اohu Ismail Bej nga varri!

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Shkruan: Roland Qafoku
Kryeredaktor i Tirana Observer


Ismail Bej! Kur pas pak muajsh mbushen 90 vjet nga ikja jote nga kjo botë, po të nisim një letër. Në fakt nuk është parë e dëgjuar ti dërgosh letër një të vdekuri, po ç’ti bësh Ismail Bej. Ndodhin ca si shumë paudhësi këtej nga bota jonë dhe kur nuk gjejmë fjalë tu’a themi të paudhëve, po u drejtohemi të vdekurve.

Kjo është një letër që dërgohet për një të vdekur, por që u vlen më shumë të gjallëve. Një letër që ti sdo ta këndosh kurrë Ismail Bej, por të gjallëve ama do tua trazojë frymën. Do ti vërë ca në sedër, do tua përdredhë mendjen. Shpresojmë të ndodhë kështu, në ndodhtë e kundërta harram e paçin të gjithën.

Ismail Bej! Një gjë e tmerrshme ka ndodhur këtej botës së gjallë. Nja tetë shqiptarë që i thonë vetes pedagogë, profesorë apo dhaskalë si në kohën tuaj, në një nga ditët e fundit të korrikut, në një ditë kur universiteti nuk ka asnjë student nëpër këmbë, në një ditë kur të gjithë shullohen në plazh dhe që vetëm për shkollë nuk duan t’ia dinë, papritur e papandehur na kanë mbajtur një mbledhje, kanë ngritur përpjetë një karton dhe hop: Kanë votuar për heqjen e emrin tënd nga univesiteti i qytetit të Vlorës. Qytetit që ti linde, u rrite dhe bashkë me veten rrite edhe Shqipërinë si atë çast që përpara se të vdisje shkrove me një dorë duke u dridhur por me zemër gur “se nuk bëra pasuri t’ia lija trashëgim Shqipërisë, por po ju lë atdhe”.

Ne që të thirrëm për dekada babai i kombit, gati për një çast u shndërrove një hiç nga ca injorantë që emrin tënd e vënë në të njëjtin kandar me dëftesat e shkollës që i lëshojnë si shitësja e byrekëve. Dhe a e di Ismail Bej se çfarë argumenti të fortë kanë dhënë ata të tetë? Ja, po ta them unë: Ti nuk paskërke fare kontribut për arsimin shqiptar dhe më e çuditshmja fare: ky universitet është ndërkombëtarizuar aq shumë sa emri yt është shumë i vockël për t’i vendosur pas emrit Universitet.

Në fakt ty të mjaftonte vetëm ajo ngritje madhështore e flamurit në ballkonin e shtëpisë dykatëshe në Vlorë në atë 28 Nëntor për të të quajtur shqiptarin më me kontribut në historinë e shtetit shqiptar. Po ku duan t’ia dinë ata për kontribute kësillojësh.

Këtyre profesorëve së paku do tu vinte turp nga vetja vetëm nëse do të lexonin jo shqiptarë, por historianin turk Nexhip Alpan se çthotë për ty. Në librin e tij historik Alpan nënvizon se Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871 pikërisht në zemër të Turqisë osmane se paraqiti nëpërmjet të tjerëve tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe. Apo kur më tej i njëjti historian turk shton se Ismail Qemali, edhe pse pjesë e administratës osmane mori pjesë në një mbledhje të rilindasve shqiptarë në Stamboll për të krijuar afabetin shqip. Po ç’rëndësi ka për ata tetë profesorë ky kontribut? Ata nuk e duan emrin tënd edhe pse historia shqiptare dhe turke është shkruar me fakte kokëfortë. Megjithatë ne themi se ti Ismail Bej nuk ishte thjesht një njeri i duhur në çastin e duhur.

Ata që të hoqën ty emrin nga universiteti nuk e dinë se historianët turq kur shkruajnë biografinë tënde, bri emrin tënd shënojnë këto cilësi: vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar. Nuk e dinë se historianët turq shkruajnë se gjyshi yt ishte kushëriri i Ali Pashë Tepelënës dhe luftoi kundër grekëve për të mbrojtur Shqipërinë jugore.
Nuk e dinë se gjyshin tënd të cilit ti i kishe ngjallur emrin e kishin syrgjynosur grekët pse luftonte për pavarësinë e Shqipërisë kur shumica e shqiptarëve në atë kohë nuk e dinte se çdo të thoshte shtet dhe pavarësi.

