Bohemi i fundit i poetëve shqiptarë

WxP

Staf në FV.AL
02-19-2006, 16:19
Bohemi i fundit i poetëve shqiptarë

Sadik Bejko

Lajmin ma dhanë në të rënë të mbrëmjes me telefon. Po, iku dhe Fredi. I vetmi dhe i fundmi i bohemës së poetëve shqiptarë. Mbase unik si i tillë. Shqipëria nuk e ka qasur, nuk e ka pasur shumë për zemër bohemën. ثshtë e ashpër Shqipëria jonë. Kurse bohema është luks. Dhe luksi sikur nuk u ngjit as për fije maleve tona ballkanase. Por Fredi i tillë, i tjetërsojtë ishte. Sfidant. Elegant në hallakmanë e parend të trupit dhe të jetës së tij. I vetmi që mund të shkruante poezi formaliste, të artit për art në një vend, area, hinterland që pëlqen vetëm poetët e angazhuar. Janë të një soji të fryrë e të shpifur këta ballkanas të ngrehosur e të ngrirë kallkan në probleme, në angazhime, si të thirrur përjetësisht nën armë. Përherë kështu. Të ngjeshur nën pancir mesjetar detyrimesh. Vetëm mustaqet u dalin tej përmbi pancir. Një seriozitet ky herë-herë aq grotesk dhe aq i ndryshkur nën hekurat e veta që bëjnë zhurmë, që kërcasin dhe kërkëllijnë. Thuaj, fantazma shëtitëse në kohërat moderne.
Por Fredi ishte ndryshe. Fin dhe i tjetërkohtë në poezinë e tij sureale. Sureale me një përmasë të ftohtësisë klasike. Sikur të shkruante me fijëza dhe pejza bryme të ftohtë mbi një xham dimëror. Xhami pas të cilit ai ishte strukur për të parë malet ballkanike, me mëritë, marritë dhe ligështitë përsëri ballkanike. Por dhe ai nuk shpëtoi krejt prej tyre. Se diçka nga cikli i kreshnikëve, nga ajo kohë e pakohtë, kohë e bortë dhe stratosferike prej legjendash i zgjat tegelat dhe fijet argjendore te një poezie imazhesh të ftohta. Argjendore, të ftohta, të tejjetëshme. Kështu i solli vargjet e para tek “Rapsodi shqiptare”, libri i tij inagurues me vjersha dhe poema.
Dhe ka një konkretësi, në këto masa sekuencash poetike që mund t’i këpusësh si kristalet prej peizazhit dimëror, prej një dimri poetik e delikat, për t’i vënë mandej në kandarin e brishtë të farmacisë. Me kësi strukturash të përkora e të holla në qendrueshmërinë e tyre, me këto filigrana poetike, ndërtohet një mbi një poezia e shkurtër e Frederikut tonë. E përkorë në dukje, e avullt dhe e argjendtë njëherësh, e ngrirë, e kristaltë, e prekshme sa gati ta marrësh në pëllëmbën e dorës e ta peshosh si relike të së shkuarës. Se Fredi ishte i një misteri të së heshturës, i misterit që artizanin e bën artist të pavdekshëm. E bën artin e artizanit të ngrohtë, kur artifaksin e tij e vëmë në gisht si një unazë, e vëmë në vesh si një vath, e varim në qafë si një diamant në kolanë. E në këtë marrëdhënie të mishit njerëzor me artin lindin vlerat. Ajo që ne duam ta bëjmë veten të bukur duke dhuruar. Ajo që duam ta bëjmë dhe më të bukur atë së cilës/të cilit ia dhurojmë. Ajo që duam të jemi fisnikë bashkë me metalin fisnik (poezinë), kur në të e përthyejmë veten si qenie njerëzore. (Pa harruar një ndryshim: artizani punon mbi materialin e tjetërkujt, poeti vetëm me materien e fantazisë së tij). Një kujtim, një mesazh, një shprehje e dashurisë, e lumturisë a e trishtimit tonë. Dhe arti ka ndërmjetësuar tek ne, na ka përkthyer e shpjeguar më mirë se sa ta kuptonim apo artikulonim ne veten tonë.
