Vrasjet e vitit 2012, dy vajzat 18-vjeçare që na tronditën

-Njëra viktimë e “dashurisë” ndaj xhelatit, përfundoi me kokë të prerë, tjera detyrohet të bëhet vrasëse
-Masakra në familje dhe vrasje pa autor, të gjitha të kryera me urrejtje. Trupat masakrohen dhe priten copa copa. Kronika e krimit mbushet me kanun dhe mister, me krime pasioni deri te zhdukjet dhe eliminimet mafioze


timthumb.php


nga Nikoleta Kovaçi

-Krimi i vrasjes në 2012-ën në vendin tonë i kaloi të gjithë parametrat që mund të rrokë arsyeja normale njerëzore. Masakrat e njëpasnjëshme përveç numrit të madh të viktimave, këtë vit kanë patur një veçori të frikshme: në prita nuk janë kursyer gratë dhe fëmijët. Vrasjet e grave nuk kanë qenë thjesht krime në familje, ku burrat i masakrojnë derisa iu marrin edhe jetën, por ky vit ka shënuar raste ekstreme krimesh: nga vrasje që ende mbeten pa autor, që për viktima kanë patur gra, te masakra bashkëshortësh e deri tek akti i një killeri që për viktimë kishte një vajzë vetëm 18 vjeçe. Aishe Vata ishte viktimë e një të moshuari-monstër. Kjo ngjarje ndiqet nganjë tjetër kronikë e rëndë, që në të vërtetë viktima është gjallë. Nazime Visha, pas vrasjes së njeriut që e kishte shfrytëzuar që 14 vjeçe, me historinë e saj tronditi po aq sa edhe vdekja makabre me prerje koke e Aishe Vatës. Të dyja ishin 18 vjeçe, të dyja janë viktima, më shumë të një shoqërie indiferente se sa e veprimeve të tyre prej adoleshentësh. Arma vrasëse nuk kurseu femrën këtë vit as për gjak: nga Shkodra vjen vrasja e Marisë, 17- vjeçarja u vra në pritë nga gjaksi bashkë me gjyshin e saj.

* * *

Historitë e frikshme pasojnë njëra-tjetrën, ndërsa krimi nuk njeh kufij: prita me tendenca shfarosëse, autorët e të cilave vijojnë të jenë të lire; njerëz të prerë në copa dhe të hedhur në thasë plastmasi, ekzekutime me plumb në kokë në mes të Tiranës, vrasje personash që ruhen me polici, zhdukje personi, që sot e asaj dite komponentët e hetimit dhe të zbulimit nuk kanë asnjë të dhënë, ekzekutime me telekomandë m’u në hijen e Ambasadës Amerikane. Vrasje të “fortësh”, emrat e të cilëve lidhen me histori kriminale dhe shuhen po aty ku gjendet trupi i viktimës, ndërsa policia rrallë merr përsipër të hyjë në thellësinë e shkaqeve reale të vrasjes. Të mjaftuarit; me larje hesapesh apo hakmarrje, ka bërë që policia edhe në ato momente kur lëviz për të kapur autorin, në më të shumtën e rasteve del bosh, në mos me një pamje mjaft të shëmtuara faktesh dhe provash. Një prej tyre është arrestimi me mjaft bujë e zhurmë i Ardian Ndrekës, i konsideruar si autori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhialiu në mes të Tiranës. Por, zinxhiri i hakmarrjes në Fushë-Mamurras dhe ekzekutimi i Komisarit të Shijakut, ndër të tjera, mund të konsiderohen edhe si aktet që mbartin mjaft dyshime dhe çudi, jo vetëm në mekanizmin e zbardhjes, por edhe në vijimësinë e hetimeve. Policia në të gjitha rastet trumpeton për zbulime, për emra të dyshuar, për shkaqe të evidentuara, por që rrallë qëllohet në shënjestrën e duhur për ta goditur krimin pikërisht në gjenezën e tij. Ky vit nxori në shesh sërish këtë cilësi të keqe të policisë sonë prej më shumë se një dekade.


