Vëlla e motër shesin pikturat e babait për të siguruar shkollën

Love

βeℓℓe â๓e
41777.jpg


BERAT - Dhimbja nga varfëria nuk ka të sosur. Dy studentë (vëlla e motër) Desaret dhe Anjeza Kapxhiu nga qyteti i Poliçanit, të mbetur jetimë pa babë e nënë, në kushtet e një varfërie ekstreme dhe mjerimi ekonomik pa asnjë mundësi financiare për të jetuar dhe vazhduar shkollën, kanë vendosur që të shesin punimet e babait të tyre piktor. Për këtë, ata kanë gjetur mbështetjen e artistëve beratas, kolegëve të të ndjerit, babait të tyre. Një dramë e dhimbshme i detyroi fëmijët që mes dhimbjes e lotëve të marrin këtë vendim. Varfëria ekstreme po i detyron ata të ndërpresin mësimet (djali në universitet, vajza në gjimnaz) e saponisura. Në vitin 2008 kanë humbur babanë piktor nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa pak muaj më pas, një aksident (shpërthim municioni) në Uzinën e Armëve në Poliçan i merr jetën aksidentalisht nënës së tyre, 45-vjeçares Suzana Kapxhiu. Vëlla e motër mbesin jetimë… Nuk kanë asnjë të ardhur, ndërsa duan dhe të nisin universitetin në Tiranë. "Me dhimbje e bëjmë, por nuk kemi asnjë mundësi tjetër. Unë dhe motra nuk kemi asnjë mundësi financiare të ndjekim shkollën", - pohoi mes lotëve Desareti…

Ndërsa piktori Agron Polovina, drejtor i Galerisë së Arteve "Eduard Lir", teksa pohon se "hapja e ekspozitës, fatkeqësisht është e vetmja mundësi për kolegun tonë që nuk jeton", rrëfen dramën e dhimbshme familjare të familjes së piktorit Kapxhiu…

Keni hapur ekspozitën e veçantë të piktorit poliçanas Ali Kapxhiu?
- Ndryshe nga ekspozitat që kemi organizuar me piktorë brenda dhe jashtë vendit, ekspozita e pikturave të të ndierit Kapxhiu ka brenda një dhimbje të madhe. Ka brenda dhimbjen e fëmijëve të piktorit të mbetur jetimë dhe që në momentin më të vështirë të jetës së tyre, kur kanë ngelur pa asnjë të ardhur për të vazhduar studimet, me dhimbje kanë vendosur që të shesin pikturat e mrekullueshme të babait të tyre.

Kur ju kërkuan fëmijët e piktorit Kapxhiu që të organizoni këtë ekspozitë?
- Rreth 10 ditë më parë, erdhi nga Tirana djali i të ndjerit piktor Ali Kapxhiu, Desareti, i cili pasi më foli për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalonte ai dhe motra e tij tashmë të ngelur pa babë e nënë, më tha se kishin vendosur që të nxirrnin në shitje pikturat e babait të tyre artist. U trishtova nga dhimbja që kishte kapur të dy fëmijët e ish-kolegut tim dhe i kërkova djalit të artistit që mos të nguteshin, pasi pikturat e babit të tyre ishin një pasuri e madhe dhe një kujtim i rrallë që i ati u kishte lënë.

Cili ishte reagimi i tij?
- Djali mbushi sytë me lot dhe pasi goditi gjoksin me grushtin e mbledhur fort, më tha se nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të dalë nga situata tepër e vështirë ekonomike, e cila i rrezikonte shkollën… Ishte e vështirë edhe për mua që t'i mbaja lotët… Në ekspozitën që do qëndrojë e hapur nga 31 marsi deri në 10 prill, ne kemi vendosur që bashkë me qytetarët artdashës të qarkut të Beratit të ftojmë edhe biznesmenë, të cilët duke blerë pikturat e rralla për nga vlerat artistike të piktorit Kapxhiu, do të kontribuojnë dhe ndihmojnë në këtë mënyrë edhe dy fëmijët e artistit, të cilët tashmë kanë mbetur jetimë.

Diçka për pikturat e Kapxhiut?
Piktura e Aliut është e drejtpërdrejtë, plot ndjesi koloristike e tepër delikate. Kënaqësia estetike në kontakt me të është e menjëhershme dhe e vërtetë. Ai është një poet i natyrës së vend-lindjes, i kushton asaj që të gjithë krijimtarinë e tij duke hetuar vëmendshëm të gjithë rrëzën e Tomorit me fshatrat mes pemëve pafund e shtëpitë karakteristike. Natyra emocionante së tepërmi vihet re që në kontaktin e parë me veprat plot me elemente reale të marra në mënyrë direkte. Peizazhet e vendlindjes dhe të zonës përreth në formate të mëdha janë dëshmitë që rrëfejnë për lidhjen e tij dhe frymëzimin e përhershëm. Tomori me bukuritë e të gjitha stinëve dhe fshatrat e shumtë, monumentet e trashëgimisë kulturore e natyrore në vjeshtë, pranverë e në dimër, tepër të frymëzuara, janë dëshmi e lidhjes së tij me rrënjët, me vendlindjen.
Nga: Abedin Kaja
Marrë nga: Gazeta Shqiptare
 
Back
Top