Aristidh Kola:“Pak njerëz në Greqi nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas”

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
U mbushën tetë vite që nga 11 tetori i vitit 2000 ku në spitalin Evangjelizmos në Athinë vdiq arvanitasi i shquar Aristidh
Kola i cili rënkonte prej një muaj. Aristidh Kola ishte studiues, shkrimtar, publicist dhe ka botuar disa libra për çështjen e arvanitasve dhe të Kosovës. Ai gjatë viteve 1995-2000 ishte njëri nga zërat më të fuqishëm në Greqi që mbronte çështjen e Kosovës duke denoncuar masakrat serbe në shtypin grek.
Vdekja e Aristidh Kolës goditi zemrat e mijëra emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi. Ajo vdekje preku shpirtrat e arbëreshëve kudo që ndodhen. Një vdekje e parakohshme që mori jetën e historianit dhe studiuesit arvanitas, këtij avokati të çështjes shqiptare, që punoi për miqësinë dhe bashkëpunimin e popujve të Ballkanit. Pak ditë para se të vdiste kishte përfunduar në dorëshkrim librin “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indoeuropian”. Në këtë libër të fundit të tij, ai na sjell shumë të dhëna të rëndësishme, për periudhën parahistorike dhe kryesisht për paraardhësit e shqiptarëve, pellazgëve.
Për punën e tij në fushën e historisë dhe kulturës arvanitase, Aristidh Kola në vitin 1995 është dekoruar nga Kryetari i atëhershëm i shtetit shqiptar Sali Berisha me çmimin “Ismail Qemali” dhe, pas vdekjes, ish-Kryetari i shtetit shqiptar Rexhep Mejdani e nderoi me dekoratën e klasit të parë “Naim Frashëri”.
Në vitin 2004, Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi e nderon me ccertifikatë “Mirënjohje”, ndërsa Bashkia e qytetit të Skenderajt e shpalli “Qytetar Nderi”.
Kush është Aristidh Kola
Aristidh Kola lindi më 8 korrik të vitit 1944, në një fshat të banuar me arvanitas, Kaskaveli (sot Leondari) të rrethit të Tebës në Greqi. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes së tij pranë gjyshit dhe gjyshes që i mësuan gjuhën e vatrës, arvanitika (shqipen). Në vitin 1968, mbaron Fakultetin Juridik, duke vazhduar më vonë punën si avokat në Athinë. Mbas disa vitesh do të njihej me Nansin, e cila u bë gruaja e tij dhe do t’i dhuron dy fëmijë të mrekullueshëm, Poliksenin dhe Panajotin.
Në vitet 1980 Aristidhi e braktis profesionin e tij të avokatit për t’u marrë me studimet historike, folklorike dhe gjuhësore, të arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1983 do të anëtarësohej në shoqatën “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë” (Arvanitikos Syndesmos Elladas) dhe do të zgjidhet disa herë kryetar i saj. Në vitin 1983 do botonte librin e tij të parë me titull “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, një libër i ringjalljes së vetëdijes për arvanitasit në Greqi, që do të ribotohej edhe nëntë herë të tjera në gjuhën greke.
Në vitin 1985, ishte organizatori kryesor i koncertit të parë në Greqi me këngë arvanitase, ku me Dhimitër Lekën dhe këngëtarin Thanasi Moraitin, bënë të mundur nxjerrjen e diskut CD me këngë arvanitase. Në vitin 1989, boton librin “Gjuha e Perëndive”, dhe më 1995, Aristidhi themelon shtëpinë botuese “Thamiras”, me qëllim që të botojë veprat e autorëve arvanitas, por edhe të autorëve të tjerë shqiptar. Po atë vit do të botonte librin më të suksesshëm në gjuhën greke dhe shqipe “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”. Një libër që tregon për komplotet dhe masakrat ç’njerëzore serbe kundër kombeve të ish- Federatës Jugosllave dhe kryesisht të shqiptarëve. Në këtë libër Aristidh Kola do të paralajmëronte për masakrën që po përgatiste Millosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij kundër popullit shqiptar të Kosovës. Në vitin 1996, Aristidhi do jepte dorëheqjen si kryetar i “Lidhjes Arvanitase të Greqisë” për tu marrë vetëm me studimet pellazgjike, dhe në vitin 1997, do botonte i vetëm revistën tre mujore “Arvanon”. Ku në këtë revistë, ai merrte pjesë bashkë me shqiptarët e Kosovës në luftën e drejtë të tyre.
