Vdekja më vjen prej syve të tillë

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Klementin Mile

Mjafton një shëtitje nëpër rrugët e Tiranës për ta vënë re këtë fenomen të çuditshëm. Nuk e kam fjalën për shikimet agresive, madje as për cilësinë e tyre në përgjithësi, por për sasinë. Nëse je femër e re në moshë, vëzhgohesh tri herë: nga vetja para pasqyrës, nga femrat e tjera në ambientet publike, dhe nga meshkujt. Nga ana tjetër, nëse je mashkull i ri në moshë, vëzhgohesh zero herë: as nga vetja para pasqyrës (2 minuta sa për të larë sytë dhe rregulluar disi flokët nga gjumi i natës nuk mund të cilësohen vëzhgim), as nga meshkujt e tjerë, as nga femrat. Kjo e fundit shihet qartë kur për shembull një mashkull është duke ecur rrugës me një femër dhe, ndërkohë që këmbehen me një femër tjetër, kjo vëzhgon femrën dhe jo mashkullin krah saj. Sigurisht, ka edhe përjashtime; por, siç thonë me të drejtë, ato vetëm vërtetojnë rregullin.

Pra në garën për të tërhequr vëmendje femrat kryesojnë 3 : 0 ndaj meshkujve. A ka rëndësi ky fakt? Po domethënie? Për të treguar rëndësinë e këtij fakti nevojitet një argument sociologjik, i cili nuk është e vështirë të prodhohet, nëse e interpretojmë filozofikisht sociologjinë si një lloj fizike sociale. E kjo do të thotë t’i referohemi filozofisë së Kantit dhe kategorive të tij të relacionit.

Kështu, rezultati i garës së vëmendjes i pozicionon femrat si aksident, si qenie që janë ashtu si janë por mund të ishin ndryshe (kjo pasi tri vëzhgime të ndryshme ndërtojnë imazhe të ndryshme për objektin e vëzhguar); ndërkohë që meshkujt përcaktohen si substancë, të përjetshëm dhe të padukshëm. Jo më kot meshkujt nuk para ndërrojnë as modelin e flokëve dhe as veshjet, ndërkohë që te femrat kjo do të konsiderohej diçka anormale. Rrjedhimisht, femrat nuk mbetet të jenë gjë tjetër veçse aksidente në jetën e meshkujve, jo diçka esenciale. Femrat marrin formë prej meshkujve, e padukshmja mashkullore bën të duket femërorja. Nga ana tjetër, meshkujt, si substancë, arrijnë t’i shfaqen botës dhe të merren parasysh vetëm përmes femrave.

Përveç kësaj, nga perspektiva e fizikës sociale, kjo situatë vëmendjeje e theksuar për femrat dhe e munguar për meshkujt, i vendos meshkujt si shkakun dhe femrat si pasojën. Por jo një shkak i dukshëm dhe i rëndomtë; përkundrazi, meshkujt konsiderohen si Zoti, si shkaku i parë i pashkaktuar, që prej pozicionit të vet të padukshëm krijon për pasojë botën e dukshme. Në konceptimet ontologjike, shkaku është më real se pasoja. E kjo do të thotë që femrës, si pasojë, i atribuohet një lloj falsiteti, një lloj tëhuajësimi, “ajo nuk e di çfarë do”.

Gjithashtu, kategoria e ndërveprimit (komunitetit) merr një formë perverse në këtë situatë. Sipas kësaj kategorie të intelektit njerëzor, ndërveprimi mund të ndodhë vetëm si komunitet substancash; janë substancat që ndërveprojnë, në bazë të një rregulli reciprociteti. Por kjo do të thotë që meshkujt dhe femrat nuk mund të krijojnë një komunitet të përbashkët dhe as të tregohen reciprokë kundrejt njëri-tjetrit, pasi vetëm meshkujt trajtohen si substancë, femrat jo.

Ashtu si një substancë mund të ndërveprojë me tjetrën duke stimuluar aksidente te ajo, edhe një mashkull mund të ndërveprojë me tjetrin duke shenjuar (pozitivisht ose negativisht, pra ose me anë të komplimenteve ose me anë të fyerjeve) femrën e tjetrit. Jo rastësisht, në situatën kur femrat e kryesojnë bindshëm garën për vëmendje, bëhemi shpesh dëshmitarë të konflikteve të dhunshme mashkullore për motive të dobëta, për motive që lidhen me cenimin e femrës së gjendur krah një mashkulli.

Lëvizjet feministe, që synojnë barazi gjinore dhe dinjitet për gratë dhe vajzat, janë marrë deri tani me ndërhyrje sipërfaqësore, me kuota, me përmirësime kushtesh pune, me ndërgjegjësim për të drejtat e tyre. Edhe kur lëvizjet feministe e kanë cilësuar veten “radikale” dhe kanë predikuar ndërhyrje në biologjinë e femrës, apo “strukturaliste” dhe kanë predikuar ndryshime strukturore, përsëri ato e kanë formuluar gabim problemin themelor.

Këto ndërhyrje, edhe kur kanë sukses me objektivat e tyre, nuk e ndryshojnë aspak pozicionin fiziko-social të femrave në shoqëri. Ky pozicion do të vazhdojë të mbetet inferior dhe ligjërimi maskilist do të vazhdojë të mbetet legjitim, për aq kohë sa gara për vëmendje do të kryesohet bindshëm nga femrat./Mapo.al/
 
Back
Top