1910-1911: Baroni i kryengritësve shqiptarë

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: FATOS BAXHAKU

Vetëm pak hapa larg…

Gjithçka u përshpejtua, kur një grup oficerësh dhe intelektualësh osmanë nisën të rebelohen ndaj gjendjes së pashpresë të Perandorisë Osmane, e cila në fund të shekullit XIX i ngjante një lëngate gjigante dhe gati-gati të pashpresë.
Ata që u quajtën “xhonturqit” (nga frëngjishtja “les jeunes turques”) shpresonin se duke kryer reforma modernizuese mund të ruheshin kufijtë e perandorisë kolosale. Partia në të cilën ata u mblodhën quhej “Itihatt ve Terakki” (Bashkim e Përparim). Dalja e tyre në skenën politike, në fillim në klandestinitet, krijoi një farë pështjellimi në qarqet politike shqiptare. Xhonturqit premtonin autonominë e qindra kombeve që përbënin asokohe Perandorinë Osmane, premtonin administratë me nëpunës vendas, bënin be e rrufe se do të hapnin shkolla në gjuhën amtare. Jo keq në krahasim me dhunën që kishte ushtruar me shekuj me radhë sulltanati. Kongresi i parë i xhonturqve u mbajt në Paris më 1902.
Mosbesues ndaj tyre, “Njeriu i Pavarësisë”, Ismail Qemali, ndonëse i ftuar, refuzoi të merrte pjesë në të. Njësoj si Ismail Qemali ishin kundërshtarë të xhonturqve edhe Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja e të tjerë. Në krahun në favor të turqve të rinj u rreshtuan disa figura po aq të njohura të politikës së shqiptarëve asokohe si Myfit bej Libohova, Syrja bej Vlora dhe Mit’hat Frashëri i famshëm.

foto-trimit-shkrim-fatos-baxhaku-236x300.jpg

Pikërisht në këtë atmosferë shqiptarët nisën të lëvizin. Hapat e parë kishin lidhje me arsimin. Në të gjithë vendin u ngritën klube patriotike që zakonisht quheshin “Bashkimi”. Për herë të parë në historinë shqiptare nisi botimi i gazetave në gjuhën shqipe në Shkodër, Manastir e Korçë. Në nëntor të 1908-s, përgjatë një jave në Manastir u zhvillua Kongresi i Alfabetit nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, kreut të mëvonshëm të Ballit Kombëtar, të njohur edhe si Lumo Skëndo. Një vit më vonë u hap Normalja e Elbasanit me në krye Luigj Gurakuqin.

Në dhjetor të 1908-s u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Në krejt perandorinë fituan xhonturqit, porse deputetët që përfaqësonin trojet shqiptare ishin të krahut opozitar, ata drejtoheshin nga Ismail Qemali e Hasan Prishtina. Shpejt do të ndihej armiqësia e thellë mes shqiptarëve dhe xhonturqve, të cilët i harruan premtimet fatlume. Kundërshtive nacionale iu shtuan edhe ato politike.

hoxha-nje-xhandar-dhe-disa-shqiptare-ne-varrezat-e-xhamise-se-sulejman-pashes-tirane-150x150.jpg
tregu-i-ushqimit-te-bagetise-pamje-e-tregut-te-vjeter-tirane-150x150.jpg


Gjashtë muaj pas zgjedhjeve, xhonturqit nisën valën e arrestimeve ndaj patriotëve shqiptarë. Vendi u rrethua nga një regjim policor. Kulmi arriti kur më 1910-n xhonturqit nisën një aksion të madh ushtarak me pretekstin “e grumbullimit të armëve”. Drejtimi i parë ishte kundër popullsisë luftarake të Kosovës. Në krye të korparmatës ndëshkimore ishte Shefqet Turgut Pasha, i njohur për egërsinë e tij. Shqiptarët nuk i dorëzuan armët, përkundrazi i përdorën ato kundër osmanëve në dy beteja që bënë bujë në krejt botën e atëhershme.
Në prill të 1910-s, në Kaçanik kryengritësit, nën drejtimin e Idriz Seferit, i gozhduan për dy ditë forcat osmane. Ishte një ndër betejat më të përgjakshme që kishte parë Europa e shekullit XX. Pak kohë më vonë, në Grykën e Caralevës, Isa Boletini dhe kosovarët që komandoheshin prej tij përsëriti të njëjtën gjë. Gjendja e vuri në alarm Stambollin. Në Kosovë mbërriti vetë Mahmut Shefqet Pasha, ministri osman i Luftës.

