Rama vendos rregullat e 25 Prillit/ BE dhe SHBA ndahen në qëndrime
Ka pasur ngërç në reagimin e ambasadave të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor sipas paralajmërimit të Edi Ramës që ndalon koalicionet, por nuk hap listat e kandidatëve për deputetë, përkundër kërkesave të vazhdueshme për të mos e ndërmarrë këtë hap nga ambasadorët. Ndërkombëtarët u bënë garantët e marrëveshjes së 5 Qershorit, të firmosur në rezidencën amerikane. Juri Kim e SHBA, Luigji Soreka i BE dhe Dankan Norman i Britanisë së Madhe bekuan marrëveshjen mes palëve politike në Këshillin Politik dhe synuan konsensusin politik para zgjedhjeve, si një nga kushtet për zhvillimin e Konferencës së Parë për hapjen reale të negociatave.
Megjithë shpërfilljen e kryeministrit Rama për thirrjet e ndërkombëtarëve që theksonin se ndryshimet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të mos bëheshin në mënyrë të njëanshme, por të kalonin me konsensus në Këshillin Politik, reagimet sot ishin të kursyera pasi në parlament u votua me 97 vota.
Ajo që bie në sy është diferenca mes palëve në reagim. Shtetet e Bashkuara ishin më preçizë në qëndrimin e tyre. Vërtet SHBA kujtoi thirrjet e përsëritura
“që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet”, por konstatoi se PS votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit.
SHBA gjithsesi nuk i dënoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe as nuk pati një reagim të fortë kundër tyre. Ambasada e rrugës së Elbasanit në deklaratën e saj pranoi se
“ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime”, ndërsa vazhdon më tej se
“këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit”.
Këtu qëndron dhe thelbi i reagimit të amerikanëve që në këtë frazë, bashkohen me arsyetimin e Ramës dhe Gjiknurit, të cilët thonë se i qëndrojnë marrëveshjes së 5 Qershorit, por ndryshimet e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor janë shtesë dhe nuk bien ndesh me pikat e rëna dakort në 5 Qershor.
Reagimi i ambasadës vazhdon se
“është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik”, por pas frazës se ndryshimet nuk janë shkelje e marrëveshjes së 5 Qershorit, kjo pjesë e reagimit duket më shumë retorikë pa peshë, përballë saktësimit të bërë më herët në reagim. Pozicioni i ambasadës amerikane është dukshëm një lloj legjitimimi i hapave të mazhorancës dhe përcillet thjesht me një keqardhje për prishjen e konsensusit.
Në diferencë me SHBA, BE pati një reagim më të thatë, duke shmangur saktësimin që binte në sy në mesazhin e ambasadës amerikane. Bashkimi Europian kujton se
“këto (ndryshimet e Kodit Elektoral) nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit”. Njësoj si ambasada amerikane, delegacioni i BE në Tiranë përmend
“keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament”.
Deklarata e BE mbyllet me fjalët e zakonshme, të përsëritura shpeshherë këto muaj, që vlerëson marrëveshjen e 5 Qershorit, duke shtuar se
“dialogu politik në vend duhet të përmirësohet”.
Pavarësisht reagimeve me pambuk të ndërkombëtarëve ndaj Ramës, duket se atmosfera para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit tashmë është e ngarkuar me konfliktualitet. Opozita e akuzon Ramën se për hir të interesit elektoral të Partisë Socialiste ndryshoi me njëanshmëri Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, me synimin për t’i mohuar opozitës shansin të dalë me një koalicion në zgjedhjet e 25 Prillit.©Lapsi.al