A e shfryjmë dot tullumbacin e shqiptarizmës?

Eda Derhemi
Studjuese, publiciste


1_2473.jpg


Temperatura jonë patriotike po rritet me ditë, ca nga brenda Shqipërie e ca nga emigrantët jashtë saj (jemi gjysmë për gjysmë tani, apo jo?). Them temperature (figurë në modë sot), sepse në fakt patriotizmi siç e kemi, përjetohet si një sëmundje e mendjes. Entuziazmi i shfaqur në shpalosje flamurësh jocelebrues, brohoritje vetëlëvdake apo thirrje për lëvizje kufijsh, bëjnë të kakarisen pulat, sepse nuk kanë të prapme ku të rrinë në Shqipërinë tonë. E vërteta e gjendjes sonë nuk ka faqe të krenohet, dhe ne këtë e dimë më mirë se kushdo. Ndoshta edhe prandaj hidhemi me kaq zell në rrjetën e merimangës patriotike. Ne jemi ndër vendet me korrupsion më të lartë, me varfëri më të thellë, pa shumëçka për t’u krenuar si arritje shkencore, sportive, artistike të grupit etj. (pa mohuar individë tek-tuk që me “patriotizmin” tonë pak lidhje kanë), dhe sidomos pa asnjë mekanizëm shoqëror, ligjor e politik ndreqës apo vetë-ndreqës në hapësirën që të kap imagjinata. Të këqiat e hallet e shumta na lidhin bashkë, por për to nuk mund të krenohesh, së paku në këtë shekull t’ri. Tiparet e tjera të përbashkëta me të cilat krenohen patriotët, janë fort të manipuluara e të manipulueshme. Me to të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm. E para gjë është që secili të përpiqet të kuptojë konkretisht e rast për rast, çdo të thotë të jesh patriot, për individin e për shoqërinë ku jetojmë. Nëse ka arsye për ta pasur, përse të mos e kemi. Por kjo analizë rast për rast e përdorimit të fjalës, do na mbronte nga “ndërgjegja false”, patriotizmi bosh, pikërisht ai që unë mendoj se po lulëzon sot: patriotizëm në kuptimin e turrjes së paarsyeshme në një vaskë trushpëlarjeje që të ngre për pak adrenalinën ose vetëvlerësimin, në kuptimin e pretendimit se ke vlera që s’i ke në fakt, apo të urrejtjes për tjetrin, të besimit në Shqipërinë–grua (mëmëdhe), apo -burrë (atdhe), të cilëve u mbron trupin, u mjekon e shëndosh gjymtyrët, e u falesh ditë e natë… ose bën sikur, kur ta do puna.

‘Patriot’ dhe ‘patriotizëm’ nuk janë terma të rinj, dhe në periudha e hapësira të ndryshme historike janë përdorur e kanë funksionuar për qëllime të ndryshme, në mënyra të ndryshme, e kanë marrë ngarkesa të ndryshme etike, herë-herë edhe duke krijuar kundërvënie oportune gënjeshtare dhe të papërkufizueshme si ajo patriot-nacionalist. Sidoqoftë, ajo çka “patriotizmat” e ndërtuar shoqërisht kanë ndarë mes tyre historikisht, është të qenët pjella të manipulimit publik për interesa të grupeve në fuqi, interesa herë të nevojshëm e me pasoja pozitive për momentin, herë shkatërrues… në fakt, më shpesh e shumë më shpesh, shkatërrues. Ndaj do thoja që nuk ka vlerë të pozicionohemi si kundërshtarë, ca si atdhetarë të thekur e ca si tradhtarë të kombit, por të kuptojmë e analizojmë se përse jemi çfarë jemi. Kështu mund të na dalë se ca që ka vjet që tundin flamurin e atdhetarisë, në fakt nuk janë aspak patriotë; e ca të tjerë, që nuk i bien gjoksit e nuk krenohen me shqiptarinë e vet, por punojnë me ndershmëri, nuk bëjnë dallavere dhe bëjnë detyrën e qytetarit, besojnë e përpiqen se puna individuale e secilit, po u krye me etikë e cilësi, e bën më të mirë shoqërinë ku jetojmë, t’i bëjnë më mirë së tashmes e së ardhmes së shoqërisë sonë.

