Vitet ’20/ Kur në Shqipëri u dhanë koncesionet e para për privatët


shqiperi.jpg

Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria nisi të aplikojë në vitet ’20 ekonominë e tregut organizuar mbi baza kombëtare.
Jetëgjatësia e shkurtër e qeverisë së Ismail Qemalit dhe më pas ndërhyrja e ushtrive italiane, franceze e austro-hungareze e kishin bërë të pamundur nisjen më herët të aplikimit të modelit ekonomik.
Në fillimin e viteve ’20 kur vendi sapo kishte dalë nga lufta e kur ushtritë e huaja po largoheshin duke krijuar mundësinë e formimit të një qeverie të re, autoritetet ndërmorën hapat e parë për të mobilizuar kapitale për zhvillimin ekonomik të vendit.
Të gjendur mes dy alternativave; marrjes së një kredie nga jashtë dhe dhënies së koncesioneve, rruga që u zgjodh ishte kjo e dyta. Shqipëria nuk arriti të sigurojë një kredi për zhvillimin ekonomik e rruga e ndjekur në këtë rast ishte ajo e lejimit të shfrytëzimit të burimeve natyrore nga kompani të huaja.
Sa herë kishte aplikime për koncesione të ndryshme, në parlament kishte zëra të shumtë që kërkonin që ato t’u jepeshin biznesmenëve shqiptarë. Në listën e zërave pro e kundër nuk mungonin as argumentet se biznesmenët shqiptarë nuk kishin kapacitetet e duhura financiare apo teknike për sipërmarrje të tilla.
Për këtë qëllim, në vitet ’20 u mbajtën disa Kongrese Tregtare që kishin si synim që të bashkonin tregtarët shqiptarë me qëllim bashkimin e energjive për të ndërmarrë projekte madhore ekonomike.
E si rezultat, nuk munguan iniciativa të ndryshme që në thelb tentonin të ndryshonin rrjedhën e ekonomisë shqiptare, duke tentuar për të kaluar nga një ekonomi me baza agrare në një ekonomi me baza industriale.
Një nga përpjekjet më të rëndësishme në këtë drejtim ishte në vitin 1927, vit ku biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë u bashkuan në një sipërmarrje të përbashkët të emërtuar SITA-Shoqëria Industriale Tregtare Anonime. Grupi i biznesmenëve shqiptarë të kësaj sipërmarrje kryesohej nga Aleksandër Hobdari, një nga biznesmenët më të njohur të kohës. Pjesë e këtij grupi ishin edhe Koço Kota, Milto Tutulani, Pandeli Vangjeli, Xhemal Vrioni etj. Të gjithë aksionerët e kësaj kompanie ishin politikanë të lartë dhe aktivistë të njohur për çështjet kombëtare.
Qendra e kësaj shoqërie ishte në Tiranë. Kjo shoqëri sipas statutit, mund të zhvillonte veprimtari të ndryshme por ajo në bazë të koncesioneve të marra nga qeveria shqiptare e asaj kohe e zhvilloi veprimtarinë industriale e tregtare në dy drejtime kryesore; në prodhimin, shpërndarjen e shitjen e kripës në të gjithë territorin e vendit dhe në prodhimin e shitjen e energjisë elektrike në Tiranë.
Shoqëria SITA e kishte qendrën në Tiranë. Ajo u themelua me kapital fillestar 1 milion franga ari. Më vonë, ajo bëri dy emisione aksionesh të reja duke shtuar kapitalin në 2.2 milionë franga ari.
Kompania kishte 4.400, secili nominativ që kishin një vlerë nga 500 franga ari secili. Në bazë të një dispozite të statutit të saj aksionistët nuk mund të ishin veçse nënshtetas shqiptarë dhe për këtë arsye shoqëria u formua dhe mbeti me kapital thjeshtë kombëtar. Në këtë mënyrë, duke vendosur kushtin e të pasurit të aksionarëve vetëm shqiptarë, kompania synonte të mbante një frymë nacionaliste.
Gjatë periudhës së rritjes së prezencës së kapitalit italian në Shqipëri, kompanitë italiane që erdhën në Shqipëri u përfshinë në një garë për marrjen e tregut të kësaj kompanie, e madje disa herë tentuan që të blinin aksionet e saj po pa pasur sukses.

