Zvicra, sa shumë armë dhe sa pak vrasje

Zvicra e armatosur
Nga: Emma Jane Kirby, BBC

arma-standard-e-zvicres-150x150.jpg
armet-ne-zvicer-150x150.jpg
e-shtene-me-arme-ne-dritare-150x150.jpg
qitja-eshte-nje-sport-i-dashur-per-zviceranet-150x150.jpg


Zvicra ka një nga normat më të larta në botë të pronësisë së armëve të zjarrit, por ka shumë pak krim rruge të kryer me armë. Kështu, kundërshtarët e planeve për kontrollin e armëve e lavdërojnë Zvicrën si vendi ku armët e zjarrit luajnë rol pozitiv në shoqëri. Megjithatë, kultura e armëve në Zvicër është unike dhe pajisja me armë është shumë më e mbikëqyrur nga sa imagjinohet.

Përgjatë sulmit, Anne Ithen i mbajti sytë e mbyllur.
“Unë nuk desha ta shihja se çfarë po ndodhte. Nuk doja që ato pamje të mbeteshin në kokën time për pjesën tjetër të jetës… por megjithatë mbaj mend gjithçka, çdo detaj”, thotë ajo. “Nëntëdhjetë plumba u qëlluan dhe natyrisht pati edhe një bombë artizanale – një ferr i vërtetë”.

Ajo ul kokën ngadalë, ndërsa rikthen mendjen e saj te salla e mbledhjeve të kantonit Zug në mbrëmjen e 27 shtatorit 2001, ku ajo po drejtonte takimin e këshillit. Ajo mban mend se dëgjoi një shpërthim të zhurmshëm dhe gabimisht mendoi se mos ndokush aksidentalisht kishte rrëzuar tryezën e kafesë në korridor.

Pastaj dera u hap me rrëmbim dhe ajo pa Freidrich Leibacher, një banor të zonës, i veshur me rroba policie dhe i mbingarkuar me armatime.

“E kuptova menjëherë se çfarë do të ndodhte,” më thotë ajo thjeshtë.

Leibacher, i cili pati një mosmarrëveshje me këshillin e kantonit Zug, vrau 14 vetë dhe plagosi 18 të tjerë para se t’ia drejtonte armën vetes.

“Gjithë ajo zhurmë…”, – thotë Anne me ngurrim ndërsa sytë e saj mbyllen. “Dhe gjithashtu aq shumë qetësi, ndërsa njerëzit u fshehën apo pretenduan se kishin vdekur. Mbaj mend mirë heshtjen dhe mallkimet e tij… dhe thjesht zhurmën e çizmeve të tij nëpër dhomë”.

Anne Ithen u qëllua tri herë në kurriz, në ijë dhe në bark.

“E dija se kisha mbetur e paralizuar”, thotë ajo në mënyrë faktike. “E ke parasysh, unë nuk i ndjeva dy goditjet e tjera, por goditjen që pësova në shtyllë kurrizore e ndjeva ndërsa hyri në mushkëritë e mia. Unë nuk merrja dot frymë dhe me të vërtetë, pata frikë se do të vdisja nga mungesa e oksigjenit”. Dhe pastaj ajo më jep një buzëqeshje ironike. “Në fund, dikush bërtiti, ‘mbaroi!’… çfarëdo që të ishte, mbaroi”.

Anne tashmë është paraplegjike. Ajo humbi dy të tretat e stomakut të saj, një veshkë dhe një copë të madhe zorre. Ajo ka thjesht admirim për skuadrën e kirurgëve që arriti t’i shpëtojë jetën.

“Atyre iu desh të ishin shumë krijues, – qesh ajo. Ishte e vështirë të mblidhje një trup funksional nga copat që patën mbetur”.

Anne pranon se ajo gjithmonë i urrente armët dhe, shumë më parë se sa sulmi në Zug, kur partneri i saj erdhi të jetonte me të, ajo i tha prerë dhe qartë se armën e tij ushtarake – të cilën të gjithë burrat në moshë për luftë e kanë personale – nuk do të mund ta merrte në shtëpinë e saj.