Me punën e tij të palodhshme, në ndihmë të çështjes shqiptare të Kosovës, ai informonte publikun e painformuar drejt grek, për dramën e dhimbshme që po kalonin shqiptarët në Kosovë. Për këtë shkak, akuza dhe “shigjeta me helm” do të hidheshin kundër tij.
Më 24 maj 2000, një ditë përpara prezantimit të librit të tij, kushtuar arbëreshit të njohur uratë Antonio Belushit, me titull “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, Aristidh Kola do të shtrohet urgjentisht në një spital të Athinës i sëmurë rëndë. Veprimtaria për prezantimin e librit të tij u bë pa të, pa frymëzuesin e atij takimi.
Kujtime me Aristidhin
Me Aristidh Kolën jam njohur nga afër në vitin 1998, në kohën e vështirë që po kalonte populli shqiptar i Kosovës. Më parë e njihja nga shkrimet e botuara nëpër faqet e shtypit shqiptar në fillimet e viteve 1990, rreth çështjeve të arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1998 botohet libri i tij i parë në gjuhën shqipe “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”.
Me këto njohuri, për këtë studiues dhe mbrojtës të çështjes shqiptare kisha shumë dëshirë të njihesha edhe nga afër. Disa miqve të mi që jetonin dhe punonin në Athinë u kërkova të më gjenin numrin e tij të telefonit. Dhe mbas një jave kisha numrin e Aristidhit. Më kujtohet ajo telefonata e parë, kur e mora dhe i fola në greqishten e çalë që e flisja unë atë vit, ndërsa ai më tha: “Shqiptar je ti? Më flit në gjuhën e mëmës”! Kështu midis nesh që nga ajo kohë do të lindte një miqësi. Do të shkëmbenim mendime të ndryshme për ngjarjet historike, për të shkuarën dhe të tanishmen që kishin lidhje me kombin e arbërit.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, mbi ish-Jugosllavinë, nëpër kanalet televizive greke filluan emisionet debatet për luftën në Kosovë. Atë, dhe shumë arvanitas të tjerë i shikonim të dilnin nëpër kanalet kryesore greke, për të informuar opinionin qytetar grek për të vërtetën e asaj që po ndodhte me popullin shqiptar të Kosovës. Në këto debate televizive ishin të ftuar deputetë, gazetarë, analistë, profesorë universiteti etj., grekë të cilët ishin rreshtuar për të mbrojtur Millosheviçin dhe regjimin e tij racist. Përballë këtyre intelektualëve grekë ishin emigrantë, studentët shqiptar, si dhe shumë intelektualë arvanitas të cilët mbronin të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Në mesin e këtyre intelektualëve arvanitas ishte rreshtuar edhe Aristidh Kola i cili në çdo mbrëmje mbronte nëpër kanalet televizive çështjen madhore të Kosovës. Kështu në këtë mënyrë Aristidhi jepte ndihmën e tij për luftën e drejtë të Kosovës. Shpeshherë ai brutalisht sulmohej me fjalë nga deputetët grek deri në akuza si “agjent i Shqipërisë, Amerikës dhe NATO-s”. U hodh shumë baltë mbi personalitetin e tij, por ai i gëlltiti të gjitha, për hir të së vërtetës. Duke ndjekur këto emisione dhe duke i njohur mirë skenarët greke u shqetësova shumë dhe e këshilloja Aristidhin që të mos shkonte më në ato emisione televizive sepse po rrezikonte shumë dhe se çështja e Kosovës tashmë ishte në duart e SHBA-ve. Por ai më butësi më tha: “dikush duhet të informojë opinionin grek për të vërtetën e Kosovës dhe dikush prej nesh duhet ta bëjë që të del e vërteta, për tragjedinë që po ndodh përpara syve të botës”. Ai ishte i vetëdijshëm, se kur shkruante nëpër gazeta dhe dilte në TV shkonte në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kishte marrë parasysh të gjitha dhe gjënë më të keqe...!