Koncesioni i kripës

Një nga aktivitetet parësore të kompanisë ishte koncesioni për kripën në Shqipëri. Madje, mund të thuhet se ka qenë pikërisht ky koncesion që bashkoi sipërmarrësit shqiptarë për të formuar këtë kompani. Deri në mesin e vitit 1927 kripa ishte administruar si ekskluzivitet nga “Dette Publique”, administrata e borxhit publik osman dhe më pas monopoli i kaloi zyrës së monopoleve të shtetit shqiptar.
Në vitin 1927 administrimi i monopolit të kripës iu shit me adjudikatë shoqërisë SITA.
Kripa përdorej jo vetëm për ushqimin e njerëzve por edhe për ushqimin e bagëtive. Po ashtu, shërbente edhe për konservimin e ushqimeve të ndryshme në mungesë të frigoriferëve. Gjithashtu, kripa që nxirrej në Vlorë dhe Kavajë ishte një burim i konsiderueshëm të ardhurash pasi eksportohej. Duke qenë një produkt i konsumit të gjerë, qeveria kishte ndërmarrë më herët hapa për uljen e çmimit të saj.
Në vitin 1927 qeveria vendos të bëjë një ndryshim në mënyrën e administrimit të kripës me argumentin se shteti nuk mund të merrte përsipër një shërbim që kishte karakter tregtije e ku kërkohej shumë investim për të përmirësuar teknologjinë e nxjerrjes së saj. Po ashtu, strukturat shtetërore pranonin se kishin vështirësi në shpërndarjen e kripës në zonat e largëta të vendit dhe nga ana tjetër, kishte pamundësi për të kontrolluar futjen e saj kontrabandë.
Pas tenderit, kompania SITA mori të drejtën ekskluzive të punimit, shitjes së transportit të kripës për 15 vite me kushtin që sipërmarrja të shiste në të gjithë vendin kripën me një çmim të unifikuar. Kompania e fitoi këtë koncesion pas një procesi që zgjati 11 orë e gjysëm dhe ku merrnin pjesë 5 grupe ofertuesish.
Shoqëria SITA garonte me Shoqëritë STAMLES, Dalip Peshkopija me shokë nga Vlora, i poshter Beziri me shokë nga Shkodra dhe Fuad Toptani nga Tirana.
Kontrata e detyronte kompaninë të prodhonte për nevojat shtetërore një sasi kripe prej 50 mijë kuintalësh në vit. Shoqëria detyrohej të kishte në çdo qendër prefekture e nënprefekture nga një depo kripe për t’ia shitur popullatës.
Kripa për industritë e djathit, peshkut, e sendeve të tjera të eksportueshme do të shitej vetëm në depot që shoqëria do të hapte në Shkodër, Lezhë, Kukës, Peshkopi, Mat, Elbasan, Korçë, Sarandë, Durrës, Kavajë e Vlorë ku shteti më parë kishte magazine kripe.
Shoqëria detyrohej të investonte në kripore duke instaluar sisteme moderne që siguronin prodhimin e nevojshëm për nevojat e brendshme dhe për eksportin.
Brenda pak vitesh, kompania SITA investoi në kriporen e Vlorës duke zëvëndësuar motorët dhe pompat e vjetra me të reja. Ndërsa në kriporen e Kavajës ku përpara nuk kishte asnjë pajisje të instaluar e ku kripa nxirrej me sisteme primitive, kompania SITA instaloi pompa me fuqi nxjerrëse 7 mijë litra ujë në minutë.
Kjo kompani vazhdoi për shumë vite, deri në fund të luftës së dytë botërore që të ofronte këtë shërbim, kur më pas u shpronësua si rrjedhojë e vendosjes së sistemit të ekonomisësë centralizuar.
Në total, në të gjithë vendin kompania kishte 40 agjenci dhe punësonte rreth 250 persona duke u konsideruar për ato vite, si një ndër kompanitë më të fuqishme në vend.

