KlikInf.

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Feith po konsultohet për zgjedhjet e përgjithshme

Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith ka deklaruar për BBC se, po konsultohet me presidentin dhe me kryeministrin lidhur me përcaktimin e agjendës për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur në nëntor të vitit 2007, vetëm tre muaj para zgjidhjes së statusit.

Pozita dhe opozita në Kosovë i interpretojnë në mënyra të ndryshme dispozitat e planit të Ahtisaarit, që përcakton mbajtjen e zgjedhjeve nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për statusin.

Sipas udhëheqësve kosovarë tani nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje të reja, ndërsa opozita këmbëngul në mbajtjen e tyre duke kërkuar zbatim të planit të Ahtisarit.

Feith, që bën mbikëqyrjen e zbatimit të Planit Ahtisaari, nuk ishte në gjendje të thoshte nëse këtë vit do të ketë zgjedhje të përgjithshme.

"Nuk kemi arritur akoma asnjë përfundim për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas kushtetutës së Kosovës është presidenti ai që e shpall kohën e mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare dhe lokale. Roli im si përfaqësues civil ndërkombëtar është të diskutoj dispozitat e planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit sipas të cilit zgjedhjet, normalisht, do të mbahen nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij plani", tha Feith.

Ai tha se konsultimet me udhëheqësit kosovarë për këtë çështje do të vazhdojnë. /Telegrafi/
 
Titulli: KlikInf.

Walker: Sigurimi im ndaloi policin serb të mos më sulmojë

Vetëm pak ditë para Masakrës së Reçakut, ambasadori William Walker, ishte kërcënuar me jetë. Në një rrëfim ekskluziv për Kohavisionin, Walker, zbuloi se një polic serb i ishte afruar atij me granatë dore, por kishte intervenuar sigurimi i tij.
”Unë dola nga banesa ime për të shkuar në zyrë dhe njerëzit e mi të sigurimit më thanë se kishin pasur probleme me një polic serb matanë rrugës. U thashë se dua ta takoja dhe ta pyesja pse po shqetësonte sigurimin tim. Pas pak minutash doli ky njeriu, i cili teksa vinte drejt meje, sigurimi im amerikan e pa se ai po mbante një granatë dore. Ishte polic i njësisë speciale nga Beogradi”, ka thënë Walker. /ktv/
 
Titulli: KlikInf.

Emërohet ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë

Metin Hysrev Ynler është emëruar ambasador i Republikës së Turqisë në Kosovë. Ynler, më parë, ka qenë në funksione të ndryshme në Këshillin e Evropës dhe në Kombet e Bashkuara.
Pritet që ambasadori i ri turk, gjatë ditëve të ardhshme, të fillojë detyrën e re.

Republika e Turqisë tani tetë vjet ka hapur zyrën e koordinimit, e cila, vitin e kaluar, është shndërruar në ambasadë. /rtk/
 
Titulli: KlikInf.

Rexhepi lavdëron komandantin Jakovleff

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi gjatë një takimi lamtumirës me komandantin e Forcave Shumëkombëshe të Veriut, gjeneralin Mishel Jakovleff,, kanë vlerësuar se situata në pjesën veriore të komunës është nën kontroll dhe me trende pozitive stabilizimi.
Po ashtu, ishte konstatim i përbashkët i kryetarit Rexhepi dhe gjeneralit Jakovleff, se gjatë trazirave të fund vitit dhe atyre në fillim të këtij viti, forcat ndërkombëtare e kanë menaxhuar mirë situatën e krijuar, por edhe falë syçelësisë dhe maturisë së qytetarëve.

Kreu i Mitrovicës, pasi falënderoi gjeneralin Jakovlef për bashkëpunim të mirë, e vlerësoi atë si njërin ndër komandantët më të suksesshëm të kësaj task force që vepron në zonën veriore të vendit, duke thënë se ushtarët e tij ishin në nivelin e përgjegjësisë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, duke ruajtur kështu paqen e përgjithshme në zonën më të trazuar të vendit.

Edhe komandanti Jakovlef tha se ka pasur një bashkëpunim të mirë me autoritetet komunale, dhe e falënderoi Rexhepin, duke i thënë se po largohet nga Mitrovica me përshtypjet më të mira për qytetarët dhe autoritetet e kësaj komune. /qik/telegrafi/
 
Titulli: KlikInf.

HRW kritikon gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë

Deklarata për pavarësinë e Kosovës nga Serbia në shkurt të vitit të kaluar jo vetëm që dështoi të qartësojë statusin e saj ligjor, por gjithashtu nuk solli ndonjë përmirësim të dukshëm në gjendjen e të drejtave të njeriut, thuhet në raportin e fundit të organizatës për të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch.
"Sistemi i dobët i drejtësisë i dekurajon përpjekjet për të ndaluar mosndëshkimin për dhunën etnike dhe krimet tjera serioze. Pakicat përballen me dhunë dhe diskriminim të vazhdueshëm", thuhet në raport, në të cilin sistemi i së drejtës penale vlerësohet të jetë sistemi më i dobët nga të gjitha institucionet në Kosovë.

"Paqartësitë në lidhje me statusin e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe misioneve pasardhëse të Bashkimit Evropian e penguan efikasitetin e tyre", thuhet mes tjerash në raportin e Human Rights Watch. /REL/
 
Titulli: KlikInf.

Bakoyannis: EULEX-i do t’i përmbushë detyrat

Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX në mënyrë të efektshme do t'i përmbushë detyrat për të mirën e tërë rajonit, ka vlerësuar kryesuesja e OSBE-së, shefja e diplomacisë greke Dora Bakoyannis.
"Nuk do të thosha që Kosova gjendet nën protektoratin ndërkombëtar. Rajoni përfiton nga prezenca ndërkombëtare. Veçanërisht misioni OSBE ka një përgjegjësi të madhe në ndërtimin e qeverisë funksionale, të institucioneve demokratike dhe në respektimin e të drejtave të njeriut", ka vlerësuar Bakoyannis për gazetën e Vjenës "Kurir". /qik/
 
Titulli: KlikInf.

Incidentet në veri të Mitrovicës, pa prapavijë politike

Incidentet e shpeshta në pjesën veriore të Mitrovicës nuk kanë ndonjë parapavijë politike por janë të lidhura me çështje biznesi. Kështu është shprehur shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon një ditë pasi një granatë dore është hedhur në shtëpinë e një shqiptari në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.
“Policia po heton, por mund të them se këto incidente janë më shumë të lidhura me një lloj biznesi apo kontrabande në të cilin siç e dini shumë njerëz në veriun e Kosovës janë të përfshirë dhe në të cilën duhet thënë se ekziston një aktivitet shumetnik pra në kontrabandë” tha Kermabon.

Versioni tjetër i kreut të EULEX-it për këto ngjarje është se dikush po tenton që veriun e Mitrovicës gabimisht ta paraqesë si vend të pasigurt. “Ky incident duket se është shfrytëzuar nga disa njerëz dhe nëse më lejohet të them, incidente të tilla shfrytëzohen nga elementë të ndryshëm për të tensionuar situatën dhe për të dëshmuar se nuk ka siguri as në Mitrovicë por kjo nuk është e vërtetë” tha Kermabon.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi ka akuzuar siç ka thënë ai ekstremistët serbë për incidentet e fundit duke shtuar se ata nuk do të arrijnë synimin e tyre për spastrim etnik të veriut të Kosovës. /alsat/
 
Titulli: KlikInf.

UNMIK-u i reduktuar në maksimum

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi pritën të mërkurën në një takim të përbashkët përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm, Lamberto Zannier, me të cilin biseduan për procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut.
Duke njoftuar për rrjedhat e përfundimit të procesit të rikonfigurimit, Zannier shprehu përkushtimin e UNMIK-ut për një përfundim të suksesshëm të këtij misioni duke ofruar të dhëna për reduktim maksimal të personelit të UNMIK-ut.

Ndërsa, presidenti dhe kryeministri i Republikës – siç bëhet e ditur në një komunikatë të Presidencës - shprehën domosdoshmërinë e përfundimit sa më të shpejtë të misionit të OKB-së në Kosovë. Gjithashtu, ata potencuan rëndësinë e funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe të ICO-së në Kosovë. /Telegrafi/
 
Titulli: KlikInf.

NATO: Krijimi i FSK-së do të nisë më 21 janar

NATO-ja ka konfirmuar se puna në krijimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës do nisë më 21 janar. Zëdhënësi i Aleancës veri-atlantike, James Appathurai, ka thënë se Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shuhen zyrtarisht më 20 janar, ndërsa menjëherë do të nisë puna në regrutimin e pjesëtarëve të ri të FSK-s.
Procesi i regrutimit sipas Appathuarit do bëhet në bashkëpunim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it.

Zyrtarët e NATO-s janë optimist se i tërë procesi do shkojë pa probleme dhe në afat të shkurtër.

Sipas James Appathurai në procesin e themelimit, vëmendje të posaçme duhet t’i kushtohet faktit që Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë nën kontrollin demokratik parlamentar. Të njëjtat sipas Apptahurait, duhet të jenë shumetnike.

Kandidatët e ri për FSK duhet të plotësojnë kushte të caktuara, ndërsa zyrtarët e Aleancës tërheqin vërejtjen se, pos kualifikimit adekuat, një ndër kushtet do jetë njohja e gjuhëve shqipe dhe serbe sepse, tërheqin vërejtjen në NATO, FSK-ja do ketë karakter shumetnik. /RTK/
 
Titulli: KlikInf.