Me mbarimin e bombardimeve të NATO-s, Aristidhi më shprehu dëshirën se donte të vizitonte Kosovën e lirë. Donte të takonte miqtë e tij të vjetër që dikur i kishte takuar në Kosovën e robëruar. I premtova se do të shkonim bashkë, por dëshira e tij nuk u plotësua. Kosova e lirë mbeti ëndërr në zemrën e Aristidhit. Më 25 maj 2000, Aristidhi më ftoi për të marrë pjesë në prezantimin e librit të tij kushtuar arbëreshit të shquar papa Antonio Bellushit, libër ky në gjuhën greke, me titull “Antonio Bellushi dhe magjia e kulturës popullore”. Pavarësisht se unë jetoja larg Athinës, e kisha vendosur që në prezantimin e librit të mikut tim të isha i pranishëm. Më 22 maj më telefonon kushëriri i Aristidhit, Babis Malesis dhe më thotë: Aristidhi është shtruar urgjentisht në një nga Spitalet e Athinës. Ky lajm më preku shumë. Me të mbërritur më 25 maj në Athinë, shkoj në spital për të parë Aristidhin. Në katin e gjashtë, në sallonin kryesor të spitalit ishte i shtrirë në krevat i rrethuar nga të afërmit e familjes dhe miqtë e tij. Në korridor njerëzit qarkullonin rrëmujshëm, dera e ashensorit hapej e mbyllej dhe në këtë rrëmujë njerëzish ishte vendosur krevati i të sëmurit Aristidh Kola. A thua kaq i “vogël” ishte ky spital sa që nuk kishte dhomë ku të shtrihej pacienti?! Në ato çaste më kapi një ndjenjë trishtimi duke parë një ambient të tillë ku i sëmuri ishte nëpër këmbët e njerëzve që lëviznin. Sa më pa buzëqeshi, dhe më bëri shenjë që të afrohesha. Ishte takimi ynë i parë nga afër, dhe ky takim bëhej në sallonin e spitalit ku miku im dhe i gjithë shqiptarëve vuante në shtrat. U përqafuam dhe më tha: “Më vjen keq që po takohemi këtu”... Folëm gjatë, por më shumë më pyeti për Kosovën dhe gjendjen atje.
Aristidhi u thoshte njerëzve të familjes që të merrte pjesë në prezantimin e librit të tij, por grupi i mjekëve që ndiqnin shëndetin e tij kishin thënë në asnjë mënyrë të mos të dilte nga spitali. Kështu mbrëmja kulturore e librit të Aristidhit u bë pa autorin. Në atë mbrëmje kishin ardhur shumë njerëz të kulturës greke, italiane dhe shqiptare. Të gjithë i kishte mbledhur atë mbrëmje Aristidhi dhe të gjithë këta kishin midis tyre një gjë të përbashkët. Se rridhnin nga një fis, nga një gjak, nga gjaku i Skënderbeut, nga gjaku i Arbërisë.