Nuk e dinë se historianët turq përsëri shkruajnë se ti njihje shkëlyeshëm greqishten e vjetër, latinishten, italishten, frëngjishten, osmanllishten turqishten dhe natyrisht edhe shqipen me të cilën fole atë 28 Nëntor të bekuar. Nuk e dimë sa nga këto gjuhë dinë ata profesorë që votuan për ty. Por dimë me siguri që gjuha jote e folur një shekull më parë është shumë e bukur se e tyre.
Nuk e dinë se karrierën ti Ismail Bej e nise si përkhyes në ministrinë e jashtme turke por që diplomacia jote sishte vënë në shërbim të çështjes shqiptare.

Nuk e dinë se po këta historianë turqë shkruajnë se që në 1865 nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisisë duke krijuar një klub në Stamboll bashkë me Konstandin Kristoforidhin.

Nuk e dinë që për këtë arsye oborri perandorak e dërgoi nënprefekt në Bullgari.

Nuk e dinë se për cilësi shumë të veçantë ti Ismail Be u emërove sekretar i përgjitshëm i ministrisë së jashtme turke.

Nuk e dinë se pikërisht duke shfrytëzuar dhe mbajtur këtë detyrë hartove projektin e një Shqipërie të pavarur dhe ky dokument ku u zbulua bëri që ty të internonin në Kytaha të Turqisë.

Nuk e dinë as kur të shpunë vali në Siri dhe ti ishe homolog me Vaso pashë Shkodranin që në atë kohë ishte vali në Liban

Nuk e dinë se vetëm për këto cilësi arriti të emërohet si këshilltar diplomatik i sulltanit dhe këtu shfrytëzoi rastin për të propozuar ndërtimin e hekurudhës Durrës-Stamboll. Ismail Bej, ne edhe sot pas 100 vjetësh nuk e kemi këtë hekurudhë.

Nuk e dinë as kur u emërove vali i përgjithshëm i Libisë por që nga Tripoli shkove në Evropë për të punuar për pavarësisë e Shqipërinë.

As kur u zgjodhe deputet dhe në parlamentin turk mbajë fjalime të mençura për reformimin e shtetit turk që do të sillte edhe ndërtimin e Shqipërisë.
As kur më 28 Nëntor të vitit 1912 shpalle Shqipërinë e pavarur. As kur u dorëhoqë si shkak i luftës së parë ballkanike. As kur u detyrove të largohesh në Itali si një i syrgjunosur.

Nuk e dinë as edhe një fakt që u zbulua pas një shekulli dhe po nga historiani turk Alpan që ditëlindja e tij e saktë është më 16 tetor 1846 dhe duke qenë se edhe diktatori Enver Hoxha kishte lindur në këtë ditë ajo është mbajtur e fshehtë. Po si mund të festohej ditëlindja e çdokujt që mund të ishte, pikërisht ditën që lindi Enveri?

Nuk e dinë as që vdekja jote ka ardhur si pasojë e një helmimi në ushqim vetëm pak minuta përpara një konference duke lënë pas misteret që shoqërojnë të gjithë burrat e shtetit shqiptar. Në mos i kanë vrarë, i kanë helmuar i kanë tradhëtuar, një herë të vetme duhet tua kenë hequr emrin, varrin, apo dhe eshtrat duke mos i lënë rehat në të gjallë e në të vdekur.

Po çfarë është kjo Ismail Bej? Zhgënjim për Shqipërinë dhe shqiptarëve që ua le me amanet? Jo Ismail Bej, ky nuk është zhgënjim. Zhgënjim për mua është kur kombëtarja e Shqipërisë humbet në futboll pas një loje të mirë kundër Turqisë. Ky Ismail Bej është thjesht papërgjegjshmëri e kohës që po kalojmë. ثshtë një megaturp, për ata që ngritën kartonat, për ata që hodhën firmën, por edhe për ne nëse do të lejojmë një maskarallëk të tillë. Që ngjan me atë justifikimin e nipit tënd Eqrem Bej Vlorës që kur bënte ndonjë gabim thoshte se për të mos më ngrënë, duhet të ulërija bashkë me ujqërit.

Emri yt është po aq i lartë, po aq i madh sa dhe vetë jeta jote. Ti ishe dhe mbetesh babai i kombit tonë dhe emri yt është në majë të historisë së Shqipërisë sado që ca profesorucë ta heqin nga balli i godinës së një universiteti që vlerën më të madhe që kishte ishte emri yt. Nëse ata që duan ta çojnë deri në fund heqjen e emrin tënd, na mbetet vetëm një gjë: të lutemi që Zoti të prishë rregullin njerëzor. Që ti Ismal Bej të çohesh nga varri. Pastaj ti e di vetë se ç’bën.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top