1952: Shqipëria në dokumentet sekrete të CIA-s

Lauri

Anunnak
Fondit të pasur të Arkivit Qendror të Shtetit i është shtuar prej disa kohësh edhe një material tepër interesant, i cili përbëhet nga raporte analitike të Cia-s për Shqipërinë gjatë një periudhe të caktuar të Luftës së Ftohtë.Ky material,i cili mund të cilësohet më saktë si përmbledhje kopjesh dokumentesh sekrete të Cia-s për Shqipërinë dhe Luftën e Ftohtë,është bërë pjesë e pasurisë dokumentare të AQSH-së në vitin 2005,pak kohë pasi ai ishte deklasifikuar nga autoritetet përkatëse amerikane.Materiali është i përbërë gjerësisht nga raporte periodike të Cia-s,tërësisht të karakterit analitik,mbi Shqipërinë dhe impaktin e saj në Luftën e Ftohtë.Duke qenë kjo një temë tejet intriguese,kryesisht për faktin e daljes në dritë në mënyrë graduale të dokumenteve të një natyre të tillë,jo vetëm nga arkivat e Cia-s por edhe nga arkivat e ish vendeve komuniste,botuesit amerikanë të këtij materiali inkurajojnë bashkëpunime të këtij niveli me arkivistët dhe historianët shqiptarë,në mënyrë që të hidhet dritë sa më shumë mbi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.Midis shumë raportesh interesante, kam zgjedhur të përkthej një dokument të përcaktuar që në krye si “vlerësim i veçantë”,i cili i referohet pasojave të një përmbysjeje të mundshme të regjimit të atëhershëm komunist në Shqipëri,kryesisht në planin ndërkombëtar.Dokumenti mban si datë publikimi 30 dhjetorin e vitit 1952.Duhet theksuar që në raportin e perbere prej 18 pikash,mungojne pikat 15 dhe 16,nukMë poshtë po vijojmë me përkthimin e tij,duke synuar padyshim botime përkthimesh të tjera në të ardhmen.

Pasojat e një orvajtjeje për të përmbysur regjimin aktual në Shqipëri

Problemi: Vlerësimi i pasojave të një orvajtjeje për të përmbysur regjimin aktual nëpërmjet një grushti shteti

Vlerësimi

Situata aktuale

1. Në Shqipëri ka pakënaqësi në masë të gjerë ndaj regjimit aktual.Edhe brenda vetë qeverisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare ekziston një humbje besimi në terma afatgjatë të regjimit,si dhe një ndjenjë në rritje e pasigurisë personale.

2. Aktiviteti i rezistencës në Shqipëri është shtuar gjatë vitit të kaluar,pjesërisht si rezultat i aktivitetit në rritje nga elementët e emigruar,disa prej të cilëve të mbështetur nga qeveritë perëndimore.Zërat dhe raportet për plane përmbysjeje të regjimit të Hoxhës kanë qarkulluar gjerësisht.Pjesa më e madhe e shërbimeve të inteligjencës europiane,përfshirë ato të BRSS dhe Shqipërisë,janë të ndërgjegjshëm për lidhjet e emigrantëve me qeveritë përëndimore dhe me shumë mundësi besojnë që është në zhvillim e sipër ndonjë lloj plani për përmbysjen e regjimit të Hoxhës.

3. Si liderët aktualë të BRSS ashtu edhe ata shqiptarë,kanë treguar ndjeshmëri dhe shqetësim mbi këtë situatë dhe kanë akuzuar publikisht Perëndimin,veçanërisht Shtetet e Bashkuara,për “organizim provokimesh” kundër Shqipërisë.

4.BRSS dëshiron ta mbajë Shqipërinë brenda Bllokut Sovjetik thuajse me siguri,edhe pse ajo përbën një përgjegjësi ekonomike dhe një avampost të izoluar.Humbja e Shqipërisë do ta dëmtonte prestigjin Sovjetik dhe do të reduktonte aftësitë Sovjetike për të ushtruar presion mbi Jugosllavinë dhe Greqinë. Megjithatë, BRSS nuk ka hyrë në një pakt reciprok asistence me Shqipërinë,ashtu siç ka bërë me satelitët e saj të tjerë europianë (përveç Gjermanisë Lindore). Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë.

