Akuzat e Dervish Himës për Gurakuqin, Currin e Topullin

Sweetie

Anëtar i Respektuar
Një kartë postale e Dervish Himës dërguar nga Brukseli më 8 nëntor të vitit 1907 Nikolla Ivanajt, hedh dritë mbi marrëdhëniet mes atdhetarëve më në zë të kohës. Patrioti nga Ohri, Hima, i njohur ndryshe edhe me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, duket se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Bajo Topullin, Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin. Në fakt, në letrën që po botojmë me faksimile, Topulli e Curri shkruhen vetëm si emra, ndërsa Gurakuqi përmendet vetëm me mbiemër. Mes radhëve përmendet edhe Faiku, pa u sqaruar nëse bëhet fjalë për Konicën, ashtu sikundër mund të mendohet. Dokumenti në fjalë është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 44, dosja 21, fleta 92), ndërsa kartela orientuese e institucionit sqaron me këto fjali përmbajtjen dhe domethënien e letrës: Kartë postale e Dervish Himës dërguar Nikolla Ivanajt, ku ndër të tjera bën akuza kundrejt elementëve demokratë, si Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, dhe kërkon të dijë ku ndodhet Hilë Mosi.

Një tjetër letër tek e cila mund të ndalemi, është ajo e Gurakuqit për Jani Vruhon. Ish-ministri i Arsimit e firmëtari i deklaratës së Pavarësisë, shkruan se është treguar pak i rreptë me Abdyl Ypin (atdhetar, pjesë e Kongresit të Manastirit). Kjo letër, faksimile të së cilës po botojmë, është marrë në Arkivin e Shtetit (Fondi 22m, dosja 7/1, fleta 192).

2niqvrr.jpg


Letra e Dervish Himës për Nikolla Ivanajn

Bruxelles më 8/XI/07
I dashur vëlla
Mora postëkartën tane dhe u gëzuash shumë.
Bajo (ghinet? e palexueshme mbase gjindet-gjendet në kuptimin është) në Napoli dhe pagon odën 7 ½ për ditën. (Ai?) më shkruan andej ky neri asht pa turp e i prishur mendsh.
Faiku ka shkruar dhe ka për të shkruar keq.
Tash për tash, nuk du me i shkru as keq as mir për atë nerin dhe aq për Gurakuqin.
Bajrami mëson italishten për me kuvenu ma mir në galerin Humberto I në Napoli me grat e udhës.
Do të jetë fort mir për këtë nerin le të këput qafën dhe le të hyn në Shqypnin.
Në Shcypni asht digjuar se ky neri harxon të hollat me (theatre?) dhe …
Në vend që të dalë nami i keq në Shcypëni asht fort mir me i dal shpirti.
Shkruaj mua, kush ky Nicolla Laco.
L’Albanie ka për të dal me 60 face po po (prit?) të holla prej (shtëpie?). Kam shkruar ghërra të pëlcyeshme.
Ah! Or vëlla lypset ce të picemi në herë. Po shicioj se je neri energique dhe i punës.
(Yti, Dervish. Hil Mosi ku asht?)

Letra e Gurakuqit nga Nica e Francës për Jani Vruhon në Egjipt

Nicë, më 8/7/1912
I dashur zoti Vruho!
Ka shumë kohë që nukë jemi shkruar, po të më besoni se kam mbajtur kurdoherë, një kujtim t’ëmbël për juve, sidmos ngaqë ju kuptonj nga shkrimet për një atdhetar të flaktë, të drejtë, zëmrëhaptë, ashtu si duhet të jenë sot shqipëtarët.
Mund të kuptoni pra sa e pëlqyeshme, m’erdhi karta juajë me përgëzimet për letrën e hapurë që bëra Abdyl bej Ypit, për të cilën edhe shumë të tjerë më kanë rrëfyer kënaqësiën e tyre.
Ndofta u tregova tepër i ashpër, por nuk mund t’u përmbajta më, e shkrova si shkrova.
Do t’a keni kënduar edhe tjatrin artikull tim të nënshkruar Lek Gruda, sot dërgova një të tretë nën titullin “Shkatërrimi i Turqiës”.
Nesër do të nisem për Geneve ku kemi mbledhje e pastaj, do të vete të zë vendin tim pranë kryengritësvet që mbajta për pesë muaj vitin që shkoi.
Të fala juve, Tashkos (e pakuptueshme) e miqvet. /strugalajm
 
Titulli: Akuzat e Dervish Himës për Gurakuqin, Currin e Topullin

Perjudha mjaft delikate per intelektualet shqiptare te asaj kohe. Duket sikur shqiponja ka dy koka ne flamure pikerishte per se jemi te perqare, Ku secili mbron me fanatizem radikal krahun nga shikon secila koke e kesaj shqiponje. Njeri nga perendimi, tjetri nga lindja.
Edhe sot, sikur koha eshte ndalur ne fillim te shek. 19.

----------------
Dervish Hima (Ibrahim Naxhi) (1875-1928)

Dervish Hima është veprimtar e publicist i dalluar i Rilindjes Kombëtare. Lindi në Ohër në vitin 1875, ku kreu edhe shkollimin fillor, ndërsa të mesmen e vijoi në Selanik. Hyri në shkollën e lartë mjekësore-ushtarake të Stambollit, të cilën për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane e ndërpreu pas dy vitesh. Veprimtaria atdhetare te Dervish Hima gërshetohej në një të vetme me mendimin politik përparimtar.