Ndriçimi elektrik i Tiranës

Kompania SITA nuk e ndali veprimtarinë e saj vetëm në një aktivitet ekonomik. Ajo e diversifikoi portofolin e investimeve, duke u hedhur edhe në tregun e energjisë elektrike.
Për të prodhuar energjinë elektrike kompania SITA kishte instaluar në Tiranë, në rrugën e Durrësit një central elektrik modern e më fuqi 770 kilovat.
Energjia elektrike kalonte me anë të një kablli nëntokësor të gjatë 7 mijë metra nga centrali deri te transformatorët. Gjithsej, kompania kishte 9 transformatorë që shpërndanin energji elektrike te klientët me anë të një rrjeti shpërndarje ajrore të gjatë 40 mijë metër. Klientët e kompanisë ishin kryesisht familjet e pasura të Tiranës, por edhe qendra e kryeqytetit dhe disa rrugë kryesore që furnizoheshin me energji elektrike dhe shërbenin për ndriçimin publik.
Deri në fundin e vitit 1934, shoqëria SITA ka pasur koncesionin e instalimeve elektrike por pas asaj date në marrëveshje me bashkinë e kryeqytetit hoqi dorë nga ajo e drejtë dhe instalimet u lanë të lira por nën kontrollin e teknikëve të shoqërisë SITA dhe të bashkisë.
Për shërbimin e instalimeve shoqëria ka pasur në fillim montues të huaj por pas pak kohe sapo u përgatitën nxenësit shqiptarë në Shkollën Teknike të Tiranë Harry Fultz u morën në shërbin.
Ndërkohë, instalimet elektrike në Tiranë u kryen sipas standarteve gjermane.
Krahas furnizimit të Tiranës me energji elektrike, kompania SITA hapi edhe një magazinë moderne për shitjen e materialeve e të llampave elektrike si dhe të sendeve të tjera që punonin më energji elektrike si radio,sahatë, soba, hekura hekurosje etj.
Ndër projektet e parealizuara të kompanisë në këtë drejtim ishin edhe instalimi i një centrali hidraulik, që prodhonte energji nga uji, për të furnizuar me energji elektrike të gjithë Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Po ashtu, kompania kishte në planin e saj të investimeve edhe ndërtimin e ujësjellësit të Tiranës si dhe krijimin e një banke tregtare, me kapital 100 % shqiptar.

Projekti i parealizuar i Bankës

Kompania SITA u përfshi edhe në procesin e huadhënies ndaj institucioneve publike dhe nisi të luajë rolin e një institucioni kreditues, edhe pse jo formalisht në cilësinë e një banke.
Në këto kushte, në vitet ’30 kur kompania po fuqizohej duke u shtrirë në fushat e industrisë së vendit, biznesmenët shqiptarë që ishin aksionerë të SITA dhe të kompania tjetër, STAMLES, formuan një komision të përbashkët duke hartuar projektin për ngritjen e një banke tregtare e cila do të kishte kapital 100 % shqiptar. Në listën e biznesmenëve shqiptarë që u bashkuan ishin Aleksandër Hobdari, Isuf Beshiri, Vlash Dovana etj. projekti parashikonte që banka tregtare ta kishte selinë qendrore në Durrës. Ishte parashikuar që ai t’i parashtrohej për diskutim paraprak Kongresit të Dhomave të Tregtisë por projekti nuk avancoi dhe përgjithësisht këto orvatje rezultuan pa sukses.
Në këtë mënyrë, SITA e zhvilloi aktivitetin e saj për shumë vite vetëm në administrimin e monopolit të kripës dhe në fushën e furnizimit me energji elektrike të kryeqytetit. Ajo mund të konsiderohet si një ndër përpjekjet e para të realizua në Shqipëri për ngritjen e një megasipërmarrje që për nga natyra e projekteve të saj, tentonte të shkonte drejt formimit të një koorporate.
Historia e kompanisë shqiptare SITA mbyllet në mars të vitit 1946, kohë kur në pushtet vijnë komunistët të cilët anulojnë koncesionet që i ishin dhënë kësaj kompanie e shtetëzojnë asetet e saj.
Në këtë mënyrë, përfundon historia e një projekti 20 vjeçar, që reflekton vetë rrugëtimin që historia ekonomike e Shqipërisë ka kaluar…


(Kreshnik Kucaj/ SCAN)
 

Attachments

  • shqiperi.jpg
    shqiperi.jpg
    35.3 KB · Shikime: 0
  • shqiperi.jpg
    shqiperi.jpg
    35.3 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top