Djalli vishet me... defekte

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Djalli vishet me... defekte

Ato nuk janë as aktore e as këngëtare. Nuk synojnë që me look-un të godasin, siç bëjnë këto të fundit. Ama po si këto të fundit, janë gjatë gjithë kohës nën vëzhgim për sa kohë që shfaqen në ekran. Këtë kemi bërë edhe ne. Kemi vëzhguar look-un e tyre (vetëm të disave, sepse përndryshe s’do na dilnin faqet e revistës). Dhe kemi zbuluar se...

Revistat e huaja e bëjnë çdo vit një klasifikim të diveve të veshura më mirë e atyre të veshura më keq. Yjet e Hollivudit synojnë gjithmonë kreun e të parit, vetëm se në shumë raste e gjejnë veten tek i dyti. Të paktën Victoria Beckham-it s’ka pse t’i ngelet merak, sepse i ka provuar që të dy, ndryshe nga Britney Spears dhe Paris Hilton, që ngelen duke u klasifikuar çdo vit tek top lista e të veshurave më keq. Mund të bënim edhe një hit paradë të të veshurave më mirë e më keq. Por në fakt kemi preferuar të shkojmë pak më thellë se sa kaq. Kemi zgjedhur ato personazhe që ndonjëherë vishen keq, ndonjëherë mirë e ndonjëherë shkëlqejnë nga koka tek këmbët. Ama gjithmonë ka diçka që nuk shkon. Për shembull, flokët e kryetares së Parlamentit, kostumet e gazetares të emisionit “Njerëz të humbur” apo grimi i Sonila Meços. Sigurisht që ka edhe shumë e shumë të tjera, por ja që nuk mund të merremi me gjykimin e veshjes së Zajminës apo të Rovena Stefës. Do ishte e kotë…



Majlinda me stil, ama jo diskrete

Krahasimi me studenten e psikologjisë që lexonte lajmet në Televizionin Publik, tani do të ishte krejt i pavend. Me kalimin viteve, Majlinda Bregu ka krijuar një tjetër imazh, tërësisht ndryshe nga i dikurshmi, ku të parat që të bien në sy janë aksesorët jo shumë diskretë, një krehje flokësh që dallon së largu, ndonjë pardesy portokalli që krijon në kontrast të fortë me kostumet e zinj të kolegëve të saj, ndonjëherë një buzëkuq i fortë që shkëlqen nga tavolina e mbledhjes së qeverisë. E megjithatë, askush nuk mund të thotë se ministrja e Integrimit nuk e ka një stil të sajin. Në gjurmët e tij mund të biesh fare lehtë, sepse ka ca detaje të pangatërrueshme: filetot e jakave të xhaketave, mëngët treçerekëshe, dizenjot bardhezi, këmishët me jakë të lidhura fjongo, kostumet asnjëherë të thjeshtë, por të pasuruar me kopsa të mëdha, jaka kryesisht rrumbullake, rripa në mes dhe kapakë në xhepa, ngjyrat e ëmbla dhe asnjëherë të zbehta. Ky po që do të ishte stili perfekt, nëse Majlinda Bregu nuk do të ishte anëtare e kabinetit qeveritar.



Sonila e grimit super të rëndë

Ajo është spikerja tipike e lajmeve që nuk u ka qëndruar kurrë strikte kornizave serioze të një edicioni informativ. Jo vetëm për sa u përket shoqërimit të kokave të lajmeve me nga një gjest me dorë e me nga një buzëqeshje të madhe, por edhe një grimi goditës, që të tërheq vëmendjen më shumë se një tragjedi që ka ndodhur në minutën e fundit. Lëkurë e bardhë, mollëza të theksuara, vetulla të zeza, grim i fortë me hijezues gri të errët, penel, rimel, një shtresë pluhuri të argjendtë me shkëlqim nën vetull, buzëkuq i ndezur me shkëlqim dhe kontur më të errët, që së fundmi është bërë edhe më i dukshëm falë një ndërhyrjeje që Sonila ka bërë në një nga qendrat estetike të Tiranës dhe është shfaqur me buzën e sipërme shumë më të madhe se dikur. E po t’u shtosh këtyre edhe një palë flokë të zinj sterrë me kaçurrela të çrregullta, të ngrira nga shkuma, atëherë përfundimin e kemi parë të gjithë: një imazh aspak i qetë.



Një krehër për Jozefinën

ثshtë gjithherë po e njëjta ndjesi: sa herë që kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli shfaqet në ekran, parehatia që të shkakton hetimi i figurës së saj nga koha tek këmbët përqendrohet përherë po tek e njëjta pikë: flokët. Me ngjyrat ajo luan, në mënyrën e saj. Kalon herë tek një nuancë e ngrohtë e herë tek një e errët. Edhe me gjatësinë nuk është se nuk ka eksperimentuar. Por përfundimi ngelet i njëjtë. Flokët asnjëherë nuk rrinë të shtruar. Asnjëherë nuk kanë shkëlqim, asnjëherë nuk duken të krehur. Qëndrojnë aq të pabindur mbi anën e majtë të fytyrës sa prishin edhe estetikën e grimit, kostumeve (në ato herët kur nuk ndodh që të ketë veshur xhaketat e saj me shkëlqim floriri) dhe gjithë detajeve të tjera të look-ut, duke të bërë ta thuash disi me frikë se në fund të fundit Jozefina Topalli ngelet një grua e bukur.