Pas fashitjes së kryengritjes së Kosovës, trupat e Shefqet Turgut Pashës kaluan në Malësitë e Veriut, mbi Shkodër. Me mijëra malësorë u strehuan në Mal të Zi.

Në fillim të prillit 1911, krajl Nikolla i Malit të Zi thuajse i dëboi malësorët nga territoret e veta. Këta nën drejtimin e Dedë Gjo Lulit, nisën sërish kryengritjen antiosmane. Në qershor të 1911-s, në bjeshkët e Greçës, malësorët parashtruan kërkesat e tyre, thelbi i të cilave ishte autonomia administrative. Të dyja palët tashmë ishin lodhur nga një luftë e gjatë dhe e përgjakshme. Nën trysninë edhe të presionit ndërkombëtar Stambolli vendosi të bëjë disa lëshime: amnisti, rregullimi i shtëpive e kishave të djegura, nëpunës vendas. Në gusht 1911, në Podgoricë shqiptarët dhe xhonturqit pranuan paqen e brishtë.

Baroni “fluturues”

Pikërisht në këto kohë sillej këtyre anëve baroni austro-hungarez Franc fon Nopça (1877-1933). Kishte lindur në Transilvani, në Rumaninë e sotme, porse ishte rritur në Budapest e Vjenë. Ky ishte një aristokrat i çuditshëm e kokëshkretë. Ishte gjeolog, paleontolog, etnolog, gjeograf, historian, hera-herës diplomat e ndërmjetës.
Herë të tjera shfaqej ndër vende ku nuk njihej edhe si agjent i maskuar. Ishte gjithashtu një ndër kandidatët e vetëshpallur për fronin mbretëror të Shqipërisë. Baroni vdiq në rrethana tragjike në Pragë më 1933. Ishte homoseksual. Pasi vrau më parë sekretarin dhe më pas të dashurin e tij Bajazit Dodën, ia hoqi edhe vetes.
Ishte prilli i 1933, baroni ishte 56 vjeç, në Pragë sapo trokiste pranvera. Nopça ka lënë pas një numër të madh studimesh e kujtimesh. Ndër 186 tituj që i atribuohen atij, 54 flasin vetëm për Shqipërinë e Veriut.

Kritikat ndaj Vjenës zyrtare

“Ndërsa kisha ndaluar në Shkodër, Turgut Shefqet Pasha po afrohej me ushtrinë e tij të Gjakovës, sipas shqiptarëve myslimanë për të çarmatosur katolikët”, shkruan Nopça më 1910. Ideja më e përhapur ndër ne është se Austro-Hungaria, konsujt e saj, ka qenë fuqia më në favor të kryengritjeve të shqiptarëve. Baroni na rrëfen një histori tjetër. Ai rrëfen se shumë herë malësorët shqiptarë u lanë në mëshirë të fatit. Në Shkodër Dedë Gjo Luli, prijësi kreshnik i malësorëve, i kërkon takim dhe i lutet “me lot në sy” që Vjena të ndërhyjë që malësorët të ruajnë armët e tyre, përndryshe e vetmja zgjidhje ishte kalimi te malazezët, armiqtë e tyre shekullorë dhe kundërshtarë të Austro-Hungarisë gjithashtu. Nopça vrapon te Zambaur, konsull i Vjenës në Shkodër. Porse gjen përgjigje negative. Më 1910 Austro-Hungaria zyrtare preferonte më shumë xhonturqit se sa shqiptarët e maleve. “Tani mirë, shtyhet edhe ca kohë që t’i gënjesh njerëzit – i thotë konsulli baronit të mbetur me gojë hapur – por nuk e di sesi do t’ia bëj atëherë kur xhonturqit do të fillojnë t’i shtrojnë në dru!”.

