Zjarri në plehra rrezikon Gjirokastrën muze

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Flakët u afruan shumë te shtëpitë monumentale në lagjen "Dunavat". Problem pastrimi i zonës



Një vatër zjarri e fuqishme ka shpërthyer në një nga lagjet e sipërme të qytetit muze të Gjirokastrës. Lagjja "Dunavat" që bën pjesë në lagjet tradicionale të qytetit me rrugë e sokakë të ngushtë të shtruar me kalldrëm guri u rrezikua mbrëmjen e së mërkurës nga një zjarr që u përhap me shpejtësi nga një pirg i madh mbetjesh urbane. Zjarri ka pasur si zanafillë tendencën për të eliminuar një depozitë gjigante plehrash të përqendruar në faqet e pjerrëta të një përroi që ndan dy lagjet e sipërme Dunavat i Parë dhe Dunavat i Dytë, shumë pranë me shtëpitë e banimit, pjesa më e madhe e të cilave të shpallura monumente kulture dhe të vëna nën mbrojtjen e shtetit.

Fillimisht ka qenë pronari i një stalle bagëtish pranë vatrës së zjarrit ai që ka njoftuar sallën operative të repartit të shërbimit zjarrfikës, ndërkohë që vetë banorët e shqetësuar nga përhapja e menjëhershme e flakëve kanë nisur përpjekjet e para për ta shuar zjarrin. Pas mbërritjes së skuadrës së zjarrfikësve ne vendin e ngjarjes, përpjekjet janë shuar dhe pas ndërhyrjes që zgjati rreth 30 minuta zjarri është vënë nën kontroll.

Krahas banesave, rrezikshmëria më e madhe për të përhapur zjarrin në një territor më të gjerë ishte ndezja e një stalle të ndërtuar me dru dhe kashtë, ku në momentin e zjarrit ndodheshin rreth 120 krerë bagëti të imta.

Sipas ekspertëve të repartit të zjarrfikësve, zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është ndezur për të eliminuar me djegie një "mal" me hedhurina, të cilat duke përhapur ndotje në një sipërfaqe të madhe në të dy anët e përroit të "Dunavatit" janë një rrezik i madh për përhapjen e infeksioneve në një zonë tepër të banuar.

"Zjarri ka evidentuar edhe një herë shqetësimin e ngritur prej banorëve për largimin e mbetjeve urbane, për të cilat deri tani nuk është marrë asnjë masë, madje zona nuk është përfshirë në skemën e pastrimit të përditshëm të qytetit", tha për Shqip banori i kësaj lagjeje, Isak Karagjozi.

"Premtimet e kandidatëve në zgjedhjet lokale dhe parlamentare janë përsëritur me bujë në çdo fushatë elektorale, - thotë qytetari Mersin Lani, pronar i stallës së bagëtive, - por më pas me mbylljen e fushatave, situata mbetet e pandryshuar".

Duke qenë se kjo pjesë e qytetit nuk përfshihet në skemën e pastrimit nga bashkia, në këtë zonë mungojnë kazanët dhe pikat e grumbullimit, ndërkohë që prej shumë vitesh automjetet e pastrimit nuk janë dukur kësaj ane dhe banorët kanë qenë të detyruar t‘i depozitojnë mbetjet në përrua, duke shkaktuar një ndotje të jashtëzakonshme. Sipas banorëve të "Dunavatit", në vitet e sistemit socialist në këtë zone me rrugica të ngushta të vështira për lëvizjen e mjeteve të pastrimit, transportimi i mbetjeve urbane bëhej duke përdorur kafshë ngarkese.

Ndërkaq, zjarri i djeshëm në "Dunavat", por edhe vatra të tjera zjarri në zona të banuara, janë shoqëruar edhe me shpërthime të granatave dhe municioneve të mbetura nga kaosi i vitit 1997, të hedhura nga banorët së bashku me mbeturinat urbane në pikat e grumbullimit, duke u bërë jo vetëm shkak për panik mes banorëve, por edhe një rrezik i madh për zjarrfikësit në momentet e ndërhyrjeve për shuarjen e zjarrit.

Prania e zjarreve në rrethanat e ndotjes së mjedisit në brendësi të lagjeve periferike dhe tradicionale të qytetit, zbulon faktin që jo vetëm bashkia, por edhe vetë banorët bëjnë shumë pak përpjekje për mbajtjen pastër të mjedisit në një qytet që pret të përfitojë të ardhura nga zhvillimi i turizmit.



*shqip*
 
Back
Top