Franca rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni priti sot në një takim pune, ambasadoren e Francës në Kosovë, Delphine Borione, e cila i përcolli shefit të diplomacisë kosovare një letër me përshëndetjet e ministrit të Jashtëm të Republikës së Francës, Bernard Kouchner dhe mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin e saj ekonomik e social.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit folën për gjendjen dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, për shtrirjen dhe punën e EULEX-it etj. Në këtë kontekst, ministri Hyseni dhe ambasadorja Borione, ndanë qëndrimin e përbashkët se, EULEX-i duhet të jetë plotësisht funksional në të gjithë Kosovën.

Po ashtu, u bisedua edhe për prioritetet e Kosovës gjatë këtij viti. Në këtë kuadër, ministri Hyseni e njohu ambasadoren Borione me prioritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, sidomos në rrafshin e shtimit të numrit të njohjeve dhe të marrëveshjeve e traktateve ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale. /Telegrafi/
 
Titulli: KlikInf.

Shpërthen një granatë dore në Mitrovicë

Një granatë e dorës ka shpërthyer në oborrin e shtëpisë së një shqiptari në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë, por nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz.
Policia ka nisur hetimet pas ankimit të pronarit, i cili në momentin kur është hedhur granata në oborr ka qenë në shtëpi.

Për këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje edhe ekspertët e KFOR-it për të identifikuar mjetin eksplodues, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, mirëpo ende nuk kanë konfirmuar llojin e mjetit që ka shkaktuar shpërthimin.

Situata në Mitrovicë konsiderohet të jetë e qetë. /ktv/
 
Titulli: KlikInf.

Shpreson tek EULEX-i, nuk beson në organet kosovare

Emrush Gashi, ma vranë djalin, dua drejtësi

"Djali im nuk ka qenë pjesë e asnjë klani. Arbeni është vrarë tërësisht i pafajshëm. Drejtësia kosovare ka dështuar, vetëm nëse EULEX-i merr rastin mund të arrihet drejtësia. Por, nëse drejtësia dështon, populli e merr drejtësinë në dorë", thotë për "Kosova Sot", babai i Arben Gashit, i vrarë më 2 janar në "Emshir", vetëm 500 metra larg nga shtëpia e tij 16 Janar, 2009
Emrush Gashi e ka lënë në dorë të drejtësisë rastin e tij. Disa njerëz, sipas tij, kanë ardhur në shtëpi të tij dhe i kanë lypur besë në emër të Hashim Rexhepit, dy djemtë e të cilit janë të arrestuar për rastin. "Hashim Rexhepi ka qu njerëz në shtëpi dhe më ka lypë besë duke më thënë se djemtë më kanë dalë razije", thekson Gashi. Ai thotë se besën e ka dhanë dhe se çështjen ia ka lënë në dorë drejtësisë.
"Kanuni ekziston në Kosovë. Me Kanun ai mi ka qu njerëzit me më lyp besë, e unë me Kanun ju kam përgjigj se këtë punë ia kom lanë drejtësisë ,shko ka të duash dil ka të dush, i kam thënë", thekson ai. Duke shtuar se kërkon nga drejtësia të mos dështojë, sepse kur të dështojë drejtësia në Kosovë, atëherë populli duhet ta marrë drejtësinë në dorë të vet, e atëherë është shumë më keq.
Emrush Gashi, babai i të ndjerit Arben Gashi, i vrarë në natën e dytë të vitit të ri, rrëfen se si ka marrë lajmin për vrasjen e djalit të tij. Ai thotë se ende nuk e di arsyen e vrasjes dhe është i sigurt se djali i tij nuk ka qenë pjesë e asnjë grupi dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd. Emrushi tregon se si djali i tij kishte punuar si IT(serviser i kompjuterëve) dhe si e tërë lagjja e kanë njohur si njeri që nuk ka pasur problem me askënd. "Në varrim kanë qenë mbi 500 veta, nuk e mbaj në mend që në familjen time ka pasur më shumë njerëz në një varrim të një familjari tonë. Djali im është rritur në atë lagje dhe të gjithë e kanë dashur. Po të kishte qenë Arbeni i keq dhe që s`u ka lanë përshtypje njerëzve, gjithë ata njerëz nuk kishin ardhur në varrim", thotë Gashi.

Rrëfimi
Ndërkaq, për natën e parë të vitit të ri, ku edhe besohet të ketë filluar problemi në mes dy grupeve rivale, pas një përleshjeje në një pompë të benzinës, babai Gashi, thotë se djalin e ka pasur në shtëpi atë natë dhe se ai nuk ka dalë nga shtëpia atë natë.
"Natën e parë të vitit të ri, ai ka qenë në shtëpi me familje. Atë natë djalin e kam pasur në shtëpi dhe kemi festuar së bashku", thotë ai.
Emrushi rrëfen se si natën e dytë, djali i tij, Arbeni, kishe qenë deri në ora dy pas mesnate me të dashurën e tij në "Kodrën e Trimave" (ish-Vranjefc). Ai thotë se nuk di arsyen pse djali i tij është gjendur në atë vend.
"Deri në ora dy ka qenë me të dashurën në Vranjefc, nga atje Arbeni ka ardhur aty, qysh ka ndodhur rasti, nuk e di, Arbeni është vrarë plotësisht i pafajshëm", rrëfen ai. Emrushi çuditet me faktin se si lajmin për vrasjen e djalit e ka marrë 10 orë pas vrasjes, edhe pse shtëpinë e ka vetëm 500 metra nga vendi i krimit. Ai thotë se Policia nuk e ka njoftuar se i është vrarë djali, për këtë atij i kanë treguar fqinjët. Sipas tij, në këtë rast Policia dhe drejtësia kosovare kanë dështuar plotësisht.
"Policia e Kosovës nuk ka ardhur në shtëpi të më lajmërojë se është vrarë Arbeni. Unë prej komshinjve kam dëgjuar se Arbeni është vrarë", thotë babai i të ndjerit. Ai thotë se ndihet i befasuar se në vitin 2009 njerëzit në Kosovë shkojnë në restorante me automate.
"Drejtësia në Kosovë ka dështuar, nuk i besoj. Drejtësia e cila ekziston në Kosovë, vriten njerëzit me armë të rënda dhe nuk vjen Policia për të lajmëruar, kjo ndodh vetëm në Kosovë. As nuk kanë ardhur të na lajmërojnë, as qysh u vra, as kur u vra, as tek u vra, ne kemi marrë vesh rreth orës 12.00. Në asnjë shtet në botë nuk ndodh kjo. Unë nuk di pse më është vrarë djali, nuk di se i kam pasur askujt borxh, as që kam pasur problem me askënd. Flitet se janë vrarë me automatikë, janë vrarë me armë të rënda, se kanë shkuar njerëz me kerre të shtrenjta, e ku i mori ky popull kerret nga 50 mijë euro pa punë. Kjo është lehtë të vlerësohet", shprehet ai.

Nuk beson te drejtësia kosovare
Gashi thotë se për ngjarjen e tij e ka njoftuar edhe Ombudspersonin, si dhe është ankuar edhe te hetuesit e Policisë së Kosovës për faktin se nuk është njoftuar nga Policia për vrasjen e djalit të tij. Ai shton se do të ishte më i kënaqur po ta merrnin në dorë lëndën ndërkombëtarët.
Ai kërkon që rastin e vrasjes së djalit të tij ta marrin në dorë gjykatësit ndërkombëtarë, pasi, sipas tij, drejtësia kosovare ka dështuar në zgjidhjen e shumë rasteve të tjera.
"Jam në dijeni për dallaveret në drejtësinë e Kosovës, të cilat kanë ndodhur që nga paslufta e deri më sot. Janë bërë pazare me veprat pas luftës i janë qitur veprat herë te njëri e herë te tjetri. Mashkulli m'u ka vrarë pa faj dhe unë e kërkoj drejtësi", thotë ai.
K. Gashi & N. Krasniqi
 
Titulli: KlikInf.

Diplomantët e privatëve, protestë para Qeverisë

Javën e ardhshme Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kuvendit të Kosovës del me rekomandimet e veta sa i përket moslejimit të vazhdimit të studimeve master studentëve të diplomuar në IAPL. Këta të fundit të premten do të protestojnë para Qeverisë 16 Janar, 2009
Asociacioni i të Diplomuarve në Institucionet Private të Arsimit të Lartë të premten do të mbajnë protestë në shenjë pakënaqësie për moslejimin të vazhdimit të studimeve master në këtë vit akademik. "ADIPAL-ja ka marrë vendim që më 16 janar 2009 të mbajë protestë paqësore para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për moslejim të studimeve postdiplomike të të diplomuarve në IPAL", ka bërë të ditur Këshilli organizativ i protestave. Më tej, në këtë vendim të ADIPAL-së thuhet se të gjitha përpjekjet diplomatike që ta bindim MASHT-in për vazhdimin e studimeve posdiplomike janë shterur. Sipas përfaqësuesit të këtij asociacioni, Qeveria dhe MASHT-i po ua mohon të drejtën elementare për t'u arsimuar, gjë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës - nenin 47, nenin 158 të KPK-së, Kodin Penal i Kosovës, Ligjin mbi arsimin e lartë, me Deklaratën universale për të drejtat e njeriut si dhe me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut.
Përfaqësuesit e ADIPAL-së dje kanë mbajtur një takim me Komisionin për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, personat e pagjetur dhe peticione i Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua pikërisht për këtë çështje.
Muhamet Koci, kryetar i ADIPAL-së, theksoi që studentët e diplomuar të IAPL-së ndihen të diskriminuar për shkak se MASHT-i nuk ua njeh zyrtarisht diplomat të diplomuarve të universiteteve private, megjithëse këto universitete kishin licencat për punë. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion nuk përfaqëson asnjë institucion privat, por përfaqëson interesat e studentëve të diplomuar të universiteteve private.

