E megjithatë... jetojmë !

mondsha

Anëtar i ri
Këtë libër ja u dedikoj:
Prindërve të mi të paharruar,
që sa shumë më dhanë
dhe sa pak munda t’ju jap në të
gjallë të tyre.
Mirelas sime, të vetmes grua që
i jep kuptimin e vërtetë jetës bashkëshortore.
Jorgos dhe Piros, djemkave të mi,
që me siguri do më falin për çdo
mosplotësim dëshirash fëminore dhe rinore.


Në vend të PROLOGUT

I ulur para kompjuterit jam në dilemë: Të shkruaj apo jo kujtimet e mbresat e kësaj jete, të meditoj e konkludoj për ngjarje, njerëz, që me dashje apo pa dashje më kanë lënë gjurmë në jetesën time, apo të vazhdoj t’i mbaj të mbyllura në arkivën e trurit, deri sa dalngadalë t’i amortizojë koha dhe siç thuhet t’i marr me vete në botën tjetër?
Për çudi, kaq ishte dilema, se unë i quajturi Edmond (Andrea) Shallvari është e pamundur të pres botën tjetër, pa i lënë kësaj bote shumicën e të panjohurave tepër të çuditshme, të besueshme e të pabesueshme, serioze e qesharake, të bukura e të shëmtuara njëkohësisht. Dhe për të rruajtur disi ekuilibrin mes këtyre dy botëve, më lejoni që e shkrojtura të ketë më shumë simbole e domethënie, se sa reportazhe, më shumë njerëz realë, se sa emra realë, duke lënë diçka e për botën tjetër.
Mos prisni të gjeni logjikën e një romani, ndonëse ka dramat e tij, mos prisni të gjeni logjikën e një autobiografie, ndonëse ka të vërtetat e saj. Eshtë një rrëfim, por edhe bisedë, është një debat me monologun dhe dialogun e vet. Ashtu siç ndodhemi në një takim miqsh dhe biseda kap tema e ngjarje të ndryshme në kohë, dua të veproj dhe unë në këto shkrime.
 
1 9 9 7

Ju uroj mirseardhjen të gjithëve dhe ndërkohë që Mira do merret me qerasjen, po filloj me shkrimin e parë, që mund të jetë i njëzeti në rradhën e kujtimeve.
Ishte fillimi i 1997-s dhe ndofta unë me Miran ishim të vetmit jashtë shtëpisë atë natë, kur krisma e parë shpoi errësirën dhe paralajmëroi ardhjen e ditëve kataklizmike dhe për Korçën tonë të dashur. Ishte një paralajmërim pa afat, që nuk priste përgjigje nga askush, ndaj dhe përmbante të thënën e të bërën menjëherë, që ithtarë të ndryshëm më pas e interpretuan sipas ithtaritetit përkatës. Ishim për vizitë në shtëpinë e Fredi Blushit, kur trokiti dera dhe dëgjova zërin e të vëllajt taksixhi të thotë lajmin më absurd e të çuditshëm, ”Po vinë!” Ceremonia e mikpritjes u la në mes dhe ne si të ngrirë nga ajo thënie hutuese u ngritëm dhe ikëm, si për t’ju larguar asaj që po vinte atë natë. Qyteti i errësuar nga nata dhe mungesa e dritave, m’u duk si i lënë në mëshirën e atyre që po vinin s’dihej se nga ku e për çfarë. Kur u afruam para bibliotekës, një krismë na ndali për një çast frymën e na shpejtoi ecjen e trembshme. Pra ata që “Po vinë” kishin ardhur çuditërisht bashkë me natën, duke veshur petkun e zi të saj, që paralajmëronte të tjera veshje të zeza të nënave e motrave korçare. Arritëm me një frymë në shtëpinë tonë, kur aty nga lulishtja e Shën Marisë filluan dhjetra krisma armësh të çanin errësirën e natës së parë korçare. Morra shpejt kasetofonin dhe hapa derën e ballkonit. Pasi vura një jastëk poshtë, u shtriva mbi të dhe shtypa butonin e inçizimit. Mira më lutej të futesha brenda se s’dihej ku shkonin plumbat, por unë vazhdoja të merrja çdo krismë duke folur e rënkuar, i përfshirë nga një trishtim deri në dhimbje e dëshpërim. Ajo kasetë është dëshmia më e padeshifruar e absurditetit njerëzor, por dhe akuza më ironike ndaj kujtdo analisti apo ithtari, që ato krisma netësh e ditësh të 1997-s nxituan t’i pagëzonin kryengritje e revolucion popullor. Mund të më gënjeni me kohën e kryengritjeve dhe revolucioneve të pajetuara dhe unë të mirëbesoj, por mos bëni krim ndaj të ardhmes me pseudointerpretimet e të sotmes.
Dhe kështu, pas asaj nate të parë krismash, Korça u gdhi e pushtuar nga ata që “Po vinë”. Këto qënie me këtë emër pa emër, atë natë të parë krismash, përdhunuan qytetin tim, vendlindjen time, jetën time, tënden, tuajën, por edhe vetveten.
* * *
 
Akte komedie të një tragjedie të saponisur...........
I pari veprim që bëra atë mëngjes të parë, ishte vajtja në shtëpinë e gjykos, siç i themi babajt të Miras dhe të dy në mënyrë instiktive morrëm rrugën drejt një reparti ushtarak në minierën e Drenovës. Si dy shqiptarë të rrezikuar nga pushtues shqiptarë, kërkonim armë për të mbrojtur familjen nga çdo sulm i mundshëm barbarësh. Rrugës rrëzë maleve, lëvizje kaotike njerëzish më krijonin idenë e një beteje të dështuar, që ende s’kish filluar. Krisma të thata e më pas breshërie, mbushnin luginën dhe ne ulnim kokën për t’ju shmangur plumbave. Mundohesha të dalloja në ato qënie që ecnin në drejtime të kundërta, ata që “Po vinë” nga ata që “Po iknin”, por le ta lemë për më vonë këtë dilemë, që në ato çaste pak rëndësi kishte. Arritëm në një depo ushtarake, që ndofta një ditë apo disa orë më parë i vinte shtatë t’i afrohej vetë ariut të Bozdovecit, hymë brenda dhe të vetmet pajisje të pa rrëmbyera ishin ato kundërkimike. Gjykos i vajti syri në një pompë spërkatëse dhe kur e morri më tha se i duhej për të bërë me ilaç rrushtë e oborrit. Kaluam në një depo tjetër, ku të ikurit kishin lënë topat e tipit të lehtë (shyqyr që morrën të tyret), ca mushamara dhe armë zjarri gjysmake.Kërkuam gjithandej për ndonjë pushkë apo automatik, por zhdukja e tyre ishte bërë si me magji. Ca karikatorë i futëm në një çantë, kur në një arkë të hedhur kuturu, gjetëm qindra fishekë. Disa arka që i kapërcenim pa i prekur, ishin dëng me bomba, por ç’na duheshin ato në kushtet e luftës brenda pallatit. Në hyrje të repartit, ndali një furgon i vogël dhe sa hap e mbyll sytë, bombat u zhdukën. As na shanë e as na ranë, por me një të thënë, “Bëni mënjanë!”, mallin bombë e përlanë. Në të dalë të repartit, m’u afrua një kameraman dhe një person me mikrofon në dorë më pyeti greqisht, që përkthyer nga një shoqërues, kërkonte të dëgjonte diçka nga mua për ç’ka po ndodhte aty. Shpreha hutimin e shqetësimin tim për atë situatë anormale e të rrezikshme dhe bëra thirrje mos dëmtohej e keqpërdorej asnjë material në depon me mjete e materiale të karakterit kimik. Nuk mbaj mend me hollësi çfarë thashë tjetër, por di që ai grup televiziv ishte i një kanali grek dhe që persona që më njihnin e jetonin në Greqi më kishin parë në televizionin grek. Siç dukej, gjithshka po ecte si nëpër skenarë të njohur filmash, ku s’mungonte prezenca e një fotoreporteri, në këtë rast grek, as aty në një repart ushtarak mes humbëtirës së maleve.
Me një çantë në sup, me ca karikatorë e fishekë brenda, më dukej vetja i çarmatosur pas një beteje imagjinare, por me njerëz e protagonistë realë. Më i “fituari” ishte gjykoja me trofenë më të çuditshme të betejave: Pompën spërkatëse! Kur u ndodhëm në rrugën anash varreve të qytetit, disa vetura kaluan me shpejtësi dhe gjysmatrupash jashtë dyerve, duke shkrehur kallashnikovët me tytat drejt qiellit, thërrisnin e çirreshin si triumfatorë. Hymë në qytet dhe në një rrugicë prapa pediatrisë, ndaluam pak si për të marrë veten. Më ka mbetur në mendje një skenë trishtuese atë çast ndalimi. Një i njohur që në universitet, mësues i gjuhës së huaj, ecte nxitimthi duke mbajtur mbi sup një derë të shkulur në një objekt, që kur pa tek i bëra shenjë me, “Edhe ti!?”, u skuq, uli kokën dhe iku pa më folur. Kjo logjikë absurde, shprehje e një primitiviteti që si atavizmë ekzistoka brenda qënies njerëzore, më ka munduar vazhdimisht dhe më ka vështirësuar analizën e mjaft situatave dhe rrethanave të realitetit shqiptar. Rregullimi i vetvetes, nëpërmjet çrregullimit jashtë saj, mikroparajsa e individit, mes ferrit shoqëror, janë prezencë në të gjitha shkallët e veprimtarisë së njerëzve e të rangjeve në shoqërinë shqiptare. Formën e një dis’harmonie deri në ekstrem e ndesh në çdo hap që hedh, qoftë si kalimtar i thjeshtë, qoftë si një qytetar i zakonshëm e për më tepër kur vihesh në kontakt me shtetin në gjithë hallkat e tij. Por, le të vazhdojmë ecjen, se kushedi sa do jenë alarmuar në shtëpi nga vonesa tonë. U ndava me gjykon dhe arrita në shtëpine time, duke mos i lënë rradhë Miras të shprehte shqetësimin e merakun e saj.
“S’do ketë bukë nëpër dyqane e të gjithë po rendin për miell”, më tha Mira, duke më treguar nga ballkoni dhjetra njerëz të ngarkuar me thasë me miell. M’u kujtua shoku me derën mbi supe, që e paragjykova çaste më parë, por analogjia me miellin s’kish kurfarë lidhjeje në këtë përpjekje mbijetese. U nisa me Jorgon 9 vjeçar dhe me biçikletën e dhuruar nga nuna Keti (një grua greke, për të cilën do shkruaj më vonë) drejt fabrikës së makaronave, nga vinte dhe vala e njerëzve miellmarrës. Kur hymë në sheshin para fabrikës së bukës dhe asaj të makaronave, u ndodhëm mes një haosi dhe tmerri të papërshkruar. Lëvizje kaotike njerëzish e makinash tip veturash, furgonash, nga ku triumfatorët shkrehnin kuturum armët, për t’ju hapur rrugën drejt depove. Gëzhojat binin mbi kokat tona dhe kur pashë Jorgaqin tim si mbronte kokën me duart e tij, e përqafova dhe e lashë në një kthinë të sigurt, duke i thënë të më priste pa bërë as lëvizjen më të vogël. Cava mes turmës dhe për çudi, forca shtytëse e njerëzve më solli mes thasëve me miell. Ca koklidhur me nga një shami si kauboj filmash, shponin tavanin me breshëritë e plumbave dhe pasi vunë karocerinë e një mauneje, përlanë dhjetra thasë me miell. Dhjetra njerëz tërhiqnin thasë duke rënkuar e thirrur, me fytyra të zbardhura nga mielli.
Aty ishin gjithë moshat njerëzore, në një përpjekje tragjikomike për kafshatën e vogël dhe të madhe njëkohësisht. Aty ishte shqiptari i tjetërsuar, i zhgënjyer, i ofenduar, i revoltuar, i egërsuar, me një instikt të hiperbolizuar urie e agresiviteti. Pashë plakun të shkelej mes thasëve dhe shkelsat të shpëtonin thesin me miell, pashë koklidhurit e armatosur dhe shtetin e përshkelur nga shtetarët e vetë shtetasit. Të gjithë ishim aty, të miellosur e dreqosur, pjestarë të pashmangshëm të atyre që “Po vinë” dhe atyre që “Po iknin”.
Vumë me Jorgaqin thesin mbi biçikletë dhe u kthyem në shtëpi nxitimthi, duke siguruar kështu rezervën disaditore të bukës. Fanatik i moscënimit të pronës së tjetrit, e ndjeja veten fajtor dhe borxhli për atë thes të papaguar. ”Do ta paguaj pas çlirimit”, e thënë kjo që shkaktoi pak humor tek Mira, mes atij ankthi dhe dëshpërimi për të nesërmen tonë. Por ishte për të qeshur e për të qarë, kur mes njerëzve thasngarkuar pashë dhe nga ata, që pa ditur vlerën e funksionimin e mjeteve laboratorike, rrëmbenin aparate analizash, mikropeshore e ku ta di unë se çfarë. Të tjerë, ngatëroheshin mes makaronave të njoma të varura në dhomat e tharrjes, duke i tërhequr e futur nëpër thasë e qese, të transformuara në një lloj mase brumi si lëmshe gjigante të deformuara. Më të duruarit e specialistë në zanatin e tyre, ishin zhvidhosësit e elektromotorave të makinerive, të prizave e releve nëpër murre. Një boshatisje totale e gjithshkaje, për të mbushur sejcili vetveten sipas mundësisë, dëshirës, forcës dhe pangopësisë më të paparë njerëzoshtazore.
Korça e zaptuar kishte marrë ngjyrën gri, që më shkaktonte një ftohtësi trupore e shpirtërore të paprovuar. Tek ecja me biçikletë drejt qendrës, më dukej sikur gjithshka kish ndaluar në kohë dhe çdo lëvizje mjetesh e njerëzish., sikur ndodhte në tjetër hapësirë të kozmosit. Mos isha në një ëndër të mundimshme dhe hapja e syve do më sillte ngjyrat e gëzueshme të jetës? Edhe era që frynte, shpërndante ngjyrën gri të pluhurit, të plehrave. Edhe kaltërsia qiellore ishte strukur universit, duke u krijuar një mjegullnajë grisore mbi qytetin fantazmë. Xhame dyqanesh të thyera, rafte të shkulura e boshatisje e gjithshkaje brenda tyre. Qënie njerëzore, që kishin marrë formën e mallit të rrëmbyer, çaplenin këmbët për t’u rikthyer përsëri më të babëzitur, deri në shëmtimin më të shëmtuar të personalitetit dhe mjedisit shqiptar. Më falni, por s’mund të vazhdoj dot tek kujtoj këto skena të shpërbërjes të hapësirës e kohës të një populli, që po e pësonte si Sizifi. Ajde të pimë nga një gotë, miq të dashur. E kuptoj padurimin tuaj për vazhdimësinë e shkrimeve të mia, por gëzuar e me shëndet të gjithëve, se ato posa filluan e kemi përpara një mal të tërë.
Në mbrëmjen që kish filluar para kohe, fytyrat e rrëmbyesve i fshinte maska e zezë e natës. Hije të deformuara lëviznin qytetit në format nga më të shpërbërat, duke devijuar përmasat njerëzore nga pesha e mallit të rrëmbyer. Një komshi, moshatar me mua, që deri atë natë lante trupin në dushin e sajuar me një qyngj e kazan që nxente ujin me gaz, siç duket, nga alergjia e këtij përdorimi, ja kishte vënë syrin dusheve me korent të dyqanit të një turku, aty në sheshin e 7-ë katshit. Dhe alergjia i kalon përmasat e të zakonshmes, se me sytë e mi pashë të sillte dy pajisje dushi e siç më tha vetë, kish marrë e nja dy të tjera. A thua duhej nga një dush për çdo pjestar të familjes! Sejcili, sipas zanatit e mundësisë, mbushte torbat e thasët me ç’të mundte, duke siguruar të njëjtin mall për 1000 vjet jetë. E shoqja e një tjetri komshiu na solli një palë pandofla falas, pasi i shoqi kish mbushur thesin me dhjetra palë të tilla nga Fabrika e këpucëve.
Të gjitha këto rezerva mallrash, ndronin pronarin në mënyrën më të skajshme e të dhunshme të biznesit ekonomik. Dhe çdo kapërcim i tillë i dhunshëm i pronësisë, si ditën, ashtu edhe natën, shoqërohej nga refreni i çakërdisur i krismave.
* * *
 
Refren që shkaktoi Tragjedinë e një çmendurie.......
Korça vajtoi banorin e parë të saj, goditur nga një plumb, i dalë nga një armë, e shkrehur nga një bashkqytetar pa kurfarë armiqësie apo inati personal. Korça u skuq nga gjaku i më të pafajshmit, i më të pambrojturit bir të saj. Por lotët e të zezat e asaj nëne, nuk ndaluan dot tragjedinë e një çmendurie, që po mbyllte shtëpi e shtonte varre, që ngjallte urrejtje e hapte plagë mes banorëve e fqinjëve. Në rrugë filluan të dilnin qindra njerëz, me lot në sy e thirrje për ndalimin e kësaj tragjedie vetvrasëse. Ecja dhe unë mes tyre, me dëshirën për të bërë diçka, por e ndjeja veten të pafuqishëm para asaj anarshie totale. Rastësisht takoj Beni Miçinotin, që më thotë se do bëhej një miting paqësor në sheshin para theatrit e më ftoi në grupin organizues. Entusiast pranova, por vura kushtin që në miting të mos fliste asnjë përfaqësues partish, se njerëzit, më shumë se politikë, dëshironin ulje armësh, qetësi e paqe, harmoni dhe siguri për jetën. Sheshi u mbush me mijra qytetarë, pa përgatitje pompoze e parrulla partiake, pa ftesa e imponime interesash materiale e financiare. Si për ironi të asaj situate paqësore, në rrjesht të parë u vunë tanket, që s’dihej kush i drejtonte, se mbi kullën e hekurt të tyre ishin ata me shami në kokë. Ishim disa veta aty para dyerve të theatrit e në shesh një popull që thërriste për paqe e vetëm paqe. Foli Beni e njerëzit njëzëri lëshonin të vetmen fjalë: PAQE!
Zemra sa s’më çante gjoksin e sytë më lotonin, duke u bashkuar me mijra rrahje zemrash e lot dhimbjeje e shprese njëkohësisht.
Le të gënjejnë veten krerët partiakë kur brohoriten nga turmat, por a kanë ndjerë qoftë dhe një çast, të njëjtën rrahje zemre, të njëjtën dhimbje e gëzim, me mijrat e zemrave e shpirtrave njerëzorë? Ne ishim aty më anonimët e anonimëve, që me mijrat bashkqytetare nuk u futëm skutave të shtetit për të dalë më pas në lojën hipokrite të marrjes së pushtetit.
Zbrita shkallët e theatrit, kur Beni më tha të vija pasdite në godinën e Prefekturës, se do mblidhej i ashtuquajturi Komitet i Shpëtimit. Ah, kjo përpjekje hipokrite për përfitim e zaptim situatash në udhëkryq të një populli, me të njëjtit skenarë uzurpues të posteve partiake e shtetërore! Megjithatë, do pranoja të vija, por kur më tha dy-tri emra komitetas, nënqesha dhe morra rrugën drejt shtëpisë, i ndarë në dy pjesë ndjenjash, ku ndërsa ajo e entusiazmit të para pak çasteve filloi të venitej, ajo e zhgënjimit dhe dëshpërimit më tmerronte tmerrësisht. E pashë në lajmin televiziv atë Komitet jo Shpëtimi, por Shpartallimi dhe para syve më dolën koklidhurit e mauneve, veturave dhe tankeve, që mes anarkisë e haosit u pasuruan me pronën e popullit dhe të shtetit. C’ishin këto lloj komitetesh shpëtimi, që na dëgjonin veshët e po mbinin njeri pas tjetrit në qytetet jugore të Shqipërisë? Ishin vetë protagonistët e shkatërrimit, eliminimit të kundërshtarëve, por edhe të ndërtimit të parajsës e kupolës së tyre mafioze. Deri më sot nuk kam dëgjuar apo lexuar asnjë analizë objektive e shkencore të kataklizmosë të 1997-s dhe sigurisht s’më mbeti mua rradha për një gjë të tillë. Nëse shpreh atë çka jetova e pashë, nëse shpreh atë çka ndjeva e vuajta dhe të gjitha këto janë reale ashtu si vetë shkrojtësi i tyre, s’ka burrë nëne të më bindë për të kundërtën!
Boll e mësuam historinë, sipas interesave të protagonistëve të saj!
Por, ç’rëndësi kanë analizat e shkaqeve e pasojave, të skenave e prapaskenave, që e katandisën vendin në një barbari dhe anarki totale, për atë çift intelektual të emigruar në Greqi, që një ditë të tillë ogurzeze, i vetmi fëmijë i tyre, një i shkëlqyer në mësime, një e ardhme kaq e domosdoshme për këtë vend, do mbyllte sytë përgjithmonë, i goditur nga një plumb qorr nga bashkqytetari i tij. Ishte duke ecur në rrugën e njohur të spitalit dhe pak hapa më lart, nga thellësia e lulishtes pas Pandës, u dëgjua nje krismë, një rënkim e thënie, “Më vranë!” dhe në krahët e xhaxhajt u shojt jeta në më të bukurën çast të saj, e më të pafajshmit djalë korçar. Pashë vargun e njerëzve të lotonin tek përcillnin një jetë të shuar, pashë atë nënë zezëveshur të drobitur e zalizur, pashë atë baba fatkeq të ulërinte e të sulej në varrin ku po zbriste për të mos u kthyer më trupi i njomë i djalit. Dhe me lot në sy e dhimbje në shpirt, fillova të shkruaj thirrjen time për bashkqytetarët e mi. Në atë çast, televizori lokal jepte direkt qytetarë të ndryshëm, që bënin thirrje për ndalimin e të shtënave, për qetësi e gjakftohtësi, ndaj dhe unë vendosa të shtoj forcën e kësaj thirrjeje aq të dëshiruar, me ato çka shkrojta pak më parë. Nga rrugët e qytetit jeta ishte zhdukur e strukur shtëpive e pallateve. Ecja drejt godinës televizive, sikur shkelja në një planet të akullt, hapa derën dhe kur thashë qëllimin e vajtjes, më shoqëruan në zyrën e drejtorit. Një kërkesë e kuptimtë nga drejtori për të mos patur ngjyra politike ajo çka do flisja dhe pasi u bind, më çuan në studion e lajmeve. Zëri më dridhej, jo nga emocioni para kameras, por nga ato çka po lexoja, duke dashur ta përcillja këtë mesazh dhimbjeje e lutjeje për ulje armësh tek çdo shikues. Kur mbarova, pashë lot në sytë e të gjithëve, dëgjova një, “Të lumtë!”, ndjeva shtrëngim të fortë duarsh dhe një lehtësim në shpirt. Do mbushë një boshllëk në këto shkrime gjetja e asaj thirrjeje, për të kuptuar e ndjerë sot disa të vërteta lotësh të 1997-s.


Dhe kërkimi nuk zgjati shumë, se sekretarja ime perfekte e bashkëshorte njëkohësisht, pa udhëzime kodesh e datash, aty mes shkrimeve të mia, gjeti origjinalin e dëshiruar të asaj thirrjeje të paharruar. Nuk është krijim në komoditet zyrash redaksish nga ndonjë gazetar apo publicist rrogëtar, ndaj mos e paragjykoni për nga stili apo rregullat gazetareske. Në ato çaste kur dheu mbulonte trupa njomëtarësh të pafajshëm, pena ngjyhej në gjakun e plagëve dhe në lotët e vajtuesve, duke ngritur aktakuzën më të rëndë ndaj shtetit të çoroditur e të vetmohuar. Në ato çaste doli dhe një zë modest nga studioja televizive korçare..........
Korçarë të dashur!
Ju flet shpirti im i brengosur, i tronditur, nga bataretë e armëve, shpirti im i etur për qetësi e jetesë normale.
Lulet e pranverës u shpuan nga plumbat, por plumbat nuk janë farë e jetës, veçse e të zezës vdekje.
Nuk më vjen keq të vritem për një ideal madhor, por në u vrafsha sot nga plumbat e vëllezërve të mi, kush vallë do më përcjellë në varr?! Sepse në banesën e fundit, unë dua të më përcillni ju korçarët e mi, miqtë e mi, e jo vrasësit e mi.
E në mbetsha gjallë ndër të gjallë,
pyes se si do na vejë hallë,
veç në paçim ca kurajë,
që zemra kurrë më mos na qajë.
Në paqe ne korçarëve nuk na ka hije ftohtësia e armëve, por melodia e kitarës. Ku e latë ju djem të rinj kitarën e dashurisë? Vajzat presin mesazhet e dashurisë suaj, mos i llahtarisni ato me tmerrin e krismave.
Sa na ka marrë malli për serenatat korçare!
Shndroni pra këmbëzën e armës në tel të kitarës, krismat e nxjerra, në këngën: Në mes të natës në qetësi, ti në ballkon më rrije....dhe unë menjëherë do vrapoj rrugicave, bashkë me ju e do këndoj mor miq me aq forcë, sa ta lemë Korçën pa gjumë.
Dhe Korça do ta pranojë këtë pagjumësi, se do jetë pagjumësia më e lumtur e saj. E në rast se ende keni fishekët e gishtin në këmbëz të armës, prisni ju lutem, se kam një propozim: Ejani të gjithë, Korça e qielli le të na falin për një çast. Le të zbrazim njëherë e mirë lart armët për herë të fundit, për të fituar këtë rradhë mbi vetë veten tonë! (Fundi i thirrjes)
 

Nuk di nëse forca e valëve televizive kish aq fuqi depërtuese në eterin e asaj hapësire të ngurosur, por di të nesërmen përqafimin e një nëne dhe urimin më nënësor, “Hallall qumështi i nënës o bir!”
Ah, sikur ta mbanin këtë hallall qumështi të paprishur ata “bij nënash”, që vetë ky hallall i ngjiti posteve, por që e bastarduan dhe e shndruan në lot e gjak, në arratisje e syrgjynosje të qindramijë shqiptarëve!
I vetmuar ecja qytetit dhe veç bekimit të asaj nëne, asnjë rreze shprese nuk ma ngrohte shpirtin. Qyteti sikur po më largohej nga këmbët dhe më krijonte udhëkryqe rrugësh e mendimesh. I ndalur në një udhëkryq të tillë, e ndjeva veten për një çast në vargun e atyre që “Po iknin”. Ja vlen të vazhdoj shprehjen e çasteve të tilla, me vargjet e krijuara pas tre vjetësh në poezinë me titull:
Mars 1997
Dita natës i lutej:
Më jep pak errësirë!
Dielli në vetvete strukej
Mes zjarrllëkut të ngrirë.

Ktheja kokën prapa
Kish filluar shpërbërja
Pas mbetej hiçi
I ndjekur nga asgjëja.

Fund invazioni
Asgjëja u pushtua.
Vetveten ndiqja pas
Apo vetvetja mua?!
Maj 2000 Selanik

E ndërsa këto vargje u krijuan në kushte komode e largësi kohore 3vjeçare nga ngjarjet e 1997-s, them të paraqes më poshtë poezinë “Pa titull”, të shkruar pikërisht në një nga ato ditë marsi, ashtu nxitimthi e drithshëm, pa pretendime rregullash poetike, por frymëzuar ama nga vargjet e njohura, “Shqipërinë e morri turku i vu zjarr...” etj,etj.

Shqipërinë e “morri” shqiptari i vu zjarr
Shqipëtar, mos vrit, por duku atdhetar!
Mjaft luftove shqipëtarin, mor fatzi
Lufto djallin dhe fut ëngjëllin në gji!

Hapi sytë dhe shiko si po shton varet
Nëna qan birin e vrarë, qajnë dhe malet
Hidhe poshtë mor i shkretë, atë armë të mallkuar
Ndryshe çfarë do të mbetet, kur kombi të jet’ shuar!?

O moj Shqipëri e mjerë, ç’të zuri kjo lëngatë
Armikun s’ke në derë dhe ti lyer me gjakë
Si s’plas kjo zemra ime e shpirti i lënduar
Largohem kokëulur, kush vallë më ka “dëbuar!?”
Mars 1997

* * *


Ishte një natë e errësuar totalisht e marsit 1997, që kish zaptuar gjithshka në mjedisin e jashtëm e të brendshëm korçar. Unë, Mira dhe dy djemkat e strukur në krevat, prisnim pranë telefonit vendimin përfundimtar të këshillit dyfamiljar vëllamotëror, aty në Selanikun e Greqisë, pas propozimit ultimativ dashamirës disa orë më parë të Koços, burrit të motrës sime, ”Dhi... çdo gjë aty dhe hajdeni këtej!” Ngrita receptorin pas ziles dhe zëri i Mondas bëri të qartë hollësinë e veprimeve tona në vazhdim, të argumentuara sipas saj si rruga më e saktë dhe e logjikshme. Shpërngulja familjare pra nuk do bëhej e menjëhershme, por në dy faza kohore jo të largëta. I pari të nisesha unë, për të punuar e përgatitur kushtet e marrjes së Miras e djemkave. Nuk ja vlen të merrem me logjikrat disa herë anapulla e pa kuptim të motrës sime, qoftë produkte të saj, apo ndikime naive të të tjerëve, që përbëjnë një kompleks kontradiktor të personalitetit e veprimeve të saj.
Në atë çast, vetja ime nuk isha më unë i tëri dhe kjo gjendje e cunguar e vetvetes do më ndiqte Selanikut për gjashtë muaj me rradhë, si për të vënë në provë kufijtë më të prekshëm të qënies sime fizike e shpirtërore.
Por, le t’i lemë në një takim tjetër, miq të dashur, rrëfenjat e 180 ditnetëve, që mbase koha mund t’i përrallëzojë e të nisin me nga një “Na ishte seç na ishte” të njohur.
Para tyre janë ato ditë të fundit marsiane korçare, si prolog përgatitjeje të një udhëtimi kozmik të panjohur. Të parët që lajmëruam për këtë ikje ishin gjykoja dhe nëna e Miras, që me lot e merak për fatin tonë, me heshtjen e tyre shfaqnin aprovimin e imponuar të mosaprovimit prindëror. Ishte koha e paradoksimit të njerëzve, se ajo e sistemit ishte vetë prototipi paradoksal.
I mirënjohuri shofer maunesh i kohëve socialiste allashqiptare, i thirrur nga të gjithë Dhori i Opit, morri përsipër shkëputjen time nga forca tërheqëse e tokës shqiptare dhe kalimin në tokën fqinjë greke. E kuptoj kuriozitetin tuaj që nxitet nga forma aventuriere e ngjarjeve, por tani dua të filozofoj pak, siç e kam zakon në raste kulmesh revolte e tronditjesh shpirtërore.
Ta kenë të qartë të njohurit e të panjohurit, me çdo lloj aftësie mendore njohëse e gjykuese, se ç’ishte ajo IKJE MASIVE e 1997-s, që shpesh u paragjykua sipas interesave e pozicioneve egoiste të njerëzve, të thjeshtë apo të graduar në shoqëri. Të mos e zgjat pastaj, me një pjesë të ikurish që u vetetiketuan për të fituar më lehtë në konsolidimin e tyre aty ku shkuan. Sepse nuk do mund të dal dot nga labirinthi i analizave kontradiktore, që përmban gjithë procedura vlerësuese e kësaj kategorie të ikurish. Nga vetë rrëfimet e ardhshme, do kuptohen më thjesht të panjohurat dhe enigmat e mjaft ngjarjeve e fenomeneve. Sa për mua, pjestar familjarisht në atë IKJE, paragjykimet dhe etiketimet e tipit EMIGRANT, I ARRATISUR POLITIK, etj, etj, janë pjesë propagandistike mediokre e një sistemi mediokër politiko-ekonomik shqiptar.
Unë, miq të dashur, ashtu si mijra bashkqytetarë të mi, pashë e ndjeva me sy e me gjithë qënien time, KATAKLIZMONE në vendin tim. I tmerruar dhe për të shpëtuar veten e familjen prej TIJ, hymë dhe ne në anijen e NOES, duke ikur drejt të panjohurës, por me shpresën e mbijetesës. Në atë anije ishim mijra, nga të lindurit e të palindurit ende, me ëndrra e shpresa të vrara, të vdekura e të ringjallura njëkohësisht. Nuk i futa unë mijrat e të ikurve në atë anije NOEANE, prandaj është e kotë çdo nxjerrje apriori e tyre nga kushdo qoftë. Nuk di nëse në ato çaste paranisjeje, ishim ne që numuronim zbrazësinë e ditëve të fundit korçare, apo ishin ato ditë që numuronin zbrazësinë njerëzore të qytetit.
Në një nga këto ditë, dola rrugëve të qytetit me aparatin fotografik në dorë, si për të shkulur nga realja shkatërimin barbar e rikthyer normalitetin. Guxova të merrja me vete Jorgaqin dhe Pirushin e vogël e të tre për dore, si të zbritur nga planeti i padjallëzisë, morrëm pamjet filmike më ironike të fatit të tokësorëve korçarë. Dyqane të shkatërruara, por të veshura me arne dërrasash e llamarinash, që dhe piktori më abstraksionist do t’i ketë zili. Një tank para Bankës së gurtë, me tytën drejt Hotelit 9-ë katësh, që do çuditë çdo strateg ushtarak të NATO-s dhe Pentagonit amerikan! Në të ashtuquajturin trekëndëshi (mos e ngatëroni me të Bermudës), ku ndahet rruga në dy kahe, atë të spitalit dhe të varreve, një tjetër tank me tytën si çibuk të varur anash dhe në mbrojtje të tij dy policë! No koment!
Hipa Pirushin mbi tank dhe shkrepa aparatin, duke krijuar kështu fotografinë me kodin më enigmatik.
E ndërsa tanket mundoheshin të krijonin ditën idenë e rojes së hekurt të qytetit, ide e gënjeshtërt e qesharake njëkohësisht, errësira e natës i përpinte në të zezën e saj sunduese. Dhe atëhere, copra të errëta lëvizëse merrnin formën e qënieve dykëmbëshe, që me tmerrin e krismave shurdhuese vrisnin çdo natë ëndërrash njerëzore.
Komshiu në pallatin përballë gjeti një copë letër hedhur poshtë derës, ku i kërkoheshin qindramijra lek, ndryshe ato qënie dykëmbëshe do t’ja coptonin jetën. Dhe atëhere komshiu, që s’i kish parë as në ëndër ato lek, jo t’i kish prekur me dorë, u përgjigj me gjuhën e armës, duke shtënë çdo natë nga ballkoni, ashtu kuturum, deri në çastin e skadimit të afatit ultimativ. Ai çast na shtriu rrafsh me dyshemenë të gjithëve, duke detyruar Jorgon dhe Pirushin të zinin veshët me dorë nga breshëritë shurdhuese të armëve. Nuk pati të vrarë nga kjo betejë, por i stërvrarë mbeti gjumi e shpirti i njerëzve të mëhallës sonë. Dhe ky gjumë e shpirt do të rivritej përsëri pak kohë më vonë, por që është rasti ta përshkruaj tani. Ndodhi kur kish hyrë në zbatim plani i shpërnguljes sime në Greqi, kurse Mirushja ime me dy djemkat, të përjashtuar nga ky plan absurd, përjetonin ende tmerret pambarim të krismave. Rradhën e kishte pallati tonë, me protagonist mbrojtës Peron e katit të tretë në hyrjen tjetër. I vetmi “krim” i Peros, ishte pronësia e një veture që e mbante në garazhdin tek sheshi para pallatit. Veç ta shikoje si kujdesej për të, do kuptoje sakrifikimin e jetës së tij atë natë, kur ndjevi se dikush desh t’ja vidhte. Ishin më shumë se dy veta që po mundoheshin të shkallmonin derën e garazhdit dhe Peroja ju thirri të largoheshin me të mirë.
“Nuk kemi punë me ty”, u përgjigj një zë i pasuar nga një tjetër më i fortë, ”Na lerë të marrim veturën dhe s’do pësosh gjë”, duke vazhduar të godisnin derën e kyçur të garazhdit.
“Po ajo është jeta ime morre plehra!”, thirri sa mundi Peroja dhe shtiu në ajër për t’i trembur. Kaq ishte vendi i fjalëve, se të nisi një kryqëzim krismash nga të dy palët, që zgjoi mëhallën e fqinjët e saj. Peroja i shtrirë në ballkon shtinte në drejtim të garazhdit, kurse hajdutët e kriminalizuar përgjigjeshin me breshëri drejt pallatit nga ku dëgjoheshin ulurimat e familjarëve. Dikush, apo vetë krismat, zgjuan policinë gjysmake e krejt amatore, që u shfaq kur plumbat mbaruan dhe hajdutët u zhdukën mes errësirës. Peroja i mbytur në gjak mbante sytë me dorë dhe nga të qarrat e grave u mendua mos ishte plagosur për vdekje. Por shyqyr Zotit ishte jashtë rrezikut dhe plumbi kaluar tangent ballit, kish hapur një plagë, ndofta të rrezikshme për syrrin. Ende pa u gdhirë mirë, me përpjekje shokësh e miqsh, u nis për mjekim në spitalin e Follorinës.
Një mëngjes marsi, hipa në autobusin urban të linjës Korçë-Maliq, për të parë gjëndjen e Fabrikës për ushqim blektorie, që e kisha në pronësi bashkë me një djalë nga Maliqi, të thirrur shkurt Xhevo.
Në degëzimin e rrugës në Libonik, autobuzi nuk mund të merrte majtas për në qytet, se maliqarët kishin vënë barrikadë në tërë gjerësinë e asfaltit një autobuz të vjetër, për t’u mbrojtur nga çdo sulm i jashtëm korçar. Detyrimisht vazhduam rrugës drejt, për të hyrë nga zona e ish NRGJ-së. Pa arritur tek urra, shoferi ndaloi autobuzin i detyruar nga një postbllok njerëzish të armatosur me automatikë. Njëri nga rrojet u afrua dhe tha, ”Na vjen keq, por këtu duhet të zbrisni dhe të vazhdoni më këmbë. Urbani nuk lejohet të hyjë në Maliq”.
Kur zbrita dhe njoha Malon, një djalë trupmadh në kufijtë e njëqindkilshit, morra frymë disi normalisht, se me të ishim ulur dhjetra herë kafeneve të Maliqit. Me pamjen e një kaçaku babaxhan, hapi krahët, dhe duke më përqafuar më tha fjalët më luftarake pe triumfatori, ”Mos ki merak, se fabrikën e kemi rruajtur me Xhevon me tank”.
Gjëndja brenda në qytet nuk ngjasonte me Korçën. Mbase vogëlsia e qytetit dhe lidhjet fisnore e shoqërore, kishin shmangur shkatërrimet e vjedhjet.
Por, nuk kish ndodhur kështu me stallat e derrave të Zervosit në të djathtë të rrugës nacionale, as një kilometër larg Libonikut. Maniakë ziliqarë, të varfër në shpirt, nuk e ndalën barbarizmin as para atyre kafshëve të pafajshme mishdhënëse për tryezën njerëzore, që u masakruan nga plumbat e kallashnikovëve. Dhe bashkë me derrat e pushkatuar, u zhduk si me magji gjithë kompleksi i stallave. Dhe bashkë me atë kompleks kohor, u ndërpre prodhimi cilësor i linjës së sallamit e shitja e mishit të freskët. Dhe bashkë me atë.........Sa “bashkë” të tilla ka arshivuar inventari i ekonomisë shqiptare dhe i memories njerëzore!?
Vajta në shtëpinë e Xhevos dhe ai më tregoi se si kish kaluar ditë e netë në fabrikë dhe se si një tank bënte rroje në anën e rrugës për Lozhan, në gjithë gjatësinë e Kombinatit të Sheqerit. Për të rruajtur veten e familjen, shpesh rrinte natën në tarracën e shtëpisë me armë në dorë. Kur i thashë vendimin tim për t’u larguar nga Shqipëria, më tha i prekur se të njëjtën gjë kish vendosur dhe ai. Dhe bashkë me ikjen tonë, ikte dhe një aktivitet modest prodhimi ushqimi për blektori. Dhe bashkë me këto “IKJE” të pandalshme njerëzish, aktivitetesh, profesionesh, talentesh, mjeshtrish, ikte një pjesë e shenjtë e të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë.
E megjithatë, miq të dashur, jeta përsëri triumfonte e vazhdonte, qoftë me paradokset e saj, me të qarat e të qeshurat e saj. Doni një nga çudirat e atyre ditëve të asaj jete? Keni dëgjuar për kohërat kur pa dalë ende paraja, njerëzit shkëmbenin prodhimet e sendet e ndryshme sipas nevojave që kishin? Më jep një dele, të të jap një qyp, etj,etj këmbime nga më të ndryshmet.
Maliqarët 1997-a i bëri pronarë tankesh, falë repartit tankist në zonën e tyre. Një grup i tmerrshëm korçar, i njohur për vjedhje e krime te rënda, 1997-a i bëri pronarë mallrash elektroshtëpiake (veç mijra te tjerave), falë dyqaneve dhe supermarketit të vetëm në qytetin e tyre. Të dy grupvjedhësit korçaromaliqar, realizuan shkëmbimin më të çuditshëm të të gjitha kohërave, të vjetra apo moderne qofshin.
Nga grupi korçar: ”Mirdita. Si venë punët?”
Nga grupi maliqar: ”Bereqaves. Jo aq sa juve ama”.
Nga grupi korçar: ”Mos u qani. Nga armët jeni më mirë se ne”.
Nga grupi maliqar: ”C’i duam vetëm armët. Ju keni tërë dyqanet në dorë.”
Nga grupi korëar: ”Ha, ha, ha! Po pse jemi këtu, të merremi vesh me njëri-tjetrin. Troç muhabeti! Duam një tank!”
Nga grupi maliqar: ”Një e dy po të doni, ju çfarë na jepni nga ato tuajat?”
Nga grupi korçar: ”C’të doni. Pranoni nja dhjetë video e ndonjë televizor për një tank?”
Nga grupi maliqar: ”E thënë e bërë!”
Shtrëngim duarsh dhe në prezencë të dy grupeve, realizohet këmbimi i mësipërm. No koment!
* * *
 

Por edhe Maliqi, në një nga ato ditë të 1997-s, do hapte varre për dy djem, që naiviteti e kapriçioja e moshës i çuan drejt vdekjes makabre.Të armatosur lëviznin rrugëve të qytetit, duke ndjerë superioritetin e më të fortit, deri atë natë kur...
Në zonën në të djathtë të ish klub Devollit, një firmë private korçare kish punësuar dhjetra maliqare, që qepnin rroba të ndryshme për eksport. Për ta rruajtur nga vjedhjet dhe shkatërrimet, pronarët e rruanin ditë e natë duke vënë një mitraloz në hyrje të godinës.
Në errësirën e asaj nate, të ndihmuar dhe nga mungesa e dritave, dy hije njerëzore morrën rrugën drejt qendrës së qytetit. Ndaluan për një çast për t’u bindur që ishin të vetëm në çmendurinë e vendimit të marrë dhe vazhduan me ngadalë ecjen drejt fabrikës së rrobaqepësisë, duke bërë gati armët për çdo të papritur. Dhe ashtu të armatosur, me sigurinë e më të fortit, kaluan bulevardin dhe u ndodhën në porta e oborrit të godinës, nga ku filluan mësymjen me shkrehje armësh për të hyrë brenda në fabrikë. Një breshëri shurdhuese mitralozi shpoi tej për tej trupat e tyre, që vazhdonin të perpeliteshin në rrugën drejt vdekjes edhe kur i morrën urgjentisht për në spital. Mbrojtësit e fabrikës, të kthyer papritur në vrasës, të tmerruar nga ky akt tragjik, të trembur e të hutuar, lanë armët dhe pronën dhe morrën rrugën e arratisë për t’i shpëtuar hakmarrjes. Ndërsa të vrarët përcilleshin në banesën e parakohshme, pikëllimi e hidhërimi, përzjerë me urrejtjen, i çoi të afërmit e tyre drejt pushtimit të fabrikës së braktisur. Pronarët e pranuan në distancë këtë akt, duke u lutur të mbyllej me kaq hakmarrja e lindur nga çmenduria e një lufte të pakuptimtë.
Ishte koha kur vdekja e ndiqte jetën me pamëshirshmërinë më të egër të saj, ashtu sikurse në të njëjtën kohë jeta e çorientuar nga lajthitja e sistemit, ndiqte vdekjen me naivitetin e një kapriçioje absurde mendjelehtësie e aventuriere.
Ishte koha e shpërthimit në ekstrem të instikteve më të egra, por edhe e zmadhimit dhe mbizotërimit të negativiteteve e veseve të pashfaqura, ose të shfaqura në minimum. Ky triumf i antilogjikës dhe antiarsyes njerëzore, krijoi individë e grupe individësh me damkën e hajdutit të pangopur e të vrasësit për hiç mos gjë, që në instancën më të ulët të pozitës shoqërore e deri në më të lartën të pozitës pushtetore. E keqja e këtij triumfi, veç viktimave pa faj, me pak e me shumë faj, pati krijimin më të dhimbshëm deri në fatalitet të Viktimës -Popull e Viktimës-Shtet. Ky dualitet viktimash ju duhet në çdo kohë krijuesve e zbatuesve, sepse vetë pozita e tyre në ngritje apo rënie, i bën të luajnë të dy kartat e këtij dualiteti. Për sa kohë populli grackohet në këtë lojë të ndyrë, pushtetarët mbeten të paprekur në pushtetllëkun e tyre, ashtu sikurse mbetet e opozituar në pafuqishmëri çdo lloj opozite. Ironia tallëse më kulmore e kësaj loje, është vetë loja e zgjedhjeve, ku të grackuarit gradojnë dhe rigradojnë me një naivitet bindës apo bindje naive të ashtuquajturit, më saktë të vetëquajturit, bij të popullit në drejtimin e shtetit. Dhe viktima mbetet përsëri viktimë, kurse të graduarit vazhdojnë më të sigurt ciklin e përjetësimit të pozitave sunduese në shoqëri e pushtet. :
Në pauzën midis ciklimit apo riciklimit, Viktima-Popull pëson oshilacionet nga më ekstremet: të mirëbesimit deri në verbëri e të zhgënjimit deri në fatalitet. Individë apo grup individësh dhe familje të tëra, si nga të mirëbesuarit, ashtu dhe nga të zhgënjyerit, të ndodhur përballë rrezikimit të tjetërsimit të personalitetit e të vetë jetës, kapërcejnë kufijtë e Viktimës-Shtet, duke lënë pas atë që marrin me vete, dëshpërimin dhe dhimbjen më të ndjeshme njerëzore. Më falni, miq të dashur, nëse ju lodha me këto gjykime, por ja që kështu më rrëmbejnë ngjarrjet e ndodhitë, realitetet e rrethanat, që s’janë kursesi rrufe në qiell të kaltër, por shkak e pasojë, brenda trusnisë së një strukture e superstrukture ende në amorfitet.
* * *
 

Dhe ja ku arrita në të dielën e 30 marsit 1997.....
Dimri korçar vazhdonte dufin e zbardhjes së çdo gjëje, që nga mali i Moravës e kodrat përreth, deri në rrugiçat me kalldrëm e asfaltet e bulevardeve. Ndërsa bardhësia rruante pastërtinë e saj lartësive, brenda në qytet shëmtohej në formën e llucës të baltuar asfalteve e të akullit të nxirrë e të gunguar nga shtrembërimet e kalldrëmeve të rrugicave. Mes qënies sime dhe asaj natyre minusgradëshe, ishte krijuar një dualitet i ankthshëm dhe i mornicshëm, që do më ndiqte pas edhe përtej kufijve, në të 180 ditët e vetmisë më të vetmuar të jetës sime. Në të ashtuquajturin vendin “në kolltukët”, një kafenio në vargun e klubeve karshi hotel nëntëkatshit, u vendos nisja ime pas drekës, me të njohurin Dhorin e Opit. Gjithshka ishte gati, që nga dokumentat për kalimin e kufirit, deri në plaçkat personale. Ato çaste puthjesh e përqafimesh me djemkat e Mirushen time (siç do ta quaja më pas në letrat e mia gruan time të dashur), më kanë mbetur ashtu të prekshme, të mallëngjyeshme e të njomëshme nga lotët në kujtesën time. Në çdo situatë mundimesh e të papriturash, në çdo ndodhje udhëkryqesh e tundimesh, ato çaste do më jepnin dorën e ndihmës e të kurajës, forcën e durimit dhe përballimit të presioneve e reagimeve tendecioze.
Benci i bardhë i Dhorit, s’desh t’ja dinte nga pengesat që krijonin llucrat dhe kurthet e gropave, të fshehura nën borën e baltosur. Tek kalonim me rradhë fshatrat në të majtë e të djathtë të rrugës, munda të shkrepja aparatin fotografik dhe të fiksoja pamjen e fundit më ironike e tragjikomike të vendit që po lija pas, një tank të braktisur, të anuar nga rruga, që dukej sikur na lutej ta merrnim pas në ikjen tonë përtej kufirit. Ankthi i procedurës së marrjes së vulës në doganën greke nuk zgjati shumë dhe në çastin kur Dhori i dha gaz bencit me thënien, ”Na vaftë mbarë rruga!”, bëra kryqin i lehtësuar, duke ju lutur zotit të më ndihmonte në këtë lloj aventure të imponuar.
Kisha lënë pas botën time 40 vjeçare, të vërtetë e të mashtruar njëkohësisht, të gëzueshme e të lëndueshme në padjallëzinë e sinqeritetin e saj. Kisha marrë me vete botën time 40 vjeçare, të ndërprerë në kohë e hapësirë, të kryqëzuar në udhën e një realiteti të irealizuar e tjetërsuar në ekzistencën e vet. Por, kisha lënë dhe marrë njëkohësisht në botën time 40 vjeçare, më të pastrën botë të lumturisë e gëzimit, të ekzistencës e triumfit të vazhdimësisë, Mirushen me dy djemkat tanë, Pirushin dhe Jorgushin.
Ishte koha kur ndarjet e imponuara nuk përmbanin vetëm vulën përgjegjësore të mekanizmit të shkurdisur shtetëror, por edhe të qënieve të veçanta njerëzore, produkte të një trashëgimie e formimi mangësor gjenetikoshoqëror. Shpjegimi i një konkluzioni të tillë do dalë në vazhdim, përmes fragmenteve jetësore në 180 ditëshin odiseor thesalonikas.