Në shkurt 2011, ajo votoi në favor në një referendum ku kërkohej që të gjitha armët e zjarrit të milicive të magazinoheshin në arsenale publike dhe që një regjistër kombëtar armësh të krijohej. Por 56.3 për qind e votuesve e kundërshtuan këtë ide.

“Mendoj se jemi tepër të lirshëm me ligjet për armët në Zvicër, – më thotë ajo. U zhgënjeva shumë kur referendumi dështoi… veçanërisht sepse ne kemi parë më shumë të shtëna me armë zjarri së fundmi këtu”.

Muajin e kaluar, në fshatin frëngjisht folës Daillon, 100 kilometra larg Gjevenës, një njeri me shqetësime psikologjike hapi zjarr mbi banorët vendës, duke vrarë tre njerëz dhe duke plagosur dy të tjerë. Policia ia kishte konfiskuar një herë atij armën në vitin 2005, pasi ishte vendosur nën përkujdesje psikiatrike.

Në mënyrë të pashmangshme, veprimet e tij sollën një valë të re debati mbi ligjet relativisht liberale të posedimit të armëve në këtë vend.

Sipas organizatës me bazë në Gjenevë, “Vrojtimi mbi Armët e Lehta”, ka rreth 89 armë nën pronësi të civilëve për çdo 100 banorë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Zvicra renditet e treta në kuptimin e pronësisë së armëve, me rreth 3.4 milionë armë mes popullatës së saj prej afro 8 milionë banorësh.

Qitja sportive është sport kombëtar shumë popullor por shumë nga armët e zjarrit në Zvicër janë armatime ushtarake profesionale. Të gjithë burrat zviceranë të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 34 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbim ushtarak dhe që të gjithë pajisen me një automatik apo një pistoletë, të cilën e marrin me vete në shtëpi në fund të shërbimit. Njëzet vjet më parë, milicia e Zvicrës ishte një forcë shumë e madhe me mbi 600 mijë ushtarë. Sot ka vetëm një të tretën e këtij numri, por deri pak kohë më parë, shumica e ish-ushtarëve pëlqenin të mbanin armët e veta, pasi kishin kryer shërbimin ushtarak, gjë që krijonte një arsenal të stërmadh të fshehur në çati apo në dollapë në shtëpitë e zviceranëve.

Në vitin 2006, kampionia e Zvicrës në ski, Corrinne Rey-Bellet, dhe vëllai i saj u vranë nga ish-bashkëshorti i skiatores, i cili i qëlloi ata me pushkën e tij të vjetër të milicisë para se të vriste edhe veten.

Që nga ky aksident, ligjet për armët ushtarake u shtrënguan. Megjithëse është ende e mundur për ish-ushtarët të blejnë një armë zjarri pasi përfundojnë shërbimin ushtarak, blerësi duhet të japë një arsye se pse dëshiron ta mbajë armën kur aplikon për leje.

Kur unë u takova me Mathias, një student doktorature dhe oficer në shërbim, në apartamentin e tij në një lagje të Zyrihut të mbuluar nga dëbora, kuptova se rregullat janë ashpërsuar më shumë nga sa e merrja me mend. Mathias mban pistoletën e tij të ushtrisë në dhomën e miqve, jashtë shtëpisë së tij, në një sirtar tavoline të fshehur nën letrat e printerit. ثshtë kusht për intervistën që të mos jap mbiemrin e tij apo ndonjë orientim për adresën e tij.

“Unë bëj siç këshillon ushtria dhe e mbaj karikatorin veçmas pistoletës”, shpjegon ai seriozisht. “E mbaj karikatorin në bodrum në mënyrë që nëse ndokush hyn për të grabitur apartamentin tim dhe arrin të gjejë pistoletën, ajo është e pavlefshme për t’u përdorur”.

