Pavarësisht krizës ekonomike, Ministria e Financave ka parashikuar të vjelë rreth 450 milionë dollarë më shumë nga biznesi gjatë vitit të ardhshëm. Në një intervistë për gazetën, zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, thekson se buxheti i vitit 2010 do të jetë 450 milionë USD më i madh sesa ai aktual. Në fakt me logjikën e shifrave të financave, rritja e të ardhurave nga taksat do të jetë akoma më e madhe, pasi buxheti i ri parashikon edhe uljen e mëtejshme të borxhit. “Në vitin 2010, ne do të kemi të paktën 45 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet, që do të thotë edhe shpenzime 45 miliardë lekë më shumë, krahasuar me vitin 2009. Por ajo çka është e veçantë për 2010, është fakti se ne do të vazhdojmë të ulim deficitin buxhetor dhe automatikisht dhe borxhin publik. Ne kemi parashikuar që deficiti, nga 4.2 për qind e produktit të brendshëm bruto, do të ulet në 3.5 për qind”, thekson Shehu.
Ka nisur tashmë hartimi i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Sa është parashikuar që të jetë projektbuxheti i vitit 2010?
Në fakt ne aktualisht kemi një parashikim buxhetor për vitet 2010-2012. Miratimi paraprak bëhet për tre vite, pasi tashmë ne punojmë me një sistem ri buxhetor në bazë të ligjit të ri. Konkretisht për vitin 2010, ne do të kemi një rritje në tërësi të të ardhurave të shpenzimeve prej 12 për qind. Në vitin 2010, ne do të kemi të paktën 45 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet, që do të thotë edhe shpenzime 45 miliardë lekë më shumë, krahasuar me vitin 2009. Por ajo çka është e veçantë për 2010 është fakti se ne do të vazhdojmë të ulim deficitin buxhetor dhe automatikisht dhe borxhin publik. Ne kemi parashikuar që deficiti, nga 4.2 për qind e produktit të brendshëm bruto, do të ulet në 3.5 për qind.
Dhe si do të arrihet kjo?
Kjo do të realizohet duke rritur më shumë të ardhurat, duke përdorur më shumë të ardhurat për investime dhe duke ulur huamarrjen për financimin e deficitit buxhetor.
Cilët do të jenë sektorët prioritarë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm?
Ne do të vazhdojmë që të ruajmë por edhe të zhvendosim prioritetet që kemi pasur në katër vitet që po mbyllim. Në këto katër vite ne kemi pasur prioritet infrastrukturën ose rrugët dhe ujësjellësit, arsimin, shëndetësinë por edhe mbrojtjen për shkak të anëtarësimit në NATO. Ne jemi në mandatin e dytë dhe ne aktualisht kemi kryer përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë. Tashmë ka ardhur koha që ne të bëjmë një zhvendosje të ritmeve të rritjes së shpenzimeve brenda punëve publike nga rrugët në ujin e pijshëm. Por ajo që është më e rëndësishme është që ne do të rrisim edhe dy sektorë të tjerë me ritme shumë më të larta sesa projektet e infrastrukturës, që janë arsimi dhe shëndetësia. Rritja në arsim dhe shëndetësi do të jetë mbi 20 për qind në vitin 2010. Po kështu do të vazhdojmë edhe në vitet e mëvonshme. Njëkohësisht duhet të përmend edhe një prioritet të ri, që do të ketë një dyfishim të buxhetit gjatë mandatit të ri të qeverisjes, dhe që do të jetë bujqësia. Bujqësia në vitin 2010 do të ketë një rritje 30 për qind, krahasuar me 2009 dhe siç e thashë brenda katërvjeçarit buxheti i bujqësisë do të jetë mbi 10 miliardë lekë. Dhe në bujqësi politikat kryesore ose prioritare do të jenë mbështetja e fermerëve me subvencione për mbjelljen e pemëve për rritjen e kafshëve, blegtorinë në përgjithësi. Ajo që do të jetë më e rëndësishme është që ne do të mbështesim me grante dhe subvencione atë që ne e quajmë infrastruktura e tregtimtit dhe përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Njëkohësisht këtu do të ketë një prioritet sistemi i vaditjes, pra do të rriten ndjeshëm investimet për vaditjen në bujqësi.
Parashikimi buxhetor për tre vitet e ardhshme (të dhënat janë në miliona lekë)
Vitet 2010 1011 1012
TOTALI I Tث ARDHURAVE 368.309 409.346 453.335
Të ardhura tatimore 337.946 376.895 418.436
Nga tatimet dhe doganat 354.713 282.977 313.546
Të ardhura nga pushteti vendor 20.948 23.434 26.153
Të ardhura nga buxheti i pavarur 62.285 70.484 78.737
Të ardhura jotatimore 23.873 25.306 26.824
TOTALI I SHPENZIMEVE 411.727 456.447 497.814
Interesat 37.240 40.316 42.003
Shpenzime operative mirëmbajtje 40.402 47.348 55.398
Subvencionet 2.500 2.900 2.900
Shpezimet për Sig. Shoq. e Shën. 106.366 110.621 115.045
Shpenzime për buxhetin lokal 39.433 42.634 47.732
Shpenzime të tjera 18.942 21.220 24.003
Fondi rezervë, kontigjenca 8.952 14.873 17.872
Kompensimi në vlerë i pronarëve 700 1.200 1.700
SHPENZIME KAPITALE 90.402 100.109 108.036
Deficiti -43.418 -47.101 -44.479
Financim i deficitit 43.418 47.101 44.479
I brendshëm 34.303 38.351 34.819
I huaj 9.115 8.750 9.660
*panorama*