Hyri në historinë e kombit shqiptar si një nga mendimtarët më të dalluar të Rilindjes, që la pas një trashëgimi politike e kulturore nga më të rrallat e kohës së tij për nga pasuria e sajë dhe me një vlerë të veçantë për njohjen e epokës së Rilindjes dhe të vetë jetës e të kontribuitit të tij në këtë lëvizje të madhe politike të popullit shqiptar (Shkruan Kristaq Prifti në librin “Dervish Hima”, Tiranë, 1993 f.6)

Dervish Hima fshehurazi në vitin 1895 u këthye në Shqipëri ku punoi për të përhapur idetë kombëtare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Më 1897, ai largohet nga Shqipëria dhe shkon në Bukuresht ku iu kushtua tërësisht Lëvizjes ombëtare Shqiptare.

Personalisht Dervish Hima, i veshur me uniformën e udhërrëfyesit e klerikut të bektashizmit, do të merrte fshehurazi libra nga Sofja e Konstanca, për t’i shpërndarë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Ohër.

Në rrugën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ai ka qënë dhe mbetet ndër luftëtarët sypatrembur të radhëve të para . Nga një rrugërrëfyes i sektit bektashian, ai u këthye në udhërrëfyes dhe prijës i lirisë kombëtare. Kudo që shkelte këmba e tij në çdo vatër apo kullë, prej Tetove e deri në Dibër e Pogradec dukej se zemrat e shqiptarëve mbusheshin me më tepër shpresë. Nga se veprimtaria e tij ishte shumë e gjërë në fund të vitit 1910, konsulli A.H në Manastir njoftonte Vijenën se: “Dervish Hima, ky organizator i jashtëzakonshëm i zgjuar dhe konspirator profesionist po i organizon mjaft mirë komitetet e fshehura të shqiptarëve”.

Në ditët historike të nëntorit të vitit 1912, kur Ismail Qemal bej Vlora dhe atdhetarët tjerë shqiptar, pavarësisht nga vështërsitë e kohës e pengesat që nxorrën ushtritë osmane dhe pushtuesit e rinjë sërb, malazez e grek, ai bashkë me shokë po shkonin me shpejtësi drejtë Vlorës dhe Dervish Hima po nxitonte drejt atdheut për të marrë pjesë në aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë.

Gjatë bisedës që ai ka zhvilluame ambasadorin austriak në Stamboll, Palaviçinin, më 19 nëntor të vitit 1912, Dervish Hima ka theksuar se: “ Sado që një pjesë e intelektualëve shqiptar mendonin që ende Shqipëria të mbetej si shtet autonom, brënda kuadrit të Perandorisë osmane, shumica e atdhetarëve është për shkëputjen e sajë të plotë nga Turqia dhe për formimin e një Shqipërie të pavarur”(Shkruan Kristaq Prifti në “Dervish Hima”, f.331).

Dervish Hima ishte zgjedhur delegate i Ohrit e Strugës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Pas mbërritjes së I. Qemalit në Vlorë më 25 nëntor, në mesin e delegatëve që priteshin të vinin nga çasti në cast ishte edhe Dervish Hima. Mirëpo, sipas të dhënave të shtypit, ai nuk arriti në Vlorë në ditën e shënuar të Shpalljes së Pavarësisë. Në kushtet kur Kosova dhe viset lindore të Shqipërisë ishin pushtuar nga forcat serbe, Dervish Hima nuk mund të këthehej në Shqipëri pos rrugës nëpër Triestë. Prandaj, nga Stambolli shkoi në Vienë dhe sipas të gjitha gjasave, Shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, ate e ka gjetur aty.
/pjese nga nje artikull ne ina

Në takimet që Dervish Hima pati në Vienë me përfaqsuesit e Ministrisë së punëve të jashtme, shprehu edhe një herë mendimet e tija për të ardhmen e Shqipërisë. Ambasadori Italian në Vienë, i shkruante Romës zyrtare se në këto biseda, Dervish Hima kishte këmbëngulur që Shqipëria të përfshinte në kufijtë e sajë të gjitha viset shqiptare dhe të mos i jepej Serbisë asnjë port detar në bregdetin shqiptar.
Shtetin e ri shqiptar ai e mendonte krejtësisht të pavarur dhe kërkonte që të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrje e jashtme e huaj.

Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1912 niset nga Viena për në Triestë ku priti disa ditë derisa të gjej vapor për në Shqipëri. Në një kart postale që I dërgonte Dr.Ibrahim Temos më 13 dhjetor 1912, ai shkruante se pasi nuk kishte vapor për në Shqipëri, ai përsëri do të këthehej në Vienë.

Dervish Hima vdiq në Tiranë, më 21 maj të vitit 1928, në moshën 56 vjeçare. U varros në varrezat e “Bamit” me nderime të mëdha nga miqët e shumtë dhe qytetar të Tiranës e më gjërë.
/pjese nga nje artikull ne ina
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top