Nëse patriot do të thotë të të marrë malli për të folur shqip (kur s’je mes shqiptarësh), të duash të lexosh e të përdorësh gjuhën tënde, të kujdesesh që fëmijët të flasin gjuhën që i lejon të komunikojnë me gjyshët si dhe me historinë e vet, të gëzohesh kur sheh një përkthim të mirë në shqip e të hidhërohesh kur sheh një masakrim të origjinalit dhe të versionit të përkthyer, të ruash e zhvillosh kuzhinën kombëtare sepse beson në vlerat e saj për trupin dhe mendjen apo lidhjen e saj me natyrën e kulturën lokale, të gërmosh kritikshëm në historinë e shoqërisë dhe vendit tënd, e të bësh lidhjen e historisë sate me atë të fqinjëve dhe botës, të kthehesh në lagjen apo fshatin ku ke kaluar fëmijërinë, të takosh me dashuri miq të vjetër e të tjera dëshira të ngjashme… them se nuk ka asnjë problem të jesh patriot me këto cilësi.

Në Shqipëri vërehen dy prirje kryesore vitet e fundit: njëra që përpiqet të zgjojë e ndërtojë një ideologji “patriotike” bazuar, të themi, në petulla me ujë, dhe tjetra që përpiqet ta dekonstruktojë të parën si boshe, të dëmshme dhe shenjë primitiviteti, por që shpesh merr fund duke e lëvizur vëmendjen e publikut, nga ideologjia që sulmohet tek personat që e sulmojnë atë, sikur të ishin ata bartësit e së keqes. Përpjekja e këtyre të fundit bëhet edhe më e paefektshme, sepse është e pambrojtur nga politika “patriotike” shqiptare, reflektuar me dominancë në mediat tona. S’ka gjë të keqe ta quash veten patriot, por duhet ta dish ç ‘kupton me të. Shumica e përdoruesve e kanë të vështirë ta përkufizojnë fjalën ‘patriot’ dhe e reduktojnë atë në fraza patetike të tipit “patriot është ai që do Shqipërinë”. اfarë do të thotë “do Shqipërinë”? Që lufton psh me korrupsionin kur e ndesh tek shefi, tek miku, tek kushëriri që Shqipëria të bëhet më e pastër? Që nuk pranon të kesh një të mirë që s’të takon, psh një punë që djali yt nuk di ta bëjë, por që mund ta ketë sepse ti njeh drejtorin? Që punon me ndershmëri e aq sa mundesh për një sistem më të mirë nesër? Që nuk lë kënd të të manipulojë nëpër zgjedhje e me mitingje? Që votën e hedh me etikë dhe përgjegjësi qytetare? Puna është të gjejmë se ç’do të thotë praktikisht kjo fjalë për secilin, në ç’praktika shoqërore do përkthehej ‘patriotizmi’ për individin dhe për grupin. Në fakt, më shpesh fjala përdoret si klishe dhe pa një kuptim të qartë; ose përdoret si mashë manipuluese nga lart.

Patriotizmi ynë i kohëve të sprasme ka dy faqe: një institucionale qeveritare (si në rastin kur administrata me fuqinë e vet zëvendëson diskursin “rruga e krimit financiar” me diskursin “rruga e kombit dhe e bashkimit shqiptar”); dhe një faqe tjetër që mëton institucionalizim e kërkon pushtet, që më parë ekzistonte si spontane dhe pa strukturë, nëpër Internet, ndërsa sot po organizohet nën Aleancën Kuq e Zi (diskursi themelor manipulues i saj ndërtohet mbi dy shtylla, “bashkimi kombëtar” e “ndalimi i elenizimit dhe sllavizimit të Shqipërisë”). Në këtë mënyrë Aleanca Kuq e Zi pretendon t’u japë dinjitet nga lart shqiptarëve. Konfliktet në dukje të ashpra mes patriotizmit me pushtet dhe atij ende pa pushtet, nuk janë me bazë parimore, por thjesht për mbrojtje e marrje karrigesh. Sidoqoftë, shqiptarët kanë pasur rast ta shohin vit pas viti se administrata jonë bëhet shumë aktive dhe protagoniste fervente mediatike e mitingore, sa herë është fjala për të organizuar turma për 28 nëntorin në Vlorë – një rast i përsosur ky për të shtuar numrin e votave marrë prej “patriotëve” poshtë në zgjedhjet e ardhshme. Por është e plogësht, anemike, ndoshta edhe antikombëtare, kur duhet mbrojtur dinjiteti i qytetarit shqiptar, kur është në diskutim integriteti ynë territorial, kur vihet në lojë shkollimi i rinisë sonë dhe punësimi i njerëzve, kur “dalin” pa faj hajdutët e kombit. (Ka shqiptar që s’është abuzuar së paku një herë nëpër pika kufitare? Ka shqiptar që s’ka parë buzëqeshjen e pashpresë të një të huaji dashamirës që e njeh këtë vend, kur zihet me gojë Shqipëria?) Këto janë rastet kur një administratë patriote (një e ndryshme as nuk duhet të ekzistonte, në fakt) duhet të tregonte patriotizëm, nëse do ishte patriote. Kjo rrugë, po, do mund t’u jepte dinjitetin e munguar shqiptarëve.

