reaksionar, etj, etj si këto, të së majtës evropianoperndimore. Ndaj aty, në sallën e Kongresit të 10-ë të PP ata u gjendën para një Nanoje që si me marifet prestigjatori ja u ktheu mendjen. Nga t’ja mbanin gjithë ata anëtarë të befasuar? Milloshi ende s’e kish mprehur si Enveri shpatën për të sqaruar situatën. Mjaft anëtarë të PP përfunduan në ish, duke flakur teserat, por të tjerë si për inerci pranuan paradoksin e ri me emrin Nano, duke kujtuar se fjala “socialista” s’i bënte mëkatarë. Ndërsa Nanoja për konsum të jashtëm teorizoi si një socialist perëndimor, të brendshmit ndjekës të tij, që pak kuptuan nga krahët majtiste, centriste e djathtiste, si për dreq ngatërroheshin me konceptet e praktikat komuniste, duke i hyrë në pjesë Milloshit. Milloshi që fitoi disa çmime festivali me tekstet allagaligatiane, u paraqit në skenën partiake si një diletant me pretendime profesionisti.
Nanoja ia shtyti vetë një pjesë të anëtarëve të vet, pasi i bindi se komunizmin e tyre s’mund ta gjenin tek PS, por tek PK. Për shumicën dërmuese të anëtarëve të PS, është një paradoks ajo ç’ka dinë e kuptojnë ata për socializmin, nga ajo ç’ka ju predikon lideri i PS për të majtën perëndimore. Pra ata nuk dinë se për ç’sistem konkret flet Nanoja, i cili përsërit mërzitshëm rolin e PS si parti e përkrahjes sociale. Partia Socialiste nuk është nënë Tereza apo shoqatë bamirëse që vetëm të jep e s’të merr kurgjë. Përkundrazi, ajo mban e s’lëshon asnjë qindarkë nga pasuria e PP. Pse Nanoja i mëshon kësaj ane prekëse për popullin tonë të vuajtur? Për ta prekur aty ku atij i dhemb më shumë. Tamam si dikur Enveri, apo Ramizi pas tij. Sa shumë është abuzuar me mirëbesimin e këtij populli, që duroi deri në dhimbje eksperimentet më shkatërrimtare. Zoti Nano! Llagapin paradoks ia ngjite vetë emrit tënd. Unë s’jam anëtar i ndonjë partie. Ajo që i ndodhi në Kongres Agollit, më ndodhi mua këtu e një vit më parë në Konferencën e PP të rrethit tonë. Po ku ta dinin delegatët atëhere se ç’do bënit ju në Kongresin e 10-ë? Një pjesë brohoriste ngjirshëm Parti-Enver, dy –tri të pirë ia merrnin këngës për Enverin, lere ç’skena frymëzuese për poetin Hysni Milloshi. Ti u mundove ta mbaje llambën magjike për ta përdorur vetë tre herë për të të ndihmuar. Tre herët kaluan si kaluan, tani llamba s’të bindet dhe askush s’të ndihmon më. Populli s’ka nevojë thjesht për përkrahjen sociale që ti e trumbeton si çelës magjik të PS për të thithur votat. Ai do që të provojë tashmë atë që s’e pati dekada të tëra, lirinë e vërtetë për të vepruar, punuar e fituar, i bindur se këto energji ia ndrydhi, ia svetnoi e përçudnoi regjimi diktatorial. Kjo liri e vërtetë i hap rrugën e suksesit dhe e mëson vetë si të zbutë, si t’i devijojë dështimit. E fituara e shumtë do ta lartësojë e lumturojë, por edhe në humbtë ndonjëherë, s’do arrijë kurrë tek e ngrëna e barit! Beso të paktën çerekun e kësaj të vërtete e boll na shurdhove me atë refrenin bajat të “përkrahjes sociale” të Partisë Socialiste, që më ngjan si një lëmoshë e një udhëtari për lypsarët.
Ish lideri i PP, kur la postin e sekretarit, u paraqit si i sakrifikuar për hir të interesave të kombit, duke pranuar postin e presidentit. Ti veprove në të kundërt, duke lënë postin shtetëror për të zënë menjëherë postin partiak. Dhe nga të dy ju i njëjti argument, interesat e popullit?! A nuk janë paradoksale këto veprime, zoti Nano? Po të ndjeje sadopak vuajtjet e këtij populli që aq shumë e ze në gojë, diku në atë punën tënde diçka do bëje e nuk do merreshe me Kinën, gjysmagjelin, mekanizmin ekonomik(lexo anti).
Prandaj, pasi i parakalova në mendje paradokset e paraardhësve të tu dhe të tuat, krijova bindjen se ato kanë arritur cakun e tyre të fundit. Ky libër i tmerrshëm që të rrënqeth shpirtin, kjo dramë tragjike që u luajt 50 vjet në 28 mijë km katrorë, tash po afron epilogun e saj për t’u mbyllur njëherë e përgjithmonë dhe mos u shfaqur kurrë më.
Në të jemi të gjithë aktorë e spektatorë njëkohësisht, zoti Nano, por profecia thotë se në shfaqjen e fundit më 22 Mars 1992 ju do pësoni dështim të plotë, si një mediokër aktor i skenës politike shqiptare.
Ky do të jetë fundi i paradoksit Nano, por nënkuptoni o njerëz fundin e një epoke kanibalësh dhe lindjen e një jete me të vërtetë njerëzore, po, po, NJEREZORE!
Korçë Janar-Shkurt 1992
___...___
 
