Voskopoja si mu duk

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
FERIDE PAPLEKA
06/10/2008 Në korrik të këtij viti, së bashku me një mikeshë franceze që i kisha zënë vend në hotelin « Akademia », në Voskopojë, mora rrugën për në Juglindje të Shqipërisë. Kam qenë vetë në atë kamp para dy vjetësh dhe ruaj në mendje kujtime e mbresa çlodhëse, nga ato që nuk shlyhen lehtë. Kampi i pushimit po bëhet vërtet një nga vendet më tërheqëse të Ballkanit e në një të ardhme jo të largët do të radhitet në një pikë turistike malore nga më të kërkuarat në Europë. Atje është vërtet një vend i mrekullueshëm për ata që duan t’i lajnë mushkëritë me ajrin e pastër të pishave shekullore e ta ushqejnë shpirtin me bukurinë shëronjëse të atyre vendeve. Kampi është thuajse model, i rikonstruktuar sipas kërkesave të reja, me qetësi e pastërti shembullore, me lule e gjelbërim, me ushqim dhe shërbim të përsosur, në mes të pyjeve, si një strehë ëndrre.

Edhe para dy vjetësh jam mahnitur me madhështinë natyrore të atij vendi, për të cilin megjithëse kisha dëgjuar prej kohësh fjalë të mira, nuk më kishte rënë rasti ta shikoja. Kureshtjen ma patën shtuar edhe rrëfimet për kishat mesjetare të fshatit Voskopojë, që ndodhet jo larg kampit. Dhe pikërisht për këtë do të flas më poshtë. Sepse çdo turist shqiptar apo i huaj kur shkon në atë hotel, ndërton një plan shëtitjesh e vizitash e në këtë plan radhitet e para Voskopoja, fshati që ka qenë dikur qytet nga më të zhvilluarit e vendit, i njohur dhe i përshkruar historikishtt që më 1330, që u bë i begatë dhe lulëzoi sidomos në shekujt XVII dhe XVIII. Si një qendër ekonomike e kulturore nga më të mëdhatë e vendit e që kishte marrëdhënie tregtare me Venedikun, Vienën, Laipcigun etj, ajo ka një histori të ndritur qytetërimi me Akademi të themeluar më 1720 që u quajt « Akademia e re » (nuk dihet se në lidhje me cilën akademi të vjetër), me Shtypshkronjë e jetë të gjallë kulturore që u venit e u zhduk pas djegieve, duke filluar me vitin 1769 kur ndodhi djegia e parë e deri te e treta më 1916, që i detyroi banorët e mbijetuar të shpërnguleshin apo të largoheshin fare e të iknin jashtë atdheut.

Por si shkohet? Si është rruga që të çon atje ? Keq e mos më keq. Një udhëtim që pengon e bën të ndalen në Korçë apo të kthehen pas shumë vetë, pa mundur të mbërrijnë në vend. Të shkosh në Voskopojë është një vuajtje e madhe.