Ai tund këllëfin e pistoletës. “Dhe unë nuk kam të drejtë të marr fishekë shtesë”, shton ai. “Ushtria nuk jep municione – gjithçka mbahet në magazinat e arsenalit”. Kjo masë u vendos nga Këshilli Federal i Zvicrës në vitin 2007.

Mathias me kujdes vendos mënjanë pistoletën e tij dhe miraton me kokë me bindje, kur e pyes se nëse ndjehet më i sigurt për shkak se ka një pistoletë në shtëpi. Ai shpjegon se, edhe nëse do të kishte municion, ai nuk lejohet ta përdorë armën kundër një grabitësi.

“Arma nuk më është dhënë mua për të mbrojtur veten apo familjen time, – thotë ai. Mua më është dhënë kjo armë nga vendi im për t’i shërbyer vendit tim – dhe për mua është një nder që të kujdesem për vendin tim. Mendoj se është një gjë shumë e mirë për vendin për t’i dhënë këtë përgjegjësi njerëzve”.

Në Amerikë, në fakt, pronësia e armëve është më së shumti për vetëmbrojtje, ndërsa në Zvicër, ajo është një çështje e sigurisë kombëtare. Për shumë tradicionalistë, një armë në shtëpi është bërë simbol i një Zvicre të pavarur dhe të fuqishme, e cila ka arritur të mbetet jashtë dy Luftërave të mëdha Botërore, ndërkohë që luftimet zhvilloheshin me bollëk përreth saj.

Hermann Suter, zëvendëspresident i grupimit lobues të Zvicrës Pro Tell, zemërohet shumë nga njerëzit që kërkojnë që ushtarët të dorëzojnë armët dhe t’i magazinojnë ato në zyra të posaçme, pasi përfundojnë shërbimin.

“ثshtë një çështje besimi të ndërsjellë mes shtetit dhe qytetarëve. Qytetari nuk është thjesht një qytetar. Ai është gjithashtu një ushtar”, më thotë ai. “Arma në shtëpi është mënyra më e mirë për të shmangur një diktaturë. Vetëm diktatorët i marrin armët nga qytetarët”.

Ne diskutojmë të shtënat e fundit me armë në Daillon dhe unë e pyes nëse ai është i shqetësuar për faktin se secili nga 26 kantonet e Zvicrës ka regjistra armësh me vete dhe nuk e ndajnë informacionin me njëri-tjetrin. Në bazë të këtij sistemi, është shumë e lehtë të të refuzohet licenca për të blerë armë në një kanton dhe t’i hipësh trenit për pak minuta për të mbërritur në kantonin ngjitur dhe për të blerë një armë aty. Në fund, askush nuk e di se të është refuzuar kërkesa për leje pak kilometra më tutje.

“Ka një boshllëk këtu,
– pranon Suter. Sistemet nuk janë të lidhura. Por sot ne jemi me të vërtetë rrugës për mbylljen e këtij boshllëku dhe bashkimin e informacionit dhe se në fund, nuk ka asnjë armë të vetme të ligjshme të paregjistruar. Por një regjistër kombëtar jo domosdoshmërisht shmang tragjeditë. Nuk është e mundur të organizosh 100 për qind kontroll”.

Por, me gjithë praninë e bollshme të armëve të zjarrit, krimi i rrugës i kryer me armë është jashtëzakonisht i rrallë në Zvicër.

Gjatë një viti këtu, ka vetëm një vrasje me armë për çdo 200 mijë banorë. Në SHBA, kjo shifër është shumë herë më e lartë. Por në Zvicër, ka më shumë vrasje brenda familjes dhe vetëvrasje të kryera me armë zjarri se pothuajse çdo vend tjetër në Europë me përjashtim të Finlandës.

Në zyrën e tij në Universitetin e Zyrihut, profesori Martin Killias, drejtor i programit të kriminologjisë, hap dosjet e tij kërkimore mbi vrasjet e kryera me armë.