* * *
 

Me thirrje të gëzueshme, ”Rrofsh që më solle vëllanë!”, Monda (motra ime) përqafoi Dhorin e më pas mua, duke krijuar kështu një mjedis lehtësues e të prekshëm njëkohësisht. U çmalla me Koçon (burrin e Mondas), me Gjushkën (vëllanë tim), me Lidan (gruan e Gjushkës), me Vason(çupën e vëllajt), me Nikon dhe Fionën (fëmijët e motrës), me xh.Stavrin (pika ime e dobët) e të shoqen Florikan, Djonin (djalin e Stavrit) me dy fëmijët e këndshëm, Stavrushin e vogël dhe Dhimitran. Të gjithë të paraqitshëm shumë mirë me shëndet dhe të normalizuar me punë e jetesë të një niveli të kënaqshëm. Pyetjeve dhe interesimit të tyre për mua e familjen time, për çka ndodhi e vazhdonte të ndodhte në Shqipëri, ju përgjigjesha tepër i shqetësuar, i sentimentalizuar dhe me sy të lotuar. Nga reagimet dhe mënyra e dëgjimit, nga llojet e pyetjeve dhe interpretimeve të çastit, mes një përzjerjeje zërash e tonesh dis’harmonike, më dukej vetja si i ardhur nga kohë prehistorike që po kënaqja kuriozitetet e kohëve moderne. Dhe kur refreni i bisedave të mia ishte familja ime, që e kisha lënë jashtë anijes së Noes në mëshirën e kataklizmosë, mjaftoi thënia epilog e Mondas, për të mbyllur vazhdimësinë e rrëfimeve të mia, ”E de se s’po ikin të tërë nga Shqipëria. Je bërë shumë sentimental!”. Për të mos krijuar tension e kondra bisedash, thashë vetëm kaq, ”Mua më dhemb gruaja e djemkat e mi e mos duhet që ata ta ngrenë të fundit trarin e doganës!?” Dhe vazhdova me rutinën e pyetjeve për jetesën e të afërmve në Selanik, duke shmangur kështu futjen në acarim të vetes me ta.
Nata e parë selanikase nuk më dha kënaqësinë e gjumit të provuar pesë vite të shkuara, kur erdha me Jorgon në rolin e vizitorit. Në qënien time, u krijua një botë shpirtërore e ngarkuar me dhimbjen e mungesës së djemkave e të Mirushes. Përjetoja natën korçare dhe më vinte të thërrisja si i marrosur për atë fat të hidhur e të mbrapshtë, që në ato çaste nuk ishte as një përqind në dorën time, për ta zbutur sadopak.
Ishte fat individësh e familjesh, pjesë e fatit total që kish pllakosur një popull të tërë, atë vit fatal të 1997-s. Reagimet e kundërta të protagonistëve, që janë njëkohësisht dhe pësues, të të prekurve pak e të paprekurve deri në rolin e spektatorit, më kujtojnë thënien e çuditshme kineziane, ”Turbullo që të kthjellosh”. Turbullimi kish ndodhur e po vazhdonte në gjithë jetën tonë, brenda e jashtë vetes, deri në qelizat trupore e trurore. Në këtë turbullim sizmik, po shfaqej në evidencë edhe ajo pjesë e fshehur, e fjetur apo e minishprehur e natyrës njerëzore, që vinte në dyshim opinionin ekzistues për vetë personalitetin njerëzor.Pra po kthjellohej, ndonëse me dhimbjen apo kënaqësine e pranimit, e vërteta më e saktë, më e plotë, e karaktereve dhe formimeve të individëve të njohur ndryshe, apo pak të njohur.
E nesërmja e parë u çel me pirjen e elinokafesë mes dyshes më të afërt vëlla-motër, shoqëruar me copra bisedash ngrohëse e ftohëse, si të imponuara nga e nxehta e kafesë dhe ftohtësia e kohës. Ndofta nuk shkon, por dëshiroj ta ndërpres pak vazhdimësinë e kafepirjes, për të paraqitur pjesë nga letra ime e parë, që përmban realizmin e patrazuar e të pandikuar nga ngjarjet e mëvonshme.
E vetmja zemra ime Mira!
Të vetmit zemrushka të zemrës sime, Jorgo e Piro!
Sot s’i thamë dot njeri-tjetrit “mirëmëngjes”, babi juaj nuk dëgjoi zërat tuaj të ëmbël dhe nuk shijoi kafenë nga duart e zemrës-Mira. Por unë ju morra me vete shpirtërisht, qysh në çastin e nisjes dhe ju kam aq pranë, sa ç’më keni dhe ju mua.
Dhe s’do jetë e largët dita, kur përfytyrimi të kthehet në realitet, kur ju të sakrifikuarit të mos ndjeni më tmerrin e natës dhe ankthin e ditës. Ky tmerr e ankth ende s’po më ndahet, ndonëse mikpritja sensacionale e motrës, kunatit, mbesës dhe nipit ishte tej përfytyrimit.
U deshën ca telefonata që pas pak të vinin në mbrëmje vëllai, kunata e mbesa, xh.Stavri, Florika, Djoni me fëmijët. U çmallëm, lotuam, kur ju lexova vjershën e mesazhin dhe u desh humori i vëllajt për të shkaktuar pak buzëqeshje. Ata ikën mesnatës e unë mbylla sytë në 4 të mëngjesit. Për mua realiteti i këtushëm do shfaqet i plotë, kur t’ju kem dhe ju pranë meje. Mundohuni ta ndjeni veten gati për nisje, sepse dhe unë jam gati për pritje, jo se kam siguruar atë që do siguroj në të ardhmen, por se jam i bindur që Zoti do afrojë bashkimin tonë.
Duke mbetur me këtë shpresë, po e mbyll këtë mikroletër, prandaj afroni doçkat t’ja u puth dhe lereni mamin t’ja fshi lotët me buzët e mia.............Juaji Edi
 
Vazhdojmë pra vazhdimin...Diçka kisha dëgjuar për Lefterinë (mamanë e Koços), që pas vitesh bashkëjetese në të njëjtën shtëpi, kish ikur e rronte më vete po në Selanik. Interesimit tim për çka kish ndodhur, Monda ju përgjigj me varg akuzash e argumenta allamondiane, që sado copra të vërtetash të kishin, nuk justifikonin aktin final të dëbimit të asaj gruaje të vuajtur e me mjaft peripecira tunduese e të mundimëshme në jetën e saj.
Unë: ”Më ke thënë që Lefteria ju ka ndihmuar qysh kur erdhët në Greqi”.
Monda: ”Dinte gjuhën dhe më gjeti mua punë në Muzeum”.
Unë: ”Po ekonomikisht ka kontribuar, se kështu sikur ke thënë?”
Monda: ”Djalin e saj ka ndihmuar në fund të fundit. Këtu ka banuar, ka fjetur e ngrënë e sigurisht që dhe do kontribonte me para. Ka blerë gjëra dhe na paguante qiranë. Ato vite, të them të drejtën, hoqëm para mënjanë me shumicë”.
Unë: ”Kaq e teproi sa nuk durohej dot të rrinte me ju?”
Monda: ”Unë e di ç’kam hequr me të. As të......... “.
Nuk më pëlqen t’i qëndroj ekzaktërisht vargut ofendues deri në pështirosje, që më dëgjuan veshët për atë grua që.....
E sjellë nga Vurbjani i Greqisë në Korçë, atë kohë lufte kur varfëria e vuajtjet merrnin jetë njerëzish. Cupkë që sa kish kaluar dhjetvjeçarin e parë të jetës, e lënë nën kujdesin e një familjeje korçare, larg prindërve të dashur. E tronditur dhe e pikëlluar për ndarjen me fëmijën, e jëma e Lefterisë do mbyllte sytë pa mundur të shihte më evlatin e saj. Koha do bënte të veten duke zbutur plagët e vjetra. Lefteria mbijetoi dhe u martua me një korçar që thonë se ishte duarartë, por që sëmundja e pashërueshme e ndau pa arritur t’i dhënduronte dy djemtë e tij. Të dy ishin duarartë, se dhe Lefteria që punonte në punishten e ëmbëlsirave, të bënte ca bonbone, që tani kur i shkruaj më lëshon lëng goja. Lere pastaj mjeshtërinë e saj në hapjen e petëve për bakllava, që në prag feste të Vitit te Ri thyente çdo rekord në prodhimin ditor, për shoqe e të afërm, për komshiet e të adresuarit e panjohur. E nëse kjo grua në punën e saj, nuk do kishte përkryerjen e amvisës e s’do kënaqte sa duhej shijet e gustot të nuseve e djemve të saj, është ky një argument bindës apo absurd për të arritur në dëbimin më ofendues e tronditës nga nusja, në simfoni me të birin?!
Unë: ”Më lejon të vete ta takoj ndonjëherë?”
Monda: ”Të vesh, po të duash merr dhe Nikon. Edhe Koçoja vete, kurse mua as më intereson fare. Jam e qetë në shtëpinë time”.
Meqenëse jam në këtë temë delikate dhe disi të çuditshme nga përmasat e hiperbolizuara që kish marrë, ja vlen të përshkruaj vizitën e parë në shtëpinë e Lefterisë. Morra një pasdite Nikon e vogël, që ja kish qejfi të dilte me mua dhe u nisëm drejt gjyshes së tij. Me pak ngatërrime rrugicave arritëm tek shtëpia, shtypa zilen dhe derën e hapi vetë e zonja, që me thënë të drejtën më tronditi me pamjen më plakësore nga sa e prisja. Pas një koridori, hyje direkt në një mikrodhomë të kthyer në mikrosallon ndënjeje dhe mes saj majtas ishte kuzhina, kurse në të djathtë dhoma e gjumit.
Lefteria: ”Uaa, Edi, nuk të njojta. Të janë zbardhur leshrat, ke lënë dhe mjekër. Po si je, gruan dhe djemkat si i ke? I ke marrë me vete? Lere, lere ç’na dëgjojnë veshët për andej! U prish bota!”
Dhe vargu i pyetjeve e përgjigjeve s’kish të sosur, si vetë pasosmëria e halleve e problemeve njerëzore.
Lefteria: ”Do rrish në Monda?”
Unë: ”Hë për hë sa të marr veten. Të punoj ca dhe të gjej një shtëpi me qira, të pranueshme për xhepin tonë. Kështu më thotë dhe Monda, ”Rri sa të duash këtu e kur të vesh ca para mënjanë, atëhere të sjellësh gruan dhe fëmijët”. Të them të drejtën, ardhja ime këtu nuk ish aspak e imponuar nga xhepi, se një aktivitet e kisha dhe rronim normal deri para ngjarjeve të fundit. Ajo që ndodhi me shkatërrimet dhe anarkinë, me hapjet e depove të armëve dhe vrasjet kot së koti të njerëzve, nuk mund të duroheshin më. U shkatërrua vetë shteti, jeta u vu në rrezik, lere të mendoje pastaj për të ardhmen. Desha të vija familjarisht, kështu u tha në fillim e s’di pse u ndryshua më pas. Nejse”.
Lefteria: ”Eh, eh, mor bir, vemë veshin mirë, që mos e pësosh si mua. Nuk më sheh si jam katandisur, eh, eh...Të ka thënë gjë jot motër pse rroj vetëm?”
Unë: ”Diçka më ka thënë. Kuptohet që i jep të drejtë vetes. Vërtet, si ndodhi që arritët në këtë gjëndje anormale?”
Lefteria: ”Ty mund të të duket e pabesueshme, por e vërteta është e vërtetë dhe kur e kujtoj atë çast, as mua s’më besohet. Kishim ca fërkime, por i kalonim. Dija unë se ç’bluante në kokë nusja? Jo shtëpia është e papastër, jo gjella s’ka shije e të tjera si këto që i dëgjoja për ditë nga goja e sat motre. Mërmërisja me vete e shtrihesha të shlodhesha, se dhe unë punoja që herët në mëngjes e s’ja kisha ngenë llafeve”.
Unë: ”Këto ndodhin kudo ku jetojnë bashkë nusja me vjehrrën. Po Koçoja nuk ndërhynte për ta zbutur gjëndjen?”
Lefteria: ”Fol o gur, fol o murr. Sikur i kish bërë magji e shoqja, rrinte e dëgjonte dhe s’nxirrte fjal nga goja”.
Unë: ”Dhe ti vendose e ike, apo Monda të tha të ikësh?”
Lefteria: ”Vendosa atë ditë që s’do ta harroj sa të jem gjallë. U ktheva nga puna dhe vajta për nga dhoma, kur nga kuzhina më thirri ajo, ”Erdhe, ajde të pish një kafe këtu”. ”Lere për më vonë”, i thashë, por ajo m’u lut dhe unë duke thënë me vete, ”C’u përmbys që po më fton për kafe nusja?”, pranova dhe u ula në karrike përballë djalit. Më solli filxhanin me kafe dhe pa arritur ta ve në buzë, më tha si pa të keq, ”Nuk e ke kuptuar ti mama që ne nuset nuk të duam?” Më mbeti filxhani në buzë dhe hodha shikimin nga Koçoja. Morra guxim dhe i thashë, ”S’më doni ju, po më duan djemtë, apo jo mo Koço?” Po të kish folur djali e t’ja mbyllte gojën nuses, gjysmë e të keqes, por, eh, eh...sa fole ti që s’ishe, aq foli dhe ai. M’u thye zemra dhe e ndjeva veten të tepërt në atë shtëpi. Kështu vendosa të ikja”.
Më përfshiu një çast hutimi i përzjerë me mosbesimin në ç’ka dëgjova, që solli një tufë të çrregullt llafesh në favor të asnjërës palë. ”Të ulesh për kafe e të dëgjosh “plaç” e jo “shëndet”, se si më duket. Mos u grindët dhe llafi solli llafin deri në atë pikë? Pa një debat, pa një shkak apo ngacmim, më duket absurde të dalë nje thënie e tillë nga Monda”.
Lefteria: ”Sic e dëgjove dhe asnjë llafkë më tepër. Shiko të rregullohesh sa më shpejt e të ikësh sa më parë, se unë e di ç’do heqësh po ndenjte aty”.
Duke ditur raportet kontradiktore nuse-vjehërr, ku zor të gjendet filli i shkak-pasojës, më erdhi keq që në to bënte pjesë dhe motra ime, në çdo kah qoftë ky fill i koklavitur. Parlajmërimi i nënë Lefterisë atë çast, më tingëlloi si shprehje dufi për të shtuar dozën e vërtetësisë së pësimit të saj. Ecja me Nikon përdore në kthim e me thënë të drejtën, një shigjetë ndikuese më kish përshkuar tejpërtej, pa mundur të ekuilibroja drejtqëndrimin. Kur më shfaqej fakti i kryer, i thosha vetes, ”tregoju i kujdesshëm se s’dihet ç’ndodh”, por kur kujtoja çastet dashamirëse të motrës, vazhdoja më i qetë thënien, ”tjetër marrëdhëniet me vjehrrën e tjetër me vëllanë”. Kjo kundërvënie konceptesh e realitetesh, për të arritur në një qetësim apo mikroqetësim të vetes, ishte refren i monologut tim të brendshëm, bashkudhëtar shpirtëror ngushëllues e frymëzues, por edhe paralajmërues për maturinë e haphedhjeve në vazhdimësi. Duhej të pranoja që realitetet e shkuara kishin bërë të vetën në injektimin e psiqikës së njeriut, qoftë në brendësi, duke u bërë pjesë e karakterit e personalitetit, qoftë dhe sipëfaqësisht, duke artificializuar konceptet e njohuritë deri në kufijtë e injorancës e mediokritetit. Prandaj ndodh që në veprimet e reagimet shpesh të pabesueshme e në dukje të papritura të njerëzve, të pataksesh e çorientohesh, sepse bëhesh vetvetiu pjesë e kësaj shkurdisjeje të kurdisur nga këto realitete psiqikoshoqërore. Mjafton vetëm rasti i mësipërm, për të kuptuar këto mendime, që më besoni miq të dashur, më rrëmbejnë në botën e tyre të së vërtetës e më lehtësojnë disi shpirtin e stresuar e të lënduar. Në vazhdimësi do gjeni të tjera në dukje cingërima, por që janë aq kohezionale me njera-tjetrën, sa s’është vështirë të formoni gati tërësinë e një opinioni realist.
* * *
 
Vazhdon mëngjesi i elinokafesë dhe kjo për pak ditë, se Djoni më kish gjetur një punë dhe priste telefonatën për orën e ditën e fillimit. Vajtjen e parë në fabrikën e prodhimeve të tavolinave e karrikeve plastike e bëra me shokun e Djonit, që ishte në rolin e përgjegjësit në turnin e natës. Më morri me motor rreth orës 7 pasdite dhe në orën 8 fillova punën e parë, pak ditë pas ardhjes sime në Selanik. Fabrika ndodhet disi larg, në të dalë të qytetit dhe me urban duhej nisur një orë më parë për të arritur në kohën e duhur për punë. Puna ishte me dy turne, 12 orëshe sejcili dhe unë si fillim preferova turnin e natës për të patur krah Maksin (shokun e Djonit), që gjithashtu punonte vetëm natën. Afendikoi i kish besuar drejtimin e punës dhe vetëm me telefon interesohej për ecurinë e problemet që mund të dilnin. Me thënë të drejtën, përshtypja e parë ishte e kënaqëshme, tek krahasoja llojin e veprimeve me mundësitë e mia, që favorizonin njera-tjetrën. Makineri gjigande, ku sejcila kryente procesin e plotë të prodhimit të karrikeve e tavolinave plastike sipas kallëpit përkatës. Më ngjante disi me ciklin e punës në Fabrikën e Maliqit, ku e përbashkëta ishte përdorimi i recepturës (kuptohet, në drejtime krejt të kundërta) dhe pas përpunimit, nxjerrja e produktit të gatshëm. Kështu që m’u besua qysh në fillim cikli i plotë i makinerisë, që ishte i programuar për pjesën e sipërme të tavolinës dhe më pas duhej të bëja paketimin bashkë me këmbëzat, për ta transportuar me karrocë në magazinë. Kur i hidhja depozitës-bunker sasinë e duhur të receptures, isha i detyruar të prisja çdo dy minuta daljen nga kallëpi dhe në këtë dy minutsh shpejtoja veprimin e paketimit. Pra isha dhe unë si një mekanizëm përbërës i ciklit, që duhej të ndaloja në orën tetë të mëngjesit ciklin, për ta rrifilluar përsëri në tetë të mbrëmjes.
Për ripërtëritjen e energjive dhe plotësimin e nevojave minimale të jetesës ditore, paguhesha me 7500 dhrahmi në turn. I përgjigjeshin apo jo ato dhrahmi punës që bëja, nuk ja vlen t’ju mërzis me njohuritë e marra nga Kapitali i Marksit. Mjafton të them konkluzionin tim për atë lloj pune dhe për shumë e shumë të tjera që kam bërë e vazhdoj të bëj në Greqi dhe që për mua vërteton e stërvërteton çdo analizë të bërë për punën e papaguar etj, etj, etj, që kush e ka lexuar më kupton lehtë, por edhe kush se ka lexuar e përjeton dhe provon individualisht apo familjarisht çdo ditë. Konkluzioni s’ka të bëjë aspak me analiza sistemesh ekonomikoshoqërore dhe as me pozicionin tim ideologjik të zhgënjyer e të ofenduar nga pragmatizmi pseudosocialist shqiptar.
Sepse është për të qarë e për të qeshur kjo ironi e jetës në të ashtuquajturat dy sisteme të kundërta, që tani kur i ballafaqoj më vjen të thërras vargjet e Migjenit, ”Ah si nuk kam një grusht të fuqishem, malit që s’ban za, mu në zemër me ja ngjesh. Ai të dridhet nga grushti i fuqishëm, e unë të kënaqem, të kënaqem tuj qesh!”
Sepse, o miq të mi, si aty ku u paguam me aq lek sa për të jetuar minimalisht (se për të tjerat “kujdesej” babaxhani-shtet po me ato që merrte nga puna tonë e papaguar), si këtu ku paguhemi me aq para sa për të jetuar disi më normalisht (se prapë puna e papaguar mbush xhepat e afendikojve e të shtetit), ishim e jemi ne të pësuarit e mashtruarit e përhershëm. Aty na u bë pagëzimi duke na quajtur si “NJERIU I RI”, produkt i veprës së Partisë së Punës, tamam si eksperimentet me kaviet e laboratorit, këtu pagëzohemi ofendueshëm gati çdo ditë si “ALVANOZE” me njëmijë e një të këqija, produkt i tendencave superiore racore të një pjese (të shpresoj të vogël) të shoqërisë greke. Që të dyja pagëzimet, produkt ideologjirash e propagandash të mekanizmave partiake e shtetërore, mos kujtoni që janë vetëm stampime kartash e shkaravitje kalemxhinjsh për të krijuar e nxitur superioritete e inferioritete, deri në përplasje e konflikte njerëzore, shoqërore e mbase shtetërore. Ajo që më shqetëson e mundon më shumë veç kësaj, është fakti që ekzistojnë realisht prototipet e produkteve të këtij pagëzimi, të pranishëm në të dy vendet, që çojnë ujë në mullirin e ideologjirave e propagandave konfliktnxitëse. ”Njerëzit e Rinj” janë injektuar në përmasa të ndryshme, falë shkallës reaguese të mbartësve, e ndërvarur kjo nga shumë faktorë ndikues në koshiencën dhe subkoshiencën e njerëzve. E keqja nuk qëndron në mbartësit e dozave të vogla të këtij injektimi masiv, që më shumë e shfaqin atë si atavizmë të mbetur në përmasa të padëmshme për shoqërinë. As në një pjesë jo të vogël mbartësish, pjestarë në gjithë spiralen e pozitës shoqërore e pushtetore, që tani tek shkruaj më shfaqen vetvetiu si Don Kishotë kokëshkretë e të pandreqshëm, qesharakë e palaço fatkeqë. Prototipët më adekuatë të “Njeriut të Ri”, në të cilët ka përfunduar plotësisht cikli pagëzues-injektues i Partisë së Punës, janë e keqja më e madhe, më e rrezikshme, më apokaliptike, që me paskrupulitetin e pacipshmërinë e tyre, vazhdojnë të mbajnë peng një popull e një shtet të tërë. Në këtë theatër të madh dramash njerëzore, mbartësit e roleve mbeten po të njëjtit aktorë, ku parësinë e kanë pengjmbajtësit dhe më pas vazhdojnë isombajtësit naivë, të atavizmuarit, Don Kishotët e Sanço Pançot mesjetarë. Përballë këtij fronti, me trashëgimi unitetesh e duartrokitjesh të komanduara, përpiqet e përpiqet mundimshëm të bëjë katharsisin e kohës së humbur masa në rritje e njerëzve progresivë, që do dijë në vazhdimësi t’i devijojë pësimit sizifian.
“Alvanozët” e njohën këtë lloj pagëzimi me tendencë ofenduese e përçmuese, së pari nga kanalet televizive greke, të komanduara pjesërisht nga ekstremistë me kah racist e nacionalist dehës. Në masën qindramijëshe të shqiptarëve në tokën greke, ku gjetën mundësi fshehjeje e veprimi antiligjor elementë me damkë apo fillestarë në akte vjedhjeje e dhune, paralel me përdorimin e ligjit nga organet e rendit, u hiperbolizuan dhe u etiketuan përbindshëm jo vetëm autorët përgjegjës, por gati gjithë masa e njerëzve me të njëjtën origjinë me ta. Krenaria e shprehjes së kombësisë, që përbën themelin e tërësisë së individualitetit të një kombi, u ofendua në vetë emrin e shtetasit shqiptar me tonin ironues, “Alvanoz”. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit grek në këtë etiketim nënkupton myslimanët e Shqipërisë, apo më saktë, banorët që jetojnë mbi të ashtuquajturin Vorio Epir.
Për t’i shpëtuar jo vetëm përçmimit e ofendimit, por edhe pamundësisë së integrimit në jetën greke të vetes e familjes, me qindra, për të mos thënë me mijra shqiptarë të fesë myslimane, ndruan emrat, fallsifikuan çertifikatat dhe arritën të pajisen me leje qëndrimi në Greqi. Një pjesë më e regjur, siguroi karta më garantuese, duke u ngrysur “Alvanoz”dhe duke u gdhirë vorioepiriot homogjenist.
Kjo lojë diskriminuese e tjetërsuese për hallexhinjtë, më pas do kthehej në bumerang për ta, sepse cikli transformues, që s’dihet sa xhepa personash shqiptaro-grekë i mbushi vënçe, nuk mund të vazhdonte pafundësisht ripërtëritjen mashtruese. Mes këtij haosi procedurash të stërgjatura e të stërpërsëritura, mes ankthesh e stresesh për pasigurinë e të nesërmes, vepronte me një ndërthurrje ndofta spontane, mekanizmi i thithjes së parave nga xhepat e hallexhinjve, duke filluar nga zyra më ordinere e përkthimeve e vazhduar nga armata e fuskosur e dhiqigorëve (avokatëve), për të mos vazhduar pastaj më në brendësi e lartësi të piramidës zhvatëse, se s’dihet ku arrin grada e abuzuesve.
Në urbanin e përditshëm në vajtje e kthim nga puna, të mbushur me “alvanozë” e “vorioepiriotë”, ishte dhe është e materializuar vetë filozofia e psikologjia e jetës së frikshme të shqiptarëve.
Një i njohur, i ardhur më parë se unë në Selanik, kur e pyeta për këtë lloj frike e pozicioni theatral në urban e rrugë, më tha të vërtetën e hidhur :”Ishte koha kur bëmë sikur harruam se ç’ishim, për të mos u kuptuar nga kontrollet e policisë e të personave civilë. Regulloheshim me pahir në veshje e paraqitje, merrnim nga një gazetë greke në dorë dhe mendonim se ja hidhnim kontrollit. Nuk e kuptoj se si prapë syri i policit drejtohej nga ne, me ndonjë përjashtim të rrallë dhe bënte me gisht :”Esi, esi, esi, ekso (Ti,ti,ti jashtë)!”, duke i futur e ngjeshur në xhipin e policisë. C’të të them, më qahet e qeshet njëkohësisht. Kaq dalloheshim që ishim shqiptarë, në ballë e kemi të shkruar, ta marrë e mira ta marrë?!”
Besoj miq të dashur të bëni një farë lidhjeje e konkludimi të asaj çka shpreha më lart për pagëzimet e konsekuencat e tyre, me këto thënie tepër domethënëse e kuptimplote. Aty është një pjesë e të vërtetës së përditshme, që mund të ndrojë përmasat e formën, por jo thelbin e ekzistencës së saj. Se dhe në kohën e sotme, kur shumica e shqiptarëve janë të pajisur me karta dhe s’ka nevojë per sforcime theatrale në mjedisin grek, prapë më kumbon thënia ankuese e të njohurit, që po ja autorizoj vetes: ”Kaq dallohemi që jemi shqiptarë, në ballë e kemi të shkruar, ta marrë e mira ta marrë?!”
Këtë rradhë e kam inatin me atë pjesë njerëzish, që shqiptarllëkun e tyre e bastardojnë dhe shëmtojnë keqazi në mjedisin grek, duke u shfaqur prototipa fizikisht dhe moralisht të stonuar, ku dhe qytetari më i thjeshtë i deshifron në “Alvanozë” negativë. S’ka rëndësi nëse janë të lindur apo jo kohës së pagëzimit. Në qënien e tyre, diçka nga atavizmi prindëror ka marrë maninë e të dukurit mbi të tjerët, të shfaqjes së egoizmit e kapriçios mospërfillëse. Mos kujtoni që këto shfaqje s’kanë lidhje me efektet shoqërore ndikuese e formuese. Përkundrazi. Propaganda e stërngjeshur me deklarimin pompoz që “Vepra më e madhe e Partisë së Punës është krijimi i njeiut të ri”, u bë si pjesë qelizore në ADN-ë dhe psiqikën njerëzore. Le të dallohej veçoria fiziologjike, falë rrethanave specifike të mjedisit shqiptar dhe le të na njihnin nga këto specifika, karakteristike për çdo komb e shtet në botë. Por kur ky dallim lexohet në ballë se kështu ja u ka qejfi këtyre “Njerëzve të rinj” dhe çon në pagëzimin me tendencë përçmuese “Alvanoz”, atëhere krijohet një dualitet i rrezikshëm, që i kalon përmasat e një etiketimi inatçor.
Këtë rradhë, miq të dashur, s’po kërkoj ndihmën tuaj të më ndaloni rrëmbimin e mendimeve. Më kuptoni, ju lutem , se tek isha i përfshirë nga përshkrimi i punës në fabrikë, tek lëvizja mendërisht urbaneve, i zgjuar në vajtje e gjysmë i fjetur në kthim, përjetoja të vërtetën e këtyre mendimeve. Në atë lëvizje të zakonshme pune, është vetë filozofia e një jete të përzjerë njerëzore, që s’ka nevojë për retushe e kozmetikë fallse.
 
Kapitulli i Letrave të mia
(prill-shtator 1997)
I vetmi ngushëllim e lehtësim shpirti, e vetmja hapësirë e lirë shprehjeje dufi e gëzimi, e vetmja mënyrë komunikimi shpirtëror me Mirushen e djemkat, e vetmja rrugë për të filozofuar, dialoguar e monologuar, ishin minutat e orët e shkrimit të letrave. Ato çaste shkrimi, vetmia arratisej, distanca arrinte në zero dhe nuk merrej vesh nëse isha unë në Selanik apo Selaniku ishte korçarizuar, duke më sjellë në krahët e mia gëzimin e familjes së munguar. Kam këtu një dosje të mbushur me dhjetra e dhjetra letra, që tek i shfletoj dhe lexoj nxitimthi, më shfaqet një vetvete e shkuar, që më ngjall nostalgji përzjerë me një lloj zhelozie ndaj saj. Ndërsa sot, kur shkruaj për një ndodhi të asaj kohe, e gjej kollaj shkakun, pasi pasoja tashmë është në të shkuarën e saj, në ato letra gjithshka ishte pasqyrim e gjykim i çastit, pa ditur surprizat e të mëpasshmes. Prandaj e quaj më të arsyeshme, që më poshtë të paraqes pjesë letrash me origjinalitetin e tyre, si dëshmi e të vërtetave, të hidhura apo të ëmbla qofshin.

4 prill 1997
Mira ime e dashur!
Vogëlushët e mi të shtrenjtë!
Mirë i thonë, që kur s’ke oreks, sado të ta shtrojnë tavolinën, asgjë s’të hyn në sy. Në këtë gjendje ndodhem unë këtu në Selanik, ku asgjë s’më hyn në sy pa ju patur dhe ju pranë. Më shikon 10% e syve, më gëzon 1% e shpirtit dhe çdo ditë që kalon po më bën më të menduar e të merakosur. Mungesa e krismave jo vetëm s’më qetëson, por më bën t’i ndjej dhe ditën. Mos vallë dua t’ju jap zemër kot se vetë jam në të tjera pozita? Përkundrazi. Unë kam nevojë të më jepni ju zemër, që t’i rrezistoj çdo vështirësie të këtushme për të arritur së bashku atë që dëshirojmë..........
A mund ta konceptoj unë veten time të qetë pa qetësinë tuaj, të gëzuar pa gëzimin tuaj, të lumtur pa lumturinë tuaj?
Vetëm kur të jemi bashkë do ndjejmë njëlloj gjithshka, ashtu sikurse tani ndjejmë të njëjtën gjë. Dhimbja dhe prekja e shpirtit tim janë dyfishi i tuajës, pasi veç përjetimeve reale që pata aty, këtu në çdo hap që hedh, në çdo e ngrënë apo shlodhje, ndjej të më mblidhet lëmshi në gjoks. Pse? Sepse mungon prania juaj, sepse ju ende jetoni atë realitet të qelbur e plot ankth dhe se unë dua që sa më parë të jetoni realitetin e këtushëm................
Për ne çdo lloj vështirësie e këtushme është aq e pranueshme, sa ç’u bë e papranueshme ai realitet aty......Le t’i japim pra zemër njeri-tjetrit e mos dëgjojmë “këshillat”, vërejtjet e gjithë atyre që gjoja na qajnë hallin. E kush më dashka mua më tepër se ty, apo ty më tepër se ç’të dua unë? Kush më do mua më pranë e kush ju do ju më pranë?.......A mund t’ju imponohemi ne njerëzve për të vepruar siç dëshirojmë ne? Edhe të drejtë të kemi, s’mund të imponojmë, pasi gjithsejcili e shikon të drejtën sipas koncepteve të veta. Aq më tepër me të afërmit, unë dua të jem i sinqertë dhe ashtu sikurse e bëj për ta çdo gjë me zemër, dua që dhe ata kështu ta bëjnë për ne. Mjafton të ekzistojë dëshira e mirë, se pengesat kapërcehen..........
Të dashur gjyshi Niko e nënë Areti, po dhe të dashurit Neljan e Nikolin (nipërit e Miras). S’ju mjaftojnë letrat nga Cikagoja, po na dhe nga Selaniku....S’dua t’ju mallëngjej, se boll lot na shkaktoi ky vit ters për gjithë Shqipërinë. Sa lot kam derdhur këtë vit, se mban gjithë jeta ime. E qenka e shkruar që ende bara, dhimbja, shqetësimi më i madh të bien mbi prindërit, sikur borxhi i tyre ndaj fëmijëve të jetë deri në fund të jetës. Dhe ne sado të duam, nuk mund t’ja u shpërblejmë sa e si duhet. Jo vetëm s’ja u shpërblejmë, por ndodh që ju shtojmë dhimbjet më shumë. Veçse dijeni se kjo bëhet pa dashjen tonë. Mua më vjen të pëlcas kur shoh se ndërsa dëshiroja t’ju shpërbleja gjithshka keni bërë për ne, ju shtoj dhimbjen e largimit të vajzës e nipërve tuaj. Në këto çaste unë e ndjej forcën e kësaj dhimbjeje se po e provoj vetë, por ç’faj duhet të na rëndojë vallë që ndahemi së gjalli?!......................Piro e Donald që po ju kujtoj çdo çast. Babi ju puth çdo ditë e mezi pret t’ju ketë pranë bashkë me mamin. Ju pret Fiona, Niko, Eva. Eva që ka më shumë llafka se trup thotë :”Siç rrinë Fiona me Nikon, do rri unë me Jorgon”....................

8 prill 1997
E imja Mira!
Jeta ime Piro e Jorgo!
Ishim mësuar aq pranë njeri-tjetrit, sa dhe kur flasim në telefon dhe kur shkruaj letra e ndjej se nuk kompesoj as 1% të boshllëkut që ka krijuar largimi im. Mundohem të përballoj padurimin për t’ju marrë me aq sforco, sa e ndjej se stonoj në mjediset e këtushme. Vetëm dy herë s’kam gabuar me emrin e Mondas, se gjithmonë i thërras Mira. Ajo qesh dhe më ngacmon e thotë: ”Sa të vijë Mira, pa ta tregoj unë qejfin”!
Së bashku do ndjenim si vështirësitë ashtu dhe të mirat e këtushme, kurse pa ju ndjej vetëm mall, mërzi e padurim. Të gjithë mundohen të më kënaqin dhe këtë s’ja u harroj kurrë, por unë s’ja u shpërblej dot me qëndrimin tim të duhur, se i ngul sytë diku dhe bie në mendime..........Si përfundim, u dashka mësuar me durim për të mos rënë në pesimizëm, se kështu kanë fituar gjithë ata që sot janë ingranuar në jetën e këtushme. Janë bërë zotër të vetes dhe nuk lenë t’i tërheqin për hunde. Punojnë, fitojnë dhe gëzojnë e ç’është kryesorja jetojnë si njerëz në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kur i shoh në jetesën e tyre, ndjej kënaqësi e krenari dhe besoj se dhe ne do ecim krah tyre. Të gjithë, e dashur, kanë fituar shumë nga niveli i jetesës, por sidomos fëmijët janë më të fituarit dhe vetë surpriza. Fiona, Niko, Eva, Dea e deri Stavri i vogël i Djonit, të thajnë në greqisht e të çuditin me shkathtësinë e tyre.
Studjojnë vetë në dhomë, shohin televizor filma fëmijësh e kështu kanë fituar më shumë zgjuarsi e shkathtësi. Menjëherë i sjell këtu me përfytyrim dy djemkat e mi dhe jam i bindur se shumë shpejt dhe ata do na çuditin në të folur e në të vepruar më tepër se deri sot............Një natë fjeta nga Gjushka, se të nesërmen kishim atë punën. Edhe Gjushka punon e fiton shumë e bën një jetë si ja ka qejfi. Eshtë shëndoshur e lezetuar e ke qejf ta shohësh kur nget motorin. Mbi cigaren ka kohë që ka fituar, por jo mbi pijen. Merak kam vetëm mos e hipë motorin i pirë se për shëndet s’ka problem. Hyrjen e ka rregulluar mirë e me shije, vetëm se është pak ngushtë pasi do një dhomë veçan për Evan.........Djoni banon në shtëpi më vete, me verandë e oborr të bollshëm. Me dhomë për fëmijët, sallon ndënje, dhomën e gjumit, kuzhinën. Do pak dorë taraca se ka dhe dhomë tjetër por ka lagështirë. Edhe Djoni është rregulluar shumë mirë, ndonëse punon vetë e shumë rrallë Tomka....Më priti me tërë të mirat.
E veçuar dhe e lënë keq pas dore shtëpia e xh.Stavrit. Igrasi dhe ftohtësi e një banjë skandaloze. Xh.Stavri duket mirë nga pamja, por nga kura që bën ka shqetesime e rënie flokësh në masë...........
Por këtë letër s’dua ta shpërndaj për të gjithë, se mjafton paraardhësja e saj. Tani të desha e të dua vetëm ty përballë për për të kuvenduar se a e ke kuptuar që ndjej një mall e dashuri që a do ishe e zonja ta përballoje po të të kisha pranë? Se mos thuash që kështu flas nga që jam larg. Pse s’më ke provuar për vite me rradhë, kur largësia s’ka ekzistuar as 1 metër mes nesh? Nuk di se a ndjen dhe ti të njëjtën gjë, por mendja ma thotë e shpirti ma ndjen se do më lumturoje 10 fish më shumë. Unë, e dashur Mira, kam forcën e përfytyrimit dhe s’ka momente mos të ndjej pamjen e frymën tënde. Fantazia është i vetmi burim i kënaqësisë, sa herë ndodhem vetëm e sidomos kur shtrihem në shtrat. Je e pranishme çdo mbrëmje dhe ti se merr me mend se ç’të punoj. Dhe me atë lloj kënaqësie që të fal përfytyrimi, mbyll sytë rreth orës 3 të natës. Po ti e dashur a e ke provuar këtë imazh erotik, apo e ke larguar mendjen e ndjenjën në këtë drejtim? E di që s’të lenë punët, djemkat, të afërmit e shoqëria, por mundoju një çast para se të flesh të më kesh pranë mendërisht dhe unë të premtoj se s’do të të zhgënjej asnjë sekondë. Përderisa më shfaqesh çdo natë me trupin tënd joshës, me sytë tënd eksitues, e ndjej se dhe unë të shfaqem ty. Derisa të vijë çasti kur fantazinë ta ndjejmë bashkë me gjithë fuqishmërinë e saj. Po mundohem e dashur të të largoj pak çaste nga ai realitet i zymtë, ndonëse e di se pak ja arrij qëllimit. Sepse nga ai realitet mund të të largojë vetëm largimi dhe ardhja këtu.........Mira, erdha tek ty e po të përqafoj. Vazhdo ti vazhdimin. Edi
 
17.5.1997
Mira ime!
E para letër që do të të mërzitë ca, por mos u alarmo se dhe hallet e sikletet për njeriun janë....Puna po ecte mbarë dhe për të qënë më kursimtar në kohë fillova të ngas motorin. Dje u kënaqa, pasi i brodha rrugët e Selanikut. Sot në mëngjes pas 12 orëve punë, më shkrepi të marr motorin nga Djoni e të vija në Monda (në shtëpi). Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Në një rrugicë u ktheva me shpejtësi dhe rrashë. Motori goditi këmbën e djathtë keq dhe bëri nja tre metra xhiro afër trotuarit. Unë rrashë në krah të djathtë, por ndjeva dhimbje në këmbë. E hipa motorin dhe ashtu siç isha brodha për t’u qetësuar. Por dhimbja më mundonte dhe u ktheva në shtëpi. Këmba u enjt shumë.
Koçoja kujtoi mos nxorra gavilen. Mua më vinte mendja për thyerrje. Morra Djonin, me veturën e tij e Koçon shkuam në spital, ku pas grafisë ma vunë në allçi. Thyerrja është tek gishti i dytë më duket (afër samarit). Do vete pas një jave vizitë e kështu Edi tënd sot qan me lot nga dhimbja e shumëfishtë, pra jo vetëm e këmbës. E di që tani po loton, por të mos alarmohemi se për njeriun janë të gjitha. Puna prapë do vazhdojë, se nuk më ndron me tjetër, vetëm se ditët do më duken të mërzitshme. Pas kësaj letre, lexo vjershat e harro këtë lajm që s’desha të ta thoja, por në një formë a tjetër do ta merrje vesh. Mos e komento gjatë me të tjerët.
Të lutem mos më qorto, se Edi tënd e qortoi vetveten për nxitimin. Por lutu të fle rehat e pa dhimbje e ta kaloj sa më shpejt sikletin. Të dy se të dy e kemi. Më fal e dashur që të shqetësova. Jam pranë teje, yti Edi.