Sidoqoftë, këtë vit, unë nuk mendova fare për rrugën. U nisa me idenë se duhet të ishte rregulluar edhe ajo, sepse përditë flitet për ndryshime të mëdha. « Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak e nga pak të ëndërrosh se lulëzon […]», thotë mes të tjerash Faik Konica, në shkrimin « Shqipëria si m’u duk », botuar në revistën « Albania » më 1924, nga i cili kam huajtur titullin, duke e përshtatur me objektin e këtij artikulli. Endrra ime e lulëzimit i ngjau një zgjimi të pakëndshëm. Dhe, veç kësaj, këtë vit qe shtuar edhe tortura e rrugës Pogradec-Korçë. Francezja, megjithatë filloi të filmonte që kur u nisëm nga Tirana. Ndërsa u afroheshim qendrave të banuara, që sado të na vijë rëndë, shumica kanë ose hyrjen, ose daljen tepër të shëmtuar me hedhurina e mbeturina, ose kanë vende të braktisura e të shkreta, si të ishim shumë të pasur me tokë, unë e pyesja për diçka në mënyrë që mos t’i shihte. Por nuk mund të isha përherë e vëmendshme. Bie fjala, në stacionin e trenit në Elbasan, ku qëndruam shumë, kanë gjetur « rehat » prej vitesh lokomotiva e vagona të ndryshkur, jashtë përdorimit dhe e vjetrojnë edhe më atë vend tashmë të vjetruar. Ajo mbeti disi e shastisur e më shihte me vështrime pyetëse, por as nuk dija çfarë t’i thosha. Nuk është fjala që ne duhet të kemi rregull e estetikë për të huajt, por kjo duhet të jetë kërkesë jona për qytetërim e zhvillim. Nuk ishin të pakta rastet kur gjatë rrugës hasnim diku ose hekurishte të ndryshkura, diku ndonjë tog të madh plehrash. Madje edhe rrecka të mbetura nëpër gardhiqe, sidomos në fshatrat e Elbasanit e të Librazhdit. Në ecje e kisha më të lehtë, se kalonim shpejt dhe e detyroja miken që të kthente kryet nga unë, duke i treguar ndonjë histori që lidhej me ato vende. ا’është e vërteta dëshiroja që në filmin e saj të kishte më shumë peizazhe natyrore. Natyrisht ka edhe vende të bukura, domethënë të mbajtura mirë dhe të pandotura nga pakujdesia jonë si bie fjala fshatrat e Pogradecit e të Korçës. Nuk flas për format që ka derdhur natyra, se ato s’varen nga njeriu. Nga njeriu varet sesi e përdor atë pjesë trualli ku rron. Po të shohësh Fushën e Domosdovës, e kupton sesa bukur punon dora e njeriut për ta begatuar një vend. Në e-mail unë i kisha përshkruar një udhëtim të këndshëm, me një itinerar që do të kalonte nëpër disa qytete të bukura si Elbasan, Pogradec, Korçë etj. ا’është e drejta, i krenohesha disi tepër për vendin tim, duke parë ëndrra me sy hapur, ashtu si do të vepronte çdo shqiptar në një rast të tillë. Mbase edhe nuk duhet bërë përgjithësim me termin çdo shqiptar. Sepse para disa kohësh, konkretisht në vitin ’96, në Ambasadën shqiptare në Paris, unë kam dëgjuar vetë një fëmijë trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeç, fëmijë i një punonjësi të administratës së atjeshme, që tha fjalë për fjalë : « As emrin nuk dua t’ia dëgjoj Shqipërisë ». Kur e sjell ndër mend, edhe tani më vjen për të qarë. Sigurisht ato s’mund të ishin fjalë të tij. Ai kishte bërë të veti ndonjë qëndrim të tjetërkujt më të rritur, por ato fjalë gjakosin. Mikesha i kishte kuptuar ndjenjat e mia « patriotike », sepse disa herë kur filmonte ndonjë peizazh ma tregonte e thoshte : « Magnifique »(I mrekullueshëm) dhe e shqëronte pastaj me ndonjë fjalë shqip që i bënte përshtypje ose që pyeste duke kërkuar gjegjësen në frëngjisht : I mrekullueshëm, shumë i bukur, i bukur etj.

***

Deri në Pogradec shkohet si shkohet me një rrugë që vende-vende është e mirë dhe vende-vende jo e mirë. Por ferri u shfaq kur morëm rrugën nga Pogradeci për në Korçë. Rruga po rindërtohej dhe me siguri do të dalë punë e pëlqyer, por asgjëkundi në botën e qytetëruar nuk ndodh që të bëhet « invalide » tërë linja. Ajo punohet pjesë-pjesë, në mënyrë që dëmi që u shkaktohet të tjerëve të jetë sa më i pakët. Të gjorat makina dhe të gjorët njerëz çfarë hiqnin ?! « Eshtë projekt i inxhinierëve tanë », thoshin udhëtarët. Sidoqë të jetë e vërteta, ideja që është krijuar se ne vetë s’bëjmë dot gjë të saktë, duhet të na bëjë të mendojmë thellë. Atje ishte më mirë të ecje në këmbë, sesa të udhëtoje me makinë. U pendova që mora udhën pa siguruar informacion për gjendjen. Po ku të informohesh ? ! E shihja mikeshën time franceze me cep të syrit, por ajo shtrëngonte stomakun fort, që mos t’i ngjiteshin zorrët lart. Kisha drojë se mos më pyeste : « Kur do të mbarojë ? ! », sepse nuk dija si t’i përgjigjesha. Dhe kështu për një orë e gjysëm apo dy pamë vetëm një re pluhuri të dendur dhe u troshitëm aq shumë, sa patëm frikë se mos na qenë ngatërruar ligsht rropullitë.