Komisioni, pas një
jave, rekomandime
për MASHT-in
Lirim Krasniqi, përfaqësues ligjor i këtij asociacioni, potencoi se me vendim të Qeverisë së Kosovës nuk janë dëmtuar pronarët e universiteteve private, por vetë studentët, për faktin se ata po funksionojnë."MASHT-i nuk i ka mbyllur IAPL-të ngase nuk ka pasur guxim. Ne jemi taksapagues të shtetit të Kosovës dhe institucionet tona e kanë për obligim që ta zgjedhin problemin tonë. Ne kërkojmë trajtim të barabartë sikurse studentët e UP-së dhe nuk duam që ta humbim një vit akademik pa fajin tonë", ka pohuar Krasniqi.
Kryetari i Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, personat e pagjetur dhe peticione i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, potencoi që ky komision ka vendos që në javën e ardhshme konkretisht ditën e martë të mbajë një dëgjim publik lidhur me këtë çështje e më pas rekomandimet e komisionit t'i adresojë në MASHT."Më pas rekomandimet tona do t'i adresojmë në MASHT, në mënyrë që këtyre studentëve të mos u mohohet e drejta për shkollim", tha Beqiri.
V. REXHA
 
Titulli: KlikInf.

Zgjerimi i magjistrales Fushë-Kosovë - Sllatinë

Ngricat ndalin ndërtimin e rrugës 33-milionëshe
Sokol Morina, kryepunëtor në kompaninë ''Arjak'', e cila është duke ndërtuar bllokun e dytë të kësaj magjistraleje, tha se deri më tani punimet kanë shkuar sipas dinamikës së paraparë, mirëpo, për shkak të motit të ftohtë, janë ndërprerë tërësisht punët. Edhe Bekim Bytyçi, pronar dhe menaxher në kompaninë "Famis Co", tha se është e pamundur të punohet në ngrica kaq të larta 14 Janar, 2009
Janë ndërprerë punët për zgjerimin e magjistrales ndërkombëtare, që lidh Aeroportin me metropolin kosovar. Reshjet e mëdha të borës kanë pamundësuar vazhdimin e punëve në zgjerimin e magjistrales Fushë-Kosovë - Sllatinë, e cila është e ndarë në katër lote-pjesë. Disa nga lotet, për shkak të pozitës më të favorshme, kanë avancuar punët shumë, kurse në pjesët e tjera, për shkak të problemeve me ujë, punët kanë shkuar më ngadalë.
Sokol Morina, kryepunëtor në kompaninë ''Arjak'', e cila është duke ndërtuar bllokun e dytë të kësaj magjistraleje, tha se deri më tani punimet kanë shkuar sipas dinamikës së paraparë, mirëpo për shkak të motit të ftohtë janë ndërprerë tërësisht punët. "Ju po e shiheni edhe vetë. ثshtë e pamundur të punohet në këtë kohë të ftohtë. Prandaj, ne i kemi ndërprerë të gjitha punët", u shpreh Morina. Ai njoftoi se punët do të fillojnë shumë shpejt dhe do të koncentrohen në ndërtimin e pjesës së mbetur të rrugës dhe urës së vogël në Vragoli. "Kemi përfunduar rreth 80 për qind të punës. Sa i përket rrugës, ka mbetur të rregullohet mesi i rrugës, për rregullimin e së cilës duhet të prishet asfaltit momental", u shpreh Morina. "Ndërsa, tek ura, ne kemi përfunduar gjysmën e punës, ndërsa pjesa tjetër do të fillojë të ndërtohet si të ndreqet moti. Ju e dini se në ndërtimin e urës kemi pasur shumë problem me ujë".

Punimet rifillojnë kur të ngrihen temperaturat
Edhe Bekim Bytyçi, pronar dhe menaxher në kompaninë "Famis Co", tha se është e pamundur të punohet në ngrica kaq të larta. "Neve që jemi duke ndërtuar urën, nuk na pengon asgjë. Megjithatë, rregullat e ndërtimtarisë dhe MTPT-ja nuk lejon që të betonohet në ngrica të larta", u shpreh Bytyçi. Ai tha se ndërtimi i urës ka kaluar një fazë të mirë të punës, ndërsa tash janë në ngritjen e shtyllave të urës. "Në njërën pjesë të urës janë ngritur shtyllat, ndërsa në pjesën tjetër puna do të fillojë kur të përmirësohet koha. Me kontratë i kemi 180 ditë pune, pra nuk numërohen ditët me shi, apo ditët sikur këto të sotmet, të ftohtë. Deri më tani janë shpenzuar vetëm 45 ditë pune. Nëse puna vazhdon sipas dinamikës së paraparë, punët do të përfundohen para kohe", tha Bytyçi.
Ndërtimi i magjistrales ka filluar më 15 gusht të këtij vitit dhe sipas dinamikës së punës zyrtarët e MTPT-së dhe kompanitë që janë duke ndërtuar këtë rrugë, presin që punimet të përfundojnë në afatin e paraparë, 180 ditë pune. Kjo rrugë është konsideruar si rruga më e shtrenjtë që është ndërtuar në Kosovë, pasi për vetëm 8.2 kilometra janë ndarë 33 milionë euro. Në kuadër të këtij projekti hyjnë edhe katër ura dhe tri nënkalime që do të kushtojnë rreth 13 milionë euro. Gjithashtu, autostrada do të ketë edhe rrugët ndihmëse apo shtesë, përfshirë këtu edhe trotuaret për qytetarët e kësaj ane.
Në një intervistë për "Kosova Sot", ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit ka theksuar se punët janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë, ndërsa ato pritet të përfundojnë brenda këtij viti.
V. Prebreza
 
Titulli: KlikInf.

Serbia të kërkojë falje publike për krimet në Kosovë

16 Janar, 2009

Nuk do të ketë kurrë raporte normale mes Serbisë dhe Kosovës nëse udhëheqësit e shtetit që ushtroi gjenocid, vrau shqiptarët e pafajshëm, dogji dhe shkatërroi, ushtroi dhunë sistematike disa vjet me radhë, nuk e kanë kurajën që të kërkojnë ndjesë publike. Ky do të ishte një moment relaksimi i marrëdhënieve fqinjësore dhe kjo do të ishte kthesa e madhe. Por, Beogradi, me këtë garniturë politike, nuk do ta ndërmarrë këtë hap. Dhjetëvjetori i masakrës së Reçakut na e ka freskuar edhe një herë kujtesën kolektive, për atë periudhë të vështirë që kaloi populli i Kosovës. Lidershipi ynë ka dërguar një mesazh paqësor, duke theksuar se e kaluara nuk harrohet, por nuk lypet sot hakmarrja.
Sigurisht, kjo është logjika e të menduarit në rrethanat e reja gjeo-politike, ndonëse Serbia na ka shumë borxh, përveç mbi 10 mijë të vrarëve.
Dëmet që na i shkaktoi dhuna serbe, llogariten në miliarda euro dhe për to nuk ka asnjë fjalë në pakon që aq shumë e "dashurojnë" institucionet kosovare, pozita dhe opozita. Të kërkosh dëmshpërblim është një e drejtë në këtë rast që ta njohin të gjitha konventat ndërkombëtare. Ky nuk mund të jetë një revansh.
Mbi dy mijë shqiptarë të zhdukur me urdhrat e regjimit të Serbisë duan një përgjigje, kërkojnë një shpagim. As ky nuk është revansh, përkundrazi është një e drejtë e ligjshme e familjarëve të dinë për më të dashurit e tyre, e shtetit të dijë për qytetarët e vet.
Si për ironi të fatit, këto që i përmendëm nuk janë fare në prioritetet e agjendës politike kosovare. Por, qindra milionë dollarë borxhe, Kosova duhet t'ia paguajë Serbisë sipas pakos së Ahtisarit. Ky është çmimi që e paguajmë, dhjetë vjet pas masakrës së Reçakut që tronditi mbarë botën.
 
Titulli: KlikInf.

Në pranverë nis studimi i Komisionit Evropian

80 mijë pyetje
Në pranverë të këtij viti do të fillojë studimi i fizibilitetit për Kosovë, i cili do të zgjasë deri në vjeshtë të këtij viti, kur së bashku me raportin e progresit do të paraqitet nga KE-ja. Mbi 80 mijë pyetje do të parashtrohen nga KE-ja, për të cilat Qeveria duhet të japë përgjigje


16 Janar, 2009
Agjencia për koordinim të zhvillimeve dhe integrimit evropian është duke përgatitur projektin final të planit të veprimit për partneritet evropian, i cili pritet nga fundi i muajit të gjendet në tavolinën e Qeverisë për aprovim. Procesi i integrimit të Kosovës drejt strukturave të Bashkimit Evropian është një nga prioritetet kryesore të Kosovës, për të cilën Presidenca çeke e BE-së është duke bërë përpjekje për gjetjen e rrugës më të mirë për realizimin e synimit të vendit. Ushtruesi i detyrës së shefit të zyrës së Agjencisë për integrim evropian, Besfort Rrecaj, shfaqi besimin se deri në fund të muajit projekti final i planit të veprimit do të jetë i gatshëm për t'iu proceduar Qeverisë për aprovim. "Ky projekt final do të jetë rezultat i gjitha obligimeve që ka marrë Qeveria dhe si rezultat i përgjegjësisë ndaj raportit të progresit të KE-së", tha Rrecaj. Në raportin e progresit për Kosovë janë paraqitur shumë sfida, të cilat ai tha se do të inkorporohen në agjendën zyrtare të Qeverisë. Ai është shprehur i sigurt se institucionet e vendit do të përmbushin të gjitha obligimet që janë të evidentuara në raportin e progresit, dhe se për këtë janë formuar grupet punuese të cilat janë duke zhvilluar takimet.