Pas dy muajsh u takuam përsëri në qytetin e Selanikut ku unë punoja dhe jetoja. Ai bashkë me gruan dhe djalin Panon, kishin ardhur për të bërë kaluar pushimet verore në Kalkidhiki. Me të mbrritur në Selanik Aristidhi më kërkoj të takoheshim. U takuam në hotel FILIPI dhe në pamje të parë vërejta që përpara kisha një Aristidh të dobët, sëmundja e kishte rënduar shumë. Kuvendojmë për shëndetin e tij dhe në përgjithësi. Ishte shumë i sëmurë, në fytyrën e tij nuk vërehej më ëmbëltia e një njeriu të mirë dhe të dashur. Ai vetë e ndjente që nuk ishte mirë dhe nuk i kishte mbetur shumë jetë në këtë botë. Mundohej që të buzëqeshte, por buzëqeshja e tij ngrinte në mes nga dhimbjet që ndjente në trup. Pasi kuvenduam për dy orë, na ftoi të gjithëve si ishim për darkë. Na ftoi në një tavernë të bukur në lartësinë e Kalasë së Selanikut. Gjatë darkës kuvendonim për historinë, për Kosovën. Në një çast më thotë: “Këtë Selanik në vitin 1912 Pashai i ushtrisë turke që ja dhuroi grekëve, ishte shqiptar dhe varri i tij ndodhej dikur në varrezat e shqiptarëve që tashmë janë prishur nga Qeveria greke në vitin 1976”.
Pasi hëngrëm darkë Aristidhi më thotë: “Eja të më takosh në Kalkidhiki se të kam sjellë disa gjëra të bukura”.
Mbas tri ditëve, ditë e shtunë, më 19 gusht, marr rrugën për në qytetin bregdetar të Kalkidhikis. Shkoj në Hotelin ku pushonte miku im. Duke pirë kafe i them që do të dëshiroja të incizoja një bisedë të lirë me të. Ai pranoi me gjithë kënaqësi.
Më pas Aristidhi më sjell në sallonin e pritjes së hotelit një çantë të madhe me libra, revista, kalendarë, kaseta me këngë arvanitase. Ishte një arkiv e mirë me botime të arvanitasve të Greqisë që nga viti 1983 e deri në vitin 2000. U gëzova shumë. Nuk dija se si ta falënderoj. Ishte një arkiv i tëri origjinal dhe këto miku im Aristidh Kola mi besoi mua. Nuk e di se ç’e shtyu të më dhuronte këto gjëra me vlera historike për kombin shqiptar. Të nesërmen, e diel 20 gusht, Aristidhi më fton për darkë bashkë me konsullin e përgjithshëm të atëhershëm shqiptar në Selanik prof.dr. Nikolla Dhamo.
Ishte darka e fundit që haja me mikun tim, me njeriun që do më jepte forca për të vazhduar që të merrem me studimet historike për arvanitasit.. Mbas tri ditësh më 23 gusht, Aristidhi më njofton se nga ora 17.20 do nisej me tren për në Athinë dhe dëshironte të takoheshim. Nuk e lëshova këtë rast. Ulemi në një kafene pranë stacionit të trenit për të pritur orën e nisjes. Bëmë rreth dy orë bisedë të këndshme. Pasi treni jep sinjalin e nisjes ndahem me mikun tim dhe familjen e tij. Ai hipi në tren dhe unë e shoqëroja me sy deri sa u ul në kabinë. Ishte takimi i fundit, ishte ndarja nga njeriu i mirë që punoi për bashkëjetesën e të gjithë popujve të Ballkanit.
Me Aristidhin flisnim në telefon shpesh herë. Një ditë tetori më thotë se ishte shumë i sëmurë, dhe i paralizuar i tëri. Kur më tha këto fjalë më kapi një trishtim i thellë, mbeta i hutuar me telefonin në dorë. Nuk mund të besoja që po dëgjoja fjalët nga vetë ai se po shuhej. Më 12 tetor rreth orës 11 paradite më telefonon sekretarja e Aristidhit, Albana dhe më thotë: “Aristidhi vdiq mbrëmjen e 11 tetorit në orën 22.30 minuta”. Njerëzit e afërt të Aristidhit e prisnin që ai do vdiste. Sepse ai vuante nga një sëmundje që nuk kishte shërim.