Me të hyrë në Korçë, e lehtësuar paksa nga mundimi, i rrëfeva mikes se dikur ai qytet quhej « Parisi i vogël ». Por fjala ime shkoi kot, se mikrobuzi u ndal në një vend, që karakteristikë kryesore kishte një tog të madh me plehra. Mikesha më pa në sy e më tha : « Këtu do të ketë ndonjë moskuptim mes Bashkisë dhe qytetarëve ». Unë tunda kryet në një shenjë të papërcaktuar, sepse te ne nuk është çështje moskuptimi, por çështje kuptimësie. Parregullsitë bashkëjetojnë kudo në paqe me njerëzit. Do të thotë ndokush : « S’është e vërtetë. Jo kudo dhe jo gjithmonë ! ». Por bari i njomë digjet bashkë me të thatin në raste të tilla. Veç kësaj unë dilja gënjeshtare, sepse vetëm « i bukur » s’mund t’i thuash një vendi që tregohet mospërfillës ndaj së bukurës. Dhe krejt unaza e Korçës është për faqe të zezë. Megjithatë s’kisha ç’bëja. Sado që e dua Korçën, realiteti është më kokëfortë se ndjenjat e mia. Ai më ushqente ndjesi të hirta.

« Tani, thashë, mbaroi tortura. Në Voskopojë do të shkojmë me rrugë të shtruar ». Ia bëja qejfin vetes. Por nuk i kisha bërë « hesapet » mirë. Filloi sërish tortura tjetër. Rruga ishte prishur edhe më. Kur mbërritëm në fshatin Voskopojë, mora frymë thellë. Mendova se të paktën rruga që lidh fshatin me hotelin « Akademia » të qendrës turistike ku do të shkonim, me siguri do të ishte shtruar. « S’ka si të ndodhë ndryshe », e bindja veten heshturazi. Por kisha parë ëndrra me sy hapur përsëri. Rruga për në kamp mesa duket është një rrugë e harruar, sepse ishte bërë më zi se ç’kishte qenë para dy vjetësh. Ne shqiptarët nuk e kuptojmë që rrugët janë si qenie e gjallë, ato kërkojnë përherë përkujdesje. Se kuptohet, vjetrohet një rrugë e re, po qe se nuk mirëmbahet, e jo ajo rrugë që është hapur për kampin e fëmijëve të shkollës, që në kohën e Enverit.

***

Ne u rregulluam në hotel « Akademia »dhe mikeshës franceze gjatë qëndrmit atje i bëri përshtypje fryma miqësore e njerëzve të shërbimit dhe të pushuesve. Madje një pushues, i cili dinte mjaft për historinë e Francës, e pyeti njëherë nëse francezët dinin sadopak për Shqipërinë? Ajo buzëqeshte se kuptohet nuk mund të jepte një përgjigje të saktë. Unë i pata dhënë informacion që më parë për veprën e Kadaresë që është botuar në Francë dhe e këshillova që nëse lexonte ndonjë libër të tij, ta fillonte me romanin « Chronique de Pierre » (Kronikë në gur). Ajo iu përgjigj se kishte lexuar romanin në fjalë dhe për vete dinte diçka. Bindjen për karakterin miqësor të shqiptarëve dhe mirësjelljen e tyre ndaj të huajve, ajo e forcoi pastaj edhe në Pogradec, ku pa me sytë e vet sa me kulturë shërbenin në hotel « EOROKORاA » dhe nëpër pikat e tjera ku hahej apo pihej kafe në vijën e gjelbër të plazhit. Në Pogradec, kur e merrnin vesh që ajo ishte franceze, i drejtoheshin me shprehje në gjuhën e saj si : Bonjour, bonsoir, au revoir, merci beaucoup, etj dhe ajo sigurisht ua kthente me përshëndetjet e bukura shqipe që i pati mësuar si : mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, faleminderit shumë etj. Pati edhe disa që dinin frëngjisht dhe komunikuan natyrshëm me të. Kjo gjë tregon se njerëzit tanë e adhurojnë Francën, gjuhën dhe kulturën e saj, që janë me frymë perëndimore europiane, së cilës edhe i përkasim si pozicion gjeografik dhe histori, por nga ana tjetrër kjo dëshmon edhe arsimimin e tyre të qëndrueshëm.