20.5.1997
Mirushja ime!
Kaq shumë kam shkruar e kemi folur në telefon, sa dhe pranë po të ishim s’do kishim biseduar as 70% të tyre. Duket sikur s’kemi ç’të themi më, por e shoh se ndërsa ekziston vetëm fundësia e letrës së një date, ekzistoka pafundësia e mendimeve e ndjenjave të mia për ty. Kjo tregon se dhe në jetën e përtejme unë do vazhdoj avazin e kësaj jete, pra s’do pushoj së foluri kur të të kem pranë e së shkruari kur Zoti të më ketë nisur diku me shërbim në parajsë.
Ajo që më ndodhi më 17 maj ’97, duket sikur frenoi shpejtësinë kozmike të të shkruarit, pasi sikleti e dhimbja s’më ulnin dot në karrike për të shkruar. Mbase Zoti kështu desh, që intensiteti i ndjenjave mos arrinte kulminacione me përmasa të papërballueshme. Megjithatë e shoh se frenimi s’ish tjetër veçse një stacion urbani. Unë përsëri kam hipur në Pegasin tim dhe ja tek po vazhdoj përsëri të të shkruaj.........E di e dashur që të kam shkaktuar dhimbje, merak, shqetësim e për këtë më duket vetja aq fajtor sa s’di ç’dënim t’i jap më shumë se nga ç’kam pësuar. Kur e analizoj veprimin e atij mëngjesi, them se u bëra rob i të keqes. Sikur më shtynte diçka të devijoja itenerarin e atij mëngjesi........Më vinte të ulërija nga veprimi im. Gati po qaja nga inati e shaja veten aq sa s’e kam sharë tërë jetën time.....Atë ditë e dashur vetëm sharje e thirrje kam hequr nga Monda, Koço e Djoni. Më ngacmonin aq sa më nuk duroja, pasi dhimbja më djersinte e më bënte të paduruar.......Lëviz duke kërcyer me të majtën ose duke kapur mbështetësen e karrikes nga prapa. Nuk ta merr mendja sa më mungon moj zemra ime për gjithshka. Kur jam vetëm të kërkoj me zë: ”O Mira ku je, oh të të kisha moj Mira, s’ta merr mendja sa të dua e sa ta kam nevojën!!!”
Tani ujrat rrjedhin qetë..................

22.5.1997
Shpirti i shpirtit tim, zemra e zemrës sime, Mira!
S’kanë kaluar as 12 orë që folëm në telefon, por s’ka kaluar dhe as një minutë pa menduar për ty dhe përsëri po ulem të të shkruaj. Se ç’po ndodh me mua, një Zot e di, por vetëm tani e besoj qindpërqind tragjedinë e Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”. E besoj dhe ndjej se jam bërë një Romeo i kohëve moderne që do ta çudiste çdo shkrimtar të sotmin. Sot kur qindramijra e miliona femra luten për pak Romeo dhe mezi e gjejnë dhe në ëndërr, këtu, në një vend të Selanikut, shfaqet si papritur ai dhe hë për hë ka çuditur gjithë ata që e njohin. Në fillim e shikonin jo aq me interes, se kujtonin që kështu e ka distanca, por tani po binden se ekzistoka ajo dashuri, ta themi romantike, që i bën partnerët të duhen gati marrëzisht me njeri-tjetrin.........
Duke parë një Romeo këtu, kuptohet që besojnë se ekziston dhe një Zhuljetë në Korçë. Pra nëpërmjet meje, po të njohin dhe ty. Sepse s’mund të ekzistojë një Romeo pa një Zhuljetë.
Por çfarë ndodh në realitet pas kësaj njohjeje? Cili është efekti, reagimi, ndikimi, etj?
Kemi të bëjmë në këtë rast me çifte të stazhionuar, që ndërsa në fillim mund të kenë patur shumë nga Romeo e Zhuljeta, më pas, me dashje apo pa dashje i janë larguar këtij çifti ideal.....Nuk dua të rëndoj njeri, por në përgjithësi kështu është e vërteta.
Të gjithë duan të jenë Romeo e Zhuljetë e pak, shumë pak mbeten të tillë. Dhe kur takojnë në jetë çifte që ngjasojnë, i shohin, dikush me çudi, dikush me zili, dikush me cmirë, dikush me respekt, dikush mbase dhe mund të tallet. Pra sejcili sipas gjendjes së vet dhe koncepteve për jetën, mban qëndrimin e tij.
Kush i është larguar tepër këtij çifti ideal, mundohet të ngushëllojë veten me lloj-lloj justifikimesh, kush e ka cënuar disi veten e ndjen se nuk i ngjan sa ç’do deshte t’i ngjante, mundohet të riparojë diçka në jetë. E kështu pra, reagimi është aq i larmishëm, sa po ta përmend do duhen dhjetra faqe.
E vërteta është që çdo lloj syri qoftë, sikur na lëshon ca rreze, sikur, si i thonë plakat, merr mësysh. Unë them se merr apo s’merr mësysh, ajo që po ndodh mes nesh me kaq intensitet e fuqishmëri, sikur ka nevojë për ca frenim e ngacmim, pra për ca “zënkë”.
Dhe Zoti ka ditur çka bërë, kur krahas dashurisë ka vënë dhe xhelozinë, krahas harmonisë ka vënë dhe zënkën etj, etj. Veçse ama duhet patur kujdes që raportet mos kthehen në të kundërt siç ka ndodhur në sa e sa raste. Pak kemi dëgjuar për dashuri e tradhti, për harmoni e ndarje, e deri në tragjedira?
Do vijë një ditë, e dashur Mira, që kur të rilexojmë letërkëmbimin tonë, të ndjejmë nostalgji e krenari. Në letrat e mia asnjë fjalë e shprehje s’më ka munduar, por ka dalë aq natyrshëm nga zemra, sa dora s’ka qenë aq e shpejtë ta hedhë në letër. Nuk them se shkaku i kësaj force të mistershme jam vetëm unë, pasi pa ty ajo nuk do mund të shfaqej. Eshtë një lidhje gati hyjnore, ku veprojnë dy forca vërtet të ndara fizikisht, por aq të lidhura e të ndërthurura me njera-tjetrën, sa bëhen një e vetme. Unë e ndjej se brenda qënies sime ka hyrë dhe vepron forca e shpirtit tënd e duke u shkrirë në një me timen, materializohen në këto shkrime. Jo vetëm në shkrime, sepse unë ndjej veprimin e tyre vazhdimisht, në çdo mjedis ku ndodhem. Eshtë kjo forcë dyshe e bërë një, që vepron e reagon ndaj çdo ndikimi e ngacmimi, duke e neutralizuar atë............
Nuk besoj se jam marrë me ty e dashur praktikisht më shumë se sa jam marrë këtu duke të shkruar. Sado të pretendosh se dhe ti më ke ballancuar apo tejkaluar, e vërteta është kokfortë dhe kaq e dokumentuar, sa s’ka nevojë për avokat mbrojtës. Letrat mund t’i lexosh për disa minuta, por pas tyre janë orë të tëra dedikimi mbi tavolinë. Jam ulur p.sh.në orën 9 të mëngjesit e jam ngritur ende pa përfunduar letrën në orën 1 të drekës. Jam ulur përsëri në 3 e më kanë ngritur të tjerët në ora 6. E të mendosh që njeriu ha mëngjes, drekë , darkë, pi dy herë kafe, punoja natën apo me raste dhe ditën. Po darka? Ndonëse me njerëz, përsëri një apo dy orë shkrim letre apo vjershe..........Më pas rreth 12 të natës në shtrat me pultin në dorë. S’më ze gjumi deri nga 2 e 3 e natës. ............Sytë lodhen dhe unë pasi e mbyll televizorin, përsëri merrem me ty. Në fillim jam i mbështetur në dy jastëkë. Më pas njerin e ve pranë e them, ”Kjo është për Miran”. Pra u mësova të ve dy jastëkë, si në krevat dopio, se më duket sikur aty të kam dhe ty. Derisa më mund gjumi e mjera ti se ç’heq nga unë, po dhe i mjeri unë nga ty?!.................
Unë veproj në letra si në jetë. Pra si më vjen e jo si duhet të më vijë, si e ndjej e jo si duhet ta bëj Miran të më ndjejë............
Kështu e dashura ime që po më luan mendsh, mos shko asnjë të dhjetën e sekondës dhe asnjë të qindën e fijes mendimin se Edi tënd duron pa ty. Duroj pa ty aq sa mund të durojë gjysma e trupit tim pa gjysmën tjetër të tij.
Nganjëherë them se ç’po ndodh kështu me mua? Mos jam i sëmurë nga dashuria për Miran? Mos vallë Mira s’ma pranon këtë pasion kaq të papërmbajtur dhe tallet me ndjenjat e mia? Pra, mos po e kaloj masën e dashurisë, apo dashuria është e pamasë dhe unë jam përfshirë fuqishëm në forcën e saj tërheqëse? Ti si po thua këto çaste që lexon këto mendime? Kush qëndron prej tyre? Ma shpreh e dashur sa më parë mendimin tënd se kam nevojë për të, siç kam nevojë për gjithshka tënden.
Oh, kur do bëhen realitet gjithë ato puthjet e tua që më dërgon me letër! Do rri shtrirë me orë të tëra të ndjej erën e trupit tënd dhe buzët e tua në trupin tim. Do jetë çasti më i magjishëm që do më lumturojë. Oh, sa kam nevojë për puthjet e tua të ngrohta, nga buzët e tua që s’ju ngopem dot! Oh, sa kam nevojë për ledhatimin nga gishtat e tu fantastikë! Oh, sa kam nevojë për çdo pjesë të trupit tënd, që ai e di ç’do heqë porsa ta kem pranë! Kam nevojë të shoh pambarim sytë e tu e të shlodhem në jeshillëkun e tyre, të puth buzët e tua e të dehem, të puth faqet e gushën, të gudulis veshët, të luaj me kaçurelat......................
Jorgua im! O shkrimbukuri i babit! Po ç’mu duke kaq i rritur me mendimet që shkruan, o xhan i babit? U rrit krenaria ime për ty. Të lumtë! Më shton besimin se dhe këtu do na nderosh.
Pirushi im! C’i ke ato llafka aq të ujdisura që më ngacmuan mallin e tani s’po duroj dot pa të patur pranë. Mos u tremb, të keqen babi, nga krismat e bombat se ke mamin që të mbron në shtëpi, ke babin që lutet dhe Zotin që na mbron të gjithëve. Do vijë dita që s’do dëgjosh më nga ato zhurma të frikshme, veçse nëpër filma. Pra ti po rritesh i fortë.
Për të dy ju, babi mendon, por tani kërkon ta falni dhe ju se babi tuaj gaboi me motor dhe theu këmbën. E kërkoj faljen tuaj se ashtu do shërohem me shpejt. Të treve ju kërkoj falje. Ju puth, ju puth, ju puth, fort, fort, fort Edi

* * *
 

* * *

Muaji maj, veç letrave të shumta, përmban dhe hedhjen në letër të vargjeve të para për Miran. Poezi modeste, pa pretendime poeti të afirmuar, që dëshiroj ti lexoni si dëshmi të asaj bote të trazuar timen, por me plot dashuri e pathos djaloshar.

Endërra ime
Vetmia është boshllëk
Që zemrën ma mundon
Ve kokën në jastëk
Por ti seç më mungon.

Dhe gjumi arratiset
Më le pagjumësi
Dhe ëndërra ime niset
Të gjejë pak lumturi.

Seç ndalet pranë teje
Aty në shtratin tonë
Ti duart zgjat drejt meje
Dhe fort më përqafon.

Kështu dua të rri
Me ty Mira e dashur
Deri në pafundësi
Pranë ke për t’më patur!!!
12.5.1997

Cast
Ec rrugës i trishtuar
Asgjë s’më bën përshtypje
As vajzat shalzbuluar
As çiftet mbuluar me puthje.

Sepse më mungon ti
O musht i dashurisë
Prej teje veç do pi
Këtë lëng të përjetësisë.
12.5.1997

Mall
Shoh detin e trazuar
Më ngjan me shpirtin tim
Kush vallë i ka munguar
Që sot nuk gjen qetësin?

Ec bregut dhe i them:
Sot jemi në një hall
Ti mall ke për ca diell
Për Miran unë kam mall.

Shoh detin e qetësuar
Me shpirtin tim s’më ngjan
Ai dallgët ka ndaluar
Unë dallgë lotët kam....
13.5.1997

Përsëri një ëndërr
Jam ulur në ballkon
Dhe kafen po e pi
Vetminë ti ma zbon
Dhe pranë meje rri.

Atëhere zemra rreh
Me forcë djalërie
Oh ç’puthje ti më jep
Me ndjenjë vajzërie.

Dhe kur rri përballë
Moj kaçurelja ime
C’magji po më bën vallë
Me sytë tënd jeshile?

A mundet të duroj
Pa puthur sytë e tu?
Ndaj buzët i afroj
Por kafen kam këtu.

C’po ndodh, ku vajte ti
O ëndërra ime e bukur?
Mos prish këtë magji
Që po na bën të lumtur.
14.5.1997

Tek paketoja poezitë e mësipërme, i shoqërova me sqarimin e mëposhtëm:
Këto vjersha lejohen për çdo moshë, ndaj mund t’ja ekspozosh kujt të duash.
Dhe dëgjo, vazhdo me modestinë tënde, që është një nga burimet e frymëzimit tim. Unë nuk ngatërroj modestinë me krenarinë dhe krenarinë me mendjemadhësinë.
Pra është e drejta jote të krenohesh, të kënaqesh me dedikimet e mia e të dëshmosh para kujtdo se sa shumë duhemi e bëjmë për njeri-tjetrin.
Vërtet paskemi 10 vjet martuar? S’e besoj! Ne porsa po zbulojmë tek njeri-tjetri se sa të dhënë e të dashuruar jemi. Po më parë se dinim? Kush tha? Ne kështu kemi nisur e vazhduar, duke dhënë e dhuruar, duke marrë e shijuar gjithmonë dashuri. Qenka dashuria e përjetshme, apo ne po e bëjmë të tillë? Nuk e di. Mos pretendojmë për autorësinë. Ne jemi autorë e protagonistë të dashurisë sone e në këtë autorësi s’i hyjmë kurkujt në pjesë. Për vete kemi të drejtë të nënshkruajmë: Mira-Edi.
15.5.1997
* * *

Sikur dëgjova të thoni, të dashur miq, që ju pëlqen të vazhdoj me paraqitjen e letrave. Me gjithë qejf po ju plotësoj dëshirën, duke e bashkuar dhe unë kuriozitetin tim me tuajin, se me thënë të drejtën, tek i lexoj harroj për një çast vetautorësinë dhe para meje shfaqet një Edmond i 1997-s, i vetëm dhe i papërsëritshëm.
* * *
24.5.1997
E shtrenjta treshja ime e zemrës, Mira, Jorgo e Piro!
Thashë të mos shkruaja pas telefonatës, por e qara e Piros s’po më hiqet nga mendja dhe po më duket vetja fajtor. Nga ana tjetër, doni ju që më kish marrë malli për atë qarje dhe sikur u çmalla ca.
Sa të qarë tërheqëse paske mor Pirush. Hiç nuk ke faj ti, se e di që më do dhe dëshiron të flasësh me mua në telefon.Por unë s’dua ta zgjas shumë se mallëngjehem dhe nuk duroj dot. Të dëgjoj zërin tuaj të ëmbël dhe mos ju shoh e prek dot? Prandaj dhe ju flas pak e kërkoj mamin, se me mamin është ca më ndryshe dhe di ç’më thotë për të më qetësuar...... Edhe unë me mamin ju kuptojmë në ëndrat e dëshirat tuaja dhe mundohemi t’ja u realizojmë. E dimë që keni botën tuaj shpirtërore, doni të luani e argëtoheni, nganjëherë edhe do shkoni kondra, se fëmijë jeni. Ne nuk ju pengojmë, por përpiqemi që me ato mundësi që kemi t’ju afrohemi kërkesave tuaja. Kudo fëmijëve ju mungon diçka dhe askush s’mund të pretendojë se ja u plotëson dëshirat, sado i kamur qoftë.
Ja, unë e shoh këtu përditë. Dikush ka lodra më shumë, por pak mundësi të luajë me to, dikush do të dalë shëtitje më shumë, por s’kanë kohë prindërit. P.sh. Fiona me Nikon. Kur janë pasdite në shkollë, në mëngjes çohen nga 9-10 bile 11 dhe sa bëjnë detyrat, hanë ca mëngjes e ikin në shkollë. Janë vetë dhe kur kthehen pasdite nga 6 e 30....Sepse mami nga muzeu shkon për hekur dhe kthehet nga 9 e10 e natës. Babi mund të ndodhet, por merret me pazar, ndonjë shëtitje të vogël e kështu fëmijët mbyllen në dhomë e shohin televizor.
E njëjta gjë dhe kur kanë shkollën paradite. Ka dhe ditë që si mami dhe babi në orën 5 e 30 janë në shtëpi. Por janë grumbulluar aq punë, sa s’kanë nge të merren me fëmijët. Vetëm 5 minuta përkëdheli dhe më shumë thirrje për qetësi, se dhe fëmijët luajnë e thërrasin. Kështu që si Niko e Fiona vetëm ndonjë të dielë mund t’i çojë babi i tyre nga nënë Lefteria dhe kaq.......
Megjithatë, unë mendoj ndryshe dhe sado i zënë të jem me punë, s’do t’ju le pa ju nxjerrë e argëtuar. Do ndihmojmë njeri-tjetrin me mamin dhe do t’i japim mundësi vetes për t’u marrë dhe me ju....
Po me Evan ç’ndodh? Eva thyen rekord në të folur dhe në iniciativë. Ajo ja gjen vetes mënyrën e argëtimit....Po e morre telefon të mban një orë me llafe....Kur është pasdite në shkollë, paradite shkon në televizion e merr pjesë në emisionin e fëmijëve.
Të dy palët kanë nevojë për më shumë kujdes prindëror.........
Unë e mbaj premtimin. Jorgos do t’ja ble patinat e do ta marr në ndonjë vend që t’i mësojë. Piros do t’i ble një makinë të madhe si pe gare që ta drejtojë me pult. Kur të dalim shëtitje nga deti, Jorgoja do ecë me patinat e Piroja do drejtojë makinën e madhe.
Unë e mami do ulemi në stol e do shohim detin.....e përsëri në shtëpi e në punë. Pra do dimë si ta ndërtojmë jetën. Me sforco, por jo aq sa të thyej përsëri këmbën.
Jam më i qetë, e dashur Mira, që Greqinë tashmë nuk e shoh me aq eufori si në fillim. Pra ndonëse nuk e ke provuar, nga letrat e mia dhe fjalët e të tjerëve, ke mundur t’i afrohesh realitetit e të kuptosh se sa probleme e pengesa ka jeta e këtushme.
Se i dija më parë këto, pa nuk shtroja kurrë shpërnguljen tonë këtej. Ti e di se ç’thoja në këtë drejtim. Por nga dy të këqija, më duket se kemi zgjedhur më të voglën, pasi aty në vendin tonë ka plasur e keqja e madhe. Kjo pra është e vërteta, sado e hidhur qoftë. I thonë shpërngulje, ku ngrihesh e le shtëpi e katandi..............
Asgjë s’ke tënden, veç krahut tënd për punë. Po flas për fillimin, ndaj mos u alarmo, se nuk e kam aty qëllimin.
Kërkon punë e mezi del. Diku të duan me dokument se kanë frikë nga kontrollet. Diku të pranojnë dhe s’të japin aq sa ç’meriton për punën që bën. Diku duan të dish gjuhën e kështu me radhë. Sot këto pengesa janë shtuar, se këtu po rikthehen dhe ata që kanë qënë më parë e kanë ikur. Ata dinë pra gjuhën dhe e kanë më lehtë. Por ka ama që dinë gjuhën e punë s’gjejnë. Shumë s’kanë ku futin koken. Dikush kapet, dikush zë ndonjë lek e kthehet në Shqipëri. Pra, mijëra shembuj. Unë them se varianti del po të jesh në kërkim...........Në favor është se kemi të afërm e të njohur që, “në mos njeri-tjetri moj, Melin moj do ma marrë”.
Për të ardhurën tënde, po i rikthehem edhe njëherë problemit. Të mos japim shkas për diskutime prapa nesh, për qarje halli prapa nesh. Nuk dua, moj Mira, që padurimi tonë t’i shqetësojë e alarmojë. Ti s’e merr me mend se sa i ka ndryshuar vendi, puna, njerëzit. I ka lodhur fizikisht dhe ju ka dobësuar nervat. Më shumë kjo ka ndodhur me Mondan që punon tej mase.
Asnjë femër apo dhe mashkull qoftë, nuk punon me atë intensitet e orar sa Monda. Robote e vërtetë. S’them e përditshme, por ka ditë që ikën në 8 e30 në mëngjes e vjen në 9 e 30 apo 10 të natës.
Një ditë vajti paradite në një shtëpi. Punoi deri nga 1-shi. Në muze i thanë të shkonte në ora 4 pasdite. U kthye në shtëpi, u vërtit një orë e iku në muze. E po, thashë, në ora 9 do vijë. Që aty i telefonon njëra e i lutet për hekurosje. Pra i shkon dhe vjen në shtëpi në ora 11e natës. Cfarë të presësh në shtëpi në këtë orë nga gruaja? Kur s’është e s’bën dot për burrin dhe fëmijët e vet, ç’mund të pretendoj unë? Shtrihet, ja ve Koços këmbët në prehër dhe ai ja fërkon. Bien gjumë nga 12 e natës ku dhe sheh televizor ndonjë orë e nesër përsëri avazi. ”Kështu do vazhdoj-thotë-deri në fund të vitit, se atëhere them se do realizoj planin. Pastaj do lehtësohem”. Ashtu qoftë, se nuk e shoh dot të ikur gjithë ditën.
Prandaj dhe në ndonjë debat, nuk ve re tonin e fjalët e thëna, por e mbyll sa më parë. Nuk dua të jem shkaktar i asnjë shqetësimi, por rri aq sus sa ti më kupton se sa ngushtë e ndjej veten, se dhe unë kam nevojë të veproj lirshëm.
Në këto rrethana, ti se beson, por unë kam thirrur me zë emrin tend, aq të kërkoj të të kem. Dhe në çast ndjej lehtësi, krenari e kënaqësi që të kam ty e dashur, ndonëse larg, por e di se ç’grua kam. Sado të ndikojë Greqia e puna këtu, unë s’do lejoj kurrë që të të acaroj nervat e të mbilodhesh, aq sa mos jesh në gjendje për asgjë. Sejcili le të rrojë me planet e veta, ne do kemi planin tonë, apo jo? Megjithatë, na takon të kuptojmë thelbin e shpirtit e jo aparancën e prandaj dua të besoj se thelbi është pozitiv e dashamirës.......Do kalojë ajo lloj egoje e do kuptohet se kështu e ka jeta. Boll me qarje e ankesa, jo s’i takon Edit kjo punë, jo ti je si zonjë e s’duhet të lash banjot e grekëve etj, etj. Pse se di unë ç’më takon mua e ty e dashur? Por ja që dikush në vendin tonë na i preu rrugën e jetës e ne duhet ta vazhdojmë atë në formë tjetër. Sepse s’është faji tonë, pra mos i shfryjmë vetes, por të përpiqemi të mbijetojmë. Pse se di une ç’ëndra na u vranë ne e mijra familjeve shqiptare?! Pra s’jemi vetëm. Pse se di unë që s’ka si shtëpia jonë, shtrati tonë, dhoma jonë, kuzhina jonë e banja tonë?..................
Vetëm fakti se përsëri këtu i shpëtojme asaj jete pa kuptim e të shpuar nga plumbat, më jep forcë e besim dhe i jap vetes kurajo....Unë mezi pres ditën kur të jemi vetë në shtëpinë tonë e me të ardhurat tona. Kushedi sa i lumtur do jem atë ditë, se merr dot me mend ç’mund të bëj nga gëzimi. Ti ke për t’i hequr kusuret e atij gëzimi. Të puth ty e djemkat. Edi

25.5.1997
Mira, Jorgo, Piro=jeta ime!
Ekuacion apo barazim që s’ka nevojë për vërtetim.
Një e vërtetë absolute dhe e përjetshme, pa të cilën s’do kish kuptim jeta ime.
Familja=domosdoshmëri e ekzistencës sime.
Prova? 10 vjet martesë, 10 vjet dashuri e harmoni ideale, 10 vjet lumturi e gëzim familjar, 10 vjet shpërthim e lulëzim ndjenjash në rritje, 10 vjet gjithshka e ëndërruar dhe e bërë realitet në dashuri me gruan dhe fëmijët.
Letrat e mia? Vazhdim letraresk e artistik në distancë i vetë mendimeve, fjalëve, veprimeve të mia, në jetën familjare. Vazhdim logjik i vetë logjikës sime gjatë 10 vjetëve martesë. Më mirë se kushdo, këtë të vërtetë e di ti e dashura ime Mira.
Ndërsa për ndonjë grua tjetër prezenca e burrit në shtëpi qenka dimër i dytë, për ty ka qënë dhe është pranverë e parë. Pak të thosha se do dal e ti ngryseshe e pak të vonohesha ti merakoseshe e më prisje me padurim. Dhe kur rrinim bashkë, se sa e dëshiroje këtë realitet, e dëshmoje me sjelljen tënde të çiltër. Të këndonte çdo pjesë e trupit. Pra e bëje të këndshme mjedisin, që unë jo vetëm mos mërzitesha, por edhe të kënaqesha. Ti ecje dhe unë kundroja trupin tënd nga koka në këmbët e ngacmohesha për ta prekur. Ti gatuaje dhe në pozicionin që merrje ngacmoje fantazinë time erotike. Sa herë lëvizje nga dhoma në kuzhinë dhe unë të ndiqja pas si ndonjë djalë i porsadashuruar, që pret rastin e propozimit.
Dhe këto nuk ndodhnin rrallë e për mall, por gati çdo ditë. E çdo ditë nuk e veniste, përkundrazi e shtonte kënaqësinë. Dimri i dytë ne na ndodhte kur dikush largohej prej nesh. Bile dhe atëhere ky lloj dimri zbutej me fantazinë e sejcilit. Pra s’mund ta konceptoj dot, se si prezenca e burrit në shtëpi, të quhet nga ndonjë grua si dimër i dytë. Diçka çalon në dashurinë e atij çifti, që në vend të pranverës ve dimrin në mes ...........
Sepse ajo femër, gradualisht konceptin e saj për dashurinë, do ta ndajë në ngastra. Do duket se vlerëson burrin, duke e ngritur me fjalët e saj dhe të të tjerave në qiell e kjo është NGASTRA E PARE e moralit, e një lloj mburrjeje apo krenarie.
Kush e dëgjon, kujton se ka të bëjë me një çift ideal.
Më pas, fillon ndonjë vërejtje si me të qeshur, si duke thënë, ”më fal që po ta them por”, e kështu numurohen disa të meta të burrit......Ja si del NGASTRA E DYTE , që gradualisht fillon t’ja kalojë të parës. Për mua, kjo është shprehje e pakënaqësisë së gruas ndaj burrit. Më pas, fillojnë hedhje-pritjet, herë me shaka e herë seriozisht, të ngacmimeve në fushën e ndjenjave, në fushën e seksit. Këtu ka aq takt e diplomaci të femrës, sa burri i gjorë (jo çdo burrë ama) fillon të gjykojë vetveten. P.sh., ka shoqe, thjesht shoqe, që ju flet e ajo ja përmend, e thumbon për to. Burri që nga natyra dikë mund ta ketë simpatizuar, i duket sikur e ka tepruar e ka bërë mëkat ndaj gruas kaq besnike e të ashpër në këtë drejtim. NGASTRA E TRETE ja tek po formohet si pa u ndjerë. Aty duket sikur femra ka supremaci dhe autoritet absolut ndaj burrit. E sulmon mbarë e prapë në moral, herë me shaka e herë seriozisht dhe në atë ngastër krijon terrenin për t’u hedhur në ngastrën tjetër të sajën. Por më parë duhet krijuar ky terren, kjo lloj ure sigurie. Fillojnë thumbat, tolerimet ndaj burrit, kushtet e premtimet, ca shakara të ekzagjeruara për matje pulsi e kur sheh se burri i ha e gëlltit kollaj, hidhet më tej, në kërkesa të ashtuquajtura reciproke, por ama të fshehta ndaj njeri-tjetrit. Pse them reciproke? Kjo femër e përdor reciprocitetin sa për sy e faqe ndaj burrit, duke i thënë se e lejon të shkojë me kë të dojë e të bëjë çfarë të dojë, por ama pa e ditur ajo se me kë. Këtu qëndron dhe fshehtësia. Për këtë i jep leje si me shaka e më pas i betohet seriozisht. Pra në thelb, ndonëse mund të jetë xheloze, ajo e lejon burrin të shkojë me të tjera. Ja këmba e parë e urrës për t’u hedhur në ngastrën e saj. Më pas, me lezet, pasi ja vesh burrit të paqënën apo mbase të qënën......fillon të kërkojë reciprocitetin, pra që dhe burri ta lejojë atë të bëjë ç’të dojë e me kë të dojë. Moralizon pak, duke thënë për lidhje të përkohshme e jo për dashuri të vërtetë. Pra thjesht lidhje seksi. Në fakt, unë mendoj se me këtë lloj diplomacie, kjo femër nuk kërkon thjesht një shkarkim seksi, por lidhje më të ngushtë, pasi vetë ngastrat aty të çojnë.
Duke i kërkuar burrit këtë liçencë, ajo ka kapërcyer ndrojtjen, sepse më parë e ka budallallepsur atë me sulme e tolerime, me lejime e përkëdhelje. Burri mbase ndodhet disi i hutuar, por i duket vetja ca mëkatar. Gjithashtu, i jepet dhe leja për aventurë. Këto mishmashe e hutojnë dhe ndodhet si i papërgatitur para gruas. Cfarë të bëjë? Në vend që ta shkundë gruan e veten, e shikon si i çuditur. Forca e saj logjike si jep mundësi t’i kundërpërgjigjet si duhet. Dashuria e xhelozia e bëjne disi të matur dhe nuk i jep lejen me firmë e vulë, por ja le ta nënkuptojë dhënien e saj. Por gruaja është lavrake, se ha atë teke. Ajo, ose është lidhur më parë me dikë dhe tani sa do që ta ligjërojë këtë veprim qoftë dhe me një aprovim koke, ose është duke u lidhur dhe do ta justifikojë po me aprovim koke, ose ëndërron të lidhet e përsëri do firmë e vulë për të qënë më e qetë në lidhjen e saj. Me shkrim a me goje, kjo femër porsa hyri në NGASTREN E SAJ. Me gjysmëaprovimi apo më shumë, ajo qetëson disi ndërgjegjen e saj. Shpirtin e saj e gryen ana moralizuese dhe ajo mundohet të verë në anën tjetër peshën e ngastrave të porsangritura. Dhe ju rëndon atyre aq sa të qetësoje veprimet e saj. Kështu jeta vazhdon me të njëjtin avaz të ndarjes së ngastrave.
Burri kujton se gruaja do veprojë, por ama pas tij dhe kjo sikur e qetëson. Dhe po nuk e pa vetë gruan me tjetrin hipur, s’ka për ta marrë vesh kurrë tradhtinë e saj, sikur të gjithë t’ja thonë. Për të, ajo është gruaja që e do, e ngre lart (ngastra e parë), pavarësisht se ai paska ca të meta, ajo ja pranon dhe mundohet t’ja verë në dukje (ngastra e dytë) dhe se ai mund të rrëshqasë pasi dikë ka parë e simpatizuar nga shoqet e se e shoqja vërtet e do, por e lejon të bëjë me tjetër, vetëm ajo mos e marrë vesh, se pastaj do t’ja shpërblejë me të njëjtën monedhë (ngastra e tretë).
Pra janë tre ngastra në favor të tij, në dukje, që e bëjnë të mirëbesojë dhe vetëm po devijoi ai do shpërblehet me të njëjtën monedhë. Pra, dhe në ja ka dhënë lejën gruas si me të qeshur, beson tek monedha e jo tek leja e dhënë. Pra gruaja tani vepron në ngastrën e saj si të dojë dhe burri s’mund të hyjë atje, se boll i ka dhënë atij tre ngastra.
Kjo është për mua filozofia e kësaj femre............
.........por kjo analizë, e dashur Mira, më shërben mua dhe ty për të mundur njohjen më mirë të realiteteve e të njerëzve dhe për të mos lejuar që ne të përdoremi si fasadë e bukur për këdo që e ka ndarë jetën e vet në ngastra........
Rilexo hyrjen e kësaj letre, domethënien e saj. Mbase vazhdimi i devijoi ca hyrjes, por dije se në fund të fundit asaj i shërben.
Nuk dua të dal e të shfaqem as egoist, as hipokrit, as xheloz i tepruar. Për mua familja është gjëja më e shenjtë e shoqërisë njerëzore. Ajo që e rruan dhe e forcon këtë shenjtëri, është vetë çifti bashkëshortor duke e ngritur lart e lezetuar me fëmijët, të ardhmen e tij. Ky çift, lidhet në një dashuri të shenjtë dhe as vdekja nuk mund ta ndajë e ndalojë, sepse ajo mishërohet tek fryti i kësaj dashurie, fëmijët.
Dashuria e çiftit përmban forcën e ndjenjave dhe kur femra ka gjetur tek mashkulli realizimin e ëndrës së saj dhe anasjelltas, këto ndjenja nuk veniten kurrë. Ato kurdoherë shpërthejnë dhe realizohen me larmishmëri të tillë që e lumturojnë çiftin. Pikërisht këtu s’ka moral e rregulla. Morali i çiftit fillon aty ku mbaron ky lloj amoraliteti. Duke qënë të njeri-tjetrit e për njeri-tjetrin, si femra e mashkulli e ndjejnë veten njëkohësisht dhe pronar dhe pronë. Ky reciprocitet u jep të drejta e detyra po reciproke, që në fushën e seksit kanë larmishmëri të pafund veprimesh kënaqësie. E në këtë larmishmëri, fantazia e partnerëve mund t’i çojë në udhëtime variantesh aq ekzotike, sa t’i stërkënaqë e t’i bëjë të shpërthejnë në orgazma të paprovuara më parë. Sepse i tillë është seksi me enigmat e variacionet e tij të pafundshme. Ai të largon nga realiteti e të fut në hapësirën e ndjesive e të epsheve që të mahnisin me fuqishmërinë e tyre. Kur gjithshka mbaron dhe ekstaza s’vazhdon dot atë çast, kthehesh në jetën reale me të mirat e të metat e saj, me rregullat morale të shkruara e të pashkruara...............
Pra, mirë është të fantazosh e të kënaqesh me gjithshka në këtë fantazi erotike, përderisa arrin dhe të të kënaqë, ashtu sikurse në realitet është mirë të dish të veprosh me të e të vendosësh raportet e duhura në marrëdhëniet me njerëzit. Ky është dhe kuptimi i vërtetë i morales, amorales, i ndjenjës dhe logjikës, i vetë familjes, çiftit dhe i raporteve shoqërore apo miqësore mes njerëzve. Po u kuptua kjo, ke triumfuar mbi çdo ego, hipokrizi apo xhelozi të sëmurë, veçse po u kuptua nga femra e mashkulli.
(Vazhdon letra në dt26.5.1997) Në fakt jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë e aq më tepër të përballojnë inercinë e instikteve.......Dhe në çast përsëri ju duket se bota është e tyrja dhe asgjë e keqe s’ka ndodhur. Por posa kalon vala e instiktit, e epshit dhe kënaqësisë, ndodh vetgjykimi i veprimit të bërë. Ndeshja me realitetin tani është e mundimshme dhe gati e papërballueshme. Sepse ke rënë, si me thënë, brenda dhe e ke zor të dalësh. Mëkati të qëndron si shpata e Demokleut mbi kokë dhe shlyerja e tij nuk bëhet thjesht me rrëfim në prifti. Cfarë ndodh me këta persona......Rruga që ndjekin është e ndryshme. Ka persona që vazhdojnë më tej rrugën e nisur duke thelluar mëkatin. Ata nuk gjykojnë më, nuk mund të justifikohen më, por merren vetëm me ngushëllimin e vetes. Konceptet ndryshojnë për moralin dhe e pamoralshmja hyn gradualisht në moralin e tyre. Pasojat dihen. Tradhëti bashkëshortore që mund e çon në shkatërrim të familjes.
Ka të tjerë që arrijnë t’i thonë vetes, ”Ndalu beg se ka hendek!”, dhe përballojnë me forcë ngacmimin seksual........
Pra, shiko e dashur, sa delikate janë labirinthet e seksit dhe vetëm kush di dhe mundohet t’i njohë ato në unitet, fiton mbi çdo lloj inercie e tundimi në jetë. Konkluzionet apo shprehjet që paraqes në fillim të letrës, janë për vetë ne, për familjen tonë. Sepse deri më sot ne kemi mundur me sukses t’i japim kuptimin e duhur jetës dhe familjes. Kemi ditur t’i japim kuptimin dhe forcën e duhur dashurisë.
Pra ne, jo vetëm s’kemi qënë mangut në fushën e dashurisë, por kemi ditur të shijojmë gjithshka të arsenalit të saj të pashtershëm e njëkohësisht kemi ditur t’i japim vendin e duhur fantazisë e realitetit, pa i ngatërruar e bastarduar ato.Kjo është forcë e jo dobësi, është përmbajtjte e jo shfrenim, është triumf e jo disfatë.............
...........Kështu, e dashur Mira, pasi udhëtova në disa fusha të jetës, duke u bazuar në logjikën time, por edhe në disa shembuj realë, mendoj se diçka kam arritur të paraqes për diskutim. Nuk pretendoj në të vërteta absolute në çdo analizën time, por dije se gjithshka e kam bazuar në një analizë sa më reale. Nuk them se në këtë analizë jam thjesht në pozicionin e vëzhguesit, që vetë është i pagabueshëm dhe i paprekshëm. Përkundrazi. Edhe unë ngacmohem nga ndjenja e instikte të fuqishme që më futin në një botë tjetër kënaqësie. Edhe unë fantazoj aq sa di ta lezetoj seksin, bile fantazia ime ka përmasa aq të pamata, sa s’pyet për moshë e rregulla morale. Edhe une si qënie njerëzore, ndjej se mund të ngacmohem në jetë nga seksi, mund të ndodhem në një ndeshje të brendshme ndjenjash e mendimesh, sikurse ndjej se jam në gjendje të përballoj tundimin, duke përdorur të tjera rrugë e variacione që nuk cënojnë moralin tim e të familjes.
Edhe unë, ashtu sikurse di të dashuroj me forcën e shpirtit të dashurën time, di të kuptoj e ndjej botën e femrës, pasionet e fantazitë e saj, e pra dhe të zhelozoj në një farë mase.Masa e xhelozisë shkon në proporcion të zhdrejtë me forcën e dashurisë e besnikërisë bashkëshortore. Xhelozia ngacmohet se vetë bëhemi shkaktarë në jetë, me apo pa dashje. Ti më do pa masë, më konsideron në kuptimin e mirë të fjalës, pronën tënde dhe sikur një afrim i dikujt tjetër të ndodhë pranë kësaj prone, të duket se tapia tënde cënohet, po coptohet, lere pastaj që ky dikush të afrohet aq sa të kontaktojë e bisedojë me të. Eshtë në natyrën e njeriut kjo lloj xhelozie, që pëson ulje e ngritje sipas rrethanave.
Me thënë të drejtën, xhelozia tënde, e dashur Mira, me pak përjashtime që i di vetë, nuk i ka kaluar përmasat e norma- les. Ajo i ka shërbyer me sukses dashurisë sonë dhe për mua ka qënë një lloj frenoje e domosdoshme në jetë. Kjo freno, as më është imponuar, as është krijuar artificialisht. Pra nuk ka qënë nga një xhelozi e sëmurë, por nga një xhelozi e dashurisë së fuqishme e prandaj unë e kam preferuar dhe përdorur me sukses në jetë. Ndaj dhe inercia ime në fushën e ndjenjave nuk ka qënë, si i thonë, rënie brenda, por një udhëtim periferik. Pra, vërtet mund të kem simpatizuar, por dije se kjo simpati veç fushës së llogjeve nuk përmban asnjë lloj avancimi tjetër. Në këtë përmbajtje, ka qënë dhe është si logjika ime, ashtu dhe dashuria që kam për ty e që ti ke për mua. Kuptohet dhe frenoja tjetër e mësipërme ka bërë punën e vet. Por, e fuqishme ka qënë e vërteta se mua më do me gjithë zemër një Mirë 100% e pastër në trup e shpirt. Për sa kohë të vazhdojë kjo pastërti ideale, ti ke për të qënë perëndia ime. Dhe koha e dëshmoi deri më sot këtë pastërti..........
...nuk po vazhdoj më me analiza morale, se s’kam ndërmend të mbroj ndonjë titull. Vetëm se kisha dëshirë që ta vija ca në punë trurin edhe në tema të tilla, prandaj ti mos u mërzit me mua, e dashur. Ja që unë i tillë jam gatuar, kam qejf të merrem me ca studime etike dhe në fushën e dashurisë. Ti lexoji se s’ke ç’bën (të zuri) dhe ç’të të pëlqejë mbaji, të tjerat i di vetë ç’ti bësh. Ja që rre në një burrë që i pëlqen analiza e shoqërisë, e miqësisë, e dashurisë, etj, etj.......S’di sa ja kam arritur, se nuk të shoh si reagon, por gjithë mundi im ka qënë që të më ndjesh pranë sa më shumë............
Pas shumë ndodhive të këtushme, ti se merr me mend se në ç’lartësi të shikoj e të vendos unë. Ke për t’u bindur në s’je bindur deri më sot. Më parë, mund të të jap cazë të drejtë kur thoshe se mjafton t’i afrohesha dashurisë tënde dhe ishe e lumtur. Por tani s’qëndron ky pretendim. Tani jam unë që ta them të më afrohesh, sepse e shoh dhe e ndjej që të dua më shumë se jetën time. S’është fjalë dashnori, por burri. Këtë e dinë të gjithë dhe ato femra që na njohin e që mund të kenë marrë ndonjë kompliment nga unë. Vërtet mund të kenë marrë kompliment, por ama kurrë s’e kanë ndjerë veten jo barabar, por as në periferi me ty, sepse kanë parë e dëgjuar se në ç’piedestal të kam vënë. Këngën, ”E para moj është nëna,e dyta moj më je ti”, unë në rastin konkret e them, ”E para është Mira, e dyta moj s’di sa poshtë më je”.......
Pa dale, ti Pirush më dashke më shumë se ç’të dua unë? Po unë qenkam babka më i lumtur i botës. Ti më mbushe syçkat me lot, o shpirt i babit, me llafkat e ëmbla që thua. Sa s’desha të merresha me ty si me mamin, se e di që do vuaj akoma më shumë, por nuk t’u shmanga dot. Më munde ,djalka im, se je i shkathët e i zgjuar. Në fund të fundit, unë këtë dua, të hipësh mbi shpatullat e mia e të shohësh më larg. Ta dish ti sa ëndra e shpresa i janë prerë në mes babit, jo për faj të tij, por të sistemit. Megjithatë unë nuk tërhiqem, sado vështirësi të ndesh në jetë. Po të isha i vetëm mund të pëlcisja nga zhgënjimet, por ja ku ju kam ju të treve dhe jo vetëm nuk pëlcas, por ndjej lumturi. Sepse kam gruan më të mirë në botë dhe ç’është ai që s’do ta deshte një grua të tillë. Pra e kam grua e shoqe jete, kurdoherë në krah, në halle e gëzime. Mos ja thuaj këtë se i rritet mendja pastaj mamit. Ju kam ju djemkat që po hidhni shtat çdo ditë e po bëheni të bukur, të zgjuar e të fortë. Me dy trima si ju, unë jam mëse i sigurt dhe s’kam fare frikë. Ju, jo vetëm do vazhdoni rrugën time, por kushedi sa lart do ngjiteni. Në atë lartësi, dijeni që jam dhe unë, babka juaj, se jam në gjakun tuaj, në zemrën e mendjen tuaj. Vetëm atëhere s’kam për të ndjerë kurfarë pishmanllëku në jetë. Se arrita dot unë një qëllim, do ta arrini ju qindfish.... Kur mami më tha se Piroja po rri në koridor, u mundova të të përfytyroj dhe ndaj i thashë se dua ta mbyll me ty telefonatën.
Lum si mami që të ka pranë e fle me ty, lum si ti që ke pranë mamin dhe fle me të! Përfytyroj se si mami të thërret: ”O Edi”! dhe mallëngjehem. Se ti dhe Jorgoja jeni tani jo vetëm fëmijë, por edhe në vend të babit, ndaj si babi që e ndihmonte mamin, ta ndihmoni dhe ju. Me kompjuter të luash sa herë të duash, veçse me orar se të lodhen syçkat. Edhe jashtë kur del, qëndro aty pranë që mos e mundosh e shqetësosh mamin. Kur mami të thërret, menjëherë të ngjitesh. Jam i qetë, se jeni djemka të dëgjueshëm e të bindur. Ti Jorgo mundoju që shkollën ta mbarosh sa më mirë, të na nderosh. Lexo sa më shumë e merru më pak me lojra. Dëgjoje babin, se për të mirë të flet........
Mira ime.Tani ti kupton çdo gjë për ardhjen. S’di si ta tha Monda, por dhe me sa të kam shpjeguar unë, je e qartësuar. Nuk duhet luajtur me nervat e të afërmve. Ti lemë ngacmimet e të tjerëve në këtë drejtim. Të pranojmë ç’na jepet e për të të dimë të jemi mirënjohës, mos krahasojmë me të tjerët apo me aq sa mendojmë ne, se asgjë s’do nxjerrim në dritë, përkundrazi, do prishim gjithshka. Këtë nuk e kërkoj thjesht për interesin tonë, se në një formë a tjetër njeriu e gjen një zgjidhje, por në interes të harmonisë motër-vëlla e vëlla-vëlla.
....Mira, moj muza ime e frymëzimit, që më ke ngulur në letër e s’po më jep ca pushim. Meqenëse ka ditë dhe nesër, si thua, ta mbyll për sot me kaq se po çuditim Dhorin me trashësinë e letrës. Lere pastaj ambalazhin e bunkerizuar. Po e mbyll pra, treshja ime e dashur, duke hyrë në mes tuaj e puthur pa mbarim. Juaji Edi
 
