CIA: Puçet sovjetike e amerikane, kundër Enverit

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Vladimir Karaj

Duket se është pjesë e skemës së miteve të komunizmit, por qoftë SHBA qoftë BRSS, kanë tentuar pa sukses grushte shteti për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Dy materiale dikur konfidenciale të CIA-s, njëri i publikuar vetëm pak ditë më parë, mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike dhe tjetri i publikuar më 1994, tregojnë për planet apo tentativat për grusht shteti të lëna përgjysmë apo të dështuara. Plani që zbulon tentativën e CIA-s, është shënuar me dokumentin: "Pasojat e një tentative për të rrëzuar me grusht shteti regjimin në Shqipëri", dhe është përgatitur më 1952, ndërsa ai i BRSS-së është i gushtit 1960, pasi Shqipëria ishte rreshtuar thuajse hapur në krah të Kinës. Sulmet "imperialiste" dhe ato "revizioniste" me të cilat u dendej koka shqiptarëve, sipas CIA-s nuk paskan qenë thjesht propagandë, ndërsa Hoxha me siguri ka qenë mjaft i trembur kur vendosi të mbulonte vendin me bunkerë.

Plani i CIA-s

Në një dokument të lëshuar në vitin 2004 e të përgatitur më 1950, CIA bën të ditur se "Shqipëria është një vend malorë, të cilin BRSS nuk mund ta kontrollojë asnjëherë të gjithin... Aty mund të gjenden rreth 25-30 mijë forca antikomuniste, të cilat me ndihmën e SHBA-së, mund të organizojnë një luftë guerile për të rrëzuar regjimin". Por ndoshta plani nuk u vu asnjëherë në jetë, ose është ndër tentativat e dështuara për shkak të Kim Filbit (Agjent i KGB-së, që punonte në shërbimin britanik). Sidoqoftë 2 vjet më vonë, agjentët e ekspertët gjeopolitikë të CIA-s, kanë përgatitur një raport të gjatë, mbi reagimin e mundshëm të Bashkimit Sovjetik, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, në rast se tentohej apo arrihej të rrëzohej regjimi i Hoxhës. Deri më tani as fati i këtij plani të dytë nuk është bërë publik, sidoqoftë Hoxha nuk u rrëzua as më 1950-ën as më 1952. Arsyet me siguri do të jenë në listën e atyre që CIA, nuk ka mundur të parashikojë, që vetëm përmes hamendësimit mund t'i lidhim me fuqinë e Sigurimit të Hoxhës apo me tradhtinë e Filbit. Sidoqoftë CIA, kishte parashikuar disa versione të ndryshimit të botës, nëse ajo do të ndërhynte në Shqipëri. Mundësia më e mirë sipas CIA-s ishte ndërhyrja nga Jugosllavia e Titos e saposhkëputur nga blloku komunist, ose ajo nga Greqia, por në të dyja rastet vlerësohej mundësia e kërkesave për territore sidomos nga ana e Greqisë, ndërsa agjencia i trembej mundësisë se qeveria e re do të ishte e tëra në varësi të Beogradit. Por ky duket se nuk ishte një rrezik që SHBA, mund të mos ta ndërmerrte, duke konsideruar varësinë e Greqisë nga Perëndimi dhe mundësinë për të shmangur shpejt Jugosllavët, ajo që shqetësonte më shumë botën e para murit të Berlinit dhe me Stalinin ende në krye të BRSS ( edhe për 1 vit), ishte një reagim i ashpër i të kuqve dhe mundësia e një lufte botërore.

