Vret tregtarin e hekurit, se i rrahu djalin

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Brenda pak minutash, policia arreston autorin Shaban Allaraj në periferi të Saukut



Një sherr banal i ka marrë jetën një biznesmeni ditën e djeshme në Tiranë, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sauk, ku pronari i një pike shitjeje hekuri, Ylli Tafani, është qëlluar me thikë dhe nga plagët ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Policia tha se autori i ngjarjes është Shaban Allaraj, 59 vjeç, i cili është kapur brenda pak minutash në periferi të Saukut, teksa tentonte të arratisej nga policia. Grupi hetimor ka zbuluar se autori ka vrarë biznesmenin, pasi ky i kishte rrahur të birin.

Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 19:15 minuta një telefonatë në sallën operative ka njoftuar se në Sauk të Vjetër, ka ndodhur një plagosje. Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 1, të cilët kanë identifikuar vendin e ngjarjes, që ndodhej brenda një biznesi që merrej me shitjen e hekurit. Më pas, uniformat blu janë vënë në dijeni se i plagosuri kishte ndërruar jetë dhe në vendngjarje janë nisur edhe shërbimet e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Policia ka bërë rrethimin e zonës dhe fillimisht është identifikuar viktima, i cili ishte pronari i pikës së tregtimit, ku kishte ndodhur ngjarja. Sipas policisë, viktima, i cili quhet Ylli Tafani, 58 vjeç, me banim në Sauk, ka qenë duke qëndruar në biznesin e tij dhe aty ka ardhur Shaban Allaraj. Menjëherë mes tyre ka nisur një debat i ashpër dhe Allaraj ka nxjerrë një thikë. Në konflikt e sipër e ka goditur Tafanin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë të rënda, që pak minuta më vonë i kanë marrë jetën.

Pas këtij krimi, autori është larguar me një mjet për në periferi të Saukut, ndërkohë që grupi hetimor ka njoftuar gjithë shërbimet e policisë rrugore dhe grupet e gatshme për gjetjen dhe kapjen e tij. E gjithë puna e policisë është mobilizuar, duke ngritur postblloqe dhe pa kaluar shumë kohë, pikërisht në rrugën nacionale, policia ka mundur të arrestojë Allarajn, i cili nuk ka bërë rezistencë. Ai është sjellë me urgjencë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore në lidhje me rrethanat dhe motivin e këtij krimi të rëndë. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka zbuluar nga dëshmitarët se sherri kishte ardhur për arsye banale, pasi biznesmeni kishte rrahur djalin e Shaban Allarajt. Në këto kushte, policia ka shoqëruar edhe djalin e tij për të vërtetuar këto fakte, që mësohet se pas këtij konflikti, Allaraj kishte shkuar për t‘u sqaruar me Tafanin. Megjithatë, ai kishte marrë dhe një thikë me vete dhe kjo ia rëndon pozitën, pasi mund të akuzohet për vrasje me paramendim. Madje, grupi hetimor ka mundur të gjejë e sekuestrojë edhe thikën, që është arma e krimit. Policia tha se për këtë krim të rëndë ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Ky vjen tri ditë pas krimit të ndodhur te Drejtoria e Doganës, ku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën. Sipas policisë, autori i ngjarjes së djeshme është arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërkohë që po punon për dokumentimin e plotë të këtij krimi.


*shqip*
 
Back
Top