Vriten për hakmarrje dy vetë në Shkodër dhe Mirditë

DEVIL HAND

Anëtar Aktiv
Një bari 20-vjeçar është vrarë me armë zjarri dje teksa kulloste bagëtitë në fshatin Kodër Spaç të Rrethit të Mirditës. Policia lokale njoftoi se 20-vjeçari Viktor Pjetri është gjetur i vdekur në kodrat e fshatit nga një bashkëmoshatar, i cili gjithashtu ruante bagëtitë në të njëjtin vend. Policia tha se vdekja e të riut është shkaktuar nga një armë zjarri automatike, që dyshohet të jetë kallashnikov. Ngjarja është njoftuar rreth orës 18:00 të pasdites së djeshme, nga shoku i bariut të vdekur, i cili i ka dhënë lajmin e hidhur familjes dhe më pas Komisariatit të Policisë së Rrëshenit. Nga ky komisariat është nisur menjëherë për në fshatin Kodër Spaç një grup ekspertësh, të cilët kanë bërë këqyrjen e kufomës dhe të vendngjarjes, si dhe kanë marrë në pyetje disa persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Policia ka pyetur gjithashtu të afërm të viktimës, për të kuptuar nëse familja ka ndonjë hasmëri apo konflikt të ndonjë natyre tjetër. Paraprakisht nuk ka një version të vetëm për rrethanat dhe motivet e ngjarjes, por konfirmohet se po hetohet në dy pista kryesore. Njëra prej tyre është ajo e ndonjë hakmarrjeje, ndërsa ekspertët po marrin në konsideratë edhe versionin e një vrasjeje aksidentale.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e trupit të viktimës është arritur në konkluzionin se 20-vjeçari Viktor Pjetri është qëlluar me armë zjarri automatike nga një distancë e largët. Kjo është një arsye pse hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë e një aksidenti. Ndërkohë mësohet se vetë i riu nuk ka pasur asnjë konflikt dhe nuk ka qenë person problematik. Ndaj hetimet në pistën e hakmarrjes apo të ndonjë konflikti tjetër janë fokusuar te marrëdhëniet që kanë pasur anëtarët e tjerë të familjes së tij me banorët e zonës.

Shkodër/ Pronari i një distributori karburanti është qëlluar me kallashnikov në rrugën pranë shtëpisë

 
Ekzekutohet në pritë 50-vjeçari


Një person është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku rreth orës 22:30 të së premtes në fshatin Dajç të Rrethit Shkodër. Viktima është shtetasi Enver Hyseni (Ramazani) 50 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shirq të Komunës Dajç.

Sipas ekspertëve të policisë që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, Enver Hyseni ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij luksoze "Mercedes Benz ML" me targa të huaja në drejtim të shtëpisë, në fshatin Shirq, kur është qëlluar me breshëri automatiku nga një distancë e afërt pranë rrugës.

Mësohet se autorët e këtij krimi i kanë zënë pritë viktimës në një rrugë dytësore të fshatit, të cilën viktima e bënte çdo natë për të shkuar në banesën e tij.

Fakti që ngjarja ka ndodhur në periferi të fshatit dhe në orë të vonë ka bërë që informacioni në lidhje me vrasjen të merrej me vonesë. Banorët e zonës dhe policia kanë marrë vesh për atë çfarë kishte ndodhur vetëm një orë pasi Hyseni ishte qëlluar me armë zjarri.

Kjo dinamikë e ngjarjes u ka krijuar mundësi autorëve të krimit të largohen fare lehtë pa rënë në sy të policisë. Me gjithë ndihmën e parë që janë munduar t‘i japin bashkëfshatarët, duke e dërguar menjëherë drejt spitalit të Shkodrës, 50-vjeçari Enver Hyseni nuk ka mundur t‘u rezistojë plagëve të shkaktuara nga plumbat në trup dhe ka gjetur vdekjen pak minuta pasi është qëlluar.

Policia në vendin e ngjarjes ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale vetëm tri gëzhoja automatiku dhe disa gjurmë pa shumë vlerë për hetimin. Ndërkohë janë shoqëruar për në polici disa persona që mendohet se kanë dijeni në lidhje me rrethanat e ngjarjes.

Nga oficerët e policisë gjyqësore janë marrë në pyetje edhe dy shokë të viktimës, të cilët kanë qenë duke pirë me të në një lokal të fshatit, pak minuta përpara se të ndodhte ngjarja. Sipas policisë, megjithëse ka dyshime mbi disa persona, ende nuk janë identifikuar autorët e ngjarjes.

Ndërkohë, në lidhje me motivet e këtij krimi, policia sqaron se mund të kemi të bëjmë me një hakmarrje të vjetër ndaj viktimës. Pas ngjarjes, policia ka zhvilluar edhe disa kontrolle në zona ku mendohej se mund të kenë lëvizur autorët e krimit. Gjithashtu policia ka ngritur disa postblloqe të lëvizshme në hyrjet dhe daljet e fshatit Dajç.

Viktima Enver Hyseni, 50 vjeç, ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Ai jetonte në fshatin Shirq të Komunës Dajç dhe ishte pronar i një distributori karburanti në fshatin ku jetonte. Banorët e zonës e njihnin viktimën si një njeri pa probleme, ndërkohë që edhe nga policia konfirmohet se ai ishte pa precedentë penalë dhe i pa implikuar në asnjë formë në aktivitete të dyshimta.
 
Back
Top