Vjedhja e skrapit, hekurudha shqiptare kërkon dënime të ashpra

Cyber_Spartacus

Homo Homini Lupus
Hajdutët vënë në rrezik trenat, pasi nuk ngurrojnë të "zhdukin" edhe shinat

Hekurudha, nën shënjestër nga mbledhësit e skrapit të hekurit. Vidhen pjesë këmbimi vagonësh e lokomotivash deri dhe pjesë të shinave dhe bulonave që mbërthejnë në trase udhën e hekurt. Qindra të papunë që e sigurojnë bukën e gojës nëpërmjet mbledhjes dhe shitjes të kanoçeve dhe hekurishteve i kanë hedhur sytë nga ndërmarrjet e hekurudhave shqiptare për të vjedhur mallin që u sjell të ardhura për familjet e tyre. ثshtë një problem i mprehtë social, që gjithsesi po i shkakton shumë dëmtime HSH-së, e cila angazhon brigadat e saj të punës për të pasur nën mbikëqyrje ndërhyrjet e hajdutëve ordinerë deri në linjat e hekurta, me qëllim shmangien e aksidenteve hekurudhore. Paraditen e së premtes, rreth orës 10:00, punonjësit hekurudhorë kanë konstatuar vjedhjen e disa materialeve prej hekuri, si dhe disa pjesëve këmbimi të vagonëve të mallrave në Bazën e Mjeteve Hekurudhore Durrës. Si rezultat i hetimeve të para nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Pronës në Durrës, rezultoi se autor i dyshuar i kësaj vjedhjeje është shtetasi Arben Kovaçi, 21 vjeç, lindur në Librazhd e banues në Shkozet, ndërsa pranë banesës së tij u sekuestruan mallrat e vjedhura. Me t‘u identifikuar, i dyshuari u shpall në kërkim e po punohet për kapjen e tij. Një ditë më parë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri gjithashtu të ditur se një nga të dyshuarit për vjedhje në HSH u ndalua nga shërbimet e saj, ndërsa dy shtetas të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim. Hajdar Selimaj, 30 vjeç, nga Kukësi, e me banim në Shkozet të Durrësit u ndalua, ndërsa ishte shpallur në kërkim që në mesin e muajit qershor për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim me 19-vjeçarin Armand Selmani. Të dy dyshohet se kanë vjedhur një sasi hekuri në Ndërmarrjen e Riparimit të Mjeteve Hekurudhore Durrës. Numri i procedimeve penale ndaj hajdutëve të skrapit të hekurit në hekurudhën shqiptare ka ardhur në rritje, po në krahasim me dëmet e bëra në këtë ndërmarrje që shtrihet në pjesën më të madhe të vendit, numri i personave nën hetim apo dhe të dënuar nga drejtësia është i papërfillshëm. Situata cilësohet kritike dhe drejtues të linjave të hekurta shqiptare thonë se dënimet për këta hajdutë duhet të jenë më të ashpra, pasi veprimtaria e tyre shkakton jo vetëm dëm ekonomik për ndërmarrjet e HSH-së, por ajo cenon drejtpërdrejt sigurinë e lëvizjes mbi shina.

Gazeta Shqip
 
Back
Top