Studimi i fizibilitetit
Komisioni Evropian ka paralajmëruar studimin e fizbilitetit për Kosovë gjatë vjeshtës së këtij viti, kur edhe pritet të paraqitet raporti i radhës së progresit. Ky studim kryhet vetëm për vendet të cilat kanë perspektivë të qartë evropiane. "Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat është Kosova, është një sukses mjaft i madh procesi i fillimit të studimit të fizibilitetit, i cili do të fillojë në pranverën e hershme, ndërsa do të zgjatë deri në vjeshtë", tha Rrecaj. Në të parashihet të ndërmerren nga Qeveria një numër i madh aktivitetesh. Janë rreth 80 mijë pyetje që do të shtrohen nga ana e BE-së dhe të cilat përbëjnë bazën kryesore në atë që çka quhet studim i fizibilitetit. Në bazë të analizave që do të bëhen me gjendjen faktike, do të merret vendimi nëse Kosova i plotëson kushtet që të nënshkruajë marrëveshjen për stabilizim - asociim, MSA, që është hapi i parë kryesor formal drejt anëtarësimit në BE, që do të ishte një sukses shumë i madh për vendin. "Indikator shpresëdhënës është edhe vetë raporti i fundit i progresit, ku parasheh aktivitetet dhe arritjet e ndryshme të Qeverisë, që ka të bëjë pikësëpari me themelimin e institucioneve të cilat merren me agjendën evropiane", tha ai. Aktualisht 22 vende të BE-së kanë njohur pavarësinë, ndërsa pesë të tjera ende nuk kanë marrë qëndrim. Kjo në rrafshin politik mund të paraqesë një sfidë për ecjen e Kosovës në këtë proces, duke qenë që nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së MSA-së duhet ta bëjnë të gjitha vendet veç e veç. Derisa në rrafshin teknik Kosova ka mundësi të tejkalojë sfidat në rrafshin politik, kjo gjë mbetet për të dëshiruar jo nga vullneti politik i vendit sa ai i atyre shteteve që ende nuk kanë njohur pavarësinë. Njohjet janë të domosdoshme, mirëpo sipas zyrtarëve nuk përjashtohet që edhe vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë, nëse del pozitiv studimi i fizibilitetit, ta ratifikojnë marrëveshjen. Kjo duke u nisur nga fakti se disa shtete i njohin pasaportat, edhe pse ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
I.KRASNIQI
 
Titulli: KlikInf.

KuCi i ofron shtetësinë De Vriezes

"Edhe për nga kontributi i tij personal, edhe për nga qëndrimi kohor e meriton ta ketë shtetësinë e Kosovës, bile kurdo që do të aplikojë, do ta ndihmojmë që t'ia japim", tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi me rastin e përcjelljes së koordinatorit të OSBE-së

16 Janar, 2009

Franklin De Vrieze, koordinator i ekipit të OSBE-së, i cili për 7 vjet me radhë e ka mbështetur punën e Kuvendit të Kosovës, dhe institucioneve të tjera në vend, këto ditë e ka përfunduar mandatin e tij 7-vjeçar. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, në përcjellje të z. De Vrieze kanë organizuar një pritje të posaçme, në të cilën ka marrë pjesë kryetari Jakup Krasniqi, ambasadori i OSBE-së në Prishtinë Verner Almhofer, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministra dhe deputetë të subjekteve të ndryshme politike. Kryetari i Kuvendit ka vlerësuar se gjatë gjithë aktivitetit të tij në Kosovës, z. Franklin De Vrieze ka ndihmuar shumë jo vetëm në ndërtimin, por edhe në demokratizimin e institucioneve të Kosovës. "Ne i jemi mirënjohës, sepse gjatë këtyre viteve edhe Kuvendi i Kosovës ka pasur një ndihmë dhe një mbështetje të gjithanshme dhe kjo mbështetje ka qenë politike, administrative, profesionale dhe teknike", ka deklaruar në pritjen speciale të organizuar për këtë zyrtar të OSBE-së kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi. Ai tha se kjo ndihmë është shtrirë edhe te grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, por edhe në vetë punën e komisioneve parlamentare. Mirëpo, Krasniqi tha se me shkuarjen e z. Franklin De Vrieze nuk do të ndërpritet mbështetja e mëtejme e Kuvendit nga ana e OSBE-s. "Sigurisht, OSBE-ja do ta vazhdojë ndihmën e gjithanshme edhe mbështetjen që ia ka dhënë Kuvendit të Kosovës edhe deri më tani".

Ruhet mbështetja
Edhe ambasadori i OSBE-së, Verner Almhofer, tha se pas shkuarjes së këtij zyrtari të lartë në mision të ri në kuadër të UNDP-së me seli në Bruksel, OSBE-ja do të vazhdojë të njëjtin rol mbështetës për Kosovën me ritmin që e ka krijuar vetë z. De Vrieze. "E njëjta frymë e bashkëpunimit dhe e njëjta mbështetje do të vazhdojë t'i jepet Kuvendit të Kosovës edhe në të ardhmen", tha Verner Almhofer. Kreu i legjislativit, si shenjë respekti për punën e bërë në bashkëhartimin e Kushtetutës së shtetit të Kosovës nga ekipi i OSBE-së dhe vetë Franklin De Vrieze, i ka dhuruar atij edhe një kopje të Deklaratës së Pavarësisë. Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, që nuk i ka harruar momentet më delikate të punës me z. Franklin De Vrieze dhe e ka vlerësuar lart punën e këtij zyrtari ndërkombëtar, duke i ofruar edhe mundësinë e marrjes së shtetësisë së Kosovës."Ne kemi bashkëpunuar me z. Franklin në situata të ndryshme, edhe në kohë të mira, edhe jo bash të mira për Kosovën, kur kemi qenë në opozitë, por edhe tani në Qeveri, mirëpo gjithmonë te z. Franklin kemi gjetur mirëkuptimin për kërkesat tona, ndoshta shumë herë edhe më shumë se sa vetë kornizat e OSBE-së dhe qëllimin e tij për demokratizimin e vendit tonë", tha Kuçi. Sipas Kuçit, vetë puna që ka bërë z. Franklin për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës deri në vendimin e tij për largim, i ka krijuar të gjitha parakushtet që ai ta marrë edhe shtetësinë e Kosovës, gjë që ia kishte premtuar kaherë gjatë punës së tyre të përbashkët."Edhe për nga kontributi i tij personal, edhe për nga qëndrimi kohor, e meriton ta ketë shtetësinë e Kosovës dhe atë kurdo që do të aplikojë do ta ndihmojmë që t'ia japim", tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

7 vjetët e bashkëpunimit
Zyrtari i OSBE-së nuk e ka komentuar ofertën për shtetësi, por është falënderuar për fjalët e mëdha të thëna për punën e tij që ka bërë së bashku me OSBE-në në Kosovës deri në ditën e largimit të tij. Ai ka premtuar se largimi i tij nga Kosova nuk do të thotë edhe ndërprerje e interesimit të tij për zhvillimet e reja që e presin këtë vend. "Kam punuar me një ekip të shkëlqyeshëm brenda misionit të OSBE-së dhe besoj që mirënjohja që më është ndarë sot i takon në një pjesë të madhe edhe këtij ekipi, i cili ka qenë shumë i përkushtuar në këtë përkrahje. Kam qenë tashmë 7 vjet me radhë këtu dhe e kam pasur fatin që të punoj në këtë institucion, në zhvillimin e tij prej Kuvendit të Kosovës në ngritjen e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mendoj që kanë ekzistuar disa momente kyçe gjatë qëndrimit tim këtu dhe gjatë kësaj mbështetje, dhe dua t'i përmend disa prej tyre, dhe i pari e më i rëndësishme besoj që do të ishte procesi kushtetues", tha De Vrieze. Ai tha se me këtë dokument Kosova dhe vetë Kuvendi mund të jenë shumë krenarë para bashkësisë ndërkombëtare. "Besoj që Kushtetuta nuk është vetëm një dokument, por është një dokument i gjallë që po përmendet', tha ai, duke iu referuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që tash bëjnë thirrje për mbrojtje dhe respektim të këtij dokumenti bazë të shtetit të Kosovës. De Vrieze e ka vlerësuar edhe nga ana e tij si shumë pozitiv bashkëpunimin me spektrin politik dhe institucional në Kosovë për 7 vjetët e shërbimit të tij dhe ka bërë thirrje që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe pas largimit të tij nga Kosova.
S. AHMETI
 
Titulli: KlikInf.

Ndërkombëtarët të mos e mbajnë nën tutelë Kosovën

Server: BE-ja të shprehet më qartë
Deri tani, vetëm 53 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky numër nuk është i mjaftueshëm


16 Janar, 2009
Analistët e çështjeve ballkanike, Morton Abramovic dhe Daniel Server, thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të tregojnë vendosmëri dhe qartësi më të madhe për të mos lejuar prishjen e stabilitetit, edhe kështu të brishtë, në rajonin e Ballkanit. Kohët e fundit ata botuan një artikull të përbashkët në gazetën “Wall Street Journal”, ku analizojnë dinamikën aktuale të Ballkanit dhe rolin që duhet të luajnë në rajon Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Zëri i Amerikës bisedoi me Dr. Daniel Server, nënpresident i Qendrës për Operacionet e Paqes dhe Stabilitetit pas Konflikteve të Institutit Amerikan të Paqes.

*Zoti Server, në artikullin tuaj ju shpreheni se shteti i ri i pavarur i Kosovës vështirë të quhet funksional. Cilat janë arsyet?
Server: Por, sepse Kosovës nuk i është dhënë shansi për të qeverisur. Shqiptarët kanë qenë për një kohë të gjatë nën tutelën ndërkombëtare dhe nuk kanë pasur shumë mundësi që të bëjnë gabimet e tyre. Të gjithë bëjmë gabime, por ne mësojmë prej tyre. Ndërkombëtarët duhet disi të tërhiqen, gjë që megjithëse nuk do ta përmirësonte menjëherë gjendjen, do t’u jepte rastin shqiptarëve të bënin gabimet e tyre dhe të fillonin të mësonin se kur bën gabime nuk rizgjidhesh. Ky është një mësim i rëndësishëm.

