Vlorë, vidhet sërish kablloja elektrike. Qyteti mbetet pa TV

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Ky është rasti i katërt brenda dy javësh. Policia në asnjë rast nuk ka emra konkretë autorësh

Vidhet sërish kablloja elektrike në zonën e Zvërnecit. Për pasojë, një pjesë e fshatrave turistikë vazhdojnë të jenë të zhytur në errësirë, ndërsa qyteti i Vlorës nuk ka sinjal televiziv.

Në orët e para të ditës së djeshme, persona të paidentifikuar kanë prerë një sasi të konsiderueshme kabulli elektrik, i cili furnizon me energji elektrike zonat: Zvërnec, Nartë, Panaja, si dhe të gjitha antenat televizive dhe ato të telefonave. Shefi i Shpërndarjes për Vlorën, Dhimitraq Kovi, është shprehur për "Shqip" se "këto vjedhje po na sjellin shumë probleme për zonën në fjalë. Para disa ditësh na u vodhën rreth 900 metra linear tel, i cili është gjetur dhe zëvendësuar me vështirësi. Por dje, në orët e para të mëngjesit, është vjedhur sërish kjo linjë me disa metra të tjerë linear. Për ne është shumë problem zëvendësimi i tij, pasi ne si drejtori nuk disponojmë gjendje nga ky lloj kabulli dhe nuk kemi fuqi financiare për ta blerë dhe zëvendësuar atë me të ri. Kjo nuk është hera e parë që ndodh ky fenomen, ku kabulli elektrik bëhet pre e vjedhjeve, pasi më tej ai shitet për të përfituar persona të cilët nuk duhet të falen nga drejtësia, por duhet të dënohen maksimalisht", është shprehur shefi i Shpërndarjes për Vlorën, Dhimitraq Kovi. Duket se rritja edhe e çmimit të bakrit në pikat e mbledhjes së hekurishteve ka bërë që shitjet e kabllove elektrike të shihen si burim i mirë fitimi nga persona të papërgjegjshëm. Policia, pasi ka marrë njoftimin e radhës, ka përpiluar procesverbalet, por ende nuk ka ndonjë emër konkret të identifikuar si autor i mundshëm i vjedhjes. Ndërkohë, banorët e zonës së Zvërnecit dhe ata të Nartës, shprehen të shqetësuar dhe janë të indinjuar me policinë, e cila është pothuajse inekzistente në këtë pjesë të Vlorës. Llazi Mano, një prej banorëve të Nartës, është shprehur për "Shqip" se "mungesa e gjatë e energjisë elektrike po na dëmton ekonomikisht. Jo vetëm që po na prishen të gjitha ushqimet e restorantit, por kjo situatë do të ndikojë në frenimin e ardhjes së emigrantëve nga Greqia". Ndërkohë, kryetari i Komunës Qendër, që mbulon këtë zonë, Fredo Berberi, është shprehur se situata është krijuar nga mungesa e policisë dhe vënia para drejtësisë e autorëve të vjedhjeve. Ky është rasti i katërt, në një hark kohor prej dy javësh, që kablloja e cila furnizon me energji elektrike zonën e Zvërnecit, është vjedhur, duke lënë pa energji elektrike fshatrat Nartë e Zvërnec, si dhe zonat përreth. Si pasojë e vjedhjes ka mbetur pa energji elektrike edhe stacioni i antenave të sinjaleve radiotelevizive për qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj.
*SHQIP*


 
Back
Top