Edhe pse në tre variantet e reagimit sovjetik ai "a", që flet për luftën botërore, mohon thuajse kategorikisht që BRSS, të fillonte një masakër të re vetëm për vendin e vogël ballkanik. Më e mundshme edhe pse me një rrezik i madh, për të përfunduar po në luftë botërore, konsiderohet për CIA, nxitja nga ana e BRSS dhe me përkrahjen e këtij të fundit, të ndërhyrjes së vendeve satelite në Jugosllavi e Shqipëri, për të përmbysur regjimin e ngritur prej grushtit të shtetit. Edhe pse e konsiderojnë një reagim të tillë specialistët e CIA-s thonë: "Ne besojmë që ndoshta BRSS, nuk do të ndërmarrë këtë rrezik". Nga ana tjetër, dy reagimet më të buta, "c" dhe "d" kanë të bëjnë me një përforcim të tentativave sovjetike, për të treguar forcën diku tjetër ose me "pranimin e humbjes" dhe "shtimin e përpjekjeve përarmatosje". Por për CIA një grusht shteti i suksesshëm në Shqipëri ishte i nevojshëm, për të treguar që BRSS nuk ishte e pathyeshme, për të kthyer në mik një vend armiqësor e për të inkurajuar disidentët e vendeve të tjera. "Frika se Italia, Jugosllavia dhe Greqia, do të tentojnë të marrin nën kontroll apo përfitojnë territore nga qeveria e re, mund të shmanget me mbështetjen e një fuqie të madhe, për të cilën regjimi i ri do të ketë shumë nevojë, ashtu si edhe të tjera qeverisje në Shqipëri",- thuhet në raport, për sa i përket mbrojtjes për të cilën do të kishte nevojë regjimi i ri.Në fund të tekstit shënohet se SHBA, ishte e gatshme të ndërmerrte një angazhim të tillë "marrjen nënmbrojtje të Shqipërisë" dhe si përfundim asnjë nga fqinjët nuk do të tentonte të vinte në jetë planet e saj.

Dështimi i BRSS

Hrushovi në vitet 60 ishte bezdisur shumë nga qëndrimi i liderëve komunistë në Shqipëri dhe duket se në një moment sovjetikët kanë marrë parasysh edhe përmbysjen e tij me anë të një grushti shteti ushtarak, i cili ka dështuar dhe është shoqëruar me ekzekutime të shumta brenda radhëve të komunistëve shqiptarë. CIA shënon në këtë periudhë një ndryshim të qëndrimit të krerëve të PPSH-së, përpara përfaqësuesve Perëndimorë, ndërsa menjëherë në vend kanë xhiruar lajmet për puçin e dështuar që duket se kryesohej nga Kontraadmirali Teme Sejko ndërsa në të morën pjesë edhe një numër i madh personash të angazhuar në nivelet më të larta të qeverisjes dhe partisë. Sipas CIA-s zbulimi i "puçit" çoi në pranga rreth 200 persona, përfshi internimin e familjeve të tyre. Qëllimi i gjithë kësaj katrahure, që i dha më vonë Enver Hoxhës mundësinë të bënte propagandë të pafund dhe një pushtet edhe më të madh,nuk ishte ndryshimi sistemit, por vetëm "heqja qafe" e Hoxhës i cili pengonte planet sovjetike, për t'u riafruar me Jugosllavinë dhe nga ana tjetër ishte i vetmi lider komunist në Evropë që kishte dalë hapur pro Kinës. Sovjetikët sipas agjencisë ndjenin humbjen e një sateliti. "Ne humbëm një Shqipëri, Kina fitoi një Shqipëri", citohet të ketë thënë më vonë Hrushovi. Ky i fundit ishte edhe iniciatori i planit, që fillimisht u mbështet në presionin verbal, duke u përshkallëzuar në kufizimin në ndihma deri dhe në mos dërgimin e një sasie gruri, tërheqjen në masë të teknikëve dhe ushtarakëve, e në fund me vënien në lëvizje me anë të presionit ose premtimeve të një grupi ushtarakësh që duhej të realizonin puçin e shtetit. Ky i fundit u zbulua shumë shpejt nga Sigurimi dhe Hoxha mori menjëherë masat të eliminonte kundërshtarët, ndërsa do ta përdorte këtë tentativë, për të shtyrë më tej prishjen e marrëdhënieve me rusët dhe ngritjen e "miqësisë së re" shqiptaro kineze. CIA edhe pse përpiqet të shpjegojë veprimet e Hoxhës, arrin vetëm në përfundimin se reagimi i këtij të fundit ishte për të mbrojtur veten, ndërsa qëndrimet kundër "revizionizmit" kishin të bënin më shumë me frikë se do të zëvendësohej.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top