Titulli: Drejt mbylljes xhamia ne Skenderaj
Arrestohet imami Duka
Nga Express më 03.03.2010
Policia e Kosovës ka arrestuar Xhemail Dukën, i vetëshpallur imam i xhamisë në Morinë të Skenderajt. Arrestimin e tij nga njësitet speciale të policisë së Kosovës e kanë konfirmuar për Express zyrtarë policorë.
“Arrestimi i këtij personi është bërë për shkak se ai ka thyer ligjin aktual për të huajt”, ka thënë një zyrtar policor, në kushte anonimiteti.
Policia sqaron se Xhemail Duka nga Elbasani kishte thyer ligjin për të huajt në vend, duke u vetëshpallur imam i xhamisë së Marinës në Skenderaj.
Po ashtu, policia ka thënë se pas kryerjes së të gjitha procedurave, Xhemail Duka është dëbuar nga Kosova për në Shqipëri.
Ditë më parë me vendim të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, komuna e Skenderajt kishte mbyllur xhaminë në Marinë ku kishte shërbyer Duka si imam i saj, pavarësisht se ai nuk përfillte asnjë nga programet dhe hierarkinë e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në një intervistë për Express, Xhemail Duka ka thënë se dëshiron që aktivitetin e tij ta vazhdoj në Kosovë duke shërbyer në një organizatë humanitare.
Mësohet se sot në Skenderaj do të ketë një protestë nga banorët e fshatit Marinë në lidhje me zhvillimet e fundit në xhaminë e Marinës.