Valentina që s’di të kopjojë

Fakti që ndodhet mes kolegesh që shquhen për shije të mirë, si Mimi Kodheli apo Arta Dade, nuk do të thotë asgjë për kryetaren e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Nuk e ka sportivitetin dhe guston pa kohë të Mimit, as elegancën e pagabueshme të Arta Dades. Por as një të ndërmjetme mes të dyjave. Edhe pse së fundmi është parë me xhaketa Versace me prerje të përsosur. Ndoshta është faji i modelit të flokut të prerë shkurt, që i shton më shumë vite, me të cilin nuk luan kurrë. Ka ngelur po i njëjti prej vitesh. Ose ndoshta faji i grimit dhe ngjyrave mat, që nuk i japin dritë në fytyrë. Kushdo që të jetë fajtori, një gjë është e sigurt: Valentina nuk rrezaton sharmin e shijes së sofistikuar si koleget e saj të së njëjtës seli.

Ka keq, por ka dhe më keq!

Shpëtoni deputeten Arenca!

Nuk arriti të shkaktonte asnjëherë zhurmë dhe as të bëhej protagoniste. Nuk synoi kurrë të binte në sy nëpër pritje mondane dhe as u lakua ndonjëherë si zonjë sharmante. Arenca Trashani e la Ministrinë e Integrimit po ashtu siç e mori: pa ndryshuar as edhe një grimë nga look-u i saj. E jemi të sigurt se as që u përpoq ndonjëherë ta bënte. Ndoshta nëse kostumet vishnjë, stil gruaje të shkuar në moshë, do ishin zëvendësuar me xhaketa me prerje më të buta e ngjyra më të ëmbla, buzëkuqi ngjyrë piperi të zëvendësohej nga një grim i lehtë me shkëlqim dhe flokët pa model të kishin rënë në duart e një parukiereje profesioniste, Arenca, në mos e veshura më mirë, do ishte ministrja e veshur thjesht e me shije, larg pantallonave të zeza, këpucëve të sheshta me lidhëse dhe bluzave alla shtëpiake.



Aida ose sa bukur na ka dalë nusja!

Për një pjesë të caktuar të publikut, ai do të ishte emisioni më i bukur që shfaqej të premten e më pas të shtunën mbrëma. Një formulë e re televizive që do të mbërthente jo pak shikues në “Njerëz të humbur” të Aida Shtinos. Për një periudhë të gjatë kohe prezantuesja dhe ideuesja do të hasej me njëmijë e një gjëra brenda një nate të vetme. Do të përballej me të papritura të mëdha herë të gëzueshme e herë të dhimbshme, do të ndryshonte shpesh rrjedhën e kërkimeve të një të humburi. Ama një gjë ishte e qartë: nuk do të ndryshonte kurrë stilin e saj të veshjes tërësisht tradicional, me xhaketa dhe buzëkuq të kuq flakë. Kostume me shkëlqim, ngjyra elektrike goditëse, këpucë aspak elegante, vënie (pa dashje) në pah e defekteve të trupit, grim i rëndë dhe më kryesorja krehje flokësh aspak të përshtatshme me formatin televiziv në fjalë. Ndonjëherë extension kaçurrel, krehje nusesh, tërheqje sysh e madje edhe xixa të shndritshme, që ngatërroheshin nëpër përqafimet dhe lotët e prindërve të dëshpëruar në kërkim të fëmijëve. Nëse stili i Aidës do ishte vetëm pak më i thjeshtë, më pak i ngarkuar, me më pak ngjyra, me siguri do t’i shkonte më për shtat emisionit të saj.



Juela, Miss Antifotozhenia
Geta të zeza poshtë fundit të bardhë, varëse të imëta mbi këmishë të mbërthyer, xhup me vatinë dhe material fësh-fësh, ngjyra të errëta në veshje dhe fosforeshente në grim. Në fund të fundit, ky është stili pa stil i Juela Meçanit dhe, si i tillë, nuk ka të drejtë ta gjykojë askush. Por kur ky look performohet në ekran dhe aktivitet politike e kur për më tepër i qëndron pranë shijes së pagabueshme të kryeministrit Berisha, sigurisht që, në mos për gjykime, ka vend për kritikë. Madje kjo është arsyeja që ne po merremi me look-un e saj. Përndryshe, sigurisht që nuk rrinim të kritikonim bizhuteritë stil trial, vathët prej kocke apo këmishët portokalli, që kombinohen me sytë e lyer me ngjyrë kumbulle. Kjo ndoshta do ta ndihmojë pak zëdhënësen e kryeministrit që të tregohet më e mprehtë në zgjedhjen e kostumeve, këmishëve e sidomos aksesorëve. Sepse pavarësisht natyrës për të qenë përherë korrekte dhe strikte në punën që bën dhe funksionin që kryen, look-u ka një rëndësi më vete. Në mos është ndër kryesorët. Juela këtë duhet ta dijë. Ka qenë Miss Fotozhenia!


Revista Jeta
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top