***

Të shkosh në fshatin Voskopojë që nga kampi është punë e thjeshtë dhe e lehtë, se atë e bën në këmbë për njëzet e pesë minuta ose gjysëm ore. Njeriu do që të njihet me fshatin e rindërtuar pas mynxyrës së braktisjes. Sigurisht që rifillimi i jetës ka qenë i ngadaltë e i dhimbshëm dhe pikërisht këtë dëshiron të shohë ai që e viziton. Ai do që të prekë reliktet që i kanë shpëtuar zjarrit, të shohë rrugët e shtruara me kalldrëm në stilin e epokës, shtëpitë që vazhdojnë të ndërtohen, duke e përtërirë stilin e dikurshëm. Ndonjë gur të datuar, të asaj kohe (që banorët e kanë gjetur në truallin e tyre dhe pa e ditur e kanë vendosur në murin e shtëpive të reja). Dhe kryesisht të vizitojë tre-katër kisha që i mbijetuan zjarrit nga njëzet e katër që kishte qyteti para djegieve. Por nuk arrin të krijojë as edhe idenë më të vogël.

Megjithëse shkruhet se « Voskopoja është fshat turistik », aty nuk vë re ndonjë përpjekje për ta vënë në dukje me veprime këtë të vërtetë. Flitet shumë për turizëm, por ne nuk duam të dimë dhe aq më keq nuk duam të mësojmë nga bota e qytetëruar, e cila i ka rregulluar prej kohësh këto punë dhe tërheq përherë klientelë. اfarë fshati turistik është Voskopoja ?! Ai ekziston vetëm i shkruar mbi një teneqe të shëmtuar që shërben si tabelë në qendër të fshatit. Nga kishat që i kanë shpëtuar djegieve : ajo e Shën Mërisë, është e braktisur në mëshirë të fatit, ajo e Shën Thanasit, përsëri e braktisur dhe e lënë në mëshirë të fatit. Të vjen keq që puna e piktorëve vëllezër korçarë, Kostandin dhe Athanas Zografi po vjerret e po bëhet dëm. Kishat Shën Mëhilli dhe Profet Ilia nuk i gjeje dot, sepse nuk ekziston ndonjë udhëzues se ku ndodhen. Kishën e Shën Kollit, e vetmja që ruhet mirë, e ke vështirë ta vizitosh. Kur e gjen këtë mundësi zakonisht nuk ka drita. Në atë kishë ndodhet piktura e famshme « Farhedhësi » e piktorit David Selenica që ka pikturuar edhe kishën, por ajo rri e fshehur pas ca perdeve a pareteve që nuk të lejojnë ta shohësh. Veç kësaj kisha nuk ka një fletëpalosje të vogël, ose edhe thjesht një fletë, si në çdo vend të tillë që të flasë për historikun e saj. Po ashtu ndodh edhe me manastirin Shën Prodhomi, që ndodhet në rrethinat pranë hotelit, pesë minuta larg tij.

Nëse natyra bujare e rrethon me pisha atë vend dhe njerëzit e atyshëm dikur kanë krijuar vepra, kanë lënë gjurmët e tyre, kjo s’është meritë jona. Meritë jona do të ishte që t’i ruajnim e të dhuronim kushte që gjërat e moçme dhe historike të vihen në dukje me kulturë, me rregull e pastërti. Para dy vjetësh, të shkoje për të vizituar kishën e Shën Thanasit të braktisur atëherë e të braktisur edhe sot, në rrugë hasje një baxho që e kishte mbushur vendin me erë të qelbur.