4 Mars 1992
Të lumtë, shoqja ime e jetës, Mirela!
Na bëre me një tjetër djalkë dhe Donaldin e bëre me vëllaçkë. Vazhdove kështu rekordin e çunave, duke i dhuruar babajt e mamasë tënde, nipin e gjashtë.
Qoftë me jetë të gjatë e të ndritur! Na nderoftë e pastë kurdoherë sukses në jetë!
Zoti bëri ç’ka duhej më mirë për ne. Shën Maria ku kaluam dhe u falëm, vuri dorë e ndihmoi për lehtësimin e dhimbjeve të lindjes.
Ringjallja e fesë më nxit që djalkës sonë të dytë t’i ve emrin e babajt tim të paharruar, Spiro. Ta gëzojë këtë emër fëmija tonë! Jam i bindur që do ta mbajë me nder emrin e gjyshit, që s’gëzoi ditë të bardha.
Jam i lumtur, më duket tamam ringjallje, riçelje e re e jetës.
Vërtet lindëm e po rritim fëmijë në kohë të vështira, por ja, në qarjen e parë të krijesës së pastër, ndjej zërat e gëzueshme të jetës së ardhshme të lumtur. Fëmijët tanë do lumturohen e do na lumtërojnë dhe ne.
Fëmijët tanë do krenohen me ne, për përmbysjen e madhe që i bëmë diktaturës dhe çeljen e një jete me të vërtetë të lirë, njerëzore.
Sot ti Mirela ime kalove dy çaste kulmore, atë të paralindjes, dhimbjet e së cilës vetëm seksi femër i di dhe çastin final të lindjes, të gëzimit të daljes në jetë të fëmijës.
Ajo është krijesa tonë e shtrenjtë, vazhdimësia tonë, pavdekësia tonë.
___...___


Fundi i një kapitulli pa fund....

As vetë s’e kuptoj, si u vu mes dy lindjesh të gëzueshme të djemkave të mi, një botë e tërë timja e dhimbshme dhe e revoltuar.
Ah, sa do desha që gjithë shkrimet e kësaj bote, të kishin dhimbjet e gëzueshme të lindjes së njeriut dhe jo dhimbjet e tmerrshme të jetës së tij!
Por.....

* * *



Në vend të EPILOGUT

I ulur pranë kompjuterit, diçka e çuditshme po ndodh në qënien time. Mendimet janë ndalur për një çast dhe papritur një botë e çuditshme fëminore, po më kthen në Mondin e porsalindur. Dhe ashtu me syçkat e mbyllura, me të folurën e pakuptueshme të qarjes, marr lapsin dhe një fletë dhe pasi shënoj datën, 30 Korrik 1957, vazhdoj e vazhdoj të shkruaj duke qarë, i pëlqen apo s’i pëlqen kësaj bote të djallëzuar, ky kod i padjallëzuar fëminor.
Natën e mirë, miq të dashur! Apo paska kaluar mesnata? Atëhere, Mirmëngjes!
(Mars 2005 – Janar 2006)

------------------------------------------------------------

Keto ishin me se shumti shkrimet dhe kujtimet e mia, te dashur miq forumiste, qe permban libri im i pare, "E megjithate...jetojme!"
Koha ka evoluar vertet, jeta gjithashtu, bashke me mendimet e konceptet per gjithshka. Por, nese dikush nga ju, apo thjesht edhe une per nje cast, pyes veten, a kam dicka per te korigjuar, per te ndryshuar, per te shprehur tjeterlloj, ne c'ka kam shkruar ketu, pergjigjem ne menyre intrasigjente e me ton te larte: JO!
Falenderoj cdo lexues qe eshte ndalur e ka lexuar ketu, qe ka perkrahur apo kundershtuar menderisht dicka te papuqshme me konceptet e tij per problemin ne fjale. Une nuk mund te ndryshoj kursesi sot vetveten e shkuar as fizikisht as menderisht, sepse s'mund te ndryshoj kursesi thelbin e nje jete te pakthyeshme ne rrugen e saj. Kush ben kozmetikra apo nderhyrje kirurgjikale thelbit te jetes se vet te shkuar, per ta metamorfozuar ne pershtatje me interesat egoiste te nje kohe tjeter, s'eshte tjeter gje vec nje qenie mjerane.
Ju perqafoj te gjitheve, Edmond Shallvari
 
Ky i ka shkrime te ti keto!?
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top