5.Interesat e Italisë,Greqisë dhe Jugosllavisë në Shqipëri përplasen,dhe secili prej këtyre tre vendeve me shumë mundësi preferon më fort një vazhdimësi të status-quo-së sesa një ndryshim i cili mund të rezultojë i favorshëm për ndonjërin prej tyre,ose i dëmshëm për interesat e tij.

6.Prej këtyre të trejave,Jugosllavia duket më e interesuara për arritjen e ndonjë ndryshimi të mundshëm në regjimin shqiptar favorizues për të.Siç kemi vlerësuar tek NIE-42\1(20 tetor 1952),politika aktuale e Jugosllavisë ka avantazhe në aplikimin e një presioni politik kundër regjimit shqiptar pa pasur nevojë të ndërhyjë direkt ose të nxitë një tentativë për grusht shteti.Duke vazhduar në kursin e tyre aktual,jugosllavët mund të përkrahin predominancën e grupit jugosllavo-mbështetës brenda lëvizjes së emigrantëve shqiptarë.Ata mund të minojnë rregullin dhe stabilitetin në Shqipëri pa ndonjë rrezik serioz komplikacionesh ndërkombëtare,duke zhvilluar gjithashtu kontakte me elementë të painfektuar brenda regjimit shqiptar.Nëse do të jenë të suksesshëm në këto përpjekje,ata do të gjenden në një pozicion të favorshëm për të shfrytëzuar ndonjë rast të sigurt për ndërhyrje ose për të ushtruar ndikim mbizotërues në çdo regjim të ri.

7.Ne besojmë se jugosllavët nuk kanë ndonjë qëllim aktual për të nxitur një grusht shteti kundër regjimit të Hoxhës.Me sa duket ata llogarisin që një gjë e tillë do të krijonte rreziqe serioze në provokimin e mosmiratimit perëndimor dhe shpagimit sovjetik.Ata me shumë mundësi do të organizonin një grusht shteti,nëse do të mendonin që do të mund të bëhej pa pësuar këto rreziqe; si rrjedhim ata do të mund të ishin të gatshëm të bashkëpunonin me fuqi të tjera për ndonjë tentativë grushti shteti në ndonjë datë të ardhshme.Gjithsesi,bashkëpunimi jugosllav me shumë mundësi do të varej nga kontrolli i mjaftueshëm jugosllav mbi metodën dhe natyrën e tentativës së grushtit të shtetit për të minimizuar rreziqet mbi Jugosllavinë dhe mbi bazën e besimit që Jugosllavia mundësisht ta dominonte regjimin e ri shqiptar.

8.Në bazë të rrethanave aktuale,vendet e tjera të Europës Perëndimore,përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar,thuajse me siguri preferojnë më fort status-quo-në në Shqipëri sesa ndërmarrjen e rreziqeve që do të sillte tentativa për vendosjen e një regjimi pro-perëndimor.

Reagimet mbi një tentativë grushti shteti

Reagimi i Bllokut Sovjetik

9.Reagimi i Bllokut Sovjetik lidhur me një tentativë grushti shteti kundër regjimit të Hoxhës do të varej prej mënyrës dhe shpejtësisë me të cilën ky grusht shteti do të kryhej,prej reagimeve të fuqive të tjera të interesuara,dhe prej situatës globale ekzistuese në këtë kohë.

10. Nëse BRSS do të mësonte paraprakisht për një plan grushti shteti,me siguri që do të ndërmerrnin veprime parandaluese.Një larmi veprimesh të tilla do të ishte i mundshëm,duke filluar që nga forcim masash parandaluese dhe likuidimesh brenda Shqipërisë e deri në dërgim forcash Sovjetike apo të satelitëve të tyre në Shqipëri,si dhe tregim force në kufijtë me Jugosllavinë dhë Greqinë.Qeveritarët sovjetikë do ta shfrytëzonin këtë situatë për të krijuar ndarje,dyshim dhe mungesë besimi sa më të madh ndërmjet vendeve të NATO-s dhe botës së lirë në përgjithësi.Nëse BRSS nuk do të mësonte paraprakisht për një grusht shteti të planifikuar,por ky grusht shteti do të shtypej me shpejtësi nga regjimi aktual shqiptar,BRSS do ta shfrytëzonte situatën në të njëjtën mënyrë.