Pronari ishte një joprofesionist, nga ata që përfitojnë prej kaosit. Ai mashtrues e kishte baxhon në kushte higjiene të llahtarshme. Dhe kur i kërkuam që të na tregonte rrugën, doli me ca rroba të ndyra e me një palë këpucë ushtarake nga ato që u vodhën kur u hapën depot më 1997. Këtë vit për fat ai nuk ishte. Dhe era që të mbyste qe zhdukur. « Nuk fitonte sa duhej », tha dikush që u ndodh te vendi. Me siguri ka shkuar diku tjetër, të blejë qumështin e fshatarëve me pesë e ta shesë pastaj me njëzet e pesë. Kaosi ligjor krijohet shpesh herë me dashjen e njerëzve të caktuar që të fitohet me rrugë të pandershme.

Edhe punët e përditshme atje nuk venin mirë. Dhe nuk është ndonjë përjashtim. Si kudo te ne. Një kabinë telefonike në hyrje të fshatit ishte vetëm si numër, sepse telefon nuk kishte. Ndërsa nga posta nuk mund të flisje, se megjithë gadishmërinë e lavdërueshme të punonjëses, nuk kishte drita. Punohej diku afër Korçës. Kjo është formula për të justifikuar mosecurinë e punëve. Gjendet gjithnjë një shkak i jashtëm. Nga një shtëpi afër qendrës dëgjohej një radio që transmetonte këngë greke. Njerëzit janë të lirë të dëgjojnë këngë greke, sllave, latine etj, por pa ua prishur qetësinë të tjerëve. Se të ngresh zërin e radios aq sa të dëgjojë i gjithë fshati, këtë s’duhet ta bësh as me këngë shqipe. Pastaj a e hapin të tjerët, domethënë jashtë shtetit radion apo magnetofonin me këngë shqipe ? Dhe nëse ka raste, a bëhet kjo me zë të lartë në mjedise të hapura ? !.

Ka edhe më. Në mes të fshatit ndodhet një lapidar, i shkatërruar e i prishur si ai. Komuna me siguri nuk merret se ose nuk do, ose ka frikë nga ekstremistët neofashistë, të cilët e përbuzin gjakun e atyre që dhanë jetën e re për liri dhe paqe. Në piedestalin e lapidarit kishte hipur një gomar dhe sado që u përpoqa ta vonoja disi miken franceze të merrte film apo të bënte foto, sa të zbriste kafsha e ngratë, ajo më tha se pikërisht atë donte të fotografonte. Mesa duket nuk e kuptoi që ishte lapidar, por ndonjë copë muri i mbetur nga ndonjë rrënojë, aq i përkequr ishte.

Atë ditë në Voskopojë m’u duk sikur fati tallej me mua dhe me ne shqiptarët që nuk dimë si të ecim krahas Europës. Kur të rrethojnë gjëra që ta zymtojnë humorin kërkon që të biesh në gjumë e të mes zgjohesh kurrë. I thashë francezes të ngjiteshim ngadalë në kamp, se nuk doja të përballesha prapë me të keqen e ta trazoja kokën me mendime akoma më të hidhura. Mos duhet të hamendësojmë për ndonjë nëmë të lashtë që i ka rënë këtij trualli ? ! Nuk di si të përgjigjem.

Metropol
 
Sa do te doja te rikthehesha.. gjynah qe e paskan lene kaq shume pas dore..
 
Mia mbase jane fotot e dimrit keto dhe nuk duket mire. Eshte fantastike Voskopoja e te mendosh se ka shume e shume vende te tjera si ky vend...
 
Mia mbase jane fotot e dimrit keto dhe nuk duket mire. Eshte fantastike Voskopoja e te mendosh se ka shume e shume vende te tjera si ky vend...

Une e kam pare ne femijeri e kam shume kujtime te bukura (si prej Voskopojes dhe prej Dardhes). Por me kalimin e viteve e paskan lene shume pas dore.. Ne kemi shume perla te tilla ne Shqiperi.. por vlerat natyrore, arkeologjike e historike shqiptare, te gershetuara edhe me mikpritjen tipike qe na karakterizon, per fat te keq humbasin nga pakujdesia qe tregohet ne promovimin e turizmit. Nuk dime te shfrytezojme pasurite qe kemi.. nuk po punohet hic ne kete drejtim!
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top