* Shtetet e Bashkuara kanë thënë se EULEX-i është një autoritet që shtrihet në gjithë Kosovën, ndërsa ju thoni se pjesa veriore e Kosovës qeveriset nga Beogradi dhe se de fakto ajo është e shkëputur nga Kosova. Ku e mbështesni këtë?
Server: Besoj se kështu është. Ky është një përshkrim i saktë i situatës. Vetë EULEX-i vështirë se po funksionon në këtë fazë. Ka pasur shpresa të mëdha për EULEX-in, por të pretendosh se ai e ka marrë situatën në dorë me autoritet të plotë, duke zëvendësuar autoritetin e Beogradit në veri, nuk e ndihmon zgjidhjen e gjendjes. Patjetër që EULEX-i duhet të ketë autoritetin e tij në të gjithë Kosovën, gjë që sot nuk e ka dhe Beogradi për momentin është duke e kundërshtuar atë.

* Si zgjidhje, ju sugjeroni se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të veprojnë me më shumë vendosmëri dhe qartësi. Më konkretisht, çfarë duhet të bëjnë ato?
Server: Për mendimin, tim BE-ja duhet të shprehet më qartë, se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, në qoftë se në një farë forme, nuk e pranon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Fakti që 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të shërbejë si shembull për të kuptuar se mjafton një prej tyre që të ushtrojë pushtetin e vetos për të bllokuar pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ky është në fakt realiteti në terren. Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, ato duhet të angazhohen plotësisht në këtë situatë. Dihet mirë se Ballkani është mbështetur vazhdimisht tek udhëheqja amerikane. Megjithëse do të doja të shikoja që më shumë përgjegjësi të merreshin përsipër nga Bashkimi Evropian, vendosmëria amerikane është e domosdoshme jo vetëm për Kosovën, në këto momente, por edhe për Bosnjën dhe demokratizimin e Serbisë.

* A do të ishte e drejtë atëherë të themi se ju sugjeroni që njohja e pavarësisë së Kosovës t’i vihet si kusht Serbisë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian?
Server: Patjetër. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse në të kundërtën, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do ta bllokojnë anëtarësimin e saj në BE. Kjo është plotësisht e qartë për një grupim 27 anëtarësh me të drejtë vetoje për secilin vend. Deri tani Serbia e ka bllokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke përdorur me sukses manovrat diplomatike. Kjo nuk ka qenë e papritur, pasi Kosova nuk e ka pasur atë kapacitet diplomatik të Beogradit, ajo nuk ka pasur as Ministri të Jashtme deri para një viti. Deri tani vetëm 53 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky numër nuk është i mjaftueshëm,prandaj udhëheqja e saj duhet të angazhohet dhe t’i mësojë manovrat diplomatike. Diplomacia është një sport i vështirë, është një lloj si të hidhesh në baltë për të fituar pikë.

* Zoti Server, ju i njihni udhëheqjes së Kosovës meritën se ka qenë e matur në drejtimin e vendit...
Daniel Server: Patjetër. U heq kapelën atyre që kanë parandaluar dhunën, kanë parandaluar ekstremistët që të marrin në dorë situatën.
 
Titulli: KlikInf.

Grabitësit e ‘ProCredit bankës’, para gjyqtarëve ndërkombëtarë

Burim Berisha, Haki Jusufi, Fikret Murati, Fatos Azizi, Selami Beqiri dhe Faruk Ademi akuzohen për grabitjen e parave në vlerë prej 111.182.91 eurosh, 196.889 USD dhe 40 CH

16 Janar, 2009

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën udhëheqjen e trupit gjykues ndërkombëtar, sot është mbajtur gjykimi ndaj gjashtë të akuzuarve të përfshirë në akuzën për grabitje, përderisa i akuzuari i shtatë gjendet në arrati. Burim Berisha (1989) i lindur në Shkup, Haki Jusufi (1963) nga Tërpeza e Vitisë, Fikret Murati (1983) po nga i njëjti fshat, Fatos Azizi (1970) nga Vitia, Selami Beqiri (1968) nga Sllatina e Epërme e Vitisë dhe Faruk Ademi (1974) nga Gjilani akuzohen për grabitjen e parave në vlerë prej 111.182.91 eurosh, 196.889 USD dhe 40 CH në njërën nga filialet e 'ProCredit bankës' në Ferizaj. Nga këto të holla 40.000 euro sipas akuzës bëhet e ditur t'i ketë marrë me vete i akuzuari Xhelal Azizi, i cili është arratisur pas kryerjes së veprës.

Ngjarja
Burim Berisha, Haki Jusufi, Fikret Murati, Fatos Azizi, Selami Beqiri dhe Faruk Ademi akuzohen se kanë kryer krim të rëndë, si pjesë e grupit të organizuar për përfitime të kundërligjshme financiare. " Burim Berisha dhe Haki Isufi, sipas akuzës, bëhet e ditur se paraprakisht e kanë bërë planifikimin për të grabitur filialin e 'ProCredit bankës' në Ferizaj. Pas planifikimit e kanë kontaktuar Fikret Muratin, prej të cilit kanë kërkuar që t'u gjejë një njeri të besueshëm, i cili do të hyjë në bankë së bashku me Burimin. Kështu Fikreti e ka kontaktuar Xhelal Abazin, i cili aktualisht gjendet në arrati. Pasi që ky i fundit e kishte pranuar propozimin e tij, që të katër janë takuar në kafenenë " Road 66" në Ferizaj. Me këtë rast, i kanë ndarë detyrat për secilin veç e veç, duke përfshirë edhe të akuzuarit e tjerë. Kështu më 9 qershor 2008, rreth orës 08:06, veturën e modelit " Golf 2 " ngjyrë e gjelbër dhe numër targash 202 KS943 pronë e të akuzuarit Selami Beqirit, sipas marrëveshjes me Hakiun dhe Selamiun, e ka lënë në oborrin e shtëpisë së tij të hapur dhe me çelësa në të. Burim Berisha dhe Xhelal Abazi kanë shkuar para hyrjes së bankës, që ndodhet në rrugën " Vëllezërit Gërvalla " në Ferizaj. Janë ndaluar dhe kanë dalë nga vetura të maskuar dhe të armatosur me revole dhe me shpejtësi janë futur brenda. Xhelali ua ka drejtuar revolen rojeve fizike në hyrje të lokalit, të cilët i ka detyruar të shtrihen përtokë, duke i kërcënuar se po qe se lëvizin, do t'i vrasin. Burim Berisha me revole në dorë nga sirtari i ka marrë të gjitha paratë dhe i ka futur në çantën e zbrazët.

Paratë në çantë, revolja në shportë
Më pas e ka marrë edhe çantën tjetër, në të cilën kishte para dhe ishte e mbyllur e më pas që të dy me të dyja çantat kanë dalë nga banka dhe janë larguar me shpejtësi me të njëjtën veturë, me ç'rast me vete kanë marrë të holla në shumën prej 111.182.91 euro, 196.889 USD dhe 40 CH. Të pandehurit, kur kanë arritur tek ambulanca rajonale në Ferizaj, sipas marrëveshjes së mëhershme, ishte duke i pritur i akuzuari Faruk Ademi me veturën e tij të modelit " Opell Vektra", me numër targash 344KS315, me të cilin ishte marrë vesh më herët i akuzuari Fatos Azizi, pasi që Haki Isufi për këtë i ka premtuar 10.000 euro, prej të cilave 1.000 euro do t'ia jepte pronarit të veturës. Të njëjtit më pas i kanë vendosur çantat me para në veturë, ku ka hyrë Xhelal Azizi me shpejtësi dhe më pas kanë vazhduar në drejtim të Gjilanit. I akuzuari Burim Berisha ka marrë një taksi dhe ka shkuar në drejtim të restorantit " Buca Petroll", që gjendet në rrugën magjistrale Ferizaj - Kaçanik, ku kishte pirë një kafe dhe kishte bërë disa telefonata dhe në fund e ka hedhur revolen që e kishte me vete në shportën e mbeturinave në korridorin e tualetit. Në anën tjetër, të akuzuarit Xhelali dhe Faruku me veturë kanë vazhduar deri në një mal mbi fshatin Zllatar, ku i kanë marrë çantat me para dhe kanë ecur këmbë deri në afërsi të fshatit Tërpezë, ku paratë i kanë vendosur në një çantë sportive. Një pjesë nga të hollat i ka marrë Xhelali. Sipas premtimit, 3.000 euro dhe 5.100 USD ia ka dhënë Farukut dhe aty janë ndarë. Pas ndarjes, i akuzuari Fikret çantën me para e ka fshehur në tavanin e shtëpisë së pabanuar të axhës së tij, ndërkohë që të pandehurit Burim Berisha, Haki Isufi dhe Fatos Azizi janë takuar në kafenenë "Energji", ku edhe janë arrestuar nga policia. Policia më pas i ka arrestuar edhe të tjerët, përderisa në arrati është vetëm Xhelal Azizi, thuhet në akuzën që këta të pandehur i ngarkon për kryerje të veprës penale të krimit të organizuar.
L.HUMOLLI
 
Titulli: KlikInf.