portreti-i-nje-burri-te-ulur-kembekryq-tirane-150x150.jpg


Pak ditë më vonë baroni, i revoltuar ndaj njerëzve të tij, merr rrugën për në Vjenë. Këtu troket direkt në derën e zyrës së Ehrental, asokohe ministër i Jashtëm. Edhe këtu i njëjti qëndrim. “Për mua xhonturqit janë shumë më të vlefshëm sesa shqiptarët”, i thotë ministri, baronit teksa i kërkon që buxhetin që kishte marrë nga Vjena ta shpërndante si të mundte. Vjena nuk dëshironte madje as të pranonte se për disa kohë kishte ndihmuar me para malësorët shqiptarë kundër malazezëve. Baroni dorëzohet. I telegrafon të dashurit të tij, Bajazitit dhe i thotë t’i shpërndajë paratë si të mundet. “Bashkë me këtë detyrë e autorizova që të shajë sa të mundet në Shqipëri politikën e trashë të Ehrentalit”, shkruan baroni. Pas kësaj zhduket për disa kohë në Londër, për punë të tija.

Në çadrën e xhelatit

Nopça u rikthye nga Anglia në Shkodër në verën e 1911. Këtë herë vinte si korrespondent i gazetës “Fremdenblatt”. Miqtë e tij të vetëm kishin mbetur malësorët. Në Mal të Zi e urrenin, Vjena e quante një ngatërrestar të madh, ndërsa xhonturqit e shihnin gjithnjë e më me dyshim për miqësinë e tij të thellë me shqiptarët.

Takimin e parë në Shkodër baroni e bën me Halil beun, kryetarin e xhonturqve në qytet. “Po atë natë – shkruan ai – i paraqita budallallëkun e sjelljes së xhonturqve në formën më të ashpër dhe ia përsërita këtë ditën e nesërme edhe guvernatorit civil në të njëjtën mënyrë…”.

Një ditë më pas, baroni është në çadrën e famëkeqit Shefqet Turgut Pasha në Koplik. Shkon hipur mbi një kalë, me galop, i acaruar nga ato që po ndodhnin ndër malet përballë Shkodrës. “Në Koplik pata një bisedë të gjatë më Turgut Shefqet Pashën – kujtonte baroni – ky më shpalli se synonte shpartallimin e malësorëve dhe në vend të tyre, në kufirin turko-malazez, të sillte për t’u ngulitur emigrantë boshnjakë. Përveç kësaj, plani i qeverisë turke ishte që të shkombëtarizonte shqiptarët, pastaj t’u vërsulej shteteve sllavë të Ballkanit, në mënyrë që të asgjësoheshin njëri pas tjetrit… Kur gdhiu dita, që trupat do të marshonin kundër Shalës, herët në mëngjes u sula i xhindosur te përkthyesi i vilajetit dhe ia përplasa hapur të gjithë poshtërsinë dhe bërtita aq shumë sa dëgjohej dhe kuptohej edhe jashtë në rrugë. ‘Epo, po ju them se ky është fundi i Turqisë’. Këto ishin fjalët e fundit që i përplasa në surrat një nëpunësi turk në Turqi, para shpërthimit të Luftës Ballkanike”. Ndërsa baroni protestonte, malësorët e lodhur, të uritur, të vetmuar e të gjakosur e kishin ndarë mendjen për një paqe të përkohshme me osmanët. Një vit më vonë historia, për fatin tonë të mirë, do të merrte rrjedhë tjetër.

(Për këtë shkrim u përdorën të dhëna nga: Udhëtime nëpër Ballkan [Kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça]; Përgatitur për botim nga Robert Elsie; përktheu Ilirjana Angoni, Plejad, Tiranë 2007. Fotografitë janë marrë nga: Shqipëria dhe Kosova në ngjyra (Autokromat e koleksionit Alber Kan); botuar nga Gerda Mulder&Richard van den Brink, Skanderbeg Books, Tiranë 2008).