Për arsye të punës time nuk munda të isha në varrimin e miku tim, atë ditë të zezë tetori të vitit 2000, nuk munda atë ditë t’i jepja përshëndetjen e fundit vëllait tonë arvanitas. Kështu Aristidh Kola mbeti në kujtesën time i gjallë si atë ditë që biseduam në Selanik dhe u përshëndetëm në stacionin e trenit, ai për në Athinë e unë për të vazhduar rrugën për studimet historike të shqiptarëve të Greqisë, arvanitasit.
Kosova nderon Aristidh Kolën
Në Kosovë nga data 6 deri më 11 shator 2004 u zhvillua për herë të parë një Simpozium Shkencor me temë “Java e Kulturës Arvanite”. Ky aktivitet u projektua nga Ministria e Kulturës Departamenti i اështjeve Jorezidente e cila është përpjekur që brenda një jave t’iu afrojë publikut shqiptar në Kosovë sa më shumë fakte e vlera kulturore të arvanitasve. Në këtë Simpozium ishin të ftuar studiues nga Shqipëria, Greqia, Gjermania, Kosova, Turqia, për të diskutuar rreth kulturës arvanitase. Hapjen e akademisë përkujtimore, në katër vjetorin e vdekjes së Aristidh Kolës e bëri Ismet Hajrullahu, zyrtar i Departamentit të اështjes Jorezidence në Kosovë, i cila tha se: “Aristidh Kola ishte njëri nga ideologët dhe frymëzuesit që ngjalli arvanitët dhe me veprat e tij si “Greqia në kurthin serbëve të Milosheviçit”, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indoeuropian”, etj., bënë që arvanitasit të kuptojnë se janë të një trungu shumë të lashtë madje më të lashtë se grekët”.
Në këtë akademi u mbajt një minutë heshtje për të nderuar njeriun e madh, i cili punoi shumë për kulturën arvanitase, ndërsa më pas u shfaq filmi dokumentar “Rrënjët e mija janë tek Arbëria” përgatitur nga Lirio Nushi, kushtuar jetës dhe veprës së studiuesit Aristidh Kola që ngjalli emocione te të pranishmit. Filmi flet për guximin e madh të këtij heroi i cili përkrahu me guxim dhe kurajo përpara mediave greke, luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, për liri, demokraci dhe ngriti lart moralin dhe figurën e emigrantëve shqiptarë në Greqi duke propaganduar të vërtetën duke thënë se “ARVANITثT DHE SHQIPTARثT JANث VثLLEZثR”. Studiuesi arbëresh Antonio Belushi në këtë akademi u shpreh: “I madhi Kola është i pavdekshëm. Ai ndodhet shumë lartë në pavdekësi. Aristidh Kola një hero bashkëkohor nuk është një fjalë e rastit si një kompliment, por do të mbetet hero i vërtetë”. Më tej at Bellushi tha: Ministria e Kulturës ishte e detyruar për t’i shprehur publikisht këtë mirënjohje dhe zonja e tij Nansi që është e pranishme në Akademi gëzohet, sepse heroizmi i tij nuk ishte i mjerë”. Në fund të akademisë përkujtimore të Aristidh Kolës foli edhe zonja Kola e cila tha “Personaliteti i Aristidhit ka qenë i udhërrëfyesit dhe guximtarit, deri në fund të jetës. Ai iku nga jeta kur retë e zeza kishin filluar të iknin”.

G.shqiptare
 

Attachments

  • kadriroshidhearistidhkolia.jpg
    kadriroshidhearistidhkolia.jpg
    16 KB · Shikime: 9
Nje vidjo per biografine e hulmutuesit te paepur te historise se Arvanitasve.


http://vids.myspace.com/index.cfm?fuseaction=vids.individual&VideoID=50271805
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top