Miftar Miftari dënohet me 8 muaj burgim

16 Janar, 2009

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë sot është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit Miftar Miftarit (1985) nga Prishtina. Për kryerje të veprës penale të vringëllimës, vepër kjo e cila është ricilësuar si tentim vrasje, Miftari u dënua me 8 muaj burgim. Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2008, ku rreth orës 16:30 në rr. "Xhavit Ahmeti", Miftar Miftari dhe Arian Miftari ( ky i fundit gjendet në arrati) e kanë bllokuar veturën e të dëmtuarit Mustafë Gashi, i cili pasagjer ka pasur Kastriot Kllokoqin. Së pari ka dalë Arian Miftari dhe me armë në dorë i është ofruar të dëmtuarit Mustafë dhe e ka goditur me dorë në xhamin e dritares së veturës, por Mustafë Gashi fillon që të ikë me veturë, por nga vetura 'Golf 4' Miftar Miftari nxjerr revolen e kal.9mm, të cilën e posedonte pa leje e godet atë në pjesën e pasme të veturës. Ndërsa Ariani shtie një herë me revole në drejtim të të dëmtuarit Gashi, me ç'rast e godet në pjesën e pasme të veturës. Gjykata ka marrë vendim që ndaj të akuzuarit Miftari të ndërpritet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
L.HUMOLLI
 
Titulli: KlikInf.

Garë me vetura, humb jetën një 23-vjeçar

16 Janar, 2009

Rreth dhjetë minuta pas mesnate të ditës së enjte, autoritetet policore të stacionit Vushtrri, së bashku me njësitë e trafikut rajonal, i janë përgjigjur një aksidenti të rëndë në trafik. Aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në rrugën "Uesli Klark" në Vushtrri, ku ishin përfshirë dy automjete civile. Aksidenti besohet të ketë qenë shkaktuar si pasojë e zhvillimit të shpejtësisë së madhe nga ana e dy automjeteve. Dyshohet se ngasësi i automjetit "Golf 3" fillimisht bën një tejkalim të pasigurt të një automjeti tjetër në lëvizje dhe humb kontrollin dhe godet një shtyllë elektrike, në anën e majtë të rrugës dhe pasi bën disa sjellje kthehet përsëri në rrugën kryesore. Besohet se pasagjeri i automjetit të aksidentuar në atë moment del nga automjeti dhe në të njëjtën kohë automjeti tjetër "Fiat" në lëvizje në drejtim të njëjtë e godet viktimën, dhe më pas përplaset në derën e parme të krahut të djathtë automjetit "Golf". Gjithsej tre persona të lënduar, sa ishin të përfshirë në këtë aksident, dy ngasësit e automjeteve dhe pasagjeri, janë dërguar urgjentisht në QKUK në Prishtinë për trajtim të lëndimeve të rënda trupore të shkaktuara në këtë rast, ndërsa viktima 23-vjeçar ka ndërruar jetë si rezultat i lëndimeve të marra. Në bazë të hetimeve preliminare të zhvilluara nga hetuesit policorë, mësohet se dy ngasësit e të dyja automjeteve, njëri 16- vjeçar dhe tjetri 20-vjeçar, nuk posedojnë patentë shoferi. Të njëjtit njihen në mes vete, ndërsa besohet se ishin përfshirë në garë me veturat e tyre. Hetimet lidhur me rastin zhvillohen nga hetuesit e trafikut rajonal të Mitrovicës.
F.BEKA
 
Titulli: KlikInf.

Kapen duke dëmtuar pyllin

16 Janar, 2009

Në Stacionin Policor në Kaçanik, nga Agjencia e pyjeve është raportuar me telefon, se disa persona janë duke prerë dru në pronën e Agjencisë pyjore në fshatin Dubravë. Njësitë e para reaguese të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur t'i kapin dhe t'i arrestojnë tre persona të dyshuar H.Berisha (18), K.Vishi (20), U.Vishi (23). Zëdhënësi i PK-së për Ferizaj, rreshter Behxhet Krasniqi, tha se tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe në konsultim me prokurorin Komunal janë dërguar në qendrën për mbajtje. R.SUMA
 
Titulli: KlikInf.

Speciale: Direktivat e BE-së dhe transmetimet në Kosovë

Kosova, e vonuar me digjitalizimin

Kalimi në sistemin digjital duhet të përmbushet deri në vitin 2015. Pas kësaj kohe, ITU-ja nuk mban përgjegjësi për ndërhyrjet në sistemin analog, prandaj edhe Kosova duhet të respektojë këtë Direktivë të ITU-së. Sipas KPM-së, duhet të bëhet hulumtimi i tregut medial në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet një pasqyrë se si do të bëhet kalimi nga sistemi analog në atë digjital

16 Dhjetor, 2008
Kalimi i Kosovës në transmetimin digjital nga ai analog, duket se ende është larg realitetit aktual të Kosovës. Të gjithë parametrat tregojnë se Kosova është e vonuar në çdo aspekt, si në infrastrukturën ligjore, po ashtu edhe në anëtarësimin në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.
Mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar konsiderohet si problem i natyrës politike. Naile Krasniqi, shefe ekzekutive në Këshillin e Pavarur të Medieve, thotë se për konvertim të sistemit analog në atë digjital, sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (International Telecommunications Union - ITU), Kosova duhet të kalojë në sistem digjital në vitin 2015. Por, nëse bëhet anëtare e CEPT-it (European Conference of Postal and Telecommunications Administrations), atëherë Kosova obligohet edhe në vitin 2012. Sipas Krasniqit, KPM-ja është duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura rreth strategjisë për digjitalizimin e transmetimeve në Kosovë. '"Kosova, respektivisht KPM-ja ka filluar fazën e përgatitjes së hartimit të Strategjisë Digjitale, e cila është në zhvillim e sipër, ku përfshihen planifikimi, caktimi i afateve dhe eksperimentimi i kalimit në sistemin digjital. ثshtë duke u punuar që të bëhen planifikimet e duhura që të kalohet në këtë sistem brenda afateve të përcaktuara". Kalimi në sistemin digjital duhet të përmbushet deri në vitin 2015. Pas kësaj kohe ITU-ja nuk mban përgjegjësi për ndërhyrjet në sistemin analog, prandaj edhe Kosova duhet të respektojë këtë Direktivë të ITU-së. Sipas KPM -së, duhet të bëhet hulumtimi i tregut medial në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet një pasqyrë se si do të bëhet kalimi nga sistemi analog në atë digjital (si do të bëhet "switch over") dhe sa do të jetë kostoja e kalimit në atë sistem. Ky konvertim do të kushtojë si në kohë ashtu edhe në përgatitjen për t'u pajisur me pajisjet e zhvilluara teknologjike, si për ata që do të transmetojnë (operatorët) ashtu edhe për ata që do të pranojnë sinjalin digjital (konsumatorët). Sipas KPM-së, nuk mund të kemi parashikime të cilat do të ishin shumë precize si në aspektin e transformimit, kohën sa do të zgjasë një gjë e tillë, si do të duket dhe sa do të kushtojë." Gjithsesi, i tërë procesi zhvillimor i strategjisë, po edhe i përgatitjes për kalim në sistemin digjital, do të rrjedhë në atë mënyrë që televizionet kosovare do të jenë të njoftuara për veprimet që duhet të ndërmerren dhe do të jenë të përfshira në proces në mënyrë që konvertimi i sistemit të tyre nga analog në digjital të jetë i suksesshëm dhe në harmoni me legjislacionin, që do të krijohet për transmetimet televizive digjitale. Ne shpresojmë që mediet tona do të jenë pjesë e procesit dhe do të jenë ato që do të bartin procesin", tha Naile Krasniqi, nga KPM-ja.

Të vonuar me
legjislacionin
Komisioni Parlamentar për Administratë Lokale dhe media thotë se tashmë Kosova është vonuar në shumë aspekte në mënyrë që të mundë të arrijë anëtarësinë në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Esat Brajshori, kryetar i Komisionit në fjalë, tha se Kosova absolutisht është e vonuar në aspektin e hartimit të ligjeve për kalimin në sistemin digjital të transmetimit. Ai tha se ekzistojnë disa prej faktorëve, të cilët tani për tani janë të pakapërcyeshëm dhe të cilët e bëjnë të pamundur që Kosova të fillojë digjitalizimin e transmetimeve mediale ."Në këtë rrafsh do të thosha se është punë shumë e madhe dhe do të ishte punë shumë e madhe angazhimi i Ministrisë së Transportit dhe të Postë- Telekomunikacionit për anëtarësimin e Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, në mënyrë që edhe Kosova të fillojë të mendojë se fillimi i vitit 2012 është vit në të cilin do të fillojë digjitalizimi i medieve në përgjithësi, dhe viti 2015 është koha e fundit për një gjë të tillë", tha Brajshori. Ai shtoi se jo vetëm që jemi prapa në aspektin e krijimit të infrastrukturës ligjore, por edhe të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë që është një gjë e domosdoshme. Sipas Brajshorit, Kosova duhet të jetë edhe anëtare e OKB-së, që të njihet nga numër më i madh i atyre shteteve, në mënyrë që të bëhet edhe anëtare në ITU. Ai shtoi duke thënë se është e vështirë të thuhet tani se çfarë implikimesh buxhetore do të ketë tani, por sigurisht se do të jetë shumë i kushtueshëm".
Esat Brajshori, kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Lokale dhe Media, ia hedh topin KPM-së, duke thënë se KPM-ja është më shumë e thirrur të angazhohet në këtë drejtim, duke marrë parasysh hapësirat që i ka në drejtim të realizimit të kësaj.
Ai tha se sikurse që jemi të vonuar në çdo fushë, jemi të vonuar edhe në aspektin e sigurimit të teknologjisë së avancuar nga TV-të tona.

