Vizat, Suedia: Shqipëria s’e meritoi

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P



Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian thotë se arsyeja pse disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur jashtë liberalizimit të vizave është moskryerja e reformave të duhura. “Të marr Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, për shembull, atyre u janë dhënë të njëjtat kritere kryesore, e njëjta “hartë e rrugës”, sikurse edhe Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve”, tha dje zëvendësshefi i Departamentit suedez për BE-në, Lars Wahlund, në një intervistë për BBC-në. “Ata do të duhej të bënin këto reforma dhe ekspertët e Komisionit ishin atje dhe ata nuk i kishin kryer”, tha ai.
Si e shihni ju në presidencën suedeze të BE-së perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit?
Vazhdimi i zgjerimit të BE-së është një prej përparësive të presidencës suedeze dhe ne do të mundohemi ta nxisim këtë aq sa kemi mundësi. Mendojmë se ka një rëndësi edhe më të madhe tani në kohën e krizës financiare, që dyert e BE-së të mbahen të hapura. Gjithashtu, është e vërtetë se ne kemi aktualisht një krizë institucionale brenda BE-së, por nuk është qëndrim vetëm i Suedisë si anëtare e BE-së që të zgjidhet më parë Traktati i Lisbonës për të vazhduar zgjerimin, por ky është një qëndrim që ka mbizotëruar tek shumë vende anëtare. Por ne shpresojmë se do të mund të zgjidhim krizën institucionale për të pasur mundësi pastaj që të vazhdojmë me zgjerimin me një dinamizëm më të madh, pas referendumit irlandez.
Ju po thoni që dyert duhet të mbeten të hapura për Ballkanin. Por duke marrë parasysh krizën brenda BE-së, duke marrë parasysh problemet e tjera, a nuk është ngadalësuar paksa ky proces?
Nuk mendoj ashtu. Duhen bërë dallime mes pranimit të anëtarëve të rinj, që nënkupton zgjerim dhe të vazhdojmë procesin e zgjerimit, që është shumë i rëndë dhe një proces i vështirë. Nevojiten shumë reforma që duhet të bëhen në vendet, që aplikojnë ose duan të bëhen anëtare. Kjo nuk është diçka që duam ta mbajmë jashtë, sepse është racionale dhe në fund të fundit për të qenë anëtar i BE-së duhet të jesh i gatshëm dhe të kesh mundësi për të marrë të gjitha obligimet e BE-së. Pra, është procesi i reformave që po vazhdon. ثshtë Kroacia, ish-republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Turqia dhe posaçërisht Kroacia e Turqia, që kanë filluar procesin dhe shpresojmë se edhe Shkupi do të ketë mundësi ta bëjë këtë më vonë.
Por gjatë kësaj periudhe prej gjashtë muajsh të presidencës suaj, jeni optimist se disa nga këto vende mund të bëhen anëtare të BE-së?
Jo, jo anëtar sepse ky është një proces më i vonshëm. Por nëse shikoni vendet atëherë kemi aplikimin e Mali të Zi, që i është dërguar Komisionit Evropian dhe po punohet rreth saj, megjithëse nuk e di nëse kjo do të prezantohet gjatë presidencës suedeze. Pastaj është aplikimi i Shqipërisë, me të cilin shpresojmë se mund të merremi gjatë vjeshtës për ta dërguar tek Komisioni për të filluar shqyrtimin dhe pastaj Komisioni do të fillojë një vlerësim më të hollësishëm të vendit. Pastaj kur Serbia t’i ketë zgjidhur problemet, sepse të gjithë ne e dimë se ata janë shumë mirë të përgatitur, mund të ecë shpejt në procesin e BE-së.
Në vazhdim është ish-republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila është tashmë vend kandidat dhe ka 8 kritere kryesore, të cilat kur të përmbushen ne shpresojmë se Komisioni do t’i rekomandojë Këshillit që të fillojë negociatat. Në këtë rast kemi të ashtuquajturën çështje të emrit. Ne nuk e shohim këtë si kërkesë për të filluar negociatat, por në të njëjtën kohë është fakt se për të filluar negociatat na duhet konsensusi brenda BE-së. Në këtë kuptim mund të thuhet se çështja e emrit ka një rëndësi për procesin e mëtejmë për ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë. Por, fillimi i negociatave është një gjë dhe pastaj duhen vite për t’i përfunduar dhe përmbushur ato dhe do të thosha se para se të bëhet anëtare çështja e emrit është kusht, sepse është kërkesë për një marrëdhënie të mirë fqinjësore.
Por një nga vendet e Ballkanit, që po përfiton nga BE-ja, është Serbia. Ju thoni se ajo është në rrugë të mbarë drejt integrimeve. Por autoritetet në Beograd duhet të përmbushin ende disa prej kushteve në mesin e të cilave edhe bashkëpunimi i plotë me EULEX-in. Keni parë së fundi lëvizje të mira në këtë drejtim?