Fshirje per arsye ridergimi
 
Redaktimi i fundit:
28.5.1997
..............Në këto çaste pyes veten: C’janë letrat që shkruan, për ty o Edi?
Përgjigjet më vinë aq të shumta, sa duhet kompjuter t’i kapë të gjitha. Unë po përmend disa, i bindur se kam lënë shumë pa i përmendur.
Letrat e mia për mua?
-Dashuria ime e shkuar, e sotme dhe e ardhme, e shprehur me pasionin e shpirtit dhe shpirtin e pasionit!
-Dialog në distancë me gruan e djemkat, monolog me veten time, gjykim, analizë, hipotezë, vetgjykim, kritikë e autokritikë, konkluzion e propozim!
-Shprehje e një frymëzimi poetik, ku janë pasqyruar artistikisht ndjenjat, pasionet, ëndrat e fantazitë e mia!
-Autobiografi e vogël e jetës sime!
-Ura lidhëse me gruan e djemkat, që ka kompesuar sadopak largësinë me familjen!
-Kanali i vetëm televiziv që unë hap çdo ditë e kam qejf të rri pambarim!
-Orë e ditë nga më të rëndësishmet e jetës sime!
-Edi i vërtetë me thelbin e shpirtit të tij, me të mirat e të metat, virtutet e veset që mbart1
-Frymëmarrja ime, ushqimi im, drita e uji, gjumi e zgjimi!
Me një fjalë, letrat e mia për mua janë: EDI, MIRA, JORGO e PIRO!.................
 
Po nderpres kapitullin e letrave, duke vazhduar me tej me librin...
 
5 Tetori i 1997-s ishte në minutat e tij të fundit e bashkë me ikjen e tij mbyllej një mikrobotë e imja 180 ditëshe e arshivuar në dhjetra letra e vargje. Por, rikthehej ajo që lashë më 30 mars, me një fuqishmëri e pathos të pashuar: Bota ime e vërtetë, e gruas dhe djemkave të mi, e familjes sime të shenjtë.
Putha fort Jorgon e Pirushin, duke uruar gjumin më të ëmbël e me ëndërrat më të bukura fëminore dhe m’u duk sikur firmosa përsëri në letër, “Babka tuaj”. Eca si i dehur drejt dhomës së gjumit, për të vazhduar atë çka kisha lënë mangut e premtuar në letrat e mia për Mirushen time. Mund të them vetëm kaq, miq të dashur, pa dashur të cënoj sovranitetin çiftor, që atë natë në veçanti, por dhe qindra e mijra net në vazhdim, vazhdojnë t’i kenë zili si nata e parë e martesës, ashtu dhe ditët e netët e zjarrta të muajit të mjaltit.
 
* * *

E çuditshme ikja me revan e ditëve dhe javëve dhe nuk të besohej mbyllja e muajit, fillimi dhe afrimi përsëri i mbylljes së muajit pasardhës. Kur si papritur dhe me një shkop magjik në dorë, trokiti dhe shkëlqeu Selanikun dhjetori i 1997-s. Të shohësh në veçanti netët dhjetoriane selanikase dhe ta çosh një çast shikimin mendor në ato netë zeziane shqiptare të 1997-s, ndjen veten të dyzuar në një botë po të dyzuar në skajin më infinit të padrejtësisë shoqërore. Mbushja e shpirtit tim me këtë realitet dyqënësor, të trishtimit të tejskahshëm dhe kënaqësisë së dhimbshme, do shprehej më vonë në vargjet e mëposhtme:
S a d u a!
Oh sa dua t’i ngjaj Prometheut
Natës selanikase t’i rrëmbej pak ndriçim
I marrosur ta shpërndaj rrugëve të Atdheut
Unë Marathonomaku në mërgim!

Se s’duroj dot të tmerrshmen errësirë
Të netëve e të shpirtrave të munduar
Se s’duroj dot ta shoh Shqipërinë
Të endet si Diogjeni me kandil në duar!
Selanik 2000

Ecnim trotuareve në rrugën Egnatia e më pas Cimiski, duke parë vitrinat e llamburitshme të dyqaneve, që si të vëna në garë me njera-tjetrën, paraqesnin afrimin e Krishtlindjes me një origjinalitet e specifikë të veçantë dimërore, me të vërtetë mahnitëse e përrallore. Se mos mbetej një qoshe, një kthinë, një mikrodyqan, pa domethënien e kësaj feste shpresdhënëse e nostalgjike njëkohësisht. Më shumë se në çdo muaj tjetër, nata me të drejtë kishte kohën e mburrjes para çdo dite diellore qoftë. Dhe me siguri këtë muaj, dita do ndjehej xheloze ndaj natës, që në vend të qetësisë gjumore të njerëzve, gjallërohej nga zërat e jetës deri në orët e fundit të saj. Kulminacioni i zbukurimit e ka emrin e njohur të Aristotelit, që i është vënë sheshit aq të veçantë e të njohur mu në zemër të qytetit. Simbolika e anijes së lashtë greke e pranë saj një bredh gjigand, pikturoheshin nga gjerdani i qindra e mijra llambave të bardha. Po aty afër, imitimi i mjedisit të lindjes së Krishtit, që tërhiqte pa rreshtur vizitorë me kamera e aparate fotogrfikë, kompletonte një botë me të vërtetë fantastike e magjepëse, që të vinte keq ta jetoje kaq pak kohë të fundvitit.
Dikush me rroben simbolike të Agjio Vasilit tërhiqte kureshtjen e fëmijëve, duke vënë në punë menjëherë fotografin e kudondodhur. Dikush mbante fijet e dhjetra tullumbaceve me figura tërheqëse për syrin e fëmijëve, kurse prindërit kërkonin nëpër xhepa dhrahmitë, për të plotësuar dëshirat fëminore. Më tërhiqte kjo lloj përzjerje feste, argëtimi, reklamimi e tregtimi që zbuste sadopak sikletet njerëzore, duke i veshur me petkun e një shkëlqimi e gëzimi më të hiperbolizuar nga e zakonshmja e jetesës së përditshme. Aty, në atë shesh, në qendër e periferi të tij, ndodhte çuditërisht harmonizimi i kontrasteve të tejskahshme njerëzore.
Të dukej sikur një dorë magjike regjizoriale kishte bërë vendosjen, lëvizjen, reagimin dhe finalen e veprimeve të personazheve kaq të larmishme e tipike në atë shesh-skenë gjigande të Aristotelit të famshëm. Ndërsa dikush paguante fotografin, tullumbacmbajtësin, etj, etj, një zë operistik aty në trotuar të ndalte hapat e dukej sikur të thosh se mjaftonin dhe pesëdhjet dhrahmi për të shijuar Verdin apo Shtrausin, apo.....Me fisarmonikë apo violinë, pa mikrofon e veshje skenike, ato zëra talentesh të evropianolindoreve të magjepsnin e njëkohësisht të dëshpëronin për tjetërsimin e pësuar në karierën profesionale.
Bashkudhëtar me fatin e tyre, e ndjeja veten dhe bashkautor të aktakuzës më masive e të rëndë të popujve ndaj sistemit më pseudosocialist që ka njohur historia njerëzore deri më sot. Dhrahmitë mbushnin kutinë e operistëve të trotuarit, xhepat e fotografëve, tullumbacmbajtësve, të lodrashitësve, të misërpjekësve, të..., duke realizuar kështu një cikël spontan tregu mbase të kënaqshëm për të dy palët pjesëmarrëse. Pra diçka në favor të festimit, të gëzimit të jetës, të kënaqësisë shpirtërore e materiale, të shpresës për një të nesërme më të mirë, sillnin ato netë dhjetoriane selanikase. Aty pak më larg, përtej kufirit, ku netët korçarizohen, si për ironi të fatit të mbrapshtë, netëzohet Korça, duke mos patur as pakëz diçka nga kjo diçka e fqinjit grek. Mes kësaj përzjerjeje kaotike ngjyrash, zhurmash, melodish e mendimesh, që më tërhiqnin me një forcë të papërballueshme, dëgjoja kumbueshëm zërat njerëzorë të dy anëve të kufirit, që bashkë me zërin tim, para obskurantizmit modern lindor, thërrisnin fuqishëm: “E megjithatë... jetojmë!”
* * *
 

Borxhi është borxh dhe si i tillë mund të krahasohët vetëm me vetveten, pasi asnjë lloj krahasimi nuk del që t’i afrohet sadopak atij. Edhe borxh qejfi të marrësh, e ndjen veten si të cunguar e të duket sikur në hapat që hedh, dikush të tërheq për mbrapa. Por le t’ja le këtë borxh qefllinjve, se dinë vetë si ta shlyejnë. A mund të më tregonin ata rrugëshlyerjen e borxhit të hallit, që jo vetëm po më cungonte vetveprimin, por nisur nga ligësi të borxhdhënësit, të pafantazuara nga imagjinata time, përmbante ultimatumin kërcënues të shlyerjes deri më 31 dhjetor 1997, ora 0.00. Ishte një borxh në kuotën e 75 mijë dhrahmive të afruara nga motër Monda në funksion të ardhjes sime në Selanik. Borxh, që kur u dha, u shoqërua me xheste mospërfillëse nga Koçoja, që siç shprehej në biseda të tilla, se kishte problem t’ju binte me këmbë një milion dhrahmive e t’ja jepte kujtdo që i shkaktonte mëshirë e keqardhje. Kot nuk thonë, “Rruaju nga borxhet!”, por unë që s’mund të rruhesha në një rast të vetëm të ndodhjes në udhëkryq të jetës, them konsekuencën që mund të vijë pas kësaj mosrruajtjeje, “Rruaju nga ultimatumi!”
Se të vjen një ultimatum kur s’e pandeh, që ja kalon krahasimit me rrufenë në qiell të kaltër. Më kuptoni apo jo, miq të dashur? Nuk kemi të bëjmë me kredi bankare, që për çdo vonesë afatshlyerjeje të ve një përqindje të caktuar pagese mbi këstin. Kemi të bëjmë me një akt, sa keqdashës aq dhe qesharak, të shfaqur pa kurrfarë lezeti e mirëkuptimi njerëzor. Një akt që më jep të drejtën e fantazisë interpretuese në skajin më negativ të personazheve pjesëmarrës me emra origjinalë, Koço e Monda. Pse ve të parin të shoqin? Sepse kam një bindje timen që ai është katalizatori i reaksioneve anormale, ashtu sikurse ajo është pranuesja më e verbër e naive deri në djallëzi e këtyre reaksioneve. Gradualisht, por vazhdimisht ama, ndodhi injektimi i anëve të errëta të karakterit njerëzor, zgjimi e zmadhimi i mikroegove, mikroxhekozive, mikroinferioriteteve, të struktura e të përgjumura në psiqikën e saj, duke u realizuar një tjetërsim total i motrës sime. Një tjetërsim, që siç do dalë në shkrimet e mëvonshme, do vazhdohej me veprimin më ekstrem e mohues të.......
Viza njëvjeçare e Miras, për të rruajtur efektin e saj veprues, duhej vulosur çdo tre muaj në doganë. Pavarësisht nga dëshira tonë për ta pritur bashkë Vitin e Ri 1998, pranuam korektesën me ligjin, për të mos humbur rastet e tjera të hyrje-daljeve. Kështu që rramë dakord të rrinte Jorgoja me mua, kurse Mira të merrte me vete Pirushin. Falë disa punëve, por edhe një shume të konsiderueshme dhrahmish që mblodhën Jorgoja e Piroja në prag të Krishtlindjes duke kënduar derë më derë Kalandat, u mundësua sigurimi i 75 mijë dhrahmive. Nuk na nxiti aspak ultimatumi i famshëm, se sa zhgënjimi i përzjerë me një tronditje e duf shpirtëror, që sikur na vështirësonte frymëmarrjen normale.
Prapë do më shfaqej fantazia me Odisenë, që kujtoja se i përkiste të shkuarës.
“Se ti i munduari Odise, hoqe ç’hoqe në kthim për vite të tëra, arrite më së fundi në Penelopi tënd dhe mbretërove i qetë sa pate jetë. Po unë, ç’kusur kam, që ndonëse u bashkova me gruan dhe djemkat, të ndjej e vuaj zemërimin e perëndive?”
Si për çudi, përgjigja më erdhi më shpejt nga ç’e prisja.
“Ha,ha,ha,...!!! Nuk e ditke ti, që inatet e zemërimet e njerëzve janë më të tmerrshme se ato të perëndive? Më mirë të të luftonin dhjetë Poseidonë, se një qënie njerëzore që kujton se është perëndi mbi të tjerët!”
E kam patur traditë që në Korçë vizitën e shkurtër tek më të afërmit, disa orë para mbylljes së vitit, për të uruar kalim të gëzueshëm të mbrëmjes festive. Zbrita më këmbë me Jorgon dhe u ndalëm në shtëpinë e byrazerit.
E pyeta, “Si shkojnë pregatitjet e mbrëmjes?” M’u përgjigj, “S’ka ku të vejë më mirë. Le që unë fundviti e kam gjitmonë po pata këtë”, dhe më tregoi shishen me birrë. “Do ta hedhesh një?” dhe pa pritur përgjigje ma dha duke i hequr kapaçkën. Para se ta pija, thashë, “Aj gëzuar ta kaloni dhe me mbarësi e shëndet në Vitin e Ri!”. Pyetjes së një kushërire të Lidas, që ish ftuar për ta kaluar bashkë atë mbrëmje, “Po ty mo, të ka lënë vetë gruaja këtë natë?”, ju përgjigja butësisht, “Më ka lënë të madhin, kurse ty t’i paska marrë që të dy”. Se dhe i shoqi i saj kishte ikur në Korçë si puna e Miras. C’të bënim, këto ishin imponimet e jetës që ndiqnin njera-tjetrën, pas imponimit të madh të IKJES. Edhe njëherë urimin, “Gëzuar!”, bashkë me të zakonshmen, “Natën e mirë” dhe morrëm rrugën drejt shtëpisë së Mondas.
Jorgoja u ul në sallon me Fionan e Nikon, kurse unë në hyrje të kuzhinës përballë Koços. Në vendin e gatimit, me pak kurriz të kthyer nga ne, motra ime ishte në dorën e fundit të përgatitjes së mezeve. Lëvizjet e shkathta të amvisës nuk e pengonin të pyeste e fliste. “C’kemi? Mira andej me Piron? Sa mirë të ishit bashkë, aq me tepër që është vit i parë këtu”. Shoqëruar me tundje koke, thashë, “Mirë do ishte, po ja që duhej vajtur për vizën. Eshtë dhe rasti të çmallet me motrën që vjen nga Amerika për të marrë dy djemtë. Shëndet e punë të kemi, se festat vinë prapë”.
Në rast se prezenca e një njeriu do kuptohej vetëm nga e folura, atëhere në atë kuzhinë isha vetëm unë me motrën. C’më kujtohen ca mësime të filozofisë për ekzistencën e materies pavarësisht nga ndërgjegja, tek hedh këto shkrime. Pra, pavarësisht nga mua dhe motra ime, në atë kuzhinë ekzistonte dhe zinte jo pak vend materia njerëzore me emrin Koço. Fliste apo nuk fliste, kjo ishte punë e tij. Mbase priste çastin të dëshmonte jo vetëm ekzistencën, por edhe fuqishmërinë e kësaj ekzistence. Mos më ndalni, miq të dashur, të shprehem me këtë lloj ashpërsi ironie, se e ndjej që më imponohet nga ajo gjendje ku zemra s’di ç’rekord po thyente me të rrahurat e saj. Për një çast përfytyroja ç’forma të shëmtuara kërcënuese mund të merrte kjo materie, në rast se unë do shkelja ultimatumin e përcjellë nga Monda: “Të shlyesh borxhin deri në fund të këtij viti, ndryshe ke të bësh me Koçon! Kaq po të them!”
Me një përzjerje emocioni e qetësie të sforcuar, sigurie e revolte të papërmbajtur, bëra tentimin e parë provokues të ikjes duke thënë, “E po duhet ikur se kemi për të ngjitur Kampin e Punëtorëve” dhe i thirra Jorgos të bëhej gati. “E de se shpejt është. Rrini dhe ca se sapo erdhët”, foli ime motër që vazhdonte akoma me përgatitjet. U ula dhe pa kaluar dy-tri minuta u ngrita përsëri duke thënë, “Se për pak harrova të shlyej detyrimin” dhe pasi nxorra nga xhepi 75 mijë dhrahmitë e mbështjella si kutulaç (pasi gjysmat ishim metalike nga të mbledhurat e djemkave), i vura para duarve të Koços të mbështetura mbi tavolinë. Një kthim theatral i motrës para meje, me bërje kryqi të vazhdueshme dhe thënien e përsëritur, “Paç e dhënç, paç e dhënç, paç e dhënç!”
Dhashë ç’morra në dhrahmi, në një kohë që nga urimi aq fetar dhe entusiast i motrës, falenderimi im u dytësua e m’u duk sikur kisha bërë unë ndonjë bamirësi në atë shtëpi. Megjithatë, s’ka rëndësi ngatërrimi i urimeve dhe falenderimeve, që shkaktohet nga çaste të papritura reagimesh e veprimesh njerëzore. Jam i sigurt, që ashtu si tek unë edhe tek ime motër, kishte ndodhur qoftë dhe në përmasa më të vogla, një lehtësim frymëmarrjeje e një ndjenjë mbase triumfuese mbi të shoqin. Se në fund të fundit, burri-burrë, por dhe vëllai-vëlla, dreqi ta marrë!
“E po, sikur u bë vonë. Kalofshi gëzuar mbrëmjen dhe më shumë fat e mbarësi në vitin që po vjen! Jorgo, ajde se kemi rrugë për të ngjitur!”. I thashë varg këto fjalë duke ecur drejt derës së koridorit. Me pak vonesë na arriti Monda, që në derën gjysmë të hapur më tha, “Koçoja thotë që mund të rrini sot këtu po të doni”. Ah burrëri, burrëri, që vërtet i përket gjinisë mashkullore, por sa mund ta meritojnë në të vërtetë të quhen meshkuj burrërorë!? Dhe ndodh çudia e ngatërrimit në praktikë e asaj që në gramatikë quhet lajthitje, pra ndrimi gjinor i emrit e mbiemrit. Kemi grua burrërore dhe burrë gruarore, që nëse loja e fjalëve pak i cënon, loja e jetës i kthen në një jetë loje deri në qesharakësi. Si mund të pranoja një ftesë pas të vjelash, që vinte pas përfundimit të një ultimatumi qesharak e ofendues për personalitetin tim e familjar? Me një buzëqeshje domethënëse, thashë vetëm, “Jo, jo! Do ta pres me Jorgon në shtëpinë tonë ardhjen e Vitit të Ri. Natën e mirë e gjithë të mirat!” Jam i bindur që Monda se kishte të vështirë deshifrimin e asaj buzëqeshjeje, pasi disa ngacmime e sinjale brenda gjakut kanë të njëjtin kod veprimi në logjikën njerëzore.
Ecnim gati të vetëm rrugës për në shtëpi, por të lehtësuar ama nga një barrë të qindfishuar në rëndesën e saj nga një ish ultimatum ligësor. Kur kaluam para një picarie, ju drejtova Jorgos, “Si thua, hymë brenda?” “Edhe pyet?”, tha Jorgoja duke hyrë i pari. U ulëm në një qoshe duke shtuar pak klientelë atë orë të mbrëmjes dhe porositëm një picë gjigande. Ndonëse e nxehtë nga gatimi i çastit, nuk na pengoi ta përfundonim në kohë rekord. Por, po aq shpejt ndjemë një rëndesë e siklet në bark, me një lloj përzjerjeje që ishte në prag të vjelljes. Shpejtuam hapat e të them të drejtën mendja më vajti se mos ishim helmuar nga ndonjë përbërës i picës. Shikoja Jorgon që bëhej gati ta nxirrte duke mbajtur barkun me dorë, por njëfarë lehtësimi i gjendjes sime më dha kurajo të mendoja që tërë ajo picë, plus dhe me të nxehtën e saj, na kishte rrënë rëndë në stomak. Dhe kështu ishte, se pas pak, herë me ecje e herë me vrap, herë duke qeshur e herë duke kënduar, “Ja na erdhi Vit i Ri, sa jam i gëzuar..”, harruam ngacmimin e asaj pice të orëve të fundit të 1997-s. Ndonëse në frigorifer kishim gjithshka duhej për gatimin e një mbrëmjeje festive, preferuam “mezenë” e frutave.
Kur ora i pati tre akrepat të bashkuar në 12-a, thamë njëzëri me Jorgon, “Gëzuar!”, u puthëm e përqafuam e hapëm dritaren për të parë fishekzjarret.
Iku 1997-a!
Mirë bërri që iku e shumë u vonua në ikjen e saj! Sikur të kish ikur që të nesërmen e ardhjes, ne shqiptarët do ta pranonim me kënaqësi shpejtësinë e kalimit të një vit jete brenda një dite.
Sepse Shqipëria, nëse s’do kishte ngjarjet e një viti në historinë e saj, nuk do përdhunohej e rrezikohej në ekzistencën e saj nga pushtetarët e sëmurë e të sëmurët për pushtet.
Sepse nëse s’do regjistrohej një lindje në zyrën e gjendjes civile, nuk do regjistrohej një vrasje në lulen e rinisë.
Ah sikur kjo 1997-a të ishte një ëndërr e keqe, qoftë dhe më e llahtarshmja ëndërr e shqiptarëve dhe në çastin e zgjimit të bënin përqafimin e madh sfidues ndaj çdo ligësie të vetvetes!
Iku 1997-a!
Paska qënë e vërtetë ardhja dhe ikja e saj!
Ulni kokën ju të njëmijë e nëntëqind e nnëntëdhjët e shtatë të këqijave! Kështu të quhen në vendin tonë, ata të njëmijë e një të këqijave. Ulni kokën e mos na çani kokën me dërdëllisjet kongresiane allakomuniste, të gatuara e çorbuara nga e njëjta meny kuzhine bastardësh!
Uroni njëzëri o njerëz: IKU 1997-a!!!
Përgjigjuni njëzëri o njerëz: VERTET IKU!!!

* * *
 


1998....e në vazhdim....
Një lajm i gëzueshëm nga nuna Keti, përbën prologun punësor të 1998-s. Inagurimi i një dyqani të ri, në këndin rrugor Marko Boçari me Gambeta, në festimin e të cilit ajo ishte e ftuar, i dha mundësinë e hedhjes së mendimit për nevojën e një punëtoreje pastrimi të rafteve e mjediseve. Gjithashtu madhësia e ambienteve të reklamimit të mallrave, që i jepte përmasat e një supermarketi disi mesatar, kërkonte patjetër personel shërbimi si për sistemim e magazinim, ashtu dhe për klientelën blerëse. A mund t’i shpëtonte ky rast aftësisë kapëse të nunasë, që duke shfrytëzuar gjendjen entusiaste të pronarëve në ceremoninë e çeljes, e vazhdoi kërkesën e saj për këtë domosdoshmëri personeli. E bindur në njohjen e saj për ne, ajo foli me një garanci gati absolute si për Miran, ashtu dhe për mua. I pari erdhi aprovimi për Miran për të punuar nga një ditë në javë, gjë që brenda një kohe të shkurtër u kthye në dy herë në javë. Dhe nuk vonoi aprovimi i propozimit të dytë, për mua, që përmban datën 1 shkurt të fillimit të punës në atë dyqan, pa u shoqëruar deri më sot nga ndonjë datë ndalimi apo ndërprerjeje të përkohshme. Që në atë ditë, punësimi tim përmban emrin “Anzhelino”, një dyqan vërtet i ri për nga mjedisi i porsainaguruar, por me traditë mbi njëzetvjeçare në ish godinën përballë. Pikërisht në ish dyqanin e porsadorëzuar, ekzistonin ende qindra mallra ende të pasjella në të riun, gjë që m’u ngarkua mua ta bëja. Kështu e pata më lehtë të njihja llojet e mallrave, t’i prekja e mësoja emërtimet markore të tyre, t’i grupoja e paketoja dhe t’i zhvendosja në magazinat e dyqanit të ri. Ishte një punë e kënaqshme dhe jo e mundimshme, që më dha rastin e ambientimit gradual me profilin e larmishëm të dyqanit si dhe njohjen e pronarëve dhe të punësuarve në të.
Që me shikimin e parë, afendikoi-baba më la përshtypjen e një tregtari të tipit klasik, që vepron me skema tradicionale në lojën e shitblerjes. Me një pamje krenarie për çka kish arritur, pozicionohej në rolin determinues me ndërhyrjet e tij në bisedat e manovrimet me palët furnitore. Pamja e tij është në harmoni me mënyrën e ecjes, me një vertikalitet ku mbizotëron gjoksi e aspak përulësi e kurrizit. E kam krahasuar, për nga tiparet e veçanta të fytyrës, me aktorin e njohur francez Ventura. Mua, të paktën, kështu më erdhi krahasimi që me shikimin e parë. Cigarja dhe tundja pa pushim e tespijeve, ishte bërë pjesë e pandashme në pozicionin e ulur pranë një tavoline rrumbullake. Variacioni pasurohej me kafen mëngjesore, por s’do ishte i plotë pa gazetën sportive dhe llotarinë për parashikimet e ndeshjeve të futbollit. Spostimi i afendikojt-baba në këtë rol, duke sjellë shkëputje graduale nga punët e dyqanit, kishte ndodhur krejt natyrshëm nga prezenca aktive e afendikeshës-mama, por sidomos nga marrja e përgjegjësive tregtare prej afendikojt-i biri. Pozicioni i dyqanit impononte qëndrimin e një personi në pjesën ku mbizotërojnë vitrinat dhe ku ndodhen shkallët për të zbritur në pjesën ku realizohet aktiviteti shitës. Porsa zbret shkallët, gjithshka llamburit nga dritat e shumta, kurse mallrat reklamohen rafteve si në ekspozitat me eksponatet përkatëse.
Zbukurime argjendi dhe ipargjiri, të materializuara në korniza, ikona, vazo, shandane, dhisqe, abazhure....Zbukurime kristali nga më cilësori deri në më i zakonshmi, në forma nga më magjepëset të kupave e vazove, gotave dhe mbajtëseve të pijeve...Porcelane nga më finet në më të thjeshtat, në shumëllojshmërinë e kompleteve të pjatave, filxhaneve...Metali inoks me një pastërti e shkëlqim-pasqyrë, në formën e dhisqeve, tenxhereve e llojeve të tjera në funksion të servirjes të gjellëve, ëmbëlsirave e frutave...
Në mes apo kënde eksponatesh, mikromobilje druri, nga sirtariere, komodina, deri në dollape-vitrinë... Në fasada murresh, nuk ndalesh vetëm të shohësh për një çast vetveten, ndonëse është mani e të gjithëve ky veprim, por të magjeps klasikja gati mbretërore e formave të pasqyrave. Mes tyre apo në kolona, imitime pikturash të mjeshtrave grekë, italianë, francezë, etj, që të vëna në korniza druri me përmasa nga më të ndryshmet, për pak kohë janë në pronësi të dyqanit. Në një banak, vendndodhja e arkës, ku sipas variacionit të punës përdorej herë nga afendikesha-mama, herë nga nusja e saj. Pas një ndarjeje të vogël për manovrim kalimi, një banak më i gjatë dhe i kompletuar për paketimin e dhuratave.
Doni të dini për afendikeshën diçka më shumë? Mjafton të them që jeta e saj në rreth 25 vitet e fundit, është identike me biografinë e dyqanit. Me një vetbesim në paraqitjen e mallit para blerësit, duke u vënë në rolin e tij, me një manovrim në lojën e çmimeve, ku çdo zbritje përmban kënaqësinë e blerësve e njëkohësisht moscënimin e fitimit, kjo afendikeshë e ka shkrirë në një fatin e jetës së saj me fatin e dyqanit. Pas bindjes së klientit për llojin e mallit, me një lloj ecjeje triumfuese drejtohet në vendin e paketimit, ku me një delikatesë admiruese zgjedh letrën përkatëse për amballazhim, duke përfunduar me ngjitjen e një kordeleje a fjongoje të sajuar po prej saj. Marrja e shumës paguese dhe vendosja e dhrahmive në sirtaret e makinës llogaritëse shoqërohen me thënien standart, “Efharisto poli(Faleminderit shumë)!” Kënaqësia e përfundimit me sukses të këtij cikli fitimprurës, përmban skenën më tipike e standarte që fillon me pozicionin më këmbë para arkës e kokën gjysmë të ngritur pa destinacion shikimi konkret, nxjerrjen nga paketa të cigares e ndezjen e saj dhe njëkohësisht uljen në karrike, pa u harruar gllënjqka e frapesë. Këto lëvizje e veprime, zakone e veçorira, nuk varen nga përmasat e fizikut, as nga format e tiparet e jashtme. Po për mua ama, gjithë këto të dhëna kanë kuptim dhe ekzistencë vetëm në fizikun dhe tiparet e kësaj gruaje. Trup pak nën mesatar gjatësie, me një pranueshmëri peshe pak mbi mesataren, një rrumbullakësi fytyre me pak tejkalim në faqet, një model flokësh tepër shkurt me pak fryrje lart e të lyera herë në kafe të hapur e herë të kuqëremta, një ecje e zbutur afër rrëshqitjes pa tundje e naze trupore, për të mos vazhduar pastaj me garderobën e pafund të veshjeve. E drejtë në thellësi të vetvetes në llojin e përcaktimeve të opinioneve, por çuditërisht e përmbajtur në reagimin e jashtëm, gjë që përbën një kontradiktë të brëndshme konstante, sigurisht të pazgjidhshme. Arritja e disa piksynimeve në jetë, duke shkuar paralel me piksynime thelbësore të paarritura, mbase përbëjnë thelbin e kësaj kontradikte, pa përjashtuar pjesë determinuese të karakterit e temperamentit të saj. E vetme në llojin e saj, me gjithë këto pluse e minuse të përzjera e integruara në kundërshtim me çdo rregull matematikor, i ka dhënë frymëmarrje dhe autoritet gati absolut aktivitetit shitës të dyqanit.
Për ne argatët, në kategorinë e pronarëve bënte pjesë dhe nusja e djalit, kështu që sejcili prej nesh urdhërohej nga një e treçerek afendiko. Me një gjatësi të lakmueshme për shumë femra, me nje trup në mesatarllëk peshe që herë tentonte nga eleganca por më shpesh i ndodhte e kundërta, me një fytyrë që i shprehte në harmoni përmasat e trupit me një theksim në gjatësi në pjesën e faqeve e të nofullave, me bjondësi flokësh herë të lëshuara deri anash supeve e herë të zëna si bufkë pjesërisht e me një ecje hapmadheje e tronditëse me pak përulësi përpara të kokës e gjoksit, më kishin krijuar një fantazi të çuditshme e krejt të veçantë. Në këtë përfytyrim imagjinar, më shfaqej një qënie njerëzore e papërfunduar në dhënien e llojit të seksit, një kandidate e përshatshme për të dy kahet gjinore. Përballë saj mund të shprehnin preferencën e tyre si meshkujt, ashtu dhe femrat, mjaftonte të përfundonte akti gjinordhënës. Nëse ky akt i dha botën femërore, s’do ishte aspak lajthitje po të ndodhte dhe e kundërta.
Ajo ishte një hallkë lehtësuese si në komunikim me klientët, në veprimet me arkën, me amballazhimin e dhuratave e pse jo dhe një bashkëbiseduese e shoqëruese e vjehrrës në pirjen e cigares e frapesë.
Mos kujtoni që harrova rradhën e afendikojve, duke vënë nusen para djalit. Do ta kisha realizuar me kënaqësi një renditje të tillë, po qe se do isha në rolin e piktorit. Bile për nga shkalla skicuese, portreti i djalit do ishte më i kollajshmi nga gjithë portretet e tjerë afendikoj. Por ajde dhe përshkruaj këtë portret tipik, që do vështirësonte e ngatërronte pena të regjura në krijimtari e jo pastaj një shkrues si puna ime. Them tipik, por jo në kuptimin e njohur të tipikes në letërsi, sepse në një rast të tillë mjaftonte kapja e elementëve përbërës të saj dhe gjithshka pastaj varej nga talenti i autorit për ta dhënë sa më bukur artistikisht. Ndonëse më kujton librin e Dikensit “Dombi dhe i biri”, veç kopimit të titullit dhe ndonjë mikroepisodi, nuk mund të gjej kurrfarë ndihme lehtësuese në zbërthim e montim njëkohësisht. Sepse është një lloj amalgame e disa tipikeve të njëjta e të kundërta, që duke ndryshuar apo konvertuar në njera-tjetra, vështirësojnë në tipizimin e vërtetë të këtij djali. Këto mendime i them tani, se po të jetë për atë vit të parë njohjeje të 1998-s, as mund t’i fantazoja apo ëndërroja kursesi.
Megjithatë, disa të vërteta të thjeshta e të pamundimshme për t’i njohur atë vit, duket sikur më kapin për dore në rrugën e mëtejshme të njohjes të këtij labirinthi karakteri njerëzor. Ishte në 33 vitet e jetës, duke vazhduar i martuar e patur një djalë rreth 8 vjet nga kjo lidhje. Në provën e të qënit i pari i dyqanit, shfaqej një pathos i përzjerë me një vetbesim të tepruar deri në masën e egos. Vetveprues e me iniciativë në porosira furnizimi, nisur nga suksese te çastit të shitjes e fitimit, vazhdonte inercinë e shtimit sasior të mallrave, duke rënë ndonjëherë në kurthin e qarkullimit të ngadalshëm apo të stokeve. Por gjithshka justifikohej apo mbulohej nga bilanci pozitiv i dyqanit, kështu që lindja e ndonjë konflikti baba-bir në këtë drejtim, kapërcehej me disa thirrje kalimtare. Sejcili në pozitat e veta shfaqte një lloj uni të palëkundur, por kjo në vend të acarimit, përfundonte me një tërheqje të dyanshme, si në një ring boksi kur mbaron raundi, por jo ndeshja.
I distancuar në fillim për nga vetë shkalla e njohjes dhe i pozicionuar në raportin e njohur klasik afendiko-argat, kuptohet që dhe këndvështrimi tim s’mund të dilte përtej këtij distancimi dhe raporti. Por shumë shpejt klasikja do mbetej vetëm në raportin financiar, se për çdo relacion tjetër, ashtu sikurse nuk ndjeja ndonjë dëng apo ankth kur dëgjoja emrin Mondi në punën në Shqipëri e njëjta gjë do ndodhte kur dëgjoja emrin Andrea në punën në dyqan.
Meqenëse në mjedisin grek preferojnë të më quajnë më tepër Andrea se Edmond, ja vlen të sqaroj diçka në lidhje me këtë emër të dytë të papërdorur në mjedisin shqiptar, për të mos patur keqkuptime dhe keqinterpretime në vazhdim.
Që në çastin e lindjes, mamaja më ka thirrur Edmond, emër ky i pëlqyer prej saj nga historia e Kontit të Monte Kristos. Fill pas një jave të lindjes, në përshtatje me rregullat e fesë orthodokse që i përkasim, u bë pagëzimi tim me emrin Andrea. Të dy emrat figurojnë në kartën origjinale të pagëzimit, por kur u bë regjistrimi në librin e gjendjen civile u plotësua dëshira e parë për emrin Edmond e kështu vazhdoi kudo të shkruhej e të thirresha në familje, shkollë e shoqëri. Herë Edmond, herë Mondi, herë Edi, të treja këto emra kanë grupet e ndryshme të të afërmve e të njohurve për nga përdorimi, nisur nga shkalla e preferencave të tyre. Preferenca e emrit Andrea është e lidhur pazgjidhshmërisht me grekët, të njohur në lidhje pune apo marrëdhëniesh familjare. Kështu që e solli koha paralelizmin e dy emrave, gjë kjo e pranuar me kënaqësi nga mua e familja, pa kurrfarë konsekuencash apo interesash identitetesh, siç ka ndodhur shpesh me shqiptarët në realitetin grek.
Nëse ju intereson përshkrimi fizik i të birit, përfytyroni një trup sportiv më shumë në gjysmën e sipëme të tij, me një fytyrë të rregullt në ngjyrë ezmere, që e ul moshën e vërtetë 10 vjet më poshtë. Flokët e zeza, me pak manovrim në krehje, mbulojnë hapësirat e vogla në dy anët e përparme të ballit. Merakçi në veshje, larg rregullave klasike dhe me një mënyrë lëvizjeje në ecje, që tenton nxjerrjen në pah të çdo gjëje të pëlqyeshme nga njerëzit në përgjithësi e nga femrat në veçanti.
Tre afendikojtë, babaj, mamaja dhe djali, pavarësisht nga ngjashmëritë e trashëgimisë, në veprimet e tyre në lojën e biznesit, të bëjnë të mendosh sikur ka tre shkenca të ndryshme të marketingut.
Kjo ishte familja e afendikojve, që veç kompleksitetit të problemeve të zakonshme e të përditshme si çdo familje, ishte e detyruar të përballonte një aktivitet të zgjeruar të dyqanit në lojën e ashpër të konkurencës. Them ishte, për të qënë i saktë në kohë, pasi në vazhdim do dalë se si nga katërshe ka mbetur në treshe, duke u bërë zbritje nusja. Dhe është e pashmangshme, që ashtu si në mjedisin familjar shfaqen dhe ndikojnë efektet pozitive e negative të punës në dyqan, në mjedisin e dyqanit të ndjehen dhe ndikojnë pasojat e problemeve familjare. Sepse ndodhte që për hiç mos gjë të debatohej e thirrej dhe po për hiç mos gjë të qeshej e këndohej. Duke e kuptuar shpejt këtë konvertim gëzimesh e hallesh, arrita shmangien e çdo reagimi kundërshtues sado të drejtë, por për momentin të nxituar. Me forcën e mendjes bëja për një çast abstragimin e afendikojve nga ky lloj pushteti dhe zbritjen e tyre në qënësinë e thjeshtë njerëzore e familjare. Atëhere e ndjeja veten si një vizitor i preferuar prej tyre në përmasat e mikut, që i thuhen hapur shumica e halleve e gëzimeve familjare, deri në respektimin e opinionit të tij për to. Edhe kur shkëputesha nga forca abstraguese, falë efektit pozitiv të saj, e shtrija përmasën e vizitorit-mik nga mjedisi familjar në atë zyrtar, duke arritur dhe këtu në preferenca të kënaqshme. Sa kohë vazhdonte kjo statukuo, e ndjeja veten më të sigurt e të preferuar prej tyre, por mjaftonte një e folur me vrenjtësi shikimi, një vërejtje ashtu kuturum për gjendjen e dyqanit apo të mallrave, që të më trondiste e të më fuste në gjykime të frikëshme e pesimiste. Përsëritja e gjendjeve të tilla kontradiktore të llojit ngrohu e ftohu, më shkëputën gradualisht nga mënyra allasocialiste e analizave e vlerësimeve të fenomeneve. Dhe po me këtë gradualitet, fillova të ndjeja e të kuptoja mekanizmin veprues të ekonomisë kapitaliste, në këtë fazë zhvillimi të shoqërisë greke. Sado tipare të kohës që jetojmë të ketë marrë kjo ekonomi, në thelbin e saj më kujton të njëjtën vjetërsi ligjore vepruese të skemave ekonomike prodhuese e qarkulluese, të llogaritura më me preçizitet e lakmi fitimi tashmë të kompjuterizuar.
Nuk ja vlen, miq të dashur, të vazhdoj me gjykime e shpjegime të kësaj natyre, tashmë të njohur nga shumica e njerëzve. Veçse do ndjeja një lloj mëkati personal, të bija në gjykimin e ngushtë e naiv të mohimit e pohimit absolut të realiteteve të jetuara nga ne shqiptarët. Ndërsa një sistem i ashtuqujtur socialist na katandisi tamam në pozitat e proletariatit pa atdhe, mos kujtoni se anija e famshme e Noes na nxorri në sterenë parajsore, vetëm e vetëm se kjo stere na dha diçka më shumë nga ajo që lamë pas.
Isha me fat dhe vazhdoj të jem, që në marrëdhëniet e mia me personelin e dyqanit, të veçohet e mbetet gjithmonë në konsideratë Dhimitri. I punësuar vite më parë, një dhjetvjeçar më i vogël nga mua, tip i veçantë, që vështirë të them në ç’masë përfaqëson brezninë greke. I vërtetë deri në lakuriqësi, i sinqertë deri në naivitet, i dëgjueshëm deri në çiltërsi e skuqje, i pranueshëm deri përtej kufijve të durimit, shpesh pyes veten nëse është i fundit i grekëve të vjetër, apo i pari i grekëve të ardhshëm. Djalë mbi një e tetëdhjet i gjatë, me elegancë të theksuar të qëndrueshme, me një fytyrë të qeshur falë bardhësisë, pozicionit gazmor të buzëve, ngjyrës enigmatike të syve që herë anon në jeshillëk e herë në një gri të ëmbël. Një fytyrë ku shquhet gjerësia e ballit, me një vazhdimësi të zbutur konike tek mjekra. Në harmoni ngjyra kafe e leshrave, pak të dredhura e të krehura vazhdimisht për lart. Një thjeshtësi në veshje dhe një mënyrë e veçantë ecjeje me një lloj mikrokërcimi të trupit, mund ta bëjnë objekt kontrolli nga policia për dokument identiteti. I shquar për një besim deri në verbëri të kristianizmit orthodoks edhe kur ndesh me cënime në teori apo praktikë të predikimeve fetare, i qëndron besnik asaj çka ka lexuar e mësuar për to. Dhe kur në ndonjë debat me mua, nuk mund të argumentojë të vërteta që bien ndesh me këto predikime, bën një kapërcim të lezetshëm e zbutës, të pranueshëm për dy palët në debat duke thënë, “Edhe sikur mos jenë të gjitha të vërteta, asgjë e keqe nuk të gjen, përkundrazi, të bën mirë të besosh në të mirat e fesë orthodhokse”. Dhe vazhdon më tej, “Kush nuk e do parajsën e përjetshme? Nëse nuk ekziston, ç’të keqe ka të besosh se një ditë do vesh aty, po qe se s’ke bërë keq në këtë botë?”
Me të tillë besimtarë dashamirës ndaj të mirave të krishterimit, jo dymijë vjet ekzistencë, por edhe njëzet mijë të tjera i ka të siguruara kisha orthodhokse greke. Me një Dhimitër të tillë, jo një ditë, javë, muaj e vit, por sa të kem këllqe për punë e ekzistencë jete, kam dëshirë të bashkëpunoj e shoqërohem me kënaqësi.
Tani që keni një përfytyrim disi të përafërt me personazhet e mësipërm, pasi dhe përshkrimi im ju përmbajt asaj shkalle njohjeje fillimtare, ju ftoj të ecim së bashku në vazhdim në shtigje të tjera njohjeje, me rrëfenja interesante ndodhish e ngjarjesh të vërteta në thelb.
 