11.Nëse do të tentohej një grusht shteti dhe do të rezultonte në një sukses të shpejtë,qeveritarët sovjetikë do të përballeshin me një vendim të vështirë.Do të dilnin në pah disa mundësi:

a.Luftë botërore: Neve na duket shumë pak e besueshme që qeveritarët sovjetikë do të fillonin në mënyrë të paramenduar luftë botërore për Shqipërinë.

b.Kundërveprim ushtarak lokal: Pavarësisht nga fakti se cili e filloi apo e mbështeti grushtin e shtetit,qeveritarët sovjetikë do të mund të arrinin në përfundimin që pranimi i humbjes së Shqipërisë do ta vinte Bllokun Sovjetik përpara sfidave të reja dhe më të forta,të cilat do të rezultonin në humbje eventuale dhe serioze pozitash.Si pasojë,ata do të mund t’i urdhëronin satelitët europianë të avanconin drejt Jugosllavisë për të synuar ardhjen në ndihmë Shqipërisë.Në një rast të tillë,ata do të prisnin zhvillim tendosjesh serioze në koalicionin e Atlantikut të Veriut.Nga ana tjetër,ata do ta pranonin riskun që Perëndimi do t’i vinte në ndihmë Jugosllavisë,shoqëruar kështu me një rrezik të fortë lufte botërore.Ne besojmë se nuk ka të ngjarë që USSR do ta ndërmerrte këtë risk.

c.Pranimi i humbjes së Shqipërisë dhe marrja ë shpagimit tjetërkund: Nëse qeveritarët sovjetikë nuk do të ishin të gatshëm të pranonin rreziqet e një lufte botërore që do të nënkuptonte një kundërveprim ushtarak lokal,ata do të detyroheshin ta pranonin humbjen e Shqipërisë.Megjithatë,liderët sovjetikë me shumë mundësi do të intensifikonin presionet e tyre në pika nevralgjike të botës së lirë ( si për shembull,në Berlin,Vienë,Iran apo Indokinë) në një përpjekje për të kundërpeshuar efektin psikologjik të humbjes së Shqipërisë.

d.Kundërveprimet politike: Si minimum, BRSS do të intensifikonte fushatën e saj propagandistike kundër Perëndimit,duke shfrytëzuar çdo përçarje që do të ndodhte lidhur me grushtin e shtetit në Shqipëri.Ajo mund të bëjë demonstrim force dhe përpjekje për të ndarë Perëndimin nëpërmjet kërcënimeve për luftë.Ajo mundet,në varësi të vlerësimit të saj të qëndrimeve të vendeve të ndryshme anëtare,t’i bëjë një thirrje OKB-së, ose të inkurajojë ndonjë vend asnjanës për të bërë këtë gjë.

12.Në një kuptim afatgjatë,nëse do të shmangej një luftë lokale ose botërore,një tentativë për grusht shteti në Shqipëri,e suksesshme apo jo,nuk do të ndryshonte shumëçka në sjelljen sovjetike ndaj Perëndimit.Qeveritarët sovjetikë do ta konsideronin tentativën për grusht shteti thjesht si një incident në luftën afatgjatë midis komunizmit dhe kapitalizmit.Ata me shumë mundësi do të arrinin në përfundimin që, gjithsesi,Perëndimi po shpejtonte hapat e luftës.Si rrjedhim,ka të ngjarë që ata të intensifikonin përgatitjet e tyre ushtarake dhe të rritnin gatishmërinë për luftë.

13.Një tentativë për grusht shteti në Shqipëri,veçanërisht nëse do të ishte e suksesshme,do të shtonte shpresat e elementëve disidentë në vendet e tjera satelite.Në disa raste do të mund të provokonte përpjekje për rezistencë premature dhe të pavlerë.Do të provokonte gjithashtu masa më të mëdha sigurie nga autoritetet sovjetike dhe të vendeve satelite.

