legjenda
MAQEDONIA E VERIUT
Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar dje një draft-rezolutë në organin ligjvënës ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Deputeti Goncharenko ka bërë publike inciativën e tij në rrjetin social Twitter, duke shkruar se shpreson që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur.
“Dorëzova në Parlamentin ukrainas një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të përkrahë demokracinë kudo në botë. Shpresoj që Ukraina do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur”, ka shkruar ai.
Deputeti Goncharenko poashtu ka bërë një postim tjetër në Facebook në lidhje me draft-rezolutën e propozuar, duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës s’e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe shteti njihet nga 22 vende të BE-së si dhe nga ShBA, Britania e Madhe e Kanada.
Ai ka thënë tutje se një hap konsistent para i Ukrainës do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
“Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar. Jo më kot, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së, për të cilat ne përpiqemi, e kanë njohur tashmë Kosovën. Po ashtu Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania e Madhe. Prandaj, një hap konsistent i Ukrainës tani do të jetë njohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe shprehja e mbështetjes ndërkombëtare. Refuzoni menjëherë një lloj tjetër manipulimi – situata midis Ukrainës dhe psedovrepublikami “LDNR” nuk është e njëjta situatë si në Kosovë dhe Serbi. Ky është momenti kur Kosova realisht ka të drejtën e pavarësisë”, ka thënë ai.https://zeripress.com/