Kapitull i vogël për STAVRIN e MADH

Por, që të jem më i çliruar shpirtërisht nga një dhimbje e rëndë e tronditëse që i ra në ise 1998-s ta përjetoja e vuaja, ju lutem më lejoni të ndalem në këtë vit të mbrapshtë e fatal, për të paharruarin njeri e artist të madh, Stavri Shkurtin, me një homazh modest e gjithmonë borxhli ndaj Tij.
Shikoni dhjetra filma me Stavrin dhe njihni artistin e madh, që të mbetet në kujtesë me emrat e roleve aq të dashura e të interpretuara mjeshtërisht. Do jetë mundim i dështueshem përpjekja për të bërë analiza e shpjegime të realizimeve filmike e skenike të Stavrit, sado dashamirës qoftë ky mundim. Sepse publiku më tepër se vlerësime e komente të kritikës kinematografike, pëlqen prekjen e gjallë të artistit në rolin e tij të tipizuar, duke e pagëzuar me emrin e tij. Vetë artisti me këtë arritje i është zbërthyer dhe paraqitur publikut kaq qartë e bindshëm, sa lexohet e kuptohet hapur edhe po s’dite të lexosh. Unë ju them me bindje të gjithëve që e njohin këtë emër vetëm nga filmat apo televizori, që mos ju mbetet merak enigma e mosnjohjes të Stavrit-njeri. Ai, artisti magjepës, me lëvizjet reale e bindëse të tij, me një zë të plotë, melodios e të kumbueshëm, me shikimin folës dhe hipnotizues, është vetë njeriu magjepës në jetën jashtë rolit. Po ta njihnit dhe në jetë, do kuptonit serialin e pandashëm të këtij njeriu në rol dhe të rolit tek ky njeri. Nuk më pëlqejnë paralelizmat me artistët e mëdhenj të filmave të Hollivudit, të Francës, Italisë apo Anglisë, sepse sejcili ka të veçantën e vet të papërsëritshme e të pacënueshme, që e ka kthyer në simbol të adhuruar nga miliona njerëz në botë. Por nuk e teproj aspak dhe nuk cënoj vendin e askujt, kur them se nëse Stavri lindi shqiptar dhe i ra hisja të shquhej në këtë vend të vogël të Ballkanit, të njëjtin fat të ngjashëm do pësonte dhe i madhi Cambërlen po të ishte në vend të tij. Dhe e kundërta do ndodhte me siguri me Stavrin. Janë fate njerëzish të talentuar, të vënë në piedestale padrejtësisht të distancuara nga njera-tjetra, që sado të thërras e çirrem, nuk mund t’ju jap lartësinë e merituar.
E megjithatë, piedestali i Stavrit nuk mund të arrihet kursesi vetëm e vetëm se je artist filmash, vetëm e vetëm se dikush me fuqinë e pozitës apo të penës, të paqënat i kthen në vlera dhe vlerat në hyjnizim. Unë prisja që pena shqiptare të mburrej e skaliste pavdekësisht Stavri Shkurtin, këtë legjendar të skenës dhe filmit shqiptar. Por s’ka gjë, se këtë skalitje e njëkohësisht shtim vlerash të kombit shqiptar e ka bërë njëqindmijëherë më fuqishëm me madhështinë e personalitetit të vet në art, vetë ky emër i paharruar.
Janë fate të rralla në jetë prekja e idhujve, shikimi i fizikut të tyre, dëgjimi i zërit të tyre, e ndjera e frymëmarrjes së tyre. Kur kjo ndodh para arritjes së famës dhe vazhdon bashkë me të, kupton më mirë njerëzoren tek idhulli dhe idhullin tek njerëzorja. Dhe kështu vazhdon të bashkëjetosh e shijosh pandashmërisht këtë njeri-idhull dhe idhull-njeri.
Si t’ja u sjell më afër, miq të dashur, që qoftë dhe sadopak ta ndjeni veten në shoqërinë e Stavrit, ndonëse e di që pastaj s’do më lini t’ju shkëpus prej tij. Një Salë shikohej në “Zonja nga qyteti” dhe mijra të panjohur e bënë mik në shoqëritë e tyre, në familjet e tyre. E ky Salë u bë Salë, se e bëri të tillë vetëm një që mund ta bënte të tillë e që ka vetëm një emër e mbiemër, Stavri Shkurti.
Talenti i tij, ndonëse u imponua në realizim rolesh pozitive, të lartësuara prej tij në tempullin e artit shqiptar, ishte përtej kornizave e skemave standarte e shabllone të realizmit socialist. Aty ku mundi të interpretonte të keqen njerëzore, nga vetë urrejtja që kishte për të, e realizonte akoma më bindshëm, për ta bërë më të urryeshme e të papranueshme në jetë. A e dini se ç’i ndodhi një drame në kohën e censurës së krijimtarisë? Arriti deri në provën e saj gjenerale, për të marrë aprovimin e shfaqjes në publik nga i famshmi komision censural. Pra, ishin bërë gjithë shpenzimet e skenës e të garderobës së aktorëve, gjithë përpjekjet për realizimin e roleve dhe mjaftonte një tundje koke aprovuese e komisionit, për të filluar shitja e biletave. Të gjitha këto mbetën të kyçura brenda godinës së theatrit, me vërejtjet e sugjerimet e komisionit për riparime e arnosje të personazheve, vetëm e vetëm se roli negativ ishte më i realizuar në skenë, ”Nga kush?”, do pyesni ju, e përgjigja dihet tashmë, ”Nga i paarritshmi Stavri Shkurti”. Sipas mendjes së ndritur për së mbrapthi të komisionit, duhej të bëhej diçka për t’u venitur negativi dhe shquar pozitivi. Shkrimtarja u ndodh para një absurditeti sa naiv e mediokër, aq dhe shkatërrues të vlerave krijuese të dramës. U shfaq një Stavër që e konkretizoi në skenë në mënyrën më realiste e autentike me kohën naziste, rolin e gjermanit në një kamp përqëndrimi dhe një komision që i hipnotizuar nga ky realizim u frikësua mos binin vlerat e heroit të famshëm pozitiv, ndonëse në fund ky hero triumfonte. Një ngatërim i vlerave interpretuese me vlerat e dramës, që mund ta bënte vetëm një mendje e skematizuar dhe programuar sipas kodeve antivlerë të Partisë-shtet. Me kaq, të dashur miq, drama u kthye në dosje për të mos u hapur më dhe aktorët vazhduan provat për një dramë tjetër, bashkë me ankthin e fatit të saj.
Fatkeqësisht, në pamundësi mjetesh xhirimi, mbetën vetëm arshivës së shkruar të theatrit dhe estradës si dhe kujtesës së spektatorëve dhjetra drama shqiptare e të huaja, komedira dhe humore që mbushnin me kënaqësi e kulturë, me gaz dhe optimizëm, hapësirën shlodhëse të njerëzve.
Stavri nuk është vetëm artisti i Zonjës nga Qyteti, i Mysafirit, i Njeriut me top, i Ilegalëve, Përballimit e dhjetra filmave të tjerë.
Stavri nuk është vetëm aktori i Hijeve të natës, i Natës së 12-të të Shekspirit, i Tri të shtëna pushke, i Maro Mokrës e dhjetra realizimeve skenike në theatër.
Stavri është dhe burimi i humorit e të qeshurës me gjithë shpirt, në sa e sa skeçe e parodira të estradës së Korçës. Eshtë në nderin e historikut të estradës, skalitja e plejadës të humoristëve korçarë, që lanë nam në gjithë skenat e vendit me humorin e shpirtit dhe shpirtin e humorit korçar.
Ishte kënaqësi dhe obligim i Stavrit të ndodhej dhe interpretonte me Dhimitra Melen, Spiro Karanxhën, Vaskë Ceçen e dhjetra humoristë të talentuar të estradës së Korçës.
Ishte kënaqësi dhe obligim i Stavrit të ndodhej dhe interpretonte me Dhorkë Orgockën, Pandi Raidhin, Dhimitraq Orgockën, Thimi Filipin, Dhimitër Trajçen, Vani Trakon, Jani Rizan, Klaudetan, Bratkon, Sërbon, e dhjetra aktorë të talentuar të theatrit të Korçës.
Ishte kënaqësi dhe obligim i Stavrit të ndodhej dhe interpretonte me Sulejman Pitarkën, Sandër Prosin, Violeta Manushin, Thimi Filipin, Rikard Larjen, Bujar Lakon e dhjetra artistë të talentuar të kinematografisë shqiptare.
Besoj se e njëjta kënaqësi dhe obligim ishte për gjithë këta Hollivudianë shqiptarë, të ndodheshin dhe interpretonin me fituesin e Oskarit shqiptar, Stavri Shkurtin.
Stavri jetoi me rolet më shumë se me vetveten. Apo mos vallë përmasat e vetvetes u bënë katalizator rritës i përmasave të roleve? Besoj, po!
Stavri i dha kohës vërtetësinë e vlerën humane të njeriut, në të kundërt me tjetërsimin dhe dyfytyrësinë që ajo kohë eksperimentoi me njerëzit e saj. Në vend të sedrës dhe konkurencës talentore, që nxit dhe zhvillon profesionalizmin, ajo kohë përballi mediokritetin dhe servilizmin krijues të tam-tameve të regjimit, me mjeshtërinë kulturore, artistike, aktoriale, të krijuesve të talentuar. Pak të devijohej, apo të merrej për devijim një lëvizje e re në krijimtari, shfaqej në përmasa të përbindshme hipokrizia dhe egërsia goditëse e regjimit, ndaj çdo figure sado e shquar dhe e nderuar që të ishte. Afër tehut të kësaj shpate enveriane që tundnin jeniçerët partiakë, u ndodh dhe u rrezikua të goditej edhe Stavri Shkurti. E përse vallë? Se në festivalin e estradave të ndërmarrjeve, falë punës me fantazi, kulturë dhe ide të përparuara, paraqiti një grup humoristësh me aftësi e talent, që për ditë e javë te tëra rrezikoi dyert e theatrit nga vërshimi i spektatorëve. Ishte një shfaqje e veçantë për kohën, që e mbajti spektatorin të pambështetur në ndenjëset e sallës, duke dëgjuar e shijuar humor, parodi e këngë, në një skenë moderne, mes efektit shoqërues të dritave. ”Uraa, në piknik!”, ky titull i gëzueshëm i shfaqjes, la nam në kryeqytet dhe solli në Korçë flamurin e festivalit kombëtar të estradave të ndërmarrjeve, bashkë me vendet e para të humoristëve më të mirë, të këngëtarëve dhe orkestrës më të mirë dhe kuptohet, me regjisurën më të mirë, që ka firmën e Stavri Shkurtit. Por, kaq ishte ky “piknik” i gëzueshëm i njerëzve, se filloi dimri i ortekëve që përlau sa e sa talente të penës, deri dhe personalitete në instancat partiake e shtetërore. Mes tyre kishte dhe nga ata të llozhës, që duartrokitën e vlerësuan shfaqjen dhe i dorëzuan flamurin fitues Stavrit. Me sa duket orteku arriti në cakun e ngopjes tek ishte pranë Stavrit, duke i bërë paralajmërimin e radhës. Mbaj mend ankthin dhe tronditjen e këtij njeriu më të pastër se vetë pastërtia në shpirt e mendje, që e bëri të heshtur e të vrenjtur për një kohë të gjatë, në këtë dramë me përmasa tragjike të jetës. E megjithatë, Stavri vazhdoi të interpretonte e të shpërthente me talentin e tij edhe në dramat apo filmat mediokër që i vinin për shtat sistemit, pa rënë kurrë në kurthin e skemave shabllone e të porositura të roleve. Ndërsa ngjarje të tilla harroheshin shpejt nga spektatorët, e kundërta ndodhte me protagonistin e tyre të inerpretuar nga Stavri.
Kam patur fatin e madh që nga gjithë të afërmit e Stavrit, kuptohet veç familjes, të isha më i kudondodhuri me të, qysh i vogël e deri në çastet e fundit të frymëmarrjes së tij. Kam të drejtën e preferencës si një baba i dytë për mua, përmasë kjo në rritje sidomos pas vdekjes së babajt, kur unë isha vetëm 17 vjeç. Të vegjëlit preferojnë gjyshet me përkëdhelitë e rrëfenjat e tyre. Mua më magjepste xhaxhi Stavri me rrëfenjat e tij, sa reale aq dhe fantastike. Mezi prisja çastin e takimit me të, për ta pyetur për sa e sa enigma e kuriozitete të kësaj bote dhe ai me një gjuhë të kuptueshme dhe diksion magjik, më fuste në botën e pafundme të njohjes dhe imagjinatës. Udhëtonim bashkë universit dhe ndaleshim në Mjegullnajën e Andromedës për të kërkuar jetë në milionat e yjeve të saj. Pastaj merreshim me Zhyl Vernin, që pasi na bënte një xhiro aventuriere rreth tokës, na zbriste njëzet mijë lega nën det, në një botë ujore fantastike. Po për Trekëndëshin e Bermudës, aq kurioz më kish bërë me enigmat e ndodhive në të, sa në çdo takim i paraqisja zgjidhje naive fëminore. Nuk di masën e lumturisë të të tjerëve që ishin në kontakt me Stavrin, të afërm apo të njohur qofshin, por di lumturinë tej masës që më ka shkaktuar mua, që kur më mbante për dore në hapat e para të ecjes dhe deri në çastin kur ndali ecjen e tij në këtë botë
Ishin ditët e para të 1997-s, kur zëri i Stavrit më nxorri në ballkon. ”Edkë, si ju kam?”, më pyeti dhe vazhdoi, “Sapo erdha nga Greqia e do vete të shlodhem në shtëpi. Do takohemi se do rri ca ditë këtu”.
”Ja, sikur kemi ardhur”, thashë i gëzuar dhe e pyeta, ”C’kemi xhaxhi Stavri. C’thotë Selaniku?”.
”Selaniku mirë është, por unë sikur s’jam mirë. Më duket se e kam të keqen si Vasilika”, duke bërë aluzion për sëmundjen e pashërueshme të mamasë sime e motrës së tij njëkohësisht.
”C’i ke këto tiposje? Me këtë shëndet që ke, si të vete mendja për keq? Pse çdo gjë që na dhemb qenka e pashërueshme? Mirë, mirë, do bisedojmë kur të vimë nga shtëpia”, ja preva vazhdimin e ankesës me një ton të lartë të përdorur për herë të parë në bisedat me të. Hyra në kuzhinë gati i shokuar, me një përzjerje mendimesh tronditëse, që më çuan në pyetjen enigmë, ”C’të ketë vallë që i vete mendja për keq?”
Shpejtuam veshjen dhe familjarisht shkuam nga shtëpia e Stavrit. Ca me ecjen e nxituar rrugës, ca me dhjetra shkallët për të arritur katin e shtatë, na u deshën minuta të tëra për normalizimin e frymëmarrjes. U puthëm e përqafuam dhe të folurën e parë e çelën shikimet në sy të njeri-tjetrit, me gjuhën e kodeve të deshifrueshme vetëm nga ne të dy. Për të devijuar sinjalin e padëshirueshëm të tyre, vazhdova me zë, ”Kot merakosesh. Ty të skuqin faqet nga shëndeti”.
”Më thanë për operim këtë muaj se s’pret koha. Kur thonë kështu xheç dinë”. I thashë, ”Dinë që duhesh operuar, ndryshe ka pasoja. Llafet mund t’i kthesh si të duash. Doktorët kështu flasin, që mos i lemë gjërat pas dore”. Fjala ishte për një masë të huaj në lëkurë që duhej hequr, për të mos shkaktuar komplikacione zinxhir në pjesë të tjera të saj. Ndërsa në fillim s’e morra seriozisht, por vetëm si një siklet kalimtar, kur më tregoi vetëm mua diçka në gjoks, të them të drejtën u trondita e shqetësova. Megjithatë kundërshtoja devijimin për keq të mendjes, duke shpresuar e lutur njëkohësisht që gjithshka të përfundonte në favor të jetës së këtij njeriu plot jetë. Meraku dhe ankthi për ecurinë e shëndetit të Stavrit shumëfishohej nga mosqënia në kontakt me të.Kishte vite që familjarisht banonte në vendin fqinj, në qytetin e Selanikut. Faktorë të përzjerë nxitës në kohën e pasdiktaturës i ngushtuan hapësirën vepruese aq të domosdoshme për artistin. Vazhdonte koha e pensioneve, që për artistin është vetë pensionimi i kohës, pra një paralizim i imponuar fizik e shpirtëror i tij. Eshtë fatkeqësi e çdo qeverisjeje krijimi i masave jeniçere, elementë të të cilëve sapo marrin një pozitë në zyrë, kujtojnë se duke bërë të kundërtën e paraardhësve janë në rrugën e progresit. Me forcën e vendimeve absurde në disa raste, apo të heshtjes dhe harresës të qëllimshme në më të shumtën e rasteve, përpiqen të ndrojnë përmasat e piedestaleve, të arritura nga forca e talentit të artistëve pa kufij sistemesh.
 
Stavrin as nuk e çuditi, as nuk e trembi ndrimi i kohëve. Në rast se për ekonominë u thanë e paraqitën rrugë e programe të fillimit me numura lloj-lloj, ku zeroja ishte më e preferuara, Stavri dhe gjithë artistët e mëdhenj shqiptarë e kishin vënë këtë zero të dhjetfishuar prapa njëshit të patundur në themelet e theatrit e kinematografisë shqiptare. Të tjerë janë ata, jeniçerë të bindur të pushtetarëve, që sado nga zeroja ta fillojnë shkaravitjen e faqeve të gazetave e librave, aty do rrotullohen tërë jetën, në vijën rrethore të zeros.
Stavri nuk e harxhoi zërin zyrave teknokrate, burokrate e mediokre, por s’e kurseu atë zë qiellor për publikun artdashës. Atë çast që perimetri i zeros u zmadhua gabimisht dhe rrezikoi të kapte zërat e pakapshëm të skenës e kinemasë, Stavri e rruajti zërin e vet në shpirtin e tij, për publikun e tij. Me besimin e përkohshmërisë të çudirave shqiptare, morri rrugën e përkohshme të ikjes larg tyre, duke preferuar banimin në qytetin e njohur të Selanikut.
Ku ta dinin selanikasit, që në një shtëpi të veçuar të zonës së Evozmosit banonte një artist i madh shqiptar me familjen e tij. Për Cambërlenin do ta merrnin vesh pa zbritur ende nga aeroplani. Për Tom Hanksin duhej të shihnin në televizor sa shkallë ngjiste e zbriste dhe ç’gjellë preferonte në plazhin grek. Lere pastaj për tekat e nazet e Naomit top-model, sa seriozë e të preokupuar spikerat e kanaleve televizive greke. Kështu ka qënë e vazhdon të jetë biznesi televiziv dhe interesi televiziv, që e ka kthyer këtë burim të fuqishëm informacioni e njohjeje në televizion të biznesit dhe televizion të interesave të caktuara propagandistike.
E megjithatë Stavri jetonte, me një heshtje njerëzore dhe qetësi artisti, duke bërë kështu epilogun më të veçantë interpretues të rolit të vetvetes, këtë rradhë jo në jetën e skenës, por në skenën e jetës.
Vetëm pas jetës dhe këtu kam parasysh timen, të dashur miq, po e le vazhdimësinë e kujtimeve për këtë “Rol të vetvetes” të Stavrit, që s’ka ç’i duhet kësaj bote llafazane e të djallëzuar.
E ç’kërkoj llogari nga fqinjët grekë, që jo për faj të tyre nuk e njihnin artistin e shquar shqiptar, kur më keq se mosnjohja, ekzistonte një shpirt i ngushtë inatçor dhe egoist brenda sojit, që distanconte dhe paralizonte dashurinë dhe respektin ndaj këtij njeriu të përmasave ideale. Kur të panjohurit e tregonin si fat në jetë, qoftë dhe një shtrëngim duarsh me Stavrin, kur të njohurit e çastit e konsideronin shok e mik të vjetër, kur miqtë dhe shokët me prezencën e tyre në krah të Stavrit krenoheshin dhe fitonin më shumë respekt e njohje në publik, ndodhte që tek ndonjë të afërm të tij të ekzistonte mëria deri në mosfolje. Po të hesht, miq të dashur, për të vërtetat e hidhura brenda sojit, nuk keni për të besuar për ato jashtë tij, gjë që jo vetëm nuk më shkon për shtat, por do më bënte dyfish mëkatar, ndaj jush dhe ndaj vetvetes. Kam marrë guximin në këto shkrime e kujtime të paraqes të jetuarën e të menduarën time, bashkë me dhimbjen e mundimin e një realizmi që mund të prekë dhe më të afërmin tim. Eshtë një rrëfenjë që bie ndesh me fasadat e gënjeshtërta të harmonive familjare, kur dihet nga të gjithë se sa komedira, drama e deri tragjedira luhen prapa tyre.
ME MIRE TE RROJ ME DHIMBJEN E SE VERTETES, SE SA ME LUMTURINE E GENJESHTRES.
Veprimi i parë, pas përcjelljes së Stavrit në Greqi, ishte telefonata me motrën time. Lidheshim për një “Mirmëngjes” apo “Natën e mirë”, kaq të domosdoshme e ndjenim ta dëgjonim njeri-tjetrin, jo pastaj për një hall a shqetësim, që distanca e bënte më të merakshme. Por këtë rradhë, veç tronditjes për shëndetin e Stavrit, më mundonte mënyra e të thënit dhe reagimi i motrës, që kishte kohë të gjatë mosfoljeje me Stavrin dhe familjen e tij. Nuk kam të drejtë të bëj as gjykatësin, as avokatin në këtë histori mërirash njerëzore, që nganjëherë lindin nga një shkëndijë e vogël, por që dobësia e njerës apo tjetrës palë e kthen në flakë. Di vetëm të them që dhe për Mondan, Stavri ka qënë më i preferuari dhe adhuruari, më i afërmi dhe kudondodhuri, sidomos në çaste vendimtare të jetës së saj. Dhe ishte Monda, që në ardhjen e parë të familjes së tij në Selanik, pavarësisht nga një e shkuar lënduese jo për faj të Stavrit, por as të saj, hodhi prapa lëndimin dhe i priti me dashamirësi e bujari. Por nëse për hatrin e Stavrit e lënduara e shkuar u la pas, lindja e një mosmarrëveshjeje mes dy familjesh në vazhdim, i përfshiu në ftohje e mosfolje gjithë familjarët, pra dhe Stavrin.
Formova numurin dhe pas pak dëgjova zërin e motrës, ”Parakalo?”. ”Unë, Edi jam”, ju përgjigja dhe vazhdova, ”C’kemi, si ja kaloni? Koçon si e kam? Po Nikoja me Fionan a jane rritur ca?” Pas përgjigjeve të shpejta që morra, hyra në qëllimin e telefonatës. ”Dëgjomë motër e dashur deri në fund çdo të të them, pa më ndërprerë. Xhaxhi Stavri javën tjetër do operohet në Selanik. Ka diçka të dyshimtë që duhet hequr. Jam në merak se dhe mua s’më pëlqeu kur ja pashë në gjoks”. Një heshtje e vogël e motrës, pastaj një reagim kritik me përmbajtje të shkuarën dhe vazhdimi tim, ”Eshtë xhaxhai tonë që e kemi patur si në vend të babajt. Leri të shkuarat. Ti e di ç’shpirt njeriu është Stavri që është përpjekur për rruajten e ekuilibrave familjare. Unë të lajmërova se kështu ma tha zemra. Ti e di vetë si do veprosh. Vepro si të të thotë logjika tënde. Mirë? Ju puthim të gjithëve!” Nga mënyra reaguese e Mondas mes të folurës time, ndjeva një lloj zbutjeje të saj, që me siguri do ta çonte në ndrimin e mendjes për mirë. Dhe kështu ndodhi vërtet ditën e operimit të Stavrit. Aty ishin të gjithë, të afërm e miq, mes të cilëve dhe Monda. Atë çast nuk merrej vesh, kush ishte pacienti dhe kush shoqëruesit e tij. Atë çast, shqetësimi dhe ankthi u fshehën pas një buzëqeshjeje dhe shkëlqimi sysh të Stavrit që i preku të gjithë.
Operimi u bë, por shërimi i sëmundjes nuk zgjidhej përfundimisht prej tij. Fillonte një kurë e tipit të rrezeve, që realizohej me anën e injektimit në trup të ilaçit në interval mujor. Ndonëse diçka u tha e diçka u morr vesh për rezultate jo optimiste të kurës, gjendja në dukje e qëndrueshme e fizikut të Stavrit, vazhdimësia në oreks, kurajoja në lëvizje e vizita, e folura e pandryshuar për nga shkalla e tonit dhe humorit, krijonin një përkohshmëri harrese të merakut, deri në besimin e triumfit të jetës .Në një gjendje të tillë kontradiktore që ndronte kah vazhdimisht, u ndodha dhe unë që pas 30 marsit 1997, kur pata fatin të ndodhesha më pranë tij. Kam thënë për dy tempujt e rrëfimit tim, ku njëri përmban emrin e këtij njeriu të dashur e të paharruar. Më lejoni, të dashur miq, të vazhdoj akoma me këtë tempull, që vazhdon të më sjellë jehonën e zërit të shpirtit të Stavrit, duke më obliguar më shumë për të. Kur rrëfehesha para tij, ndjeja një lehtësim në shpirt edhe në raste mospërputhje mendimesh. Nuk e di sa realist jam kur them që Stavri kishte një besim gati absolut për një rrugë të mbarë e të suksesshme në jetën time. Mbase në këndvështrimin e tij, përpjekjet dhe arritjet e mia në shkollë dhe jashtë saj, ishin premisa që e bënin të thoshte se “Me ty nipçe do krenohet xhaxhi Stavri një ditë”. Nëse kjo dëshirë e besim i tij nuk arriti përmasat e dëshiruara, se e tillë është kjo jetë që jetojmë, kjo s’do të thotë ama që u zhgënjye me ecurinë e nipçes.
Janë të veçanta e mbase të papërsëritshme në marrëdhëniet njerëzore takimet e panumurta dypalëshe Stavri-Edi në shtëpinë e tij në Selanik, të ashtuquajtur për ironi të jetës, por edhe për pak humor, “Vila e Bllejkut”,(po të kujtoni një film serial amerikan me këtë vilë).
Eshtë paradoksale, jo vetëm për Stavrin, por edhe për shumë kolegë të tij, afirmimi dhe arritja e majave të artit shqiptar në proporcion të zhdrejtë me të ardhurat financiare nga kjo punë kolosale e tyre. Ndërsa për rrogëtarë në zyrat e instancave shtetërore u bë menjëhere konvertimi i ndryshimit të pagave, ndërsa për deputetët u caktuan paga përrallore majmërie, për elitën e famshme të artistëve, që i desh dhe i adhuronte një popull i tërë, u bënë vetëm përkujtime dhe festime propogandistike me dhënie titujsh apo emërtime rrugësh pas vdekjes. Asnjë lek më shumë, asnjë lloj shpërblimi të meritueshëm për sa e sa role në theatër e filma dhe ç’është më ironike në përmasat e turpit, një pension qesharak që e çonte artistin në kufijtë e varfërisë.
Heshtja e kësaj elite para këtij absurditeti shtetëror, duhej të ishte më e rëndë dhe tronditëse për shtetin, se sa protestat e komanduara sindikaliste për rritje pagash të punonjësve imagjinarë. E ndjeja këtë urtësi dhe durim artisti, sa herë shkoja në “vilën” e Stavrit. Një shtëpi e harruar në mes të një oborri të harruar, që i dha rastin pronarit t’ja jepte me një qira simbolike artistit shqiptar. Më ngjante me një dekor natyral të sajuar, ku luhej seriali final i jetës stavrore. Këtë rradhë askush s’më ndalonte të isha dhe unë një pjesë e këtij seriali të dhimbshëm e të madhërishëm njëkohësisht. Nuk pyesja për rregulla dhe paralajmërime vizitash siç ndodh zakonisht në jetën greke, sepse dhe mikpritësi e pëlqente këtë të papritur vajtjeje. Ishte më e bukur kur në çastin e vajtjes shikoja kënaqësinë e Stavrit shoqëruar me thënien, ”O, sa mirë bëre që ardhe!”, se sa parapërgatitja e pritjes me lajmërime telefonatash. Brenda rrinim sa për formalitet takimi, se vendi tonë i preferuar ishte veranda. Aty e ndjenim lirshmërinë dhe hapësirën shlodhëse, që bashkë me bisedat dhe pirjen e kafesë, çonin në një kulm kënaqësie me dëshirë përsëritëse nga të dy palët.
Për sa kohë isha i vetëm në Selanik, i vetmi që rronte me merakun tim për Miran dhe djemkat ishte Stavri. Sepse dhe i vetmi ishte, që më dëgjonte me vëmendje e shqetësim për çka i tregoja nga apokalipsi shqiptar. Ai kishte një forcë përfytyrimi të ngjarjeve që i thosha, duke më çuditur me reagimin dhe mendimin e tij për to, a thua i kishte jetuar vetë realisht. ”Po ti kishe hyrë politikës”, më tha në një nga takimet tona, ”do kontribuoje më shumë. Vendit tonë i duhen njerëz me virtute e të padjallëzuar e jo palaçorvina që tallen me hallet e popullit. Nuk e sheh se ku katandisëm të tërë? Edhe ata që kujtojnë se kanë prekur majën e Olimpit, më keq do ta pësojnë”. Duke tundur kokën në shenjë aprovimi, shpreha mendimin tim, ”Në fillimin e kthesës, të them të drejtën, simpatizova mendimin e avancuar demokratik. Bëra një lloj pastrimi të ndërgjegjes në drejtim të raportit teori-praktikë, ku u binda për humnerën mes tyre. Por, i dashur xhaxha, nuk po më pëlqente dyfytyrësia e njerëzve që u ngrysën komunistë dhe u gdhinë me flamurin e antikomunizmit, u ngrysën materialistë dialektikë dhe u gdhinë frojdistë, hegelianë e ku ta di unë. Do desha që më ithtarët e teorisë marksiste e leniniste, që kishin mbrojtur tituj e grada shkencore as edhe një vit para kthesës së madhe, së pari të dorëzonin titullin e të bënin një katharsis(pastrim) të vetvetes, e pastaj të na dilnin me flamurin e ndryshimit. Kështu që vendosa t’i përshtatem sistemit të ri jo me karierë politike hipokrite, por me aktivitet ekonomik me drejtim biznesi”.
”Të kuptoj, Edkë, të kuptoj. Mbase jetojmë në një kohë ku është vështirë zgjidhja e rrugës më të suksesshme. Tani, si e para dhe e dyta pak na interesojnë. Të shpresojmë të bëhet xheç në të ardhmen. Për Miran dhe djemkat të kuptoj dhe të jap të drejtë. Ta them vetëm ty, se nuk dua prishje gjaku me asnjë. Dua të jeni të gjithë në harmoni e dashuri. Për mua, që nesër t’i sjellësh e ke derën e hapur, po mendo pastaj si do reagonte Monda. Duro dhe ca. Kam besim në ty siç kam patur gjithmonë”.
Janë të pamatshme bisedat dhe debatet me këtë njeri, që kishte një aftësi zbutëse e lehtësuese të gjendjes shpirtërore, aq të domosdoshme në ato çaste për mua. Kur ndodhte takimi ditën e kurës, vija re përpjekjen e Stavrit për të mposhtur sikletin fizik dhe shpirtëror, shkaktuar nga ndikimi i fortë i ilaçit. Shikoja buzëqeshjen e zorshme, që në një kohë me ngrysjen e vetullave, do përbënin portretin më mistik të tij për brezat e ardhshëm. E megjithatë verandën nuk e linim bosh edhe në atë gjendje që për mua nuk ishte aspak mistike. Rrëfimi tim ndronte kah, duke sjellë fragmente kujtimesh me humor, sidomos të kohës studentore. Në pjesën më të madhe të kësaj kohe, falë xhirimeve në Tiranë, kisha fatin të takohesha shpesh me Stavrin në pikën tonë të takimit tek Hotel Arbëria ku dhe banonte përkohësisht. C’tju them, të dashur miq, për këtë kohë me të vërtetë krenarie dhe kënaqësie që kam ndjerë, në krah të këtij njeriu të adhuruar nga qindra e mijra njerëz. Më mjaftonte vetëm një e qënë pranë tij, për ta ndjerë vërtet veten më të vogel në shoqëri, por ama më të saktë e të përgjegjshëm për pozicionin e ardhshëm në këtë shoqëri.
Në një nga këto takime të sikletshme, ku posa ishte kthyer nga spitali, i kujtova një ndodhi të lezetshme të asaj kohe tashmë të largët, por të paharruar.
”Nuk e harroj atë ditë kur po kalonim të dy në trotuarin para Hotel Dajtit në Tiranë. Për ty xhaxha ishte diçka e zakonshme edhe ajo ditë, kurse për mua, të them të vërtetën, ishte sa zhgënjyese aq dhe domethënëse”.
”Ka lidhje me mua, me ty apo me të dy bashkë, se s’po të kuptoj këtë rradhë?”, më pyeti paksa i çuditur Stavri. Qesha dhe vazhdova më tej, ”Dhe ashtu dhe kështu. Kur po ecnim në drejtim të qendrës, pashë përballë në një farë distance një vajzë që me vrapim të lehtë po vinte drejt nesh. Bo,bo, thashë me vete, do jetë ndonjë shoqja time që më simpatizon. Ose ndonjë e shkrehur që i pëlqeva si djalë dhe bën ndonjë budallallëk para teje. Të them të drejtën e humba toruan dhe s’dija ç’të bëja. Por ama në vetvete ndjeva dhe një lloj kënaqësie që xheç isha në paraqitje. Gjithshka u zgjidh për pak sekonda. Nuk e mban mend ç’ndodhi?”
“Mbase për këtë rast e ka fajin skleroza, që s’më kujtohet”, m’u përgjigj qetë Stavri. Vazhdova, ”Nuk e ka fajin skleroza, xhaxha i dashur, por sasia e madhe e ndodhive të tilla që për ty ishin të përditshme. E që thua ti, ashtu me vrap të lehtë, u afrua drejt nesh, hapi krahët dhe të përqafoi pa u ndrojtur aspak. Ishte një nga adhurueset e tua të panumurta. Mbaronte gjimnazin dhe deshte të vazhdonte për dramaturgji. Vetëm ty të deshte ta ndihmoje për të fituar konkursin. Unë nuk ekzistoja për të. As që i bëra përshtypje sadopak. Dhe s’do më kish përshëndetur po mos thoshe ti, ”Nipi im, është student në Ekonomik”. Kaq fuqi magjike kishe tek njerëzit”.
Pa thënë asnjë fjalë, me një psherëtimë mbase nostalgjike, mbase ankuese, afroi filxhanin e kafesë në buzët duke më bërë shenjë dhe mua ta pija.
Pas ardhjes së Miras me djemkat, ndroi vetëm programi i takimeve e aspak intensiteti i tyre. Caktuam me Miran ditën e shtunë të çdo jave, të destinuar për vizitë në shtëpinë e Stavrit.
“Do vazhdojmë mësimin e motorit?”, më pyeste sa herë na gjente në shtëpinë e djalit të tij, Dionit. Lëvizte vetë me motor nga njera shtëpi në tjetrën. Kishte një kurajo e guxim që sfidonte avancimin e sëmundjes. Një sëmundje, që siç dukej i kishte dhënë rolin e saj të fundit këtij njeriu, në dramën e madhe të jetës. Edhe kur flokët ju rralluan, më dinamik e simpatik shfaqej me mbajtjen e kapelës. Për të qënë në kontakt me familjen, kur dilte vetë me motor apo urban, mbante një kinito të dhënë nga Dioni. Me një paraqitje të tillë veshjeje dhe mjet komunikimi, dukej sikur ishte në xhirimin e serisë së dytë të filmit “Mysafiri”.
Po në të vërtetë, ç’po ndodhte me Stavrin realisht, me atë Stavër pas të thënit “Natën e mirë”, me atë Stavër pas largimit të njerëzve dhe ndodhjes me vetveten për disa çaste? Në botën e jehonës së përzjerë të roleve të interpretuara dhe të painterpretuara, u skenua gjumi i netëve në vazhdim të Stavrit. Takim figurash reale dhe ireale, me deformime përmasash hiperbolike dhe sforcime thirrjesh shurdhuese, që mund t’i zhdukte vetëm me një thirrje të fortë zgjuese.Vetëm atëhere ato ktheheshin në asgjë në dhomën e errët të gjumit, kurse Stavri i ngritur përgjysmë në krevat, merrte frymë i lehtësuar nga shtrëngesa e tyre. Pas pak kthehej i qetë në krahun më të volitshëm, me një gjumë më të qetë deri në lindjen e diellit.
Kur zgjohej, me mënyrën e tij rrëfyese, i kthente në ngjarje tërheqëse fantastike, a thua të ishin pjellë e imagjinatës së tij dhe jo efekte të një gjumi të mundimshëm nga avancimi i sëmundjes. Ndërsa natën tjetër ajo asgjë e çastit i kthehej përsëri në dhomën e gjumit më e përbindshme dhe e pamëshirshme, në ndeshje me tërë fuqishmërinë akumuluese të shpirtit të Stavrit, ditën tjetër e përsëri në vazhdim e detyroi të shprehte ankimin për dhimbje shqetësuese në trup. Përsëri duhej bërë ndërhyrje kirurgjikale për të vonuar sadopak të pashmangshmen. Stavri e pranonte shkencën në mënyrë absolute, pavarësisht se këtë rradhë kjo shkencë ishte e pafuqishme për ta shpëtuar. Ndërhyrja u bë si një detyrim humanitar e mosdorëzim i doktoratës në betejën për jetën, por....
Në pozicion gjysmë i shtrirë në një dhomë të spitalit, Stavri vazhdonte dialogun dhe monologun më enigmatik mes fantastikes dhe reales, të një jete në fundin e epilogut të saj. Zëri i tij po i qëndronte besnik në çdo dalje tingulli, fjale apo thënieje. Largimin nga realja e kësaj jete po e bënte me një rrëfim përrallor të botës ku ish nisur. Diçka e ndalonte, siç përsëriste shpesh në ato çaste, të vazhdonte ecjen në atë rrugë parajsore fantastike. Kur e shoqja e pyeste për emrin e vizitorit, mjaftonte një pauzë e vogël e domosdoshme, për t’u rikthyer në realja dhe dëgjoje pagabueshmërinë e përgjigjes.
“Uaa, universiteti është, kush tjetër!, më erdhi rradha mua të dëgjoja, nga goja e tij e ëmbël.
Kisha vendosur, miq të dashur, mos shprehja në këto shkrime se ç’tha në vazhdim për mua, në ato çaste të fundit të dëshirës së tij për të folur. Nuk është aspak tendencë dukjeje, pasi jeta ime nuk hyri kurrë kësaj tendence kur ju dha mundësia e jo tani pas të vjelash. Pra, ju lutem, mos më paragjykoni, se në fund të fundit nuk është krijesë e fantazisë sime ajo thënie. U tha aty, në një dhomë të spitalit, para të dashurve të familjes e të afërmve.
”Po ta vesh Edin në një anë të peshores dhe në anën tjetër gjithë të tjerët, fiuu.. i ngre përpjetë që të gjithë!”
Në atë çast për mua, aty ishte xhaxhi Stavri i fëminisë sime, kur i tregoja deftesat me fletë lavdërimi, kur i lexoja krijimet e para në vargje, kur i flisja për konkurset letrare, të anatomisë, për shfaqjet artistike në shkollë etj, etj.
Ishte xhaxhi Stavri i Edit gjimnazist, kur i fliste për filozofinë e psikologjinë me pathosin e të riut idealist, për diskutimet në konferencat e rinisë të gjimnazit me guximin e kritikës ndaj padrejtësive të ndonjë mësuesi, etj, etj.
Ishte xhaxhi Stavri i Edit student, kur i fliste për debatet në seminare në lëndën e preferuar të ekonomisë politike, për përgatitje temash të karakterit ekonomik e filozofik, deri në temën e diplomës ku guxoi të paraqese forma më të avancuara shpërblimi të punës, etj, etj.
Ishte xhaxhi Stavri i Edit ekonomist, kur i fliste për problemet e ecurisë së prodhimit, për artikujt ekonomikë në gazetën lokale të Korçës, për të famshmin stazh në prodhim në zonën e largët të Strelcës, se aty kishte vendosur Partia për ta kalitur më shumë, për shtrembërimet e devijimet në praktikë të asaj çka kishte lexuar me pathos në vepra klasikësh të socializmit e komunizmit, etj, etj.
Ishte xhaxhi Stavri i Edit të revoltuar, kur i fliste për hipokrizinë e burokracinë e një Partie në dekadencë, për diskutimin e guximshëm në Konferencën e Partisë së rrethit, të asaj Partie që përgatiste në Kongresin e saj në Tiranë, pagëzimin e emrit ri, etj, etj.
Por, isha ama dhe Edi i atij Stavri, që në gjithë stadet e rritjes sime, më ka udhëzuar si të reagoj e vendos në çaste të rëndësishme të jetës.
Janë vallë gjithë këto koncentrime kujtimesh të marrëdhënieve tona, që e çuan në atë thënie, apo një amanet përgje- gjësie e bare të rëndë për mua, për ta vërtetuar atë? Megjithatë, me lot në sy e zë të brendshëm thashë, “Faleminderit për gjithshka ke bërë per mua, xhaxha i dashur dhe ideal!”
E putha në ballë dhe dola në koridor, ku s’më ndalonte dot njeri të qaja me zë e lot për të.
Dhe ashtu dalngadalë, vazhdoi distancimin nga realiteti i kësaj bote, duke mos e ndaluar më asgjë në përfundimin e rolit të vetvetes. Ishte në të njëjtën kohë edhe larg, edhe mes botës sonë. Për ditë me rradhë zemra e tij rrihte fort në gjoks, si e vetmja dëshmitare e fundit e më të pavdekshmes dashuri të Stavri Shkurtit për njerëzit.
Ishte nënshkrimi i fundit i shpirtit stavror në librin e hapur të jetës së tij, të njohur e të panjohur njëkohësisht.
Mban datën 5 Gusht (e njëjtë me datën e lindjes) 1998, mosha 70vjet.