Jugosllavia

14.Për shkak të dominimit të tyre të pak kohëve më parë në Shqipëri,shpresave të tyre për të rivendosur dominancën në çdo regjim të ri, dhe dobësisë së tyre ekstreme ndaj çdo kundërveprimi sovjetik apo të vendeve satelite, jugosllavët do ta konsideronin çdo përpjekje për të përmbysur regjimin shqiptar si një çështje të një rëndësie jetike për interesat e tyre kombëtare.Nëse një përpjekje e tillë do të rezultonte e suksesshme dhe nuk do të provokonte shpagimin sovjetik,jugosllavët thuajse me siguri do të bënin përpjekje intensive për të dominuar regjimin e ri.Nëse tentativa për grusht shteti do të rezultonte e pasuksesshme,pavarësisht faktit nëse Jugosllavia do të merrte pjesë apo jo,jugosllavët do të bënin çdo përpjekje për ta shkëputur veten nga ky plan*.

Zhvillimet e mundshme në Shqipëri në rast të një grushti shteti të suksesshëm

17. اdo regjim i ri në Shqipëri, pavarësisht nga lidershipi i tij,orientimi apo mbështetja nga jashtë,do të përballej me probleme të brendshme të konsiderueshme,por jo edhe të pazgjidhshme. Nëse lidershipi i ri do të ishte i fortë dhe kompetent,njerëzit në përgjithësi do ta përkrahnin atë. Regjimi i ri do të kërkonte jo vetëm mbështetje politike dhe ushtarake,por gjithashtu edhe mbështetje të vazhdueshme ekonomike nga Perëndimi,me shumë mundësi nga Shtetet e Bashkuara.Nëse fuqitë kryesore perëndimore,dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara,do të shpallnin dhe përmbushnin synimin për t’i siguruar mbështetje politike dhe ekonomike regjimit të ri,mbështetja popullore në Shqipëri do të ishte e pritshme gati me siguri.

18. Pak kohë pas instalimit të regjimit të grushtit të shtetit,orientimi i tij i saktë politik do të varej nga personalitetet që do ta kontrollonin atë dhe nga marrëdhënia e tyre me Perëndimin. Siç u përmend edhe më sipër, Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të përpiqeshin të gjitha të fitonin ndonjë lloj pozicioni të veçantë ose dominance. Grekët me shumë mundësi do të donin një status special për Epirin e Veriut. Italianët ndoshta do të kërkonin rivendosjen e disa prej koncesioneve të tyre ekonomike të paraluftës dhe gjithashtu një rivendosje graduale të pjesshme të influencës së tyre politike të paraluftës. Jugosllavët do të mundoheshin të infiltronin, dhe mundësisht ta dominonin regjimin.Regjimi i ri,si të gjithë regjimet e mëparshëm të Shqipërisë,do të kishte nevojën e mbështetjes dhe mbrojtjes aktive të një fuqie më të madhe.Sjellja e saktë e tre fqinjëve të Shqipërisë do të ndikohej nga gjerësia e zotimeve të Shteteve të Bashkuara kundrejt regjimit të ri1.

_________________________
1. Drejtori Përfaqësues për Inteligjencën,Stafi i Përbashkët, besojnë se meritojnë të shënohen rrjedhimet e mëposhtme, që janë të pandashme nga çdo ndryshim në qeverisjen e Shqipërisë:
a. Një regjim armiqësor do të zëvëndësohej nga një regjim miqësor.
b. Një territor i dominuar nga sovjetikët do të hiqej nga mesi i një zone prej së cilës do të duhej të mbroheshe nga një sulm sovjetik.
c. Elementët disidentë në vendet e tjera satelite do të inkurajoheshin për të kundërshtuar dominimin sovjetik.
d. Popujt e lirë të botës dhe qeveritë e tyre do të inkurajoheshin për kundërshtinë e tyre ndaj sovjetikëve. Së bashku me dezertimin e Jugosllavisë, ajo do të ndihmonte për te treguar që ndikimi i BRSS tek Satelitët nuk është i pathyeshëm.


Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Arkivi Shqiptar, nr. 1-2, Viti VII, 2009, Tiranë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top