Një 34-vjeçar, i cili ndërroi jetë të premten në Spitalin e Traumës në Tiranë mësohet se është vrarë me mjete të forta nga vëllai i të dashurës së tij. Viktima është Arben Gjeci nga fshati Bastar i Mesëm, i cili u gjet i plagosur në kokë në anë të rrugës nga kalimtarët mbrëmjen e së enjtes dhe u transportua menjëherë ne spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale, por hetimet provuan të kundërtën. Pas kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se lidhja me një 20-vjeçare të martuar i kushtoi jetën Gjecit, baba i 3 fëmijëve.
vrasja:
Një histori dashurie jashtë martese i ka kushtuar jetën Arben Gjecit nga fshati Bastar i Mesëm i Tiranës. Fillimisht ishin mjekët e Spitalit të Traumës, të cilët thanë se vdekja e 34-vjeçarit ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të mëdha në kokë për shkak të përplasjeve ose goditjeve. Policia ka nisur hetimet, ndërsa ka mësuar nga dëshmitë e para të të afërmeve se i riu ka rënë nga një lartësi. Nisur nga plagët e shumta, policia është thelluar në hetime për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes. “Pas një pune intensive dhe të pandërprerë 48 orëshe, policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbardhur rrethanat dhe arrestuar 3 persona, për një ngjarje të raportuar në nisje si një vdekje aksidentale. Dyshohet se shtetasi E.C., më datë 24 janar 2019, rreth orës 20:30, në fshatin Bastar i Mesëm ka goditur me sende të forta në kokë shtetasin A.Gj., 34 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Për pasojë i riu humbi jetën në Spitalin e Traumës.
Ngjarja u raportua si aksidentale. Por hetimet provuan të kundërtën. Në polici u shoqëruan disa shtetas dhe u kryen disa veprime komplekse hetimore në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Po sipas bluve, “në vijim të këtyre veprimeve, dyshohet se shtetasit D.K., dhe E.C., me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë fshehur të vërtetën e ngjarjes së ndodhur. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi. Shërbimet e Policisë Tiranë bënë arrestimin e shtetasve: E.C., 31 vjeç, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen”; D.K., 29 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe E.C., 20 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkaq, burime për “GSh” bënë me dije se mbrëmjen e së enjtes, Arben Gjeci është takuar me 20-vjeçaren pranë banesës së familjes Cani në fshatin Bastar i Mesëm. Ndërkaq, vëllai i saj, Esat Cani dhe bashkëshorti, Dajet Kurti e kanë ruajtur dhe i kanë gjetur të dy në një kasolle pranë shtëpisë. Ata i ruajtën, pasi më herët burri i 20-vjeçares i ishte ankuar kunatit se motra e tij e tradhtonte. Lidhja jashtëmartesore nuk është pranuar nga vëllai i 20-vjeçares, i cili ka marrë një hekur dhe e ka goditur disa herë në kokë Arben Gjecin, i cili ka humbur ndjenjat. Më pas, dy agresorët e kanë nxjerrë 34-vjeçarin nga kasollja dhe e kanë lënë në rrugë ku dhe u gjet nga banorët e zonës.
Noa.al