Votimi elektronik

Guest2

Antarë i Respektuar
Më 2012 u hodh ideja e parë e aplikimit të teknologjisë elektronike në votim, fillimisht në një zonë pilot (Fier) dhe më pas në të gjitha zonat elektorale. Në funksion të idesë, KQZ dhe strukturat përgjegjëse blenë pajisjet e duhura, por pas një viti, i gjithë investimi rezultoi i humbur, procesi elektronik u pamundësia dhe kështu, sistemi I administrimit partiak të votës mbeti dominues. Në krahasim më vendet e tjera evropiane, Shqipëria mbetet vendi i vetëm në NATO dhe aspirues për në BE që ende ka një sistem 100% partiak të administrimit zgjedhor.

Sipas analizës së botuar në politike.al, ideja e përdorimit të pajisjeve elektronike në votim ose numërim, daton prej 2003 në zgjedhjet e bashkisë Tiranë, ku paqartësitë në listat e zgjedhjeve krijuan probleme dhe zhvendosje të mëdha. Ideja tradicionalisht është përkrahur nga partitë në opozitë, si masë mbrojtëse ndaj partive në qeveri. Më 2013 ishte PS, e cila e mbështeti idenë e aplikimit të teknologjisë elektronike në Fier, madje mori angazhimin publik se me ardhjen në pushtet, sistemi do të ndryshohej për të shkuar drejt teknologjisë.

Më 2015 është PD në opozitë që gjithashtu mbështet dhe kërkon me forcë aplikimin e teknologjisë në votim dhe numërim. Së fundi, edhe 30-40 parti të vogla parlamentare, përmes një dokumenti të nënshkruar dhe adresuar Kuvendit, kanë kërkuar heqjen dorë nga praktika abuzive e militantëve dy partiakë në administrimin zgjedhor dhe kalimin në sistemin e administrimit elektronik. Ideja është mbështetur edhe nga disa eksponentë të së majtës, kryesisht individë që besojnë se koha e dominimit militant të partive në administrimin zgjedhor duhet të marrë fund, si parakusht për një proces demokratik e transparent votimi e numërimi. Nëse i referohemi praktikave zgjedhore të vendeve të tjera (tabela bashkëngjitur) ekzistojnë tashmë praktika të konsoliduara të përdorimit të mjeteve teknologjike të votimit dhe të numërimit.

Në aplikimin me sukses të këtyre metodave të reja gjendet edhe çelësi shpjegues për faktin se në vende me disa dhjetëra milionë banorë votat numërohen brenda mesnatës së votimit, kurse në Shqipërinë e vogël me 1.6 milionë zgjedhës aktivë duhen së paku 4-7 ditë numërim i votave për të ditur palën ose individët fitues. Siç shihet, votimi elektronik ose numërimi elektronik aplikohet gjerësisht në Austri, Belgjikë, Britaninë e Madhe, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Holandë, Irlandë, Itali, Norvegji, Portugali, Rumani, Spanjë dhe natyrisht prej vitesh edhe në Zvicër, duke u bërë dominues në hartën elektorale të shteteve evropiane.

Në shumicën e vendeve demokratike, përfshirë SHBA, përdoren metodat alternative, votimi elektronik dhe ai mekanik në varësi nga preference e zgjedhësit, siç edhe aplikohen forma të tjera të paimagjinueshme në Shqipëri, siç janë votimi me poste, me rrjete elektronike, me porosi/delegim, etj. Aplikimi elektronik do të kërkojnë disa parakushte nëse mund të merret në konsideratë aplikimi që prej zgjedhjeve 2017. Së pari, do të kërkonte një database të besueshme dhe një sistem identifikimi elektronik kombëtar përmes ID. Së dyti, do të kërkonte zgjerimin e të drejtës së votimit edhe tek emigrantët, të cilët nuk janë banorë efektiv ditën e zgjedhjeve në Shqipëri duke qenë që jemi vendi i vetëm evropian që ende i ka përjashtuar emigrantët nga vendimmarrja politike.

Së treti do të kërkonte mjete efektive mbështetëse për jetësimin e procesit, përfshirë burimet e nevojshme dhe alternative të energjisë, si dhe një sistem transparent përpara medias dhe strukturës kontrolluese kombëtare (KQZ-së). Së katërti, do të kërkonte ndërhyrjen e menjëhershme në Kodin Zgjedhor për ti dhënë kohë KQZ (të paktën 10-12 muaj kohë) për realizimin e praktikave të nevojshme (blerje pajisjesh, trajnim specialistësh dhe trajnim të individëve të deleguar nga partitë dhe shoqëria civile për ndjekjen e procesit të votimit). Së fundi, do të kërkonte një fushatë informimi publik, sidomos tek kategori sociale që nuk janë të familjarizuara me pajisjet elektronike. Duken pesë kushte të vështira, por jo të pamundura.

Risku dhe përfitimet ekzistojnë në balancë me njëra tjetrën, gjithsesi kjo është një praktikë me zbatim gjithnjë e më të gjerë dhe Shqipëria nuk ka arsye/nuk mundet të mbetet jashtë trendit dhe rrjedhave moderne të kohës. Shteti shqiptar harxhon sot rreth 7 milion euro pagesa për sistemin burokratik partiak të administrimit zgjedhor, duke e kryer këtë proces periodikisht çdo dy vjet, ndërkohë që me votimin elektronik, investimi do të ishte afatgjatë, por me kosto të njëjtë financiare me një proces të sotëm zgjedhore. Shumica e brezit të rinj, sipas sondazheve, është mbështetëse e futjes së teknologjisë në votim dhe numërim.

Përderisa politika premton të ardhmen dhe brezi i ri mbetet baza për të ardhmen, pritshmëritë dhe opinionet e tij do të duhej të merreshin në konsideratë. Për më tepër kur Shqipëria politike ka rreth dy vjet që po aplikon dhe promovon praktika digjitale në shërbimet sociale, shëndetësore, arsimore, etj, ndërkohë që ende hesht për aplikimin e të njëjtës teknologji në proceset zgjedhore.
shekulli.com
 
Back
Top