Ekzekutime mafioze, viktima femra

Më 2 shkurt Tirana do të tronditej nga dy vrasje të njëpasnjëshme brenda një harku kohor prej më pak se 3 orësh. Eleni Basho, ekzekutohet me dy plumba pistolete. Vrasja ndodh në Shkozë të Tiranës, ndërsa autori ikën në drejtim të paditur. Për këtë ekzekutim vihet në pranga bashkëshorti i saj, por që shumë shpejt do të lihej i lirë, pasi nuk kishte asnjë provë që mund të hidhte poshtë alibinë e vendndodhjes së tij momentin e vrasjes së gruas. Ekzekutimi nuk njeh autor sot e asaj dite. Po ashtu vrasja tjetër e asaj nate, ndonëse nuk kishte shënjestër të renë, mbeti sërish pa autor. Vrasja ndodh po me armë zjarri në Komunën e Parisit. Policia shkoi deri te motivi asaj prite, por jo tek autorët. Një tjetër vrasje barbare gruaje do të ndodhte me 12 dhjetor në Fier. Asinja Krytha, 49 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e divorcuar sulmohet me thika pas shpine dhe masakrohet. Policia fillimisht e klasifikoi aktin si hakmarrje për aktivitetin kriminal të të vëllait, por autori mundi të largohet edhe pse mbi gruan kishte lëshuar 12 goditje thike. Fatbaradha Tafa me 7 gusht do të vritej me thikë në Fushën e Aviacionit në orët e pasdites. Me shumë dëshmitarë okularë, vrasja u klasifikua për grabitje, pasi 3 persona sulmuan gruan për t’i marrë varësen e floririt. Policia arrestoi si autor të asaj grabitjeje 20-vjeçarin Aldo Hoxha. Ky i fundit nuk e pranon krimin, megjithëse se e masakruan dhe e çuan deri në Dajt për ta detyruar që të deklarohej fajtor. Megjithatë, për atë zbulim ministri i sapoemëruar i Brendshëm deklaroi se u arrestua autori. 20 vjeçari vijon betejën me drejtësinë, pasi asnjëherë në asnjë lloj rrethane nuk pranoi të ishte pjesmarrës në atë ngjarje.


Masakrat e paralajmëruara: Policia i referohet dokumentimit shkresor

Vrasjet e bujshme pa autor, kryeson Tirana

Krimi i vrasjeve të sofistikuara do të niste në mesmarsin e këtij viti në Tiranë. Ekzekutimi i Arlind Fugës në “rrugën e Kavajës” do të sillte ndërmend eliminimet që kanë histori thuajse 20-vjeçare, e që në këto dy dekada janë matur vetëm me numër viktimash dhe me emra bandash të rrugëve. Për të riun policia mundi të thoshte vetëm se ishte mik i Shullazit. Hetimet vijuan, por për atentatin nuk pati asnjë emër të dyshuar. Me 9 maj tronditet Tirana dhe mbarë vendi; në afërsi të Ambasadës Amerikane, një minë me telekomandë e vendosur në portën e Anuar Rizik, do të shpërthente në momentin që do të hapte portën. Shokohen hetuesit dhe policët nga saktësia e kryerjes së atentatit. Rizik ishte pjesë e stafit drejtues së fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Asnjë emër, madje as motiv nuk u publiku mbi atentatin supermafioz, atentat që s`kishte ndodhur që me ekzekutimin e gjykatësit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Eleminime pa ‘zë’ ndodhën edhe në Elbasan, ku Gentian Beqiri bashkë me të atin vriten, ndërsa ruheshin me policë. Ngjarja është ende e padokumentuar. Në Fier vritet Shpëtim Heqimi, në Shkodër Miri Koçia dhe në Tiranë, Bledi Balliu, personi që u njoh si anëtar i “Poter Al”, që u akuzua për vrasjen e ish-mikut të tij, Aleksandër Koliçi. Ai u la i lirë për mungesë provash derisa u eliminua në hyrje të shtëpisë së tij. Për të gjitha rastet e sipërmendura policia dhe prokuroria thanë: Larje hesapesh!!!