Vazhdim i një takimi të kthyer në monolog.
“I vetmi gabim në jetën tënde, xhaxha i dashur, ishte ky nënshkrim i dhimbshëm dhe ndarës. Për ne, ama, është si një nënshkrim i ri në rrugën e pafundme të suksesit. Do të ta them me pak vargje këtë të vërtetë, siç bënim dikur në takimet tona?
Për ty jeta ishte veç film
Për ne film ishte vetë jeta jote
Prapë na dukesh se je nisur për xhirim
Të zbutësh sadopak, dhimbjet e kësaj bote”.
 

E megjithatë...
Ngrysje ditësh dhe gdhirje netësh për ne, të jetuarit. Dhe ashtu gradualisht, pa u vënë re, një ngushtim hapësire në biseda familjare, në takimet e vizitat e të afërmve dhe miqve. S’ka nevojë për datë konkrete, dialogu i përditshëm grua-burrë.
Burri: ”Hë si dole, u lodhe?”
Gruaja: ”Si zakonisht. Morra pluhurat, pastaj fshiva dhe lava dyshemetë, banjën, ballkonet. Bëra dhe drekën. Për sot deshën piperka të mbushura me oriz”.
Burri: ”Dhe të doli koha për të gjitha?”
Gruaja: ”Të të them që dhe hekurosa ca rroba, do besosh?”
Burri tund kokën dhe për një çast harron, ose bën sikur harron, ç’dëgjoi nga gruaja dhe vazhdon, ”C’kemi sot për drekë?” Tani e ka rradhën gruaja të tundë kokën dhe duke shtruar drekën, që një zot e di kur e gatoi, pyet burrin, ”Po ti, kishe shumë punë sot?”
Burri: ”C’e pyet? Edhe roje të rrish lodhesh, jo pastaj të vërtitesh e punosh tërë ditën në këmbë”.
Gruaja: ”Ke të drejtë. Po dhe ti mos u sforco shumë për t’i bërë te gjitha. Kështu punojnë të tjerët?”
Burri: ”Ah, moj zemër. S’kanë rëndësi të tjerët, por ne që s’jemi këtu si të tjerët”.
Gruaja: ”Sikur të shtrihemi ca të shlodhemi, si thua? Kam një mal me punë për të bërë, por tani s’kam fuqi”.
Dhe të dy, pas këtij dialogu të lodhur, shtrihen në krevat shoqëruar me një “Aaah, sa mirë! S’ka si krevati!” Pak rëndësi ka në e tha gruaja, apo burri, apo të dy bashkë.
Kur kthehet burri nga gruaja dhe sheh trupin gjysmë të zbuluar të saj, fillon të ngacmohet dhe zgjat dorën ta prekë. Ledhaton supin dhe vazhdon më poshtë tek beli. Pastaj avancon në bardhësinë e lëmuar të këmbës, duke përfituar nga kthimi i kurrizit të gruas dhe ndalet aty ku i shtohet epshi më shumë.
Deri këtu e di që më aprovojnë shumica e çifteve. Por meqë unë dua dhe për në vazhdim aprovimin e kësaj shumice, jam i detyruar të ndjek dy alternativat e mundshme të asaj që ndodh më pas.
Alternativa e parë.
Fillon të zbresë avash-avash dorën në rrumbullakësinë e kofshës, duke tentuar me gishta të largojë anash mbulesën e hollë dhe elastike, por në çast trupi i gruas lëviz e kthehet drejt, me një murmuritje përgjumësh, ”Eeeh, më fliiiheet. E lemë për në darkë?” Dhe pasi kap çarçafin mbulohet, duke shuar para kohe një flakë epshi të burrit.
Alternativa e dytë.
Shikoni fillimin e të parës deri në presja e dytë dhe vazhdoni më poshtë:
, i ndihmuar në këtë veprim ndezës nga një lëvizje e volitshme e këmbëve të gruas me tendencë hapjeje. Eshtë me të vërtetë eksituese kjo ftesë femërore, që i thotë gjumit të largohet pak çaste, për ta pritur më me kënaqësi më pas. Atëhere fillon ta puthë duke filluar nga supet dhe vazhduar me një zbritje të shpejtë në pjesën e porsazbuluar nga gishtat trazovaçë. Reagimi i gruas ndjehet në lëkundshmërinë e trupit dhe në marrjen e pozicionit më të volitshem, për të shijuar gjithshka nga ky veprim i avancuar i buzëve të burrit. Eshtë një kontakt ndjesor tepër drithërues, që kërkon patjetër një finalizim orgazme, me aktin e bashkimit të dy trupave, sipas ritit të njohur seksual mijravjeçar.
Më pas, gjithshka e ndodhur në këtë fuqishmëri magjike erotike, kthehet në një normalitet qëndrimi çiftor, ku sejcili rehaton trupin sipas volisë për gjumë.
Meqë jeni kuriozë të dini se ç’alternative i përkas, mjafton t’ju them që s’e mbaj mend mirë nëse kam qënë një herë apo dy herë rob i të parës. Sepse për mua, miq të dashur, s’ka më keq se dorëzimi i trupit në prehërin e lodhjes së përditshme, ashtu sikurse s’ka më mirë se dorëzimi i trupit në prehërin e erotikës shlodhëse.
Për të dalë disi nga monotonia e së përditshmes, ashtu, në mënyrë spontane, bëhen organizime të vogla lëvizjesh, herë si çift, herë familjarisht e herë mes çiftesh dhe familjesh. Kjo sikur e bën më të larmishme atë hapësirë të ngushtuar të kohës së lirë, të imponuar nga zënia me punë e njerëzve. Mjafton një telefonatë e tipit standart, ”Alo, ç’kemi? Jeni në mbrëmje në shtëpi, apo keni ndonjë plan tjetër? Të vimë apo doni të vini?” Pas të thënit, ”Në shtëpi do jemi, ju presim”, fillon me kënaqësi ndrimi i veshjes, që largon deri në harresë idenë e punës dhe krijon një gjendje shpirtërore më afër gëzimit njerëzor. Fëmijët janë më të lumturuarit dhe fillojnë të tregojnë të rejat e lojrave në kompjuter. Pak më të rriturit këmbejnë ndonjë sekret njohjeje me shok apo shoqe në shkollë, apo takime festash të ndryshme. Zhurma e krijuar nga lojrat, zërat e lartë, muzika sipas shijeve të tyre, i jep gjallëri gjithë ambientit dhe sikur i tund ca të rriturit nga rëndesa e një serioziteti të tepruar.
E di që në një shkrim tërheq konkretja dhe jo përgjithësimi i saj. Po ç’të bësh kur në këtë realitet të përsëritur vajtje-ardhjesh, ndodh vetvetiu përgjithësimi i konkretes, apo më mirë të them, konkretizimi i të përgjithshmes. Eshtë art më vete të mbushësh faqet me fantazira dialogësh të personazheve imagjinarë apo realë qofshin, por kur arrin në fund të tyre dhe e ndjen veten si në fillim, të rroftë ky lloj arti pa art. Do guxoj më poshtë të shkëpus nga kujtesa ecurinë e një takimi më të gjërë ndërfamiljar e shoqëror bashkë, falë festimit të emrit të një kushëriri.
“Alo, byrazer, Edi jam. Sot do takohemi në Dioni se ka emrin. Gjithë Dionisët festojnë sot”.
Meraku i dhuratës më ndjek gjithë ditën në dyqan. Vërtitem në raftet e kërkoj diçka që t’i shkojë ambientit të shtëpisë. Atëhere kuptoj sikletin e klientëve që thonë shpesh se e kanë vështirë të zgjedhin dhuratën e duhur. Pra janë në pozitën time, prandaj dhe unë duke e vënë veten në pozitën e tyre, mundohem t’i lehtësoj duke ju paraqitur larmishmëri dhuratash me durim dhe bindje njëkohësisht. Kur arrij në zgjidhjen e pranueshme, ndjej një lehtësim dhe pasi i bëj kontrollin e duhur, filloj paketimin me kënaqësinë e suksesit.
Me fantazinë e orendive dhe të ngjyrave të sallonit, kërkoj të më bjerë në sy dhurata e përshtatshme dhe e pëlqyeshme. Ngacmimi m’u dha dhe besoj se ja arrita qëllimit.
“Mirëmbrëma dhe nga mot gëzuar! Qenkemi të parët?”
Takojmë të parën Tomkën (të shoqen), pastaj Dionin, çupën dhe djalin e vogël. E çel Tomka duke shprehur mirseardhjen dhe falenderimin për urimet tona, shoqëruar nga kushua, që duke më rënë në sup, na drejton në ndenjëset e sallonit. Katër fëmijët futen në dhomën e tyre mes botës së përzjerë të lodrave, kompjuterit, muzikës, etj. Si zakonisht, prologu standart i pyetjeve, prezent në çdo vizitë, por që më pas specifikohet nga lloji i punës së bashkbiseduesve. Një pozicionim i njohur më vete i burrave dhe grave, që kushedi nga ç’thellësi kohe vazhdon ritin e vet të pandryshuar.
Pyes kushon, ”C’thonë motorat? Vazhdoni të shisni?”
Më përgjigjet, ”Në përgjithësi ka rënë shitja. Vazhdojmë të marrim nga Azia të përdorur, ku me servisin që ju bëjmë s’kanë ndryshim nga të rinjtë, por siç duket tregu dashka më shumë të rinj nga fabrika. Më duket se afendikoj këtë zgjidhje do bëjë”.
“Po u bë kjo, ju mekanikët me se do merreni?”
“Vazhdojmë me të përdorurit se plot e kemi magazinën. Po kështu bëjmë dhe riparime të motorave të shitur. Më vonë as vetë s’e di ç’do bëhet me mua”.
Ah, kjo e thënë ankthuese për fatin e mëvonshëm, na qëndron të gjithëve mbi kokë si shpata e Demokleut (mos ka krahasim më të saktë se ky?). Doni diçka më origjinale të dalë nga shpirti im, por që besoj se ka dhimbjen e mijra shpirtrave të rrezikuar nga i njëjti fat?

ANKTHI

Sot e di se ç’hap hodha
Nesër s’di se ç’hap do hedh
Qysh kur arratin’ e morra
Ankth’ i nesërm pas më ndjek.

Sot e ngrysa dhe një ditë
Nesër s’di në do ta gdhi
Sepse ankthi të ze pritë
Dhe s’tu ndaka në arrati!
Selanik 2000

E ka rradhën kushua të pyesë, ”Po ju keni patur xhiro?” I përgjigjem, ”Me faza, si gjithmonë. Për festa dhe dasma vërshojnë njerëzit. Beharit na duket vetja të tepërt. Ka raste kur afendikoi bie në pesimizëm dhe i vete mendja për ta lëshuar me qira. Shyqyr që deri më sot s’më ka zënë lapsi për pushim, se sa për femrat s’arrijmë t’ju mësojmë as emrat. Ama meraku ekziston si për mua, ashtu dhe për Dhimitrin”.
Bie zilja dhe biseda ndërpritet. Pas pak salloni gjallërohet nga ardhja e byrazerit me të shoqen. Dhe sikur ta kishin bërë me llaf, prapa tyre një çift tjetër, miq të familjes së Dionit. E njihja këtë shok të kushos që në gjimnaz, kështu që s’kish nevojë për prezantim. Pra mund të vazhdonte lirshmëria e bisedave, falë njohjes së të gjithëve, pasi dhe byrazeri ish takuar disa herë me çiftin në këtë shtëpi.
Vazhdoi përforcimi i dy fronteve gjinore, ku në atë mashkullor e morri komandën byrazeri. Humori i tij na largoi nga rutina e dialogjeve të rëndomta. ”Na shojtët nga paratë. Sa mbaron njëri fillon tjetri. S’kemi të paguajmë as shkallën e pallatit, le pastaj telefonat e korentin. Këtë dhuratë e ke dhe për mot”. Qeshim dhe takojmë gotat me birrë.
”Dhe kush flet”, hidhet Dioni, ”ky që s’di sa para ka në bankë. Një të lyer shtëpie për tre ditë dhe dhrahmi sa ç’marrim ne për tridhjet ditë”. Byrazeri në qejf ja kthen, ”C’janë aq dhrahmi, as tre ditë në Porto Kara. Me kutiçka birre kusho, nuk ja del dot me mua. A nuk i sjell të tëra këtu, se e lodhe tët shoqe me varavinga”. Ndërhyn Lida e byrazerit, ”Vangjo ftani (mjaft), s’e sheh barkun ku të ka vajtur?” Por byrazeri e ka në majë të gjuhës përgjigjen, ”Birra qarkullon moj zemër” dhe duke u ngritur pyet, ”Ka njeri në banjë?” Kur kthehet vazhdon sqarimin, ”Kaq ishte, ç’hyri, doli dhe barku është në rregull”.
Kur ra një farë qetësie në frontin e burrave, më erdhi në vesh biseda nga fronti i grave. Ndonëse ishte në vazhdimësi thënia e Tomkës, kuptova ose ç’ishte thënë më parë nga Lida e Mira, ose ç’do thuhej më pas prej tyre. Bile po të doni, pa letra fati e harta astrologësh, mund t’ju them ç’do bisedohet në takimin e ardhshëm mes tyre.
Pak përshkrim i fizikut dhe paraqitjes së jashtme, besoj të ndihmojë në një përfytyrim më të afërt të kahut femëror. Me një gjatësi nën mesataren, por të pranueshme për seksin femër, me një peshë ca të tepruar tej mesatares, por të pranueshme për bashkëshortin, me një fytyrë që i është larguar elegancës rinore, por që e ka rruajtur ngacmimin e syrit mashkullor, me një lëkurë të ndritëshme e të lëmuar që s’ka ndërmend të shfaqë ndonjë rrudhë, paraqitet deri tani fiziku i Lidas, gruas së byrazerit. Sa për veshjen, preferon pantallonat e lirshme dhe një bluzë po të lirshme, herë të bardha e herë të zeza. Në këtë vizitë ngjyra e zezë e tregon më serioze dhe i ul ca kile.
As e shkurtër, as e gjatë, pa stonuar në krah të Dionit, me sy ende shkëlqyes e rrezatues që dikur duhet të kenë ndikuar në shtimin e rrahjes së zemrës së Dionit për ta dashuruar më shumë, me flokët e gjatë që i japin mundësinë e çdo lloj forme, por që besoj se në vajzëri e kanë bërë më simpatike, me fizik as elegante, as e ngjallur, me pak anim në e dyta, besoj e kuptuat që është fjala për Tomkën e kushos. Me një fund pas trupit e bluzë po pas trupit, duke qënë më shumë në shërbim të vizitorëve, besoj të jetë bërë pishman për këtë zgjedhje të sikletshme në lëvizje.
Sa për Mirelan, nuk dua që simpatia, dashuria dhe adhurimi im, të venë në dyshim vërtetësinë e përshkrimeve të mësipërme, prandaj kujtoni ç’kam shkruar më parë për të dhe mos më kërkoni më tepër.
Pak e ndrojtur, por e qeshur në fytyrë, me trup mesatar që vetëm gjatësia pe basketbollisti e burrit sikur ja zvogëlon ca, me flokë të shkurtër që nxjerrin më në pah tiparet simpatike të fytyrës e në harmoni me këto, një fustan deri poshtë gjurit, paraqitet në këtë vizitë gruaja e shokut të Dionit.
Gjithë kjo paraqitje në veshje, e veçantë nga e zakonshmja, më e fisnikshme e luksoze dhe, pse mos e them, më e kushtu- tueshme, i jep krahut femëror një farë epërsie të pranueshme mbi ne.
“Nuk e kam problem të sistemoj lodrat e fëmijëve, por sa i ve në rregull, ata si për inat i hedhin përsëri në dysheme dhe fillojnë të qeshin kur i mbledh prapë. E përsëri i njëjti avaz porsa i ve në kuti. E bëjnë si për inat. Më vjen të qaj. U bënë ata të qeshin me mua? Të mijve ju thërras ose ju bie faqeve, kurse atyre s’kam ç’tju bëj”, përfundoi me pamje revoltuese njëra nga gratë.
“Ti qofsh si i duron! Përpiqu të gjesh shtëpi tjetër ose disa familje për pastrim dhe ik që aty. Ja që ka dhe fëmijë te keqmësuar. Për mua fajin më të madh e kanë prindërit që nuk ju flasin”, u hodh tjetra në krah. Dhe më pas vazhdoi, ”Aty ku vete unë, jo vetëm nuk bëjnë rrëmujëra, por më dëgjojnë dhe nuk kundërshtojnë. Sidomos çupka është aq e dashur, sa s’më le të ik kur mbaroj punët. Në fakt nuk janë në shtëpi, se i çojnë në kopësht dhe shkollë, me përjashtim të ndonjë gripi. Kështu që i bëj punët pa patur asnjë në shtëpi”.
“Qënke me fat. Ku e paske gjetur këtë rast? Kam unë një plakë që e ze skleroza dhe harron që ka ngrënë. Lere pastaj të tjerat. Ta dëgjosh kur më lëvdon, thua më ka shkuar çupës. Po kur fillon nga ankesat, të bën ta lesh aty dhe t’ja mbathësh me të katra. Shyqyr që e bija më di mirë, se kam vite në atë shtëpi dhe më thotë mos ja ve re të jëmës se e ka nga sëmundja.E dini që më vjen keq, se e kam njohur para se ta zinte skleroza”, duket që përfundoi e treta e grave.
“Aman, kudo ka probleme! Ja unë që pastroj disa shtëpi në javë, njerë them, më mirë kështu se të mbaj fëmijë. Kur lodhem ama, se nja dy janë terastia(të mëdhaja), them të kundërtën. C’të bëj? E qetësoj veten që jam e zënë me punë, se ka dhe më keq”,
Mos kujtoni miq të dashur që me thënien e mësipërme, ku u plotësua kuarteti femëror, u mbyll skenari i punëve dhe filloi tjetër skenar më ineresant. Përkundrazi. Ajo që u duk si më me fat mes katërshes, u hodh më prapa në kohë për të treguar një ndodhi si dëshmi të kufijve të durimit, përtej të cilëve duhet të mos cënohet dhe ofendohet dinjiteti njerëzor. Meqenëse në këtë ndodhi kam gisht dhe unë, më lejoni të ndërhyj me ca mendime për një pjesë të shoqërisë greke, që deri nga fundi i 1989-s u ngrys ashtu siç ishte një jetë të tërë, mesatarisht në të ardhura, me amvisë shtëpie vetë e zonja, me bërjen e punëve të shtëpisë po vetë e zonja, me rritjen e fëmijëve të porsa lindur po vetë e zonja, etj, etj, e në gjithë këto të tjera, përsëri po vetë e zonja, mbase e ndihmuar dhe nga burri. Ndërsa e tillë u ngrys, çuditërisht u gdhi zengjine (vetvtiu më erdhi ky emërtim, prandaj po e le) në fillim të 1990-s. Jo zengjine për nga kamja, por nga forma e të trajtuarit të vetvetes. I erdhi rasti i ëndërruar të provonte në realitet ca copëza jete të zengjinëve të vërtete grekë, apo të atyre të serialeve televizive.
Jashtë ishte rradha pa fund e krahut të lirë femëror, të porsaardhur nga vendi fqinj, Shqipëria, por edhe nga vendet e tjera të lindjes ish socialiste. Nuk e teproj e në rast se e teproj, e marr përsipër unë pasojën e tij, kur e krahasoj këtë rradhë vajzash e grash të huaja, me tregun e skllevërve. Për të qënë më bashkëkohor në përcaktim, po e kompletoj më saktë, pra një treg skllevërish i kohëve moderne, apo tjetërlloj po të doni, një treg modern i skllevërve. Pasojë e humbjes së një beteje dhjetravjeçare të ashtuquajtur socialiste, që e la në mëshirë të fatit një popull të tërë, e ndodhur jo në pragun, por përtej pragut të varfërisë, u gjend në këtë treg joshës për vendalinjtë, gruaja, nëna, motra e vajza jonë shqiptare.
Më dukej sikur një zë i kudondodhur në hapësirën greke, thërriste e thërriste pa pushim: ”Ellate, ellate, na dhialeksete! Eqi apo ola ja olus! Xhaba ine, xhaba!(Ejani, ejani, të zgjidhni! Ka nga të gjitha për të gjithë! Falas janë, falas!)”.
Dhe vrap drejt këtij tregu zengjinët e porsagdhirë, për të lehtësuar e kënaqur vetveten më shumë, duke dhënë porosira e urdhëra më shumë ndaj skllaves së porsablerë. As po e teproj, as po e hiperbolizoj realitetin e porsakrijuar, përkundrazi, po të depërtoni qoftë dhe në disa mjedise të tilla familjare artificialisht të zengjinosura, do t’ju vijë turp për ofendimin dhe përshkeljen (për të mos thënë më keq se kaq), e dinjitetit dhe personalitetit të femrës shqiptare.
Dita e parë e punës.
Pas këmbimit të shpejtë te mirmëngjeseve, fillon instruktimi i hollësishëm për rradhën, mënyrën dhe llojin e punëve shtëpiake brenda një orari të caktuar, psh nga ora 8 e gjysëm e mëngjesit deri 3 e gjysëm pasdite. Në programin ditor as që merret parasysh përvoja e shkuar e zonjës së shtëpisë, përkundrazi, mes një manie pangopësie për të realizuar dhe ato që ajo vetë si realizonte as për dy ditë rradhazi, fillon të krijohet kjo shtresë e re zonjash shfrytëzuese. E ndodhur realisht në pjesën më të paqëndrueshme ekonomike të shoqërisë, atë midis kahut relativ të varfërise dhe kahut relativ të pasurisë, kjo shtresë, e pasigurtë në fatin e saj, reflekton gjithë këtë artificialitet dhe karnavalitet ekzistence, në jetën e saj të përditshme. E merrni me mend, besoj, se mbi kë bien më parë pasojat e këtij lloj reflektimi.
“Do fshish dhe lash sallonin, dhomat, kuzhinën, banjën dhe ballkonet. Në kuzhinë do pastrosh dhe stofën e frigoriferin. Do pastrosh pluhurat e mobilerive, rafteve, dyerve, xhamave. Mos harrosh dhe grillat e dritareve dhe dyerve të ballkoneve, se zenë shpejt pluhur”. Kërkesa këto në rastin kur marrëveshja është për një ditë çdo javë.
Doni rastin e një pune të përditshme, nga e hëna deri të premte?
“Një ditë do pastrosh vënçe sallonin, një dhomë e ballkonin. Gatimin e ke të përditshëm. Hekuros deri ku të arrish plaçkat e tharra. Kështu do vazhdosh ditën tjetër me dhomat e tjera. Një ditë të pastrosh mirë kuzhinën, xhamet, grillat, banjën. Një ditë tjetër të pastrosh mobiljet, raftet, nga pluhurat. Ditën e fundit dua të bësh një pastrim të përgjithshëm të shtëpisë. Po pata ndonjë punë tjetër të veçantë, do të ta them kur të vish në mëngjes”.
Kalon dita e parë e punes, e dyta, e kështu me radhë, duke larguar dalngadalë merakun e reagimit të zonjës për ndonjë vërejtje apo pakënaqësi. Përkundrazi, në vend të këtij meraku të kapërcyeshëm, fillon të ngacmojë dhe mundojë ngjeshja e programit me punëra shtesë, të kërkuara ashtu kalimthi, direkt ose me telefon. Një lloj pangopësie e ushqyer ose nga një naivitet i shkallës sipërore, ose nga një shpirtngushtësi e cingunllëk i një karakteri e personaliteti pjesërisht të formuar.
Thashë diku më lart për një ndodhi ku përfshihem dhe unë. E si mos përfshihem kur është fjala për gruan time, që një ditë të javës e kishte të zënë në shtëpinë e një pseudozengjineje, që s’le gjë mangut nga gjithë përcaktimet e bëra për këtë lloj shtrese të shoqërisë greke.
Nisur nga nevoja për punë, por edhe nga disa rrethana njohëse nga të cilat ishte krijuar një zinxhir punësimesh i Miras, u ra dakord për një ditë të javës bërja e punëve në këtë shtëpi. E zonja, një grua rreth të 40-ave, pronare e një reparti rrobaqepësie, të krijonte përshtypjen e një afendikeshe me nivel të kënaqshëm të ardhurash. Por nuk ishte e vështirë për Miran të kuptonte pas tre-katër herë të vajturash, fallcitetin e fasadës të kësaj pronareje të vetvetes, pasi në fakt kishte një ambient mesatar me tre-katër makineri qepëse, ku ishte e punësuar vetë familja e saj. Asgjë të keqe s’ka deri këtu, përkundrazi, biznesi i vogël mban gjallë e me nivel të kënaqshëm mirëqënieje qindra e mijra familje greke. E keqja qëndron në fasada e krijuar nga zmadhimi i pozitës komanduese e urdhëruese, që duke mos patur për bazë përgjegjësira aktivitetesh të mëdha, stonon me mikropërgjegjësinë reale.
“Kur shkoja në mëngjes dhe i bija ziles, i shoqi hapte derën dhe bënte një shëët me gisht para gojës, duke më thënë që e shoqja po flinte akoma. S’mund të vija që në fillim fshesën me korent se e zgjonte nga gjumi. Kështu që merresha me punë të tjera në kuzhinë dhe banjë. Pasi ngrihej nga gjumi dhe vërtitej me filxhanin e kafesë në dorë, hapte sa ja kishte qejfi muzikën, shtrihej në kanapenë e sallonit ku unë punoja dhe më hidhte ndonjë llaf kuturum se ç’duhej të bëja më pas. Sikur ta kisha për herë të parë”. Në atë çast Mira hodhi sytë nga mua dhe më tha, ”E di që të shqetësojnë këto muhabete, po ç’të bëjmë. Ku dhemb dhembi vete gjuha”.
C’të them, miq të dashur, mbase është gabimi tim, por se si më vjen, se si e ndjej veten, ato çaste kur shoh Mirushen time, por dhe gratë e tjera prezente në një vizitë, të paraqitshme e me gusto në veshje, me botën e pasur femërore, me ëndërra e synime ngjitjeje në rrugën e jetës, të ndodhen nën trysninë e bisedave të tilla vërtet domethënëse, por edhe ofenduese ama për dinjitetin e personalitetin e tyre.Gjithmonë e kam fjalën për raporte të tilla marrëdhëniesh, që ngjajnë me një kohë mesjetare trajtimi në punë të njerëzve, ku s’ka as njerzillëk, as vlerësim real të punës, as.. C’të vazhdoj më tej, që të prish më shumë gjakun pastaj?
Këtë rradhë e folura e Miras, për nga qëllimi që kishte, jo vetëm nuk më shqetësoi, por përkundrazi, më ingranoi dhe mua të ndërhyja për t’ju bërë të ditur të gjithëve, që aty ku fillon keqtrajtimi njerëzor, ashtu siç mbaron e drejta dhe detyra e punëdhënësit, përdhunohet dhe përshkelet e drejta dhe detyra e të punësuarit. Vazhdimësia? Më mirë të tregoj vazhdimësinë e një të vërtete, se sa të filozofoj rreth të vërtetave të vazhdueshme.
“Kur të vish javën tjetër dua të lash gjithë tapetet”, i tha Miras një ditë në të hyrë të beharit, rrobaqepësja në fjalë. Zakonisht shumica e familjeve greke, bile dhe ato më të zakonshmet në nivel të ardhurash, i çojnë në lavanteri për t’i larë dhe aty i lenë gjithë beharit, duke ja u sjellë në shtëpi ky lloj shërbimi, në të hyrë të dimrit. Për zonjën rrobaqepëse, rroftë krahu i lirë i Miras, pa çka se ky krah nuk është makineri lavanterie, por një gjymtyrë pe kocke e mishi njerëzor, me kufij të caktuar fuqie e rezistence femërore. Megjithatë Mira pranoi.
Kish kaluar ora 2 e drekës, kur unë, pas mbarimit të punës në dyqan, hipa motorin dhe vajta për të marrë Miran si zakonisht. Ndaloj tek sheshi, diku pak më larg pallatit dhe ngre kokën për nga ballkoni i shtëpisë mos ishte rastësisht aty. Gjithë parmaku i gjatë i ballkonit ishte zënë nga tapetet e varura. Ajde pune, ajde, thashë atë çast me vete, duke përfytyruar duart e Mirushes sime të fërkonin, pastronin e lanin orë të tëra ato tapete gjigande. Pas pak dera e pallatit u hap dhe shoh të vijë drejt meje gruaja ime e dashur. Riti i zakonshëm i puthjes në buzë, por në çast një tronditje e vetvetes kur shoh sytë e lotuar të saj dhe dëgjoj zërin e drithshëm e me dënesë të thotë me revoltë, ”C’botë e qelbur!” Ndërhyra menjëherë i shqetësuar, ”C’ka ndodhur zemër? U zutë gjë?” Duke hipur në motor më thotë, ”Ajde të ikim, se ta shpjegoj në shtëpi. Tani nuk mund të flas e qetë”.
“Ta marrë e mira ta marrë!”, thashë me vete dhe shtova gazin e motorit për të afruar vajtjen në shtëpi. Dhe ashtu mendërisht vazhdova, ”Pse xhanëm duhet të ndodhë diçka tronditëse, sa arrijmë të jemi disi të qetë e të gëzuar në këtë botë?”
A mund të harrohet lehtë, siç ndodh zakonisht me përditshmërinë e punëve, kjo ditë e mundimshme në pozicion gjunjazi për larjen e tapeteve, kur në vend të një mikrothënieje kënaqësie të zonjës, shkaktohet prej saj tronditja dhe lotimi më i pafajshëm, në një shpirt dhe sy po kaq të pafajshëm?
“Nuk ju besova veshëve, kur porsa mbarova nderjen e tapeteve dhe fillova të rregullohesha për të ikur, më vjen në koridor dhe më thotë të fshija e laja sallonin dhe grilat e ballkonit”, filloi menjëherë të më shpjegojë Mira, porsa hymë në shtëpi. Dhe vazhdoi, ”Më thotë që ishte akoma shpejt për të ikur dhe kur i thashë që punova pa u shkëputur asnjë sekondë dhe larja e tapeteve nuk krahasohet me orarin e punëve të zakonshme të shtëpisë, veç ta shikoje si u bë në fytyrë nga e thirrura. ”Oo, etci dhen pame kathollu kalla! Thellis na figis jati se perimeni o andras su! (Oo, kështu nuk shkojmë gjëkundi mirë! Do të ikësh se të pret burri tënd!)”. E të tjera llafe që s’po i dëgjoja dot, ngaqë po mundohesha të mbaja të qarën. Kur dola dhe vajta në ashensori, siç duket i ranë nervat dhe foli me ton më të ulët, por unë duke i thënë me zë të dridhur, “dhen mbirazi(s’ka problem)”, hyra dhe mbylla derën”.
“Qetësoju tani. As ja vlen të prishësh gjakun për çka ndodhi. Merre në telefon dhe thuaji që më s’do vesh. S’na duhen ato dhrahmi para shëndetit dhe dinjitetit. C’kujton ajo se jemi, skllevër, që mund të bëjë si të dojë? Nuk u shojtën familjet e mira greke”. I thashë këto varg fjalësh Miras, duke ju afruar e puthur në sytë ende të njomë nga lotët. Por e pranova kërkesën e saj për të telefonuar më vonë, pas kapërcimit të asaj gjendjeje të rënduar shpirtërore.
Dhe ashtu ndodhi. Pas ngrënies së drekës dhe pirjes së kafesë, Mira vajti nga dhoma, morri telefonin dhe ...”Unë jam, Mirela. Mirë, jam, mirë. Tani dëgjomë çdo të të them. Sot ishte dita e fundit që punova në shtëpinë tënde. Këtej e tutje të uroj të gjesh një më të mirë se mua, që të punojë sa të duash ti e ta urdhërosh si të duash ti. Më vjen keq, por s’mund të vazhdoj më. Jasas!”
E la telefonin dhe morri frymë vërtet e lehtësuar. Bashkë me të dhe unë sigurisht.
E kështu, pas rrëfimit të kësaj ndodhie, biseda morri tjetër drejtim, duke ju larguar të rëndomtës së zakonshme të konstantimeve. Po kënaqesha tek dëgjoja mendime dhe gjykime që përmbanin analiza të logjikshme të ecurisë së jetës, të marrëdhënieve mes njerëzve dhe ingranimit tonë në shoqërinë greke, pavarësisht nga lloji i punëve dhe niveli i mirëqënies. Sepse, ndërsa shpreha një të vërtetë problematike të një pjese të kësaj shoqërie, s’ka si të vazhdoj realizmin, po lashë anash të vërtetat e tjera me kah pozitiv, që jo vetëm ekuilibrojnë situatat e krijuara, por në shumë raste na bëjnë të ndjejmë krenarinë dhe të shfaqim me pathos të mirat e vlerave dhe tipareve tona.
As u morr vesh si kaloi mesnata, kur jo mbarimi i bisedave, por e kujtuara për afrimin e punës në mëngjes, na brofi të tërëve në këmbë. Me përzjerjen e të thënave, ”Mirupafshim”, ”Aj natën e mirë”, “E njëherë gëzuar”, u përcollëm nga familja Shkurti, duke marrë me vete mbresat e një takimi kaq të dëshiruar për të gjithë ne të ikurit, apo më mirë të them, të ardhurit e vjetër e të rinj, këtu në Selanik.
* * *
 

Ndonëse me peshën e dhimbjes dhe peshën e inateve e kundërvënieve të të prekurve në këto shkrime, jam i vendosur të vazhdoj rrëfimin e efekteve të kompleksit edhe brenda të afërmve të mi. Sepse, asnjë prej nesh nuk rron i mbyllur dhe i izoluar nga vështrimi i opinionit, ashtu sikurse ky opinion nuk mund të jetë realist po veprove me dyfytyrësi e hipokrizi mes tij. Nuk janë cingërima, as teka të çastit, as për mustaqet e Celos, të zakonshme e nganjëherë të domosdoshme këto “më the, të thashë” në marrëdhëniet njerëzore. Jane pjesë e kompleksit të përmendur më lart, që në një formë a tjetër, nuk njeh kufi prekjeje mes njerëzve, në gjithë shkallët lidhëse të tyre, pra dhe brenda familjes.
Diku në këto shkrime kam lënë pa përfunduar një frazë për tjetërsimin total të motrës sime, duke shkruar konkretisht, ”Një tjetërsim, që siç do dalë në shkrimet e mëvonshme, do vazhdohej me veprimin më ekstrem e mohues të...”.
Mos kujtoni se po hidhem nga një degë në tjetrën, përkundrazi. Divorci nuk ka lidhje vetëm me çiftin. Vetvetiu, tek shkruaja për të, më parakaluan para mendjes divorcet e tjera mes njerëzve, duke filluar nga ato mes shokësh e miqsh, vazhduar mes prindësh e fëmijësh dhe vetë fëmijëve mes njeri-tjetrit. E kur dhimbja s’është vetëm jashtë meje, a mundem të mos lëshoj një “Oooohh!” të gjatë, kur ajo më prek në gjithë qënien time? Sikur të lëshohej kjo thirrje nga gjithë palët e divorcuara, të jeni të sigurt që ky mohim i tmerrshëm mes njerëzve, do kthehej në një pohim të fuqishëm lidhjesh e harmonie me tyre. Mbase pak prej jush jeni kuriozë të dini për çka dua te them. Sepse ndodhitë me divorce, të çdo lloji qofshin, më parë i merr vesh bota, siç thuhet në këto raste, se vetë të afërmit. Dhe unë jam i sigurt që ndodhinë mes meje, vëllajt e motrës, dua s’dua unë, e di më shumë se gjysma e korçarëve në Korçë e Selanik bashkë.
Por, duke ndjerë një përgjegjësi për mosbastardimin e të vërtetës nga kushdo qoftë, ja vlen të flas dhe unë me gjuhën e këtyre shkrimeve, për t’ju dhënë të gjithëve mundësinë e një qetësie në lexim, se sa të një mishmashi zhurmues në dëgjim. Meqenëse strumbullari këtë rradhë vërtitet rreth interesit të pronës e parasë, më lejoni si për hyrje ta çel me një poezi të tillë.

Tam-Tami i parasë

Tam-Tami i parasë
Mënxyr e dynjasë
Intrigë e lakmisë
Damblla e zilisë.

Fitime mes humbjesh
Lëpirje mes lutjesh
Stërshitje trupore
Stërvrasje gjumore.

Krekosje dhe fryrje
Ngërdheshje fytyre
Tam-Tami i parasë
C’i bëri dynjasë!
Selanik 2000

E në këtë dynja na ka rrënë hisja të rrojmë unë, ti, ju, miq të dashur, me gjithë zullumet e të mirat e saj. Për aq sa u vërtit kjo dynja në hapësirën shqiptare, që nga 1945-a e deri 1990-a, bëri mirë a bëri keq, një Zot e di, kurse unë di që babanë tim e la me gisht në gojë, për nga ajo pak pronë e punë private që kishte qysh në të rritë e tij. E që mos zgjatem më shumë, se s’është këtu destinacioni i këtij shkrimi, po hidhem në të famshmin vit të 1990-s, kur “Njeriu i ri” shqiptar u ngrys me këtë iluzion e fasadë lumturie socialiste dhe u gdhi me të vërtetën lakuriqe të fukarallëkut.
Iku i zhgënjyer nga kjo botë i paharruari baba qysh në çelje të 1974-ës dhe veç një mama si timja diti të mbante peshën e familjes me tre fëmijë në rritje. Dhe ja arriti, duke mos na lënë kurrë në udhëkryq të jetës, por në shtratin e sigurt të rrjedhës së saj, deri atë shtator të 1989-s, kur e lodhur nga hallet e kësaj dynjaje, vendosi t’i shkojë pranë burrit të saj të dashur e babajt tonë të paharruar. Ndryshe nga babaj, që s’arriti të martojë qoftë dhe një nga ne fëmijët, mamaja të paktën na pa të kumandarur në këtë drejtim dhe arriti të përkëdhelë e gëzojë nipër e mbesa. Kuptohet, diçka më shumë në kohë i ra fati motrës që kishte vite martuar.
A e dini, miq të mi, që në një apartament, aty në rrugën 1 Maj, me dy dhoma dhe një kuzhinë të vogël, pas martesës sime dhe të vëllajt, banonim çuditërisht të dy çiftet, bashkë me mamanë? Kurrë në jetën tonë s’na erdhi rradha të kujtonim, jo pastaj të këndonim këngën më servile të regjimit, ”Të rrojë Enveri, të rrojë Partia, o që na bëri o me shtëpia!”
I gjori “Njeriu i ri”, porsa martohej ngushtohej në një dhomë, duke spostuar të pamartuarit, po edhe prindët pa dashje. Gëzonte për lindjen e fëmijës së parë, sikletohej për të dytin e kur i vinte rradha për apartament, nëse i vinte, prapë ngjishej në një dhomë e kuzhinë qesharake. Mos vallë ky ka qënë çasti, kur dikush i ra fyellit i gëzuar që u bë me shtëpi, apo u porosit dikush nga lart për të zbritur poshtë këngën e propagandës?
Ne vazhduam shpikjet tona sistemuese, duke i dhënë dhe banjës funksionin e kuzhinës, pasi kuzhinës i kishim dhënë funksionin e dhomës për mamanë. Kur mbetëm vetë dy çiftet, prapë zor të na vinte në buzë ndonjë notë e këngës, me atë stërngjeshje në njerën dhomë të vëllajt me gruan dhe çupkën e në dhomën tjetër unë me Miran dhe djalkën.
Që të jemi të qartë të gjithë, apartamenti i famshëm nuk ishte pronë, as e të ndjerit baba, as e të ndjerës mama, as e motrës së ikur në shtëpinë e të shoqit, as e vëllajt dhe as timja. Vërtet paguhej një qira simbolike, por ama si gjithë pallatet e Shqipërisë, ishte në zotërim të shtetit. Ikje nga një apartament, se diku kishe kontribuar me punë vullnetare dhe të jepej aty apartament, ndërpritej një qira dhe paguaje një tjetër. Kështu u gdhimë dhe në 1990-n edhe në 1991-shin, kur për herë të parë në jetën time ndjeva kuptimësinë e të jetuarit normal në një apartament. Pse? Sepse atë vit, vëllaj tim bashkë me gruan dhe çupkën, morrën rrugën e ikjes për në Greqi, aty ku më parë kishte ikur po motra familjarisht. Ishte një ikje e dëshiruar si nga vëllaj ashtu dhe nga motra, me shpresën e largimit nga jeta e kotësisë dhe mizerjes. Unë përkundrazi preferova qëndrimin, në vendin ku po përmbyseshin simbolet e një diktature, me shpresën për të larguar e zhdukur nga ky vend jetën e kotësisë e mizerjes. Meqenëse për këtë periudhë me të vërtetë historike për Shqipërinë, rruaj disa shkrime të miat, mendoj t’i paraqes me origjinalitetin e tyre të pacënuar, kur t’i vijë natyrshëm rradha disa rrëfimeve të asaj kohe.
Veprimi më me mend i qeverisë demokratike, ishte dhënia në pronësi e apartamenteve gjithë qiradhënësve, kundrejt një pagese tepër simbolike. Shkuam me Miran në zyrën përkatëse për të bërë pagesën dhe për të marrë kartën e pronësisë.
Shoqja e zyrës: ”Ju jeni banuesit aktualë në këtë apartament?”
Unë: ”Po. Unë, gruaja dhe dy djemtë e vegjël”.
Ajo: ”Në rregull. Djemtë janë të vegjël, prandaj duhet të firmosni vetëm ju të dy, gjë që ju bën pronarë të barabartë të apartamentit”.
Une: ”Më fal, po në këtë apartament kohë më parë ka banuar dhe vëllaj me gruan dhe çupkën. Kanë ikur në Greqi që në verën e 1991-shit, megjithatë është mirë të shënohen dhe ata bashkë me ne”.
Ajo: ”Kjo varet nga ju, pasi ligji për pagesën e qirasë ka kufij të caktuar dhe në rast se dikush deklarohet i ikur e dikush tjetër vazhdon pagesën e qirasë, i pari humb të drejtën e banuesit aktual”.
Unë: ”E po atëhere qënkemi në rregull, përderisa unë s’kam bërë asnjë veprim me karta për punën e qirasë e ku ta di unë. Kështu që mund të shënohemi të katërt njëlloj bashkëpronarë. As që mund ta shkoj në mendje që në një kthim të mundshëm të vëllajt, ai ta ndjejë veten jo në shtëpinë e tij, por në shtëpinë e vëllajt. Besoj se u kuptuam”.
Ajo: ”Në rregull, në rregull. Ja të shkruaj më poshtë emrat e tyre, ku duhet të firmosin patjetër”.
Unë: ”Të njoh e më njeh mirë, prandaj ki besim në fjala ime”.
Pavarësisht nga e njohura e besimi, ajo ishte e qetë pasi kishte në dosje të firmosur deklaratën time për gjithë pjestarët e dy familjeve.
Isha tepër i qetë, miq të dashur, e kjo qetësi shumëfishohej kur dëgjonim e shikonim zënka deri në rrahje e rrahje deri në gjyqe, për të mos thënë më ekstremin e të keqes, vrasjet kot së koti edhe për një rip toke. E përse? Se ajo e harruara pronë, bashkë me etjen e pangopshme për ta fituar e shtuar me djersë apo ligësi, në disa zgjoi e në disa ngacmoi lakminë, egon, intrigën, zilinë, cmirën, etj, etj, vese e instikte të vjetra e të reja bashkë.
Kaq shpej u harrua, ta marrë e mira ta marrë, jetesa e mëparshme e dy-tre çifteve, apo e familjeve me tre e katër fëmijë, nën një çati e në të njëjtin çanak?!
Kaq shpejt u harruan, ta marrë e mira ta marrë, lojrat e shakatë, gëzimet e hallet, planet e së ardhmes, etj, etj, biseda, ëndërra e fantazi mes vëllezërish e motrash?!
Nëse kthimi prapa vërtet është një budallallëk, mos duhet që ecja përpara të jetë një çmenduri?!
Prej kohësh kam pyetur e vazhdoj të pyes:
Deri kur...?
Zemra të kthyera në kasaforta parash
Tjetërsim më të madh s’më kanë par’ syt
Kërkoj njeriun e vërtetë që t’i flas
E gjej të pafuqishëm në udhëkryq.