Një gazetar i luftës

Njësoj si e famshmja Edit Dërhem, Nopça ishte njëri ndër gazetarët më aktivë nga zonat e luftës në Shqipërinë e Veriut përgjatë periudhës 1910-1911. Më poshtë vijon një ndër shkrimet e tij që i firmoste me “Nga një njohës i mirë i Shqipërisë”.

shqiperia-dhe-kosova-ne-ngjyra-1913-album-fotografik-239x300.jpg

“Si të thuash si një vërtetim të telegramit tonë të datës 23 të muajit të shkuar gazeta ‘Zeit’ sjell sot një artikull të një dëshmitari okular mbi mënyrën se si Shefqet Turgut Pasha po fillon të shfarosë të gjithë katolikët e Vilajetit të Shkodrës. Veprimtaria e tij për shfarosjen e tyre është e planifikuar qysh prej kohësh dhe konsiston në atë që, në vend të shpatës dhe të zjarrit, të përdorë mjete të tjera, pikërisht urinë dhe malarien për të arritur zbatimin e planit. Meqë, para së gjithash, lidhur me këtë plan i duhet kohë, gjenerali, dikur tepër luftarak, në mënyrë që të fitojë kohë, shpall se afati i amnistisë po përzgjatet nga njëra javë në tjetrën, sepse ndërkohë uria dhe malaria megjithëse janë mjete të sigurta, por janë mjete që veprojnë ngadalë. Me vdekje nga uria u dënuan nga Turgut Pasha fiset që banojnë në jug të kordonit të trupave të tij, të vendosur kundrejt malësorëve dhe në veri të Drinit, në zonën e lumit Kiri dhe Leshnica, ku numri i frymëve, si pasojë e ardhjes së njerëzve nga Dushmani, Toplana dhe Shala arrijnë në rreth 8 mijë. Këta janë të gjithë të afërmit e fiseve Shala, Shoshi, Plani, Gjani, Suma, Shllaku, Dushmani dhe Toplana. Këta njerëz janë shtypur nga trupat, furnizimi i tyre me miell është ndërprerë dhe kësisoj ata janë të detyruar të therin kopetë e tyre, kësisoj të rrënohen ekonomikisht. Kur njerëzit e këtyre fiseve u përpoqën të arrijnë në Mal të Zi nëpër kordonët e trupave turke, në mënyrë që t’u sillnin bukë grave dhe fëmijëve që po vdisnin nga uria, ata sipas mundësisë u qëlluan për vdekje nga trupat perandorake, si për shembull në datën 8 të këtij muaji.

Në mënyrë të pabesë i ekzekutoi Turgut Shefqet Pasha në Bregun e Matës edhe 16 mijë njerëz të tjerë jo kryengritës, për shkak të fesë së tyre katolike. Këta njerëz e kalojnë dimrin me gjithë familje në tokat moçalore të Adriatikut, paguajnë menjëherë taksën dhe çdo vit kur në Bregun e Matës fillon malaria, ata tërhiqen bashkë me kopetë e tyre për në bjeshkë. Kot e detyroi Turgut Pashën Sadedini, diplomati turk në Cetinë, që edhe sivjet t’i linte këta njerëz të tërhiqeshin si zakonisht në bjeshkë. Turguti e di mirë se kopetë e këtyre njerëzve gjatë verës patjetër do të ngordhin në moçalishtet e Bregut të Matës. Ai gjithashtu e di se asnjë njeri nuk është në gjendje t’u rezistojë etheve të malaries së këtij vendi. Për këtë arsye nuk i la njerëzit të dilnin nga moçalishtet, por e shtyu bisedimin në Podgoricë dhe afatin e amnistisë e përzgjati kaq shumë, derisa malaria në Bregun e Matës që tashmë ka shpërthyer, e ka kryer detyrën e saj sipas qëllimit xhonturk. Për sa kohë që bëhet fjalë për kryengritësit gjendet një pretekst për pabesinë xhonturke, por sapo është fjala për qytetarët besnikë turq, të cilët përndiqen vetëm sepse janë të fesë katolike, atëherë zhduket edhe ky pretekst.

Edhe për sa kohë do të vazhdojnë t’i bëjnë sehir shtetet e qytetëruara këto turpe?”.



Nga një njohës i mirë i Shqipërisë

Reichpost, Vjenë, 13 korrik 1911.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top