Masakrat, nën “hundën” e policisë

Me 5 qershor një pritë fatale do t’i mirrte jetën një djali 9 vjeç. Quhej Endri dhe ra në pritën e shokëve të të atit. Në të vërtetë ai, u tha se nuk ishte shënjestra, por vdekja e tij solli një zinxhir vrasjesh dhe hakmarrjesh të frikshme. Policia ndaloi tre anëtarë të familjes Shkreta, ndërsa i ati i djalit të vrarë, Jetmir Llani, merr përsipër të shfarosë vrasësit e të birit. Policia dhe të gjithë bashkëpunëtorët në hetim, lanë shumë për të dëshiruar në marrjen e masave për të ndaluar vrasjet që nisen në Fushë-Mamurras, e që duket se kërcënojnë me hakmarrje të përjetshme. Janë shënuar 3 të vdekur, dy të plagosur, katër të arrestuar dhe një autobombë e shpërthyer në shtëpinë e Mark Shkretës. E ndërsa hakmarrja në Fushë-Mamurras po merrte jetë, nga Qelza e Pukës vjen një prej masakrave më të mëdha në vend: Kjo jo vetëm për mënyrën se si u vranë dy vëllezër dhe u plagosen dy gra dhe një nip shtëpie, por që policia e Komisariatit të Pukës ishte në dijeni prej kohësh të kërcënimeve me armë dhe nuk mori asnjë masë parandaluese. Për atë ngjarje u pezulluan krerët e komisariatit, por Apeli i Shkodrës i ktheu sërish në punë. Përveç tyre një sërë vrasjesh të tjera janë shënuar në Lezhë, Skrapar e Shkodër, por vrasja e Fatjon Barmetës në Klos dhe masakrimi i trupit të Hasan Maskës në Dvoronik të Beratit, pa frikë mund të konsiderohen si dy aktet ekstreme të barbarisë njerëzore. Vrasja e Barmetës u zbardh shpejt, por babai humbi djalin e vetëm që kishte; ia vranë dhe ia varrosen 4 metër nën tokë, ndërkohë vrasja e Maskës në Berat është ende pa zbardhur. Ende familja nuk i ka gjetur të gjitha pjesët e trupit, ndërsa masakruesit e 65-vjeçarit, vijojnë të jetojnë mes nesh…!


Vrasja e komisarit dhe ekzekutimi i vëllezërve Haxhialiu

Adem Tahiri, me gradën e Kryekomisarit, drejtonte prej rreth një viti policinë e Shijakut. Ishte kthyer në shefin model që mbante portën e komisariatit hapur për qytetarët e Shijakut, që ishte i kudondodhur. Por, me sa duket kishte “fatin” e ish-kolegëve të skuadrës operacionale që ranë në krye të detyrës në vitin 2009 në Durrës, teksa u vranë nga Dritan Dajti. Emri me të cilin u përballë komisari nuk ishte më pak i përfolur se sa autori i vrasjes së ish-kolegëve të tij, ndërsa pasditen e 13 shtatorit vrasja e kryepolicit të Shijakut do t`i jepte një tjetër goditje të fortë policisë. U tha se Tahiri ishte në krye të detyrës. U tha se në atentat morën pjesë dy persona; u tha se mes Tahirit dhe autorit të sulmit me armë pati grindje për bllokimin e një automjeti pa targa, por policia njoftoi se vrasjen e kishte kryer super i rrezikshmi Ilir Xhakja. Një njeri, sipas policisë, me precedentë të shumtë kriminal, që ishte arrestuar dhe liruar sa herë kishte dashur, ndërkohë që emri i Xhakes prej shumë vitesh lakohej edhe si një prej personave që gjendej shumë afër njerëzve me pushtet. Pas vetëdorëzimit të tij, rreth 8 orë pas vrasjes së komisarit, drejtësia nisi të kërkonte fajtorin dhe e gjetën; ai ishte gjyqtari që s`kishte publikuar vendimin e lirimit të Xhakes, Neritan Tabaku, i cili, për shkaqe shëndetësore ende nuk është vënë në dispozicionin e prokurorisë. Xhakja i tha Gjykatës: “E vrava komisarin se më shau!!!” Ngjarja vijon të hetohet për të plotësuar më shumë dosjen e Tabakut se sa të autorit të vrasjes së kryepolicit.