Ruth Wodak në librin e vet (botuar me një grup shkollarësh) “Ndërtimi diskursiv i identitetit kombëtar” (1999/2003) e shpjegon homogjenizimin ideologjik në emër të epitetit “kombëtar”, si të kryer nëpërmjet fryrjes së një a disa tipareve që vihen në bazë të “individualitetit kombëtar” apo “veçantisë kombëtare”, së cilës pastaj i thuren laved. Kjo veçanti kombëtare, sipas Wodak-ut, përdoret për të kompensuar për nevojën e parealizuar të veçantisë apo origjinalitetit të vetë individëve, që kështu së paku krenohen me veçantitë e tyre si komb (national uniqueness … compensates for the unfulfilled need for individual uniqueness). Wodak citon Arthur Schopenhauer-in për të njëjtën çështje: “Tipi më i pakushtueshëm i krenarisë, është krenaria kombëtare, sepse në fakt ajo vetëm tregon se personi i infektuar prej saj, nuk ka karakteristika individuale që ta bëjnë krenar, ndaj edhe rend pas karakteristikave që ndan me miliona njerëz. Ai që ka karakteristika personale kuptimplota, e ka të thjeshtë t’i shohë qartë problemet e kombit të vet, dhe është në gjendje t’i dallojë ato në çdo çast. Por, çdo mjeran që s’ka asgjë tjetër në botë ku të kapet, zgjatet drejt shpresës së fundit, krenarisë për kombin të cilit i takon; kjo e bën të ndihet pak më mirë, dhe, me përgjërim mirënjohës, mbron me thonj e me dhëmbë gjithë problemet dhe marrëzitë e kombit të vet.” (f. 27)

Kjo që këta autorë më lart thonë, nuk ka arsye pse të shihet as kjo si dogmë. Por besoj se është një arsye më shumë që të analizojmë se përse i themi vetes patriotë, nëse i themi kështu? اfarë do të thotë në të vërtetë kjo fjalë për shqiptarët? Patriotit shqiptar ose i vjen keq për veten në modën e viktimizmit ballkanas, dhe kështu justifikon situatën e keqe ku është duke ia hedhur fajin së shkuarës (sikur ajo të qe një agjent që vepron jashtë dhe pa lidhje me shoqërinë) dhe të tjerëve; ose i thur ditirambe vetes në mënyra tipike deluzionale. Shembuj të së parës janë: “turku na la mbrapa, prandaj jemi sot kështu si jemi”, “serbi e greku na kanë halë në sy, dhe halë në sy do t’u bëhemi”, “ne jemi më fatkëqijtë në Europë, sepse patëm komunizmin më të egër, ndaj jemi më mbrapa”; për të dytën disa shembuj janë: “ne jemi kërthiza e botës, dhe nga gjuha jonë rrjedhin gjithë të tjerat”, “shqiptarët janë racë e veçantë”, “shqiptarët janë më të zgjuar se popujt e tjerë”, “tradita jonë, kuzhina jonë, morali ynë, mënyrat tona … janë superiore dhe të të tjerëve janë inferiore ose të pështira” etj. ثshtë afër mendjes që asnjëra prej këtyre prirjeve nuk është konstruktive dhe as racionale.