C’ësht’ ky ankth njerëzor në udhëkryq shpirtrash?
Mjegullnajës së parasë-udhëtim mijvjeçar
Avaz i vjetër me skllevër piramidash
Deri kur o Zot, do vazhdojë ky avaz!?
Selanik 2000


Ndërsa ka kohë që pyes Zotin pa marrë përgjigje prej tij, revani i avazit njerëzor vazhdoi dhe vazhdon avazin e vet, pa pyetur as për miq e shokë, as për prindër, motra e vëllezër bashkë. Rrezja e tij goditëse nuk njeh kufij shtetesh, popujsh, shtresash shoqërore, familjesh, përderisa nuk njeh rrahje zemrash, dashuri dhe dhimbje shpirtrash njerëzorë. Kush më shumë e kush më pak, besoj se s’i ka shpëtuar valës përfshirëse së kësaj rrezeje. Nuk e them këtë për të ngushëlluar veten, që fatkeqësisht bën pjesë në këtë ,“kush më shumë e kush më pak”. Le të dija qoftë dhe një të njohur jashtë kësaj vale, se do merrja zemër dhe unë për të shpresuar daljen prej saj.
Nuk kam të drejtë të paragjykoj konceptin njerëzor të formës së pasurisë, nisur thjesht nga koncepti tim. Nëse unë preferoja që apartamenti të mbetej si i tillë, kurse vëllaj që ishte konsoliduar në Greqi preferonte ta kthente në para, do ishte mani e marrëzisë imponimi me patjetër i njerës palë mbi tjetrën. Në këtë stad preferencash, të imponuara nga rrethanat apo interesat e çastit, nuk pinë ujë as përvojat e të tjerëve, as shpjegimet teorike se cila formë pasurie ka epërsi e fuqi shumëfishimi. Megjithatë, nuk do isha realist po të thosha që kjo kundërti konceptesh mes meje e vëllajt kaloi pa kurrfarë fërkimi. Por ama ky fërkim i kaloi tangent asaj manie të marrëzisë, që thashë më lart. Për një çast, një rol zbutës në favor të dy vëllezërve, pati dhe motër Monda. Nuk mund të harroj ditën e ardhjes së saj në dyqan dhe bisedën mes nesh.
Ajo: ”Gjushka ishte i shqetësuar që s’u morrët vesh për shitjen e shtëpisë”.
Unë: ”Shtëpia është e përbashkët dhe tani që jemi të gjithë këtu, le ta kemi si një kasolle ku të futim kokën kur vemë në Korçë. Eshtë para që s’humbet kurrë, përkundrazi i rritet vlera më shumë në të ardhmen”.
Ajo: ”Të kuptoj, po për hir të harmonisë me njeri-tjetrin është mirë ta shisni. Dëgjomë mua, se të mirën ju dua. Me paratë që do merrni dhe me ç’do fitoni këtu, do keni mundësi të blini shtëpi më vete po të doni”.
Unë: ”Le të vijë e të flasim si vëllaj me vëllanë, se patjetër do merremi vesh”.
Dhe u morrëm vesh për bukuri, duke përdorur atë tangenten shpëtimtare që sa e sa të tjerë, o s’ditën, o s’deshën ta përdornin, duke rënë aq thellë në marrëzi, sa tani as pishmanllëku, as pendimi, nuk i nxjerr dot prej tij. Deri këtu gjithshka ngjan me ato përfundimet artificiale pozitive të filmave e romaneve, por të dëshirueshme ama për publikun. Po si të bëj unë, që vërtetësia e realitetit nuk shkon në një kah me dëshirat e tij? Në rast se ai do njëherë një fund të lumtur të ngjarjes në fjalë, unë do ta desha njëmijë herë më shumë. Sepse aty ku për publikun ngjarja mbaron, duke u arshivuar ose shuar nga kujtesa e tij, për mua përkundrazi fillon pasoja e saj torturuese, e mundimshme dhe e dhimbshme.
Vëllaj më lajmëron që dikush interesohej për ta blerë apartamentin tonë me një çmim deri diku të pranueshëm, për vetë faktin e distancës e të pamundësisë për të bërë, si i thonë, lojën e tenderit. U morrëm vesh me blerësin në bisedë telefonike, për të na pritur ditën e orën e caktuar për kryerjen e veprimeve të shitblerjes. Shkurtësia e kohës imponohej nga pamundësia time për shkëputje më të gjatë nga puna. Mbeteshin dhe pak ditë për t’u nisur me vëllanë dhe do kishin ikur e ato si gjithë ditët e tjera, po kush vallë i nxirrosi e dreqosi, si një paralajmërim ogurzi për çka do na priste pas kthimit?
Ishte drekë atë ditë, kur bashkë me Miran tek mbaruam punën, thamë të ktheheshim për pak minuta tek motra. Pak minutat ime motër i shumëfishoi, duke shtruar drekën edhe për ne. E pranuam me kënaqësi ftesën e kryer, që na uli direkt rreth tryezës. Ende pa arritur mezit të racionit, nga e djathta e krahut tim, lëshohet sinjali i parë ngacmues nga Koçoja, ”E vendosët më në fund, hë, do ta shisni shtëpinë?! Kush ju mban me paratë që do merrni. Për ne ka ndonjë pjesë?”
E morra si një shaka të llojit të Koços, që megjithatë priste një përgjigje. ”Lere, lere ç’para që është! As një dhomë e kuzhinë nuk ble dot me to. Tallu, tallu me fukaranë. Cani kokën ju për pjesë, para atyre që keni në bankë”. Megjithatë, kur ikëm me Miran, e ndjeva veten në një mëdyshje shpirtërore, që vërtitej herë nga lloji i shakasë e herë nga lloji i seriozitetit. ”Megjithmend e kishte Koçoja kur tha për pjesën? Për ç’pjesë e ka fjalën? Apo rroftë sebepi që do merren ca lek dhe dale se mos fitojmë ndonje pjesë dhe ne? Apo bëri shaka si për të na ngacmuar?” Mira dëgjonte vargun e ngatërruar të pyetjeve të mia që s’po i jepnin kohë të përgjigjej, ndaj vendosi të më ndërhyjë mes tyre, ”Si të them. Mbase bëri shaka. Nuk mbetën ata në paratë tona. Harrove si të tha Monda kur të erdhi në punë? Mos e vrit mendjen kot. E pe që nuk vazhdoi pas fjalëve që the?”
Por, të dashur miq, nëse animi i mëdyshjes nga ana e shakasë më qetësonte disi, s’do kalonin as dy ditë pas asaj dreke paralajmëruese, që ajo qetësi gjysmake të zaptohej nga ngacmimi serioz i një kërkese po serioze, veçse këtë rradhë jo nga Koçoja, por nga vetë ime motër. Nëse dini ndonjë krahasim më të saktë se rrufeja në qiell të kaltër, e pranoj, ndryshe merrni në vend të tij për përdorim, këtë rast të papërsëritshëm brenda fenomenit njerëzor.
Një telefonatë mëngjesore para ikjes për në punë me zërin origjinal të Mondas, kurse për fjalët ende dyshoj nëse përmbanin origjinalitetin e mendimeve të saj.
“Dua dhe unë të më jepni një të tretën e parave nga shitja e shtëpisë. Aty kemi banuar të gjithë bashkë, pra kam dhe unë pjesë”.
“C’është kjo kërkesë kaq e papritur dhe pa kuptim? Njëndizaj më the që të pranoja shitjen për hir të harmonisë me vëllanë, pa shprehur kurfarë ideje të tillë. E kupton që në këtë mes s’ke pikë të drejte, sepse shtëpia ishte e shtetit dhe e asnjerit prej nesh? Ti kishe ikur në shtëpinë e burrit para 1985-s. Babaj nuk jetonte më që prej 1974-s, kurse mamaja që prej 1989-s. Banoja unë me gruan dhe djemkat dhe byrazeri me gruan dhe çupkën. Dhe ti e di fort mirë që pas ikjes në Greqi të Gjushkës, isha unë që vazhdova të rrija po me qira, pa spostuar kurrë tim vëlla. Kështu dhe kur u privatizua, u bëmë të dy familjarisht ligjërisht bashkëpronarë”.
“Nuk më interesojnë këto sqarime. Po s’më dhatë një të tretën, zemrën tuaj do tregoni”.
“Dale, dale, se nuk logjikohet kështu. Kur kërkon një të tretën, del sikur të takon ligjërisht, gjë që dhe vetë e kupton që s’është e drejtë e asgjë s’fiton me këtë rrugë. Kurse zemra e vëllajt nuk vihet në provë me kërkesa e kushte të tilla absurde. Eshtë një jetë e tërë prove, që s’mund të hidhet kaq lehtë poshtë me eksperimente të tilla”.
“Që mos e zgjatim kot. Sot ju pres të dyve të bisedojmë për kërkesën time. Të morra ty në telefon që ta dish ç’do kërkoj. Po të jesh në krah tim, do të ta kompesoj unë diferencën nga pjesa që do marr”.
“Mbush mirë moj me këto që thua?! Dheu s’do më tretë të pranoj një gjë të tillë në kurriz të vëllajt e prapa krahëve të tij. Mendoju mirë për ç’do thuash, se unë e di mirë ç’kam për të thënë! Aj mirupafshim në darkë!”
Pas mbylljes së dyqanit në orën 9 të mbrëmjes të po asaj dite, morra rrugën drëjt shtëpisë së motrës, që s’është as 10 minuta larg më këmbë nga puna ime. Ecja me një gjendje tepër të ngarkuar e të ngatëruar shpirtërore, si pjesëtar i një beteje të pazhvilluar e të përfunduar me armëpushim, ku ndërmjetësi i marrëveshjes kërkon më shumë koncensione se sa vetë palët pjesëmarrëse.
Derën e hapi vetë motra duke më drejtuar për nga ballkoni, ku ishte më freskët se në sallon. Nuk kaluan as pesë minuta dhe i njëjti veprim i saj dhe me vëllanë.
Tek e pashë byrazerin me rrobat e spërkatura nga bojrat, e kuptova që vinte nga ndonjë lyerje shtëpie. U ul përballë meje me një psherëtimë lodhjeje, kurse mes nesh motra jonë. Mungonte si zakonisht i munguari në të tillë raste kthesash e vendimesh të papritura të çiftit Furxhi, burri i motrës!
“Që mos e zgjatim shumë, se dhe ju jeni të lodhur, ju kam thirrur për punën e shtëpisë. Tani që vendosët ta shisni, të them të drejtën, më vjen keq, se aty kemi kujtime të shumta dhe mirë është mos shitet”.
“Këtë gjë e kam thënë unë me të dy ju dhjetra herë dhe herën e fundit pas bisedës me Gjushkën, ishe ti që ngulmove për shitje me lloj-lloj llogjesh për të më bindur. Tani që e morri ferra uratën, nuk e kuptoj këtë kthesë!”
“Ja që kështu më erdhi tani dhe se si më vjen të shitet”.
“Meqenëse të vjen keq tani pas të vjelash, kurse nga ana tjetër byrazeri nuk kthen mendje, kam unë atëhere një propozim, që besoj se ju kënaq të dyve dhe rruan harmoninë mes nesh. Eshtë fare e thjeshtë zgjidhja. Siç ka thënë e Koçoja më parë, që sçpyet për një milion dhrahmi dhe unë e besoj, se e di që me punën tuaj të mundimshme kini vënë para mënjanë, ato një milion jepjani byrazerit dhe kështu blini pjesën e tij gati 50% më pak nga çdo marrë ai nga shitja e tanishme. Besoj byrazer të jesh dakord me këtë shumë, se s’do bësh tregëti me motrën?”
Përgjigjet menjëherë Gjushka, “Dakord jam!”, e unë ndonëse u befasova për një çast, morra frymë thellë i lehtësuar.
Por çasti i fundit as arriti të përsëritej së dyti, se kthesa e motrës erdhi aq e menjëhershme, sa më bindi për parapregatijten e saj standarte me të munguarin që ende po mungonte.
“Jo, jo! Nuk diskutohet kjo! Thashë një mendim timin. E lemë këtë!”
Një çorbë llafesh, që pasi i kapërceu së prapthi, doli aty ku kish dalë si me shaka para ca ditësh, në ajo dreka e famshme me mua dhe Miran, vetë Koçoja.
“Po qe se do ta shisni kërkoj dhe unë një të tretën e shumës. Nuk kam keq për ato lek, por dua të provoj zemrën tuaj”.
Gjushka që ishte rehatuar në gjysmështrirje, lëvizi nga vendi në pozicion drejt dhe ja ktheu menjëherë, “As ka lidhje zemra këtu e ku ta di unë. Asnjë lek s’të takon e asnjë s’do marrësh. Po të duash shko kërkoji me gjyq! Uaa, ndryshe the në fillim e ndryshe po na del tani. Kaq nga ana ime. Kot e zgjatim më se u bë vonë”.
“Lere në dorë të vëllezërve ta tregojnë dashurinë, motër e dashur, e jo me këto kushte budallëkshe. Nga ato lek, e para që do bëj është blerja e një buqete me lule për në varrin e prindërve”.
I thashë këto fjalë në ecje e sipër me një ton të lartë por edhe prekës, duke vazhduar më pas me një, “Natën e mirë” dhe bashkë me byrazerin u larguam pa i thënë asnjë fjalë njeri-tjetrit, deri sa u ndamë me të njëjtën thënie përshëndetëse.
Në Korçë gjithë veprimet e shitjes u kryen brenda pak orëve, duke e shndërruar mallin në para dhe në një kujtim tashmë nostalgjik të së shkuarës, që i takonte vetëm shpirtit e jo trupit.
Tek ecja me Gjushkën bulevardit, më thotë, “Si e ke synë byrazer? Do që t’i marrim një dhuratë të përbashkët Mondas, apo sejcili më vete?”
“Si të duash, s’ka problem. Unë them t’i marr diçka nga dyqani ku punoj. Po të duash dhe ti, ajde ta zgjedhim bashkë”.
“Mua më ka vajtur mendja për ndonjë varëse ose byzylyk floriri. Këtu ka plot dyqane me të tilla”.
“Atëhere ti merrja këtu, kurse unë në Selanik. Le të jenë dy dhurata të ndryshme”.
Në ish Mapoja hymë në një dyqan me stolira fliriri dhe Gjushka zgjodhi e bleu një varëse nga më të bukurat e të shtrenjtat.
U nis më parë se mua për Selanik, pasi kishte lënë një punë në mes, kurse unë të nesërmen.
Kur arrita në shtëpi nga ora dhjetë e darkës, veç Miras e djemkave, po më prisnin dhe Monda me Koçon. Pra, mendova, kot isha i ankthuar për ç’ka kish ndodhur mes nesh. U takuam me përqafim e puthje dhe tek u ula përballë tyre, e para që pyeti ishte Monda.
“Hë, si dolët? Pa na trego ti për andej, se Gjushkën se kemi takuar akoma”.
Dhe siç e kam zakon, tregova me hollësira gjithë lëvizjet tona në Korçë, duke arritur në të fundit me Gjushkën për blerjen e varëses. Pa arritur ime motër të mbaronte pyetjen për llojin e varëses, ndërhyri menjëherë i shoqi, “S’ka ç’të duhen teneqeçkat e llamarinkat. Të ble Koçoja këtu, zogu, pe më të mirat. Lere, u vra yt vëlla me një zinxhirkë”.
Nga ky çast erdhi dhe kthesa sigurisht e parapregatitur e motrës, që duke u kapur pas cingërimave të lëvizjeve e takimeve të mia në Korçë, shpërtheu në ofendime e ngacmime krejt të pakuptimta. Eshtë e tepërt dhe bezdi për ju, të dashur miq, të ndodheni mes një debati të tillë sa qesharak aq dhe naiv, por s’është aspak tepëri të dini që fill pas tij erdhi ikja e të dyve, me një ngjyrë në fytyrë e llojit në të kuq, që krijohet vetëm në çaste inati e dufi anormal. Megjithatë, dolëm me Miran në ballkon, siç e kemi zakon përcjelljen e njerëzve dhe kur përsëritëm përshëndetjen “Natën e mirë”, erdhi përgjigja bombë e motrës, “Që sot e tutje vetëm për festa dua të më vini e për festa do t’ju vimë!”
Ndezja e motorit dhe ikja e menjëhershme, ishte mbyllja e prerë zhurmuese e atyre llafeve, gjë që do zilepste për nga realizimi natyral, skenaristët e regjisorët më të mirë të Hollivudit.
Hymë brenda të shokuar, të hutuar, të .... Nuk e gjej dot unë emrin e përshtatshëm të asaj gjendjeje shpirtërore të krijuar atë çast, apo psikologjia e gjuhësia bashkë, janë të pafuqishme për ta përcaktuar atë saktësisht?
“Si e patën? Mos thashë ndonjë fjalë që i rëndoi?”, pyes në çast Miran, duke u munduar njëkohësisht të kujtoja shkëmbimet e fundit të fjalëve. Me një pamje supesh të mbledhura, Mira përmendi saktësisht ç’u tha nga tre palët, pasi ajo vetë as që u përzje në bisedë, duke mos gjetur që të dy në gjithë thëniet e mia, as më të voglën fjalë tendencioze apo acaruese. Vërtitesha nëpër shtëpi me një padurim e siklet, të përzjerë me një habi krejt të pashpjegueshme dhe me pafuqishmëri kapërcimi për momentin. “Do t’i marr në telefon kur të arrijnë në shtëpi”, thashë në ecje e sipër, duke vazhduar, “C’kuptim ka të shihemi vetëm për festa!? Hë, Mira, kështu e tha, apo mos vallë s’e dëgjuam mirë?”
Ndërsa pyetja ime ishte shprehje e një dëshire mbetur në fantazi, reagimi qeshës i Miras ishte një përgjigje keqardhëse, i një të vërtete të porsajetuar realisht.
Formova numurin e telefonit dhe për fat ishte zëri i Mondas. Ndërhyra shpejt për të mos patur ndonjë mbyllje të papritur nga ana e saj. “C’ishte ajo që the për t’u parë vetëm për festa? Unë dua t’ju shoh e të flas vazhdimisht me ju e jo të pres ditën e ndonjë feste”. Monda e nisi me thënien, “Dëgjo! Koçoja do që të takohet me ty e të të thotë diçka...”. Nuk arriti ime motër të merrte përgjigjen time aprovuese, se një zë burri në thellësi, që u dëgjua mbyturazi nga mua, i devijoi njëherë e përgjithmonë marrëdhëniet e lidhjet mbi dyzet vjeçare motër-vëllezër. Ai zë, që kurrë s’pati burrërinë e kurajon të shfaqte ballëpërballë fytyrën e njeriut të vërtetë, por u fsheh dhe u përcoll gjithmonë mekanikisht nga goja e motrës sime. M’u tha mua prej saj, siçju tha sime motre prej tij, me një ftohtësi e ultimatum të prerë, pa më të voglën ndjenjë të përgjegjësisë njerëzore. “Asgjë, asgjë! Që sot e sa të jetë jeta, as ti dhe as yt vëlla s’keni më punë me ne! Mbaroj çdo gjë mes nesh!” dhe receptori më dha sinjalet e mbylljes të telefonit prej saj. Ato sinjale më kanë mbetur në mendje si rrahjet e fundit të një zemre të ngrirë, që asnjë çast nuk mundi ta shkrijë as dielli i nxehtë i kësaj bote, as sinjalet e ngrohta të zemrës vëllazërore.
Më lejoni, miq të mi, ta mbyll këtë kapitull të hapur të jetës me një të folur sime motre, që këtë rradhë s’ma ndalon dot.
The e dashur motër: “Provova zemrën tuaj!”.
E provove vërtet zemrën tonë, apo vure në një provë antivëllazërore vetë zemrën tënde?
Eshtë provë e mosrrahjes më për dy vëllaçkot tënd, që kurrë s’të kanë prekur e lënduar, as një fije floku e as një fije nervi.
Provë tepër e vështirë dhe e rëndë, e dashur motër, që me vazhdimësinë e palëkundshme të saj për vite me rradhë, nuk di çrekord po thyen në qitapin e turpeve njerëzore!
Zoti, apo kushdo qoftë në vend të tij, më ndjeftë e gjykoftë pas kësaj jete, për ç’ka po le të shkruar për ty e për mua në këtë jetë!

* * *
 

E megjithatë.....
Nata s’mbeti natë pafundësisht e dielli nuk devijoi nga lindja e perëndimi i tij i përditshëm. Janë kaq në harmoni me njeri- tjetrin dielli i ditës dhe hëna e natës, sa dhe kur njëherë në kushedi sa vjet mbleksen me njeri-tjetrin në eklipsin e tyre, për pak minuta tërheqin vëmendjen e njerëzve në tokë. Ndërsa njerëzit paskan borxh të eklipsojnë për tërë jetën, bardhësinë e shpirtit të tyre, me errësirën e krijuar e të akumuluar në skutat e këtij shpirti.
E ky fenomen i shëmtuar njerëzor ka për të vazhduar ende, miq të dashur, për aq kohë sa do vazhdojnë të ekzistojnë mes njerëzve, marrëdhënie në formën e interesave të ngushta dhe egoiste.
Meqenëse jeta vazhdon, pavarësisht nga ngacmimet e këtij fenomeni, po vazhdoj dhe unë me pjesë të tjera nga larmishmëria e saj e pafundme dhe e mahnitshme.
 
Ajo na takoi pa ndrojtjen që shkakton mosnjohja. Një dhënie dore me delikatesën e femrës, por pa nxitimin për ta shkëputur nga kontakti me dorën time e të Dhimitrit. Nuk mbaj mend të kem ndjerë një pëllëmbë e gishta kaq të imët, aq sa u kujdesa mos i shtrëngoja si zakonisht në takime duarsh. Eleganca e gjymtyrëve ishte në harmoni me gjithë pjesët e tjera të trupit, duke vazhduar kjo harmoni me një fytyrë të rregullt e simpatike, me rrumbullakësi që thyhej njëtrajtëshmërisht poshtë faqeve dhe që i jepte mjekrës një formë konike tërheqëse. Një pjesë jo të vogël të sipërfaqes së trupit zinin leshrat e zeza, që ndonëse të kapura në formën e një bishtaleci, arrinin deri afër belit. Eleganca e theksuar e trupit nuk e tejkalonte rregullsinë e saj në atë pjesë ku e bën femrën më seksi, e pse jo, dhe më të lakmueshme për syrin mashkullor.
Filloi të ecte e shkujdesur përpara rafteve, duke u ndalur më shumë aty, ku mbase përshtypja apo pëlqimi ishte më i madh. I papërtuar në rolin e ciceronit, të dhënë sigurisht nga afendikojtë, ju afrova dhe nisa t’i shpjegoja me imtësi sipas rradhës së eksponateve, të dhënat e çdo malli. Jo kjo është këtu e ajo atje, jo ajo ka atë emër e kjo këtë emër, jo kjo kushton kaq e ajo kushton aq....E kam hequr vetë koklavitjen dhe hutimin e prezantimeve të para në një punë të panjohur, prandaj përpiqesha mos nxitohesha, por çuditërisht kolegia e re nuk më vuri në sikletin e një ciceroni të bezdisshëm e të tepërueshëm. Sepse, jo vetëm nuk nxitohej për të kaluar më tej, por shpesh më pyeste për ndonjë paqartësi apo imtësi. Kishte raste kur e thyente monotoninë e krijuar me pyetje që si takonin ciceronit, gjë që më jepte mundësinë jo vetëm të përgjigjesha, por edhe ta pyesja për jetën e saj. Në pragun e 25 vjetëve, mendonte se marrëdhëniet disa mujore me një djalë, mund ta çonin në të ardhmen në martesë me të. Cuditej se si mënyra time e rrëfimit, përmbante të pa venitur edhe pas kaq vitesh jete bashkëshortore, pathosin e një dashnori të porsadashuruar. Mos ishte pasojë e kësaj çudie, që në vazhdim, kur duhej të shikonte mallrat, më shikonte si me habi mua? Apo mos vallë vinte në balancën e mendjes pathoset e dy anëve e kushedi ç’hesap kontradiktor i dilte? Mos kujtoni, miq të dashur, që pyes jashtë logjikës së realitetit. Kolegia e porsaardhur, duke përzjerë me lezet bisedat për punën me ato personale, shfaqi para meje, por ama jo me aq lezet, lakuriqësinë e mendimeve dhe të ndjenjave të një vajze me çapkënllëk të tejkaluar në liberal.
Nuk di sa të drejtë kam në konceptet e mia për konceptet e praktikat e femrave, në sistemin shoqëror ku jemi të detyruar të jetojmë. Sado të ndikuara të jenë ato nga injektimi propagandistik i moralit të ngurtë e të ashtuquajtur komunist, nuk mund të pranoj kursesi që për hir të mosetiketimeve të tilla, të bie në një tjetërsim total të koncepteve thelbësore për moralin, dashurinë e familjen.
Më pëlqen dhe e adhuroj seksin femër, sa s’ka ku të vejë më. E kundroj dhe pataksem para trupit femëror, sa vetëm ai e di dhe askush tjetër. Endërroj e fantazoj gjithshka më jep forca e mendjes dhe instiktit në magjinë e lojës erotike, sa vetëm shpirti tim e di. Jam pra ky që jam e s’mund të bëhem ai që s’jam, e s’mund të pranoj pra të qënit i dashururar dhe i çdashuruar njëkohësisht.
C’të them më shumë! Zhgënjim përsëri, që po më bënte të mendoja se mos ishte vetëm një dëshirë e jo mundësi reale, ardhja e një femre që do më ndronte për mirë llojin e mbresave të mëparshme.
E shpërqëndruar dhe e lirshme deri në paturpësi në veprimet e saj me mua dhe Dhimitrin, s’kish si mos reflektonte shenja të një medjelehtësie e mungese serioziteti edhe në marrëdhëniet me klientët.
Kur mendoja që pas kësaj shfaqjeje femërore, ishte një botë vajze konkrete, me halle e ëndërra në jetë, mundohesha t’i anashkaloja lajthitjet e saj të çastit, e pse jo, edhe ta frenoja sa të mundja në avancimin e tyre. Por ajo ishte një ndërthurrje kaq e pazgjidhshme tiparesh fizike dhe shpirtërore, sa çdo prekje e vogël e njerës anë, ngjallte reagimin e menjëhershëm të anës tjetër. Doni diçka më konkrete? Nuk ndruhem ta them, sepse në këtë botë nuk jetojmë vetëm me vetveten e jashtë veprimit të vetveteve të tjera që na rrethojnë. Rëndësi ka deri në ç’masë arrin relacioni mes tyre, cili është starti i duhur i tij, për të mos patur një finish-greminë.
Me përcjelljen e një klienteje, dyqani rra në një qetësi të përkohëshme. Afendikesha iku në permanant dhe ato çaste në dyqan mbetëm ne të tre. U ula në karrike pas banakut me një frymëmarrje shlodhëse dhe fillova të shfletoja një katalog me piktura. Në raste të tilla Dhimitri qëndron pranë arkës dhe kryen gjithë veprimet me paratë. Duke u tundur me rritmin e muzikës, kolegia kaloi para banakut dhe me pyetjen justifikuese, “Po unë ku të ulem?”, erdhi drejt meje dhe me nje rrotullim spiral m’u ul në prehër, duke më ngjeshur pas gjoksit katallogun. Dhimitri qeshi dhe më ngacmoi, “Andrea, je mirë? Të vijë tani Mirela, çfarë do bësh?”. “C’më gjeti!”, thashë me vete, jo aq nga fjalët e Dhimitrit, se sa nga ai pozicion i sikletshëm ngjeshjeje të trupit të një femre, që duhej ta largoja me lezet për të mos e ofenduar. Me apo pa lezet, fjalët më erdhën vetvetiu. “C’ulesh në mua? Unë kam se kë mbaj. Ja ku ke Dhimitrin alamet djali, që mund të të mbajë sa të duash”. E po me të thënë unë e me të bërrë ajo. Sa hap e mbyll sytë, u ndodh në prehërin e Dhimitrit! Një skuqje e menjëhershme e tij, e pabesueshme për mua, në këtë botë të mbushur e të ngjeshur me sa e sa paturpësira njerëzish. Ajo vazhdonte të qëndronte pa teklif, duke përfituar si nga mosardhja e blerësve, ashtu dhe nga mosreagimi i Dhimtrit. Ktheu kokën nga mua me një shikim vërrejtës, si për të më thënë që ishte pa kuptim reagimi im pas kaq vitesh martese, para një vajze të porsalidhur me një djalë. Kur ndjeu duart e Dhimitrit në belin e saj, për ta lëvizur apo ngritur nga ai poizicion, ju kthye dhe pa u ndrojtur aspak i tha, “C’pate djaloshi im? Mos t’u prish gjë zinxhiri i pantallonave?”
Ndërsa unë preka ballin me dorë, Dhimtri e kaloi skuqjen në vishnjë. Në atë çast, për të kapërcyer atë situatë të tepruar, u ngrita dhe thashë, “Ajde tani të bëjmë ndonjë punë! Unë do sistemoj ca magazinën, kurse ti(duke ju drejtuar asaj), e di vetë ç’të bësh”.
“Siga!”, ma ktheu, duke ngritur lart vertikalisht dorën me gishtat drejt dhe vazhduar me një ulje në formë harku, diku aty ku përfundon barku dhe fillon...
Folë sa të duash, i thosha vetes në ato çaste, se dhe fjalët më të ndershme të botës të dëgjojë prej teje, ka borxh dhe aftësi t’i zhvleftësojë me këtë lloj lëvizjeje të dorës e gishtave të saj.
Stonimi në total me kërkesat dhe mjedisin e dyqanit, po e nxirrnin vetvetiu jashtë loje këtë vajzë jo të djallëzuar, por të lehtë në mendime e veprime. Nuk di në ç’masë përfaqëson moshataret e saj, mbase është e vetme në llojin e vet, gjithsesi është një premisë me rrezik plasaritjeje e më keq, për martesën e ardhshme.
 
Sa ka të bëjë kontaktimi me njerëzit, sidomos për ne ku etiketimi alvanoz nuk përmban kurrfarë shenjë respekti si për të huajt e tjerë. Pas kontaktit të parë prezantues, që me gjithë mend na sikletos, është më lehtë më pas largimi nga ky siklet, pasi ekziston mundësia e shfaqjes së botës tënde mendore e shpirtërore, që është po aq njerëzore e normale, sa i bën qesharakë etiketuesit dashakeqë të tipit racist. Ku janë e ku shfaqen këta tipa? Nuk do më rëndonte shumë, ndonëse s’do më vinte mirë, po qe se në mijra njerëz indifirentë ndaj një përçmimi të tillë, do shfaqesin vetëm disa, dikush në punë, dikush në pallatin ku banon e dikush në shkollë. Sepse në çdo vend të botës, ka pak të keqe nga gjithë të këqijat. Por si të mos shqetësohem e tronditem, si të mos revoltohem e ndjej keqardhje njëkohësisht, kur kjo e keqe institucionalizohet dhe e shpërndan vrerin e saj gjithandej, nga ndonjë kanal televiziv grek?! Doni të shprehem më konkretisht? Askush s’më ndalon, ashtu sikurse dhe unë s’mund ta ndaloj dot këtë “askush”. Kujton njeriu i gjorë, që po pati ca pare mend në kokë, po pati ca aftësi oratorie dhe elokuence e po mbushi ca qindra faqe libër me to, ka zaptuar majën e Olimpit!
Si ka mundësi të çirret njeriu para kameras për popullin dhe për Zotin dhe njëkohësisht të injorojë, ofendojë e kërcënojë tej kufijve të etikës e normalitetit njerëzor ata persona, faji i vetëm i të cilëve është se s’janë të atij populli, që ai kujton se përfaqëson!? Unë s’kam pse ti lutem zotit Konstandinidhi t’ju hedhë një sy këtyre shkrimeve dhe as që e fantazoj të begenisë ta shohë me sy e jo më ta prekë me dorë këtë libër. Vetëm dua të dijë një gjë, që e ndjek në programin televiziv, “I ORA TU LAU”, më shumë se mjaft prej atyre që ai kujton se e ndjekin në ekran, kam simpatitë e mia për disa obsione të tij, më shumë se mjaft prej atyre që i thurrin elozhe dhe i ngrenë kultin kot së koti, por ama dhe tronditem, prekem e ofendohem nga fjalët e tij pa doganë për alvanozët, më shumë se sa mund të preket ai për grekët.
Sado retushe e zbutje që mundohet t’ju bëjë fjalëve për të huajt, nuk mundet kursesi të qetësojë shpirtin e asaj alvanozes, që pa të keq i telefonoi dhe pa arritur të mbarojë mendimin e saj, u ndodh para një fjalori bajat ofendues, që nuk i shkon një njeriu me gravatë, lere pastaj një gazetari, që pretendon se lufton dhe sakrifikon për popullin. Nëse s’është shfaqje racizmi e thirrura me përçmim, “vromostomi(gojëqelbur)!” dhe kërkesa dashakeqe për gjetjen e numurit të telefonit të alvanozes, po ja le në dorë zotit Konstandinidhi të gjejë fjalën më të saktë.
Një shembull i keq i një intelektuali, është më i rrezikshëm se dhjetra shembuj të liq nga njerëz të thjeshtë.
Gjithmonë kam ditur dhe di faktin e thjeshtë, pa nevojë vërtetimi, që në popullin e admiruar grek, ka dhe një masë të vogël grekësh të liq, ashtu sikurse di faktin e thjeshtë, po pa nevojë vërtetimi, që është shpirtngushtësi dhe injorim i personalitetit të një kombi, të lesh të kuptohet, që në masën qindramijëshe të shqiptarëve në Greqi, paska dhe disa alvanozë të mirë! No koment!
* * *

Le t’i lemë, miq të dashur, të mirët e të liqtë imagjinarë, në botën e llafollogjisë televizive. Cdo e folur e tillë, duket sikur kënaq dëgjuesin, ashtu sikurse çdo e dëgjuar e saj, duket sikur kënaq folësin.
Le të prekim realitetin e fjalëve dhe mos stresohemi nga fjalët e realiteteve të sajuara e hiperbolizuara për keq. Sepse, bursa e fjalëve të tilla është kaq e fuqishme, sa jo vetëm ja kalon, por edhe mund t’i ndrojë kursin, bursës së aksioneve.
S’ka më lirë se shitja dhe blerja e fjalëve, por s’ka më fatkeqësi se abuzimi me to. Sepse vjen çasti i krizës së fjalëve, kur shitësi s’ka më çtë shesë dhe blerësi mbetet me gisht në gojë. Dhe atëhere....
Tamam si me piramidat në Shqipëri dhe me hrimatistirion(bursën) në Greqi.
Eshtë s’është vendi, më doli vetvetiu kjo temë, që s’ka pse ta le për më vonë. A nuk është vetë jeta jonë e mbarsur me sa e sa vetvetira, sa s’merret vesh, ku dhe kur fillon njera e ku dhe kur mbaron tjetra?
Dy fqinjët e përjetshëm, me rrënjë kaq të thella në Ballkan e të përzjera me njera-tjetrën, sa zor t’i seleksionosh në disa raste për efekt identiteti, do pësonin sipas mënyrës së vet të njëjtin fat humbës të parave, labirintheve të lojës së ndyrë të burspiramidave apo hrimapiramidave.
Për humbësit pak rëndësi ka komoditeti apo primitiviteti i kësaj loje, kur duart e futura në xhepa nuk gjejnë as një kacidhe veç zbrazësisë së tyre. Ndryshimi në kohë në kufijtë e dy shekujve dhe mosbërja e analogjive të përafërta mes piramidës shqiptare dhe hrimatistirios greke, jo vetëm që sçndalën përsëritjen e historisë së krizave të tilla financiare, por janë një dëshmi e pashmangësisë së ekstremitetit polarizues të shoqërisë së sotme. Në rast se në Shqipëri u shkaktua një 1997-ë, që s’bëri gjë tjetër veç ndroi me dhunë portat e protagonistëve, por jo vetë ata, në Greqi, sofistikimi i mekanizmit ekonomiko-financiar shmangu një tragjedi të tillë. Por ama nuk mund të shmangte kursesi tragjedinë e përditëshme, të pabujshme, të qindra e mijra njerëzve, që e pësuan me gjithë mend si Sizifi.
E pësoi shqiptari në vitet e fundit të shekullit të njëzetë, që sa filloi të ngopte pak sytë me një pronë e ca para, ja zhdukën si me magji, mumjet e ringjallura të piramidave.
E pësoi greku në fillim të shekullit të ri, që kur kujtoi se paradiso(parajsa) mund të provohet edhe në këtë jetë, ja shtynë për në botën tjetër, të stërngopurit e pangopur afendikoj të hrimatistirios e çdo çelësi tjetër të ekonomisë greke.
Ca miliona dhrahmi, që kishin vënë një jetë të tërë Dhimitri me babanë, i shndërruan në aksione imagjinare, me shpresën e shtimit të tyre në përqindje më të madhe se ajo e bankës.
Sikur të hipnotizon kjo aparencë verbuese e shumëfishimit të parave jo vetëm pa djersirë, por thjesht me një shëtitje apo telefonatë zyrave të hrimatistirios. Ikin ditët e javët dhe paratë e hedhura, sikur t’i kishte mbarsur ndonjë makineri çudibërëse parash, fillojnë e shtohen, bile në rastin baba-Dhimitër u dyfishuan. Atëhere, në vend të një operacioni të menjëhershëm për tërheqjen e tyre, lindin të tjera plane jetese që jo vetëm ndalin këtë operacion, por kush ka të tjera dhrahmi i kthen përsëri në aksione. E kur s’ka para të thata, merr kredi, e kur s’merr kredi, shet ndonjë pronë, e kur s’ka pronë shet shtëpinë e kështu kjo joshje drejt parajsës të ëndërruar, rrezikon ta çojë drejt kolasit(ferrit) të vërtetë. Sepse vepron ai, efekti joshës i tabelës sugjestionuse të hrimatistirios, që të thotë se shuma e sotme nesër do rritet, pasnesër akoma më shumë. Edhe ai që i dyfishoi dhe i tërhoqi, i hodhi përsëri për trefishimin apo katërfishimin e tyre.
Po udhëtoja me makinën e afendikojt të madh dhe erdhi biseda për hrimatistirion.
Më thotë: “E shikon Andrea si ju dyfishuan dhrahmitë Dhimitrit? Po të kishim hedhur dhe ne, mund të fitonim më shumë. Tani janë shtrenjtuar aksionet dhe s’ja vlen të blesh”.
“Ndonëse s’është njëlloj me piramidat e Shqipërisë, më duket se e njëjta gjë po ndodh dhe këtu. Si mund të dyfishohen e trefishohen paratë kaq shpejt, kur ekonomia s’ecën me kaq rritëm? Përkohësisht mund të fitohet, ndryshe po vazhdove humbet e humbet vënçe. Për mendimin tim, tani nuk duhet hedhur asnjë dhrahmi”.
“Jo, jo! Ndonëse djali do që të blerë aksione në një ndërmarrje që po ecën mirë”.
“Ju e dini. Mbaj mend kur babai i Mirelas, pasi fitoi ca para në fillim, vajti prapë për t’i hedhur. Nuk e merr me mend sa ishte rradha. E kur ka rradhë nga ata që hedhin, vazhdon loja edhe në rradhën e marrjes me fitim. Megjithatë, ndërsa veprimet e arkëtimit të parave bëheshin pa pengesë, nuk po ndodhte e njëjta gjë me dhënien e tyre. Jo ajde më vonë, jo tani e mbyllim, jo ka ndryshuar koha e tërheqjes, etj, etj, justifikime të tilla. Pra diçka po çalonte e për mua ky ishte një sinjal jo i mirë. Vajta shpejt me biçikletë dhe i thashë vjehrit të dilte nga rradha. Me gjitha ngulmimin tim, ai pranoi vetëm mos i hidhte të tërra. Gjysma e të keqes”.
“E pësuat nga piramidat e Berishës, hë?”
“Tjetër emër kanë për mua ato piramida, por nejse. Nuk është vendi tani për analiza të tilla”.
Pas pak ditësh, tek rrinin atë e bir në pjesën e sipërme të dyqanit, i pashë të dëgjonin në radio të dhënat e hrimatistirios me një përqëndrim jo të zakonshëm. Pra dhe ata nuk mundën t’i shpëtonin rrezes joshëse të saj. Brenda saj po dukej më i kollajshëm dhe më i shpejtë shtimi i parave, se sa nga përpjekjet e përditshme në biznesin e dyqanit.
Por, aq ishte fuqishmëria pasqyruese e tabelës së hrimatistirios, pasi duar të padukshme, jo vetëm ndalën butonat e dyfishimit, trefishimit, në mos dhe dhjetfishimit të vlerës së aksioneve, por me një buton shkatërrues i zhvlerësuan ato, sa hap e mbyll sytë. Dhe si në përrallën e cironkës së artë, qindra e mijra njerëz u kthyen në govatën e tyre të drunjtë!
Edhe këtu nuk munguan etiketimet si në Shqipëri, që për mua shprehin pafuqishmërinë depërtuese të njerëzve në rrënjët e fenomeneve të tilla polarizuese të parave. Nuk ka, jo, miq të mi, as piramida të Berishës, as hrimatistirio të Simitit, as bursa të Klintonit, Bushit, Blerit, Shirakut e ndonjë japonezi, që s’po ja kujtoj dot emrin. Janë pjesë e domosdoshme e mekanizmit ekonomik e financiar të sistemit, me oshilacionet e tyre të pashmangshme, që në çaste kohe ç’akordimi, shndrohen në një lloj xhunami katastrofik për njerëzit.
Ka ndodhur e do ndodhë si më poshtë:
Unë ble
Ti ble
Ai shet
.
Refreni
Unë humbas
Ti humbet
Ai fiton!

Unë shes
Ti shet
Ai ble.