Ndërkaq më 1 dhjetor dy vëllezër do të ekzekutoheshin në automjetin e tyre në Tiranë. Igland dhe Sokol Haxhialiu, të njohur si biznesmenë vriten në rrethana tejet misterioze, ndërsa policia nxitoi dhe solli në pranga 35 vjerçarin nga Mamurrasi, Ardian Ndreka. Për më shumë se 24 orë emri i tij u përfol si autor i asaj vrasjeje, derisa në shtëpinë e tij në Fushë-Mamurras, “Shekulli” zbulon se “autori i vrasjes” ishte i lirë. Vrasja u tha se kishte shkak një borxh 30 mijë euro, por autori, ndonëse i identifikuar, nuk është arrestuar ende.


Nazimja dhe Aishja – viktimat e shumëpërfolura

Ndërsa Nazime Visha do të merrte guximin të qëllonte me armë mbi dhunuesin dhe përdhunuesin e saj, mikun e shtëpisë dhe shokun e ngushtë të të atit, ndryshe ndodh me Aishen. Nazimja e vrau Fiqiri Muçën në afërsi të shtëpisë së gjyshërve të saj, ndërsa policia dhe prokuroria punuan shumë në drejtim të dokumentimit të asaj ngjarjeje derisa provuan se Nazimja kishte një perfeksion të rrallë në gjuajtjen me armë. Ekspertët e krimeve të rënda nuk reshtën derisa zbardhën thuajse të plotë mekanizmin e asaj vrasjeje, por pa shkuar asnjëherë te shkaqet dhe qëllimet, që në të vërtet i tejkalojnë kompetencat e drejtësisë. Nazimja u vu në pranga, ndërsa bashkëmoshatares së saj iu pre koka, nga një 80-vjeçar. Burri rrëfeu në polici se kishte çuar në fund amanetin e Aishes… “Më mirë më pri kokën se të abortoj”. Vajza ishte fetare dhe nuk pranonte të kryente ndërprerjen e shtatzënisë, kurse plaku nuk donte që historia e tij me vajzën të zbulohej. Ai kishte abuzuar me vajzën qysh kur ajo ishte e mitur.


Zhdukja e Anton Prendit, mister prej 5 muash

Kur vendi tronditej nga vrasje të njëpasnjëshme, një sinjal zhdukjeje pa gjurmë vjen nga Fushë-Kruja. Familjarët kishin nisur të vetëm kërkimet pasi Anton Prendi, 47 vjeç, ishte zhdukur pa gjurmë, ndërsa ishte nisur në mëngjes për në punë në fabrikën e tullave. Zhdukja mësohet të dielën e 5 gushtit. Policia nisi me vonesë për të ndihmuar familjen e shastisur nga akti. Vetëm pas rreth një muaji krerë të Policisë së Shtetit morën përsipër të shkojnë në familjen e të zhdukurit, por pa asnjë lloj rezultati. Ata pak ekspertë që u morën me zhdukjen bënë me dije se dyshohet se është zhdukur për hakmarrje, pasi vëllai i tij kishte kryer një vrasje, por vetëm aq. Prej pesë muajsh, asnjë e dhënë nuk saktëson se çfarë është bërë me trupin e 47-vjeçarit, babait të tre fëmijëve. Ai kishte qenë punonjës policie, po kishte dhënë dorëheqje pas burgosjes së vëllait./Shekulli
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top