“ثshtë njësoj si duhanpirja. Pak a shumë kështu. Unë nuk mbështes nxjerrjen e jashtëligjshme të armëve. Unë pranoj se njerëzit kanë qejfet e tyre, siç kam edhe unë qejfet e mia”, thotë ai.

“Por nëse do të ketë më pak armë në bodrume, çati apo dollapë, atëherë kjo gjë mund të ndihmojë, sepse ka një korrelacion të fortë mes armëve të mbajtura në shtëpitë private dhe incidenteve të ndodhura në shtëpi – si mosmarrëveshjet familjare që përshkallëzohen në raste kur burri qëllon gruan, apo ndoshta edhe fëmijët, e pastaj kryen vetëvrasje”.

Prof. Killias ishte një mbështetës në nismën për referendum për vitin 2011 për të mbajtur të gjitha armët e milicisë në arsenale të përqendruara – sepse, thotë ai, statistikat e kohëve të fundit tregojnë se kjo është një gjë e mirë.

“Dyzet e tre për qind e vrasjeve janë të lidhura me familjet dhe 90 për qind e tyre kryen me armë zjarri”, thotë ai.

“Por përgjatë njëzet viteve të fundit, kur shumica e ushtarëve nuk kanë municion në shtëpi, ne kemi parë një rënie të dhunës me armë dhe një rënie dramatike të vetëvrasjeve të kryera me armë zjarri. Sot ne shohim ndoshta 200 vetëvrasje në vit nga 400 ose më shumë që shihnim 20 vjet më parë”.

Ushtria nuk është institucioni i vetëm që ka një traditë me armët. Rreth 600 mijë zviceranë – shumë prej tyre fëmijë – frekuentojnë klube qitjeje.

Në fundjavën e dytë të shtatorit, çdo vit, rreth 4 mijë vajza dhe djem zviceranë në moshën 12-16 vjeç marrin pjesë në një garë qitjeje. Fituesi nderohet me titullin e Mbretit të Qitjeve.

“Mos e drejto armën tënde asgjëkundi tjetër përveç objektivit apo tavanit”, thotë instruktori Michael Merki ndërsa më jep leksionin e parë të qitjes me armë në poligonin e Zyrihut. “Siguria duhet të jetë e para”, shton ai, ndërsa studion duart e mia.

U deshën pesë minuta për të hapur armët e tij. Unë dalloj katër qyta në arkën e tij të krahut.

“Instruktorët e qitjes në klube si ky, gjithmonë kontrollojnë se kush po qëllon”, thotë ai. I gjithë municioni që blihet në klub duhet të përdoret këtu.

“Kur qitja përfundon dhe dikush dëshiron të largohet, instruktori do të shohë se sa fishekë i kanë dhënë dhe sa fishekë ka përdorur dhe do të kërkojë tepricat të dorëzohen”.


Ai e mbush pushkën time dhe, me ngurrim, unë qëllova dy herë drejt objektivit – hera e parë që përdorja një pushkë në jetën time.

Kur shoh se kam goditur në shenjë e kam marrë shumë pikë, ndjej një lloj eksitimi elektrik që përshkon të gjithë trupin tim. Vras mendjen se si ia bëjnë fëmijët të përballen me këtë ndjenjë drithërimi dhe mendoj se ndoshta klubet lartësojnë armët dhe nxisin një magjepsje të pashëndetshme me to.

Një murmurimë proteste dëgjohet nëpër të gjithë klubin.

“Unë u mësoj njerëzve të respektojnë armët”, thotë Michael.

“Ka shumë fëmijë hiperaktivë që vijnë në klubin e qitjeve – ata mësojnë të qëndrojnë pa lëvizur dhe të përqendrohen për një kohë më të gjatë. Kjo gjë i ndihmon të arrijnë rezultate më të mira në shkollë dhe në jetë”.

