“Varianti” i Bollanos, më ligjor dhe më antigrek

braziljania

Anëtar i Nderuar
Nga Mero Baze
Ka disa ditë që udhëheqësi i pakicës greke në Shqipëri, Vasil Bollano, është rikthyer në vëmendje të medias bashkë me kthimin e emigrantëve nga Greqia. Rasti këtë radhë janë pronat dhe pronarët e vjedhur në Bregdetin e Rivierës shqiptare. Propozimi i zotit Bollano është hedhja poshtë e Ligjit 7501 dhe ndarja e tokës sipas pronarëve të vjetër, por legjitimitetin e dokumenteve ta caktojë fshati. Kjo ide, pak a shumë e formuluar “haxhiqamilçe” në opinion publik, nuk është se ka ndonjë bazë ligjore apo lobim parlamentar që të realizohet. Por si ide nuk është se është e padrejtë. Kthimi i tokës te pronarët legjitimë, natyrisht përmes një procesi ligjor transparent dhe jokorruptiv, do të ishte një fitore e madhe për Shqipërinë dhe zoti Bollano mund të jepte një kontribut në këtë drejtim. Problemi është se konfuzioni politik në Shqipëri rreth pronave dhe më pas abuzimet e politikanëve në pushtet me to, kanë shkuar aq larg, sa ne nuk kemi më shans as të ëndërrojmë që pronarët e vjedhur do të marrin pronat. Në vitin 2008, nën mbështetjen e kryeministrit Berisha në Grykën e Këlcyrës është ndarë tokë me Ligjin 7501 në emër të disa fshatarëve dhe brenda javës është transferuar si pronë e një biznesmeni që i përket pakicës greke në Shqipëri, i quajtur Harri Lena. Pronarja e kësaj toke është gjallë, por s’mund të bëjë asgjë. Natyrisht, skena të tilla mund të shohë dhe Bollano në Himarë. Dhe ai mund të shikojë se si mbin ndonjë pronar i ri në trojet e himarjotëve dhe fillon e ndërton fshatra turistikë, të dhëna si kompensim për kasolle në Llogora. Në këtë pikë, pra, është i motivuar dhe zemërimi i pronarëve të shoqatës “Bregdeti”, dhe ideja e Bollanos që prona do t’i kthehet të zotit. Por mundësia politike për këtë në Shqipëri thuajse po shkon drejt zeros. Kryeministri, Sali Berisha, mbrojti dje Ligjin 7501 dhe i dha fund këtij debati, po të kemi parasysh se po kaq fanatikë për ta mbrojtur këtë ligj kriminal janë dhe socialistët.

Por problemi që vjen nga Himara nuk është një problem që nuk realizohet dot, se ngrihet nga një lider që thotë se udhëheq pakicën greke në Jug të Shqipërisë. Problemi që vjen nga Himara është një problem që në radhë të parë iu intereson shqiptarëve dhe banorëve të bregdetit, qofshin këta të Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Himarës, Qeparoit, Borshit e Sarandës. Përtej kësaj hapësire ai është një problem që ka rëndësi për gjithë Shqipërinë. Paradoksi është se për një problem që iu intereson thellësisht shqiptarëve, madje dhe familjeve të mëdha shqiptare, interesohet një lider që është shpallur si prijës i pakicës greke dhe për interesat e kësaj pakice interesohet dhe i mbron realisht kryeministri Berisha. E them këtë, pasi, nëse do të shkojmë me variantin Bollano, si variant kombëtar, dhe toka t’i kthehet të zotit, ne do të kemi kthimin e pronarëve legjitimë në bregdetin e Shqipërisë, qofshin këta qytetarë që ndjehen grekë apo shqiptare, ashtu siç do të kishim kthimin e pronarëve legjitimë të Libohovës dhe Gjirokastrës në Dropull, kthimin e familjeve të mëdha të Delvinës në Fushën e Vurgut, Vrinës dhe gadishullin e Ksamilit, kthimin e pronave të familjes Këlcyra në Këlcyrë Përmet, Berat e Fier e kështu me radhë. Pra, varianti Bollano si variant politik është shumë proshqiptar. Ai realisht ia heq tokën që kanë marrë me Ligjin 7501 gjithë pakicës greke në Dropull në Vurg dhe në një pjesë të bregdetit, por natyrisht njeh si pronarë legjitimë atë pjesë të pakicës greke që ka qenë e tillë. Ka fshatra të pakicës greke, si Dropulli, Derviçiani, Livadhja e ndonjë tjetër, që kanë pasur banorët e tyre të pasur dhe kanë jetuar si të tillë bashkë me shqiptarët brenda Shqipërisë. Në këtë aspekt, varianti i Bollanos nuk është se është ndonjë variant i keq, as ligjor dhe as politik. Ai është vetëm një variant që dëmton realisht pakicën greke në Shqipëri dhe që dëshmon një dimension të panjohur të zotit Bollano, që ka të bëjë me interesa të tij konkrete në Himarë dhe jo me interesat e pakicës greke në Jug. Garanti real i pakicës greke është realisht Ligji 7501, i mbrojtur me fanatizëm nga kryeministri, Sali Berisha. Ai variant i Berishës i bën pjesëtarët e pakicës greke pronarë në tokat e familjeve të mëdha shqiptare, bën që shumë nga pjesëtarët e kësaj pakice të faktorizohen si pronarë përmes lehtësisë që krijon ky ligj kriminal antishqiptar.

Për këtë arsye e shikoj pa vend zemërimin e madh ndaj Bollanos. Zemërimi real i pronarëve shqiptarë duhet të jetë me ata që mbrojnë Ligjin 7501 dhe jo me ata që duan ta hedhin poshtë këtë ligj dhe t’i kthejnë tokën pronarëve. Ne nuk kemi problem as grekët pronarë, as shqiptarët pronarë, ne kemi problem zaptuesit e tokave të pronarëve, që janë në Tiranë dhe po bëhen pronarë në Bregdetin e Vlorës. Kemi problem sekserët që po blejnë tokat e familjes Vlora dhe që qajnë për Ismail Qemalin që i kanë ndërruar dhe mbiemrin. Kemi problem zaptuesit e pasurive dhe jo ata që duan të kthehen në tokën e të parëve. Në këtë aspekt, Bollano tregon vetëm faktin që ai është i interesuar për tokat e tij në Himarë dhe jo për të ardhmen e pakicës greke. Por ky është problem i tij. Problemi ynë është legjitimiteti i pronës dhe për koincidencë politike, ajo nuk favorizon politikisht pakicën greke në Shqipëri. Kjo gjë as na gëzon, as na mërzit, por Bollano s’ka pse bëhet hero i kësaj ngjarjeje, duke qenë se realisht është minuesi real i interesave të pakicës greke në Shqipëri.


Gazeta Tema - GAZETA SHQIPTARE ALBANIA - Gazeta shqiptare online
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top