Mundësitë e
shumëfishimit të kanaleve
Gazmend Abrashi, nga Global Media Distribution Services (GMDS), thotë se fillimisht duhet të bëhet qartësim i asaj çka kuptojmë më fjalën digjitalizim të transmetimeve dhe çka përfshin ky proces. Ai thotë se transmetimi digjital nuk nënkupton vetëm transmetimet tokësore, siç është bërë zakon të quhet zakonisht. Transmetime digjitale ka edhe në satelit, në kabllor, në internet, si dhe në transmetime tokësore.
Abrashi thotë se nëse e marrim aspektin e transmetimeve digjitale tokësore, atëherë së pari çështja e frekuencës së një kanali nuk është më relevante, nuk është e rëndësishme, sepse ideja se pse kanë ardhur transmetimet digjitale është se Bashkimi Evropian ka caktuar njërin prej standardeve që një shtetet duhet ta plotësojnë, për t'u bërë anëtar i EU-së, dhe gjatë nënshkrimit të stabilizim asociimit, dhe kjo është njëra nga pyetjet që u bëhen shteteve kandidate se deri ku kanë arritur me digjitalizimin transmetimeve.
Brezi frekuencor është një brez shumë i rëndësishëm, ku mund të zhvillohen komunikime të ndryshme dhe të shumta. Ideja është që të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale. "Aktualisht, në një frekuencë, sot në Kosovë, transmetohet një kanal, p.sh RTV21 e ka frekuencën e vet, RTK-ja të vetën, KTV-ja të vetën e kështu me radhë.
Kur flasim për Prishtinën, ajo është një frekuencë, po për Rrafshin e Dukagjinit nevojitet edhe një frekuencë tjetër, kështu që aktualisht kanalet tona televizive kanë rrjete tokësore, d.m.th rrjeti përbëhet prej disa frekuencave, ku 8 deri 9 prej frekuencave janë të shfrytëzuara nga televizionet nacionale në Kosovë, në mënyrë që ta mbulojnë 67% të territorit të Kosovës", tha Gazmend Abrashi, nga GMDS-ja.
Me digjitalizim sot ekziston mundësia që brenda një frekuence të bëhen tetë deri në nëntë kanale, dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore mund të shkohet edhe me 16 kanale. Në këtë mënyrë racionalizohen shpenzimet dhe puna e frekuencave dhe gjithë ky brez i frekuencave, që deri më tani është shfrytëzuar për televizione, në një të ardhme të afërt mund të shfrytëzohet për telekomunikim.
Aktualisht, RV21, RTK-ja dhe KTV-ja janë të pranishme edhe në Evropë dhe në Amerikë përmes transmetimeve digjitale, në Amerikë RTK-ja dhe KTV-ja janë duke u transmetuar përmes internetit, kurse RTV21 përmes satelitit.

Përpjekje që dështuan
Në të kaluarën janë bërë përpjekje nga ana e televizioneve të Kosovës që në mënyrë unike të fillohet me digjitalizimin e transmetimeve.
"Në vitin 2003-2004 mund të themi se kemi qenë më së afërmi në rajon sa i përket digjitalizimit të transmetimeve, mirëpo për shkak të statusit politik të Kosovës të pazgjidhur, ne nuk kemi mundur, sepse në vitin 2005-2006 është mbajtur mbledhja e ITU-së ku janë përcaktuar frekuencat dhe mundësitë. Ne kemi qenë të shkyçur nga ana e ITU-së dhe për shkak të pamundësisë të kësaj zhvillimi është bërë në Shqipëri, ku atje është mbuluar një pjesë jo aq e madhe tokësore dhe më shumë është bërë përmes satelit", tha Abrashi. Sipas Abrashit, PTK-ja dhe televizionet nacionale nuk i kanë thyer rregullat e respektimit të së drejtës autoriale, ndërkaq IPKO-ja edhe "Kujtesa" i patën thyer rregullat e të drejtës autoriale, duke vënë në funksion kanale që janë të palicencuara.
S. GASHI
 
Titulli: KlikInf.

Panamaja njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran

Ministri i Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka njoftuar se Republika e Panamasë e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran Panamaja, vend i Amerikës Qendrore, bëhet shteti i 54-të anëtar i OKB-së që e njeh Republikën e Kosovës, e cila më 17 shkurt 2008 e shpalli pavarësinë. MPJ-ja thotë se së shpejti priten edhe disa njohje të tjera nga Amerika Qendrore dhe vendet arabe.
Panamaja është shteti i 54 që ka njohur Republikën e Kosovës. Këtë e konfirmoi ministri i jashtëm Skënder Hyseni i cili e vlerësoi të një rëndësie të veçantë njohjen nga Panamaja.
“Kjo njohje ka rëndësi për kohën kur vjen dhe po ashtu në kontekst gjeopolitik ka rëndësi për shkak të ndikimit të këtij shteti në ishujt Karaibe”, theksoi ministri Hyseni. Sipas tij ka sinjale pozitive edhe nga shumë vende tjera për njohjen e Kosovës.

Ministri i jashtëm Skënder Hyseni njoftoi se Panamaja është shteti i 54 që ka njohur Kosovë e pavarur. Konfirmimi ka ardhur nga ministri i Jashtëm i Panamasë Luis Navaro. Sipas ministrit Hyseni koha kur ka ardhur njohja është shumë e rëndësishme për Kosovën, veçanërisht duke ditur ndikimin dhe pozitën gjeopolitike të këtij vendi në ishullin e Karaibeve.

Panamaja gjendet ne Amerikën Qendrore, e kufizuar me detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor, ndërmjet Kolumbisë dhe Kostarikës.

Ministri Hyseni tha se ka sinjale pozitive nga vende tjera për njohjen e Kosovës, por nuk bëri të ditur ndonjë afat kohor se kur do të ndodhin këto njohje.

MPJ-ja thotë se së shpejti priten edhe disa njohje të tjera nga Amerika Qendrore dhe vendet arabe.

Kryediplomati i Kosovës theksoi se në një kohë të përshtatshme kërkesa për njohje do ti dërgohet edhe Serbisë.


/rtk
 
Titulli: KlikInf.

Sejdiu dhe Feith: Nuk ka zgjedhje parlamentare në vitin 2009

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu priti sot Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith me të cilin bisedoi rreth çështjes së zgjedhjeve në Kosovë. Presidenti Sejdiu e njoftoi Feith me vendimin e tij që "institucionet qendrore të Kosovës, të zgjedhura në mënyrë demokratike nga zgjedhjet e nëntorit te vitit 2007, do të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi".
Pieter Feith e siguroi Presidentin Sejdiu se vendimi i tij është në përputhshmëri të plotë me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.

Lidhur me vendimin për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Presidenti në bazë të kompetencave të veta, do të bëjë konsultimet dhe do të marrë vendimin në kohën e paraparë me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi. /rtk
 
Titulli: KlikInf.

Në Departamentin e Shtetit presidentit Bush iu prezantua edhe flamuri i Kosovës- simbol i krijimit të një bote më të lirë

New York, 16 janar. Në një fjalim lamtumirës drejtuar amerikanëve mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti George Bush reflektoi edhe njëherë mbi periudhën e dy mandateve të qeverisjes së tij, si dhe për të ardhmen e vendit dhe duke pas në mendje ndërrimin e pushtetit ai tha se do të jetë ky një moment i shpresës dhe krenarisë për Amerikën. Si një simbol i krijimit të një bote më të lirë, Bush-it iu prezantua edhe flamuri i Kosovës, në vizitën në Departamentin e Shtetit.
Ndryshe, në sondazhet e medias dhe të agjencive të specializuara, për mënyrën e qeverisjes së tij, presidenti Bush merr aprovimin e vetëm një të tretës së amerikanëve, mirëpo ai shpreson se historia do ta trajtojë
ndryshe duke i dhënë të drejtë në vendimet që çuan vendin në dy luftëra, me Afganistanin dhe Irakun.

Bush dëshiron të mbahet mend për luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë që i ofroi Amerikës, pas sulmit më të rëndë që ndodhi në fillim të mandatit të tij të parë.
Këtë javë ai pati disa përshëndetje lamtumirëse, konferencën e fundit për shtyp me gazetarë, takimin e fundit të kabinetit, vizitën e fundit në Departamentin e Shtetit, ndërkaq në shkallët e Kongresit do të jetë në
Ceremoninë e betimit të presidentit të ri Barack Obama të martën, pikërisht në mesditë.
Në vizitën lamtumirëse në Departamentin e Shtetit, Sekretarja Condoleezza Rice e vlerësoi rolin e presidentit edhe në përhapjen e lirisë në botë, me zgjerimin e NATO-së. Sekretarja e Shtetit i prezantoi presidentit flamujt e Kosovës, Afganistanit, Irakut, Liberisë dhe Libanit, duke i cilësuar këto si vende që iu bashkëngjitën familjes së vendeve të lira gjatë tetë vjetëve të
fundit.
"E kemi forcuar aleancën, e kemi bërë vendin tonë më të sigurt dhe botën më të lire", tha Bush. Ai shtoi më tutje se çlirimi i popujve nga shtypja dhe mjerimi ishte një e drejtë e përjetshme, ndërsa Amerika duhet të vazhdojë të ngrejë zërin për drejtësi dhe të tregojë vullnet për t'i mbrojtur dhe avancuar kauzën e paqes.
Të martën pasdite Bush do ta lë Washingtonin për t'iu kthyer jetës private në shtëpinë e sapoblerë në qytetin e Dallas, në Texas, ku ka zgjedhur t'i kalojë vitet e pleqërisë me bashkëshorten Laura. /S. gashi/
 
Titulli: KlikInf.

