Durrës,36 studio në garë për sheshin “Iliria”

WxP

Staf në FV.AL
Një numër i madh studiosh janë vënë në garë për të marrë në duart e tyre projektin për "Rivitalizimin e Sheshit Ilira të qytetit të Durrësit". Një juri ndërkombëtare do të merret me përzgjedhjen e studimit më të mirë gjatë një periudhe 3-mujore. Disa ditë më pare, një numër i madh studiosh të huaja projektimi nga vende të ndryshme të botës, gjatë punimeve të forumit të qyteteve që lagen nga ujërat e Adriatikut dhe të Jonit, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në konkursin ndërkombëtar të shpallur nga Bashkia e Durrësit. Bashkia synon të rigjallërojë sheshin qendror të qytetit sipas standardeve bashkëkohore, por duke ruajtur me fanatizëm objektet e antikitetit.
KONKURSI
Dje nisi faza e parë e konkursit ndërkombëtar për përzgjedhjen e projekteve në lidhje me rivitalizimin e sheshit "Iliria", në qendër të qytetit të Durrësit. Në këtë garë paraqitën projektet e tyre 36 studio të njohura nga shumë vende të botës. Në këtë fazë do të përzgjidhen 5 projekte nga ana e një jurie ndërkombëtare.
Juria e krijuar për këtë qëllim përbëhet nga 7 anëtarë. Ata janë arkitektë nga Italia, Franca, Kanadaja si dhe nga vendi ynë.
Ditën e djeshme kjo juri nisi studimin e projekteve të paraqitura pranë saj, të cila janë vepra të arkitektëve nga SHBA-ja, Italia, Meksika, Gjermania, Spanja e vende të tjera. Bashkia e qytetit kërkon prej tyre "Rivitalizimin e Sheshit qendror të Durrësit, i cili mban emrin 'Iliria'". Për rivitalizimin e këtij sheshi, administrata e bashkisë ka parashikuar një vlerë prej 7 milionë dollarësh. Në ditën e parë të konkursit, kryebashkiaku Vangjush Dako tha se "synimi ynë janë ndryshimet arkitektonike të sheshit qendror si dhe hapësirat e blerta. Në themel të punës së tyre, studiot kanë pasur parasysh jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore të lashtësisë, e cila është pjesë e sheshit qendror, por edhe gjallërimin e saj nëpërmjet krijimit të parkut arkeologjik". Sipas Dakos, Parku Arkeologjik përbën lidhjen e objekteve antike me njëra-tjetrën nëpërmjet infrastrukturës komunikuese. Ai do të synojë që të krijojë imazhin e qendrës antike se si ajo ka qenë një herë e një kohë në lashtësi. Historikisht, që nga koha e themelimit të tij, Durrësi ka pasur dhe vazhdon të ketë të njëjtën qendër e të njëjtin shesh, edhe pse kanë kaluar 2700 vjet. Ndërkohë, studiot kanë parë edhe mundësinë e ndryshimeve të fasadave të objekteve administrative, të cilat dominojnë këtë shesh. Propozimet për rigjallërimin e sheshit kryesor te qytetit më të vjetër të vendit janë pjesë e programit të bashkisë kushtuar qytetit historik dhe zonës qendrore te tij. Burime nga Bashkia e Durrësit, bëjnë të ditur se ky program ka nisur që me hartimin dhe aprovimin e Planit Urbanistik të Integruar të qytetit të vjetër bregdetar. Sheshi "Iliria", konsiderohet si zemra e përhershme e qytetit. Ai është simbol i mjedisit më publik dhe i jetës kolektive. Sipas arkitektëve, rijetëzimi i këtij sheshi përbën një rast të jashtëzakonshëm në histori. Në këtë mënyrë merr forcë dhe cilësi një organizmi i tërë urban dhe metropolitan.
FAZAT E KONKURSIT
Fillimisht do të skartohen 31 studio dhe në garë do të mbesin vetëm 5 prej tyre. Më pas juria do të ristudiojë projektet e tyre dhe në takimin final, që do të organizohet në muajin janar të vitit 2009, do të përcaktohet studioja fituese. Ambicia e stafit drejtues të Bashkisë së Durrësit është konkretizimi në praktikë i projektit brenda mandatit të tij.





(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top