Qytetarët e Zvicrës – për shembull, gjuetarët ose ata që merren me qitje sportive – mund të marrin një leje për të blerë armë dhe municione, për sa kohë kanë një të shkuar penale të pastër dhe u refuzohet kërkesa nëse policia i konsideron ata të paqëndrueshëm në kuptimin psikiatrik apo të dyshimtë në kuptimin e policisë. Por gjuetarët dhe sportistët janë shumë të paktë në krahasim me ata që mbajnë armët e ushtrisë – gjë që është një dallim tjetër i rëndësishëm mes Zvicrës dhe SHBA-së.

Prof. Killias nuk e fsheh dot zemërimin kundër atyre amerikanëve që e përdorin Zvicrën si një argument ilustrues mbi faktin se mund të ketë njëkohësisht pronësi masive të armëve dhe shumë pak dhunë.

“Ne nuk kemi një kulturë armësh! – përgjigjet ai me vendosmëri. -Gjithmonë jam mahnitur nga mënyra se si Shoqata Kombëtare e Qitjes (e SHBA-së) e paraqet Zvicrën. Tingëllon sikur ne jemi pjesë e Teksasit të Jugut!”.

“Ne kemi armë në shtëpi, por ato mbahen për arsye paqësore. Nuk ka kuptim që të marrësh armën nga shtëpia këtu në Zvicër, për shkak se është e paligjshme të dalësh me të në rrugë. Të qëllosh dikë vetëm se t’u duk se të pa me dyshim nuk është në kulturën zvicerane!”.


Dhuna në rrugë është rritur gjatë viteve të fundit në Zvicër, por nuk ka pasur rritje të dhunës të kryer me armë zjarri.

Por kjo nuk është në fund të fundit, ngushëlluese për Anne Ithen. Ajo hoqi dorë nga karriera e saj politike që kur u qëllua në këshillin kantonal të Zug dymbëdhjetë vjet të shkuara, por vijon të ketë një opinion të fortë politik.

“Unë nuk jam e lumtur me situatën e tanishme në Zvicër, – më thotë me bindje. Ligjet nuk kanë ndryshuar shumë, vetëm paksa. Kërkon vetëm një çast që një armë të shkatërrojë shumë gjëra, siç mund ta shohësh me historinë time dhe kërkon një kohë shumë të gjatë të rikuperohesh dhe të ndërtosh një jetë të re… kjo është shumë e vështirë të kapërdihet”.

Ajo na buzëqesh me dashamirësi. “Nëse më pyet se sa shpesh mendoj mbi të shtënat e asaj dite, – thotë ajo, ndërsa tregon karrigen e vet me rrota, – të them se të shtënat janë gjithmonë të pranishme”.


Si të blesh një armë në Zvicër

Armët e rënda automatike dhe mitralozat janë të ndaluar bashkë me silenciatorët.

Në shumicën e rasteve, blerësi ka nevojë për një leje për blerje arme, e cila lëshohet nga policia kantonale.

Leja refuzohet nëse aplikanti ka të shkuar kriminale, ka varësi nga drogat apo probleme psikiatrike.

Një leje e posaçme shtesë është e nevojshme për të mbajtur një armë në publik dhe kjo leje zakonisht u jepet vetëm njerëzve që punojnë në sektorin e sigurisë, pasi ata kalojnë një provim teorik dhe praktik.

Rreth 26 mijë armë u shitën në mënyrë të ligjshme në Zvicër gjatë vitit 2012 për sportistët, gjuetarët dhe koleksionistët.


Deklarata

Ka shumë fëmijë hiperaktivë që vijnë në klubin e qitjeve – ata mësojnë të qëndrojnë pa lëvizur dhe të përqendrohen për një kohë më të gjatë.

Michael Merki
Instruktor qitjeje


Deklarata

“Gjithmonë jam mahnitur nga mënyra se si Shoqata Kombëtare e Qitjes (e SHBA-së) e paraqet Zvicrën. Tingëllon sikur ne jemi pjesë e Teksasit të Jugut!”

Prof. Martin Killias
Universiteti i Zyrihut
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top