Deklarata e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës rreth zgjedhjeve

Kryesia e zgjeruar e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbledhjen e vet, të mbajtur të premten, më 16 janar 2009, miratoi këto qëndrime lidhur me vendimin e fundit të Presidentit të Republikës së Kosovës rreth mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare:
Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, vendimi i presidentit Fatmir Sejdiu është i papranueshëm dhe si i tillë është në kundërshtim të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës të Pakos së Ahtisaarit dhe vetë Kushtetutën e Kosovës;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të fillojë procesin e përgatitjes së padisë kundër presidentit të Republikës së Kosovës z. Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (sapo të formohet ajo) për të gjitha shkeljet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të kundërshtojë interpretimin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Pieter Feith lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare tek Grupi Drejtues Ndërkombëtar, pasi që kemi të bëjmë me një shpjegim të gabuar të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Pieter Feith të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaarit;

Shkeljet e këtilla të parimeve themelore të demokracisë dhe të dokumenteve më relevante vendore dhe ndërkombëtare, të cilat janë miratuar me konsensus në Kuvendin e Kosovës, dëmtojnë seriozisht funksionimin e sistemit politik në Kosovë, veçanërisht Kuvendin e Kosovës. Aq më keq që në këto shkelje merr pjesë edhe shefi i ICO-së, i cili është i thirrur që ta mbrojë Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari;

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas deklaratës së z. Pieter Feith, do të do të iniciojë diskutimin e kësaj çështjeje në Kuvendin e Kosovës dhe varësisht nga rezultatet e debatit parlamentar do të marrë vendimin rreth pozicionit të saj karshi pushtetit qendror të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se përpjekjet që qytetarit të Kosovës t’i mohohet e drejta për shprehjen e vullnetit përmes zgjedhjeve të lira për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, në rrethanat e një politike të jashtme shumë të dobët, me një degradim të plotë të qeverisjes, me korrupsion qe po e mbyt iniciativën e lirë dhe me një degradim enorm të gjendjes ekonomike, është rrugë drejt shkatërrimit të vendit, thuhet në komunikatën për opinion të lëshuar sot nga Kryesia e AAK-së./rtk
 
Titulli: KlikInf.

Ministri Limaj përfaqëson Kosovën në samitin e Abu Dubait “Prioritetet e së ardhmes”

Ministri Fatmir Limaj ka përfaqësuar Kosovën në samitin botëror me temën “Future Capitals” (Prioritetet e së ardhmes), që u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga 13 deri më 15 janar, në në të cilin morën pjesë përfaqësues të shumë vendeve të botës. Në një intervistë për RTK ministri Limaj ka vlerësuar se është me rëndësi që në këtë samit po prezantohet Kosova dhe për shkak të mundësisë së komunikimit dhe bashkëpunimit me shumë personalitete nga të gjitha kontinentet
Ministri Fatmir Limaj ka marrë pjesë me ftesë të nikoqirëve, në samitin ku është diskutuar për të ardhmen e investimeve të gjithanshme në vende të ndryshme të botës, me tema të ndryshme, duke filluar nga infrastruktura rrugore, hekurudhore, ndotja e ambientit, energjia, minierat e të tjera, ku po marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.


Intervista që z. Fatmir Limaj ia dha Televizionit të Kosovës


RTK: اfarë domethënieje ka për Republikën e Kosovës kjo vizitë dhe kjo prani juaja në këtë samit?

Fatmir Limaj: Ashtu siç thatë ju, me ftesën e kësaj organizate ne jemi këtu. Vetë prezenca e Kosovës domethënë shumë, se në këtë samit po bisedohet për të ardhmen e investimeve të gjithanshme në vende të ndryshme të botës, po bisedohet për tema të ndryshme, për shembull duke filluar nga infrastruktura rrugore, hekurudhore, mbrojtja e ambientit, energjia, minierat… Domethënë, është një lëmi e tërë e bashkëbisedimeve që po bëhen në samit, ku marrin pjesë njerëz dhe personalitete nga e gjithë bota, nga të gjitha kontinentet dhe mendoj që pjesëmarrja e Kosovës këtu dhe shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave me vendet tjera është përvojë e mirë edhe për vendin tonë.

RTK: Sa ka njohuri dhe interesim për t’u njohur rrethanat e Kosovës, zhvillimi i Kosovës? A jemi vend tërheqës për planet e tyre apo jo?

Fatmir Limaj: Së pari dua të them që është gjë e mirë që ne sot jemi këtu të prezantojmë vendin tonë për faktin se kemi mundësi të komunikojmë dhe bashkëbisedojmë me shumë personalitete, qoftë nga bota arabe, qoftë nga vendet tjera të botës që janë pjesëmarrëse. Ju e dini që ne këtu jemi në një vend mik të Kosovës, i cili e ka njohur Kosovën si shtet dhe po ashtu ka marrë pjesë në forma të ndryshme në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës, duke marrë pjesë me forcat e saj ushtarake, pastaj me ndihma të ndryshme humanitare… Thjeshtë, Emiratet e Bashkuara llogariten si miq të Kosovës. Ky është një vend jashtëzakonisht i zhvilluar dhe ne kemi çka të marrim nga përvoja e tyre, por edhe ndihmën e tij edhe në planin ekonomik e sidomos në planin politik duke marrë parasysh faktin se Emiratet e Bashkuara kanë një influencë të jashtëzakonshme në Gjirin Persik dhe në botën arabe, që do të ndihmonte shumë në avancimin e çështjes së Kosovës në kuptimin e njohjes së Kosovës edhe nga vendet tjera arabe, të cilat nuk e kanë njohur deri tani.

RTK: Sa ju shërbeu ky samit për të krijuar përshtypje të mira për Kosovës te përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse, qoftë të shteteve arabe, qoftë të shteteve tjera...

Fatmir Limaj: Posaçërisht për vendin tonë është me interes që ne të jemi pjesëmarrjes në këto takime, sidomos në botën arabe, për faktin që ju e dini se ne kemi interes që vendet e tjera arabe sa më shpejt ta njohin Republikën e Kosovës, prandaj çdo pjesëmarrje jona, çdo mundësi e kontaktit me përfaqësues të vendeve arabe është e mirëseardhur për Kosovën, e kjo u pa edhe gjatë kësaj vizite sot./rtk
 
Titulli: KlikInf.

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga Venecia

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një grup prej 100 studentësh nga Venecia, të cilëve iu printe profesoresha Marijana Granditsin. Me këtë rast kryeparlamentari iu foli studentëve mbi proceset në Kosovë, sidomos që nga 17 shkurti i këtij viti. Në fillim, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se tash një vit Kosova nuk konsiderohet më si vend krize.
Që nga 17 shkurti Kosova ka zgjidhur problemin shumëvjeçar, ajo tani është vend sovran që prodhon siguri. Në vijim kryeparlamentari Krasniqi foli për njohjen e Kosovës nga 54 shtete të botës, të cilët përbëjnë 70 për qind të prodhimit të gjithmbarshëm në botë. Ai shfaqi shpresën se edhe vendet tjera do të vazhdojnë këtë rrugë. Kosova, tha në vazhdim kryeparlamentari Krasniqi, më 9 prill ka aprovuar Kushtetutën, ndërsa më 15 qershor ajo ka hyrë në fuqi. Në këtë periudhë Kuvendi i Kosovës ka aprovuar 91 ligje, nga të cilat 52 dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. Me këto ligje rregullohen marrëdhëniet ndëretnike,decentralizimi e trashëgimia kulturore, përkatësisht në këtë mënyrë rregullohet funksionimi i institucioneve vitale të shtetit, siç është Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Viti 2008 ka përmbyllur fazën e konstituimit të institucioneve, por edhe të aprovimit të ligjeve nga fusha e ekonomisë.
Në përbërjen e Kuvendit të Kosovës përfaqësohen të gjitha komunitetet, pra në vendimmarrje janë të përfshirë edhe deputetet serbë. Kosova tashmë ka vendosur marrëdhënie shumë të mira më shtetet fqinje. Shpresojmë, tha kryeparlamentari Krasniqi, se edhe Serbia do të kuptojë realitetin e ri në Kosovë dhe do të sillet në funksion të paqes.
Kosova ka vendosur bazamentin e shtetit, të një shteti demokratik, në kuadër të të cilit janë të garantuara të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është shtet laik, ku ka tolerancë fetare. Kosova menaxhon mirë me situatën politike dhe të sigurisë. Proceset e këtushme zhvillohen në koordinim me komunitetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ndërsa sfidë e së ardhmes është anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtar, si: FMN, Bankën Botërore,Këshillin Evropian, OSBE dhe OKB etj.

Në vijim, lidhur me disa aspekte të funksionimit të Qeverisë së Kosovës, para studentëve foli zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili tha se koalicioni qeverisës është duke bërë një punë të frytshme. Angazhimet e Qeverisë janë përqendruar sidomos në tri dimensione: demokratizimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale. Reflektim mjaft të fuqishëm për realizimin e këtyre synimeve do të kishte anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
Duke i bërë një vështrim realizimit të prioriteteve të shumta të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Kuçi tha se tashmë janë arritur rezultate të rëndësishme, sidomos në sferën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik dhe në fushën e arsimit.
Lidhur me strukturën e Kuvendit, si dhe me disa anë teknike të zhvillimit të seancave të Kuvendit të Kosovës, studentët nga Venecia i njohu sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Studentët vizituan edhe ambientet e Kuvendit, njofton Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime w Kuvendit të Kosovës./rtk
 
Titulli: KlikInf.

Ministri i Sigurisë, Mujota: Në FSK edhe pakica serbe

- Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota ka deklaruar se rreth 10 për qind e pjesëtarëve të forcës së re të sigurisë do të jenë nga radhët e pakicave.

Ai tha se qeveria synon që të emërojë një zv/ministër të Forcës së Sigurisë nga komuniteti serb.

Mujota është shprehur i kënaqur me interesimin e komuniteteve pakicë, përfshirë atë serbe për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë do të fillojë zyrtarisht misionin e saj më 21 janar.

a.b/NOA
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top