Iku dhe Fredi. Ai nuk zgjodhi poezinë që sjell lëndë prej realitetit. Ja, ta zëmë, si A. Pipa që sjell gjithë atë materje reale në librin e tij të burgut. Po kush tha se pati arritur gjer te poezia, duke mbartur kaq realitet në vargjet e tij? Po Fredi ç’arriti me atë që donte t’i fshinte përfare pamjet e reales? Të kridhej në formë, në fantazi. Kjo ishte një tjetër zgjedhje. Kur shkruante ai i mbyllte krejt portat e reales, si për të shkuar në anën tjetër të gjërave, vetëm atje në terrenet e tij. Dhe ishte aq i trishtuar, melankolik në këtë mjegullnajë të fantastikes. Ama dinte ta shpjegonte qartë të errtën e së paarsyeshmes, të imagjinares. Ishte me të dy këmbët i ngulur brenda kësaj bote. Bota e tij. Mbase gjeniu, poeti i gjenialitetit, vjen përtej këtyre të dyjave. Përtej asaj poezie që ia hap të gjitha dyert reales e përtej asaj poezie që reales ia mbyll dyert me gozhdë, për të ecur në fijet e intuitives, e irracionalitetit. Fredi i mbeti besnik kësaj manierës së dytë. Prozator, eseist, por në arritjet e tij më të mira është një poet formalist i përsosur. Libri i tij i fundit “Erdhi koha të vdes përsëri” (1994), “Në vetmi” (2004) mbase e vulos atë si të tillë deri në fund. Ashtu lindi si poet, ashtu vdiq.
Fredi ishte për vdekjen e reales, më mirë do të thoshim për transmigrimin e reales në imagjinatë. Tërë jetën ka qenë kështu. Një fantazmë e tjetër bote. Pak enigmatik. Pak i zhytur në mitomani. Më 1972 më takon për herë të parë. Bisedojmë gjatë. Më thoshte: e di se një poezia ime është botuar në gazetën “New York Times”? E di, Sadik, se si shkruhet poezia? Ja: ra mbrëmja, ajo u shndërrua befas në një kalë. Një re u bë vjeshtë. Dhe ai i thoshte këto kaq seriozisht, sa të thoshje: jam a s’jam në rregull unë që i dëgjoj, se ai vetë as që dyshonte kurrën e kurrës në ato që thoshte. Edhe fizikish ishte penj-penj e i ligësht. Vetëm sytë e tij kishin një magnet namatisës si të magjistarëve. Me ata dhe me zërin e butë, grykor e përkëdhelës të shushaste.
Në burgun komunist ai do të ishte te “600-shat”. Quheshin kështu se u jepnin vetëm 600 gram bukë në ditë. Asgjë më shumë, veç supërave shplarovina nga ato me perime që nuk i hanin as derrat. Shteti harxhonte për ta! 600-shat kishin këtë dietë se ata nuk punonin. Ishin njerëz të rrënuar fizikisht. Ata mbaheshin në burg me synimin që mundësisht të zhdukeshin, të shuheshin. Me kohë këtij njeriu lëkura e verdhë i ngjitej pas kockave, veshët i bëheshin të hollë si letra e cigares, të tejdukshëm sa të shihje tej për tej tyre. Pa ndihmën e familjeve me ushqime, shumë nga këta 600-shat mbeteshin përgjithmonë aty brenda telave me gjemba.
Liria e pas 90-tës Fredin prapë e gjeti kontravers. Ai i hyri biznesit. Por fantazmagoria, ana më e gjallë se sa sensi i realitetit në trurin e tij, bëri që, pas një suksesi të shkurtër, të bjerë në shkatërrimin total. Ai i ngatërronte botët. Lehtësisht fantazinë e merrte për realitet. Dhe realitetin e pështirë të tranzicionit e thithte me të dy mushkëritë si fantazi. Kjo e fundit që e kishte ndihmuar në art, u hakmorr hidhur në biznes.
Vitet e fundit qenë të mundimshme dhe të dhimbshme si për askënd tjetër. Kurrë nuk pati një familje, një vatër të vetën. Kurrë nuk i zinte vendi vend. Të afërmve të tij mundet u solli telashe pa fund dhe pa anë. Ata pak miq që i pati afër gjer në ditët e fundit, thonë se ai, i sëmurë, po e dëshironte vdekjen.
Dhe ajo erdhi. Fredi, më së fundi, na iku përgjithmonë. Ky bohem i të dy kohëve: i asaj komuniste dhe i kësaj postkomuniste. Vetëm Shkodra e tij mund të na dhuronte një shije të tillë trillane e të harruar prej kohësh: bohemianën e poetëve
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top