Mendoj se duhet të ndani dy gjëra. Bashkëpunimi me EULEX-in, tani që po flasim, është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave. Ju e dini se Komisioni ka rekomanduar dhe nuk është vendim, që Serbia, ish-republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Mali i Zi të përfitojnë nga udhëtimi pa viza në gjithë Evropën. Ky është një rekomandim i Komisionit, rreth të cilit vendet anëtare duhet të marrin vendim më vonë, që ne shpresojmë të bëhet gjatë presidencës suedeze. Për Serbinë janë dy kushte: E para se duhet të sigurohemi se udhëtimi pa viza nuk do t’ju mundësohet qytetarëve - banorë të Kosovës, prandaj ata duhet të lëshojnë pasaporta të veçanta serbe për këta njerëz. Dhe e dyta është një kërkesë për një bashkëpunim më të ngushtë me EULEX-in. Kjo marrëveshje me Beogradin do të punohet gjatë muajve të ardhshëm. Prandaj ka një kërkesë për liberalizim të vizave që të rritet bashkëpunimi me EULEX-in.
Zoti Wahlud, ju përmendët liberalizimin e vizave për disa vende të Ballkanit. Por Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë lënë jashtë këtij procesi. Ka një ndjenjë të përbashkët të qytetarëve të këtyre vendeve se ky rekomandim mund t’i izolojë ato.
Ne mendojmë se është shumë fatkeqe, në një mënyrë. Por faji duhet të vihet aty ku duhet. Të marr Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën, për shembull. Atyre u janë dhënë të njëjtat kritere kryesore, e njëjta “hartë e rrugës”, sikurse edhe Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve. Ata do të duhej të bënin këto reforma. Dhe ekspertët e Komisionit ishin atje dhe ata nuk i kishin kryer. Ne kemi pasur takime të gjata me udhëheqësit e Bosnje dhe u thamë se këto janë reformat që duhet të bëni e pastaj dyert janë të hapura për ju. Do të merrni liberalizimin e vizave kur të bëni këto reforma. Mungesa e reformave nga politikanët vendas nuk është diçka që BE-ja po provon t’i izolojë ata. Liberalizimin e vizave nuk e merrni si dhuratë. Ajo ka të bëjë me mbrojtjen e rajonit të Schengen-it, prandaj duhet të përmbushni kriteret e Schengen-it. Kjo u është thënë udhëheqësve të Bosnjës dhe elektorati i Bosnjës duhet të flasë me politikanët vendas. Kur ta bëjnë këtë, dera do të jetë e hapur për ta. Por nuk e merrni liberalizimin e vizave si një të drejtë morale. Ju e fitoni të drejtën e udhëtimit pa viza, sepse i keni bindur ministrat e Brendshëm të Evropës se kufijtë janë të sigurt dhe se ata mund t’ju besojnë se ju mund të merreni me çështjet e migrimit, të pasaportave etj.
Por si mundet Kosova ta bindë BE-në se është e gatshme të ecë kësaj rruge?
Ky është një problem tjetër. Kosova është tjetër çështje. Ju e dini se Suedia e ka pranuar Kosovën, ashtu siç e kanë bërë edhe 22 vende të tjera anëtare. Por ka ende 5 vende anëtare të BE-së që nuk e kanë pranuar atë dhe për të marrë vendime duhet konsensusi. Unë nuk pres që Suedia të ketë mundësinë për të zgjidhur mungesën e konsensusit ndaj statusit të Kosovës, gjatë presidencës së saj gjashtëmuajshe. Prandaj kjo është arsyeja pse BE-ja nuk mund t’i ofrojë Kosovës të njëjtën “hartë të rrugës”, sikurse edhe vendeve të tjera në Ballkan. Por ajo që ne do të provojmë të bëjmë është se Komisioni do të publikojë një studim, në muajin tetor, se si të ecin gjërat përpara në Kosovë. Ne shpresojmë se ky studim do të përfshijë edhe disa ide se çfarë lloj reformash Kosova duhet të bëjë që t’i afrohet “hartës së rrugës” për liberalizim të vizave, deri në zgjidhjen e këtij mosuniteti brenda BE-së, për statusin e Kosovës. Ne gjithashtu e konsiderojmë problem se Kosova është lënë jashtë, por duhet të respektohet fakti se vendimet në BE merren me konsensus.
Por Kosova do të mbetet jashtë. Vendet përreth do të jenë të lira për udhëtime pa viza. Atëherë çfarë mund të bëjë Kosova më shumë që këto pesë vende të ndryshojnë qëndrim?
Kosova duhet ta pranojë se nuk ka qenë sa duhet aktive për të arritur mbështetje për rastin. Suedia, Britania e Madhe ose Franca kemi punuar në nivel ndërkombëtar duke provuar që të fitojmë mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin shtetëror. Por Kosova duhet të bëjë më shumë, ajo duhet të ketë një politikë më aktive. Ne vazhdojmë të bisedojmë me këto pesë vende të BE-së, që nuk pajtohen me ne.
T’i kthehem studimit. Ajo që ne po provojmë të bëjmë me të, ose të propozojmë, është një lloj “harte e rrugës” për Kosovën. Por gjithashtu duhet të pajtohemi se megjithëse dakordohemi që t’i ofrojmë një “hartë të rrugës” për udhëtime pa viza, ka shumëçka për të bërë në Kosovë. Ata nuk kanë pasaporta biometrike, policia kufitare nuk funksionon, ka shumë ligje dhe reforma që duhet të ndërmerren. Dhe sërish nuk do të ofrohen udhëtime pa viza pa ofruar diçka. Në fund të fundit duhet të binden ministrat e Brendshëm të BE-së se mund t’i besohet këtij vendi rreth të gjitha këtyre çështjeve.
*panorama*
 
Back
Top