“Zogu” fallco i Tunës

LeVoyageur

Once upon a time...
Unë nuk para jam nga ata njerëzit që e shijoj shumë jetën e natës dhe të mbahem për ndonjë frekuentuese e rregullt e clubeve të Tiranës por ama këtë fundjavë e ndava mendjen që do shkoja të shihja (dëgjoja nga afër) atë, zogun ma t’mirë prej krejtve, “zogun”e Tunës.

Bjondja simpatike nga Maqedonia më ka pëlqyer gjithmonë që në 2007-ën me “Piroman” dhe shumë këngë të tjera të sajat ja kam shijuar shumë, mbase prej stilit të veçantë por edhe prej zërit natyrisht. E meqë kisha patur edhe ditëlindjen, mu duk e bukur të festoja duke dëgjuar live Altuna Sejdiun. Duke qënë se kemi miq e të afërm, i sigurova edhe ca bileta për të hyrë në atë clubin e ri që është hapur së fundmi e thashë me këtë rast shoh se ç’bëhet atje.

Por s’ma kishte marrë mendja që ajo natë e nisur me shumë entuziasëm do të përfundonte në atë mënyrë. Pritja jashtë për gati gjysmë ore, më risolli në kujtesë radhët e dikurshme nga të cilat ne shqiptarët vështirë se do të shpëtojmë ndonjëherë pavarësisht gjithë këtij modernzimi që na ka mbyt.

Gjithësesi u futëm,ndërtesë gjigande, luks me tepri, shishe pijesh alkolike 100 mijë lekëshe nëpër tavolina e të rinj të super të pispillosur, vajza që mezor qëndrojnë mbi takat gjigande, e shumë e shumë nga ato elementët që I sheh rëndom në çdo club nate. Ajo ç’ka ishte edhe më interesante ishte dhe fakti se aty brenda mund të pihet duhan, pavarësisht ligjit antiduhan nëpër ambjentet publike. Por edhe kjo nuk bën shumë përshtypje, se jemi në Shqipëri, ku rregulli më i rëndësishëm është që nuk ka rregulla.

(Që të jem e sinqertë mua më pëlqeu shumë se munda të shijoj pijen time me cigare, por ama s’ka pse në këtë vend të jenë ca të nënës e ca të njerkës, ndaj mendoj se duhet ta theksoja edhe këtë). E dija natyrisht se do na duhej të prisnim pak për të parë “zogun” e Tunës, kështuqë e morrëm me terezi. Disa pije e pak gallatë për të shtyrë minutat që për fatin tonë të keq u bënë orë. Zakonisht kudo nëpër clube ku këndohet live, protagonisti apo protagonistja e mbrëmjes del në fund por ama gjatë pritjes, ka të tjerë këngëtarë që argëtojnë njerëzit ose mbrëmja “nxehet” me muzikë të përzgjedhur nga DJ.

Fatkeqësisht orët tona të pritjes për “zogun” e Tunës ishin të tmerrshme, me një muzikë super skandaloze që as të lëvizje majën e gishtit nuk arrinte dot të stimulonte e jo më të tundje belin. E megjithatë, pas 2 ore e gjysmë pritje strapacuese, zbriti i pari Cozman, i dashuri simpatik i Tunës që i çmendi vajzat duke u tundur e shkundur (mbase mua nuk më shijoi aq shumë se po prisja “zogun”). Dhe ja pas disa këngësh, u shfaq më në fund Tuna.

Në fillim u tremba se mu duk sikur kishte ardh nga krevati me ca si pizhame të zbërthyera, por thashë mbase unë nuk jam përditësuar me tendencat e modës së fundit, kështuqë i thashë vetes, “Erjonë shijo këngët e lëri këto të tjerat”. Por ndërsa turrma entuziaste që xhironte me celularë s’po më linte të dëgjoja mirë, vura re me habi se zëri i Tunës kumbonte nga boxet gjigande, pavarëisht se ajo më shumë po lëvizte vithet se gojën.

Oh çfarë zhgënjimi, ajo, e madhja, e jashtëzakonshmja Tuna që ka “zogun” ma t’mirë prej krejtve po këndonte me playback. Pra 3 orë pritje e nja 200 mijë lekë pije (gjithë tavolina, jo vetëm unë natyrisht), për të dëgjuar nja 3-4 këngë me playback që mund ti kisha shijuar shumë mirë në laptop-in tim, aty te divani i shtëpisë time madje duke ngrënë edhe ndonjë ëmbëlsirë e mbi të gjitha, s’do kisha harxhuar gjithë ato lek.

E dashur Tuna, unë mbase s’jam fansja jote më e zjarrtë që meritoj të mi lexosh këto dy rreshta, e mbase ty as ta ndjen për këto që po shkruaj, por mendoj se një këngëtare e kalibrit tënd (qe ti pretendon se ke) duhet ta respektojë pak më shumë publikun. Ka shumë familjarë si unë, që një fundjavë të tillë e kanë luks apo kosto të madhe, e mezi presin të dëgjojnë këngëtarin/këngëtaren e tyre të preferuar në fundjavë për të harruar për pak orë stresin apo mundin e përditshëm, e mbi të gjitha që u ndjenë shumë të ofenduar nga performanca jote.

Do të kisha këshilluar të ndiqje shembullin e divës Aurela Gaçe, që jo një herë të vetmje, por çdo fundjavë, i del fryma nga dhjetra këngë live duke e elektrizuar por mbi të gjitha respektuar publikun që shkon ta dëgjojë. Po të kishe qënë në ndonjë vend tjetër ku arti e muzika, por dhe publiku respektohen e vlerësohen ashtu siç duhet, të garantoj që njerëzit do të kishin ikur duke të të lënë të vetme në sallë. Dhe kështu, unë erdha shkova për të parë atë, “zogun” ma t’mirë prej krejtve por fatkeqësisht na doli të ishte fallco.
shqiptarja.com
 
Titulli: “Zogu” fallco i Tunës

Po zogut (tuna= pula me e madhe lool) nuk i intereson cfare thone zogjte e pules :p jk

Sdq, aty mire e ka, duhet performance live, po sot tgjithe 90% jane bere keshtu, fitojne para me playback, gje qe sme ka pelqyer kurre, me gishterinje i numeron ata qe kane fuqi dhe ze tmjaftueshem dhe tbukur qe mund tkendojne live, pa playback. Une kam thene 100 here, sot kenga nuk ndegjohet, ajo "shiqohet" loool.
 
Titulli: “Zogu” fallco i Tunës

Citim:Gjithësesi u futëm,ndërtesë gjigande, luks me tepri, shishe pijesh alkolike 100 mijë lekëshe nëpër tavolina e të rinj të super të pispillosur, vajza që mezor qëndrojnë mbi takat gjigande, hahahaha bukur shume zogj qe rrezohen :p
 
Back
Top