Le të marrim për shembull krenarinë tonë të madhe se shqipja është gjuha më e vjetër në botë. Pa dyshim që dashuria për gjuhën është e ligjshme, sepse është dashuri për jetën, për idetë, për veten, për traditën, për historinë, për potencialin e trurit njerëzor, për gjithçka që ekziston sepse shprehet. Por kjo vjetërsia e gjuhës (edhe unë pa dyshim besoj që shqipja të jetë një gjuhë shumë e vjetër evropiane) nuk mund të jetë çështje krenarie, ose alibi për të mos parë llumin ku dergjemi si popull; dhe sidomos nuk duhet tundur si flamur antishkencor kundër grekut e serbit, por u duhet lënë gjuhëtarëve e historianëve të bëjnë punën e vet. Të marrim idenë e bashkimit të gjithë shqiptarëve ndarë historikisht në copa nga kapriçot, interesat e rastësitë, një tjetër tezë e abuzuar keqasi nga patriotët e politikës shqiptare. Personalisht jam për vetëvendosjen, dhe nuk shoh të keqe në bashkimin e trevave banuar nga shqiptarë, nëse ky proces do ish i vullnetshëm e në interes të të gjitha palëve, i kryer natyrshëm, pa forcë e me ide të qarta për të ardhmen; por ngritja e tij seriozisht sot në Ballkan është klithmë lufte, dhe lufte pa shkak. Nga sa shoh në realitet, e lexoj nëpër reagimet nëpër sitet online, sesi shqiptarët e Shqipërisë u hedhin shigjeta të hidhura e romuze fyese atyre të Kosovës, labi tropojanit etj, aspak më të ëmbla se ato ndaj serbëve e grekëve më lart, është absurd edhe vetëm diskutimi i bashkimeve të tilla të krisura, edhe sikur të kishim uratën e OKB-së vetë. Ne e ngremë këtë idenë e bashkimit, jo me mend në kokë apo sepse vërtetë grupet e ndryshme kanë ardhur natyrshëm drejt njëri-tjetrit nëpërmjet marrëdhënieve kulturore apo ekonomike e politike, por si një klishe e retorikë boshe që bazohet mbi idenë e viktimizimit ose të dëshirës për t’u bërë i madh e për t’i treguar vendin tjetrit të urryer. Këto ndjesi agresive e shoviniste, e poza retorike, na bëjnë të dukemi qenie infantile që nuk rriten kurrë, xhingoistë (jingoism) pa koqe, quajna edhe patriotë po deshe. Dhe në fakt, ideologji të tilla nuk lindin pa dashje, por nga synime të qarta për pushtet.

Pra, “patriot”? Pse jo? ثshtë thjesht çështje fjale drejtuese (për fat të keq që të mobilizojë, ajo do manipulojë)… por i vetmi patriotizëm me vlerë konstruktive sot, do ishte ai që kalon nëpërmjet njohjes, shqyrtimit kritik, e që bëhet në emër të ndërtimit të diçkaje reale dhe që na e përmirëson jetën si individë dhe si grup. Patriotizmi, nëse do jetë patjetër, më mirë të jetë diçka me brumë, që e kuptojmë, e shohim, dhe krijon progres racional e të matshëm, dhe jo një tjetër dogmë e makinë për skllavërim të ri të mendjeve të lodhura e të dëshpëruara. Mos iu bind atij që të jep në dorë flamurin kuq e zi që ta tundësh, se, sado fort ta tundësh, është e një tjetër natyre puna që të mban gjallë. Nëse nuk është jeta e përditshme që të bën qenie morale, ndërtuese e të jep dinjitet njerëzor, patriotizmi i bazuar në arkelogjitë popullore gjuhësore, në sulmet prej e ndaj tjetrit, nuk të shëpton nga e keqja. Në fakt, ai është një vërë në ujë për ty, me potencial vetëm negativ si teori dhe si praktikë.


Nuk shkruaj këtu për rastin e patriotizmit ndër shqiptarët e Kosovës apo Maqedonisë. Besoj se edhe në këto raste, patriotizmi sot është një vegël politike manipuluese e parive. Por duhet thënë se në këto vende rritja historike e shqiptarizmës është kryer nga poshtë, natyrshëm dhe nën presionin real të zhdukjes kulturore dhe madje edhe fizike, si dhe ka luajtur rolin e një rregulluesi social e psikologjik mbrojtës. Edhe sikur kushtet diskriminuese ndër ta t’i takonin definitivisht së shkuarës, patriotizmi kolektiv do ishte një zgjatim inercor legjitim i së shkuarës së afërt e do duhej të interpretohej ndryshe nga rasti i Shqipërisë, ku, së paku që pas اlirimit, patriotizmi fryhet nga lart dhe nuk ka vlerë tjetër veç mbrojtjes së karrigeve pushtetare. Sa për lëvizjen e grupit kosovar Vetëvendosje të cilin unë e kuptoj dhe e mbështes, për mua personalisht ajo është një lëvizje për pavarësimin e institucioneve kosovare, për dinjitetin e qytetarit dhe shtetit, dhe kundër korrupsionit ngritur në sistem (të gjitha këto, probleme që ulërasin në realitetin Kosovar). Quajeni edhe “patriote” po deshët këtë lëvizje që i del kundër shkeljes që Serbia zyrtare u bën ende kosovarëve, mbështetur nga heshtja e institucioneve kosovare e ndërkombëtare.

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top