Refreni
Unë humbas
Ti humbet
Ai fiton!
Fund

Nëse disa qindra grekë u mblodhën të revoltuar para Hrimatistirios greke, nëse disa të falimentuar lajthitën dhe ja këputën vetes, nëse disa gazetarë patën me se të mbushin faqet e gazetave dhe ekranet televizive, kjo jo vetëm nuk ktheu paratë e humbura, jetët e vrara, apo ëndërrat e venitura, por përkundrazi, refreni i mësipërm vazhdoi dhe vazhdon avazin e vet.
* * *
 
Ishin ditë e javë stresesh, që jo vetëm larguan atë pak humor e qetësi familjare, por duke u bashkuar dhe me ankthin e mishmashit të krijuar në rajonin e policisë, për rripërtëritjen e lejeve të qëndrimit tonë në Greqi, na vranë gjumin, bashkë me ato pak ëndërra të mbetura për të nesërmen.
Qënkan ca çaste, apo më mirë të them, tërësi çastesh kulmore, në jetën e përditëshme të njeriut, që nga të jashtëzakonshme, gradualisht marrin formën e të zakonshmeve, ku dhe sforcon fizike e shpirtërore tej normalitetit që i shkaktojnë, ja kthejnë në normalitet energjish. E gjitha kjo i shërben shpesh si një aureolë mbrojtëse, për të përballuar kundërvënien e çdo lloj afendikoi të punës apo organizmave shtetërore. Në të kundërt, siç ndodh po shpesh, ose ka lajthitur, duke i larë hesapet me mendjen njerëzore, ose ja ka këputur vetes, duke i larë hesapet me jetën njerëzore, ose ka shpërthyer në revoltë, duke i larë hesapet me frikën dhe dobësinë njerëzore.
Duron sa duron i duruari njeri, për hir të mospërplasjes me ata që kanë në dorë firmën dhe vulën e një dokumenti, që i ligjëron për një farë kohe qëndrimin në këtë vend. Por kur kjo firmë e vulë arrin të përdoret sipas tekave dhe interesave të personave të veshur me pushtet, që të paqënën e qënësojnë dhe të qënën e ç’qënësojnë, rruajna o Zot se ç’mund të ndodhë!
Ka ndodhur një metamorfozë antietike, për të mos thënë më shumë të tjera anti, në raportin qytetar-shtet, që ndërsa palën qytetare e mundon dhe e bën më të pafuqishme para shtetit, palën shtetërore e bën më harbutëse dhe më të paaftë para halleve të qytetarit. Dhe kur kjo ndodh me qytetarët e vet, merreni me mend ç’trajtim i pret hallexhinjtë e ardhur nga vendi fqinj. E kush mund t’ju kërkojë llogari pushtetarëve të zyrave administrative e rajoneve policore, për sa e sa raste diskriminimi e talljeje ndaj hallexhinjve shqiptarë, që pasi lanë rradhët e dikurshme për bukën e gojës në vendin e tyre, presin me orë e ditë, me javë e muaj, rradhën e marrjes së lejave të qëndrimit?
A e di dikush më lart se këta ngatërrestarë e dallaveraxhinj zyrash, që ndonëse dosja përmban dokumenta të sakta e pagesa korekte nga hallexhiu shqiptar, jo vetëm që s’i është dhënë leja përkatëse, por i është kërkuar përsëri pagesa për afatin e ri kohor në vazhdim!?
A e di dikush më lart se këta prishës të figurës dhe emrit të zyrtarit, reagimin përçmues, fjalorin banal, përgjigjen arogante, që marrin dhjetra e qindra hallexhinj shqiptarë, porsa guxojnë pakëz, të kërkojnë po pakëz, se ku është fati i dosjes së tyre!?
A e di dikush më lart se këta injorues dhe ofendues të forcës e aftësisë së policisë greke, lojën e ndyrë me kungulleshka që luhet për dhjetra e qindra hallexhinj nga jugu i Shqipërisë, që në mos e gjithë rrënja e origjinës së tyre, një pjesë e lashtë e saj, është ushqyer e rritur në tokën greke!?
Eshtë marëzi sa e megalomanisë aq dhe e shpirtngushtësisë, sa e nacionalizmit ekstrem aq dhe e racizmit, që ushqen ende psiqikën e disa njerëzve me pushtet apo pa pushtet qofshin, grekë apo shqiptarë qofshin. Nëse një shqiptar i tillë mund të më etiketojë për antishqiptar dhe një grek i tillë për antigrek, për mua del dhe e pranoj, që jam më grek e më shqiptar se të dy etiketuesit.
Eshtë e pafuqishme policia greke, apo janë të pafuqishëm disa zyrtarë të saj për të sistemuar dhe verifikuar origjinalitetin e dokumentave tona?
Eshtë e pafuqishme policia greke, apo janë të pafuqishëm disa zyrtarë të saj para forcës joshëse së parasë, që i bën më orthodhoksë se kryepeshkopi, në pagëzimin e njerëzve sipas oreksit të çastit?
Pse të mos mendoj pas këtij mishmashi policesk, që këta zyrtarë të guximshëm në llojin e vet, për të mbuluar skemën fitimprurëse, vazhduan taktikën e dhënies e të ridhënies kushedi sa herë me rradhë të kartave gjashtëmujore? Dikush direkt e dikush indirekt, e kishin vetë në dorë dhe gurin dhe arrën, përderisa rradha pa mbarim e hallexhinjve kishte me vete vetëm hallin. Pa çka se i ndrohej karta sipas qejfit, pa çka se i shënohej në çdo kartë të ridhënë tre, katër, apo më shumë herë rradhazi, shprehja ankthmbajtëse, “Pritet përgjigja për origjinalitet”, apo diçka e ngjashme me të!
Për mua është i pabesueshëm dhe abuzues ky justifikim i përsëritur në një vazhdimësi kohore disa vjeçare. Nëse nuk ka një arsye mbi arsyet tona, mbetet të ketë një interes të ngushtë përfitues mbi interesat tona jetësore.
Eshtë sa paradoksale aq dhe qesharake, ekzistenca në të njëjtën kohë e provave të verifikueshme fizike nga vetë prezenca tonë disavjeçare dhe e dokumentave adekuate për përcaktimin e identitetit tonë, me kohëzgjatjen e pajustifikueshme gjoja verifikuese të origjinalitetit të tyre, që siç e thashë më lart, ofendon aftësinë konstatuese, zbuluese e kapëse të organit policor grek. Unë për veten time, as që e besoj një farsë të tillë mediokre, të servirur nga disa persona të graduar në radhët e policisë.
Ndërsa rruaj mbresat më të mira për një shef policie sa autoritar aq dhe njerëzor, pse duhej të ndodhte që nga e njëjta zyrë dhe nga e njëjta karrike, të ndeshja me një pasardhës që më vuri për ca çaste në pragun e tre larjeve të hesapeve të përmendura ca më lart?
Mos po afrohej lajthitja, tek ndjeja një dridhje trupore e shpirtërore para thirrjeve e thënieve kuturum të atij shefi, jo “unë s’jam racist!”, jo “juve ju zunë në doganë ministrin me veturë të vjedhur!”, etj, si këto?
Mos po afrohej tentimi vetvrasës, tek ndjeja një pafuqishmëri absolute zgjidhjeje të hallit, para thënieve ultimative, jo “dosja u mbyll!”, jo “merr avokat po të duash!”, etj, si këto?
Apo po afrohej çasti shpërthyes, tek ndjeja pastërtinë e vërtetësinë e veprimeve dhe dokumenteve të mia, para qelbërsillëkut të krijuar artificialisht, që po mundohej të më njolloste personalitetin dhe dinjitetin tim e të familjes sime?
Hoqa menjëherë xheken dhe duke e lëshuar në karike, thashë, “Ja ku më keni! Po qe se dyshoni, futmëni në burg!” Atëhere shefi shtypi një buton dhe menjëherë u shfaqën në zyrë ndihmësat e tij.
I thashë vetes së pari, “Ruaj mendjen, qetësohu!”, por s’po e mblidhja akoma veten, tek shikoja nga dera e ballkonit. Një turbullirë shikimi dhe një paravendim i paqartësuar, më mpiu për një çast gjithë qënien time. Më dukej sikur hodha hapin e parë, por pashë që isha në të njëjtin vend të zyrës. Si të kishte kuptuar mendimin tim, shefi thirri, “Hë, ç’pret! Ja ku është dera! Do të më trembësh?” Në çast një ndihmës i tij zuri vend para derës duke thënë, “Gjithshka mund të ndodhë. Nuk është për shaka!”
As vetë nuk kuptova si më rrodhën lotët e bashkë me to dhe e thëna, “Para jetës së gruas dhe fëmijëve të mi, nuk më intereson jeta time”. Dhe fillova përsëri nga e para të shpjegoja se si ishte krijuar kot së koti, jo për faj tonë, gjullurdia e trajtimit të kartave, që ishin aq të shumta, aq të qarta e aq origjinale, sa ja kalonin dhe atyre që kishin organet e sigurimit në kohën e diktaturës në Shqipëri.
“Doni të gjeni fallcot, aty ku janë origjinalet! Pse të marr avokat, kur jam vetë i zoti të përgjigjem për veten time, apo për të mbushur xhepat e tij kot së koti? Merrmëni këtu për ca kohë e do shikoni që dhe nga pamja e mënyra e të folurit do kuptoj të vërtetën, jo pastaj nga një dosje me kaq të dhëna”.
Dëgjoi, apo bëri sikur dëgjoi shefi, nuk jam i qartë edhe sot e kësaj dite, se s’mund të bëj dot lidhjen logjike të së folurës sime me thënien e tij, “Burrat nuk qajnë”. Megjithatë ja ktheva në çast, “Kur fola si burrat, më urdhërove të ndaloja. Në këtë gjendje që jam më dolën vetë lotët. Edhe burrat kanë lot, zotëri”.
Nuk di ç’mund të ndodhte, po qe se hapat do më çonin drejt ballkonit, pasi në qënien time ishin përzjerë pjesë të koshiencës e subkoshiencës njëkohësisht. Di vetëm që ato hapa do më çonin në pragun që ndan jetën me vdekjen dhe unë duhet të guxoja dhe vdekjen, për hir të vetë jetës.
Besoj se në ato çaste, ku u vu në provë një psiqikë e tronditur, e stresuar dhe e cënuar në ekzistencën e saj, triumfoi, të dashur miq, larja e hesapeve me frikën dhe dobësinë njerëzore.
* * *
 
Si për të ndjerë më shumë madhësinë e hapësirës së kësaj bote, që dikush na e cënoi deri në cakun e frymëmarrjes, në rastin më të parë pas marrjes së dokumentit 6 mujor, morra rrugën bashkë me Miran drejt Korçës. Desha të udhëtoja, të ndroja çdo çast format shfaqëse të natyrës magjepëse, larg çdo ligësie njerëzore që s’le gjë pa shëmtuar në këtë botë.
Pasditja e një të shtune, është e vetmja dëshmitare e heshtur e atij udhëtimi me të vërtetë erotik, që ndërsa koshiencës i la për detyrë vetëm përqëndrimin në timon, gjithshka tjetër ndjesore e la të lirë të ekzaltohej, mes një intimiteti prekjesh e ngacmimesh të paturpëshme seksuale.
Tek ngjiteshim kthesave të Pisoderit, mes asaj natyre parajsore e harlisëse, m’u duk për një çast sikur koha u kthye në dy krijesat e para njerëzore, Evan dhe Adamin. Dhe që molla e ndaluar mos na prishte vazhdimësinë e qejfit në atë parajsë pisoderiane, ktheva në të djathtë timonin dhe ndalova veturën, në një hapësirë të vogël mes pemëve. Me gjuhën e Evës dhe të Adamit, kryem në të njëjtën kohë hapjen e mbylljen e dyerve dhe u ndodhëm pranë njeri-tjetrit, në ndenjëset e mbrapme të veturës.
Në atë muzg të porsakrijuar, ku ende pemët nuk kishin marrë ngjyrën e natës, ndjeva forcën mistike të seksit femëror të më joshte në të panjohurat e tij. Ishte një ndjesi e zjarrtë që më përfshiu çdo pjesë të trupit, tek shikoja dhe prekja zbulimin e asaj bardhësie të lëmueshme trupore, që me ngjyrën enigmatike të muzgut, e bënte më të paturpëshme shfaqjen e plotë të saj.
Cdo gjë mund të kenë shijuar më pas Eva dhe Adami në kohën e tyre, por kursesi ama këtë kënaqësi zbuluese të lakuriqësisë trupore. Vetëm pas kësaj, çdo gjë ishte e ngjashme mes nesh, pa çka se ata rënkonin të ekzaltuar nga orgazma diku aty mes pemëve, kurse ne në ndenjësen e mbrapme të një veture.
Lamë pas e njëkohësisht morrëm me vete misterin çiftor, të ripërtërirë fuqishëm mes asaj natyre virgjërore mijravjeçare. Joshja e pashtershme e tij jo vetëm nuk u ndal në kthesën e fundit të ngjitjes, por s’na u nda dhe na ndoqi si e marrë, duke u strukur në shpirtin tonë vetëm atëhere kur ky shpirt cënohej e prekej nga të pashpirtët.
Kaq pranë njera-tjetrës qënkan, dreqi ta marrë, kontradiktat ndjesore në këtë jetë, sa porsa arrin të shijosh diçka të mirë të saj, të venë përballë ca shëmtira veprimesh të njerëzve, që të frenojnë çdo kënaqësi të jetuar pak më parë.
Fillon një dëng goditës në gjoks, porsa i afrohesh doganës greke e më pas asaj shqiptare. Uron që punonjësit të jenë në ditën e mirë të tyre, gjë e rrallë kjo, por që na ka dhënë shpresën e ndryshimeve për mirë. E ndërsa shpresa mbetet shpresë, realiteti vazhdon të shëmtohet sipas tekave e tendencave ofenduese të punonjësve, duke filluar nga ushtari apo polici më i thjeshtë e deri në ata që kanë në dorë firmën e vulën.
Ndonëse pret një masë e madhe njerëzish për marrjen e vulës dalëse, punonjësi grek nuk është në sportel, duke krijuar shtimin e rradhës dhe vonesën tonë kot së koti. Dëgjohet vetëm përsëritja papagallëshe e thirrjes, “Piso(Prapa)!!!”, nga një ushtar grek, që dhe kur rradha është në rregull, vazhdon avazin si për inerci. Mënyra e ecjes me një tundje e krekosje mburrëse, duke mbajtur duart në rripin e mesit të mbushur me lloj-lloj pajisjesh e mjetesh mbrojtëse ushtarake, përzjerë kjo dhe me një të folur arrogante, më krijonin një gjendje shpirtërore dëshpëruese e aspak frikësuese, ofenduese dhe qesharake njëkohësisht. Mbase për atë ushtar, ky ishte i vetmi rast për të ndjerë një lloj force dhe autoriteti, të munguar sigurisht në jetën civile.
Pas marrjes së vulës, na priste dogana e vendlindjes, me ca rregulla e veprime të çuditëshme, të veçanta sigurisht në llojin e vet. Një ngritje dore nga një person për të ndaluar në hyrje të saj dhe kërkimi prej tij i një pagese prej 250 lek, lloj takse kjo për veturat me targë greke. “Do më japësh ndonjë faturë pagese”?, e pyeta personin. Përgjigja e tij sigurisht që ishte standarte në këto raste, “S’ka problem. Po ta kërkuan, thuaj që ja dhashë lekët X-it”. Vetura duhej të kalonte në një vend pak të thellët për t’u dizifektuar rrotat, por pas pagesës, as që të imponohej ky veprim profilaktik.
Në një sportel të vogël morra fletën e hyrjes, ku m’u kërkua përsëri të paguaja diçka, pa u pasqyruar gjëkundi kjo pagesë. Në tjetër godinë u vunë vulat në pashaportë dhe me kaq procesi firmosës e vulosës kishte mbaruar. Morrëm frymë lirshëm, por kjo për pak minuta, se procesi kontrollues e zhvatës sapo kishte filluar në tokën e vendlindjes së dashur. I fundit i doganës shqiptare, që dhe sot e kësaj dite nuk di ç’detyrë konkrete ka, por me uniformën e policit ama, porsa pa afrimin e veturës me targë të huaj, bëri shenjë për ndalim. Ula xhamin dhe i zgjata tufën e dokumentave, por ai siç i morri m’i ktheu duke thënë, “Leri këto, ke ndonjë monedhë për mua?” Ja ktheva pa pyetur për ndonjë reagim keqdashës të tij, “Monedhat i kam për fëmijët e mij”. Pa ndrojtjen dhe përmbajtjen e vetvetes, që nëse s’ja kishte për zakon logjika, të paktën t’ja impononte ajo veshje e nderuar, vazhdoi si një debil muhabetin, “Edhe unë kam fëmijë”.
“Pse mua kështu m’i japin paratë? Aj natën e mirë!”, ja ktheva i nervozuar dhe menjëherë shtypa gazin e ika.
“E shikon ku ka arritur paturpësia? Këtu duhet të kesh një tufë me lek për të të lënë rehat. Polici i thënçin!” Flisja e murmurisja njëkohësisht, duke sharë e shfryrë i revoltuar. Ndonëse e shqetësuar, Mira tregohej më e përmbajtur dhe përpiqej të më qetësonte, për të mos pësuar më keq në vazhdim. “Aman, mos u nevrikos se s’fiton gjë. Na bëjnë ndonjë avaz dhe prit të kthehemi pastaj. Duro, të keqen Mira, deri nesër. Mos i mat njerëzit me logjikën tënde. Bëjmë ca të holla dhe në dreq të venë. Vetëm ti mos e prish gjakun”.
Se mos gjaku prishej vetëm nga kjo gjë. Duhet të kesh syze me rreze për të çarrë mes errësirës aq të ngjeshur, a thua ishte bashkuar dhe me errësirën e spostuar nga vendi i dritave që porsa lamë pas.
Diku në të dalë të Bilishtit, përsëri shenjë për ndalim nga një grup i qarkullimit rrugor, që me shfaqjen e papritur mes errësirës, më shkaktuan fantazinë e jashtëtokësorëve të zbritur aty gabimisht.
Pyetja e parë: “Nga jeni?”
Pas përgjigjes time, thënia tjetër paralajmëruese, “Këtu s’je në rrugët e Greqisë që ja sëllon kaq”. Ndjeva të më prekte dora e Miras dhe menjëherë u vu në veprim instikti mbrojtës. “Kam ca kuti me birrë prapa, apo më mirë blijeni vetë” dhe i zgjata një 200lekëshe, që u përfshi mes dorës së mbyllur të tij. Tha menjëherë, “Rrugë të mbarë!” dhe bëri shenjë përshëndetëse me dorë.
Edhe kur po i afroheshim Korçës, nuk po merrja vesh ç’po ndodhte me errësirën. Ndërsa kujtoja që me hyrjen në qytet do t’i shpëtoja ndjekjes së saj, ishim ne që po e ndiqnim atë në çdo bulevard dhe rrugicë, duke e larguar vetëm pak metra më tej me dritat e veturës. O kishim ardhur në çastin e ikjes së dritave, o ardhja e dritave mund të ishte një çast i humbur për ne.
Në mes të qytetit drita lëvizte sipas lëvizjes kaotike të makinave, që shfaqeshin aty ku s’e pandeh, jashtë çdo rregulli e logjike qarkullimi. I përqëndruar i tëri në timon dhe rrugë, mundohesha t’i shmangesha përplasjes me ndonjë makinë të shfaqur herë majtas, herë djathtas e herë përpara. I hapnim rrugë njeri-tjetrit ashtu spontanisht, siç veprojnë kalimtarët në trotuare.
Ndonëse me një kozmetikë të re në disa pjesë të trupit të tij, qyteti tim i dashur, ende stononte dhe më dëshpëronte me pamjen cfilitëse e të paharmonishme, të shkaktuar nga turbullirat e kohës.
Rrugicat korçare me kalldrëm, të vlerësuara dikur si një karakteristikë e veçantë e qytetit, ngjanin më tepër me një zbulim arkeologjik mijravjeçar. Mbi to, si për t’u dëshmuar modernizimi lëvizës i njerëzve, qarkullonin dhjetra vetura kryesisht të markës “Benc Mercedes”, që i rezistonin çdo grope e shtrembërimi të gurrëve.
Tradita korçare e fshirjes dhe larjes së rrugicave para çdo shtëpie, jo vetëm vazhdonte, por ishte bërë më e mundimshme për gratë, nga grumbullimi i dherave dhe plehrave nëpër gropa e kanale të pashtruara. Si për të mos ju prishur qejfin rrugicave, të njëjtin avaz me plasaritje dhe gropa vazhdonin asfaltet e bulevardeve. Arrihej në disa pjesë të qytetit, sidomos në të ashtuquajturën unazë të tij, ku unazës së gropave nuk mund t’i shpëtonte asnjë lloj zikzaku i timonit.
E megjithatë, jeta lëvizte me kapriçiozitetin e saj të bukur, pa pyetur për gjithshka penguese apo shëmtuese, që i shfaqej në këtë lëvizje triumfuese. Dëshira njerëzore për të shijuar modën, jo vetëm në raste sebepesh e vizitash, por edhe në jetën e përditshme, sfidonte stonimin që mundohej t’i bënte çdo vjetërsirë apo shëmtim mjedisi. Me një sforco e siklet në ecje, vështirësohej e deformohej shfaqja e delikatesës femërore, atyre rrugicave të gunguara nga gurët e të baltuara nga dherat e shirat e rënë. Ndonëse më çudiste e më mërziste ky kontrast, më pëlqente dhe më entusiazmonte ajo lloj shkëputje, apo më mirë të them, mospërshtatje e njerëzve, me anën e deformuar të tij.
Në qytetin korçar kontrasti ishte ulur këmbëkryq, duke e sjellë kohën e shkuar dhe të ardhëshme, në kohën e sotme, si në jetesën e njerëzve, ashtu dhe në urbanistikën dhe arkitekturën ndërtimore. Diku spontanisht e diku me mend në kokë, vazhdimi i këtij kontrasti, porsa të ngjallte për një çast kënaqësi estetike para shfaqjes së të bukurës, të befasonte papritur me ekzistencën e të shëmtuarës karshi saj.
Duke ecur i malluar drejt shtëpisë së mikut tim të ngushtë Vangjush Nikolicarit, çuditërisht nga mjedisi përreth u abstragua gjithshka e shëmtuar në përfytyrimin tim dhe u shfaq gjithshka e dashur dhe e harmonishme. Mes kësaj gjithshkaje të idealizuar nga shpirtra idealë djalosharësh, u lind dhe përballoi metamorfozën e saj rritëse e kohezionale, një miqësi fëmijësh, adoleshentësh, 20 vjeçarësh, 21, 22, 23,....30 vjeçarësh, 31,32, 33,...40 vjeçarësh, 41, 42, 43,....... 47 vjeçarësh e kështu do vazhdoja këtë arithmetikë në rritje, po të isha 80 apo 90 vjet. E ndërsa këta numura, pavarësisht nga dëshira tonë, ndryshojnë nga dita në ditë, asnjë gërmë emri e asnjë qelizë ndjesore miqësie, nuk mundi të cënohej sadopak, nga peripecitë e jetës të sejcilit prej nesh. Pavlloja(Papanikolla) i vogël dhe i madhi Pavllo, Vangjushi i vogël dhe i madhi Vangjush, Lila(Ilirian Islami) i vogël dhe Lila i madh, Tomi(Thoma Kreshpanji) i vogël dhe Tomi i madh, Golja(Ligoraq Bode) i vogël dhe Golja i madh, unë i vogël dhe unë i madh, jemi i vetmi fenomen i miqësisë njerëzore, të pandryshuar në kohën e hapësirën e kësaj bote djallëzore.
E ku s’na degdisi kjo djallëzi, në vitet më të bukura të jetës sonë! Degdisi ëndërrat dhe aftësitë, pasionet dhe talentet, vetë të ardhmen tonë.
Kur doli lista me emrat e maturantëve që do vazhdonin Universitetin, m’u venit gjysmëgëzimi tim që kisha fituar të drejtën, para mosdhënies sa kësaj të drejte, talentit në matematikë e me mesatare në pragun e dhjetës, mikut tim Pavllo.
Të pamëshirshmit e luftës së klasave, hipokritët e masave punonjëse, mediokrit e zyrave partiake e shtetërore, ndalën shpërthimin e një talenti, vranë shpirtin dhe pathosin për shkencën, të një të riu me perspektivë të suksesshme të padiskutuar, në dobi të shoqërisë e të vendit. I shkëlqyeri i shkencave të natyrës, u bë i shkëlqyeri i shkencës së gatimit, diku në një restorant në qendër të qytetit. Atëhere mbyllëm gojën, mos na deshifrohej dhe frymëmarrja për pakënaqësinë që ndjemë, sot e shpreh dufin dhe ulërij për padrejtësitë e asaj kohe, ndonëse e di që është më shumë se pas të vjelash. Megjithatë, le të jetë një kujtim-akuzë, tashmë në komoditetin e saj moral, ndaj atyre që eksperimentuan antiprogresin në emër të progresit, antinjerëzoren në emër të njerëzores.
Duhej ta kërkoja diku në ndonjë institut shkencor, apo në ndonjë katedër të Universitetit, apo në zyrat e ndonjë ministrie, kuzhinierin e preferuar Pavllo, po të mos kish ndodhur ama, ajo, degdisja e pamëshirshme. Rezonanca e saj jo vetëm që s’u shua me ndrimin e sistemit, por përkundrazi, si një masë kanceroze i shtriu metastazat e saj, në trupin ende të brishtë të demokracisë allashqiptare.
Të humburit e pamësuar për rreth gjysmë shekulli me humbjen, a mund të duronin e pranonin t’ju ikte nga dora, tapia e një pronësie kaq të vyer, me emrin Shqipëri?
Por edhe të fituarit e pamësuar me fitoren për afro gjysmë shekulli, a mund të shkëputeshin kollaj nga inercia e trajtimit e përdorimit të vendit, si një tapi e fituesve?
Tepër i zorshëm dhe i mundimshëm ky proces, për të mos thënë ende i pazgjidhshëm edhe sot e kësaj dite.
Ah more Pavllo, ç’më fute në këto kujtime e gjykime bashkë! Kaq larg të degdisur sa jemi nga njeri-tjetri, vetëm duke hyrë në botën e shkrimeve, mund të bëj çudinë e irealitetit të kësaj largësie mijrakilometrike. Po ç’rëndësi ka or mik distanca e kilometrave, para distancimit njerëzor të shoqërisë shqiptare, që ndonëse një çap më ndan prej saj, më duket më e largët se ajo Kanadaja “tënde”.
Nganjëherë dhimbjen ma shpreh shpirti në formën e vargjeve. Dhimbje e shkuar dhimbjes, është ky distancim i vajtueshëm, që më ka bërë të lotoj edhe nëpër vargjet e mëposhtme.

C’i lamë punët përgjysmë
C’na përgjysmoi arratia
Ku vanë miqtë e shumtë?
C’lëngojmë nga vetmia!

C’na iku buzëqeshja
C’u shtuan më shumë lotët
Më e plakur duket vetja
Të ardhmen syrgjynosëm!


Nga pamja e jashtme “farmacisti” Nikolicari merriton vargje, që do t’i shkonin një reviste të veçantë seksburrash të preferuar. Pak Alen Delon për mua në pjesën e syve, të harmonizuar me çdo tipar tjetër të fytyrës dhe ca thinja në anët e ballit, edhe kaq mjaftojnë për t’i dhënë pamjen e një burri fisnik e xhentëlmen. Por fisnikëria e Vangjushit nuk ka patur e nuk ka aq nevojë për këtë fat tiparesh simpatike. Mjafton pak kontakt me të, për të ndjerë dëshirën e kthimit në shumicë të këtyre pak-ëve, deri në një preferencë miku. Eshtë fat të zesh një mik në çdo moshë të jetës, por unë bëj pjesë në ata të paktë fatmëdhenj, të përfshirë në metamorfozën e miqësisë me Vangjushin, që në moshën dhjetë vjeçare. E qysh atëhere ai vazhdon të jetë i pari ndër të parët, jo vetëm në kujtesën time fëminore e rinore, por edhe në realitetin e sotëm jetësor.
Dhjetaxhi më të “pangopur”, zor se gjendet në arshivën e shkollës 8 vjeçare dhe asaj të mesme. Por ky revan i rezultateve të larta nuk do ndalej as në Universitet dhe s’do kish të mbaruar edhe sot e kësaj dite, po të mos kishtë ndodhur ai, distancimi i vajtueshëm. Kur flas për rezultate të larta, kam parasysh kontributin e padiskutueshëm të tij në veprimtarinë profesionale. Ndonëse kriteret tendencioze për shkollën e lartë, e devijuan nga degë studimi ku do ndjehej e vepronte më shumë aftësia dhe zgjuarsia e tij, dëshmoi se ishte në gjendje të përballonte me sukses çdo sfidë të kohës, kudo ku ju imponua të punonte.
Mos është vallë ligjësi e politikave partiake, distancimi i njerëzve të vërtetë në njerzillëkun dhe profesionin e tyre?
Apo mos është ligjësi e ecjes në jetë të këtyre njerëzve, që pëlqejnë gjithë hapësirën e rrugës dhe jo ingranimin vetëm në të djathë, vetëm në të majtë, apo vetëm në qendër të saj? A mundet të politizohet shkenca, kur edhe në veprimet më të thjeshta matematikore janë në të njëjtën ekuacion zgjidhës, minusi, plusi dhe zeroja bashkë?
Një specialist u kërkua në prefekturë dhe kriteret e vëna, jo vetëm i plotësonte, por edhe i tejkalonte Vangjushi. Përballë tij ishte një tjetër, që ndërsa kritereve ju afroheshe në minimumin e tyre, ja tejkalonte Vangjushit në kriterin e pashkruar të ingranimit në një kah të politikës. E kështu, që mos e zgjas më shumë, miku im, i pakriteruar në këtë drejtim, u distancua edhe nga ato kritere, që s’kishin asnjë pikë lidhjeje me ndonjë formulë apo ekuacion partiak.
Ishte duke mbushur një faturë me ilaçe, kur në një ngritje të syve mbi syzet më pa dhe duke i thënë një “Më fal” klientit, doli nga banaku dhe u përqafuam.
“Mbaro punë”, i thashë, “se kam ca kohë në dispozicion”.
Veç ta dëgjoje si i thoshte emrat e ilaçeve dhe si i merrte tak-fak nga raftet, a thua kishe të bëje me një farmacist të dipllomuar. Lere pastaj për çka shikoje në atë dhomë të kthyer në një pikë shpërndarëse të ilaçeve për farmacitë e qytetit. Që ka qënë merakli i rregullimit dhe paraqitjes me estetikë të vetes dhe të sendeve përdoruese, këtë e dija qysh në fëmininë tonë, por që do mbetej kaq i pacënuar në këtë merakllëk, e vërtetonte jo vetëm veshja spic e tij, por gjithshka që shikoja aty brenda.
Pas ikjes së klientit shkuam në një kafene, ku nga e nisnim se mbaronim një muhabet, kaq shumë kishim për të thënë e dëgjuar për njeri-tjetrin. Ndonëse familjarë e afër gjysmëshekulli moshe, nuk hiqnim dorë nga meraklia mashkullore për seksin femër, që e mbetur dikur vetëm ëndrave e fantazive, vazhdonte pathosin e saj të zjarrtë mes çiftit bashkëshortor.
Kujtimeve nuk mund t’ju shpëtonte dhe miku tonë Lila.
Vazhdonte të punonte në firmë ndërtimore si drejtues punimesh, por paranë dinte ta shtonte edhe si topograf kur i dilte rasti.
Në kujtesën fëminore Lila më ka mbetur si burri me pantallona të shkurtëra. I qetë në të folur, por edhe bindës në mendimet e dhëna, larg papagallitetit në të mësuar e jo lakmitar për nota, të bënte ta dëgjoje kurdoherë me respekt e simpati. Gati gjysma e rrugës gjatë piknikeve, nuk ndjehej nga rrëfimet e tij interesante, të marra nga romanet e shumta që lexonte. Lilën e distancoi nga Universiteti kriteri absurd i mesatares të atij viti, që u caktua mbi nëntë pik treshin e arritur prej tij. Se kur i tekej kupolës partiake, nxirrte tjetër kriter, që çonte në bangot e shkollës së lartë nxënës me mesatare më poshtë nëntës. Mos hy pastaj më thellë, në fuskosjen e mesatares për pinjollët e dobët të kuadrove partiakë e shtetërorë. Pak pinjollë të tillë i gjen sot djathtas e majtas në politikë, duke katandisur si mos më keq ekonominë e vendit e duke na bërë rezilë para botës me dobësinë e tyre?
Ja ku i erdhi radha edhe Goles, kitaristit të shoqërisë sonë, që me zërin e tij melodioz dhe tingujt e kitarës, shpesh mbulonte stonimet e ndonjerit prej nesh në këngë, në të famshmet piknike Moraviane dhe Bozdoveciane. Ishin të vetmet hapësira të lira, ku veç këngëve karakteristike korçare, ja merrnim me aq kënaqësi këngëve të famshme greke të dashurisë.
Golja na trajtonte me një konsideratë që i kalonte përmasat e të zakonshmes në një shoqëri miqsh. Ai ishte një vit më poshtë se ne në shkollë, por siç duket koha i kishte dhënë të drejtën të pretendonte një vend të denjë mes nesh, ashtu sikurse ne na dha unanimitetin e pranimit të tij me kënaqësi.
Dua të sqaroj që ai kishte një merak dhe vullnet gati të sforcuar në kohën e pushimeve verore, për të shfletuar dhe studjuar tekstet shkollore të porsapërfunduara prej nesh.
Për të Vangjushi ishte shëmbulli i nxënësit sistematik dhe metodist, që e lehtësonte në parapregatitjen e lëndëve mësimore për vitin pasardhës. Sa për lëndën e matematikës, ai s’i ndahej Pavllos dhe në kohë rekord arrinte t’i kishte të zgjidhura në fletore gjithë problemet e saj. Kur më vinte rradha mua për lëndët shoqërore, mundohesha me gjithë forcën e logjikës dhe të kujtesës, t’ja lehtësoja mënyrën përvetësuese të thelbit të problemeve, duke e zhveshur atë nga llafollogjitë e shumta e të mundimshme. Golen e mërziste dhe e shqetësonte nota 9, më shumë se nota mbetëse 4 nxënësin e dobët. Me dhjetat e rradhitura njera pas tjetrës në deftesat e 12 viteve shkollore, ai meritoi vazhdimin e Universitetit në Tiranë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Golja dha energji mendore në gjithë kohën studimore, më shumë nga ç’duhej dhe i kërkohej. Në çdo hap të tij, kudo e kurdoherë, ai ndjente përgjegjësinë e vetvetes dhe kjo e bënte më të ndjeshëm e të prekshëm, ndaj çdo lloj e mase ngacmimi. Në kohën e sotme, ku përgjegjësia e ndjeshmëria shoqërore i humb apo i merr nëpër këmbë virtutet njerëzore, ndodhi vetdistancimi i mikut tim prej saj, duke kaluar në një vetveprim privat familjar, që as e pasuron, as e le të varfër.
Stonimet e ndonjerit prej nesh në këngë, mund t’i mbuloje lezetshëm, i dashuri miku im Gole, me tingujt e kitarës, por stonimet e çjerrjet e koreve njerëzore partiake të çakërdisura, nuk mund t’i mbulojnë, apo zbutin sadopak, gjithë orkestrat muzikore të kësaj bote.
As pesëdhjet metra nuk e ndajnë shtëpinë e Vangjushit nga ajo e Tomit, gjë që e bën më të privilegjuar miqësinë mes tyre. Si i thonë fjalës, që të dy na e merrnin ne të tjerëve në vjetërsi, por kjo vetëm si statistikë shifrash, se kur ndodhi mrekullia e krijimit të shoqërisë sonë, të gjithë ishim për njeri-tjetrin më të barabartë e të preferueshëm, se vetë barazia e preferenca. Mesatarja e larmishmërisë dhe kënaqësisë, e humorit dhe argëtimit të shoqërisë sonë, ja kalonte mesatares së notave, por, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, zor të arrihej kjo gjë pa prezencën e Tomit. Shpirti praktik i tij ishte një favor, apo më mirë të them, një privilegj për ne, që shpesh na rrëmbente qëndrimi shkollaresk i tepruar, ndofta dhe në një lojë futbolli, apo shëtitje bulevardeve të qytetit.
Si nuk lindi ndonjëherë, qoftë dhe kontradikta më e vogël, midis disave prej nesh që lakmonim mesatare të lartë notash dhe qëndrimit modest e jo kaq pretendues të mikut tim, Tomi. Dhe kjo, sepse shoqëria jonë e bekuar, si në kohën fëminore, rinore e më tej, ka vepruar si një ekip i kompletuar, ku sejcili ishte në pozicionin e vet të pazëvendësueshëm. Dikush në sulm, dikush në mesfushë e dikush në mbrojtje, ishim në gjendje të fitonim jo vetëm ndaj vetvetes, në ndonjë të metë të saj, por edhe ndaj kujtdo tjetër në djallëzinë e tij, që na cënonte si ekip apo individë.
Tomi ishte i pari nga shoqëria tonë, që vetdistancimin e tij nga jetesa e mundimshme në mjedisin shqiptar e vulosi në kufirin grek. Dhe po për herë të parë ndjeu lëkundje, ajo, mesatarja e famshme e humorit dhe argëtimit. Mos po vihej vallë në rrezik, vetë ekzistenca e shoqërisë, në çastet kur po ndodhte degdisja tonë qindra e mijra kilometra larg njeri-tjetrit? Mbase një bote të djallëzuar i shkon për shtat fenomeni i shpërbërjes të shoqërisë njerëzore, por një shoqërie të konsoliduar, në çfardo përmase qoftë, zor t’i ndodhë një infektim i tillë fatalist e tjetërsues. Kështu ndodhi dhe me ne, që mundëm dhe ditëm të mbijetojmë, në përmasat e reja të ndryshuara të hapësirës e kohës.
Në këto përmasa, shpesh të papritura e te çuditshme, mes lëvizjesh të vetëdijshme e të pavetëdijshme të njerëzve, veç kombinimeve të pafavorshme, ndodhin ca kombinime të favorshme, që e zbutin dhimbjen njerëzore.
Apo jo, miku im Vangjush? Se, meqë erdhi fjala, vërtet u arshivua në kujtesën tënde fqinjësia me Tomin, aty në Korçë, por ama, po brenda kuadrit shoqëror e vazhdoj unë me të, këtu në Selanik. Vërtet u ndërpre një vjetërsi fqinjësie, por kursesi një vjetërsi shoqërie.
Pas përqafimit me Vangjushin, si për inerci të kujtimeve të së shkuarës, më ndodhi një mikrohistori e përzjerë me nostalgji dhe humor bashkë.
Pak rëndësi kanë hollësirat e takimit me Piro Cetën, lidhja me të cilin në punë e sipër, u vazhdua dhe pas ndërprejres së saj. Më tha të vinim të merrnim të shoqen, Djanën, në një zyrë në ish Shtëpinë e Oficerave. Kur u ndodhëm para derës, ai më shtyu pak dhe unë pa kontrolluar veten, u gjenda brenda në një formë gati qesharake, para pesë femrave të ulura rreth një tavoline. Hodha një shikim të shpejtë tek to dhe po me atë shpejtësi veproi edhe kujtesa, që më nxorri nga ajo gjendje e sikletshme e hutuese.
Thashë emrin e njerës, që i kishte rruajtur gati të paprekshme tiparet e kohës gjimnazore, duke e shoqëruar me komplimentin e dëshirueshëm të çdo femre, “Nuk paske ndryshuar fare!”
S’kish ndryshuar ajo për mua, por ama kisha ndryshuar unë për të. Të drejtë kishte, kur para saj u shfaq një Mondi, që tullacësinë e kokës e mbulonte me një kapelë sportive. Por “maskimi” tim e bënte më të pamundur njohjen, me mbajtjen e mustaqeve dhe të një cope mjekre gjysmë të thinjura. Për të dalë nga ajo situatë gjysmënjohjeje, hyra lirshëm në botën time të shakasë, por, në vend të një qeshjeje të gëzueshme, ajo na shkaktoi nostalgji për vitet e shkuara e të ikura kaq shpejt. Megjithatë unë, si për inat ndaj moskthimit të asaj moshe sa naive aq dhe të bukur, vazhdova në timen. “S’ka si të më njohësh mua, kur syrin e kishe në shoku tim. Po të ishte ai këtu, do ta kishe njohur menjëherë”. Të plasi një e qeshur dhe një ngacmim, që e bëri atë të skuqej. “Nuk ofendohem, jo, se dhe unë në tjetër e kisha syrin nga shoqëria tuaj”. Ajde ç’gjullurdi që u krijua me të hedhur e të pritur ndaj njera-tjetrës, për të zbuluar të preferuarën time. E ndërsa enigma e famshme nuk po zgjidhej, pasi asnjera sçmund të shprehte e para simpatinë e dikurshme për mua, u dëgjua një e trokitur në derë dhe kur ajo u hap, hyri një tjetër e njohur, që porsa më pa thirri, “Uaa, Mondi!” dhe menjëherë më dha dorën dhe u përqafuam. Ishte tamam çasti i zbulimit të “enigmës”, që aq lezetshëm më erdhi në mendje për ta thënë. “Ja, kjo ka qënë “dashnorja” time e dikurshme! E morrët vesh tani?” Qeshëm me gjithë shpirt dhe po në brendësi të shpirtit ishim kthyer në ato vite ëndërrash e fantazish rinore, që krijonin “prona” imagjinare dashnoresh. Dhe kjo ndodhte me një padjallëzi, që e tejkalonte cakun e moshës së padjallëzuar dhe me një guxim të arritur deri në cakun e një dashurie platonike.
Gjithshka realizohej gjatë shëtitjeve tona gati të përnatëshme, në gjatësinë e bulevardit nga sheshi para theatrit “A. Z Cajupi” deri në Parku Rinia e që në dimër kufizohej deri në restorant Valbona.
Shikimi tonë mund të emërohet me të drejtë Shikim Diagonal, pasi në pjesën më të madhe të shëtitjes përqëndrohej në rrymën e kundërt të njerëzve, kryesisht të femrave. Sado seriozë e të brumosur me moralin komunist, nuk mund t’i shpëtonim dot asaj force magjike që rrezatonte seksi femër. Ndërsa në realitetin shoqëror na ndalte forca e një morali frenues, në mikrobotën tonë rinore krijohej një irealitet i këndshëm lidhjesh e reagimesh, që na bënte robër të instikteve dhe fantazive erotike.
Ato ishin një grup shoqesh tepër simpatike, që sa herë shfaqeshin para nesh, na tërhiqnin jo vetëm për nga pamja, por edhe nga mënyra e fshehtë vështruese, që s’i shpëtonte dot syrit tonë. Falë kësaj gjuhe mistike, që mbase ka ekzistuar para asaj të folur, na përfshinte një ndjesi e këndshme ngacmuese, sipas shijeve e simpative të sejcilit prej nesh. Pikërisht në një çast të tillë ndjesor, ndodhi veçimi i atyre vajzave sipas preferencave tona.
Unë: ”Më pëlqen ajo me ato leshrat e shkurtra. Shikoni ç’sy që ka. Ja vlen, hë?”
Njëri nga shokët: ”Si s’ja vlen. Po ajo e gjata, shiko ç’trup që ka. S’besoj se është e zënë”.
Unë: “E kam vënë re që dhe ajo të pëlqen, se në ty i hedh më shumë sytë. Sa për e zënë, as mos e shko në mend, se s’do dilte gjithnjë bashkë me shoqet”.
Kalonin ditë dhe kur ndodheshim përsëri bashkë në shëtitje, ndodhnin të thënat më të lezetshme midis nesh.
Tomi mua: “Dje pashë në Mapoja atë tënden”.
Unë: “Me kë ishte?”
Tomi: “Me atë të Vangjushit”.
Timja, e Tomit, e Vangjushit, e Palos, e Lilas dhe Goles, ishin ato vajza reale që kishin zaptuar botën imagjinare e naive të ndjesive erotike djaloshare. Ndjesi që çelej në çdo shëtitje e kontakt pamor dhe kulmohej kur arrihej, qoftë dhe një përshëndetje apo buzëqeshje femërore ndaj nesh.
Kur mbarova së zbuluari në atë zyrë, të vërtetat e asaj kohe ndrojtjesh e përmbajtjesh të tejmasshme, ndjeva sa keqardhje, aq dhe lehtësi, sa dhimbje e nostalgji, aq dhe kënaqësi e krenari.
U rrëfeva unë dhe shkaktova të njëjtin rrëfim të atyre femrave dhe m’u duk sikur atë çast, na u fal mëkati i mosbërjes së “mëkatit”.
* * *
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top