Lulzim Basha dhe epiki i tij prezantuan programin ekonomik të Republikës së Re në Tiranë, me banorët e njësive 7 dhe 9.
Në fjalën e tij, Basha premtoi taksën e sheshtë 9%, 100 milionë euro para në dorë për fermerët, stazhe për 10 mijë të rinj, pensione minimale 250 mijë lekë të vjetra dhe ndihmë për pagesën e faturave të ujit dhe dritave për familjet në nevojë.
“1.5% e xhiros vjetore sipas vetëdeklarimit të biznesit të vogël do të jetë tavani i hekurt. Mbi këtë tavan nuk do të ngjitet askush. As qeveritar, as bashkiak. Ky tavan do të vendoset nga unë ditën e parë në zyrë. Biznesi i vogël në Tiranë i ka 7 deri në 10 fish më të larta taksat. Lloj lloj taksash e tarifash. Kjo do të marrë fund, 1.5% do të jetë maksimumi i taksës. Pulla fiskale do të vendoset në hyrje të biznesit dhe do ta pijë e zeza çdo tatimor dhe çdo inspektor që gjendet në ambjentet e biznesit që ka pullë fiskale. Subvencione për fermerët 100 milionë euro në vit. Subvencione për të gjitha ndërmarrjet që hapin vende pune. Kjo do të jetë paketa e Republikës së Re”, tha Basha.
Kryetari i demokratëve u shpreh se misioni i tij është që t’u japë shansin shqiptarëve siç e pati edhe ai në jetë.
/ Top Channel