Cyber_Spartacus
Homo Homini Lupus
Një 32-vjeçare nga Patosi ka kërkuar zyrtarisht mbrojtjen e policisë, pasi ndihej e kërcënuar me jetë nga bashkëshorti i saj. Shkak i kërkesës për mbrojtje është bërë një episod jo shumë i këndshëm, që është regjistruar vetëm tri ditë më parë, kur bashkëshorti i 32-vjeçares e ka gjetur atë me një tjetër burrë në banesën e tyre të përbashkët. Zyrtarisht, nga Posta e Policisë së Patosit konfirmohet se kërkesa për mbrojtjen e policisë është bërë nga shtetasja Alma Sh. Kjo e fundit, e martuar dhe me dy fëmijë, ka shkuar paraditen e së hënës në Postën e Policisë Patos dhe ka kërkuar mbrojtjen, pasi ndihej e kërcënuar nga bashkëshorti i saj, i cili jo vetëm që e kishte braktisur mbrëmjen e së dielës, por në momentet e largimit nga shtëpia ka thënë: "Nuk do të të lë gjallë". Policia e ka marrë në hetim këtë çështje dhe ka vendosur shërbime policore pranë banesës së 32-vjeçares, në lagjen "1 Maji" të qytetit të Patosit. Policia deklaron se e ka vlerësuar kërkesën për mbrojtje, ndërsa nuk bën të ditur nëse ndaj bashkëshortit kërcënues ka nisur procedim penal. Sipas policisë, kërcënimi me jetë i 32-vjeçares ka ardhur pasi bashkëshorti e ka kapur atë në flagrancë duke e tradhtuar me një burrë tjetër. Artur Sh. drejtonte një biznes të vogël në qendër të qytetit të Patosit, ku qëndronte gjatë gjithë ditës. Bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët qëndronin në banesë, në një shtëpi me qira në lagjen "1 Maj". Ndërsa kishte marrë sinjal më parë për tradhtinë e gruas, Arturi njoftohet se edhe pasditen e së dielës në shtëpinë e tij kishte hyrë burri me të cilin gruaja e tradhtonte. Ai shkoi në shtëpi dhe gjeti aty dy "tradhtarët". Mësohet se në fillim burri i fyer ka mbyllur derën e shtëpisë dhe ka njoftuar policinë. Më pas mësohet se ai e ka ndaluar ardhjen e policisë në banesë, duke u shprehur se nuk kishte nevojë për ndihmë. Gjithashtu, burri me të cilin e tradhtonte e shoqja ishte drejtor i një ndërmarrjeje të bashkisë e quhej Hekuran V. Lidhja mes Almës dhe drejtorit të Ndërmarrjes Komunale ka nisur kohë më parë, kur ai ishte drejtor ujësjellësi dhe ajo vartëse e tij. Kjo lidhje jashtë martese u ka sjellë probleme të dyja familjeve dhe tani ka futur në lojë edhe policinë.
Gazeta Shqip
Gazeta Shqip